Konceptimi i artit, synimi dhe qëllimi si duket në fshehtësi mban realitetin e zymtë e jo shumë të këndshëm. Arti është një tip pesimizmi, kontrast i një bote reale, posedon vetëm një botë, atë të gënjeshtrës, shumë herë edhe të pakuptimtë. “Një botë e tillë është një botë e vërtetë”, shkruan Nietzsche. Por, edhe ai kishte nevojë për gënjeshtrën, për ta sfiduar realitetin, ose për ta jetuar atë. “Fakti që gënjeshtra është e nevojshme për të jetuar bën pjesë në këtë karakter të tmerrshëm të ekzistencës”, vazhdon ai. Atëherë, ekzistenca ndjen nevojë vazhdimi tok me gënjeshtrën dhe rreziku është se bëhet dominuese dhe në fund udhëheq botën. Nietzsche-ja mund ta refuzonte çdo gënjeshtër, qoftë ajo morale ose hyjnore. Por, ndoshta ka bukuri të gjallë e cila mund të na premtojë ta duam këtë botë të vdekshme dhe të kufizuar. Atëherë, vetë arti na dërgon në kufijtë e revoltës, dhe kjo revoltë i kthehet origjinave, pastaj arti pretendon t’i jap një formë, e cila zhvillohet përhershëm. Artisti këtu ndjen dhe rrëmben nga historia. Nietzsche nga antika, Camus nga Nietzsche, antika, historia e artit, Picasso nga historia dhe koha, por prapë shërbehej nga origjinat...
Artin e dhimbjes dhe të dëshpërimit e shohë si çështje force, aty ku gjykohet e bukura, sepse vetë Nietzsche-ja kishte pasion për ndjenjën e fuqisë e cila shprehë gjykimin e së bukurës. Këtu ai ndjente ndjenjën e plotshmërisë dhe forcës së grumbulluar. Ai distancohet nga i dobëti sepse i dobëti drithërohet. Si duket ai e provon në njërën anë dobësinë dhe në anën tjetër fuqinë. Artisti parapëlqen gjëra të tmerrshme dhe lënduese për shpirtin e tij. Këtu në një farë forme artisti është edhe filozof. Shija për dashamirësi dhe stoli (që e parapëlqejnë artistët mediokër) i përket vetëm të dobëtëve. P.sh nëse marrim tragjedinë (Eskilin, Sofokliun, Euripidin), vërejmë karaktere të forta, shpirtra heroik dhe këta shpirtra pranojnë veten në mizori ekstreme tragjike dhe fortësia e tyre ndjenë vuajtjen. Arti kërkon të shkundësh në vuajtje, madje edhe të vdesësh për tu përjetësuar. (Rasti i vetëvrasjes së Van Goghu-t, London-it, Hemingway....)
Në anën tjetër, nëse të dobëtit do kërkojnë ndonjë art tragjik, dëshpërues për shijen e tyre, e dini se çfarë do të ishte kërkesa e tyre? Nietzsche-ja përgjigjet: Do të ndërhynin tek ajo për të interpretuar vlerësimet e tyre, triumfin e rendit të botës, ose doktrinën e mungesës së vlerës së ekzistencës, apo ftesën për nënshtrim. Emocione gjysme morale dhe ky art mund të stimuloj nerva tek të dobëtit. Artin e dëshpërimit dhe tragjik e shohë si ndikim total plot unitet edhe tek të dobëtit, por edhe tek të fortit. Për këtë arsye sot çmohet arti i Mozart-it, Bethoven-it, Vagneri, pastaj, anglezët e sotëm Pink Floyd.... Secili nga ne mund vetes t’ja veshë karakteret e tmerrshme enigmatike dhe në fund kërkon zgjidhje.
Artistët jetojnë në pesimizëm, por të kundërt me pesimizmin moral ose religjioz, ngaqë ai prishë njeriun, kurse artistët pesimistë kërkojnë në këtë botë shpresë dhe zgjidhje. Gjithnjë ata që vuajnë dhe të dëshpëruarit nuk kanë besim të madh te vetja, edh në kohërat më të vjetra kishin vizione magjepsëse për ta duruar jetën. Këta njerëz qenë kundrejt jetës, dhe donin të strehoheshin në bukuritë e përkryera të formës, në çdo gjë të zgjedhur, sepse vetë natyra i ka përsosur. Dihet që artistët dashurojnë bukurinë, këtë e bëjnë nga aftësia për të ndjerë dhe parë dicka të bukur. Bukuria më e madhe është ajo sikurse në veprat e Rembrandt-it, Dali-it... në të cilat krijohet përshtypja se cdo fiksioni i tyre po bëhet realitet, atëherë cdo peizazh dhe personazh duket si i gjallë. Por, artistët më të fuqishëm janë ata që shprehin fuqitë e tyre të një clirimi personal, sepse aty gjejmë përvojën më intime.
Atëherë, a munden artistët ta zgjidhin kuptimin e jetës? “Jeta duhet të frymëzojë besim”, përgjigjet Nietzsche. Në këtë besim njeriu vetë nga natyra është gënjeshtar, sepse është artist. Artisti nuk ka nerva për realen, por asnjëherë nuk e mënjanon në tërësi. Vetë arti buron nga realja, por nuk e dhunon të vërtetën me gënjeshtra, vetëm se bënë përzierje dhe përmirësime personale. Pasi që çdo njëri është pjesë e realitetit, si mund të mos jetë edhe pjesëz e gënjeshtrës (artit)? Artistët shtojnë shumë gjëra edhe që nuk janë dhe nuk rruhen fare nga patetika e shpirtit. Arti si qëllim ka tundimin e ekzistencës, gëzimin dhe çdo njëri që ndjehet i tunduar, gjithnjë është njësoj në tundimin e tij, po ashtu edhe në gëzimin: ndjehet mirë si artist, ndjenë shijen e fuqisë, kënaqet me gënjeshtrën sikur të ishte e vërteta e tij. Më kot nuk thotë Nietzsche-ja se arti nuk është asgjë tjetër veçse art. Vërehet që bënë të mundur vazhdimin e jetës, krijon stimulimin dhe tundimin. “Arti është çlirimi i të përvuajturit, si rrugë drejt gjendjesh shpirtërore në të cilat vuajtja dëshirohet, shndërrohet, hyjnizohet, në të cilat vuajtja është një formë e ekstazës së madhe”, përfundon Nietzsche.