E feston 90-vjetorin e lindjes me energji e kënaqësi për atë kontribut që dha për Kosovën e Shqipërinë, përkatësisht për prezantimin e letërsisë shqipe në botën arabe. Mund të thuhet lirisht se më se 50 shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë e gjetën rrugën për atë rajon në saje të punës 70-vjeçare të A. Arnautit
Dr. Muhamed MUFAKU
Para disa ditësh, më 13 janar, Abdulatif Arnauti e festoi 90-vjetorin në një rreth të ngushtë në Damaskun e mbuluar me terrin e pasluftës, por nuk i mungonin ca urime prej Prishtinës, Parisit, Bostonit e gjetiu, nga familja e shpërndarë e miq të qëndrueshëm.
Abdulatif Arnauti është figurë e njohur për gjeneratën e vjetër dhe të mesme, e sidomos për intelektualët e Kosovës, në sajë të pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare (siç quhej) dhe të përkthimeve të tij të shumë krijuesve të Kosovës e të Shqipërisë në gjuhën arabe. A. Arnauti lindi në Damask më 13 janar 1931 në një familje e shpërngulur nga Dobërlluka e Vushtrrisë, e cila u detyrua të shpërngulej gjatë Luftës ballkanike e të vendosej më vonë në lagjen shqiptare në Damask. Për koloninë shqiptare në Damask, A. Arnauti ishte prej gjeneratës së parë që vazhdoi shkollimin në arabisht dhe dha kontributin e vet në afirmimin e kulturës shqiptare në botën arabe. Pas një ndërprerjeje prej trungut, ardhja e opozitës antikoministe nga Kosova e Shqipëria, në Damask gjatë viteve 1946-1948, me politikanë, intelektualë e ushtarakë (Xhafer Deva, Adem Dushi, Mul Bajraktari, Xhelal Bushati e të tjerë) e freskoi Abdulin me gjuhë e literaturë shqipe. Ndonëse pas shkollimit ka filluar të punojë në arsim e më vonë në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti filloi herët të interesohej për prezantimin e letërsisë shqipe në gjuhën arabe në sajë të literaturës së re që arriti në Damask. Kështu, në moshën 20-vjeçare e përktheu dhe e botoi në arabisht vjershën “Jetimi” të Ndre Mjedës, e cila u botua në revistën siriane “al-Janbu” më 2 korrik të vitit 1951. Një vit më vonë përktheu dhe botoi vjershën “Ngushëllim” të Vehbi Ronës e të tjera. Me këtë mund të thuhet se A. Arnauti është përkthyesi i parë që prezantoi letërsinë në Siri, kurse i dyti në nivel të botës arabe pas Vehbi Ismailit (1919-2008).
Pas stabilizimit dhe avancimit në punë, në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti u bë shumë aktiv në vitet ‘60 të shekullit XX, në dy drejtime të ndërsjella: krijimi i poezisë në gjuhën arabe me motive shqiptare dhe prezantimi i letërsisë shqipe në gjuhën arabe, duke përfshirë shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare, të Kosovës dhe të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë drejtim ndikuan dy elemente që dhanë fryte më shumë në vitet ‘70 të shekullit XX: vizitat e para në Kosovë dhe në Shqipëri, përkatësisht takimet me shkrimtarët shqiptarë dhe kthimi në Damask me literaturë më të re të botuar në Prishtinë e Tiranë, si dhe puna e re si redaktor në revistën tremujore “al-Mu’alim al-Arabi” që e nxirrte Ministria e Arsimit. Tani me literaturë të re dhe me hapësirë për kulturë në re-vistën e përmendur A. Arnauti u afirmua më shumë si përkthyes i letërsisë shqipe në botën arabe. Kështu, në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX letërsia shqipe e Kosovës gjeti rrugën e vet për lexuesin arab në sajë të përkthimeve të A. Arnautit. Kështu, në vitin 1971 ai përktheu dhe botoi dy vjersha të Jakup Cerajës dhe një tregim të Ramiz Kelmendit, kurse më 1972 një prozë tjetër të Din Mehmetit, kurse më 1973 disa vjersha të Latif Berishës.
Viti 1974 shënon një kthesë që do ta afirmonte më shumë A. Arnautin në një fushë tjetër, përkatësisht përkthimi i letërsisë bashkëkohore në Shqipëri. Kështu, ai përktheu dhe e botoi në atë vit poemën e Ismail Kadaresë, “Ditari i gjeneratës”, si dhe poemën “Baballarët” të Dritëro Agollit, kurse më vonë edhe vjersha të Fatos Arapit.
Megjithatë, mund të thuhet lirisht se vitet ‘80 të shekullit XX shënuan një kulm të prezantimit të letërsisë bashkëkohore të Shqipërisë me botimin e katër romaneve të dy shkrimtarëve më të njohur të Shqipërisë në atë kohë. Kështu, më 1981 doli “Gjen-erali i ushtrisë së vdekur”, më 1985 “Dasma”, kurse më 1986 “Kështjella” e Ismail Kadaresë, kurse më 1985, “Njeriu e topi” i Dritëro Agollit. Ato vite përkuan me interesimin e madh për Kadarenë në botën arabe, kështu që pas atyre përkthimeve të A. Arnautit, u përkthyen dhe u botuan disa romane të tjera të Kadaresë prej frëngjishtes e anglishtes. Vitet ‘90 të shekullit XX kanë edhe një rëndësi tjetër për A. Arnautin, sepse janë ato vite kur kaloi në Lidhjen e Shkrimtarëve në Damask pas pensionimit prej Ministrisë së Arsimit, ku ai kishte më shumë fushëveprim si redaktor i së përjavshmes letrare “al-Usbu’ al-Arabi”. Kështu, në faqet e kësaj gazete botoheshin shpeshherë përkthime që prezantonin letërsinë shqiptare në Kosovë e në Shqipëri.
Ndonëse A. Arnauti u pensionua më 1997 nga Lidhja e Shkrimtarëve, ai hyri në shekullin e ri me energji duke vizituar Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Kosovën për herë të fundit më 2016 me ftesë të Seminarit, e duke vazhduar punën e tij shumëvjeçare me përkthimin e promovimin e letërsisë shqipe në gjuhën arabe. Ndërkohë, A. Arnauti nuk ishte vetëm përkthyes e promovues i letërsisë shqipe në arabisht, por figurë e njohur e kolonisë shqiptare në Damask me derë të hapur për shkrimtarët e gazetarët që shkonin gjatë dekadave të kaluara në Damask ose kaluan Damaskun në rrugë për Bejrut e Amman, e të tjera. Si i tillë, A. Arnauti e feston 90-vjetorin e lindjes me energji e kënaqësi për atë kontribut që dha për Kosovën e Shqipërinë, përkatësisht për prezantimin e letërsisë shqipe në botën arabe. Mund të thuhet lirisht se më se 50 shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë gjetën rrugën për atë rajon në sajë të punës 70-vjeçare të A. Arnautit.
Si i tillë, ai meriton më shumë se ky shkrim.