2021-12-28

JETA E SAMI FRASHËRIT E TREGUAR NGA E BIJA


Sami Frashëri

Rrëfime me copëza jete nga jeta e Sami Frashërit të treguara nga vajza e tij, e të përmbledhura në librin e gazetarit turk Hikmet Feridun Es, “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”. Zakonet e njeriut të letrave që rrethohej nga librat

Në librin “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”, me autor gazetarin turk Hikmet Feridun Es, mes personaliteteve spikat edhe enciklopedisti, dramaturgu, gjuhëtari, romancieri, përkthyesi, njeriu i rrallë për të gjitha kohërat, Sami Frashëri – apo Shemseddin Samiu, siç njihet ne historiografinë turke. Mes tyre, ai ka përcjellë për lexuesin kujtimet shumë të veçanta, treguar me shumë dashuri dhe besnikëri, nga vajza e madhe e Sami Frashërit, Samija. Gazetari thekson, se e bija ia kishte rrëfyer kujtimet për të atin, kur ishte 60-vjeçe, por  ruante kujtesën e një 20-vjeçareje. Mes të tjerash, ai thekson se Sami Frashëri kishte shumë shokë të ditur të kulturës islame, por nga pikëpamja e besimit fetar ai ishte ndarë nga ata përfundimisht, edhe pse fjala e fundit që ai ka thënë kur ndërroi jetë ishte fjala “Allah”(Perëndi). Në shkrimet e tij, gazetari Hikmet Feridun Es, sjell nga kujtimet e Samijes: “Sami Frashërin nuk e ka shqetësuar asnjëri. Nëse hapni ngadalë derën e dhomës në katin e dytë, në fillim nuk keni për të mundur të shihni asgjë, vetëm grumbuj-grumbuj librash. Hidhni sytë dhe do t’iu dalë një koke madhështore, tërheqëse, me një mjekër të gjatë dhe krejt të bardhë… Nën dritën e qiririt ai krijoi botën e shkencës…

Deri sa të kishte lindur dielli, ai shkruante shkrimet e tij, i redaktonte ato dhe pasi i dërgonte në shtypshkronjë, shtrihej përsëri”. “Samiu ulej në një minder, i cili kishte madhësinë që mund të ulej vetëm një person, duke të kujtuar një divan të vogël. Kolltuku i tij i punës kishte disa gjëra specifike. Ai ishte i harkuar dhe ishte i mbuluar me një copë ngjyrë vishnje. Ulej mbi kolltuk dhe shpinën, kurrizin nuk e mbështeste në asnjë vend. Punonte vazhdimisht në një pozicion të përkulur. Letrën e kthente nga njëra anë dhe e mbështeste mbi gjunjë. Ai, gjithashtu, në të njëjtën kohë u drejtohej librave. Për këtë kishte bërë një tavoline me një plan të vetin, në një mënyrë të veçantë. Kjo është një tavolinë mjaft e gjatë, sirtarët e së cilës zgjateshin kur hapeshin me tërheqje të ndryshme. Mbi të qëndronin hapur libra në gjuhë të veçanta, ndonjëherë në 6-7 gjuhë të ndryshme, të cilat do t’iu duhej t’i shikonte dhe t’iu drejtohej. Kjo tavolinë gjendet tek vajza e madhe që e ruan atë ashtu siç ka qenë. Zonja Samije Erer, e cila ndodhet përballë tavolinës, thotë: ‘Për librat që ai do të lexonte, kjo tavolinë nuk ishte e mjaftueshme’”.  “Në mes të grumbujve të librave, të cilët lartësoheshin në çdo cep të dhomës, ai vetes së tij i kishte caktuar një vend, një folé.

Në këtë ambient, duke kaluar përmes cepave të këtyre grumbujve librash qëndronte duke punuar trupi i tij mjaft i lehtë. Në kohën që ju hyni në dhomë, ju nuk mund të shikoni atë nga poshtë qafës. Dhe, akoma më tepër, në hapin e parë ju do të ndjeni një aromë të veçantë. Kjo aromë do të ishte ‘era e librit’, e cila do të godiste menjëherë hundën tuaj. Zonja Samije Erer, me sytë e saj të kredhur në mendime dhe të vërejtur, duke parë tavolinën në të cilën Samiu ka kaluar përballë saj gjithë jetën e tij, shton: ‘Tani, me të hapur një libër të vjetër, me të ndjerë aromën e një libri, është njësoj sikur unë ndjej erën e babait tim’”. “Ne të dy anët e tavolinës, ndodheshin dy mbështetëse. Dhe në këto qëndronin letrat e dijetarit, dorëshkrimet, boja, pena. Drita vazhdimisht vinte nga mbrapa. Për këtë ai kishte bërë rafte të posaçëm për të vendosur qiririn. Në raftin i cili ndodhej mbrapa, qëndronte një shandan trekëndor. Kurse në mbështetëset, ne secilën prej tyre, ishte vendosur një qiri. Dijetari, sipas nevojës, i tërhiqte nga atje-këtu, djathtas-majtas. Sipas nevojës, shkonte në tavolinë për të hapur librat voluminozë me trashësi të madhe. Vendosjen e qirinjve e kishte bërë në atë mënyrë që të kryqëzoheshin në të njëjtën kohë me syrin e tij”.

“Vazhdimisht shkruante në letër me madhësi të gjatë dhe ngjyre të kaltër të errët, jo të hapur. Pjesët anësore të letrës gjithmonë i përthyente dhe i linte bosh për të bërë korrigjimet dhe shtesat e tjera të mëvonshme. Rregullisht në shkrimet e tij përdorte vetëm bojën e zezë. Mirëpo, në veprat me tre tekste, për të mos i ngatërruar ato me njëri-tjetrin, përdorte tre lloj ngjyrash – të kuqe, të kaltër dhe të gjelbër. Mirëpo, ngjyrën e kaltër nuk e ndryshoi. Penën e tij do ta përgatiste me kujdes të veçantë, përpara se të fillonte të shkruante. E përthyente, i jepte asaj një formë të hollë dhe të trashë. Ndiente kënaqësi nga përthyerja e penës. Shishja e bojës përbehej nga qelqi dhe ishte në atë formë që po të përmbysej, boja nuk derdhej dhe ishte nga lloji më i lirë”.  “Në kohën që punonte, nuk do të futej asnjëri në dhomën e tij. Mirëpo, me të mbaruar punën, ai bënte diçka të veçantë. Kur mbaronte korrigjimet, përplaste tri herë duart me njëra-tjetrën. Kjo përplasje e duarve ishte e vetmja shenjë që thërriste vajzën e madhe, Samijen Ererin. Ajo ndodhej në dhomën ngjitur me atë të Samiut. Me të dëgjuar zhurmën e duarve, vajza e re fluturonte nga krevati dhe do të vraponte pranë babait të saj. Në këtë kohë do të ishin orët më të mira të babait me vajzën, e cila kishte ngelur pa nënë që në moshën gjashtëvjeçare”. “Samiu kishte një zakon në orët e mëngjesit: të përgatiste një ponç me konjak, limon dhe çaj. Çajin e ziente me dorën e tij. ‘Babai e pinte këtë çaj, filxhan mbas filxhani’. Samiu tregonte mjaft tregime të bukura. Pastaj, vajza e re Samije, duke thënë ‘Babaxhem, Perëndia të dhëntë qetësi’, do të dilte nga dhoma, sepse dijetari i madh mbasi dërgonte dorëshkrimet në shtypshkronjë, shtrihej për të fjetur”.

XHEMAL NAIPI (1887-1955)

 Faik LULI

 


Xhemal Naipi

Xhemal Naipi

Ndër intelektualët e shquar fetarë e atdhetarë renditet pa dyshim edhe Xhemal Naipi, i cili për disa dekada, që nga shpallja e Pavarësisë e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër protagonistët e këtyre ngjarjeve në shkallë kombëtare.

Xhemal Naipi lindi në vitin 1887 në qytetin e Shkodrës në një familje të vjetër e të njohur qytetare, e përmendur për ushtrimin e detyrës së kadive (gjyqtarëve).
Arsimin fillor e të mesëm e mori në vendlindje, kurse studimet e larta i ndoqi dhe i përfundoi në Stamboll në dy degë, në teologji e në jurisprudencë, të vlerësuara për kohën dhe në vijimësi të traditës familjare.
Kujtesa popullore ka përcjellë se Xhemali, gjatë jetës shkollore si nxënës e student, ka qenë gjithnjë ndër më të dalluarit, ndër ata që kanë nderuar veten e vendin, që kanë mësuar në mënyrë sistematike, që kanë pasur etje të vazhdueshme për dije, për kulturë të përgjithshme, për edukatë fetare e për përgatitje profesionale.
Jeta studentore i ka dhënë mundësi për të qenë në kontakt jo vetëm me mjediset universitare, me bibliotekat e pasura, me monumentet e përmendura arkitektonike, artistike e historike të Perandorisë Osmane, por edhe me shoqëritë atdhetare e kulturore shqiptare të mërgimit, si dhe me kulturën e lindjes e të perëndimit, që përjetoheshin në Stamboll, që së bashku ndikuan në formimin e tij të përgjithshëm.
Intelektuali i ri u pajis me kulturë të gjithanshme, me horizont të gjerë, me gjuhë të huaja të shumta si osmanisht, arabisht, frëngjisht e italisht, me mentalitet progresiv, me vizion të qartë për punën si specialist i lartë.
Pas përfundimit të studimeve, Xhemal Naipi qe një kuadër i mirëpritur në atdhe ku bëri një karrierë të suksesshme, duke kryer detyra të rëndësishme fetare e shtetërore. Ai ka qenë kadi, kryetar komisioni i arsimit për Shkodrën, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, një nga pjesëmarrësit kryesorë të Lëvizjes së Legalitetit, aktivist në shoqata kulturore etj.
Xhemal Naipi dha kontribut të dukshëm për arsimin edhe nëpërmjet detyrës së tij si drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, që nga viti 1916. Si organizëm i parë kombëtar fetar, drejtoria e Vakfeve hodhi bazat për inventarizimin e pasurisë, për administrimin e saj nga qendra, për ta përdorur atë drejtpërdrejt për nevojat e veta financiare, për mirëmbajtjen e institucioneve, për rrogat e personelit, për funksionimin e medreseve etj. Drejtoria e përgjithshme e Vakfeve me punën e mirë fillestare të drejtuesit të saj, me traditën pozitive të krijuar, bëri të mundur grumbullimin e fondeve të përshtatshme edhe për ndërtimin e godinës së re të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, madhështore akoma dhe sot.
Më 1922 qe ndër përkrahësit më aktivë për hapjen e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër.
Në Shkodër deri në vitin 1925 ekzistonin dy medrese, ajo e Pazarit dhe Medreseja e Re. Me kujdesin e Xhemal Naipit ato u bashkuan në një të vetme, u reformuan planet e programet mësimore, u caktuan drejtorë të aftë si Haxhi Ibrahim Kaduku e Hafiz Sali Myftia dhe mësues të përgatitur.
Si myfti Xhemal Naipi qe vazhdues i denjë i myftinjve të mëparshëm të dëgjuar për zonën e Shkodrës që nga Jusuf ef. Tabaku, H. Adem Myftia, H. Tahir Myftia dhe puna e tij, e bazuar në dokumentet e Komunitetit Mysliman, u karakterizua nga kompetenca, nga profesionalizmi, nga dituria, nga kultura, nga përpjekja për të ecur më përpara besimi islam.
Në detyrën e tij si kadi e si myfti në Shkodër, Xhemal Naipi në një periudhë ndryshimesh e krijimit të marrëdhënieve të reja shtetërore e fetare, në një qytet me ndikime e interesa të ndryshme, me ndërhyrje të huaja, me mentalitete konservatore e liberale, punoi vetë së bashku me kuadrot fetarë, që kishte në vartësi për sigurimin e një atmosfere mirëkuptimi ndërfetar, të një tolerance e bashkëpunimi të natyrshëm, për nderimin e ndërsjellë, për krijimin e forcimin e një miqësie të sinqertë mes drejtuesve e besimtarëve të të tri besimeve që bashkëjetonin në këtë qytet.
Përveç detyrës si kadi, myfti e drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, Xhemal Naipi dha ndihmën e tij edhe në aspektin kulturor. Ai përkrahu “Shoqërinë e Talebeve të Medresesë së Re”, për veprimtari fetare-kulturore e për botime të veçanta me karakter propagandistik drejtuar popullit e rinisë.
Më 3 mars 1936, u krijua Organizata “Drita Hyjnore”. Më vonë, më 21 tetor 1938 në asamblenë e saj Xhemal Naipi u zgjodh anëtar i Këshillit të Përhershëm të saj.
Veprimtaria atdhetare e Xhemal Naipit është e pasur dhe e vazhdueshme, ashtu si ajo fetare, shpesh të lidhura ngushtë njëra me tjetrën e të bashkërenditura në përputhje me rrethanat e kohës. Veprimtaria atdhetare e Xhemal Naipit vjen gjithnjë duke u rritur. Më 7 nëntor 1918 u formua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër, i cili filloi të vepronte ilegalisht. Ky komitet i kishte vënë vetes dy detyra: të mbronte shtetin e pavarur shqiptar, si dhe të luftonte për shpëtimin e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë… Xhemal Naipi qe një prej atyre personaliteteve që nuk kurseu popullaritet dhe funksionet e tij për të dhënë një ndihmesë të vyer për veprimtarinë për çështjen kosovare. Për këtë flet qartë letra që Hoxha Kadria i dërgon nga Tirana më 22 shkurt 1920 Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër: “Presim shumë shërbime nga kadiu patriot z. Xhemal efendiu. Të gjithë janë të kënaqur nga ai. Lutemi t’i paraqitni të falat tona”.
Xhemal Naipi u bë tepër veprues për problemet kombëtare me Kongresin e Lushnjës. Në një mbledhje u vendos që Shkodra të përfaqësohej me katër senatorë në Këshillin Kombëtar (Senat). Një ndër ta ishte Xhemal Naipi. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, që u mbajt më 27.3.1920 në Tiranë u zgjodh në komisionin prej pesë vetash për drejtimin e saj dhe në mbledhjen e dytë më 29 mars 1920 ai u zgjodh nënkryetar i Këshillit Kombëtar. Ai fitoi 20 vota nga 24 pjesëmarrës për kryetar i Këshillit Kombëtar dhe si sekretar u zgjodh Hilë Mosi, me të cilin bashkëpunoi ngushtësisht dhe miqësisht për mbarëvajtjen e punimeve të Legjislaturës së parë. Ata luajtën një rol të rëndësishëm për funksionimin e këtij organi legjislativ. Xhemal Naipi qe kryetar i parlamentit të parë pluralist shqiptar, pasi në të përfaqësoheshin rryma të ndryshme politike.
Veprimtaria atdhetare e Xhemal Naipit është shprehur qartë e me guxim edhe me rastin e 7 prillit 1939. Ai si deputet i parlamentit u rendit në anën e popullit e të atdheut kundër pushtimit fashist, nuk pranoi të bëhej vegël e italianëve, nuk u gënjye nga premtimet, as nuk u përkul nga presionet, por qëndroi si shqiptar atdhetar.
Burime të shumta arkivore dëshmojnë se Xhemal Naipi nuk qe pjesëmarrës në Asamblenë Kushtetuese që e konsideronte regjimin “të ram”, që krijoi qeverinë e re dhe “vendosi” që kurorën e Shqipërisë t’ia ofrojë Viktor Emanuelit III.
Fashizmi donte të komprometonte deputetët atdhetarë, duke i përfshirë në Asamblenë Kushtetuese. Mjaft prej tyre nuk u paraqitën e për pasojë nuk u miratuan vendimet. Një ndër ta qe Xhemal Naipi. Për këtë ai u burgos e u internua. Deputeti i Kohës Zoi Xoxe, drejtor i gazetës “Drita” në dorëshkrimin “Kujtimet e një gazetari”, që ishte fshehur me rastin e 7 prillit, ndër të tjera shkruan:
“…pas nja 10 ditësh mendoja se mund të shkoja në shtëpi, gjithnjë duke ndenjur edhe për disa kohë i fshehur. Por një mëngjes herët më erdhi në shtëpi një kapiten shqiptar dhe me shumë fisnikëri, më tha se më kërkonin pak në komandë… (Burgosja). Në dhomën ku më shpunë gjeta Xhemal Naipin, Shefqet Mukën, Rrustem Ymerin… Italianët i kishin ndarë deputetët në filo-italianë dhe anti-italianë. Ata që ishin në këtë listë të dytë i burgosën, kurse atyre që i kishin në listën e filo-italianëve u dhanë ofiqe me rëndësi”.
Si rrjedhim i qëndrimit të drejtë atdhetar, Xhemal Naipi me shumë atdhetarë të tjerë antifashistë u burgos e u internua në Itali. Në Bashkinë e Shkodrës ndodhet lista emërore e të internuarve në Itali gjatë okupacionit italian, që nga 7 prilli 1939 e deri më 14 shtator 1943. Në të figuron edhe emri i Xhemal Naipit. Ai u internua në Ceresara të Mantovas në Itali. Në fakt ai qëndroi atje i internuar deri në vitin 1942.
Gjendja ishte e rëndë, prandaj Xhemal Naipi në këtë kohë doli ilegal, mori pjesë në çetat legaliste. Në nëntor 1943, në mbledhjen e Zall Herrit, ai u zgjodh kryetar i Lëvizjes së Legalitetit. Qëndroi i fshehur deri në vitin 1946. Gjatë viteve 1945-1946 i konfiskohet pasuria dhe familja e tij, gruaja dhe fëmijët i internohen në Berat “për çështje politike”. Kur doli amnistia u dorëzua.
Gjatë gjykimit Xhemal Naipi u dënua me vdekje, por më vonë iu kthye me burgim të përjetshëm. Me vendim nr. 218 datë 23.6.1947 të gjykatës ushtarake Shkodër është dënuar “për pjesëmarrje në organizatën Legaliteti, e cila ushtroi një aktivitet kundër pushtetit popullor, ka bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit, me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike për jetë, konfiskim i pasurisë së tundshme e të patundshme”. Kështu filloi për të vargu i pafund i vuajtjeve të papërshkrueshme. Njohu tërë kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin dhe përfundoi në burgun famëkeq të Burrelit. Nuk pati asnjë zbritje dënimi, sepse ishte “i pakorrigjueshëm”.
Edhe në burg nuk pushoi së mësuari e së edukuari të rinj e të moshuar, të pashkollë e me shkollë, duke u dhënë njohuri fetare, mësime patriotike, këshilla durimi e kurajë për të përballuar vështirësitë e urisë, të punës së detyruar, të keqtrajtimit fizik, moral e qytetar.
Vdiq më 1955, në moshën 77-vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij. Djemtë e vajzat, nipërit e mbesat nuk gëzuan të drejtën e arsimimit e të punëve të përshtatshme, por vetëm punët e rënda fizike. Ata i ndoqi lufta e klasave, biografia e babait dhe e gjyshit.
Zhvillimi i proceseve demokratike në Shqipëri ka bërë të mundur që personalitetet, ngjarjet dhe dukuritë historike lokale e kombëtare të pasqyrohen drejt, larg kritereve ideologjike, në bazë të dokumenteve, duke u dhënë atyre vendin dhe vlerën e duhur.
Dr. Fejzi Domni nga SHBA, djali i Isa Domnit, një nga pjesëmarrësit e themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar nën kryesinë e Haxhi Vehbi Dibrës, sekretar i përgjithshëm i këtij Komuniteti, dhe një nga drejtuesit e parë të revistës “Zani i Naltë”, shkruan për Xhemal Naipin: “Në këtë kohë (viti 1916) regjistrohen dosjet e para të përpiluara në gjuhën shqipe me shkronja latine dhe po në këtë kohë themelohet edhe Zyra e Vakfeve të Shqipërisë me drejtor Xhemal Naipin, një teolog dhe patriot shkodran i mirënjohur. Komuniteti Mysliman pasurohet me kthimin e tokave dhe të pronave të trashëguara prej vullnetit dhe dëshirës së popullit shqiptar, të cilat shpresoj që t’i rikthehen prej Qeverisë Demokratike të sotme”.
Studime për historinë e arsimit, për hapje shkollash e për rolin e drejtorëve të tyre kanë vënë në dukje edhe kontributin e Xhemal Naipit në këtë fushë. Studiuesi i njohur Islam Dizdari ka nënvizuar ndër të tjera: “Në vitin 1913 Komisioni Arsimor i Bashkisë, i kryesuar nga Xhemal Naipi, kadi i Shkodrës në atë kohë, hapi tri shkolla shtetërore, shkollën Popullore, me drejtor Gasper Mikeli, të Rusit me drejtor Molla Medo Sukniqin dhe të Parrucës me drejtor Haxhi Hafiz Abaz Golemin”.
Vlerësimet janë të shumta, por ata u përmbyllën me dekorimet e bëra vitet e fundit që shprehin ndihmesën e tij të çmuar atdhetare e demokratike. Presidenti i Republikës z. Sali Berisha me rastin e festimit të 75 vjetorit të Kongresit të Lushnjës e dekoroi Xhemal Naipin me Urdhrin “Për veprimtari patriotike të Klasit I” dhe më vonë me rastin e dekorimit të një grupi klerikësh patriotë e demokratë me medaljen “Pishtar i demokracisë”.[1]/Drita islame/

RAUF FICO (1881-1944)


Rauf Fico

Rauf Fico

Rauf Fico (1881-1944) ka qenë nëpunës, deputet, ministër dhe diplomat shqiptar. Rauf Fico lindi në Sanaa të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881. Babai i tij ishte Ramizi (Tahmizi) nga Gjirokastra, ndërsa nëna, Havaja, ishte prej derës së dëgjuar të Buzove të Beratit. Kadiu gjirokastrit i Sanës u transferua në Shkodër, dhe kështu Raufi e kreu arsimin fillor në mejtepin e Shkodrës. Përdy vjet vazhdoi shkollën Volksschule të Vjenës, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Po në Stamboll kreu edhe studimet e larta, në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané”, shkenca politike-administrim. Gjatë qëndrimit në Stamboll hyri nën influencën e ideve të rilindësve, e veçanërisht të Naim Frashërit. Sipas dokumentacionit të kohës, ai dhe vlonjati Jusuf Hamzaj ishin ndërlidhësit e Naim Frashërit me studentët shqiptarë të Stambollit. Në korrik të vitit 1903, Fico përfundoi studimet e larta me diplomën shkëlqyeshëm dhe hyn në librin e artë të shkollës së bashku me kryeministrin e mëpasshëm të Turqisë, Ismet Inonu. Në tetor të atij viti, Rauf Ficoemërohet si nëpunës stazhier pranë administratës së vilajetit të Janinës (sekretar i Valiut) dhe mbaspërfundimit të stazhit ai dekretohet me ofiqin e kajmakanit (nënprefekt). Nëprill të vitit 1906 ai emërohet kajmekam në Konicë. Ai dhe pse ishte funksionar i lartë osman, duke qenë në qytetin e Konicës, nyje ndërmjetëse në rrugën Manastir për në Gjirokastër e deri në Janinë, ishte në lidhje të ngushtë me atdhetarët shqiptarë Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë, me të cilët kryente veprimtari atdhetare. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Ficoja së bashku me Bajo Topullin përfaqësuan Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit. Xhonturqit për këtë veprim atdhetar i mbajtën qëndrim zyrtar. Qeveria xhonturke për ndëshkim e transferoi nga trojet shqiptare si kajmekam në qytetin e Gjymyshhaxhikoj të vilajetit të Sivashit, e prej aty në Kangall të Anadollit. Aty nga fillimi i majit të vitit 1909, Rauf Ficoja dërgohet kajmekam në atdhe, në Himarë, ndërsa pesë muaj më vonë ai ishte nënprefekti i Margëlliçit (Margaritit) në Çamëri. Aty në Margëlliç në verën e vitit 1910, Rauf Ficoja me rastin e një feste osmane ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe. Ky gjest atdhetar e konfliktoi përsëri me qeverinë osmane, e cila në shtator të atij viti e transferoi nga trojet amtare përsëri kajmekam, në Kizillhamam, 70 km më tutje Ankarasë dhe e mbajnë aty gati një vit. Në korrik të vitit 1911, përsëri R. Ficoja kthehet kajmekam në trojet tona, pikërisht në Kërçovë. Asokohe kishin filluar kryengritjet shqiptare në Kosovë e Maqedoni dhe përsëri Rauf Ficoja si atdhetar merr pjesë aktive në shumë nga këto veprimtari. Ai mban lidhje me atdhetarët e Dibrës, Tetovës dhe të Shkupit. Qeveria osmane në prill të vitit 1912 e largoi nga trevat kryengritëse dhe e dërgon si mytesarif (prefekt) në qytetin Kaiseri të Anadollit të largët, por aty qëndroi pak muaj.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, Raufi braktisi detyrën e administratorit turk dhe së bashku me disa atdhetarë të tjerë shkoi në Vlorë. Ismail Qemali e njihte personalisht, ndaj e mori në kabinetin e tij si këshilltar i ministrit të brendshëm, Myfit bej Libohovës. Ndërsa në nëntor të vitit 1913 e deri nga fundi i janarit të vitit 1914 shërbeu si prefekt i Beratit.

Punoi edhe në administratën e Princ Vidit, si shef i kabinetit i kryeministrit Turhan Pashë Përmetit. Rauf Ficoja së bashku me Abdyl Ypin u përpoqën për një normalizim të marrëdhënieve qeveri dhe kryengritës të Haxhi Qamilit, por pa sukses. Ata u zunë rob dhe u rrahën egërsisht. Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916 Rauf Ficoja u dekretua nënprefekt i Tiranës dhe si i tillë ai shërbeu deri në Kongresin e Lushnjës. Duke qenë me atë funksion, R. Ficoja qysh në vitin 1917 urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore dhe verbale të kryhesh domosdoshmërisht në gjuhën shqipe, duke i paraprirë vendimeve të “Qarkut Literar” të Shkodrës dhe urdhërit të Feldmareshallit Ignaz Trollmann, që u realizuan vetëm në vitin 1918. Duke qenë nënprefekt i Tiranës, Rauf Ficoja dhe gjashtë atdhetarë të tjerë, shokë të tij, si Abdyl Ypi, Sotir Peci, Ismail Ndroqi, Mytesim Këlliçi, Myslim Beshiri dhe Sinan Hoxha, në 7 dhjetor 1918 përpiluan një thirrje apo program politik, e firmosur nga vetë R. Ficoja me synim mbajtjen e një mbledhjeje apo kongresi, ku të diskutohej e të vendosej për veprimet që duheshin marrë për bashkimin e kombit dhe për luftën kundra propagandave të huaja, me qëllim përçarjen e popullit. Kjo mbledhje u mbajt më 19 dhjetor edhe ishte prekursorja e Kongresit të Durrësit.

Me përvjetorin e Shpalljes së Mëvetësisë hap Strehën Vorfnore – i pari institut i tillë i Tiranës – në ndihmë të jetimëve dhe të vobektëve. Pas Kongresit të Lushnjës është deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në qeverinë e Sulejman Delvinës, më 30 janar 1920 Rauf Fico u emërua shef i seksionit të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, me titullar Ahmet Zogun, post që e mbajti deri në dhjetor 1922. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai ishte zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese. Rauf Fico ishte deputeti i Parlamentit Shqiptar që në vitin 1924 me 3 shkurt, kur vdiq presidenti amerikan Uodrou Uillson kërkoi të mbahej 5 minuta zi.

Në shërbimin diplomatik shqiptar, Rauf Ficoja u fut në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë me rezidencë në Ankara. Në Sofje ai paraqiti letrat kredenciale në 27 gusht 1926. Me atë funksion qëndroi deri në 18 prill të vitit 1928. Pikërisht në këtë kohë, Rauf Ficoja dekretohet ministër fuqiplotë në Beograd, ku shërbeu deri në fillim të vitit 1929.

Më 14 janar 1929, Rauf Ficoja u dekretua ministër i Punëve të Jashtme dhe si i tillë shërbeu deri në 6 mars 1930. Pikërisht në këtë kohë një incident diplomatik e detyroi atë të kërkonte të jepte dorëheqjen. Dorëheqja nuk u pranua nga mbreti, përkundrazi ai e dekretoi me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe atë të ministrit të Brendshëm, ku shërbeu deri në 20 prill të vitit 1931. Ndonëse kishte një arsimim osman ishte një poliglot, ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten. Emërohet ministër fuqiplotë në Athinë më 1936 gjer në korrik të 1938. Tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi. Kundërshton pushtimin italian, e pas kësaj Fico internohet së bashku me Mehdi Frashërin e Lef Nosin në Itali. Kthehet në atdhe më 1942. Pas shtatorit 1943, i ofrohet pozicioni i regjentit në Këshillin e Naltë, por e refuzon. Vdes më 23 janar 1944 në Tiranë.

BURHAN FILI – JETA E PANJOHUR E MUHAXHIRIT SHQIPTAR, QË U SHNDËRRUA NË KANDIL NDRIÇUES


Burhan Fili

Burhan Fili

Një nga aktivistët dhe misionarët shqiptarë më të mëdhenj dhe të spikatur të fesë islame në mërgim, Burhan Fili, tani në moshën 68-vjeçare vjen me një rrëfim nostalgjik dhe mbresëlënës për bashkëpunëtorin e revistës Drita Islame, gazetarin Qani Sulku, duke u rikthyer pas në kohë për të kujtuar e për të ndarë me ne, arsyet që e shtynë të arratisej nga Atdheu, peripecitë nëpër kampe derisa mbërriti në tokën e shumëdëshiruar SHBA, vështirësitë për t’u integruar në Amerikë, fati i takimit me kolosë të fesë islame si Imam Vehbi Ismaili, etj., të cilët i ndryshuan rrjedhën dhe kahun e jetës, arsimimi dhe puna në Kajro të Egjiptit, kontributi i tij në krijimin e urave lidhëse në spektrin fetar dhe politik midis vendeve arabe dhe Shqipërisë, si dhe mbi aktivizimin e tij prej dekadash në përhapjen e mesazhit islam anembanë botës.

U lind dhe u rrit në Koplik të Malësisë së Madhe, në një familje ku u ushqye që nga vogëlia me besimin tek Allahu dhe dashurinë ndaj Tij, ndaj profetit Muhamed a.s, si dhe ndaj shoqërisë njerëzore. Në kujtesën e tij nga fëmijëria ruan si një xhevahir, një incident që i ndodhi me njërin prej mësuesve të tij, i cili tentoi edhe me forcë që t’ia ndërpresë agjërimin, por që nuk ia arriti. Burhani ishte vetëm 21 vjeç kur babai i tij u largua nga kjo botë. Bëri përpjekje për të vazhduar shkollën e lartë, por duke qenë familje e deklasuar, nuk arriti ta realizonte këtë dëshirë. Jeta në sytë e tij sapo vinte dhe po vështirësohej çdo ditë e më tepër. Në anën tjetër mungonte gjëja më e shtrenjtë, liria, për të cilën njeriu jep edhe jetën, prandaj dhe ai synonte të largohej nga Shqipëria e asaj kohe, që t’i mbushej kraharori me frymën e lirisë. Situata kishte arritur deri aty saqë vetë ai e përshkruan duke thënë: “Allahu m’i mbylli të gjitha shtigjet për të më lënë të kuptoj se arratisja ishte i vetmi shteg për mua”.
Së bashku me dy shokë të tjerë, natën e 30 korrikut të 1976-ës, pa dijeninë edhe të familjarëve të tyre, arratisen nëpërmjet Liqenit të Shkodrës drejt Malit të Zi, e më pas drejt Italisë, ku u strehuan në disa kampe refugjatësh, dhe pas një periudhe disamujore iu dha mundësia të zgjidhnin një prej vendeve ku donin të emigronin dhe ata që të tre zgjodhën Amerikën me mendimin se, nëse do t’iu binte ajo, e gjithë bota do t’iu binte dhe vërtetë ashtu ndodhi. Në shkurt të 1977 lanë Italinë për t’u zhvendosur përfundimisht drejt SHBA, ku nga udhëtimi i tij ndan edhe një kujtim sa komik aq edhe të sikletshëm, i cili nxjerr në pah se sa të padalë dhe të paditur ishin shqiptarët e atyre kohëve. Përgjatë gjithë udhëtimit, ata nuk e lidhën rripin e sigurimit, ngase nuk e dinin se si lidhej. Me të mbërritur atje u vendosën në Miçigan, ku gjetën edhe shqiptarë të tjerë, kryesisht nga jugu i Shqipërisë. Aty u njoh me Imam Vehbi Ismailin, me të cilin, me kalimin e kohës zuri miqësi të ngushtë, saqë e konsideronte si mentorin (udhëheqësin) e tij. Aty ra në kontakt për herë të parë edhe me librat, aq më tepër të atyre autorëve, librat e të cilëve ishin të ndaluar në tokën mëmë në Shqipëri. Integrimi në jetën e atjeshme nuk qe i lehtë, pasi nuk e njihte gjuhën angleze, si dhe nuk kishte ndonjë formim profesional të mirëfilltë. Prandaj u detyrua që në fillimet e veta në Amerikë, të bënte punë të rënda, kështu që u punësua në një fabrikë, ku punonte 10 orë në ditë. Gjithashtu iu vu mësimit të gjuhës angleze, kursit të drejtimit të makinës, etj. Tashmë kur i rikujton vështirësitë e shumta të përjetuara, arrin në konkluzionin se ato mashkullin e bëjnë burrë ose e lënë mashkull për gjithë jetën.
Burhan Fili, edhe para se të shkëputej fizikisht nga vendlindja e tij, deshi të studionte për fe; donte të ndiqte medresenë, mirëpo ajo u mbyll, kështu që kjo ëndërr ishte shkruar për t’u realizuar diku tjetër. Në Amerikë ai vijoi studimet për gjuhën arabe për dy vjet e më pas Imami i nderuar Vehbi Ismaili i sugjeroi dhe propozoi që të vijonte studimet për shkenca islame në Egjipt, atje ku vetë ai kishte studiuar e qëndruar për 11 vjet. Dashuria për kulturën islame dhe gjuhën arabe, ishte ajo që djalin e Koplikut e çoi drejt Egjiptit. Sapo u pajis me nënshtetësinë amerikane në vitin 1982, së bashku me udhëheqësin e tij shpirtëror, u nisën drejt qendrës më të njohur të dijes islame të asaj kohe, universitetit të Az’harit, ku u armatos me të gjitha armët për t’i bërë ballë shtigjeve të jetës, si dhe me ushqimin shpirtëror që do ta shoqëronte dhe do t’i bënte dobi në të dyja botët. Ndërkohë që ishte vetë student, duke qenë se e njihte anglishten në majë të gishtave, filloi të jepte mësim për studentët e tjerë. Pas përfundimit të studimeve ai nuk u rikthye menjëherë drejt Miçiganit, por qëndroi dhe u aktivizua në Radio Kajro – seksioni i gjuhës shqipe, që kur u hap në 1987, ku përcillte materiale rreth fesë islame.
Me ardhjen e demokracisë në vendin tonë, Burhanit filluan t’i shtoheshin angazhimet. Që nga 1990, ai filloi të merrte pjesë në konferencat islame që zhvilloheshin në vende të ndryshme të botës arabe, si vëzhgues e përfaqësues i Shqipërisë. Kujton Konferencën Islamike të 1991, zhvilluar në Kajro, ku u ftua që të merrte pjesë edhe një klerik shqiptar, i cili ishte Kadiu i Dibrës Sali Ferhati, por që qeveria e Ramiz Alisë dërgoi Haxhi Hafiz Sabri Koçin, për shkak se kishte vuajtur për 20 vjet në burgjet shqiptare, për të krijuar një imazh të ndryshëm për vendin tonë, nga ai që kishin krijuar të huajt. Kujton gjithashtu se si Hafiz Sabriu e kishte ruajtur gjuhën arabe edhe pas shumë vitesh në burg, saqë u bë ylli i konferencës. Për rikthimin për herë të parë pas shumë vitesh në atdhe, Burhani deklaron: “Ata që më detyruan që të arratisem, ishin po ata që pas shumë vitesh më pritën me tapet të kuq” dhe kjo ndodhi në vitin 1991 kur ai inicioi vizitën e parë të delegacioneve arabe në Shqipëri për të kryer takime me përfaqësues të spektrit politik dhe fetar të vendit tonë, duke krijuar kështu ura lidhëse dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Lindjes së Mesme. Kur analizon tani luftën e madhe të sistemit monist ndaj fesë, shprehet: “Ata mendonin se do ta zhduknin Islamin, por ai nuk ka datë skadence, pasi nuk është produkt njerëzor, por drita e Allahut, e cila nuk ka për t’u fikur kurrë”.
Koha që iu desh Burhanit për t’ia filluar nga e para, për t’u integruar në SHBA, arsimimi në Kajro dhe puna më pas, ndikuan që ai të krijonte familje në një moshë jo shumë të hershme. Ai u martua në moshën 39 vjeçare me një vajzë egjiptiane, ku Zoti i bekoi me katër fëmijë, për të cilët ai ndihet krenar, pasi që të gjithë janë të arsimuar dhe me kontribut të vyeshëm në fusha të ndryshme. Vajza e madhe Aishja, është hafize e Kur’anit dhe jep lëndën e gjuhës arabe dhe të Kur’anit në një shkollë islame në SHBA; e dyta është e diplomuar për ekonomi, ndërsa e treta vijon studimet. Djali është më i vogli dhe studion në Stamboll. “Shqipërinë e kam lënë fizikisht dhe jo shpirtërisht” shprehet Burhani, ndërsa edhe pse ka jetuar për 40 vjet në Amerikë, e ka ruajtur me shumë fanatizëm gjuhën shqipe dhe këtë e ka bërë duke lexuar shumë libra shqip, si dhe duke shkruar. Madje atë ia ka trashëguar edhe familjes së tij, ku gruaja edhe pse nuk është shqiptare e flet shqipen, por edhe fëmijët, edhe pse të rritur e të shkolluar në një vend jo shqiptar, komunikojnë shqip. Përveç kësaj, ai ka shkruar edhe disa libra, ku i pari ndër to titullohet: Jehona shpirtnore, ndërsa dy të tjerët i ka në anglisht dhe titullohen: Je krijuar të jesh yll dhe jo meteor në djegie, ndërsa është në proces libri: Shpresa është gjallë, i cili do të përkthehet edhe në shqip.
Që nga 1999, me elokuencën dhe urtësinë që e karakterizon, thirrësi islam shqiptar në mërgim Burhan Fili shpërndan dritën e islamit anekënd botës, ku ftohet në takime, konferenca dhe ligjërata të ditës së xhuma nëpër xhami e tubime me karakter fetar. Energjitë e tija pozitive e sfidojnë moshën e tij, pasi ai gjithmonë është në lëvizje për të përhapur të mirën, si dhe për t’u bërë gur në mbylljen e një grope nga buron e keqja. Kjo është në pak fjalë rezymeja e jetës së një kandili që akoma ndriçon e ka shumë për të thënë dhe shumë për të dhënë që quhet Burhan Fili. Lusim Zotin e Lartmadhëruar që t’i japë jetë të gjatë e ta shpërblejë me të mirat e Tij të pafundme në këtë botë dhe në tjetrën për çdo kontribut të tij. Amin!

AGRON TUFA, ATDHEU I BUKUR DHE TUFËZAT CINIKE TË CHIHUAHUA-ve

 



 


Agron Tufa me familjen

Agron Tufa me familjen

Tre opzione të lidhura ngushtë, të prezantuara në një foto të vetme. Një familje e bukur Tufa – babi Agroni, mama Elvana, dhe të pesë fëmijët si trupa qiellore. Pas shpine mbetet atdheu, i errët, si pas dyerve të mbyllyra me të përplasur pas shpine. Përplasja çirret: Ikni, mos ua pafshim më bojën. Jetojmë më mirë pa ju. Nuk flet atdheu, i mbetur i pagojë.
Një tufëzë me chihuahua, sipas modelit koop, e ngjyrosur me të kuqe, përpiqet ta shtyjë sa më larg prej atdheut grigjën e babit Agron. Qenushët, sidoqoftë, nuk janë vetëm. Pas tyre, me jargosje të ngjirura, ca rottweiler të rrezikshëm, që mund të të shqyejne fytin edhe me një të kafshuar, për të vetmen arësye sepse i përkasin një race vrasëse.
Foton xixëlluese të familjes Tufa kam kohë që e kam zgjedhur si sfond të desktopit të kompjuterit tim. Por kori, edhe i zhabave, ka qenë i mjaftueshëm për të mbytyr zërin e gjithkujt, e jo me timin – zë i nje ikanaci qysh prej 28 vjetësh, që e di më mirë se çfarëdolloj ulëritësi, pro apo kundër, se ç’do të thotë të ikësh dhe të kesh me vete një familje që duhet mbajtur e bashkuar, që duhet veshur, duhet ushqyer, në stomak, por sidomos në mendje.
I kam menduar shpesh Tufët azilkërkues sidomos këto ditë, kur m’u desh të sistemoja dokumentat e familjes time të viteve të para të azilit politik. Më mbetën sytë tek një libreze, të quajtur “Documento di Viaggio” – Dokument udhëtimi. Na e dhanë pas njohjes së azilit, sipas Konvencionit të Gjenevës, të vitit 1951, të ratifikuar në Itali me ligjin e 24 qershorit të vitit 1954, dhe më pas edhe sipas protokollit të New Yorkut të 31 janarit të 1967-ës, veprues sipas ligjit të 14 qershorit1970, n. 95.
Ajo lloj pasaporte ndërkombëtare kishte ngjyre gri, ashtu siç na dukej edhe e ardhmja në dhe të huaj, sidomos në ato ditë pa mbarim të pritjes së përgjigjes. Sipas asaj libreze na ndalohej shkuarja ne Shqipëri për të paktën derisa të mos ekzistonte rreziku për jetën e ne azilmarrësve, ose deri sa të na njihej shtetësia italiane.
Edhe Agronit e familjes se tij besoj duhet t’u lëshohet ky lloj dokumenti, pasi ligjet më të rëndësishme ndërkombëtare se ato që përmenda më sipër për lëndën e azilit politik nuk kane ndryshuar. Edhe në Zvicër, si në Itali dhe në vendet e tjera që kanë njohur këto marrëveshje, jane emetuar ligje apo vendime në përputhje me kushtet kombëtare. Sipas njohurive të mia modeste, vendi në të cilin Tufët ndodhen, është ndoshta më i përparuari në këtë drejtim. Sipas kësaj ideje, chihuahua-t dhe rottweiler-at shqiptarë shpresojnë më kotë që të mos i jepet azili kësaj familjeje, që, sipas meje, i tejkalon të gjitha kushtet për t’jua njohur azilin.
E vetmja shpresë chihuahua- rottweilerore mbetet që t’u nxirret si pengese fakti që Shqipëria është tashmë një vend demkratik. Edhe në këtë pikë fatet e familjes time me atë të Agron Tufës ngjajnë. Ne e kërkuam azilin në prill të vitit 1992, kur në Shqipëri kishin fituar forcat që bota sapo i kish njohur si demokratike. Kjo edhe na u përmend kur kërkuam azil. Po unë kisha me vete jo vetëm oratorinë time, por edhe një valixhe plot me dokumenta të cilat më jepnin të drejtë. Kërkova të dëgjohem nga komisioni i posaçëm i Romës, dhe arrita t’i bind. Përgjigja zgjati ca, ajo arriti vetëm më 4 dhjetor të vitit 1992. Ato muaj qenë më të rrezikshmit për ekilibrin familjar. Nuk kishin të drejtë të punonim; shteti italian ishte ende vonë me ligjet për asistencën për të huajt, pra ndihma ekonomike për ne ishte pothuaj zero. Për të shpëtuar familjen m’u desh të punoj në të zezë, të përballoj argatllëqe nga më të rëndat.
Unë uroj, shpresoj e besoj që në Zvicër kushtet për kërkuesit e azilit, sidomos kur janë intelektuale dhe me familje, të jenë të ndryshme.
Jam i sigurtë që Agron Tufa ka një thes me arësye dhe me dokumenta që mund të bindin çfarëdolloj komisioni për rrezikun që i kanosej familjes së tij. Ai është burrë dhe intelektual 90 karatësh dhe jo ndonjë guhak i hutuar provincial. Fati i tij i madh është se gjendet në vendin në të cilin është firmosur dokumenti më i rëndësishëm për azilin, ai i Konvencionit të Gjenevës. Prandaj jargëmëdhenjtë e Tiranës që i urojnë kthimin e turpshëm në Shqipëri rrahin ujë në havan. Edhe në rastin e mosnjohjes së azilit, Tufët nuk mund t’i mbrapshtojnë në vendin ku u kërcënohet jeta.
I rikthehem fotos së fillimit të shkrimit: nuk mund ta përmbaj trishtimin që më tejshpon.
Për mua dhe pjesën më të shëndoshë të inteligjences shqiptare, njerëz si Agroni vazhdonin të na ushqenin shpresën në nxjerrjen nga koma të vendit. Ikja e tij do të thotë zbehje e rëndësishme e asaj shprese. Familja e tij dhe e Elvanës ishte diamant nga më të rrallët në ballin e atdheut. Mungesa e tyre në Shqipëri është grabitja më e madhe që i bëhet ëndrës tonë për t’u kthyer një ditë atje.

Historia e hidhur e familjes së Eqrem bej Vlorës

 Roland Qafoku


Ministër i Jashtëm, Ministër i Kulturës, Ministër i Tokave të Lirueme, ambasador i Shqipërisë në Londër dhe në Athinë, sekretar i Përgjithshëm i Prind Wied-it, Eqrem bej Vlora ishte jo vetëm shtetar, por edhe një mendimtar, studiues, poliglot. Por ato që mori nga jeta ishin vuajtje nga më të mëdhatë. Nga 1944-ta, deri në 1964-tën kur vdiq, nuk e pa familjen. Gruan dhe dy vajzat ia persekutuan. Gjithë historia e familjes së tij, ekzili i hidhur, persekutimi dhe deri te vdekja e vajzës së dytë, Ajnisha që ndërroi jetë më 24 mars, duke u bërë e fundit e familjes që pa me sytë e saj të gjithë kalvarin e këtyre vuajtjeve.

Mes të qenit shtetar dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i këtij shteti, në armik të popullit shqiptar. Nga një erudit dhe poliglot, në një vuajtës të madh. Nga një hero i patriotizmit dhe i bashkimit kombëtar, në tradhtar. Eqrem bej Vlora është simbolika sesa lehtë shteti shqiptar i ka poshtëruar shtetarët e vet. Drejtuesit e regjimit komunist e quanin kriminel të luftës duke e vënë në listën e gjatë të atyre që “i kishin larë duart me gjak”. Por çfarë krimi bëri Eqrem bej Vlora, që u quajt i tillë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha më mirë se askush tjetër studiuesi Artan Shkreli, kur tha se “nuk mund të quhet Eqrem bej Vlora kolaboracionist, sepse as nuk vrau e as nuk përndoqi kënd. Ai ishte ministër i qeverisë shqiptare. Po edhe unë po të jetoja në atë kohë do bëhesha ministër”. Por etiketimi ishte pak për Eqrem bej Vlorën. Jeta e tij për 20 vjet në ekzil e vuajtja dhe persekutimi i familjes që la në Shqipëri është dhimbja e madhe e asaj drame të madhe që ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit komunist. E bija e tij, Ajnisha Vlora, që ndërroi jetë më 24 mars të këtij viti ishte e fundit nga ajo që la pas Eqrem beu, i cili pa me sytë të gjitha vuajtjet dhe për të, vuajtja më e madhe ishte se pas 11 muajsh që erdhi në jetë, nuk e pa kurrë babanë e vet.

Marsi i tersit për familjen Vlora

Më 26 mars 2014, në Rinas mbërritën nga Vjena eshtrat e Eqrem bej Vlorës. E bija, Ajnisha Vlora ishte njeriu i parë që preku arkivolin dhe fotoja e fiksuar me dorën e saj te arkivoli bëri xhiron e medias në Shqipëri. Shumë kishte vuajtur kjo grua, por ky ishte momenti më i prekshëm dhe dukej si finalja e të gjitha dhimbjeve. Sapo makina që mbante arkivolin u afrua nga pista në godinën e aeroportit, Ajnisha Vlora u afrua e para. Një punëtor zbuloi arkivolin dhe Ajnishaja pa të shkruar në të emrin “Eqrem bej Vlora, 1885-1964”Vendosi pëllëmbën e dorës ku shkruhej emri, e përkëdheli atë sikur ta kishte gjallë të atin dhe pamja e saj në fytyrë është e papërshkrueshme. Nuk i kishte lotët çurg, por vetëm të lagur. Nuk kishte qarje me zë dhe “oi”, por fytyra kishte një shtrëngim muskujsh, që ndjenin dhimbje. Më shumë ishte shpirti i saj që qante. As lotët dhe as fjalët nuk ishin me vend. Dhe ai portreti i Ajnishasë i fiksuar në foto është më simboliku, kur dhimbja dhe malli bëhen bashkë. Më 24 mars 2018, Ajnisha Vlora ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe duket sikur marsi ka qenë fati i keq i familjes. Edhe vetë Eqrem bej Vlora vdiq në muajin mars. Më 30 të këtij muaji të vitit 1964, ai ndërroi jetë në Vjenë. Vetë Ajnisha lindi në mars.

Eqrem Vlora, mërgimi i hidhur i beut

Eqrem Bej Vlora ishte përfaqësuesi më tipik i familjes së madhe të Vlorjave. Djali i Syrja Vlorës, ai ishte një nga më të pasurit por edhe më të diturit dhe më të arsimuarit e kohës. I ati i tij, Syrja Vlora ishte djali i xhaxhait të Ismail Qemalit dhe marrëdhënia e tyre kishte uljet dhe ngritjet e veta. Ngritje se ishin një gjak dhe pjesë të familjes së madhe të Vlorajve, që kishte nxjerrë figurat më të ndritura deri vezir i madh. Ulja e tyre lidhej me faktin e një rivaliteti se cili ishte më i rëndësishëm dhe cili do mbeste në histori. Janë të njohura përpjekjet e Syrja Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe i biri, Eqrem bej Vlora mbështeti në çdo kohë të atin. Por as Syrja Beu dhe as i biri nuk e kaluan lehtë atë që Ismail Qemali bëri më 28 nëntor 1912. Të bindur që ishin ata dhe vetëm ata “pronarë” të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk e panë me sy të mirë këtë akt të kushëririt. Ky moment lidhet edhe me një ngjarje tjetër, ku pakënaqësia dhe xhelozia e Syrja Vlorës u pa në vitin 1905 kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë dhe turma e madhe e njerëzve e pritëm me një entuziazëm të madh. Për ta respektuar mes ovacioneve të mëdha mikun e tyre, turma e vlonjatëve që kishin dalë ta prisnin në skelë ia hoqi karrocën kuajve dhe e ngritën atë mbi supe, ndërkohë që Ismail Qemali ishte brenda karrocës. Në gazetën “Albania” të asaj kohe shkruhej: Syrja Vlora nuk u kënaq nga pamja, kur vlonjatët e ngritën Ismail beun në krah. Syrjai tha:

“E çka ky kushëriri im që vlonjatët e ngrejnë në krah! Ç’të mirë shikojnë te ai? Pale ka edhe para borxh”.

Rasti i dytë ishte ditën e madhe të Shqipërisë kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë. Pikërisht atë ditë, Syrja Vlora shkoi në Shkodër, ndërsa Eqrem beu ishte në Himarë. Në librin e tij “Kujtime”, Eqrem beu tregon se një fshatar shkoi te ai në Himarë dhe i tha që e kërkonte Ismail Qemali se po shpallte pavarësinë. Dhe përgjigjja e Eqrem bej Vlorës ishte: “Nuk mund të vij, se jam duke luftuar kundër grekëve në Himarë”. Duket si një justifikim jo i hollë ky i Eqrem bej Vlorës. Për të mos vënë në dyshim aftësisë e tij me armë, sepse dijet e tij nuk mund të vihen në diskutim, Eqremi këtu ka bërë një gabim historik. Ai ishte zgjedhur jo vetëm delegat i Kuvendit që do shpallte pavarësinë e Shqipërisë, po edhe zgjedhur si zëvendëspresident i pleqësisë. Por ai nuk shkoi kurrë në këtë Kuvend dhe nuk hodhi as firmën në aktin e Pavarësisë. Pikërisht në këtë ditë të madhe atij i doli një punë.

Në fakt, në të gjitha kujtimet ai shprehej respekt dhe vlerësim për Ismail Qemalin, por duket që lë shumë gjëra pa i treguar. Edhe karriera politike e Eqrem bej Vlorës nuk ka patur pikë takimi dhe nuk ka qenë e lidhur me aktivitetin e Ismail Beut. Kulmin e të gjithë marrëdhënieve ishte te prishja e sarajeve të Vlorajve. Hëna Këlcyra, njeriu i vetëm që ishte prezent, kur Eqrem beu vdiq në Vjenë, më shumë se një herë se sarajet i ka prishur Eqrem beu, sepse ishte shumë i mërzitur kur pa se mes pjesëtarëve të familjes Vlora nisi grindja për dhomat që u takonin. Dhe kështu, ai i shkatërroi vetë sarajet.

Mërgimi i hidhur i Eqrem beut

Më 28 gusht të vitit 1944 për Eqrem bej Vlorën ishte dita e fundit e punës si Ministër i Jashtëm. Qeveria e Ibrahim Biçakut ra dhe gjermanët që ishin në Tiranë, po organizoheshin për t’u larguar. Ndërkohë, që forcat partizane po përgatiteshin për të sulmuar kryeqytetin për ta çliruar, Eqrem bej Vlora mendoi të largohej nga Shqipëria. Ishte një vendim që sot pas kaq shumë dekadash mund të mendohet me qetësi, por në ato moment çdo sekondë ishte luks. Hëna Këlcyra kujton se veprimi i parë që i shkoi ndër mend Eqrem beut ishte të shkonte te familja e tij, i cili jetonte aty ku sot është godina e ambasadës së Vatikanit në hyrje të Rrugës së Durrësit. Ajo vilë ishte pronë e Eqrem bej Libohovës, të cilin Eqrem bej Vlora e kishte baxhanak. Ai ia kishte lënë për të jetuar Eqrem bej Vlorës sa të dëshironte. Kur Eqrem beu shkoi të shtëpia ishte i bindur, që jo vetëm do ikte menjëherë nga shtëpia dhe nga Shqipëria, por do merrte me vete edhe gruan Hadijen dhe dy vajzat Lejlan dhe Ajnishanë. Sapo hyri në vilë, vajzat iu qepën të atit me të puthura si fëmija për babanë. Aty Eqremi menjëherë ndryshoi mendim. Udhëtimi do ishte i vështirë për vajzat. Për Lejlën 12-vjeçare, por Ajnishaja vetëm 11-muajshe udhëtimi do ishte një torturë e vërtetë dhe në këtë moment i tha bashkëshortes Hadijes:

“Hadije, unë po iki jashtë. Do kthehem shumë shpejt. Do vi tu marrë juve. Tani po iki vetëm më mirë. Është rrugë e vështirë”.

Që nga ky moment, Eqrem beu nuk e pa më me sy familjen. As Lejlën që e donte aq shumë e as Ajnishanë që e puthte fshehtas Lejlës. Xhelozia e motrës së madhe për motrën vogël ishte e tillë, që i kishte kërkuar të atit të mos e puthe asnjëherë atë. I ati “kishte pranuar” kërkesën e vajzës, i bindur që një ditë do ta kuptonte vetë. Por kjo ditë nuk erdhi kurrë dhe jeta e Eqrem bej Vlorës u shoqërua me një brengë të madhe. Për afro 20 vjet, Eqrem beu jetoi jashtë vendit sa në Itali, Gjermani, Austri dhe Francë pa e parë familjen me sy dhe pa e ditur fatin e saj. Që nga 28 gushti 1944 deri më 29 mars 1964, jeta e tij ishte pa vlerë. Në fund të këtij kalvari të hidhur të mërgimit, ai u stacionua në Vjenë në familjen e Ali Këlcyrës. Brenga e mungesës së familjes ishte aq e madhe sa vdiq me këtë brengë në zemër. Ishte tamam si fraza që ka shkruar në kujtimet e tij: “U bëra top i fatit tim”. Dhe vërtet. Eqrem bej Vlora u bë për herë të fundit top i fatit të tij të keq.

Përndjekja e Ajnishasë dhe e familjes

Hëna Këlcyra tregon se Hadija kishte një peng mbi pengjet, që nuk u largua me Eqremin atë 28 gusht të vitit 1944. Por edhe pas këtij moment pati disa raste që ajo mund të largohej. Vetë Ajnishaja tregon se i ati kishte dërguar deri anije për t’i marrë, por nuk ishte e thënë.

“Na hëngri pasuria. Nëse nuk do mendoja për pasurinë, do kisha ikur. Por gjithnjë mendoja si t’i la shtëpitë, tokat dhe pronat?”

Por Eqrem beu në librin e tij me kujtimet, kishte përkufizuar shqiptarët nëpërmjet një proverbi turk: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani ruaj gruan, në Shqipëri ruaj pasurinë”.

Në fakt, me të kishin ndodhur të gjitha. Familjen ia persekutuan. gruan ia internuan në Bathore dhe Kavajë e pikërisht ajo vrionisja e arsimuar dhe e bukur e detyruan të punonte në arë. Vajza Lejla vdiq në 1970 me brengë të madhe se nuk e pa me sy të atin. Hadija vdiq me shumë brengën e madhe në zemër. Vajza e dytë, Ajnishaja ishte vuajtësja e fundit. Ajo nuk u la të shkollohej e futën në punë në bujqësi dhe jeta e saj u kthye në ferr. Më 24 mars, Ajnishaja ndërroi jetë. Ishte e fundit pjesëtare e familjes së Eqrem bej Vlorës që pa me sytë e saj, ndjeu në kurrizin e saj të gjitha vuajtjet dhe persekutimet e familjes. E megjithatë, kjo grua kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk u hakmor. Këtu qëndronte fuqia e saj dhe e familjes së Eqrem bej Vlorës.

HAFIZ ABDULLAH ZEMBLAKU

 Msc. Ermal BEGA[1]


Një nga personalitetet për të cilët është shkruar shumë pak[2]

Hafiz Abdullah Zëmblaku

(1892-1960)

Herën e parë që kam qenë në atë qytet, sa tërheqës po aq edhe romantik, ka qenë para shumë vitesh. Në atë vit kaq qenë i shoqëruar me të nderuarin Shaban Kurti nga Tirana dhe një mikun e tij, i cili na mori me makinën e tij dhe na shoqëroi nëpër Korçë, ku dhe fjetëm një natë, ndërsa gjatë kthimit për në Tiranë na çoi për vizitë edhe në parkun kombëtar të Drilonit, pranë Pogradecit, ku hëngrëm dhe një drekë. Në atë vit, në Korçë u takuam me ish-myftiun e Korçës, zotëri Qazim Muçi, i cili na tregoi mbi gjendjen e Islamit dhe të muslimanëve në Korçë, bile dhe mbi gjendjen e vetë myftinisë atje.

Pastaj, edhe pse shumë herë të tjera kisha kaluar “tranzit” nëpër Korçë, gjatë rrugës tokësore që shkoja nga Greqia për në Turqi, nuk kisha pasur rast të ndaloja në qytet.

Ndërkaq, në datat 7 dhe 8 Tetor 2020 mu dha mundësia që të shkoja për një vizitë tjetër në qytetin e Korçës. Edhe pse ishte vjeshtë dhe në mbrëmjen e shtatë tetorit nisi të bjerë shi dhe të ftohej moti, sërish ai qytet kishte bukurinë e tij.

Vizitat që bëra nëpër pazarin me motive orientale, të vjetër dhe të rregulluar të Korçës, në xhaminë e vjetër shekullore të Iljaz Bej Mirahorit, në shëtitoren e qytetit por edhe në katedralen e saj, më lanë mbresa të veçanta dhe u ndjeva shumë mirë, për të cilat mund të shkruaj në ndonjë shkrim tjetër.

Kësaj here, në vizitat e mia nëpër qytetin e Korçës, më shoqëroi miku im i vjetër dhe i vyer, myftiu i rrethit Korçë, Ledian Cikalleshi.

Me myftiun e Korçës, Ledian Cikalleshi

Nga të gjitha vizitat që bëra këtë herë në rrethin e Korçës, ia vlen të theksohet vizita për herë të parë që bëra në fshatin Zëmblak.

Edhe pse mbase njihet shumë pak si fshat, ai në histori ka vlera të veçanta. Gjithashtu, ai fshat njihet për dy personalitete të mëdha të historisë shqiptare; njihet si fshati i origjinës së Muhamed Ali Pashës së madh (themeluesit të Egjiptit modern dhe nga i cili buron themelimi i dinastisë shqiptare atje), si edhe për të ndjerin, dijetarin e madh musliman dhe atdhetarin shqiptar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, për të cilin historiografia shqiptare nuk ka shkruar shumë, për të mos të thënë fare.

Dhe pikërisht në këtë shkrim do të kufizohemi vetëm tek figura e Hafiz Abdullah Zëmblakut dhe personalitetit të tij. Siç e tregon edhe mbiemri i tij, ai ishte nga fshati i bukur me emrin Zëmblak, në rrethin e Korçës.

Në fshatin e origjinës së tij këtë tetor shkova së bashku me Ledian Cikalleshin, por atje na priti njëri nga nipat e Hafiz Abdullah Zëmblakut, i cili si për çudi mbante emrin dhe mbiemrin e gjyshit të tij.

Abdulla Zëmbaku, nipi i hafizit të madh, ishte një burrë zotëri, i cili na priti dhe nderoi shumë në shtëpinë e tij. Bile, kur myftiu i nderuar e lajmëroi se një orientalist dhe studiues nga Tirana ka ardhur në Korçë dhe është shumë i interesuar të takojë dikë nga familjarët e hafizit të nderuar, ai u gëzua edhe më shumë, sepse ndjeu që gjyshi i tij, edhe pse ka ndërruar jetë prej shumë vitesh, nderohet dhe respektohet ende sot nga studiues të ndryshëm shqiptarë, të cilët edhe pse nuk e kanë jetuar kohën e hafizit dhe nuk janë takuar me të, e respektojnë personalitetin e tij vetëm përmes veprave që ka lënë.

Abdulla Zëmblaku dhe Ermal Bega

(Zëmblak, 8 Tetor 2020)

Hafiz Abdullah Zëmblaku, ishte një nga figurat më të njohura dhe nga dijetarët më të mëdhenj muslimanë të kohës së tij.

Ai lindi në vitin 1892 dhe ndërroi jetë në vitin 1960.

Fatkeqësisht, si shumë dijetarë dhe figura të mëdha fetare në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, edhe Hafiz Abdullah Zëmblaku u arrestua dhe burgos disa herë nga sistemi famëkeq, duke vuajtur për fe dhe atdhe. Ai ishte përkrahës i madh i luftës për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e trojeve tona në shekullin 20 por ishte hapur kundër diktaturës e cila u instalua në Shqipëri, nga e cila dhe ai u burgos dhe vuajti edhe vetë.

Për shkak të diturisë së madhe që kishte marrë gjatë shkollës së mesme dhe universitetit të cilat i kishte mbaruar në Turqi, kur u kthye në vendlindje e kuptoi se veprat dhe kontributet më të mëdha ai duhet t’i japë vetëm në vendlindje dhe për këtë arsye, në fshatin e lindjes së tij, përveçse që punonte si imam-hatib në xhaminë e fshatit, ai shkonte shpesh gjatë vitit edhe nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë për të shpërndarë diturinë e fituar. Në këtë mënyrë ai shprehte dhe atdhedashurinë e tij për vendin dhe popullin tonë, duke i vizituar qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë e duke u mbajtur ligjërata të ndryshme fetare dhe atdhetare.

Që nga mosha e re, ai u mor për shumë vite me shkrime, përgatitje dhe përkthime të librave fetare, numri i të cilave arrin mbi 30. Të gjitha botimet, ai i shpërndante falas për të gjithë popullin dhe nuk përfitonte aspak prej tyre.

Fatkeqësisht, pas vdekjes së tij dhe në vitin famëkeq 1967, kur diktatura komuniste e ndaloi fenë me ligj në Shqipëri, një grup nga fantazmat e egra komuniste i shkuan në shtëpi, ia bastisën të gjithë librat me vlerë që kishte grumbulluar për librotekën e tij dhe ia dogjën. Të gjitha ato libra me vlerë, ai i kishte ruajtur për fëmijët e tij dhe për popullin.

Falë Allahut, disa nga librat e dijetarit Hafiz Abdullah Zëmblaku i kanë rënë në dorë edhe autorit të këtij shkrimi, gjatë kohës kur isha ende nxënës në shkollën e mesme (rreth viteve 1995-1996), por që isha shumë i dashuruar dhe i pasionuar me botimet e vjetra islame në gjuhën shqipe, të shkruara nga dijetarët muslimanë shqiptarë para komunizmit.

Disa nga librat e tij, së bashku me libra të tjerë të vjetër i pata prezantuar edhe në ekspozitën time të parë personale mbi dorëshkrimet orientale, të organizuar në vitin 2011.

Disa nga botimet e Hafiz Abdullah Zëmblakut,

nga arkivi personal i orientalistit Ermal Bega

Gjatë vizitës sonë në Korçë dhe në fshatin Zëmblak, Abdullah Zëmblaku na shoqëroi nëpër fshat, ku na tregoi xhaminë e fshatit (tashmë të re), në të cilën Hafiz Abdullah Zëmblaku ka dhënë mësim për popullin e zonës. Më pas, e pyetëm se ku gjendet varri i tij dhe ai na shoqëroi gjithashtu tek varrezat e fshatit ku prehej dhe trupi i Hafiz Abdullah Zëmblakut, këtij dijetari të madh musliman të trojeve tona shqiptare. Në të njëjtin varr gjenden dhe dy trupa të tjerë, ai i Aishe Shehut, nënës së Hafiz Abdullah Zëmblakut dhe ai i Harife Shehut, bashkëshortes së hafizit.

Është për t’u theksuar se data e lindjes së hafizit në epitaf ishte shënuar viti 1890, ndërkohë në disa shkrime të tjera theksohet se ai ka lindur në vitin 1891 ose 1892. Por, më i saktë si viti i tij i lindjes mund të merret viti 1890 sepse, sipas Abdullah Zëmblakut, ai epitaf aty është vendosur në vitet 1980 nga njëra nga vajzat e Hafiz Abdullah Zëmblakut, e cila quhej Hedije Shehu.

Për nder të emrin të tij, me rastin e themelimit të medresesë së Korçës, Komuniteti Musliman i Shqipërisë i vendosi emrin e Hafiz Abdullah Zëmblakut, por më pas emri iu fshi, derisa dhe medreseja e Korçës para disa muajsh, në këtë fund të vitit 2020, fatkeqësisht, u mbyll përfundimisht.

Megjithatë, sido që të jetë, e rëndësishme është që vepra e dijetarit të madh shqiptar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, jeton dhe do të jetojë gjatë në popullin shqiptar.

Pas meje gjendet varri i Hafiz Abdullah Zëmblakut, në fshatin Zëmblak.

Bashkë me trupin e tij, aty gjendet dhe varri i bashkëshortes dhe motrës së tij.


[1] Autori është orientalist dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania), në Tiranë.

[2] Ky shkrim u botua në revistën “Drita Islame”, nr. 12, Dhjetor 2020, Tiranë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...