Tumor markerët janë substanca që prodhohen nga indi tumoral gjegjësisht nga qelizat kancerogjene apo edhe nga vetë organizmi si përgjigje ndaj këtyre qelizave.
Tumor markerët mund të jenë proteina, antigjene apo edhe hormone që gjenden në gjak, urinë dhe lëngje tjera trupore e që rritja e tyre mbi vlerat normale të bënë të dyshosh për praninë e një neoplazie.
Pamje e proteinave dhe antigjeneve
Rëndësia diagnostike e tumor markerëve
Rëndësia diagnostike e tumor markerëve qëndron në: diagnostifikmin e sëmundjeve kancerogjene, monitorimin e trajtimit dhe përcjelljen e pacientëve pas trajtimit. Po ashtu disa nga tumor markerët mund të shërbejnë edhe si screening teste për popullatën apo vendet që kanë prevalencë të rritur për të zhvilluar karcinomë.
Rritja e tumor markerëve shpeshherë është pasojë edhe e disa sëmundjeve inflamatore dhe beninje kështu që gjatë diagnostikimit të sëmundjeve kancerogjene-neoplazive të ndryshme, rritja e tumor markerëve duhet të merret parasysh vetëm nëse përputhet me gjendjen klinike, ekzaminimet radiologjike (CT, RM etj.) dhe patologjike-biopsinë. Pra, tumor markerët si analizë e vetme nuk mjaftojnë në diagnostikimin e sëmundjeve kancerogjene.
Përdorimi apo kërkimi i markerëve tumoral ka rëndësi shumë të madhe gjatë dhe pas trajtimit të sëmundjes kancerogjene. Nëse trajtimi qoftë kirurgjik, rrezatues apo kimioterapeutik është i suksesshëm dhe shoqërohet me regredim të indit tumoral, atëherë edhe vlerat e tumor markerëve fillojnë të ulen. Nëse përkundër trajtimit vlerat e tumor markerëve vazhdojnë të rriten atëherë, kjo na bënë të kuptojmë që kemi të bëjmë me një tumor agresiv dhe përkundër trajtimit kemi progredim të sëmundjes. Ndërsa pas trajtimit të suksesshëm të sëmundjes kancerogjene, rëndësia e tumor markerëvë qëndron në përcjelljen e recidivave, gjegjësisht rikthimit te sëmundjes. Pas trajtimit të suksesshëm të sëmundjes kancerogjene varësisht sipas rekomandimit të mjekut tumor markerët duhet përsëritur pas 3, 4 apo 6 muajsh.
Me anë të matjes së tumor markerëvë bëhet jo vetëm përcjellja e karcinomës fillestare, por mund të zbulohen edhe metastazat e mundshme në organe tjera.
Vlerat e tumor markerëve në përgjithësi korelojnë me stadin e sëmundjes duke na ndihmuar kështu në prognozën e pacientit.
Llojet e tumor markerëve
Tumor markeri i parë i njohur ka qenë proteina Bence-Jones prania e së cilës ndihmonte diagnostikimin e mielomës multiple. Mirëpo, përcjellja dhe monitorimi i pacientëve me karcinomë ka filluar që nga viti 1965 me zbulimin e AFP e më pas të CEA. Ndërsa deri më tani janë zbuluar me dhjetëra tumor markerë që ndihmojnë në diagnostikimin dhe monitorimin e pacientëve me karcinomë, siç janë: alfa-fetoproteina – AFP, antigjeni karcinoembrional CEA, antigjeni ovarial Ca125, antigjeni specifik i prostatës PSA, etj.
Diagram i tumor markerëve
Alfa-fetoproteina (AFP)
AFP është glikoproteinë. Gjatë shtatzënisë sintetizohet nga sakusi vitelin (qesja viteline) dhe mëlçia. Vlerat e AFP varen nga mosha; në ditët e para pas lindjes vlera e AFP është mjaftë e rritur, më pas fillon të ulet duke arritur vlerat normale që janë te të rriturit pas një viti e gjysmë.
AFP rritet te karcinoma e mëlçisë, të tumoret germinative të testiseve, vezorëve dhe mediastinit. Me anë të AFP mund të monitorohen edhe pacientët që janë HbsAg pozitiv pasi që këta paraqesin rrezik të lartë për të zhvilluar karcinomë të mëlçisë. Po ashtu, AFP përdoret si screening test në vendet që kanë prevalencë të rritur të karcinomës së mëlçisë.
B-2 mikroglobulina
Vlerat e B-2 mikroalbuminës rriten gjatë Mielomës Multiple, Leukemisë kronike limfocitare dhe limfomave. Vlerat e B-2 mikroalbuminës mund të jenë të rritura edhe gjatë gjendjeve jo kancerogjene si gjatë sëmundjeve të veshkave dhe hepatitit.
Antigjeni karcinoembrional (CEA)
Është glikoproteinë, marker i karcinomës së zorrës së trashë (kolorektale), lukthit, mushkërive dhe gjirit.
Në stadet fillestare të sëmundjes përqendrimi i CEA rritet pak kështu që matja e CEA ka rëndësi më të madhe gjatë monitorimit të sëmundjes. Si çdo marker tjetër edhe niveli i CEA pas trajtimit të suksesshëm bie, gjatë remisioni të sëmundjes është stabil, ndërsa rritja është tregues i rikthimit të sëmundjes. CEA mund të rritet edhe te karcinoma e Tiroides, pankreasit, mëlçisë, lukthit, prostatës, vezoreve dhe qafës së mitrës.
Në gjendjet jo kancerogjene vlera të rritura të CEA vërehen te duhanpirësit, sëmundjet inflamatore të zorrëve, pankreatit, gastrit, bronkit, cirrozë të mëlçisë, ikter obstruktiv, etj.
Antigjeni gastrointestinal Ca 19-9
Është marker i karcinomës së pankreasit dhe zorrës së trashë (kolorektal), por rritet edhe në rastet e karcinomës së lukthit dhe rrugëve biliare. Në fazat e hershme të sëmundjes, Ca 19-9 shpesh here është normale, kështu që nuk njihet si markerë i hershëm i diagnostikimit të sëmundjeve kancerogjene. Ca 19-9 është markerë i mirë gjatë përcjelljes së trajtimit të pacientëve me karcinomë të pankreasit.
Në rastet beninje Ca 19-9 rritet te sëmundjet autoimmune, cirroza e mëlçisë, ulcerë gastrike dhe intestinale, kolit ulceroz, sëmundje të tiroides dhe pankreatit.
Antigjeni ovarial (Ca 125)
Është antigjen i karcinomës së endomtriumit dhe vezoreve. Në shumicën e rasteve vlerat e Ca 125 rriten kur tumori është akoma e lokalizuar vetëm në vezore duke ndihmuar kështu në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes. Vlerat e Ca 125 rriten edhe gjatë karcinomës së mitrës apo qafës së mitrës, ato tubulare, të mushkërive, pankreasit, gjirit dhe kolonit, por edhe te metastazat e një karcinome tjetër në këto organe.
Në gjendjet jokancerogjene, Ca 125 mund të rritet te sëmundjet inflamatore që prekin endometriumin (endometriozë), gjatë shtatzënisë dhe ciklit menstrual, sëmundje inflamatore të pelvikut, gjatë pankreatitit dhe sëmundjeve të mëlçisë.
Ca 15-3
Është markues i karcinomes së gjirit. Vlerat e Ca15-3 varen nga stadi i sëmundjes kështu vlera të rritura të Ca 15-3 mund të gjenden vetëm në 10 % të pacientëve me karcinomë të gjirit në fazat fillestare dhe 70 % në pacientët me karcinomë të avancuar.
Rritje të Ca 15-3 kemi edhe te karcinomat e zorrës së trashë (kolorektale), vezoreve, mushkërive dhe pankreasit . Ndërsa te sëmundjet apo gjendjet jo kancerogjene, vlera të rritura të Ca15-3 mund të hasen te hepatiti kronik, sëmundjet inflamatore të traktit respirator dhe pelvikut, endometriozë etj. Rritje e lehtë e Ca 15-3 vërehet edhe gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.
Ca 27-29
Është një tumor marker tjetër që përdoret për të përcjellë pacientët me karcinomë të gjirit gjatë dhe pas trajtimit. Vlerat e Ca 27-29 gjithashtu mund të rriten edhe te kanceri i zorrës së trashë, lukthit, mushkërive, veshkave, vezoreve, mitrës, mushkërive dhe pankreasit. Ndërsa në gjendjet jo kancerogjene Ca 27-29 rritet gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, endometriozë, kistet të vezoreve, sëmundje të veshkave dhe mushkërive.
Ca 72-4
Është akoma në studim e sipër, rritet te karcinoma e vezoreve, pankreasit, traktit digjestiv e në veçanti te karcinomat e stomakut.
Ca 50
Rritet te tumoret e zorrës së trashë, të pankreasit dhe të rrugëve biliare. Në sëmundjet beninje rritet në ikterin obstruktiv ekstrahepatik dhe në kolangjitin akut. Ca 50 gjendet në lëngun biliar kështu që te pacientët që vuajnë nga një neoplazi pankreatike e shoqëruar me zverdhje të sklerave dhe lëkurës (ikter) nuk indikohet matja pasi që jep rezultate fals pozitive.
Gonadotropina korionike humane (HCG)
Gonadotropina korionike humane është glikoproteinë që gjatë shtatzanisë prodhohet nga qelizat trofobllastike të placentës dhe që përdoret për të diagnostikuar dhe monitoruar shtatzaninë. Vlera të rritura të HCG te gratë jo shtatzëna na bëjnë të dyshojmë per mundësine e pranisë së koriokacinomës, molës hidatiforme dhe tumoreve me qeliza germinale të vezoreve. Te meshkujt HCG rritet te tumoret me qeliza germinale të testiseve dhe së bashku me AFP është një marker i shkëlqyer për përcjelljen e këtij lloj tumori. Rritje e lehtë e HCG vërehet te pacientët me tumor të mediastinit (me qel.germinale), te melanoma, karcinoma e gjirit, lukthit, zorrëve edhe mushkërive.
Në gjendjet jo kancerogjene rritet te sëmundjet inflamatore te zorrëve, te pacientët me cirrozë dhe te përdoruesit e marihuanës.
Antigjeni specifik i prostatës (PSA)
Është glikoproteinë që prodhohet nga qelizat e prostatës dhe i vetmi tumor marker që mund të përdoret si screening test për karcinomë të prostatës. PSA rritet te karcinomat e prostatës, por edhe te disa gjendje beninje si hipertrofi beninje e prostatës BHP, inflamacion të prostatës, retension urinar akut. Tek të moshuarit, pas ekzaminimit të prostatës dhe vlera të rritura të PSA vërehen deri në 2 ditë pas ejakulimit. Në qarkullimin e gjakut PSA gjendet në formë të lidhur me proteina e njohur si PSA totale dhe në formë të lirë si free PSA. Gjatë diagnostikimit të pacientëve me probleme të prostatës, ka rëndësi përcaktimi i të dy formave të PSA dhe raportit freePSA/total PSA. Nëse ky raport është më i ulët se 0.15 mundësia e karcinomës është shumë e madhe andaj indikohet menjëherë biopsia e prostatës, nga 15-25 njihet si zonë jeshile që kërkon përcjellje të vazhdueshme, ndërsa nëse ky raport është ma i madh se 0.25 kemi të bëjmë me hipertrofi beninje të prostatës.
Pas largimit të prostatës (prostatektomisë) PSA duhet të përsëritet çdo 3 muaj vitin e parë, pastaj çdo 4 muaj vitin e dytë dhe çdo 6 muaj në vazhdim.
Pamje e prostatës normale dhe asaj të përfshirë nga kanceri
Enolaza neuronale specifike (NSE)
Është marker i tumoreve neuroendokrine siç është neurobllastoma, tumori i mushkërive me qeliza të vogla, tumori karcinoid dhe feokromocitoma. Vlera të rritura të NSE janë gjetur edhe te llojet e tjera të tumoreve jo neuroendokrine, si te karcinoma medullare e gj. tiroide, karcinoma e pankreasit, dhe te melanoma.
Kromogranina A
Është po ashtu marker i tumoreve neuroendokrine siç janë tumori karcinoid, neurobllastoma dhe ai i mushkërive me qeliza të vogla. Është markeri më senzitiv i tumorit karcinoid. Rritet edhe te format e avancuara të tumorit të prostatës.
Kalcitonina
Është hormon që prodhohet nga qelizat e ashtuquajtura parafolikulare C të gjëndrës tiroide. Në gjendjet normale rregullon përqendrimin e kalciumi në gjak. Kalcitonina rritet te karcinomat medullare të gjëndrës tiroide dhe ndihmon që ky lloj i karcinomës së gj.tiroide të detektohet në fazë shumë të hershme. Rritet edhe te tumoret e mushkërive dhe leukemitë, por nuk përdoret për të përcjellë këto kancere.
Tireoglobulina
Është proteinë që prodhohet nga indi normal i gjëndrës tiroide. Është marker i karcinomes papillare dhe folikulare të gj.tiroide por, duke qenë se prodhohet nga qelizat normale të gj.tiroide, Tireoglobulina njihet si tumor marker jo gjatë diagnostikimit të karcinomes së gj.tiroide por vetëm pas largimit të gj.tiroide (tiroidektomisë) dhe trajtimit me jod radioaktiv. Me anë të matjes së tireoglobulinës monitorohet trajtimi dhe rikthimi i mundshëm i tumorit.
CYFRA 21-1
Është marker i karcinomës së mushkërive me qeliza jo të vogla, në veçanti i karcinomës me qeliza scuamose, karcinomës së ezofagut, mitrës dhe fshikëzës urinare.Vlera të rritura të Cyfra 21-1 hasen edhe te pacientët me fibrozë pulmonare.
EGFR
Është proteinë e njohur si HERE 1, është receptor i gjetur në qeliza që i ndihmon ato të rriten. Pacientët që kanë EGFR të rritur, kanë prognozë të keqe dhe iu duhet një trajtim më agresiv. EGFR mund të përdoret si guidë gjatë trajtimit të kanceri të mushkërive me qeliza të vogla, kancerit të kokës, qafës, kolonit, pankreasit dhe gjirit.
HERE 2
Është proteinë që tregon rritjen apo shumimin e qelizave kancerogjene. Rritet te tumori i gjinjve dhe stomakut. Matet në indin tumoral dhe prezenca e HERE2 është e lidhur me prognozë të varfër të kancerit të gjirit dhe stomakut.
Antigjeni i karcinomws me qeliza skuamoze (SCC)
SCC është marker i karcinomës së qafës mitrës, kokës, ezofagut, mushkërive dhe lëkurës(Dr. Shpresa Huruglica)