Lleshi maj të vitit 2013, është nxjerrë në lirim me dekret nga Presidenti i kohës, Bujar Nishani. Ky propozim është bërë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me urdhër Nr. 1093 dt. 27. 05. 2013.
Vendimi i Presidentit është marrë më datë 21 maj të vitit 2013 dhe në të argumentohet se Sandër Lleshi, lirohet nga detyra e Zëvëndësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Po ashtu ai është nxjerrë në lirim dhe nga funskioni i Gjeneralit të Brigadës.
“21 Maj 2013 Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi
Dekretoj: Neni 1 Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, lirohet nga detyra e Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe del në lirim”, thuhet në dekretin Nr. 8189 e firmosur nga ish Presidentit, Bujar Nishani.
Por pas këtij vendimi, Sandër Lleshi ka ankimuar dekretin dhe urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami në Gjykatën e Tiranës.
Gjykata e Rrethit të Tiranës ka vendosur 8 muaj më vonë të pranojë ankesën e Sandër Lleshit, si dhe ka vendosur të shfuqizojë, dekretin e Presidentit Nishani dhe urdhin e Ministrit Imami.
Në vendim thuhet se Sandër Lleshi duhet të paguhej nga Ministria e Mbrojtjes për 8 muajt që u nxorr në lirim, si dhe ky shpërblim financiar do ti jepej deri sa ai të sistemohet në një pozicion si ai që mbante.
Por Sandër Lleshi nuk u kthye më në detyrën që mbante, për rrjedhojë ai është paguar edhe për këtë funksion që nuk e ka ushtruar.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 12606 datë 17.12.2013, vendosi:
Pranimin e kërkesë-padisë.
Anulimin e Dekretit Nr. 8189 dt. 21. 05. 2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Anulimin e Urdhrit Nr. 1093 dt. 27. 05. 2013 të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Mbrojtjes t’i paguaje paditësit Sander Lleshi, pagën nga data 27. 05. 2013 deri në ditën e sistemimit të paditësit në një detyrë në përputhje me gradën që mban.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur Ministria e Mbrojtjes””, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Ndërkohë që ish-Presidenti, Nishani gjatë një intervistë për ABC Neës ka deklaruar se Sandër Lleshin e ka nxjerrë në rezervë dhe nuk e ka liruar nga detyra. Ndërkohë që dokumenti fakton të kundërtën.
“Për mua ishte një lëvizje e sforcuar. Lleshi nuk ka qenë i shkarkuar por i dalë në rezervë. Zotëria iu nënshtrua rregullit të ushtrisë, qëndroi në kohë për aq kohë që ia lejon grada”, u shpreh Nishani.
Dekreti i ish-Presidenit Nishani
21 Maj 2013 Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi
D E K R E T PËR LIRIM NGA DETYRA DHE DALJE NË LIRIM
Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të pikës 8, të nenit 7 të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit dhe të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, dhe me propozim të Ministrit të Mbrojtjes,
D e k r e t o j
Neni 1
Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, lirohet nga detyra e Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe del në lirim.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. i dekretit 8189
Tiranë, më 21.05.2013
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
****
Pas emërmit të Gjeneral Sandër Lleshi si Ministër i Brendshëm,Lindita Çela gazetare e sjell nga arkivi një ngjarje që lidhet me karierën dhe personalitetin e Gjeneralit
Gjenerali paralajmëron katastrofën në Ministrinë e Mbrojtjes. Pse foli, e shkarkuan
Një njeri që ka rrëmbyer tankun për të sulmuar institucionet sigurisht që duhet të ketë një urrejtje patologjike ndaj tyre. Ky nuk është rasti i Sandër Lleshit, gjeneralit që është betuar në mbrojtje të tyre që kur ishte 15 vjeç.
Civil, Sandër Lleshi është më i lirë për të folur për shkarkimin, një rresht letër të Presidentit, e për katastrofën që Arben Imami po shkakton në Ministrinë e Mbrojtjes. Në një intervistë për TemA-n, Sandër Lleshi rrëfen arsyet e shkarkimit të tij. Uzurpimi i institucionit nga Imami duket se është beteja e humbur e gjeneralit.
Z. Gjeneral, dje u vumë ne dijeni se ekziston një dekret i Presidentit që bën me dije shkarkimin tuaj, por në fakt, dekreti nuk është publikuar deri në mesditë e ju nuk jeni njoftuar zyrtarisht. Cili është pozicioni juaj? Ju jeni liruar nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë?
Është e vërtetë që kam marrë dijeni në një rrugë gjysëm zyrtare, për një dekret të Presidentit të Republikës, që flet për lirimin tim nga detyra dhe nga Forcat e Armatosura. Them gjysmë zyrtare, sepse unë kam në dorë dy fotokopje vendimesh që flasin për lirimin tim: një dokument është dekreti i Presidentit të Republikës dhe tjetri është një urdhër i ministrit të Mbrojtjes, i cili thotë se brenda datës 29 maj duhet të dorëzoj detyrën time. Megjithatë, edhe pse nuk kam ende një njoftim zyrtar, unë e konsideroj të mbyllur këtë çështje. Sot jam i liruar nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Z. Lleshi, a ka ndonjë motiv ligjor mbi të cilën është argumentuar lirimi juaj nga funksionet drejtuese dhe nga Forcat e Armatosura?
Fatkeqësisht nuk ka asnjë motiv dhe asnjë bazë ligjore. Dekreti që urdhëron lirimin tim është një rresht e gjysëm tekst. Urdhërohet lirimi, por nuk jepet asnjë motivacion dhe arsye. Me aq sa pashë, me trishtim konstatoj se dekreti është krejtësisht i pambështetur në ligj. Nuk duhet shumë kohë e as ekspertizë ligjore apo profesionale për të kuptuar se dekreti është më shumë se i gjymtë. I gjymtuar në thelbin e tij, dekreti nuk i referohet as formalisht ligjit për gradën dhe karrierën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ligj i cili rregullon gjithë detajet, gjithë ciklin e jetës së një ushtaraku në Forcat e Armatosura, nga momenti i rekrutimit e deri në daljen e tij në pension. Ky dekret lirimi, jo vetëm që nuk përputhet në asnjë germë të tij me këtë ligj, por Presidenti as nuk i referohet, të paktën formalisht.
Z. Gjeneral, shkarkimi juaj thuajse është i papritur. Pak ditë më parë ju ishit ideatorë të një aktiviteti të rëndësishëm në kuadër të aderimit të Shqipërisë në NATO. Dukej se karriera juaj vazhdonte normalisht. Sipas gjykimit tuaj, përse vendosi t’ju shkarkonte nga detyra Presidenti i Republikës?
Kjo është një pse e madhe, e cila më mundon dhe mua. Do më duhet pak kohë për ta kuptuar psenë. Normalisht përgjigjen e saj duhet ta kishin dhënë ata persona që kanë vendosur lirimin tim nga detyra, që është një veprim i madh dhe i rëndësishëm. Këtu nuk bëhet fjalë për mua si individ. Dekreti ka rëndësi sepse janë liruar nga detyra tre gjeneralë, që në një farë mënyre janë 30 përqind e gjeneralëve të Forcave të Armatosura, ose kupola drejtuese e saj. Arsyen unë nuk e di. Por duke mos pasur një arsye zyrtare, kuptohet që njeriu do gjykojë mbi deduksionin se kush mund të jetë arsyeja e vërtetë, apo se kush qëndron pas rreshtave të dekretit. Duke qenë se dekreti është i jashtëligjshëm, dhe arsyet për të duhen gjetur jashtë ligjit. Kjo për arsyen e thjeshtë se ligji e ka përcaktuar në mënyrë taksative kur një ushtarak largohet nga Forcat e Armatosura. Asnjë prej tyre nuk besoj se plotëson largimin ndaj më lë të kuptoj se bëhet fjalë për një arsye përtej ligjores. Unë mendoj, dhe jam i bindur, se gjithçka ka lidhje me qëndrimet e mia, me profilin tim, me identitetin tim profesional në karrierën time, por kryesisht ka lidhje me qëndrimet e mia, të cilat janë artikuluar në mënyrë konstante gjatë viteve që isha në atë detyrë. Qëndrime, të cilat mund të them se jo rrallëherë, por shpeshherë, kanë rënë ndesh me qëndrimet e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Bëhet fjalë për qëndrime që trajtojnë parimet të mëdha të funksionimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura. Unë këto i kam thënë zyrtarisht. Gjithçka që them sot, e sidomos ato që do të them nesër publikisht, unë i kam thënë zyrtarisht. Kam kënaqësinë dhe krenarinë të mos them gjëra që janë post factum, pra mbas lirimit, por ajo që do të bëj është thjesht se do të sjellë edhe në vëmendjen e opinionit publik problematikën që i kam thënë zyrtarisht. Fakte dhe problematika, të cilat ia kam drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës, Kryeministrit të vendit, Kuvendit të Shqipërisë, ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në kohën ku unë kam pritur përgjigje, reagime, korrigjim kursi në lidhje me problematikat që unë kam evidentuar, unë marr këtë dekret. Si duket zgjidhja është gjetur tek largimi im.
Z. Gjeneral, teksa ju thoni se për problematikat e konstatuara keni vënë në dijeni institucionet më të larta të vendit, kujtoj se të njëjtën gjë ka bërë edhe ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, para se të ndodhet tragjedia e Gërdecit. Ekzistojnë dhjetëra dokumente që z.Hoxha i përcillte Presidentit, Kryeministrit dhe Kuvendit, Ministrit, për problematikat, ku mos reagimi shkaktoi 26 të vrarë e disa fshatra të rrafshuara. Mos jemi sërish në të njëjtën situatë?
Nuk mund të them se sërish jemi përballë një tragjedie apo katastrofe sa ishte tragjedia e Gërdecit. Por them me bindje se jemi përballë problemeve serioze, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe jo dekrete shkarkimi.
Që janë?
Unë nuk jam sot i gatshëm të merrem me detajet e këtyre probleme, por i premtoj publikut se në një kohë shumë të shpejtë do t’i bëj me dije. Por mund të them se janë probleme që mua më kanë shqetësuar vazhdimisht e që kanë të bëjnë me raportet me NATO-n, me nevojën për një thellim të reformave të transformimit të Forcave të Armatosura, si forcë e një vendi anëtar të NATO-s. Kam pasur dhe vazhdoj të kem shqetësim të madh mbështetjen me buxhet të Forcave të Armatosura. Probleme këto, të cilat kanë pësuar tronditje të thellë dhe që janë në kundërshtim me premtimet tona zyrtare në aderimin në NATO. Janë probleme që kanë të bëjmë me trajtimin e njerëzve me uniformë, të atyre njerëzve që mbajnë në këmbë Forcat tona të Armatosura. Janë probleme që kanë të bëjnë me menaxhimin e personelit ku janë evidentuar në vijueshmëri probleme të mëdha. Janë probleme të përqendrimit absurd dhe absolut të të gjitha kompetencave në një dorë, në nivelin politik të drejtimit, pra tek ministri i Mbrojtjes. Kompetencat administrative kurrsesi nuk duhet të plotësohen tek kompetencat politike, duhet të ketë një ndarje të qartë mes tyre. Marrja e të gjitha kompetencave në një dorë hap të gjitha dyert.
Z. Gjeneral për këto arsye kemi një ushtri që është në dispozicion të z. Imami dhe në fushatën e tij elektorale?
Unë e them me trishtim, me dhimbje, që kjo është e vërtetë. I jam drejtuar me shkrim dhe i kam kërkuar zyrtarisht ministrit Imami që të heqë dorë në keqpërdorimin e Forcave të Armatosura jashtë funksionit të tyre. Në kohën e përshtatshme do i bëj publike dhe këto. I kam kërkuar zyrtarisht, profesionalisht dhe me një ndjenjë qytetare dhe patriote ministrit që të mos përdorë asetet ushtarake, të cilat janë të destinuara për të përballuar emergjencat civile, atëherë kur vendi ka nevojë për to, por jo në kushtet jashtë emergjencës. Në fakt po ndodh e kundërta. Po përdoren asetet e parashikuara për emergjenca civile në kushte normale.
Z. Gjeneral, mos ndoshta këto kundërshti tuajat kanë iniciuar edhe nismën e ministrit Imami për shkarkimin tuaj?
Patjetër që po. Presidenti ka vepruar në përgjigje të propozimit të Ministrit të Mbrojtjes.
Z. Lleshi, tashmë Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Janë disa reklama të qeverisë që e trumbetojnë fortë këtë si një sukses, por shkarkime të tilla, të jashtëligjshme si dhe ju thoni, në nivelin drejtues së ushtrisë, a ndodhin në vendet e kësaj aleance?
Jo. Kurrsesi. Dhe për këtë ju garantoj. Kam kaluar vite jashtë vendit, një pjesë të madhe të karrierës e kam kaluar në këto vende, jam familjarizuar me praktikat e tyre të funksionimit të ushtrisë, ndaj ju them me kompetence se kjo nuk mund të ndodhë. E them me të madhe. Nuk mund të lirohet numri dy i Forcave të Armatosura pa një kontakt sy më sy me Presidentin, me Kryeministrin e Ministrin e tij. Pa një protokoll, pa një ceremonial. Në shtetet normale dhe ligjore organizohen dhe parade ajrore apo tokësore, dhe kjo nuk bëhet për personin, por për respektin që shteti ka ndaj pozicionit dhe institucioneve. Por ne jemi, për fat të keq, vite drite larg. Unë thjesht ndjej një trishtim të thellë që Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka hedhur firmën në një dekret, i cili nuk ka asnjë mbështetje në ligjet e këtij vendi dhe as në parimet në të cilat mbështet aleanca në të cilën ne aderojmë.
Atëherë ju e keni krejtësisht të lehtë për të fituar betejën ligjore me Presidentin e Republikës?
Procesi ligjor është gjëja më e thjeshtë. Aktualisht, Presidenti i Republikës ka mbi tavolinë katër dekrete të rrëzuara për shkarkimin e gjeneralëve në mënyrë të jashtëligjshme nga Forcat e Armatosura. Çështja ime është më e thellë dhe më alarmante.
Aq alarmante sa të shkaktojë dhe reagimin e strukturave të partnerëve tanë?
Që kjo do të mbahet shënim, nuk ka asnjë pikë diskutimi. Por nuk besoj se do të ketë një reagim zyrtar sepse shtetet dhe strukturat kur ne aderojmë respektojnë sovranitetin e një shteti. Në një vend të lirë reagimet bëhen nga institucionet. Nëqoftëse institucionet e këtij vendi gjykojnë që nuk kanë nevojë më për kontributin tim, personalisht nuk kam asnjë problem. Por nëqoftëse institucionet e këtij vendit ia lejojnë luksin çdokujt për të shkelur ligjet në mënyrë brutale, atëherë do të ketë pasoja. Unë po ju them, me përgjegjësi të plotë, që për shkak të vendimeve të paligjshme të marra nga ministri i Mbrojtjes, shteti shqiptar paguan dëmshpërblim ndaj personave të dëmtuar padrejtësisht nga autoritetet e ministrisë një faturë miliona dollarë. Është fatura që e paguajnë qytetarët shqiptarë për shkak të qëndrimeve dhe vendimeve të papërgjegjshme, aspak profesionale dhe arbitrare të drejtuesit të Ministrisë së Mbrojtjes.
E keni fjalën për z. Imami?
Kjo faturë është agravuar në mënyrë eksponenciale gjatë viteve të fundit, sidomos në periudhën që drejton z.Imami. Rasti im është një grimcë e papërfillshme në morinë e shkeljeve dhe problematikave që ka ky institucion, dhe pse ka një peshë specifike të caktuar.
Z. Gjeneral, nisur qoftë dhe nga përditshmëria juaj, a gjeni tek vetja ndonjë veprim që ka rënë ndesh me detyrën apo betimit që ju keni kryer?
Kjo është çështja më e thjeshtë për mua. Jo në çdo sekondë, por që nga data 1 shtator e vitit 1978 e deri më sot, pra që në moshën 15- vjeçare e deri më tani, nuk ka asnjë nanogram apo asnjë veprim që bie ndesh me betimin tim ndaj Flamurit dhe ligjit. Përkundrazi. Është një karrierë e vlerësuar në çdo aspekt, qoftë brenda apo dhe jashtë vendit. Nuk kam shkelur kurrë ligjet e shtetit tim. Betimi që kam dhënë është një vendim i pacenueshëm. Në shërbim të këtij betimi vjen dhe fjala ime. Po ju rrëfej një thënie që qarkullon shpesh mes nesh. Nëse një gjeneral flet me zë të lartë, për të trajtuar problemet e Forcave të Armatosura të sigurisë dhe të atdheut, ai rrezikon karrierën, familjen apo dhe të ardhmen e tij. Por nëse ai hesht, rrezikon atdheun e tij. Tani përballë këtyre dy rreziqeve, unë po zgjedh të flasë.
Atdheu unë është në rrezik?
Unë kam zgjedhur për të folur. Dhe jo sot. Sot po flas publikisht. Kam kohë që flas në mënyrë institucionale.
Në mënyrë institucionale foli edhe ish- Gjeneral Luan Hoxha, por ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Unë them që Gërdeci tërhoqi tragjikisht vëmendjen ndaj Forcave të Armatosura, dhe duhej të ndodhte ajo katastrofë për të kuptuar shumë gjëra që nuk shkonin në Forcat e Armatosura, por unë nuk dua të flas për këto tani. Unë dua të them që drejtimi aktual i Ministrisë së Mbrojtjes ka evidentuar probleme të mëdha, probleme të cilat kanë konfliktuar ministrinë me opinionin publik.
Z. Lleshi, ju keni 36 vite që i shërbeni vendit. Keni një karrierë të admirueshme, e cila pritet në mes me një dekret të Presidentit. Sot jeni i veshur civil, si ndiheni?
Është një ndjenjë komplekse. Nuk mund ta përcaktojë atë që ndjej. Ndiej gjithçka. Ndihem krenar, i plotësuar, i rrethuar nga shumë miq. Por gjithashtu ndjej trishtimin, ndjej boshllëkun. Kam një jetë të tërë ushtarak e nuk gjejë fjalë për ta përshkruar. Vetëm ai që e ka përjetuar e di se çfarë është përgjegjësia dhe jeta e një ushtaraku, mund ta kuptojë se si ndihem sot. Është diçka e cila nuk mund të shprehet. Mund të më kuptojnë ata që e kanë veshur uniformën për 30 vjet. Ata që i kanë hequr vetes lirinë për t’i shërbyer vendit. Duhet ca kohë për t’u kuptuar kjo. Uroj të ndodhë.
****
Rreth komenteve të Bujar Nishanit për Sandër Lleshin!
Nga Elida Buçpapaj
Kur pashë reagimin e Bujar Nishanit për Sandër Lleshin, kandidatin për Ministër të Brendshëm, ndjeva nauzea!
Nuk e marr në mbrojtje Sandër Lleshin, sepse ai do ta tregojë veten se cili është.
Uroj që të mos ketë vëlla a të afërm, fis e farë si pararendësit.
Nuk mund të ndyhet individi nga veprat e ndyra të njerëzve të afërm,
por individi nuk mund të mbajë pozita shtetërore sepse edhe sikur ta kryejë detyrën me devotshmëri, opinioni ngre dyshime për konflikt interesi.
Por reagimi i Bujar Nishanit ishte gërditës!
E kam parasysh Bujar Nishanin që të gjithë karierën e tij ia dedikon vetëm Sali Berishës! Për servilizëm shterrues.
Nuk e zgjidhte askush president me votë popullore as deputet me garë të ndershme vlerash Bujar Nishanin.
E kam parasysh këtë Bujar Nishanin, që ka firmosur dekredet presidenciale për ambasadorë të dhëndërrit të Lenka Çukos e të tjerëve të kësaj kategorie nga nomenklatura ish-komuniste dhe këtë Bujar Nishanin që nuk firmosi dekretin për Ambasador të Visar Zhitit, një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe një të burgosuri politik në burgjet e diktaturës!
S’ka moral Bujar Nishani të bëjë moral lartë e poshtë, i ftuar në studio televizive ! As moral s’ka, as kapacitete dhe as merita!
I ftuar tek News24, Nishani u shpreh se “ministri i ri i Brendshëm, gjeneral Sandër Lleshi, është një ekstremist politik që ka fyer kushtetutën”.
Do të qe skandaloze nëse do të ishte e vërtetë!
Por si fakt dihet se në 28 majin e vitit 2013, një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, presidenti i Republikës asaj kohe Bujar Nishani nënshkroi shkarkimin e ardhur nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami të tre gjeneralëve të FA, midis tyre gjeneral brigate Sandër Lleshi, i cili ishte edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!
Gjeneralët e FA dhe zvshefi i shtabit shkarkohen vetëm për arsye madhore, për grusht shteti, tradhëti apo shkelje të Kushtetutës!
Nuk ekziston asnjë fakt i tillë për të lartpërmendurit, aq më tepër kur dihet se Sandër Lleshi e fitoi gjyqin. Kështu shkelësa të kushtetuetshmërisë dalin Arben Imami dhe Bujar Nishani, dy të emëruar politikë nga njëshi, që i janë falur njëshit sikur të jetë Atdheu dhe Kushtetuta.
Për arritjet personale si ushtarak s’kam se çfarë të them, por sa i përket karierës, majat më të larta Sandër Lleshi i arriti kryesisht kur ka qenë PD në pushtet, ndërkohë që opinioni publik nuk ka asnjë veprim të tij evidentues të ekstremistit apo të shkelësit të Kushtetutës. Ndërsa shkarkimi i tre gjeneralëve të FA një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare është një akt i paprecedent!
Prandaj komentet e Bujar Nishanit janë të pështira.
Sepse opinioni publik ka para sysh puthadorjen e llojit të Bujar Nishanit ndaj eprorit politik, pa të cilin puthadorësit e llojit të Bujar Nishanit nuk do të përfitonin asgjë nga ato që kanë përfituar. Populli nuk do t’i zgjidhte as presidentë, as nuk do t’i votonte dhe televizionet nuk do t’i intervistonin. Kategori si e Bujar Nushanit, nuk kanë kredite besueshmërie, pasi karierën dhe pushtetin e kanë të dhuruar jo të fituar me merita!
Prandaj Shqipëria ka nevojë për reformë zgjedhore, por kjo është temë tjetër!
Sa për Sandër Lleshin, ky e ka me merita gradën e gjeneralit të FA të Shqipërisë, partnere e Aleancës Verio-Atlantike.
Tani pritet të provohet si MB.
Përpara ka një detyrë shumë të vështirë!