2021-12-30

Kina dhe Rusia po garojnë për të zotëruar inteligjencën artificiale (IA)

 

Shefi i Agjencisë britanike të Spiunazhit të Jashtëm (MI6), Richard Moore ka paralajmëruar se Kina dhe Rusia po garojnë për të zotëruar inteligjencën artificiale (IA) nga vendet e Perëndimit, si një mënyrë për të revolucionarizuar gjeopolitikën.

Spiunët e botës, nga Londra në Moskë dhe Pekin, po përpiqen të përballen me përparimet teknologjike që sfidojnë operacionet tradicionale të spiunazhit të drejtuara nga njerëzit.

Moore është shprehur se inxhinieria kuantike, bioinxhinieria, sasitë e mëdha të të dhënave (Big Data) dhe zhvillimet në fuqinë kompjuterike përbënin një kërcënim që sipas tij kjo duhet adresohet nga Perëndimi.

“Kundërshtarët tanë po shpërndajnë para për të zotëruar inteligjencën artificiale, inxhinierinë kuantike dhe biologjinë sintetike, sepse ata e dinë se zotërimi i këtyre teknologjive do t’u japë atyre avantazhe”, është shprehur Moore.

Si një ish-diplomat që u bë shef i MI6-së në vitin 2020, Moore tha se zhvillimi teknologjik gjatë dekadës së ardhshme mund ta tejkalojë të gjithë përparimin teknologjik që ishte gjatë shekullit të kaluar.

“Si shoqëri, ne ende duhet ta përvetësojmë këtë fakt dhe ndikimin në gjeopolitikën botërore”, tha ai.

Një shqetësim i veçantë për spiunët e Perëndimit janë agjencitë e inteligjencës ruse dhe kineze, të cilat kanë nxituar të shfrytëzojnë disa teknologji, ndonjëherë me një ritëm më të shpejtë se vendet perëndimore.

Në fund, Moore është shprehur se MI6 duhet të ndryshojë për të shfrytëzuar teknologjitë e reja.