Msc. Ermal BEGA[1]
Një nga personalitetet për të cilët është shkruar shumë pak[2]
Hafiz Abdullah Zëmblaku
(1892-1960)
Herën e parë që kam qenë në atë qytet, sa tërheqës po aq edhe romantik, ka qenë para shumë vitesh. Në atë vit kaq qenë i shoqëruar me të nderuarin Shaban Kurti nga Tirana dhe një mikun e tij, i cili na mori me makinën e tij dhe na shoqëroi nëpër Korçë, ku dhe fjetëm një natë, ndërsa gjatë kthimit për në Tiranë na çoi për vizitë edhe në parkun kombëtar të Drilonit, pranë Pogradecit, ku hëngrëm dhe një drekë. Në atë vit, në Korçë u takuam me ish-myftiun e Korçës, zotëri Qazim Muçi, i cili na tregoi mbi gjendjen e Islamit dhe të muslimanëve në Korçë, bile dhe mbi gjendjen e vetë myftinisë atje.
Pastaj, edhe pse shumë herë të tjera kisha kaluar “tranzit” nëpër Korçë, gjatë rrugës tokësore që shkoja nga Greqia për në Turqi, nuk kisha pasur rast të ndaloja në qytet.
Ndërkaq, në datat 7 dhe 8 Tetor 2020 mu dha mundësia që të shkoja për një vizitë tjetër në qytetin e Korçës. Edhe pse ishte vjeshtë dhe në mbrëmjen e shtatë tetorit nisi të bjerë shi dhe të ftohej moti, sërish ai qytet kishte bukurinë e tij.
Vizitat që bëra nëpër pazarin me motive orientale, të vjetër dhe të rregulluar të Korçës, në xhaminë e vjetër shekullore të Iljaz Bej Mirahorit, në shëtitoren e qytetit por edhe në katedralen e saj, më lanë mbresa të veçanta dhe u ndjeva shumë mirë, për të cilat mund të shkruaj në ndonjë shkrim tjetër.
Kësaj here, në vizitat e mia nëpër qytetin e Korçës, më shoqëroi miku im i vjetër dhe i vyer, myftiu i rrethit Korçë, Ledian Cikalleshi.
Me myftiun e Korçës, Ledian Cikalleshi
Nga të gjitha vizitat që bëra këtë herë në rrethin e Korçës, ia vlen të theksohet vizita për herë të parë që bëra në fshatin Zëmblak.
Edhe pse mbase njihet shumë pak si fshat, ai në histori ka vlera të veçanta. Gjithashtu, ai fshat njihet për dy personalitete të mëdha të historisë shqiptare; njihet si fshati i origjinës së Muhamed Ali Pashës së madh (themeluesit të Egjiptit modern dhe nga i cili buron themelimi i dinastisë shqiptare atje), si edhe për të ndjerin, dijetarin e madh musliman dhe atdhetarin shqiptar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, për të cilin historiografia shqiptare nuk ka shkruar shumë, për të mos të thënë fare.
Dhe pikërisht në këtë shkrim do të kufizohemi vetëm tek figura e Hafiz Abdullah Zëmblakut dhe personalitetit të tij. Siç e tregon edhe mbiemri i tij, ai ishte nga fshati i bukur me emrin Zëmblak, në rrethin e Korçës.
Në fshatin e origjinës së tij këtë tetor shkova së bashku me Ledian Cikalleshin, por atje na priti njëri nga nipat e Hafiz Abdullah Zëmblakut, i cili si për çudi mbante emrin dhe mbiemrin e gjyshit të tij.
Abdulla Zëmbaku, nipi i hafizit të madh, ishte një burrë zotëri, i cili na priti dhe nderoi shumë në shtëpinë e tij. Bile, kur myftiu i nderuar e lajmëroi se një orientalist dhe studiues nga Tirana ka ardhur në Korçë dhe është shumë i interesuar të takojë dikë nga familjarët e hafizit të nderuar, ai u gëzua edhe më shumë, sepse ndjeu që gjyshi i tij, edhe pse ka ndërruar jetë prej shumë vitesh, nderohet dhe respektohet ende sot nga studiues të ndryshëm shqiptarë, të cilët edhe pse nuk e kanë jetuar kohën e hafizit dhe nuk janë takuar me të, e respektojnë personalitetin e tij vetëm përmes veprave që ka lënë.
Abdulla Zëmblaku dhe Ermal Bega
(Zëmblak, 8 Tetor 2020)
Hafiz Abdullah Zëmblaku, ishte një nga figurat më të njohura dhe nga dijetarët më të mëdhenj muslimanë të kohës së tij.
Ai lindi në vitin 1892 dhe ndërroi jetë në vitin 1960.
Fatkeqësisht, si shumë dijetarë dhe figura të mëdha fetare në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, edhe Hafiz Abdullah Zëmblaku u arrestua dhe burgos disa herë nga sistemi famëkeq, duke vuajtur për fe dhe atdhe. Ai ishte përkrahës i madh i luftës për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e trojeve tona në shekullin 20 por ishte hapur kundër diktaturës e cila u instalua në Shqipëri, nga e cila dhe ai u burgos dhe vuajti edhe vetë.
Për shkak të diturisë së madhe që kishte marrë gjatë shkollës së mesme dhe universitetit të cilat i kishte mbaruar në Turqi, kur u kthye në vendlindje e kuptoi se veprat dhe kontributet më të mëdha ai duhet t’i japë vetëm në vendlindje dhe për këtë arsye, në fshatin e lindjes së tij, përveçse që punonte si imam-hatib në xhaminë e fshatit, ai shkonte shpesh gjatë vitit edhe nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë për të shpërndarë diturinë e fituar. Në këtë mënyrë ai shprehte dhe atdhedashurinë e tij për vendin dhe popullin tonë, duke i vizituar qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë e duke u mbajtur ligjërata të ndryshme fetare dhe atdhetare.
Që nga mosha e re, ai u mor për shumë vite me shkrime, përgatitje dhe përkthime të librave fetare, numri i të cilave arrin mbi 30. Të gjitha botimet, ai i shpërndante falas për të gjithë popullin dhe nuk përfitonte aspak prej tyre.
Fatkeqësisht, pas vdekjes së tij dhe në vitin famëkeq 1967, kur diktatura komuniste e ndaloi fenë me ligj në Shqipëri, një grup nga fantazmat e egra komuniste i shkuan në shtëpi, ia bastisën të gjithë librat me vlerë që kishte grumbulluar për librotekën e tij dhe ia dogjën. Të gjitha ato libra me vlerë, ai i kishte ruajtur për fëmijët e tij dhe për popullin.
Falë Allahut, disa nga librat e dijetarit Hafiz Abdullah Zëmblaku i kanë rënë në dorë edhe autorit të këtij shkrimi, gjatë kohës kur isha ende nxënës në shkollën e mesme (rreth viteve 1995-1996), por që isha shumë i dashuruar dhe i pasionuar me botimet e vjetra islame në gjuhën shqipe, të shkruara nga dijetarët muslimanë shqiptarë para komunizmit.
Disa nga librat e tij, së bashku me libra të tjerë të vjetër i pata prezantuar edhe në ekspozitën time të parë personale mbi dorëshkrimet orientale, të organizuar në vitin 2011.
Disa nga botimet e Hafiz Abdullah Zëmblakut,
nga arkivi personal i orientalistit Ermal Bega
Gjatë vizitës sonë në Korçë dhe në fshatin Zëmblak, Abdullah Zëmblaku na shoqëroi nëpër fshat, ku na tregoi xhaminë e fshatit (tashmë të re), në të cilën Hafiz Abdullah Zëmblaku ka dhënë mësim për popullin e zonës. Më pas, e pyetëm se ku gjendet varri i tij dhe ai na shoqëroi gjithashtu tek varrezat e fshatit ku prehej dhe trupi i Hafiz Abdullah Zëmblakut, këtij dijetari të madh musliman të trojeve tona shqiptare. Në të njëjtin varr gjenden dhe dy trupa të tjerë, ai i Aishe Shehut, nënës së Hafiz Abdullah Zëmblakut dhe ai i Harife Shehut, bashkëshortes së hafizit.
Është për t’u theksuar se data e lindjes së hafizit në epitaf ishte shënuar viti 1890, ndërkohë në disa shkrime të tjera theksohet se ai ka lindur në vitin 1891 ose 1892. Por, më i saktë si viti i tij i lindjes mund të merret viti 1890 sepse, sipas Abdullah Zëmblakut, ai epitaf aty është vendosur në vitet 1980 nga njëra nga vajzat e Hafiz Abdullah Zëmblakut, e cila quhej Hedije Shehu.
Për nder të emrin të tij, me rastin e themelimit të medresesë së Korçës, Komuniteti Musliman i Shqipërisë i vendosi emrin e Hafiz Abdullah Zëmblakut, por më pas emri iu fshi, derisa dhe medreseja e Korçës para disa muajsh, në këtë fund të vitit 2020, fatkeqësisht, u mbyll përfundimisht.
Megjithatë, sido që të jetë, e rëndësishme është që vepra e dijetarit të madh shqiptar, Hafiz Abdullah Zëmblaku, jeton dhe do të jetojë gjatë në popullin shqiptar.
Pas meje gjendet varri i Hafiz Abdullah Zëmblakut, në fshatin Zëmblak.
Bashkë me trupin e tij, aty gjendet dhe varri i bashkëshortes dhe motrës së tij.
[1] Autori është orientalist dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania), në Tiranë.
[2] Ky shkrim u botua në revistën “Drita Islame”, nr. 12, Dhjetor 2020, Tiranë.