Roald A. HYSA
Hafiz Ali Korça si askush tjetër në lëvizjen tonë politike ndërtoi një vizion të qartë dhe largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare, por edhe gjithënjerëzore. Këtë konceptim pak kozmopolit e universal ai e ndërtoi në veprën “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” 1925. Pikërisht kjo vepër duhet studiuar më gjerësisht për të parë konceptin largpamës dhe të gjerë që e karakterizoi gjithmonë Hafiz Aliun dhe për të cilin pati pasoja të ndjeshme në jetën e tij private. Me kohë Hafiz Aliu do të hetojë rrezikun e bolshevizmit dhe ideve të importuara ruse, i cili e çonte kryet lart në emër të barazisë e drejtësisë, duke krijuar një fuqi të madhe të ashtuquajtur “proletariat” për ta mbisunduar botën. Vepra “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” (1925) shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut. Ai përmes shënimeve statistikore, thekson shkatërrimet e mëdha që kishin bërë bolshevikët asokohe në Bashkimin Sovjetik. Në një mënyrë apo në një tjetër, me anë të kësaj vepre ai kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje e rëndë duke konstatuar: Si çdo atdhetar dëshiron që shtetit dhe kombit të vet t’i shërbejë sipas fuqisë që të ketë. Na duhet të përmendim që një pjesë e mirë dhe e ndjeshme e veprës së tij në dorëshkrim është zhdukur dhe po bëhen përpjekjet për ta nxjerrë përsëri në dritë nga arkivat ku e kishin fshur gjatë kohës së regjimit komunist. Kjo bëhet e kuptueshme si pasojë e rrethanave historike e politike të krijuara, të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemit diktatorial që e pasoi për një periudhë të gjatë gati pesëdhjetëvjeçare. Kontributi i tij është shumëplanësh në jetën kulturore dhe sociale të kombit tonë. Një vend të veçantë nga ana studimore paraqet edhe letërkëmbimi i tij me figura të politikës dhe shkencës. I damkosur nga regjimi komunist si klerik reaksionar dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar dënohet nga “Gjyqi i Popullit” me dëbim. Vitet e fundit të jetës i kalon në Tiranë e më pas dëbohet në Kavajë, mu për pikëpamjet e tij antikomuniste, ku edhe vdes në mjerim të plotë ky mendimtar, patriot dhe veprimtar i shquar islam më 1956. Pavarësisht nga paragjykimet politike që i janë bërë ai mbetet një figurë e shquar e plejadës së klerikëve militantë, që ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën e tyre për hir të së vërtetës. Megjithëse nga sasia e materialit që paraqet në këtë studim të shkurtër, ajo ka dalë në formën e një broshure dhe për nga ana studimore këtu paraqitet modestisht; me këto faqe Hafiz Ali Korça hyn denjësisht në historinë e mendimit politik, si i pari person që e denoncon publikisht ideologjinë bolsheviko-komuniste. Ai në këto faqe të pakta nëpërmjet disa të dhënave ve në dukje rrezikun që i kanosej nga ideologjia bolshevike, shoqërisë shqiptare, e karakterizuar nga ekuilibre delikate, në të cilën gjendej në atë kohë Shqipëria e sapodalë nga Lufta I Botërore, e cila e dëmtoi shumë vendin. Pikërisht në fillimin e viteve ’20-të të shekullit të kaluar shkëputen lidhjet e Shqipërisë me Turqinë pas rënies së kalifatit dhe shkatërrimit të tij prej Mustafa Qemalit. Në çastet e pasluftës i gjithë Perëndimi kalon në një fazë trazirash me lëvizje tronditëse sociale. Pas fitores së Revolucionit Bolshevik të Tetorit në Rusi me në krye Leninin, gjithashtu do të bënte që ekuilibret botërore të ndryshonin ndjeshëm. Rusia u gjend para ndryshimeve radikale dhe të menjëhershme. “Dekreti mbi tokën” bëri që e gjithë prona private e çifligarëve, carit dhe e institucioneve fetare t’i kalonte sovjetëve të fshatarëve, duke u kthyer në një pronë të përbashkët. Menjëherë pas dy vjetësh po me iniciativën e Leninit në kundërpërgjigje të Perëndimit, i cili përkrahu gjeneralët kozakë: Kollçakun, Denikinin, Judeniçin, Vrangelin etj., hapet në Moskë, Kongresi I i Internacionales III Komuniste. Menjëherë pas kësaj Evropën e përfshin një valë grevash, protestash e revolucionesh bolshevike siç ishin: ai në Gjermani i organizuar nga krerët e PK-së Gjermane, Roza Luksemburg dhe Karl Libkneht kur në prill të 1919-ës e shpallin Landin e Bavarisë, Republikë Sovjetike. Po ashtu Bela Kun, udhëheqësi i komunistëve hungarezë, i përgatitur në Rusi, kryeson Republikën Sovjetike të Hungarisë dhe menjëherë me anë të një fushate ushtarake dhe të disa fitoreve të njëpasnjëshme pushton Çekinë në qershor të 1919-ës dhe ngre një tjetër republikë sovjetike atje. Megjithatë një ushtri rumune e bën atë që të tërhiqet shumë shpejt, por edhe si rezultat i një politike të brendshme të dobët Republika Sovjetike e Hungarisë detyrohet të bjerë dhe Kuni largohet nëpërmjet Vjenës për në Moskë. Atje, pas shumë vitesh qëndrimi akuzohet për trockizëm dhe në një nga spastrimet e bëra nga Stalini ekzekutohet në nëntor të 1939-ës. Po kështu Italia, Franca, Anglia e Amerika përfshihen nga një valë grevash e protestash punëtore në mbështetje të Rusisë Sovjetike, ndërsa në Itali Musolini hip në pushtet me Partinë Fashiste, e dalë fillimisht si fraksion nga radhët e Partisë Socialiste. Po ashtu gjendja e brendshme e Shtetit Shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 ishte tronditur disa herë radhazi. Qeveria e Lushnjes menjëherë iu desh të ballafaqohej me një luftë të pabarabartë me italianët në Vlorë dhe më pas me disa kryengritje afatshkurtra për të ardhur më pas në të ashtuquajturin Revolucionin Demokratiko-borgjez të Qershorit të 1924-ës, me në krye Fan Nolin dhe me mbështetjen e regjimenteve të Shkodrës me komandant, kolonel Rexhep Shalën dhe ai i Përmetit me komandant, kolonel Kasem Qafëzezi. Si rezultat i politikës së dobët të brendshme dhe të jashtme të Nolit dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, në dhjetor të 1924-ës rikthehet në pushtet Ahmet Zogu. Kjo është pak a shumë në vija të trasha gjendja e jashtme dhe e brendshme në të cilën e pa dritën e botimit kjo broshurë. Pikërisht kjo është edhe merita e Hafiz Ali Korçës që diti të diktojë në ato çaste kush ishte rreziku real, që po i kanosej shqiptarëve, rrezik që po i kanosej edhe tërë Botës. Ai në këtë vepër i bën një analizë të hollësishme bolshevizmit, lidhur me “parimet” njerëzore, drejtësinë, luftën e klasave, punën etj, mbi të cilat ndërtohet sistemi bolshevik. Këtu ai ve në dukje dëmet e ndryshme që i solli pushteti sovjetik popullit të vet, qoftë nga ana morale, apo materiale e shpirtërore. Kjo vepër tregon njëkohësisht edhe pjekurinë politike të Hafiz Aliut. Pasi ka vënë në dukje dëmet morale dhe shpirtërore që solli vendosja e regjimit bolshevik në Rusi, ai me anë statistikash nxjerr në pah dëmet materiale në ushqim, bagëti, njerëz dhe se çfarë i bëri fesë kjo ideologji tashmë shtetërore. Statistikat e dëmeve njerëzore i ka nxjerrë nga Çeka e Feliks Xherxhinskit, embrioni fillestar i KGB-së së mëvonshme. Me këtë ai kërkon t’i paralajmërojë shqiptarët qysh herët për dëmet që sjell kjo ideologji si shkatërruese e të gjitha vlerave njerëzore të mirëfillta, ku ndër to kryesorja është feja dhe familja. Denoncimin e bolshevizmit ai e ka bërë edhe në një vepër tjetër të tijën, e cila e pa dritën e botimit po në këtë vit, 1925, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë. Kjo është vepër e një karakteri krejt të ndryshëm nga Bolshevizma, sepse në të paraqet vizionin e tij për të ardhmen e vendit, porse edhe në këtë vepër, e cila do të ribotohej në maj të vitit 1944 ai përsëri do ta damkoste komunizmin si një ideologji shkatërruese. Kontributi i Hafiz Aliut me këto dy vepra është tejet i rëndësishëm edhe nga ana studimore, gjë të cilën është heshtur deri tashti, për shkak edhe të petkut të tij fetar.