Pëllumb Nako 

Përgjithësisht, dy janë qën drimet e Kryeministrit tonë kur në publik shpaloset ndonjë problem me përmasa skandali. Kur për përfitime politike ai është vetë protagonist, problemi shfryhet, përqeshet duke u kthyer në anekdodë qesharake me qëllim zhvlerësimin e rëndësisë, siç ishte rasti i të dhënave personale në duart e patronazhistëve. Kur në sfond të skandalit, përfitimi politik nuk duket qartë si në rastin e publikimit të të dhënave të tatimeve, shefi i qeverisë del posaçërisht vetë në konferencë për shtyp për të përballur situatën e krijuar. Esenca e qëndrimit të tij është orientimi drejt organeve të drejtësisë, por të mbështetur përsëri nga një lloj tjetër shfryrjeje, sipas së cilës gjëra të tilla ndodhin kudo në botë, madje edhe në SHBA. Në fakt, rrjedhja e të dhënave me karakter personal kthehet në një skandal publik kur viktimat kapin përmasa masive, siç është rasti i fundit. Kjo, sepse një e nga një e çdo ditë në publik shënohen rregullisht viktima të izoluara në fatin e tyre të hidhur, që bëhen pre e një lloj diktature portalesh të panumërt. Madje, edhe organet e ligjit i bashkohen shpesh kësaj logjike antihumane të shkatërrimit të personalitetit të një individi nëpërmjet publikimit të të dhënave personale jo vetëm duke krijuar të çara për rrjedhje informacioni, por edhe duke nxjerrë publikisht faqe të tëra hetimi. Individi i hetuar shkelet dy herë: atij i publikohen pjesë nga hetimi që është sekret dhe po ashtu i botohen transkriptime përgjimesh që nuk i shërbejnë çështjes penale dhe që duhen shkatërruar. Në thelb të proceseve të tilla mbetet denigrimi dhe shantazhimi.

Pra, problemi i shpërdorimit të të dhënave me karakter personal nuk mbetet vetëm në kufijtë e teknikave informatike siç u trajtua gjatë e gjerë në konferencën për shtyp të Kryeministrit dhe të drejtoreshës së AKSHI-t. Teknikisht gjithçka është e mundur, përfshi edhe sigurinë e të dhënave. Problemet reale mbeten brenda politikës që ndjek qeveria në menaxhimin e informacionit të stokuar në arkivat elektronike dhe te përdoruesit e shumtë të sistemeve informatikë, pjesë e një administrate të gjerë të paformuar për këtë problem dhe për më tepër mjaft të interesuar për t’i shitur informacionin gjithkujt për arsye korruptive apo edhe për të shërbyer politikisht sipas radhës kush qeveris.

Pra, edhe shefi, edhe shefja, thanë se sistemet janë certifikuar sipas standardit ISOS, por problem mbetet nëse janë të certifikuar edhe përdoruesit e shumtë të sistemeve gjithashtu të shumtë, sipas natyrës së informacionit që qarkullojnë. Janë të familjarizuar ata, jo vetëm me ligjin e mbrojtjes të të dhënave me karakter personal, por edhe me klasifikimin e informacionit që trajtojnë? Pas çdo sistemi informatik sigurisht qëndron një politikë e caktuar e klasifikimit të dokumenteve nga ana e institucionit që e zotëron. Auditohen përdoruesit e tyre?

Kryeministri u mburr me zë të plotë kur theksoi se në kohën e qeverisjes së tij, sistemet informatike kishin arritur nga disa qindra në disa mijëra dhe se sistemi i tatimeve, të dhënat e të cilit u bënë publike, mbetej një sistem informatik teknikisht i prapambetur dhe për këtë shkak nuk ishte integruar akoma me ato të tjera. Në fakt, çështja nuk është te numri i madh i sistemeve të ndërtuara nga qeveria sepse edhe një shitëse rrobash të përdorura mund të ndërtojë një sistem. Mjafton të ketë një kompjuter si server dhe disa të tjerë të lidhur me të për të komunikuar. Por për publikun nuk ka rëndësi informacioni që qarkullon te sistemi i shitëses së rrobave të përdorura, por të sistemi informatik ku shënohet pagesa e tij si dhe të dhëna të tjera të ndjeshme për të dhe që e dëmtojnë kur bëhen publike.

Këto pohime të qarta të Kryeministrit dëshmojnë se nga milionat eurove të shpenzuara nëpër tenderë të panumërt për sigurinë e secilit prej morisë së sistemeve të reja të qeverisë të administruara nga AKSHI, deri më sot nuk është menduar që të rinovohet e të sigurohet maksimalisht pikërisht sistemi i tatimeve ku ka të dhëna të ndjeshme. Një mangësi e tillë flet për kaos, për mungesë strategjie në menaxhimin e informacionit që trajtojnë sistemet informatike të AKSHI-t. Në sistemet që menaxhon, AKSHI minimalisht duhet të ndërtojë një hierarki sipas natyrës së informacionit që trajtojnë sistemet dhe që përkon me radhën e punës për sigurinë e tyre. Normalisht të parët duhet të modernizohen dhe sigurohen sistemet apo pjesë sistemesh të institucioneve që prodhojnë e qarkullojnë informacion “tepër sekret” sipas nenit 3 të ligjit “Për informacionin e klasifikuar “ Sekret shtetëror”, pastaj të vazhdohet me ato të nivelit “sekret” e pastaj “Konfidencial”. Ekziston në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndonjë dokument zyrtar që normon klasifikimin e dokumentacionit të prodhuar prej saj në bazë të ligjit të mësipërm? Nëse po, si është lënë sistemi i pasiguruar për kaq vite? Nëse jo, akoma më keq.

Kryeministri foli edhe për integrimin e sistemeve të shumtë që menaxhon AKSHI. Duket se për këtë problem nuk ka fare auditime nga ana e Komisionerit, organ i pavarur, sepse politika e integrimit të shumë sistemeve dhe jo ndarja e tyre, çon automatikisht në një stokim të informacionit të trajtuar prej tyre në pak duar, gjë që kthehet në përqendrim të pushtetit. Dhe kot që bëhen zgjedhje politike sepse tashmë jemi nën sundimin e pushtetit kibernetik që e ka zhveshur qytetarin nga çdolloj privatësie duke i vjedhur shpirtin.