2019/02/02

SHTIGJEVE KRIJUESE E SHKENCORE TË NJË DUSHKAJASI


Në vend të Parathënies

Nga Hasan Hasani

Në vend të hyrjes

Vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar vërtet sollën një rilindje për Kosovën. Në këtë gji të madh të Kosovës strukej edhe Dushkaja me 30 fshatrat e saj, e sidomos Jabllanica, një fshat i Dushkajës, që gjatë historisë kishte bërë emër dhe po bënte edhe në këto vite. Deri në këto vite nga ky fshat kishin dalë tre mësues: Rrustem Sadri Kosumaj, Rexhep Dinë Hajdaraj dhe Sylë Smajl Hajdaraj si dhe disa njerëz që merreshin me punë administrative shtetërore. Po, pikërisht në Jabllanicë, në mahallën e Përkolve, të lindur në fundvitet e dekadës së katërt të shekullit të kaluar, po rriteshin dy fëmijë të cilët me mundime të mëdha kryen shkollën fillore në pesë-gjashtë katunde të Dushkajës. Këta ishin Hasan Malë Hasani (1947) dhe Skënder Ramiz Hoxha (1949). Dhe arritën që në vitin shkollor 1963/1964 të regjistroheshin në shkolla të mesme në Gjakovë: Hasani në Normalen “Hysni Zajmi” dhe Skënderi në gjimnazin “Hajdar Dushi”.

Mirëpo, e veçanta e këtyre dy të rinjve ishte se, përveç që po kryenin shkollat e mesme, këta dy të rinj po hedhnin hapat e parë edhe në publicistikë, e sidomos në krijimtari letrare, me ndonjë shkrim apo lajm të vogël, apo edhe me ndonjë poezi a skicë miniaturale. Dhe koha vërtet tregoi se këta dy djem ndër vite (pesëdhjetë vjet krijimtarie) bënë emër jo vetëm në publicistikë, por edhe në krijimtarinë letrare. Për dallim të këtyre dy fushave të krijimtarisë, Skënder R. Hoxha dha kontribut të pamohueshëm edhe në sferën e shkencës së gjuhësisë, sidomos në atë të onomastikës. Kështu, kontributi i tij shtrihet në shumë fusha. Shkroi e shkruan poezi për të rritur e për fëmijë, kritika letrare, studime shkencore, monografi, shkrime publicistike etj. që e dëshmojnë mijëra faqe librash me rreth 30 vepra gjinish të ndryshme të botuara.

Për të gjitha këto që zumë ngojet më lart do të bëj fjalë në këtë shkrim rreth jetës dhe veprës së publicistit, shkrimtarit e shkencëtarit Skënder R. Hoxha.

Jeta dhe shkolla

Skënder R. Hoxha u lind në vitin 1949 në Jabllanicë (tash Shqiponjë) të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Në vitin 1964 kreu shkollën fillore në Zhabël të Dushkajës. Në shtator të këtij viti regjistrohet në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, të cilin e kryen në vitin 1968. Po këtë vit (shtator) regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po ashtu në Gjakovë. Ndërsa në shtator të vitit 1969 filloi të punojë arsimtar në Shkollën fillore “Ferhat Binishi” në Zhabël. Në vitin 1972, pa shkëputje nga puna kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ndërsa në janar të vitit 1973 emërohet drejtor i parë i Shkollës fillore “Hazir Ramaj” në fshatin Kralan të Dushkajës. Në shtator të vitit 1978 Skënder R. Hoxha vendoset në Pejë, ku jeton edhe sot. Në fillim punoi arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore të fshatit Ozdrim. Gjatë kësaj kohe Skënder R. Hoxha regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe pa shkëputje nga puna arrin ta kryejë në fillim të vitit 1985. Në vitin 1995 në Pejë themelon Shtëpinë Botuese “Art poetika” ku është drejtor dhe redaktor i botimeve. Përveç punës si arsimtar e profesor i gjuhës shqipe, nga Ozdrimi Skënder R. Hoxha kalon në Pejë, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahija”, ku punoi derisa u pensionua. Ndërsa në vitin akademik 2011/2012 regjistrohet student i rregullt në studimet pasdiplomike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dega Gjuhë e Letërsi, të cilin e kryen me sukses të shkëlqyeshëm, me ç’rast me 13 qershor të vitit 2013 mbron punimin e magjistraturës me titull: “Gjuha poetike e prozave të dramatizuara të Azem Shkrelit” dhe fiton gradën Magjistër i letërsisë shqipe.

Në Pejë, përveç shkrimeve nga fusha të ndryshme të krijimtarisë që zumë ngojet më lart, Skënder R. Hoxha në shkollat ku punoi ka themeluar grupet letrare, grupet dramatike dhe ka organizuar aktivitet e tyre. Po ashtu me 26 prill të vitit 2014, me një grup krijuesish nga Dushkaja, në Cërmjan, themeloi Shoqatën e Krijuesve Letrarë të Dushkajës “Penat e Dushkajës”, të cilën e udhëheq si kryetar që nga themelimi e deri më sot.

Skënder R. Hoxha jeton në Pejë dhe në vendlindjen e tij në Jabllanicë (Shqiponjë) të Dushkajës.

Veprimtaria publicistike

Skënder R. Hoxha aktivitetin e vet priblicistik e filloi gjatë fundviteve gjashtëdhjetë e sidomos në fillimvitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Krijimet e para publicistike, apo letrare, i botoi nëpër revistat që botoheshin në Prishtinë, e sidomos në gazetën e përditshme “Rilindja”, që ishte e vetmja sofër ku krijuesit në Kosovë botonin shkrimet e tyre. Përveç këtyre, qysh në vitin 1975 Skënder R. Hoxha nisi mbledhjen dhe vjeljen e lëndës onomastike, pra toponimeve në krahinën e Dushkajës. Duhet theksuar se pikërisht angazhimi i tij në këtë sferë të krijimtarisë së gjerë e të pafund shkencore, bëri që në lëmin e publicistikës të vërehet një ngadalësim. Shkaku ishte pikërisht angazhimi në sferën e krijimtarisë shkencore, me ç’rast gama e botimeve të tij, tashmë nuk ishin gazetat e revistat ku botonte lajme, reportazhe apo intervista, po ishin revistat shkencore. Kështu, portreti krijues i Skënder R. Hoxhës, si shkrimtar, publicist dhe studiues po rritej dita më ditë. Këtë aktivitet shkrimtari, poeti, publicisti dhe studiuesi Skënder R. Hoxha e vazhdon edhe sot, kurrë pa u lodhur, me përkushtim dhe dashuri të pakufijshme, me ç’rast e dëshmojnë librat e shumtë nga të gjitha sferat e krijimtarisë me të cilat u mor që gjysëm shekulli. Nga shkrimet e shumta publicistike, Skënder R. Hoxha botoi librin “Poet i trazuar” (2007) që është një bisedë-intervistë e gjatë (168 faqe libri), shkrim serioz i zhvilluar me bashkëbiseduesin e vet, poetin e tregimtarin, romacierin e kritikun, publicistin e leksikologun nga Dushkaja (edhe Jabllanica), Hasan Hasanin, me rastin e 60-vjetorit të tij të lindjes dhe 40-vjetorit nga botimi i librit të parë të tij. Është kjo një bisedë që Skënder R. Hoxha me shkathtësi dhe njohuri të thella nga veprimtaria e bashkëbiseduesit, arriti që të zbardhë shumë dilema e paqartësi që e përcollën Hasan Hasanin gjatë krijimtarisë së tij e që nuk i kishte thënë asnjëherë më parë. Këtu qëndron aftësia e publicistit dhe kritikut Skënder R. Hoxha që opinionin e gjërë ta njoftojë, qoftë me rrugën e gjatë krijuese të shkrimtarit Hasani, qoftë edhe me vështirësitë me të cilat krijusit ballafaqohen gjithmonë në rrugën e tyre të mundimshme krijuese.

Poezia për të rritur dhe për fëmijë

Skënder R. Hoxha poezinë e ka të dashurën e zemrës. Hapat e parë i bëri pikërisht në këtë lëmë të krijimtarisë dhe daton që nga vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ishte gjimnazist.Veprat poetike si vëllime të veçanta vijnë më vonë, por që aty gjejmë poezitë nga të parat kur edhe nisi të shkruajë. Dhe, njëra pas tjetrës, arriti të botojë dhjetë vëllime poetike (nëntë për të rritur dhe një për fëmijë). Kjo nuk është pak kur dihen angazhimet e tij nëpër fusha të tjera të krijimtarisë. Po, sido që të jetë, poezia për Skënder R. Hoxhën është ajo ku shpirti i gjen prehje, ajo tek e cila i pushon zemra, i qetësohet frymëmarrja. Ndjenja e poetit, frymëzimet, janë ato që burimin e kanë pikërisht te Dushkaja, tek njerëzit e saj, rropatjet e tyre për një jetë më të mirë. Në këto poezi frymojnë njerëzit e Dushkajës, të përzier me ndjenjën intime të poetit, ku përmes figurave, e sidomos metaforës, shpalos dhembjet, gëzimet, hidhërimet, shqetësimet që ruan shpirti në thellësitë e tij. Këtu gjejmë fuqinë e fjalës që ngritet mbi të gjitha dhe bën poezinë mbretëreshë të fjalës së shkruar. Këtë e dëshmojnë veprat poetike të poetit Skënder R. Hoxha: “Pëllumbi në fluturim” (1990), “Kalorësit e mortit” (1993), “Bilibili i Dushkajës” (1995), “Dy akte të dramës së pakryer” (1997), “Vjersha dhe poema” (2004), “Poemë e dhimbjes krenare” (2007), “Në mes meje e dhimbjes” (2010), “Këndimi i muzave” (2011), “Udhëkryqet e Fatamorganës” (2012) dhe “Lirikë për këngë harrimi” (2015). Prandaj poezia është ajo që i prin librit të Dinë Halilajt “Dimensionet universale të një shkrimtari, studiuesi e publicisti dushkajas” për Skënder R. Hoxhën, ku autori do të ndalet veç e veç për secilën, duke filluar nga kjo (poezia) e për ta përfunduar me librat nga toponimia, etnokultura etj.

Kritika letrare

Kontributi i Skënder R. Hoxhës në fushën e kritikës letrare është solid. Kur them kështu kam parasysh shumë shkrime të tij, si reçensione, vështrime, kritika, ese për libra të ndryshëm që nga fillimet e krijimtarisë së tij, të cilat i publikoi nëpër gazeta e revista në Prishtinë e më gjerë. Vlerësimet që ka dhënë ky autor për shkrimtarë të ndryshëm i gjejmë të përmbledhura në librin e tij “Thanë për veprat e mia – thashë për veprat e tyre” (2011). Mirëpo, nuk është e tëra kjo që tashë, sepse Skënder R. Hoxha kontributin më të madh gjatë tërë jetës e dha në fushën e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore.

Ajo që Skënder R. Hoxhën në fushën e kritikës letrare e bën emër të përveçëm është studimi i veprës së dy shkrimtarëve të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe, atë të Azem Shkrelit dhe Hasan Hasanit. Kur jemi të Hasan Hasani duhet të pohojmë me plot gojën se ky kritik (S.R.Hoxha) më shumë se askush tjetër, e njeh krijimtarinë e gjerë letrare e publicistike të këtij autori. Këtu vlen të përmendet studimi (libri) me titull: “Rrugëtimi për në Panteon” (2009), ku Skënder R. Hoxha i qaset me përkushtim të jashtëzakonshëm krijimtarisë letrare të Hasan Hasanit hap pas hapi, duke filluar nga poezia, tregimi, romani, kritika letrare, shkrimet publicistike, ato leksikologjike e deri të monografitë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe librat e përgatitur me shkrimet e autorëve të ndryshëm nga kritikë të ndryshëm për veprën e Hasan Hasanit të pranishëm për gjysmë shekulli (1967/2017), si: “Hasan Hasani në sytë e kritikës” (2008) botuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit nga botimi i librit të parë dhe “Muza e Dushkajës” (2017) botuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe 50-vjetorit nga botimi i librit të parë, shihet përkushtimi i madh i tij prej kronisti të pashembëllt në grumbullimin për dhe rreth veprës së dushkajasit Hasan Hasani si dhe paraqitjes së kompletuar të të gjitha shkrimeve kritike dhe vlerësimeve për të, të botuara gjatë pesëdhjetë vjetësh.

Dhe shkrimtari tjetër që Skënder R. Hoxha u mor në mënyrë komplete për të është Azem Shkreli. Vepra “Prozat e dramatizuara të Azem Shkrelit – Shtresime gjuhësore, letrare e stilistike” (2016) hedh dritë mbi veprën letrare të Azem Shkrelit në përgjithësi, e sidomos për prozën e dramatizuar të tij në veçanti, me ç’rast, pikërisht në këtë aspekt vrojtimi të kësaj vepre, u laurua me titullin magjistër i shkencave filologjike nga Universiteti i Tetovës. Pra, studimi i veprës së Hasan Hasanit dhe të Azem Shkrelit e radhit Skënder R. Hoxhën ndër autorët e kritikës letrare shqipe që tha, (pse jo), fjalën e fundit për këta dy shkrimtarë ku vërehet qartë se i ka për zemër më shumë se të tjerët. Këtë përfundim e nxjerr pikërisht nga studimi që Skënder R. Hoxha u ka bërë veprës së tyre në përgjithësi.

Krijimtaria shkencore

E thamë edhe më herët se krijimtaria shkencore e Skënder R. Hoxhës, zë fill që në vitin 1975 kur iu rrek terrenit të krahinës së Dushkajës dhe 30 katundeve të saj, duke vjelë material të vlefshëm nga onomastika, urtia popullore, etnokultura, etj., punë të cilës edhe sot e kësaj dite nuk i ndahet dhe jetën e kalon në terren duke vjelur hap pas hapi, derë më derë e shtëpi më shtëpi, mahallë për mahallë e katund për katund. Për historikun e kësaj lëmie, këtu do të japim punimet e para të botuara nëpër gazeta dhe revista, e sidomos ato në revistat shkencore me peshë. Qysh nga viti 1986 Skënder R. Hoxha botoi studimin “Toponimia e fshatrave Radoniq e Rakoc” në “Gjurmime albanologjike”. Pastaj vjen studimi “Çështje të toponimisë së katundeve Radoniq e Rakoc të Dushkajës” (kumtesë) që u botua në librin “Çështje të studimeve albanologjike (I)” që përmbledh punimet dhe materialet nga Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë më 20 e 21 dhjetor 1985 në Prishtinë. Njëra pas tjetrës vijnë edhe punimet e tjera që vërtetojnë seriozitetin e studiuesit Skënder R. Hoxha edhe në këtë fushë të krijimtarisë, si: “Vëzhgime mbi toponiminë e Dushkajës” botuar në dy vazhdime në gazetën “Rilindja” të datës 4 dhe 11 nëntor 1989; “Rreth herrjes dhe riemërtimit të disa toponimeve të krahinës së Dushkajës” në “Rilindja” të 29 janarit 2000; “Disa të dhëna të toponimisë së Dushkajës” në Tryezën shkencore të mbajtur më 4 maj 2001 në Gjakovë, me temë bosht “Toponimia e Gjakovës me rrethinë”; “Hidronimia e Dushkajës” botuar në gazetën “Nacional” me 12 prill 2008, në Tiranë; “Gjurmë të administratës turke në toponiminë e Dushkajës” botuar në gazetën “Epoka e re” me 18 janar 2008 në Prishtinë; “Toponimet në poezi – si truall frymëzimesh” (Këndvështrim letraro-gjuhësor) botuar në gazetën “Zëri” të datës 2 prill 2008 etj., që rrumbullakojnë të arriturat shkencore nga kjo lëmi që Skënder R. Hoxha po i qaset me përkushtim. Tek, pas shumë punimeve të tilla vijnë edhe botimet e plota shkencore sipas gjinisë, kështu që këto punime të lartpërmendura i gjejmë në libra të ndryshëm, si: “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës I” (1992), “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës II” (2000); “Toponimia e Dushkajës” (2007); “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” (2010) që shtrihen në 886 faqe libri. Këto vepra tash janë edhe literaturë që shfrytëzohet nga studentë e studiues të shkencave të filologjisë dhe të tjerë.

Toponimia e Dushkajës

Nisur nga viti 1975 kur Skënder R. Hoxha iu qas terrenit për vjeljen e thesarit tonë gjuhësor, pra onomastikës dhe pjesëve përbërëse të saj, siç janë toponimet, fitonimet, zoonimet, hidronimet etj., iu deshën 32 vjet punë e pandërprerë që opnionit t’ia dhurojë Toponiminë e Dushkajës, të vjelur me kujdes në 30 katundet, sa e përbëjnë këtë regjion etnogjeografik. Të vjelish gjithë toponimet në një terren kaq të madh, padyshim është një punë Sizifi. Në 562 faqet e këtij libri gjëjmë mijëra toponime të regjistruara, të dokumentuara, të dëshmuara me të dhëna, qoftë nga literatura, qoftë edhe nga vetë goja e popullit që këto shpjegime i ruajti brez pas brezi si relikte të shenjta. Ky thesar i çmuar të cilin na afroi në libër Skënder R. Hoxha me titull “Toponimia e Dushkajës” (2007) është i rëndësisë së veçantë, madje një punë të tillë nuk e ka bërë askush tjetër në regjionet e caktuara gjeografike, si: Reka, Reka e Keqe, Hasi, Drinia, Llapusha, Podguri, Drenica, Karadaku, Anamorava, Llapi, Gallaku, Shala etj. Ka përpjekje nga studiues të ndryshëm që pjesërisht (ndonjë katund apo më shumë) ta vjelin dhe ta botojnë këtë material, por kështu të kompletuar për një regjion, askush s’e bëri deri me sot, siç e bëri Skënder R. Hoxha me Dushkajën. Për vështirësitë që ka hasur autori për më shumë se tri dekada, nuk do të flasim këtu. Ato janë evidente, por të gjitha harrohen kur sheh përpara frytin tënd të punës, siç është libri për toponiminë e Dushkajës. Se, është e vërtetë, se të shkelish me këmbë 30 katunde, qindra e mijëra familje, qindra e qindra pleq, që të vjelish këto materiale, padyshim se është një punë shumë e mundimshme. Andaj, duhen vite e dekada, ashtu siç iu deshën studiuesit Skënder R. Hoxha 32 vjet deri te finalizimi i librit. Vetëm kur e ke librin përpara, atëherë vjen edhe gjykimi për gjithë atë thesar toponimik që e shikon me sytë tuaj, që e prek me dorën tënde dhe e shfleton faqe për faqe librin. Një punë të tillë, një vepër të tillë nuk kanë mundur ta bëjnë as institute shkencore, as akademi të ndryshme, që kryesisht merren me shkencën në përgjithësi. Por, këtë e bëri një individ, e ky është studiuesi Skënder R. Hoxha.

Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës

Skënder R. Hoxha duke kaluar vitet nëpër katundet e Dushkajës, krahas toponimeve, nuk e la t’i anashkalojë edhe kategoritë e tjera të onomastikës, siç janë fitonimet, zoonimet, hidronimet. Edhe këto tashmë mbushin fletore të shumta, të cilat, njëra pas tjetrës, duke pritur në rend, u erdhi koha që të shtrihen në letër, të përpunohen dhe të dalin para opinionit si vepra të plota, të kompletuara, të kurorëzuara dhe si të tilla, na servohen vlerat e hulumtimeve, vjelja e materialit në terren duke mos iu nënshtruar pluhurit të harresës që shpesh di edhe për t’i zhdukur pamëshirshëm. Pikërisht këtë (duke patur parasysh Skënder R. Hoxhën), autori arriti që edhe këto kategori onomastike t’i sistemojë në një libër të veçantë dhe t’ua dhurojë lexuesve në Kosovë. Pra, gjithë këtë material e gjejmë në librin “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” (2010), ku studiuesi i pasionuar arriti t’i zbulojë, t’i dallojë, t’i shënojë, t’i përpunojë e madje edhe t’i dëshmojë të gjitha fitonimet dhe zoonimet. Pra, të gjitha këto Skënder R. Hoxha i paraqet gjerësisht, duke i dokumentuar me shënime e të dhëna gjithnjë të mbështetura në literaturë e në dëshmi nga terreni, po edhe nga goja e popullit. Nuk është e lehtë t’i gjesh e t’i dëshmosh, t’i dallosh e t’i regjistrosh një numër kaq të madh të fitonimeve dhe zoonimeve në Dushkajën e 30 katundeve. Një gjë të tillë Skënder R. Hoxha e ka bërë edhe me hidronimet që krahinën e Dushkajës e përshkojnë gati nga të gjitha drejtimet, e shpesh edhe e përkufizojnë si territor gjeografik. Me librin e Skënder R. Hoxhës “Fitonimia e zoonimia e Dushkajës”, secili lexues do t’i përvetësojë, do të krijojë njohuri të reja për to që nuk i ka ditur më parë. Falë këtij studiuesi, krahina e Dushkajës me të gjitha begatitë e saj gjuhësore e onomastike, po hyn mbrenda kopertinave të librave që do ta dëshmojnë lashtësinë nga antika e deri në ditët tona, e të cilat do ta vazhdojnë jetën e tyre nëpër mijëvjeçarët e ardhshëm.

Etnokulturolog me emër

Gjysmëshekulli pune të pandërprerë e Skënder R. Hoxhës u kurorëzua me librat “Toponimia e Dushkajës”, “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës”, ku gjithë mundin dhe djersën e vet e vendosi brenda kopertinave të librave, atëherë kur nga këto sfera vjeli çdo toponim, fitonim, zoonim, hidronim të mundshëm, studiuesi nuk e la anash as vjeljen e materialeve nga etnokultura dhe historia, dy skaje të lidhura ngusht në mes vete. Këtë e dëshmon libri vëllimor prej 490 faqeve me titull “Dushkaja – Gjurmime etnokulture e historie” (2017). Janë këto gjurmime etnokulture e historie, që studiuesit e lexuesit në përgjithësi nuk i kanë njohur deri më sot ose i kanë njohur pjesërisht. Ky libër, siç dëshmon autori, paraqet besnikërisht gjurmët e etnokulturës në Dushkajë, duke e pasuruar thesarin etnokulturor në atë masë, sa t’ia kenë lakmi të gjitha regjionet etnografike, të cilave u mungon një libër i tillë. Libri “Dushkaja – gjurmime etnokulture e historie” është një cicëron pa të cilin askush nuk mund të pohojë se e njeh Dushkajën në përgjithësi me të gjitha të mirat materiale e shpirtërore që i ka. Këtu, për herë të parë jipet kultura shpirtërore e Dushkajës, mikro e makrotoponimet për të gjitha fushat e saj, për objektet e kultit (kisha, xhamia, teqe, tyrbe) të konfesioneve religjioze që gjenden në këtë trevë me shekuj, aktivitetet që janë zhvilluar në to, pa dallim religjioni atëherë e sot, Epika e Dushkajës, gjendja e sotme e eposit të kreshnikëve, anekdotat, këngët lirike të dashurisë, lahutarët, luftërat që janë zhvilluar në këtë trevë, krimet mbi shqiptarët, shkollimi dhe objektet shkollore, gjenealogjitë e familjeve të ndryshme, Dushkaja objekt frymëzimi në vargje dhe këngë, këngëtarë, rapsodë e poetë që kënduan e këndojnë për të, etj. Vetëm kur ta lexosh këtë libër (apo vetëm ta shfletosh) mund të thuhet me plot gojën se kemi fituar njohuri për të, pra e njohim më mirë Dushkajën. E gjithë kjo, falë sakrificës shpirtërore e fizike të shtatëdhjetëvjeçarit, studiuesit Skënder R. Hoxha.

Kontribut për historinë

Në varganin e veprave të Skënder R. Hoxhës ndodhet edhe një libër, një kontribut i veçantë për shkencat shoqërore, pra për historinë e Dushkajës, e kjo është “Kolonizimi dhe rikolonizimi i Dushkajës me sllavë” (2010) që aspak nuk i përket profesionit të autorit, por që ka plotësuar një vakuum në këtë pikëpamje. Skënder R. Hoxha kësaj radhe u mor me një temë sa delikate, aq edhe të rëndësishme. Sepse, solli para lexuesve dushkajas dhe jo vetëm dushkajas, dokumente të verifikuara për kolonizimin dhe rikolonizimin e Dushkajës (ashtu si tërë Kosovën) me sllavë, që është një plagë që gjithmonë dhemb në këta njëqind vjetët e fundit të shekullit që lamë pas. I tërë materiali i shtruar është i dokumentuar me literaturë, por edhe i mbështetur në burimet shkrimore nga informatorët në terren. Autori na afron “Dëfterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës” të vitit 1485, pastaj hartat e vjetra “Gastaldi, Casta dei Paesi Danubjani” të vitit 1517, “General Karte Von Zeneral Evropa” (Vjenë, 1900 dhe 1904) ku flitet për territorin e Kosovës, po edhe për vendbanimet e Dushkajës. Po ashtu autori zbulon edhe harta të tjera të huaja ku shënohen toponime nga ajo kohë për Dushkajën dhe vendbanimet e saj që korrospondojnë me të dhënat që autori i ka vjelë në terren. Mbështetur në të gjitha këto, si dhe në dokumentet e Qeverisë së Beogradit e cila përherë ka zbatuar dhe zbaton edhe sot përpjekjet e saj për ndryshimin e strukturës etnike të trojeve shqiptare. Kësaj të keqeje nuk i ka shpëtuar as Dushkaja ku zbarkojnë kolonë sllavë nga Serbia, Mali Zi dhe Bosnja ee Hercegovina që nga fillimi i shekullit të kaluar. Skënder R. Hoxha i mbështetur në të dhëna të sakta dhe të dokumentuara, për secilin katund në Dushkajë ku ishin vendosur kolonë, i jep me emër dhe mbiemër familjet serbe si dhe vendet prej nga kishin ardhur. Kolonizimet më të mëdha gjatë shekullit të kaluar u bënë në vitet 1931 e 1933, pastaj me 1946 deri më 1948, në Dushkajë bëhet rikolonizimi, meqë gjatë Luftës Dytë Botërore kolonët e ardhur më herët, ikën dhe shkuan në vendet e tyre prej nga kishin ardhur nga frika që kishin në tokën e huaj. Të gjitha këto autori i pasqyron nëpër katundet dhe komunat që i kolonizuan apo edhe rikolonizuan. Mirëpo, falë ndihmës dhe përkushtimit të studiuesit Skënder R. Hoxha, sot kemi në duar një libër shumë të vlefshëm, një libër-dokument, për gjithë atë që ka ndodhur në Dushkajë nën regjimin njëqindvjeçar serb. Në mos për asgjë tjetër, ky libër nuk e lë të zbehet nga kujtesa e dushkajasëve ajo që kolonët serbë iu kishin shkaktuar shqiptarëve autoktonë në Dushkajë.

I pasionuar pas monografive

Skënder R. Hoxha nuk di të ndalet së hulumtuari e shkruari për Dushkajën që e ka për zemër dhe të strukur diku thellë në shpirt. Një kontribut të rëndësishëm e ka dhënë për disa nga vendbanimet e saj (katundet) duke shkruar monografi për to, çka flet për dhuntinë e tij që nëpërmjet të monografive (historive gjithëpërfshirëse) të bëjë publike historinë, gjeografinë, onomastikën, toponimet, fitonimet, zoonimet, hidronimet, makro e mikrotoponimet që janë bazamenti më i qëndrueshëm, më besnik, i ecejakeve të këtyre vendbanimeve. Shkrimin e monografive Skënder R. Hoxha e nisi në vitin 2001 kur shkroi monografinë për shkollën ku punonte vetë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Ky është libri-monografia “Tridhjetë vjet pune të shkollës së mesme “Shaban Spahija” të Pejës”, (1972 – 2002)”, botuar në vitin 2002, për të vazhduar punën në shkrimin e monografive të katundeve të Dushkajës, siç janë: “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës” (2004), “Radoniqi e Rakoci të Dushkajës” (2005) dhe “Beci i Dushkajës” (2013). Këto tri monografi paraqesin një sprovë të madhe që Skënder R. Hoxha publikoi para opinionit, ku me përpikëri flet për historikun e këtyre katundeve, ndodhitë që i kanë përcjellë gjatë përiudhave të ndryshme, organizimin familjar, gjenealogjitë e tyre, topinimet dhe makro e mikrotoponimet, edukimin e shkollimin, fiset e bajraqet; pra për gjithë atë që e mbajtën trungun e tyre të qëndrueshëm para stuhive nëpër të cilat kaluan. Kështu Skënder R. Hoxhës i takon merita e pamohueshme që i shkroi dhe i la si të vetmin testament të shkruar për këto vendbanime, siç janë katundet Jabllanica dhe Beci e posaçërisht Radoniqi e Rakoci të cilat sot gjeografikisht nuk ekzistojnë, meqë banorët është dashur të zhvendosen sepse vendndodhja e tyre është shndërruar në Liqenin artificial të quajtur Radoniqi. Sido që të jetë, këto monografi që i shkroi dhe i botoi Skënder R. Hoxha flasin për angazhimin dhe përkushtimin që të nxjerrë në dritë gjithçka për këto vendbanime (katunde) në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë para vetes një pasqyrë besnike, një histori të vogël të vendbanimeve të tyre ku kanë lindur e rritur. Në mos për asgjë tjetër, këto monografi janë mbështetje e historianëve të ardhshëm që pranë tyre nuk mund të kalojnë në heshtje pa i konsultuar, nëse një ditë do të merren me shkrimin e historisë së Dushkajës. Dhe krejt kjo meritë bie mbi të palodhshmin Skënder R. Hoxha.

S’ka moshë për angazhime

Duhet vlerësuar palodhshmërinë e Skënder R. Hoxhës dhe angazhimet e tij nëpër vite. As i ri e as i moshuar ky krijues nuk di ç’është lodhja. Angazhimet e tij datojnë qysh nga bankat e shkollës me pjesëmarrjen e tij në aktivitete të ndryshme, por këto dalin në sipërfaqe me fillimin e karrierës së tij si arsimtar e më vonë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Qysh në vitin 1979 Skënder R. Hoxha angazhohet si regjisor në Grupin Dramatik të FPA “Ramiz Sadiku” të Pejës, ku bën regjinë e dramës “Fosilet” të Azem Shkreli; pastaj të dy komedive të Kristo Floqit si dhe disa akademive solemne. Ndërsa në vitin 1984, pas shumë përpjekjesh arrin ta riaktivizojë Klubin Letrar të Pejës, i cili më vonë emërtohet “Karagaçi”, kryetar i të cilit u zgjodh në mandatin e parë (1984 – 1986), e për herë të dytë kjo detyrë iu dha në mandatrin 1989 - 1991. Ndërkohë, Skënder R. Hoxha shkruan dhe boton poezi dhe artikuj e fejtone nga fusha e toponimisë e më gjërë. Kështu në vitin 1993 pranohet si anëtar i rregullt në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Meqë angazhimet e tij në jetën letrare e kulturore sa vinin e shtoheshin, Skënder R. Hoxha në vitin 1995 themelon Shtëpinë Botuese “Art poetika” të cilën e udhëheq edhe sot e kësaj dite si drejtor dhe redaktor i saj. Në vitin 1997 kalon nga fshati Ozdrim ku punonte si arsimtar i gjuhës shqipe, në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahija” në Pejë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, ku punoi derisa u pensionua. Në këtë shkollë, për një kohë ka qenë kronist i shkollës si dhe themelues e kryeredaktor i revistës shkollore “Tekniku i ri”. Në të gjitha shkollat ku punoi Skënder R. Hoxha, themeloi grupet letrare, grupet dramatike etj., njëherësh organizoi aktivitetet duke qenë gjithnjë në ballë të tyre. Kështu, paralel me aktivitetin e tij letrar e shkencor, me ç’rast botoi rreth 30 libra me poezi, fejtone, monografi, studime etj., angazhimeve të përditshme nuk iu ndahej. Gjatë kësaj kohe shkrimet e tij letrare e shkencore u botuan nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Mori pjesë në shumë simpoziume shkencore ku u paraqit me kontributet e tij nga shkencat e albanologjisë. Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Pejës edhe gjatë viteve 2008–2011 (që një kohë u quajt “LSHK – Dega në Pejë”, pastaj “Klubi i Shkrimtarëve të Pejës”), ndërsa më 11 shtator të vitit 2014, ky asociacion letrar u emërua “Shoqata e Krijuesve Letrarë të Pejës”, ku shkrimtari Skënder R. Hoxha u zgjodh nënkryetar, e që këtë detyrë e ushtron edhe aktualisht. Në vitin 2014 me një grup krijuesish nga Dushkaja themeloi Shoqatën e Krijuesve Letrar “Penat e Dushkajës” me seli në Cërmjan, me ç’rast u zgjodh edhe kryetar i saj, detyrë që e ushtron edhe sot. Vlen të theksohet se aktiviteti dhe angazhimi i tij letrar sjell si rezultat edhe përfaqësimin e tij në Antologji të ndryshme poetike, ku poezitë e tij gjetën vend. Duhet përmendur përkthimet që iu bënë në Rumuni, ku në Bukuresht u botuan shqip e rumunisht shumë poezi dhe një libër poetik me titull: “Udhëkryqet e Fotamorganës” (2012), poezi shqip-rumunisht, në Bukuresht. Përveç në gjuhën rumune, ky poet botoi edhe haiku e sibilia shqip-anglisht me titull: “Këndimi i muzave” (2011) në Tiranë. Ndërsa nëpër revista të ndryshme i janë përktheyer shumë poezi dhe kontribute shkencore. Një ndër to është edhe shkrimi “Doblibare ve Vraniçe koylerinin yer adlari bikgisinde çerkezlerin izi” (“Gjurmët e çerkezëve në toponimet e katundeve Doblibare e Vraniq të Dushkajës"), botuar në revistën turke “Çevren” në vitin 1989 etj. Këtyre aktiviteteve nuk u kanë munguar as çertifikat, mirënjohjet e ndryshme nga Shoqata dhe Institucione në Kosovë e Shqipëri. Duhet veçuar Çmimin e karrierës që i ndau Drejtoria për kulturë, e sport e komunës në Pejë, Nderi i Bytyçasve nga Shoqata “Bytyçi” në Tiranë; çmimin Poet i vitit nga Iniciativa Sociale e Kosovës për kontribut letrar. Me mirënjohje dhe çertifikata e nde­ruan edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës për kontributin e dhënë. Pastaj vjen Mirënjohja nga kryesia e Shoqatës së Kriju­esve Letrarë “Penat e Dushkajës” me seli në Cërmjan, komuna e Gja­kovës. Ndërsa më 26 gusht 2018, më rastin e shënimit të 15 – Vjetorit të “Festës së Bytyçit”, e emërtuar “Festa e Plisit të Bardhë”, si një nismë për t’u shpallur “Festë Mbarëkombëtare”, Skënder R. Hoxha, për angazhimin dhe kontributin e tij, nderohet me çmimin më të lartë që e ka Shoqata, Mirënjohje speciale. Të gjitha këto formësojnë portretin letrar e shkencor të Skën­der R. Hoxhës nëpër vite, për të cilin angazhimet nuk njohin moshë. Ai përherë gjendet në vorbullën e tyre pa kursyer kohë as mund.

Dy fjalë për fund

U tha shumëherë në këtë shkrim së Skënder R. Hoxha për kulturën, letërsinë dhe shkencën shqiptare paraqet një kompleksitet vlerash të dëshmuara fushash e gjinish të ndryshme. Këtë e vërtetojnë një dyzinë veprash me poezi, publicistikë, kritikë letrare, monografi, studime nga onomastika e të tjera. Me këto ky autor jo vetëm që krijoi emër, por zuri vend meritor në këto sfera të krijimtarisë. Gama e tij krijuese është e gjërë. Epiteti që i shtohet cilësive të tij krijuese vetëm sa e vërteton këtë që po shkruajmë. Skënderi poet, publicist, kritik, monograf, hulumtues, toponimist, fitonimist, zoonimist, hidronimist, makro e mikrotoponimist, gjuhëtar, etnograf, folklorist dhe epitete të tjera e forcojnë mendimin tonë së Skënder R. Hoxha është një figurë komplekse në shkencën dhe kulturën shqiptare, të cilat e cilësojnë këtë figurë si ndër më të rëndësishmit. Gjurmimet dhe hulumtimet e tija e bëjnë një studiues dhe krijues të respektueshëm, i cili me veprën e tij të gjerë, solli vlera të njëmendta në tëgjitha ato fusha ku dha kontributin e vet. E këto janë veprat e tij në poezi, publicistikë, kritikë letrare dhe shkenca filologjike.

Dhe besoj (shumë jam i bindur) se këtu nuk përfundon angazhimi i tij krijues!


*****
Rezultate imazhesh për hasan hasani shkrimtar
Hasan (Malë) Hasani u lind më 16 janar 1947 në fsha¬tin Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, rrethi në e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhebël, Gërgoc dhe Baran. Shkollën Normale e kreu në Gjakovë. Studimet e larta, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtari letrare dhe publicistike merret që nga viti 1965, kur e botoi poezinë e parë në revistën letrare “Jeta e re”. Krijimet letrare dhe publicistike i botoi në të gjitha gazetat dhe revistat që u botuan në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe më vonë edhe në Mal të Zi. Si student i vitit të parë, në vitin 1969 nisi punën si bashkëpunëtor i rregullt në gazetën e studentëve “Bota e re”, ku punoi deri në qershor të vitit 1971, kur kaloi gazetar i rregullt në gazetën arsimoreshoqërore dhe pedagogjike “Shkëndija”. Në vitin 1976 kalon në revistën për art, kulturë e letërsi “Fjala”, në fillim gazetar, e më vonë redaktor. Në vitin 1987 emrohet redaktor e më vonë edhe kryeredaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri”, ku punoi deri në vitin 1996, kur kalon në revistën letrare “Jeta e re”. Nga viti 2003 përsëri e gjejmë redaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri”, dhe nga janari i vitit 2004 përsëri e gjejmë kryeredaktor po në revistën “Pionieri”. Përveç me shkrime publicistike është marrë me krijimtari letrare, për fëmijë dhe për të rritur. Nga viti 1967, kur ka botuar librin e parë me vjersha e deri me 2013, botoi gjithsej 60 vepra të ndryshme letrare.Hasan Hasani për 45 vjet me radhë, (në vitin 1967 botoi librin e parë), ka përgatitur për shtyp veprën e plotë letrare të Ernest Koliqit në gjashtë vëllime, të Ethem Haxhiademit në dy vëllime, të Nermin Vlorës në dy vëlli¬me, të Mehdi Frashërit në një vëllim, të Rrahman Dedajt në katër vëllime, të cilat janë botuar në Prishtinë. Ka përgatitur numra tematikë (të veçantë) të revistës letrare “Jeta e re” për Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Nermin Vlorën, Musine Kokalarin, Mehdi e Mithat Frashërin, Vinçenc Prenushin, Azem Shkrelin dhe Beqir Musliun.
Hasan Malë Hasani jeton në Prishtinë.
Krononlogjia e veprave të Hasan Hasanit

Poezi për të rritur:

1. Krojet e bardha, 1967

 2. Dallgët e vërrinit, 1969 

3. Dy legjenda, 1969

 4. Më bekoi pa gjuhë, 1971 

5. Suferinë, 1967 

6. Emoniana, 1980 

7. Shenasa, 1980 

8. Gurëkala, 1981

 9. Unazëforta, 1984 10. Përkolajt, 1988 

11. Emira, 1992 

12. Gurdurimi, 1992 

13. Gjëmim baladash, 1994

 14. Harfë e Antikës, 1997 

15. Plak urtak mençurak, 1997 

16. Muza shqiptare, 1997 

17. Idhuj adhurimi, 1998 

18. Qerpikë me lot, 1999 

19. Haxhiu i fshatit Pykë, 2005

20. Tek uji i zi, 2009

 21. Shivegimi, 2012 

22. Shpirtvrarë, 2012

Haiku:

23. Helmshtare, 2013

 24. Buka e mëkatit, 2013 

25. Shiba, 2013

Tregime për të rritur:

26. Njeriu që grindej me qiellin, 1979 

27. Zhurmë në pyll, 1985 

28. Lojë me shamia, 1990 

29. Gruaja që grindej me pluhurin, 1996 

30. Muzgu i hyjneshës, 1996

Romane për të rritur:

31. Ulërima, 1989 

32. Qafëtuli i Shavarinës, 1999 

33. Kohë të egra, 2006

Poezi për fëmijë:

34. Ajkuna e Rugovës, 1978 

35. Mici e topi, 1980 

36. Tali i Budalinës, 1986 

37. Vallja e shkrimtarëve, 1993 
38. Ylberi i shkronjave, 1995

 39. Ezopi e breshka, 1995 

40. Shqipet e Shqiponjës, 2000 

41. Abetarja e UÇK-së, 2006 

. Princesha e Shalës, 2010 43. Palaço në Prishtinë, 2012

Kritikë letrare:

44. Të anatemuar, 2005 

45. Faqe libri, 2007 

46. Gavril Dara i Riu, 2007 

47. Shënjëzime, 2011 

48. Letërsia si art dhe komunikim poetik (me Sh. Vishajn), 2011 49. Metafora e dhembjes, 2012 50. Arti i fjalës dhe i rrëfimit, 2013

Monografi:

51. Bajrush Doda, 2011

Vepra publicistike:

52. Nermin Vlora Falaski, 1992 

53. Miftar Spahija korife i Lumës, 1995/2002 

54. Nijazi Sulça mall Kosove që djeg, 2005

 55. Nëntë biseda për Kosovën, 2005 

56. Jehon një gjëmë mes mureve, 2005

Vepra leksikografike:

57. Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-1991, 1994/1995 

57/a. Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, 2003 

58. Të pavdekshmit e Dukagjinit, 2003

 59. Emra shqip për fëmijë, 2001/2006/2010 60. Leksikoni i nobelistëve të lertërsisë, 2011


PUSHKA E VJETËR

Resmi Osmani: Pushka e vjetër





TREGIM NGA RESMI OSMANI

1

Mesditë. Sokoli dhe Dila ishin ulur nën qershi. Qershia ishte e mbushur me kokrra të pjekura që kuqëlonin.Kishin vjelur një shportë plot. Prej saj, herë pas here shijonin ëmbëlsinë e frutave. Nga pirgu i berthamave dukej që u kishin pëlqyer. Në kurorë të saj zogjtë çukisnin kokrrat dhe cicërinin. Më përtej ishte livadhi me bar e lule, bletë e flutura, ku kulloste lopa larë dhe lodronte viçi. Ishin ditët e para të pushimeve verore të shkollës. Të dy mësonin në një klasë, ishin hedhur në maturë. Katundi i tyre nuk ishte larg qytetit. Shkonin e vinin përditë bashkë. Duheshin, në heshtje. S’kanë ç’duhen fjalët kur flasin sytë me shkëlqim drite, buzëqeshja lodërtare që hijeshon e përndrit gjithë fytyrën, ajo tërheqja e vetvetishme me atë drithërimë zemre. Sokoli nuk nginjej me soditjen e bukurisë së vashës. E kapi përdore,Dila u afrua më pranë. Sokoli e puthi në buzë, lehtë, butë. Buzët kishin ëmbëlsinë e qershive. Vajza fërgëlloi dhe u shkëput.Po shtrëngonte vapa. Ishte koha për t’u kthyer në shtëpi.

Përanash asaj që quhej “Udha e madhe” e katundit, në gardhin e kopshtit, kapërcyelli hapte shtegun e kalimit që ndahej në dy degë, njera,përmes gurëve dhe shkurreve të dëllinjave të shpinte për te kulla e vetmuar e Dilës, tjetra merrte për nga zabeli i dushkajës dhe i ngjitej pyllit.Dila mori lopën për litari,shportën e qershive dhe ngau shtegut për në kullë. U ndanë me premtimin se do të shiheshin sërish të nesërmen.

Deri neser, sa afer, sa larg!

2

Në shtëpinë e vjetër të Prel Nik Shtjefnit jetonin dy pleq dhe një i ri. Të moshuarit ishin gjyshërit lala Prel dhe nanloke Mara. i riu, nipi, Sokoli, që pas vdekjes së prindërve e kishin rrirur vetë. Pasuria: lopa,qymezi i pulave, kopshti i perimeve dhe gëzimi i pleqërisë, trashëgmtari, stolia e shtëpisë, nipi, Sokoli. E çonin jetesën hollë e si të mundnin,me ato pak të ardhura nga shitja e qumshtit, vezëve, zogjve shqerakë e ca perimeve, por djalin se kishin ndarë nga shkolla.

Kur u kthye Sokoli në shtëpi, me një qeskë qershi në dorë, lal Prela i kishte hyrë një pune të çuditshme. I ulur këmbëkryq, para vetes mbi shtroje sargie gjëndej një pushkë e vjetër e gjatë, e zbërthyer, që Sokoli se kishte parë ndonjëherë, një mashtrapë e vogël alumini me vaj pushke, thupra e pastrimit dhe do lëvere të pastra. Sido që duart i dridheshin dhe shikimi i ishte zbehur, dukej që atë punë e bënte me zell. Pushka e pastruar shkëlqente me reflekse mavi. E fshiu me kujdes , e mbertheu, pastaj e mbushi me një ballë fishekë. Fishekët e bronztë me njolla zgjyre të gjelbër, ishin të gjatë , me plumba të kuqërremtë bakri me majë.Të vogjël ata fishekë po e madhe gjama që bajshin. Aq vlente jeta e njeriut, një fishek i shkrehun! E tërhoqi shulin pas pastaj e shtyu përpara, lëvizte lehtë, fisheku shkoi në fole.E vuri në siguresë dhe ia zgjati të nipit:

-A je burrë Sokol Zef Shtjefni!

Ishte e para herë që gjyshi e përshëndeste kësilloj: me emër, atësi dhe mbiemër.

-Qofsh me nder lal Prela. Po kjo nga na doli?

-Ta gzosh dhe e mbajtsh me nder! Ka qenë e murosur tash e gjashtëdhjet vjet. I thonë “Grykëhollë” është manxerr turqie, e kam trashëgim nga im atë. Qëllon atje ku e shënon, edhe njëmijë hapa larg. Ndan qimen më dysh!

Në atë e sipër, hyri nanloke Mara, me një kovë me qumësht dhe përparsen mbushur me vezë. U hodhi një sy jo pa habi burrave por nuk bzajti. Ajo e dinte,s’kishte tagër në punët e tyre. I shoqi ishte i prapët e nopran. E kotë të pyeste apo të fliste.

-Ashtë kanun. Po të jetonte yt atë, që kur mbushe pesëmbëdhjetë vjeç, kur djali zihet burrë për armë, e kishte detyrë me t’a ble pushkën. Unë prita sa të hyje në tetëmbëdhetë, se në këto vakte, djelmtë burrënohen ca si vonë e burrat plaken ca ma heret.

- E ç’më duhet kjo shpifësirë e vjetër?Përse më hyn në punë?

- Burri e don armën. Më së shumti, edhe e mira edhe e keqja vijnë nga si prêt. Arma duhet për faqe të bardhë. Kështu na e kanë lanë pleqtë. Arma e mirë për ditë të keqe.

Nanlokja, pa fjalë, u vuri para një tas me qershi nga ato që kishte prurë Sokoli e që sapo i kishte larë. Mbi korrat e kuqe ndrinin piklat e ujit.

- Ku i more këto qershi?

- I mblodhëm me Dilën e Mark Dedës.

- Si shumë po i avitesh asaj cuce!-Heshtje, e më pas- hiq dorë sosh. Mos të të rrejë mendja për ma shumë. S’asht fat për ty. A ndjeve?

- Me Dilën na shkon shoqnia, pëlqehemi.

- Pëlqeheni apo jo, tash që po trashet hesapi, ka ardh koha t’i dish do gjana që s’t’i kam thanë.Me kanun,djali,sa t’ket prindt,ska tagër për me mendue për martesë të vet.Por kur s’ ka prind, mund t’a mendojë .Që ta mendosh, je në të drejtë tande, por jo që ta vendosësh.S’ke uzdajë. Kjo sa për ty. Vajza, edhe në mos past prindt gjallë, s’ka tagër për me mendue për martesë , apo me zgjedh fatin e vet, do të shkojë tek aj me të cilin do t’a fejojnë prindt apo vllaznia. Kjo për Dilën.

Sokoli,për ta nderuar gjyshin, dëgjonte me vëmendje, por pa interes, këtë shkoqitje të nyjeve të mykura të kanunit që vinin si një jehonë e një kohe të tejshkuar. I gjyshi vazhdonte të ishte si pjesë e gjallë e kanunit të folur, të trashëguar e të pashkruar, që ishte rrënjosur thellë e shfaqej në mënyrën e tij të të menduarit dhe të vepruarit, që pas një harrese të detyruar dhunshëm, ishte rikthyer si pjesë e jetës, e sjelljes dhe mardhënieve me vllazërinë, gjininë, fisin, katundin dhe bajrakun. Ai ishte pjesë e “Pleqësisë “ së katundit dhe shpesh e thërrisnin për të gjykuar e zgjidhur mosmarveshjet si qëmoti. Kjo i pëlqente dhe e bënte të ndihej i nderuar. Jetonte me kumtet dhe jehet e tjetër kohe që vinin nga tjetër botë. Për të vlente e shkuara dhe jo e tashmja apo e ardhmja e panjohur.Sipas tij edhe e nesërmja nuk duhet të ishte ndryshe nga e shkuara.

- Lal, hala me kanun? Kemi shtet, kemi ligje, kemi rend, kemi elektricitet, televizor, telefon celular. Tjetër kohë, të tjerë njerëz, zakone të reja.

- As njanën prej tyne të saktë.Veç rrena. Ka gati tridhet vjet që qeveritë vinë e shkojnë, bajnë ligje si ua don puna, na pëlqejnë apo s’na pëlqejnë, e halle s’na zgjidhin e punë s’na kryejn. Ani. Na kemi ligjet, doket tona, që na i kan lan t’ parët. Besimi n’Zot dhe ato janë themeli që e kanë mbajt n’kambë malcinë.

Sokoli e njihte dhe e dinte, me të e kotë të arsyetoje, ishte si të doje të ngulje një gozhdë në gur. U ngrit të hapte televizorin, po afronte koha e ndeshjeve sportive, por i gjyshi e ndali:

-Prit ke hala për me ndigjue. N’martesë ka ndalesa: djali e vajza të mos jenë gjak e gjini; të mos jenë të një fisit, vajza të mos jetë mes fisit të djalit që don me e xanë, të mos jetë grue e lshueme; t’mos ketë kumari, vllazrim me gjak, t’marrë t’flokve. Edhe katërqind breza me kenë! Na me shpinë e Mark Dedës kena kumari të vjetër dhe jemi të një fisi. Harroje Dilën! Kush i shkel këto ndalesa , gruaja i quhet pa kunorë, e me kanun shpia i digjet, toka i jet djerrë dhe nxirret prej vendit! Fmija që do të kenë,janë jasht kanuni e kurrfar të drejtë në trashëgim nuk do të kenë!

Gjyshi fliste ngadalë, paçka se e ngiste një kollë e keqe, ndaj nga gulçi, i shkoqiste fjalët që i thoshte si me hakërrim, si për një të keqe që nuk duhet të ndodhte,që nuk dihej se nga mund të vinte, si një paralajmërim i kobshëm e gjëmëmadh, që përsillej skutave e nuk gjallonte vetëm në mëndjen e tij të vjetër.

-Ka edhe ma. Ti s’din tjetrën. Me Dedajt na jena n’gjak. Ata janë gjaksit, dorërasit. Mos u mahit, s’ke si me e dit. Ka hane- hane që ka ba vaki. Dukej se kjo ishte harrue, po ndrruen kohët. U ngjall kanuni, gjindja u kujtue e na, na ka jet turpi n’derë. Dy gisht ndere n’lule t’ballit, na i njit Zoti i madh që kur kemi le. Ndera e marrun s’falet kurrë. Ndera e marrun vihet n’vend me të derdhun t’ gjakut. Mua pleqnija mi ka pre gjunjët, duart më dridhen, drita e syve po më fiket, as marr dot shenj, as e shkreh dot pushkën. Përndryshe, e merrsha vet gjakun. Ti je mashkulli i vetëm i shtëpisë dhe kjo barrë t’mbetet ty, me vra nji të Dedajve, tatën apo vllan e Dilës!

Kjo ishte si një shkrepëtimë në qiell të kthiellët, një tërmet që i trandi trup e shpirt.

- Përnjimend e ke Lal?

- Po ti, nuk e kuptove pse “Grykëholla”, doli nga murimi dhe përse ta dorzova ty?

-Jo!-kundërshtoi i nipi, me një jo të prerë - gjë që s’bahet. Si të shkon ndërmend? Është çmenduri! Të vras Nikollën, vllan e Dilës, që e kam shok e shkuar shokut? Të bëhem vrasës për një gjakmarrje të harruar që s’mbahet mend kur ka ndodhur?

Lal Prela e priste kundërshtimin e të nipit, ky brez e kishte bjerr burrninë, por ani, ai vazhdoi në të vetën:

- Ti mos u ngut ti japish gojës para mendjes. Atyre nuk u erdhi keq, kur vllaun tem , e vranë për një vadë uji. Nuk e menduan a do na dhimbte shpirti e do na therte zemra. Edhe aj ishte i ri e në lule të moshës dhe ishte prerë dita e dasmës. Dedajt na e kanë borxh gjakun, e di gjith katundi. Na edhe pse në heshtje,pas lufte,të detyruem, bam sikur e harruem, asnjiherë nuk e falëm edhe pse pushteti i atëhershëm vuni shtrëngesë. Tash, veç vedit, askush nuk na detyron. Asht kanun: fytyrën e vrugueme n’daç laje, n’daç zezoje edhe ma. Je i lirë me mbajt burrnin tande, por je i lir edhe me u shburrnue për turp e faqe të zezë! Zgjidh e merr!

Si tha këto, lal Prela e vari pushkën e gjatë në mur, në një gremç anash oxhakut.Pushka zuri vend e heshtur, por mizore. Ajo dinte të fliste veç me krisma. Pastaj shkoi në një sepet të vjetër , nxori një këmishë dhe e shpalosi. Në gjoksin e saj dukej një birë plumbi dhe pllanga e gjakut të tharë e nxirë nga koha. Ishte këmisha e përgjakur e të vrarit. E vendosi anës pushkës së vjetër. Kështu e kërkonte kanuni. Ajo këmishë e përgjakur ishte thirrja e hakmarrjes, dhe pushka, mjeti. Do të rrinte, si një gjemb i ngulur në tru, kujtesë e paprashme, atje, bashkë me shpirtin e të vrarit, që t’u fliste syve dhe mendjes, të ngjallte guximin dhe zemrimin, vegim dhe jeh i një kohe të largët, derisa të merrej gjaku .

Kanuni. Gjakmarrja. Pjellë e lindur nga skutat e errëta të urrejtjes, egërsisë dhe ligësisë. Fantazmë mizore që sillesh ende në hapsirat e malsisë. Gjithçka e llogaritur, si në një teatër tragjik që luhej në pritat, pusitë dhe kullat e gurta. Ishte burrëri të vrisje për gjakmarrje apo nder të marrun, e paburrëri e turpërim po të mos e bëje. Sokoli papritur krejt çuditërisht, me padëshirë u përfshi në vorbullën e gjakut.U bë hallkë e atij zinxhiri. Nga të gjitha anët rridhte me gulshe gjaku njerzor: i kuq, i ngrohtë, avulli dhe duhma e tij e rëndë ishin mbytëse.Gjithçka u ngjye në të kuq dhe pikonte gjak, nga muret, nga tavani, i trashë, veshtullor. Simboli i jetës së ndërprerë mizorisht.Gjaku dedhej, jeta fikej, dhimbja dhe gjëma ngjitej deri në kupë të qiellit. Një qerthull mbytës e marramendës laku i të cilit I shtrëngonte fytyn e nga i cili nuk dilej dot: gjakderdhja që shkymte jetën, dorërasi, vrasësi që kishte shkrepur pushkën. I zoti i gjakut shtëpia e Prel Nik Shtjefnit, që kishte të drejtën e gjakmarrjes, dhe borxhliu i gjakut, shtëpia e Mark Dedës, ngujimi,arratia, pështjelloheshin kaqë shumë prapësira ! Lal Prela e shihte drejt në sy, me një vështrim idhnak, dhe pyeste me një fjalë të vetme mizore: ”Kur?”, dhe priste që ai t’i përgjigjej. Por ajo përgjigje ishte për të aq e vështirë dhe trallisëse, si të trandte nga vendi një mal të tërë.

Nuk deshi të hante.Shkoi në dhomën e vet dhe u shtri. I flihej gjumë.

3

Nanloke Mara, hapi një sepet të vjetër punuar e gdhendur nga dru arneni, dhe nxori sish një palë petka burrërisht: çorape leshi me lule, tirqe të bardha stolisur me gajtan të zi, këmishë mëngëgjerë, xhurdi me jakëz stolisur me xhufka e sumbulla qelqi dhe një ksulë borë të bardhë.

-Janë të tyt eti. Vishi, të bien pas shtati.

Ai i veshi. U pa në pasqyrë. Andej e shihte një malësor që kishte fytyrën e tij. Pastaj ai hodhi pushkën në krahë. Nanlokja bëri kryqin dhe i dha bekimin “Zoti t’rujt”. Kur doli nga shtëpia me pushkë krahut dita ishte në të thyer. Që të mos e shihnin i dredhoi rrugës së madhe. Kaptoi kapërcyellin dhe zuri vend në shtegun që vinte nga shtëpia e Dedajve. Prita ishte në vend të mirë. Aty ai do të priste rrezikziun që do të vinte prej shtëpisë së hasmit. U shtri. E vuri pushkën në të djathtë. Qetësi e kobshme. As nuk frynte as nuk pipëtinte. Veshi nuk i zinte as fëshfërimën e hollë të gjetheve.Mori pushkën dhe e mbështeti në sup, pastaj vuri shenjë në shtegun nga ku do të shfaqej gjaksi. Pushka foli: ”Eh sa më ka zënë malli të këndoj kengën e luftës! Po të kesh zemër të fortë, sy të mprehtë dhe mendje të kthiellët, nuk të turpëroj apo të dal bosh. Mbështetmë mirë e fort pas supit. Shtrije dorën e majtë dhe mbështetmë. Hiqe siguresën, vëre gishtin hjekës në këmbëz, rrafsho shqekzën me thepin dhe merr shenjë në lule të ballit. Mbaje frymën dhe shkrehmë.Punë e kryer, askush nuk mund t’i shpëtojë të shtimes sime”Kështu foli pushka e vjetër , ai e dëgjoi dhe bëri si i tha.

Gjaksi, orëziu, që se dinte ç’e priste, po vinte drejt pritës me çap të qetë e të sigurtë. Ishte Nikolla, vëllai i Dilës. Shtatlartë si lastar, i hijshëm , dy a tre vjeç më i madh se Sokoli. Kishin shoqëri, luanin bashkë futboll, shkëmbenin libra.Por tani duhet ta vriste.Gjaku duhej larë! Sokoli e la sa u afrua në vend të hapët dhe i bëri zë:

-Nikoll Mark Deda, bëj të fala n’at botë Martin Nik Shtjefnit!

Zëri i tij erdh e kumboi me një jeh të qartë e të prerë në heshtjen e rëndë. Nikolla ngriu në këmbë, pa menduar se ç’e priste. E njohu zërin e Sokolit. Duhet të ishte ndonjë shaka e tij. Nuk arriti as të fliste. Sokoli nuk priti përgjigje, frigohej se mos ligështohej dhe e bjerrte guximi. Këmbëza u tërhoq.Bam! Pushka u shkreh, krisma, flaka dhe era e athët e barutit e shurdhuan dhe verbuan. Nikolla u gremis plasur në vend. Jehu i krismës u përhap në luginë. Sokoli u ngrit nga prita dhe me këmbët që i dridheshin dhe pushkën me një dorë iu afrua të vrarit. Ai kishte rënë përmbys. E ktheu mbarë,(kështu e donte kanuni) me fytyrë nga qielli dhe duart ja kryqzoi mbi gjoks. Ishte ende i ngrohtë dhe nga plaga i rridhte gjak. Sytë e pajetë dukej sikur e shihnin dhe e pyesnin :”Pse? Pse?....” Ia uli kapakët e syve. Se duronte dot shikimin e tyre të pajetë. Trupi iu shkreh, e la fuqia dhe i vinte për të vjellë. E kishte zënë gjaku. Lakadredhas e me zor, pastaj me një vrap të çartur, hodhi kapërcyellin dhe doli në rrugën e madhe te katundit. Aty hasi lorin e lopëve të katundit, Pjetrin, që u habit nga pamja e tij.

- Pjetër,më bëj një nder.Shko në shtëpi të Dedajve dhe thuaju se Nikollën e vrava per të larë borxhin e gjakut…….

Sokoli brofi dhe qëndroi ndenjur mbi shtrat. Ujë në djersë, zemra i rrihte fort dhe gulçi i merrte frymen. O ç’tmerr, ç’llahtari! Në sy kishte ende pamjet e ëndërrës , që po i përjetonte si të vërteta. Kishte fjetur shumë dhe nuk e kuptoi ishte ditë apo natë. Pa orën: kishte kaluar shtatë e gjysmë e pasditës , dielli ishte ulur në perëndim dhe dhoma ishte zhytur në të mugët. Doli përjashta. E vuri kokën nën muslluk dhe e la ti rridhte ujët që t’i kthjellohej mendja.

Të nesërmen Sokoli u ngrit heret. Mori çantën e shpinës, e mbushi me tesha trupi dhe do sende të tjera.

Pasi mbaruan së ngrëni sillën, lal Prela hodhi sytë nga muri ku ishte varur pushka e vjetër dhe këmisha e përgjakur dhe pyeti me një fjalë të vetme:

- Kur?

- Lal, u kry! Dje pasdite.Në andërr.E vrava. Ishte krejt si e vërtetë, aq sa edhe tash me dridhet trupi kur e kujtoj.

- Paj bre, mos ban hajgare!

- Nuk bahem dot vrasës.Mendo si të dush e çka të dush.

U ngrit dhe hodhi çantën në shpinë.

- Në kët shtëpi e në kët katund , me pushkë e kanun, s’ka ma vend për mue.

- Po hikën ? E ku do të shkosh. Po ne dy pleq , që i kemi sytë në ty, ku do të na lesh?

-U mendova gjatë dhe e kam ndarë mendjen. Bota asht e madhe, do të gjendet edhe një vend për mue, pa kanun e pa gjakmarrje, ma mire kshtu edhe per ju edhe për mue. - Tha dhe pastaj bëri një telefonatë në celular.

Lal Prela nuk e dha veten . Burrat kan burrni. Perqafimit për tumirë mbetsh të Sokolit iu përgjigj ftohtë.

Nanloke Mara qante në heshtje, lotët i rigonin në rrudhat e faqeve dhe i mblidheshin në mjekër.Mllefin e kishte me të shoqin, keqardhjen për të nipin. Sokoli e përqafoi. Ajo e përcolli deri jashtë portës, bëri kryqin dhe e bekoi ”Zoti t’rujt”. Pa sesi i nipi, i çliruar nga makthet , mori fluturim si zogu kur shkëputet nga foleja e vjetër.Rrinte dhe e shihte me sy të mjegulluar nga lotët. Diku, në fund të rrugicës, Sokoli qëndroi. Me të u bashkua edhe një vajzë. Me një valixhe në dorë. Ishte Dila. Ata kthyen kokën pas , e përshendetën me dorë dhe i dërguan një të puthur në ajër. Ajo i ndoqi me sy deri sa humbën në kthesën e rrugës së madhe.

Tashmë i burrëruar dhe zot i vetes, tok me të dashurën, po ikte drejt së panjohurës , në kërkim të një jete tjetër, të lumturisë dhe dashurisë.

Ibrahim Hajdarmataj: Bashkudhëtarë në fushën e letrave


Bashkudhëtarë në fushën e letrave

Skicë kushtuar gazetarit të talentuar Fran Gjoka nga Lezha



Nga Ibrahim Hajdarmataj - Kryetar i OJF “Mësuesi”, Tropojë

…Në fillim të dhjetorit të vitit 1974, nga shefi i arsimit dhe i kulturës së rrethit të Tropojës na vjen një qarkore ku shkruhet: “Të punohet me të gjithë Këshillat Pedagogjike të shkollave, me mësues, nxënës e prindër artikulli i shkruar nga Fran Gjoka, botuar në gazetën “Mësuesi”, që bënë fjalë për aktivitetet e larmishme kulturore-patriotike të zhvilluara nga nxënësit në qytetin e Lezhës. Aktivitetet e zhvilluara në Lezhë, të jenë shembull dhe nxitje edhe për gjallërimin e mëtejshëm të aktiviteteve në shkollat tona.” (Aso kohe gazeta “Mësuesi” dilte katër faqe me format të madh, çdo ditë të mërkurë).

Në atë kohë, Kabinetin pedagogjik e drejtonte profesori i psikologjisë Kol Tahiri, i ardhur nga Universiteti i Tiranës, i cili ishte shumë i pasionuar për shtypin. Me ardhjen e tij në “Bajram Curi” u rrit numri i drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që abonoheshin në gazetën “Mësuesi” apo dhe në “Revistën Pedagogjike.…

Më 15 dhjetor, më erdhi një lajmërim nga Kryeredaktori i gazetës “Mësuesi”, i cili më shkruante: “Ibrahim! Më datën 20 dhjetor duhet të jesh në redaksinë e gazetës, pasi do të organizohet një takim me të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës. Ju do të vinin me Riza Çelën e Tropojës. Pjesëmarrës të atij takimi ishin dhe: një kolegë nga Kukësi, - Isa Halili; nga Mirdita, - Mark Lazri dhe Bardhok Sulejmani; nga Vlora-Pandeli Pano; nga Puka, - Sabah Sinani e Preng Ukaj; nga Shkodra, - Ramiz Likaj, Njazi Kazazi, Idriz Kali; nga Lezha, - Fran Gjoka, Veli Brahimi; nga Peshkopia, - Mevlud Buci; nga Durrësi, - Kadri Tarelli; nga Berati, - Sami Starova, Namik Selmani, Xhevahir Lleshi; nga Tirana- Dhimiter Xhoga, Fadil Kepi, Dr. Emil Cimbi, Ferhat Cakaj, Loni Prifti, Mesud Abule, Bashkim Saliasi, Ali Tuci-ATSH; nga Fieri-Mihal Krimce; nga Gjirokastra-Engjell Fino; nga Skrapari, - Enver Cakaj; nga Leskoviku-Maksim Rushi; nga Elbasani-Sami Domni; nga Burreli-Hamdi Hysuka; nga Përmeti Sejdo Harka (i cili pas shumë viteve u bë kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”)...

U gëzova shumë nga ky lajmërim. Atë kohë kisha përgatitur një letër, që ia drejtoja Fran Gjokës, të cilin e njihja vetëm nëpërmjet artikujve dhe veçanërisht atij artikulli për aktivitetet kulturore-patriotike, që citova më sipër. Midis të tjerash në atë letër drejtuar Franit, shkruaja:

Përshëndetje nga monopatet e Zogajve -Tropojë!

Duke ju uruar shëndet dhe suksese në detyrën tuaj si gazetar dhe redaktor i “Mësuesit”, (të më falni për kohën që po ju marrë), artikulli juaj për aktivitetet kulturore dhe patriotike, jo vetëm që u punua në kolektivin tonë, por ai artikull do të jetë busull orientuese për aktivitetet tona edhe në atë ardhmen. Përfitoj nga rasti t`ju nis shkrimin për gazetën tonë të dashur ”Mësuesi” në lidhje me veprimtarinë e mësuesve vullnetarë të ardhur nga Tirana, Gjirokastra dhe Fieri në rrethin tonë, me shpresë se do ta botoni në numrin e ardhshëm. Edhe një herë më falni për shqetësimin. Me konsideratë të lartë, bashkëpunëtori i gazetës “Mësuesi”, Ibrahim Hajdarmataj”.

Artikullin bashkë me këtë letër e kisha mbyllur në një zarf dhe e kisha bërë gati ta nisja me postë. Ndërkaq, mbërriti telefonata tjetër e Kryeredaktorit, i cili pas përshëndetjes më pyeti:

-Mos e neglizhoni ardhjen në mbledhjen me bashkëpunëtorët e gazetës. Ata të seksionit të arsimit e kanë marrë udhëzimin për të mos ju penguar...

-Po,-i thashë,-ne po përgatitemi të vijmë, - dhe nisa t`i tregoj se i kisha shkruar një letër redaktorit të gazetës Fran Gjokës...

Ai kushedi pse qeshi dhe tha:

-Më vjen mirë që e ke këtë mendim për Franin, por ai nuk është redaktor i gazetës, por njëri nga bashkëpunëtorët siç je edhe ti Ibrahim. Dëshiroj të them se, ne këtu, jemi krenar me Franin dhe se ai e bënë punën si të ishte një redaktor definitiv i gazetës...

Kryeredaktori fliste, kurse unë ndjeja një valë të brendshme respekti për kolegun tim Fran Gjoka, për punën e tij të madhe e të rrallë, edhe për nga sasia, por edhe cilësia e shkrimeve. Edhe unë edhe kolegë të tjerë, të them të drejtën, çuditeshim me aftësitë dhe energjitë e tij, pasionin dhe përkushtimin e rrallë....

Ditën tjetër, me një “skodë” hipur prapa me Riza Çelën e Tropojës, më 19 dhjetor morëm rrugën për në Tiranë. Rruga, jo vetëm ishte e paasfaltuar por edhe tërë gropa, me kthesa të mëdha të Gomsiqes. Pas 9 orëve udhëtim, arritëm në Tiranë, të lodhur e të rraskapitur, zumë vend në hotel ”Tirana” (Tani Ministria e Drejtësisë) dhe, në mëngjes, shkuam në Ministrinë e Arsimit. Meqenëse shkuam më përpara, trokitëm te zyra e Kryeredaktorit të gazetës “Mësuesi”. Një zë i panjohur na u përgjigj: ”Urdhëroni!” dhe ndërkaq u hap dera dhe u shfaq një burrë i ri, i gjatë dhe me fytyrë të qeshur. Nuk e njihja personin që na priti, kurse Kryeredaktorin dhe Sekretarin e Kolegjiumit (Bardhyl Xhama) dhe redaktorin (Murat Gecaj) i njihja mirë pasi ata kishin ardhur edhe në Tropojë, por edhe në Zogaj, madje i kisha pasur edhe miq një natë në shtëpinë time. Por ata nuk ndodheshin në zyrë.

-Më falni,-i thashë burrit të ri që na priti, -kemi ardhur që të takojmë Kryeredaktorin e gazetës apo Sekretarin e Kolegjiumit. Vijmë nga Tropoja...

-Gëzohem shumë që po njihemi, - tha ai, - Kryeredaktori dhe Sekretari i Kolegjiumit nuk ndodhen për momentin, kurse unë jam si edhe ju, bashkëpunëtor i gazetës nga Lezha, Fran Gjoka më quajnë...

-Kurse unë jam Ibrahim, Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogaj i Tropojë dhe shoku im është Riza Çela....

Dhe që nga ajo kohë e për dhjetëra vite me radhë, me Franin jemi jo vetëm kolegë, por edhe miq të mirë, që ndajmë shqetësime të përbashkëta, përfitojmë nga njëri-tjetri, këmbejmë përvoja të shkollave dhe të rrethit dhe u gëzohemi shkrimeve tona..Shpesh herë, vetëm ose me miq e shokë, por edhe kur bisedoj me Franin, kujtojmë kohën kur Fran Gjoka shkruante me ritmin e tij të pandërprerë ashtu si dhe sot, duke rrokur një tematikë mjaftë të gjerë, me thellësi problemesh dhe idesh, me mesazhe të qarta dhe mbresëlënëse. Pastaj, ato portrete mësuesish dhe drejtuesish, aq të realizuar, shkollat që përshkruheshin aq mirë dhe me të gjitha problematikat e tyre, pa fshehur asgjë, edhe duke vlerësuar, por edhe duke ballafaquar apo kritikuar mangësitë...Unë kisha të drejtë atëherë kur kisha menduar se ai ishte një redaktor i gazetës, madje, për të qenë i sinqertë duhej të pohojë se Frani shkruante dhe botonte edhe më shumë se një redaktor gazete, ndonëse punonte mësues, dhe dallohej ndër mësuesit më të mirë dhe më profesional të rrethit..Shkolla ishte zemra e tij, ashtu sikurse gazeta ishte shpirti tij. Asnjëherë nuk e mendova Fran Gjokën të shkëputur prej këtij binomi të mrekullueshëm: Shkollë-Gazetë dhe anasjelltas....
Duke qenë bashkë shpesh herë në takime apo me shërbime në rrethe të ndryshme të vendit, kam njohur te Frani cilësi të rralla dhe tepër humane, ndërkohë që e vlerësoja ndër miqtë e çiltër e të sinqertë, që jepte pa kursim ndihmën dhe përvojën e tij. I kemi shkuar për vizita njëri-tjetrit, kemi ndenjur orë të tëra duke bashkëbiseduar për artikujt dhe teknikat e realizimit sa më mirë të tyre dhe, gjithnjë kam parë te Frani kolegun e përkushtuar dhe të palodhur, serioz, të aftë e plotë kulturë. Gjithnjë biseda jona ka qenë e lidhur ngushtë me gazetën “Mësuesi”, dhe gjithnjë Frani dallonte, madje na habiste me vrullin dhe ato energji ta jashtëzakonshme për të shkruar aq shumë dhe aq mirë, si një gazetar profesionist. Ai jo vetëm bënte po aq mirë edhe punën e mësuesit dhe edukatorit, por, ndërkohë edhe aktivizohej me shpërndarjen e gazetës së dashur në shkolla dhe zyra të arsimit apo individë të veçantë që ishin të abonuar te gazeta. Madje, zhvillonte edhe takime dhe biseda në shkolla ku tërhiqte mendime për përmirësimin e nivelit të artikujve për gazetën dhe për rubrikat e saj,ndërkohë që aktivizonte edhe gazetarë të rinj...Mbaj mend dhembjen e Franit kur u mbyll gazeta “Mësuesi”, artikujt e tij drejtuar institucionit të MASH, që gazeta të rihapej, sepse mësuesit e vendit e donin, u nevojitej shumë ajo gazetë. Ndonëse kërkesat e Franit dhe të shumë të tjerëve kanë rënë në veshtë shurdhër, ai nuk është tërhequr as atëherë dhe as tani që është në pension.

Artikujt e Fran Gjokës, që botohen në gazetat apo revistat e vendit apo dhe në mërgatë, asnjëherë nuk kanë reshtur, ata shprehin jetë, gjallëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për shkollën. Gjithkush mund t`i lexojë ata artikuj i ka lexuar apo dhe i lexon ata te “Koha Jonë”, “Republika”, “Tirana Observer”, “Nacional”, “Lisalba”, por edhe në dhjetëra portale, që botohen sot nëpër botë e ku emri i Fran Gjokës është kurdoherë i dukshëm, teksa artikujt e tij tërheqin vëmendjen dhe lexohen me interesim...

Nëpërmjet artikujve të tij, unë, por besoj edhe shumë të tjerë, kanë njohur më mirë historinë dhe traditat e Lezhës, kanë njohur emrat e mëdhenj të këtij qyteti që nga lashtësia e deri sot në kohët moderne, dimë shumë gjëra për Lezhën sepse na i ka rrëfyer Frani në artikujt e tij mbresëlënës, ndaj them me bindje se rrethi i Lezhës dhe sidomos shkollat e tij, janë bërë shumë të njohura mes të tjerash, edhe nga puna e jashtëzakonshme shkrimore e mësuesit dhe gazetarit të talentuar Fran Gjoka...

TREGIM NGA RESMI OSMANI


Rezultate imazhesh për resmi osmani

Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940. Kreu studimet e larta për Agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, studime të cilat i përfundoi në vitin 1963. Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.

Krahas detyrave të tjera ka qenë i angazhuar në veprimtari dhe kërkime shkencore. Ai ka botuar 19 tituj librash të profilit tekniko – shkencor, ka shkruar dhe botuar në revista tekniko – shkencore dhe shtypin periodik, brenda e jashtë vendit, mbi 150 tituj artikujsh që përfshijnë mbi tre mijë faqe. Për kontributin dhe kualifikimin shkencor mban gradën "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor".

Në gjysmën e dytë të viteve 2000,i është perkushtuar letërsise,kritikës së artit dhe publicistikës.Fryt i kesa pune janë një sërë botimesh si: biografitë e letrarizuara "Jeta e Bedri Lumanit", "Lule në gur" kushtuar jetes së specialistit të shquar të vreshtarisë Todo Gjermani. Ka levruar kryesisht temat historike në romanet"Mbretërimi i Pirros së Eoirit", "Mbretëresh Olimpia", Esseja historike "Aleksandri i Madh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu". Essene studimore "Bilal Xhaferri Poet i Zemrave Njerëzore" Essenë "Endrrat e ngrira të Enver Kushit, vellimin me tregime "Edhe yjet vdesin" etj. ne publicistikën e vet ka trajtuar probleme të çeshtjes çame, të zhvillimit të letërsisë dhe problemet aktuale. Në shtypin e shkruar dhe atë elektronik ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela. Krijimtaria e tij eshte pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.


Resmi Osmani: Fantazmat e gjakut


FANTAZMAT E GJAKUT

“Hak pa marrë e gjak pa larë nuk jet.”

Kanuni i pashkruar i maleve.

“Gjaku s’hup kurrë”

Kanuni i Lek Dukagjinit


Në kronikat e ditës së hënë, gjithë mediat vizive të Tiranës, dhanë lajmin se në suitën rezidenciale të hotel “Paradise”, ndaj të gdhirë u godit në shtrat, nga një “Arrest kardiak” shtetasi suedez me origjinë shqiptare Sokol Hajrulla Bajraktari. Këtë e bëri të ditur, e shoqja Helga Anders Kristensen -Bajraktari. Shkaqet ende të paditura. I sëmuri. i shtruar në Klinikën Mjekësore Universitare “Nënë Tereza”, kishte dalë nga koma, ishte nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

1

Leme Sala, nuk u mërziti që s’e besoi askush për atë që tha se kishte parë në mesnatën e së martës në rrugën qëndrore të qytetit, por që e quajtën të shkarë, të rrjedhur e të lajthitur që shihte ëndërra me sy hapur dhe broçkulliste.E tregonin me gisht dhe gaxhiteshin me të, ca të tjerë thanë se ajo po i nxirte nam të keq qytetit të tyre të nderuar dhe mund të largonte turistët.Edhe shoqet e punës sesi e shihnin, nuk i hapnin muhabet dhe sa të mundeshin i kthenin krahët. Si për t’i vënë kapakun , edhe i shoqi, Binaku, i tha të mbyllte gojën se u bë gazi i botës. Kjo s’durohej, e mërziti shumë Leme zezën. Por jo të gjithë mendonin kësisoj. Lemes i shkoi në shtëpi një nxënës i gjimnazit dhe i tha se profesori Gjon Gjin Marku, e priste në lokalin “Ujvara”, për një kafe, në ora pesë të pasdites. Lemja u ndje në zor nga kjo ftesë. Ç’ne ajo, një fshesare e ndërmarrjes së “Pastrim gjelberimit” me një profesor të nderuar e famëmadh të qytetit?

Profesori i nderuar i gjimnazit të vetëm të qytetit Gjon Gjin Marku, ishte ajka e intelektualëve historianëve dhe studjuesve. Hulumtimet e tij në astrologji, spiritizëm, mistikë, dhe parashikimet e tij për ngjarjet e pritshme, i kishin lënë pa mend bashkëqytetarët që kishin nisur ta shihnin si orakull. Mjekra e thinjur prej patriarku, syzet lentetrasha, flokët e gjatë mbi supe e bënin atë objekt admirimi. U bë aq i famshëm, sa fama nisi t’i rëndohej, e t’I kthehej në barrë gjë që dukej në krrusjen e shpatullave, por sido qoftë ajo u bë pjesë e jetës së tij dhe ai s’jetonte dot pa ‘të. Lemja e gjeti profesorin e nderuar, të rënë në mendime, të dystuar në kolltuk, duke tymosur llullën, në kthinën e rezervuar për klientët e rëndësishëm që tashmë kishin filluar t’I quanin VIP. Ajo u afrua me ndrojtje e çape të ngadaltë, por profesori i shquar, u ngrit i dha dorën dhe e ftoi të ulej në kolltukun karshi dhe porositi një kafe turke. Lemja u ndje e nderuar.Duke i dhënë vetes atë hijen e rëndë e disi misterioze, i tha se kishte dëgjuar ca fjalë. për një ndodhi që i kishte ngjarë asaj dy net më parë, por desh ta dëgjonte nga goja e saj.

-Pjesa ime e pastrimit nis nga bashkia, pranë monumentit që u ngrit para disa ditësh,- filloi të rrëfejë Lemja- ku kurorat e luleve edhe s’janë tharë, dhe përfundon në fund të bulevardit, te monumenti tjetër ai i ngritur para dy vjetësh. Isha duke i dhënë fshesën e fundit pastrimit, kur nga alpet zbriti mjegulla, e dëndur, e lagësht, e perhinjtë si e zbërdhylur, sa mezi shihje dy çape përtej, larg shkrepi një vetëtimë, erdhi një bubullimë e mbytur, pastaj fryu një erë e fortë, pa shi, me shtjella që ngriti re pluhuri.Pak caste ra një qetsi e shurdhër, por nuk vonoi dhe dëgjova vringëllima dhe gjurmë të rënda. U pataksa! Monumenti i bashkisë, ashtu i bronzët, si një mal i rëndë, duke u branisur dhe shungulluar iu afrua monumentit tjetër dhe nxori nga brezi alltinë, mori nishan e qëlloi. plumbi shkau në bronz dhe kaloi rrëzë veshit tim. U llahtarisa! Tjetri zbriti nga podi i mermertë dhe vringëlliu shpatën, u kacambytën. Sa herë e qëllonte me shpatë dëgjoheshin vringëllima dhe shkrepëtinin xixa. I gërmusheshin shoshoqt me fjalë, siç duket u shanë, por unë s’mora vesh se ç’thanë. Shtanga e frikësuar dhe më ngriu fshesa në dorë. Në atë kohë kënduan gjelat e parë , era u platit, po binte muzgu dhe ata u kthyen në vendet e tyre…..Kur mbarova punë, ata ishin aty, të heshtur,të ngrirë. si të mos kishte ndodhur gjë. Kjo ishte ajo që pashë. Askush s’më besoi, më quajtën të lajthitur e të marrë!Për atë zot,që është një. e për kryet e fëmijëve, Lemja nuk rren! Ruajna o zot mendt e kresë.

Profesori nuk bzajti, s’shfaqi asnjë mendim, nuk i tha as që e besonte as që s’e besonte. I kishte fjalët të shtrenjta.Fytyra e tij s’shprehte asgjë,si të ishte e drunjtë. E falnderoi dhe i la të kuptonte se biseda kishte mbaruar. Lemja u ngrit e shkoi disi e lehtësuar.Fundja dikush e kish dëgjuar

Profesor Gjon Gjin Marku, u kthye në kabinet dhe ra në honin e të thellave. Një hetim i kujdesëshëm, vërtetoi se burmat që kishin vidhosur monumentet në piedestale ishin çvidhosur dhe vidhosur sërish. Lemja, mbase e tepronte por ngjarja dukej të ishte e vërtetë! Shënjat ishin të frikshme. Para disa ditësh ngjau eklipsi i hënës. Hëna u shfaq e kuqe, e kuqe si e përgjakur e frikshme dhe e llahtarisur. I hodhi një sy hartës së yjeve, shenjat e turbullta, paralajmëronin ngjarje të frikshme. Edhe falltari Sadri Prroni, që kishte shqyrtuar shpatullat e berrave të therur për Kurban-Bajram kishte parë njolla gjaku. Fallxhorja zonja Selfixhe, kishte veguar në filxhanin e kafes një qivur! Paralajmërimet ishin të qarta. Dikush do të vdiste tragjikisht për të larë borxhet e gjakut.Diku larg, jo në qytetin e tyre, paçka se lufta e fantazmave kishte nisur aty, ngaqë aty ishte shkaku dhe zanafilla. Profesorit i kishte ardhur zogu në dorë. Hapi një dosje të re”Shpirtrat dhe monumentet”. Nisi hulumtimet. Qyteti i tyre, që qytet i thënçin, dukej si i ulur këmbëkryq në prehër të alpeve, në një ngastër vend të rrafshnaltës së ngushtë të Bjeshkëve të Namuna. Ngado që të hidhje sytë, përpjetë e tatëpjetë, male e përsëri male, si ca dallgë deti të ngrira me kulme të dhëmbëzuar, që dimrit i mbulonte bora e verës i piqte dielli. Vend I nëmur, ashtu siç kishte edhe emrin.Thoshin se qëmoti ai kishte qenë një fshat me nja njëzet kulla, që qiste nja dyzet burra me huta e martina. Ca e ca, fshati u zgjerua, posta e xhandarmërisë, shkolla,post-telegrafa dhe dugaja me bakallët, që shisnin më së shumti kripë, vajguri, gozhdë e ndonjë kut pëlhurë, po i rrisnin namin dhe qeveritë e atëhershme e shpallën qendëër të nënprefekturës. Në hapësirën e paanë, në luginat shpatinat, zabelet, gjith ku kishte pak tokë për parmendë, burime uji dhe bjeshkë për kullotë ishin katundet, të ndara në vllazëri, gjini, fise, bajraqe. Burra trima e të sertë.Kishin luftuar me dovletin, karadakun, serbin dhe nemcen.Por më e ashpër ishte lufta mes vedi. Vriteshin për një gardh, për një gur sinori, për një fjalë, nder të marrun e fytyrë të vrugueme, për hajni e cubni. Gjakmarrja bënte kërdinë. Si të mos mjaftonin gjith këto, nisi lufta politike. Bajraktari i Madh, her me hile, her me pabesi e her me trimni, duke derdhur argjend e flori, ia doli të dilte në krye. Për hakmarrje dhe siguri të vetes, i vrau ata që deri dje kishin qënë miqt e vet e që nga miq iu kthyen në armiq. Shumë ujra kishin rrjedhur, shumë vite e stinë ishin ndrruar, erdhën të tjera kohë,u thanë të tjera fjalë. Fuqinë e merrte her një bajrak e her një tjetër, u ngjallën mëritë, hasmëritë, nisën të dhembin plagët e qëmoçme , fantazmat e shpirtrave të paqetë dhe ajo e Lek Dukagjinit trazonin mëndjet dhe shpirtrat. Dhe ja ku ishim: Në qytet u ngritën dy monumente, karshi njeri-tjetrit: I Bajraktarit të Madh, vrasësit, nga njeri bajrak, që kishte dhënë shpirt nga pleqëria në shtratin e shtëpisë, larg në një vend të huaj dhe i të vrarit, në lule të moshës, nga bajraku tjetër, që s’i dihej varri. Për të dy lahutarët dhe rapsodët këndonin këngë!

Profesori i nderuar, Gjon Gjin Marku, i thelluar në shkencat okulte, spiritizëm dhe misticizëm , rastin e Leme Salës e pa si vërtetim të teorisë së tij të migrimit të shpirtrave. Ai hapi një faqe të re në traktatin që po shkruante dhe bëri një shënim:”Trupi asht gjasend landore, shkimet e shpërbahet, jesin veç eshtnat prej qereçi e fosfori. Shpirti asht etern,nuk vdes, i takon amshimit deri në gjygjin e fundit…” Pas kësaj fjalie gjith mençuri, rreth së cilës do të kondensohej gjithë subjekti, ai mendoj vijimin. Shpirti që jet pa trup, s‘ka ku të mishërohet, ai kur e thërresin të gjallët, shfaqet si hije, si fantazmë, në mugëtirë e terr. Ndryshon puna kur ngrihen monumentet. Shpirti që i njeh shëmbëlltyrat e vetes, gjen strehë brenda tyre dhe i trand, i vë në lëvizje e veprim. Bash kjo kishte ndodhur me dy monumentet e qutetit të tyre! Ishin ngjallur të vdekurit. Kërkonin hakmarrje!

2

Qytetari suedez me origjinë shqiptare, Sokol Hajrulla Bajraktari, i lindur jashtë Shqipërie nga një ledi fisnike irlandeze, pasardhëse e një lordi, dhe Hajrulla Kapidanit, pinjoll i rrafshit të Lugjeve të Verdha, e kishte çuar jetën larg Shqipërie. Ishte martuar me zonjën Helga Anders Kristensen, bijë e një industrialisti të madh. Ishte bashkuar fisnikëria me pasurinë. Vinte për herë të parë në vendin e gjyshit, i ftuar nga nipi i Bajraktarit të Madh, me rastin e martesës së tij. Ishin shokë fëminie. Ai, i përkrahur nga miq e shokë që i kishin mbetur besnikë, kishte kohë i ardhur në Shqipëri, në kërkim të trashëgimit të gjyshit të vet, Bajraktarit të Madh. Dikur,ata kishin qenë shokë armësh,Mehmet Kapidani kishte qenë krahu i armatosur, që i kishte pastruar rrugën e pushtetit.i ishte dashur të derdhte shumë gjak, të armiqve por edhe të miqve të pabesë. Kishte kaluar shumë kohë, dy breza, aq sa ato ngjanin si legjenda.

Që madam Helga të njihej me bukuritë e vendorigjinës së basshkëshortit. morën me qira një helikopter çarter dhe fluturuan mbi Bjeshkët e Namuna, mbi alpet,majave të të cilëve bora s’kishte shkrirë ende, u mahnitën me bukuritë: pyjet livadhet luginat, lumenjtë, katundet e strukur rrëzë maleve. Bënë fotografi dhe filmime. Kur zbritën në qytetin N i pritën miq të familjes, vllazëri, kushërinj dhe kureshtarë. Madam Helgës që ishte e mrekulluar nga ç’kishte parë dhe nga kjo pritje, i dhuruan lule. U çmallën dhe darkuan bashkërisht. Një rapsod këndoi me lahutë një këngë për trimëritë e Mehmet Agë Kapidanit.

Vizituan, në fund të rrugës së vetme të qytetit momnumentin madhështor të Bajraktarit të Madh dhe vunë lule.

Të mbushur plot mbresa, zunë vend në hotelin e ri me pesë yje “Radohima”, ku u kishin rezervuar suitën rezidenciale.Pas darkës së shijshme e plot emocione, u kthyen në suitë dhe të lodhur u shtrinë për të fjetur. Bënë dashuri dhe Helgën e kapiti gjumi. Kur Sokolit po i mbylleshin sytë, ndenji shesh në shtrat me mëdyshje nëse duhej të mbulohej, ngaqë iu duk vapë. Për një çast ndriçimi i abazhurit të komodinës u zbeh dhe dhomën e mbuloi mugëtira. Nga mbidritarja e hapur për ajrim, hyri duke rrahur krahët një flutur e bardhë, me krahët mbuluar me pikla të kuqe dhe nisi të sillesh rreth llambës me një valle të marrë.

-Mos fli!- zëri ishte i thellë, i ngjirrur i rrokëzuar dhe zvargur ,por urdhërues.

-Who are you?[1]- pyeti Skënderi që nuk e kuptoi prej nga i erdhi zëri.

-Folmë shqip!

-Kush je ti?

-Shpirti i plakut të maleve!-foli zëri.

-As njohur as dëgjuar,ç’kërkon prej meje?

-Gjyshi yt, Kapidani i Lugjeve të Verdha më ndoqi siç ndjekin zagarët gjahun, s’mu nda, këmba-këmbës, deri sa më rrethoi, e kur mua dhe trimave na mbaruan ushqimet dhe fishekët, na vrau. I shikon pikat e kuqe në krahët e mi? Janë plagët e plumbave që kullojnë hala gjak.

Skënderi i kishte qepur sytë boshllëkut të muzgët prej nga i vinte zëri, nuk po kuptonte, ishte zgjuar, e kishin kapluar haluçinacionet,apo në atë gjendjen as në gjumë as zgjuar, ku ëndrrat trazojnë gjykimin dhe fantazia e pakontrolluar, si në filmat e Hiçkokut, shëtit si një somnambul. Cimbisi krahun. I dhembi. Padyshim që ishte zgjuar. Roza flinte.

Nga mbidritarja hynë flutura të tjera, më të vogla, të gjitha të përhinjta, me pikla të zeza. Edhe ato filluan të vertiten rreth llampadarit dhe dhoma e gjumit u mbush me shungullimën e zërave të pakuptueshëm.Flutura e madhe u ul mbi komodinën e shtratit.Sytë i ndrinin si dy thëngjij.Skënderi i ra që ta vriste, po ajo u ngrit vrik, dhe prej saj doli një hije: malësor,mustaqemadh, me plis të bardhë, sytë futur thellë në zgavra, prej tyre dilnin dy rreze drite që shponin mugëtirën, qëndronte pezull si të ishte prej ere.

-Janë shpirtrat e shokëve që u vranë tok me mua.-tha për fluturat e tjera.- Gjith ne jemi zotërit e gjakut, ti je trashëgimtari i gjaksit i borxhliut. Atje në vend të huaj, ne se merrnim dot gjakun, na e ndalon kanuni, po ti na erdhe në vend. Të dërgoi dora e zotit. Gjak pa larë e hak pa marrë nuk jet. Gjaku shkon për gisht dhe dorërasi[2] është Kapidani i Lugjeve të verdha.Ti je trashëgimtari, që të shlyesh borxhin duhet të vdesësh, që dera e kapidanit të shuhet e të mbyllet, siç u shuan dyert tona!

Fluturat e vogla u shndrruan në ushtarë. Të gjithë kishin pushkë.Ja drejtuan gjaksit,por nuk kishin fishekë, i kishin djegur në luftën e bërë para tetëdhjetë vjetësh .

-Jo, de, Jooooo!-bërtiti fatziu gjer në kupë të qiellit.

Britma zgjoi Helgën, që brofi dhe ndezi dritat.

- Ç’ke, i dashur? Pse ia ngjit sytë e tmerruar zbrazëtirës?

Ai i bëri me nojmë me kokë nga fluturat, por në atë çast kënduan gjelat nga shtëpitë aty afër dhe fluturat u zhdukën si të mos kishin qënë kurrë.Nuk i tha gjë së shoqes, do ti tregonte në mëngjes.

Fjetën deri vonë dhe mënngjesin ua shërbyen në dhomë.

Ishte i bindur se ajo suitë e hotelit ishte e magjepsur dhe e pushtuar nga shpirat dhe fantazmat, ajo që i kishte ndodhur nuk ishte një makth.

Morën Helikopterin dhe u kthyen në Tiranë.

3

Ata u nisën e stolisën, ai : me kostum të zi, këmishëtë bardhë jakvogël cepa kthyer, kravatë flutur vishnje me pika të bardha, një lule të bardhë gardenia në thile, shamiçkë mëndafshi të bardhë në xhepin e vogël.Ajo: me fustan ngjyrë argjendi, me një shall spanjoll mëndafshi hedhur mbi supe dhe vargun e perlave, që ndrinin ëmbël me reflekset e sedefta. E gjatë belhollë elegante. Limuzina i la te porta e “Ruajal Palas”. Shoqëri e zgjedhur, e hareshme, gazmore, me sqimë. Dasma ishte madhështore, si dasmë mbretërore. Salla e “Ruajal Palas” ndrinte e shkëlqenta nga dritat,luksi dhe stolitë e dasmorëve.Trashëgimtari i Bajraktarit të Madh,po martohej me zonjushë Etlevën, e njohur në botën e modelingut.Jo e shquar nga fisi apo pasuria, por e pashoqe për nga bukuria dhe talenti.” Kjo s’do të thoshte gjë,- tha Helga,- a nuk kishte vepruar kështu edhe princ Herri që u martua me Meganin, një mulate afro-amerikane?”

Pas ceremonisë,limuzina i solli para hotelit. Të përshëndetur nga personeli që u gëzohej bakshisheve, u ngjitën në suitën rezidenciale, u çliruan nga veshjet dhe të ulur në kolltukë po shkëmbenin mbresat për dasmën.

- Më thanë se dasma kostoi njëqind mijë euro! Nuk të duket harxhim ekstravagant? Më mirë një ceremoni të thjeshtë dhe lekët për bamirësi, në këtë vend që është kaq i varfër!

-Epo, njeriu një herë martohet!- I tha i shoqi-Ndër shqiptarët, dasma është si një rit, që rrëfen klasin e atij që martohet.

Detyrat e ditës ishin kryer. U shtrinë. bënë dashuri.”Ta mbajmë mend këtë natë dashurie në Tiranë” tha Helga, si të donte ti koleksiononte netët dashurore. Të lektisur e të kapitur, ashtu të përqafuar, si në një botë ëndrrash, po i kaplonte gjumi. Skënderi u kujdes që dritaret të ishin të mbyllura. Pa të shoqen: flokët e arta shpërndarë mbi nënkresë,fytyra e bukur dhe e paqme si e një foshnje.Buzëqeshte në gjumë. U ngjat brinjë saj me kujdes që të mos e zgjonte. Kishte qënë me fat:Helga ishte vajzë përsëmbari.

Drita e zbehtë e kaltëreme gjumëndjellëse e ndriçuesit të komodinës, e linte në hije të mugët pjesën e sipërme të dhomës, në mure luhateshin hijet e perdeve që u binte ndriçimi nga rruga. Kondicioneri shushurinte lehtë dhe shpërndante freski. Skënderit iu bë se ndjeu parpalitje krahësh të një fluturake që sillesh nëpër dhomë. Nuk ishte gabuar. S’ mundi ta shquante mirë, ishte një zogth apo lakuriq nate. Nga të kishte hyrë? Dyer e dritare ishin mbyllur.

-Të prita i varur te qoshja e murit nën tavan, në errësirë.- tha zëri si t’i kishte lexuar mendimet. Dhe ndodhi një shndrrim: në mugëtirën e dhomës u shfaq një hije veshur allafranga, me redingotë e jelek, i shquheshin mustaqet e plota, në vend të syve dy zgavra, ishte i zhytur në muzg të tymtë, i pezullt, një siluetë e palëndët. Iu kujtua se diku e kishte parë të trupëzuar në një monument.

“ Prapë? Ç’ishte kjo”?-pyeti veten dhe bëri një lutje, që ky shpirt, hije apo xhind,të hiqej e vidhisej,të shporrej në humbëtirën nga kish dalë. Por lutja s’bëri punë.

-Jam shpirti i profesorit, i deputetit,politikanit. Mehmet Bajraktari, gjyshi yt, me porosi tw Bajraktarit të Madh, mi vuri hafijet pas gjurmëve, kudo që shkova: në Vjenë, Sofje, Stamboll , Romë. Hija e vdekjes më ndiqte pas. Më vranë në një qytet të huaj, kur po numëroja qindarkat që më kishin mbetur për të paguar kafen. Isha hala i ri. S’i kasha mbushur tridhjet e pesë vjeç. Ishte një vrasës me pagesë, ai që shkrehu armën, një halabak. Dorëras i paguar nga shtëpia juaj. Shtëpia juaj është në gjak me timen. Nipërit e mi që se kanë marrë gjakun, në malësi hala i përbuzin, ua japin kafen nën gju, i kallzojnë me gisht si të shburrnuem dhe fjalën s’ua ndigjojnë në kuvendin e burrave. Balli i tyre asht’ i vruguem. Atë e ndrit veç derdhja e gjakut të gjaksit. Edhe unë s’gjej as prehje as paqe,s’më nxe varri.

Heshtje e akullt.

-Edhe ti, ish deputet,professor,politikan, ke mbetur rob i gjakut? E kërkon atë prej meje që jam i brerzit të tretë e i pafaj?

-Zakoni, ashtë ligj ma i fortë se çdo ligj. Gjaku s’hupë kurrë. E vrave,tjetrin, fisnik a firuk[3], ndëshkimi asht i njëllojtë: i ke gjakun.Gjakun e lan edhe aj që nep plumbin.Pushka e dhanme e çon gjakun në shpi! Gjaku shkon bir pas biri e nip pas nipi.

-Por a nuk ka falje, a nuk ka pajtim?

-Edhe ka, kur hyjnë dorzanët e gjakut.Për ty nuk ban fajde.S’ishte vrasje për gjak, ishte vrasje politike. Edhe po të fal unë s’falin të tjerët, gjakhupsit, dhe ata janë shumë. Shikoji !-Muzgu i tymtë u mbush me hije - shpirtra që lëvrinin, rënkonin, ofshanin sa të dridhej mishi. - Erdha të ta bëj me dije. S’e di se kur, e ku…. Por në një qafë mali, trotuar qyteti,apo portë hoteli, nipi im do të zerë pritë, dhe para se të të vrasë, do të thërrasë që të më bësh të fala mua dhe do të qëllojë……Vdekje e bukur ashtë n’ lule t’ ballit, apo drejt e në zemër ….. Nuk do ta prishin fytyrën, do ta kthejnë trupin së mbari, nga dielli…. Dhe po të kesh, do ta venë pushkën në brinjë. Pastaj do ti bajnë za shpis sate që të kanë vra. Të vijnë të të marrin e të bajnë gjamën. Kështu e do kanuni. Kështu do të bahet…..Zëri vinte me tropare, i thellë i ngjirrur, si të dilte nga humbellat, zvarrë-zvarrë, si një qefin i zi që ndehet mbi tabutin e të vdekurit.

-Fantazma,hije skëterre, shpirtra të vdekurish të dalë varresh,apo djaj, ç’fardo që jeni: përjashta, shporruni, hiqmuni sysh- ai deshi të bërtiste urdhërueshëm, por zëri nuk i doli, ishte i dobët ,fjalët të shqiptuara si belbëzim. Hijet lëvizën në kaos, iu afruan, e qarkuan dhe i qëndruan mbi krye, të frikshme, të ngërdheshura, gojë pa dhëmbë si shpella, zgavra pa sy, skelete të shkalafitura, rënkime e ungërima ngjethëse: gjaku….Gjaku…Gjaku…. Atmosfera e dhomës kutërbonte varr, kalbësirë.

Skënderi ndjeu shtrëngesë therëse të padurueshme në gjoks, i rigouan djersë të ftohta, iu meh fryma, iu err shikimi pastaj një shkrepëtimë e ndritshme dhe zhytja ngadalë në një hon të errët….Helga që u trondit nga dridhja e shtratit dhe rënkimet e të shoqit, brofi vrik dhe u llahtaris kur pa sytë e ngrirë si dy sfera qelqi, pamjen e ngurtësuar dhe një tizgë jarge që kishte rrjedhur nga buza në faqe. I foli, e shkundi fort, bërtiti me sa kish në kokë, por asnjë shenjë jete.

Nga jashtw u dëgjua kënga e gjelave që lajmëronte agimin. Helga asgjë s’pa. asgjë nuk dëgjoi.

Me duart që i dridheshin ngriti telefonin dhe lajmëroi recepsionin që të thërrisnin një ambulancë.

Mjeku konstatoi një “Arrest kardiak”. Shkaqet të panjohura. Pulsi punonte ngadalë, i sëmuri ishte gjallë por në koma. Bëri një ndërhyrje me elektroshok dhe u nisën për në Qendrën Spitalore Universitare”Nënë Tereza”.

Në mbyllje të këtij tregimi, lexuesit mund t’i themi se ngjarje të tilla ndodhin rrallë, rrallë, por ja që ndodhin!

‘Takimi i gjeneralit Fatmir Limaj- Kryeministrit Albin Kurti?’- Heshtje totale nga dy kampet politike… Çfarë po ‘zihet’?

Ditën e sotme  më datën 5.4.2025. qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, gjnerali i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , dhe Kr...