2018-10-31

Eno Shkëmbi : Mes reales dhe sureales


Studiuesi dhe kritiku i artit ndalet tek punimet e dy artistëve të rinj, të cilat shoqëruan gjatë gjithë sezonit veror Galerinë e Arteve në Sarandë. Rrugëtimi i tij mes portretesh dhe peizazhesh rrëfen dy talente premtues

Përtej Tiranës, në qytete si Saranda rriten dhe zhvillohen talente të rinj, veprat e të cilëve impresionojnë jo rrallëherë. Për piktoren Blegina Hasko Bezo dhe skulptorin Emanuel Sali Koko ndoshta do të dëgjoni në të ardhmen, por kësaj here rrugëtimit të tyre artistik u paraprin studiuesi dhe kritiku i artit Josif Papagjoni. Veprat e dy artistëve të rinj kanë shoqëruar Galerinë e Artit në Sarandë gjatë gjithë sezonit veror. Kritiku ndalet tek imazhi sundues i një figure femërore, të cilën e shikon të ricikluar në mediume të ndryshme, si frut i punës së Haskos. Interesant në përshkrimin e Papagjonit vjen edhe peizashi ku vendoset figura e gruas, që edhe pse abstrakt konfigurohet simbolikisht me shëmbëllimin e hartës dhe kufijve të Kosovës. “Përmbi të shfaqet spërndritja e kësaj gruaje në dy ngjyra bazike, e kuqe dhe e zezë: ngjyrat identitare të flamurit dhe qenies sonë si shqiptarë”. Përpos peizazheve me linja kompozicionale të zhdërvjellëta të piktores, Papagjoni ndalet edhe tek punimet e skulptorit Emanuel Koko të cilat janë krijuar nëpërmjet gdhendjes në dru dhe rrahjes në material hekuri. Veprat e artistit i kujtojnë ndër të tjera studiuesit edhe fytyrat e vrara të njerëzve të punës, nën mundim dhe gravitetin e halleve, lodhjes, sigurimit të jetës etj.

Josif Papagjoni

…Si në çdo art, edhe në arin pamor pëlqimet dhe shijet lëvizin: dikush pëlqen imazhe të përputhshme me sendet, fytyrat, pamjet, shëmbëlltyrat e njëmenda, doemos duke i rimodeluar ato gjegjësisht ideve dhe ndjeshmërive të artistëve. Kjo lloj pikture, le ta quajmë “figurative”, përherë më ka pëlqyer. Njeriu rreket të gjejë diku aty vetveten, shëmbëlltyrën e ngjashme apo ta përfytyroj atë në një medium ku ai frymon. Por shekulli XX, posaçërisht në fillimet e veta, solli një tjetër qasje ndaj arteve pamore: deformimin e shëmbëllimit, largimin prej tij, refuzimin, gjer në mohim. Tanimë arti u krodh në krijime imazhesh mitologjike, në sendërgjime e shpikje të habitshme qeniesh, sendesh, peizazhesh, realitetesh të trilluara nga mendja dhe fantazia, një surrealitet që të trondiste me simbolikat dhe metaforat e veta, me fuqinë sugjestionuese dhe befasitë. Në Shqipëri këto të ashtuquajtura “izma” erdhën shumë vonë, vetëm pas vitit 1990, teksa bota i kishte provuar një shekull më parë dhe i pat përsosur më tutje në rrjedhën e kohës. Gjithsesi kënaqësia që jep arti, në dy paradigmat bazike të tij, është po aq e thellë dhe vlera estetike është po njësoj e konkurrueshme dhe “avangardë”, mjaft që ai të mbërrijë në sipëraninë e vet sa formale, po aq ideore.

Dhe tek po shihja ekspozitën e dy artistëve të Liceut Artistik “Jordan Misja, piktores Blegina Hasko Bezo dhe skulptorit Emanuel Sali Koko, çelur dhe mbetur hapur gjatë gjithë sezonit veror në galerinë e arteve në Sarandë, këto mendime buisnin në mendimin tim kritik. I shihja të dyja kahet të gërshetuara: aty realiteti i përjetuar përthyhej, transfigurohej falë një ndërhyrjeje energjike prej artistëve me natyrë trilluese si dhe sendërgjimeve të forta ardhur prej fantazisë së tyre, dhe po aty ky realitet të sillte ndërmend gjësende që ti i ke prekur diku, i njeh apo janë të afërta me ty, afërmendsh përmes një modelimi të dukshëm artistik kryekreje. E pra, të dyja këto qasje piktorike binin në sy edhe në krijimet e dy artistëve të sipërpërmendur. Në imazhin sundues të piktores Blegina Hasko vjen dhe rivjen figura e një gruaje në shtjellë e dinamikë, më saktë fytyra e saj si në një shpërndërrim mjegulle, e cila riciklohet në mediume të ndryshme. Peizazhi ku ajo vendoset është përgjithësisht abstrakt, diku në një cep të rruzullit a kozmosit, por diku gjetke ai konfigurohet në mënyrë simbolike, siç është rasti i shëmbëllimit të hartës dhe kufijve të Kosovës, e përmbi të shfaqet spërndritja e kësaj gruaje në dy ngjyra bazike, e kuqe dhe e zezë: ngjyrat identitare të flamurit dhe qenies sonë si shqiptarë.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...