2021-12-28

PERSONALITETE TË KULTURËS ISLAME QË KANË USHTRUAR AKTIVITETIN E TYRE EDHE NË GJYSMËN E DYTË TË SHEK. 20


VEXHI BUHARAJA
Orientologu me dimensione të mëdha



Vexhi Buharaja ishte studiues me dimensione të mëdha në fushën e orientalistikës. Janë të rrallë studiuesit shqiptarë që kishin përgatitjen dhe intuitën e Vexhi Buharasë.
Ai zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhët klasike të Lindjes islame: arabishten, persishten dhe osmanishten së bashku me turqishten e re. Zotëronte gjithashtu gjuhët kryesore të Perëndimit: anglishten, gjermanishten, frëngjishten dhe italishten. Pas vitit 1966, kur filloi punën në Institutin e Historisë si bashkëpunëtor shkencor, përvetësoi edhe rusishten.
Kultura dhe sidomos gjuhët e vjetra orientale që kishte fituar në Medresenë e Lartë të Tiranës, të cilën e mbaroi në vitin 1940, ishin një kapital i madh që Vexhi Buharaja do ta shfrytëzonte në funksion të kolegëve historiane e më gjerë, duke iu vënë në dorë atyre përkthime dokumentesh osmane të të gjitha periudhave, interpretime të sakta shkencore të dokumenteve të ndryshme, gjykime me vlera shkencore të përmbajtjeve, të para në kuadrin historik, që vetëm ai i njihte aq mirë.
Vexhi Buharaja qe i pajisur më moralin islam, kështu që në punën e tij shkencore u shqua për vlerësime reale, të drejta, të sakta shkencërisht, pa politizimet e kërkuara. Të gjitha këto e bënë të padëshirueshëm qëndrimin e tij në Institutin e Historisë si bashkëpunëtor shkencor, megjithëse ai ishte i vetmi zotërues i dhjetë gjuhëve, megjithëse kishte një bagazh kulturor që të detyronte respekt, megjithëse kishte një përvojë dhjetëvjeçarë në punën shkencore. Vexhiu pushohet nga puna duke iu përmendur vitet e burgut dhe internimet në kënetën e Maliqit, studimet në shkollën fetare dhe akuza se bënte propagandë fetare myslimane. Ai u tërhoq në vendlindjen e tij, në Berat, ku u zhyt në botën e vetmisë, të punës individuale e të punëve ordinere për të siguruar ekzistencën.
Vexhi Buharaja ishte i dashuruar pas kolosëve të poezisë klasike persiane, sidomos pas Saadiut dhe Firdeusit, të cilët dhe i përktheu në gjuhën shqipe, duke e pasuruar kështu fondin bibliotekar letrar shqip. Ai përktheu në mënyrë të shkëlqyer në gjuhën shqipe edhe vëllimin “Tehajulat” (Endërrime) poezi, të Naimit, shkruar në gjuhën persiane, ku shihet delli i tij poetik, që Vexhi Buharaja e provoi dhe në hartimin e poezive origjinale.
Një ndihmesë të madhe dha ai në fushën e biografisë shqiptare, duke hapur siparin e një shkence të re në fondin e punimeve shqiptare. Vepra e tij “Monumente turko-arabe në Shqipëri” përmban rreth 300 mbishkrime turko-arabe, që datojnë nga shekulli XV deri në shekullin XX.
Si njohës i mirë i gjuhëve klasike lindore, Vexhi Buharaja i transliteroi, i transkriptoi, i përktheu dhe u bëri zbërthimet përmbajtëse, duke hedhur kështu bazat e kësaj dege të re të Historisë së kulturës sonë. Për pasojë, gjeneza e sekteve fetare islame në territoret shqiptare, historiku i institucioneve të kultit dhe të dhëna të tjera dritëdhënëse, rreth krijimit dhe veprës së tyre, u shpalosën në një optikë të re.
Vexhi Buharaja, me sa dimë, ka lënë një pasuri trashëgimore, krijimtari të pasur, që në të ardhmen duhet bërë objekt studimi për historianët tanë. Terreni mbi të cilin ka punuar Vexhi Buharaja është ende i paeksploruar. Orientalistika shqiptare, duke ecur në gjurmët e tij, ka shansë të mëdha për të krijuar fondin e saj origjinal.
Kohët e fundit, studiuesi Ahmet Kondo botoi një monografi kushtuar Vexhi Buharasë, e cila është pritur mirë, si përpjekje e parë për njohjen e dimensioneve të këtij përsonaliteti.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...