Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri
Në edicionin e lajmeve të
platformës mediatike analitike “Pamflet”,
të transmetuar sot (27 dhjetor 2021) në youtube, ndoqa me shumë interes
informacionin në vijim:
“Shoqëria shqiptare duket se nuk e ka
më atë pritshmërinë e parë kur u diskutua dhe u miratua reforma në drejtësi, se
SPAK-u do të sjellë përmbysjen e madhe në vend, duke hetuar e dënuar kastën e
korruptuar politike 30-vjeçare. Entuziazmi i fortë i fillimit nisi e u shua vit
pas viti, pasi jemi 5 vjet që nga miratimi i reformës dhe ende nuk ka dalë në
breg ndonjë “Peshk i Madh”. Edhe pse nuk jemi në fazën e zhgënjimit përfundimtar,
gjithsesi ka një frustrim të madh, ngaqë edhe drejtësia e re po shihet si një
“rrjetë” e shpuar për peshqit e mëdhenj. Megjithatë, hetimi e më pas dënimi i
politikanëve të korruptuar nuk është gjë e lehtë, pasi ata e kanë menduar edhe
këtë gjë, e gjithë këto vite kanë bërë çmos për t’i shpëtuar gjykimit për
korrupsion…”.
Kur e mbarova leximin e këtij
informacioni, ndjeva keqardhje të thellë që paskam pasur shumë të drejtë, kur
gati gjashtë vjet më parë pata botuar në internet një analizë, në të cilën
shprehja bindjen e patundur se propaganda e zhurmshme për reformën në drejtësi
që bënte Rama, të gjithë “bujkrobërit” socialistë dhe mjetet e informimit masiv
në shërbim të verbër rreth tij, s’ishte gjë tjetër, veçse një perde tymi për të
mashtruar edhe më shumë popullin shqiptar, si puna e propagandës së
kryetradhtarit dhe të kryemashtruesit Enver Hoxha për punën e asaj lugës së
floririt që pati premtuar në gjysmën e dytë të viteve ’40.
Në vijim, disa portaleve të nderuara,
po ju përcjell për ribotim analizën time të 28 janarit 2016.
Reforma
në drejtësi:
Do
të mbarset mali dhe do të pjellë një mi
Sa
për kujtesë
ambasadorit
të nderuar amerikan Donald Lu
Presidenti
amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt
- 1882-1945), më 06 janar 1941, ka pasë deklaruar
për katër liritë themelore:
“Ne
shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore: e para -
lirinë e fjalës dhe të shprehjes, e dyta - të drejtën që kushdo mund të nderojë
Zotin sipas dëshirës dhe besimit, e treta - zhdukjen e varfërisë, e katërta -
çlirimin nga frika.
Vetvetiu shtrohet
një pyetje e thjeshtë:
Ku është klasa
politike shqiptare në raport me zhdukjen e varfërisë gjatë këtyre 25 vjetëve të
pluralizmit politik?
Përgjigjja, po
ashtu, është fare e thjeshtë:
Klasa politike
ka bërë ç’është e mundur për t’u vetëpasuruar, çka ka sjellë si pasojë
varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullsisë dhe sidomos të më shumë se një gjysmë milioni
pensionistësh.
U bë kaq kohë që po
diskutohet për reformën në drejtësi. Madje për këtë problem është folur dhe
stërfolur kaq shumë, saqë mbarë qytetarëve të thjeshtë sikur ka filluar t’u
bëhet bozë. Një fjalë e urtë thotë: Atje ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël!
Sepse qytetarët kërkojnë vepra dhe jo fjalë. Që kjo reformë është shumë e
rëndësishme, kjo as që mund të vihet në dyshim.
Më ka bërë përshtypje
të jashtëzakonshme roli që po luan ambasadori i nderuar amerikan Donald Lu për
kryerjen e kësaj reforme. Në një dalje të paradokohshme në publik, ai ka
deklaruar:
“Të gjithë ne në
Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të
udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin
e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë
Amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e
Shqipërisë në BE” (Citohet sipas: “Donald
Lu: SHBA s’do gjejë qetësi për reformën në drejtësi, kemi udhëzim direkt nga
Shtëpia e Bardhë”. Marrë
nga faqja e internetit “syri.net”. 06
janar 2016).
Ne,
qytetarët e Shqipërisë Londineze, u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës në jetë të
jetëve Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e jashtëzakonshëm që
kanë dhënë për mbijetesën tonë si shtet. Sepse në dy raste, mbijetesa jonë ka
qenë në zgrip.
Së
pari, ujqit evropianë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pas
përfundimit të Luftës së Parë Botërore, patën hartuar plane ogurzeza për ta
zhdukur nga harta e Evropës edhe atë ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas
vendimeve kriminale të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe të Konferencës
së Londrës të vitit 1913. Por ndërhyrja vendimtare e Presidentit Uillson qe
shpëtimtare për vendin tonë. Ky ishte shpëtimi i parë i Shqipërisë nga ana e
Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpëtimi i dytë erdhi në vitin 1997, në
kushtet kur shteti shqiptar ishte shpërbërë tej e ndanë. Pikërisht në atë
situatë tragjike ku e katandisën vendin “bejlerët” e politikës shqiptare,
shovinizmi grekokaragjoz, përmes kryeministrit të vet, i kërkoi leje Sekretares
së Shtetit, zonjës së nderuar Medlin Ollbrajt, për të futur trupat në
Shqipërinë e Jugut, me arsyetimin gjoja për të mbrojtur minoritetin grek. Por
zonja Ollbrajt i tha se mund t’ju dalin probleme me Turqinë. Dhe kryeministri
grek u tërhoq me bishtin ndër shalë. Dy vjet më vonë, në pranverën e vitit
1999, pikërisht Shtetet e Bashkuara, me Presidentin Klinton në krye, duke pasur
edhe mbështetjen e fuqishme të
Kryeministrit britanik Toni Bler, për 78 ditë rresht, zhvilluan fushatën
e bombardimeve kundër Serbisë, për shpëtimin përfundimtar të popullit shqiptar
të Kosovës nga tirania mbinjëshekullore e shovinizmit serbomadh.
Tani,
kur në vendin tonë është krijuar një gjendje pa rrugëdalje, për shkak të
sundimit të një klike kriminale oligarkike, e cila pjesën dërrmuese të popullit
tonë e ka katandisur në kufijtë e varfërisë, për shkak të së cilës, gjatë një
viti, vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë dhe, sipas mjeteve të
informimit masiv, rreth 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për lloton amerikane,
Shqipëria ka nevojë për një shpëtim të tretë nga ana e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës.
Tani
problemi shtrohet fare thjesht, edhe për ambasadorin e nderuar Donald Lu: kush
do ta kryejë reformën në drejtësi? Mos vallë këta oligarkë të politikës, të
cilët, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, janë pasuruar në një mënyrë
marramendëse, duke filluar nga krerët e oligarkëve të politikës qendrore, deri
te oligarkët e politikës vendore? Kjo duket krejtësisht e pabesueshme. Le të
ndalemi në disa fakte konkrete, të cilat janë bërë publike përmes mjeteve të
informimit masiv.
Ish-deputeti
i LSI-së, zotëria Dritan Prifti, dikur ka pasë deklaruar publikisht nga
foltorja e Kuvendit:
“A ka shqiptar, kolegë deputetë, që beson se zoti Edi Rama është i
pastrehë? Ai në deklaratën e tij të
pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në
Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e
tij e jashtëligjshme është 30 euro për metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot” (Citohet
sipas: “PS: Padi penale për Priftin, shau
kryetarin socialist Rama”. Marrë nga faqja e internetit “Info Arkiva. Arkiva mediatike Shqiptare”. 15
korrik 2010).
Kjo deklaratë është transmetuar edhe
në TV “Top Channel”, në emisionin e
lajmeve të orës 15:30 (Citohet sipas: “Pasuria
1.8 mln euro, Prifti: Shita aksionet”. Marrë nga faqja e internetit “top-channel.tv”. 15 korrik 2010).
Sipas një
raporti të OSBE-së, thuhet se Kryeministri Edi Rama “ka një pasuri prej 200 milionë eurosh” (Citohet sipas: ““200 mln euro”! Një përshkrim
psikologjik për Ramën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 12 shtator 2015).
Para do kohësh, gazetarja e
Zërit të Amerikës, zonja Ardita Simiçia, i mori një intervistë kryetarit të
Kuvendit, zotërisë Ilir Meta, gjatë kohës që ky ndodhej për një vizitë në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu janë shkëputur vetëm dy pyetje mjaft
domethënëse të gazetares dhe dy përgjigje fort kuptimplote të kryetarit të
Kuvendit:
Ardita Simiçia:
“…Meqë përmendët nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të
sjellë një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha
t’ju bëja një pyetje disi personale për klasën politike në Shqipëri që shpalos
një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndiheni ndonjëherë nën
presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të
jetesës te 5-dolarrëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në
gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha?...
Ilir Meta: Nuk
e di për çfarë luksi e keni fjalën…
Ardita Simiçia: Pyetja
e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike
shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë
të korruptuar. Dhe nga ana personale, a e ndieni ndonjëherë presionin, a ju
vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet? A e ndieni dëshirën për të
thënë: mjaft më! Dua të sqarohem dhe të lahem…
Ilir Meta: Shqipëria
e paska të zgjidhur problemin e korrupsionit se mund t’u marrë juve t’ju vërë
prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit” (Citohet
sipas: “Meta në VOA: Emri im në aferën
CEZ? Nisni gazetarinë nga e para”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 29 tetor 2015).
Nënkuptohet që gazetarja e nderuar Ardita Simiçia, është
nisur nga disa fakte konkrete kur zotërisë Ilir Meta i pati drejtuar dy pyetjet
e mësipërme për luksin ku jeton, në kushtet kur mjerimi ekonomik ka pllakosur
pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit për faj të oligarkëve të politikës,
mes të cilëve edhe kryetari i Kuvendit zë kryet e vendit.
Është vërtet e çuditshme se si është e mundur që zotëria Ilir
Meta kërkon t’i bishtënojë përgjigjes për pyetjen e gazetares, duke u shtirur
sikur nuk e kuptuakej se për çfarë luksi e kishte fjalën gazetarja, sikur vetë
ai nuk jetuaka në mes të luksit dhe sikur nuk qenkej ai që organizoi një pritje
me salltanete të mëdha me rastin e 45-vjetorit të lindjes.
Në mjetet e informimit masiv është bërë i njohur publikisht
edhe ky fakt konkret për jetën luksoze që bën zotëria Ilir Meta, për çka
gazetarët e Zërit të Amerikës, si zëdhënës të drejtpërdrejtë të Departamentit
të Shtetit, kanë qenë në dijeni me kohë e me vakt:
“Vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit është 2000 m²
bashkë me oborr ku janë mbjellë ullinj dhe palma gjigante që u sollën me
helikopter. Ndërsa brenda vilës ndodhen shumë dhoma dhe 11 wc. Mobilimi besohet
se kushton mbi 400 mijë euro. Vetëm kolltuqet “skavolini” kushtojnë 32 000
euro, shkruajnë sot disa media on line, mbështetur në një emision të gazetares
Sonila Meço. Kjo është thjesht vila për fundjava, sepse ata jetojnë në një
pallat 5-katësh në qendër të Tiranës, në zonën e bllokut, ku 4 kate janë banesa
e tyre.
Këto janë fotot e bëra gjatë një interviste të dhënë
për mediat nga bashkëshortja e kreut të LSI, Kryemadhi, e cila është edhe
deputete. Sipas Monikës, edhe macja ka tualetin e veçantë për të kryer nevojat personale” (Citohet
sipas: “Vila luksoze e Ilir Metës me 11
wc”. Marrë nga faqja e internetit “kosovarja.biz”.
31 tetor 2015).
Në një artikull të
botuar para do kohësh në gazetën “Telegraf”,
e cila dallohet për denoncimin e korrupsionit në vendin tonë, flitet për milionerët e institucioneve
qendrore dhe të qyteteve kryesore. Këtë herë, në artikull jepet një pasqyrë me të dhëna konkrete për pasurinë e
oligarkëve-milionerë të njërit prej qyteteve kryesore dhe, konkretisht, të
qytetit të Elbasanit. Milionerët e këtij qyteti punojnë në mjekësi, në gjykatë,
në prokurori, në avokaturë e në noteri, në polici, në banka dhe në arsim.
Më bëri shumë
përshtypje fjala “arsim”. Dhe me siguri që gazeta e ka fjalën për arsimin e
lartë, pra, për pedagogët e universitetit. E kam të vështirë ta përfytyroj se
si është e mundur që një pedagog të marrë para nga studentët e vet, për t’u
vënë nota kaluese. Kam punuar vetë pedagog në universitet, deri sa dola në
pension në vitin 2003, dhe marrëdhëniet me studentët i kam pasë vlerësuar si të
shenjtëruara. Një pedagog universiteti që merr para nga studentët, si mund të
ketë sy e faqe të dalë para tyre në auditor gjatë zhvillimit të leksioneve dhe
të seminareve, apo gjatë përballjes me ta nëpër këmbësoret e qyteteve? Ky është
degjenerim deri në përmasat e neverisë, që më solli në kujtesë një ngjarje
konkrete që u pasqyrua para disa vjetësh në mjetet e informimit masiv:
“Denoncimi i disa studentëve të
Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për marrje ryshfeti, ka bërë që
policia e këtij qyteti të arrestojë në flagrancë pedagogun e gazetarisë, Isidor Koti, me një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra, të ndara
në zarfe” (Citohet sipas: “Merrte para nga studentët, arrestohet Isidor Koti”.
Marrë nga faqja e internetit “albeu”.
15 shtator 2012).
Ndër të tjera, në
artikullin e gazetës “Telegraf”
thuhet:
“Kushdo që ka drejtuar dhe ka ikur nga posti,
e pakta, ka ikur me një pasuri prej 150 mijë euro, e cila është pesëfishuar më
pas me shitjen e pronave të fituara gjatë kohës që kishte në dorë “zgjidhjen” e
halleve dhe problemeve të qytetarëve… Ka milionerë të këtyre rangjeve që kanë
deri 18 apartamente në Elbasan dhe që kanë nisur t’i japin me qira ose t’i
shesin. Shtresa e milionerëve në rrethe është krijuar dhe ka ardhur qetë-qetë
në rrugën e saj, duke iu shmangur rreziqeve të ligjit. Ata kanë krijuar
imunitetin e tyre dhe i gjenden njëri-tjetrit, sa herë u kanoset ndonjë hetim,
ndonjë kallëzim apo ndëshkim ligjor. Ata nuk i prek as “dekriminalizimi” që
pritet të miratojë Kuvendi, pasi e quajnë veten me mburrje “të paprekshëm”
(Citohet sipas: “Milionerët e
institucioneve qendrore dhe “bejlerët” e qyteteve kryesore”. Marrë nga
faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12
janar 2016).
Këtu duhet të kemi
parasysh faktin që qeveria Rama kërkon zbatimin e rreptë të ligjit, por vetëm
në raport me shtresat e varfra të popullsisë dhe aspak në raport me oligarkët.
Madje edhe atëherë kur pasojat mund të jenë tragjike. Para pak kohësh, publiku
i gjerë u njoh me një ngjarje të kobshme si më poshtë:
“Pasi e lanë prej muajsh në terr, duke i ndërprerë
energjinë elektrike, sepse nuk kishte mundësi të paguante, sot është ndarë nga
jeta.
Bëhet fjalë për një të moshuar 91-vjeçare nga fshati
Fang i Mirditës. Barbulla Pepa jetonte e vetme në kushte të varfërisë ekstreme.
Fqinjët e saj e kanë gjetur të vdekur në shtëpinë
tejet të vjetër dhe pa kushtet më minimale. Po fqinjët kanë hapur dyert për
mort për nënë Barbullën.
Rreth një muaj e gjysmë më parë, përmes medias, ajo i
bëri apel OSHEE-së t’i rilidhte energjinë, sepse nuk kishte mundësi ta
paguante, por thirrjet e 91-vjeçares ranë në vesh të shurdhët” (Citohet sipas: “OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, vdes
nga të ftohtit e moshuara”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 11 dhjetor 2015).
Pra, atë plakë të gjorë OSHEE-ja nuk e mëshiroi, sepse
zbatoi urdhrin që lëshoi kryeministri Rama për ndërprerjen e energjisë
elektrike, pavarësisht nga rrjedhojat tragjike që mund të vinin më pas. Nuk e
di se sa i rëndon në ndërgjegje kryeministrit Rama vdekja e saj plake të mjerë.
Kjo ngjarje e dhimbshme më kujtoi përmbajtjen e një shkrimi të qytetarit rus
Vladimir Garmatjuk nga qyteti Vollogda, të cilin e kishte botuar në internet më
27 korrik 2010. Në atë shkrim ai e cilësonte kryeministrin Putin si mbrojtësin
e oligarkëve dhe si kamxhikun e shtresave të varfra të popullit rus.
Para pak ditësh,
duke shtegtuar nëpër faqet e internetit, hasa rastësisht në një intervistë, të
cilën gazetari i mirënjohur i zërit të Amerikës, zotëria Ilir Ikonomi, ia
kishte marrë profesorit të shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan,
Grid Rroji. Në njërin nga mjetet e informimit masiv lexova informacionin e
mëposhtëm, ku ndoqa edhe videon e intervistës:
“Zëri i Amerikës e
komentoi projektligjin e qeverisë për kriminalizimin e shpifjes si tentativë të
kryeministrit Edi Rama për t’i mbyllur gojën medias. Duke e komentuar reagimin
që shkaktoi kjo nismë ligjore, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, në
një intervistë me doktorantin e shkencave politike në Universitetin e Nju
Jorkut në Manhatan, Grid Rrojin, u shpreh:
“Në Shqipëri pati një valë kundërshtimesh të
forta ndaj propozimit të kryeministrit për burgim deri në 3 vjet për shpifje
apo fyerje ndaj figurave shtetërore. Megjithëse qeveria duket se po tërhiqet,
kjo u pa si një masë për t’i mbyllur gojën medias. A është kjo diçka
shqetësuese për ju, sepse vërtet kemi parë nga zyrtarët më të lartë arrogancë
ndaj gazetarëve, për shembull, kur tentohet të flitet për korrupsionin dhe
pasuritë e politikanëve? Pak ditë më parë, ndaj gazetares së Zërit të Amerikës,
Ardita Simiçia, pati një reagim të ashpër të kryetarit të kuvendit, Ilir Meta,
i cili u pyet gjatë vizitës në SHBA mbi akuzat për korrupsion dhe pasurinë e tij”
(Citohet sipas:
““Shpifja”/ Zëri i Amerikës: Rama
tentoi t’u mbyllë gojën mediave. Zyrtarët e lartë sillen me arrogancë”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 13 nëntor 2015).
Gjatë ndjekjes së
intervistës, mësova se, siç e përmendi zotëria Ilir Ikonomi, profesori Grid
Rroji, pak muaj më parë, kishte botuar librin mjaft interesant me titull “Paria e rrethit të ferrit”. Pasi e
ndoqa intervistën deri në fund, u interesova në faqet e internetit për adresën
elektronike të profesor Rrojit dhe sapo e gjeta, i nisa një mesazh, ku e
falënderova për botimin e librit dhe i shpreha dëshirën për ta blerë. Shumë
shpejt, profesor Rroji më ktheu përgjigje me falënderimet përkatëse, duke më
dërguar edhe librin në formatin pdf. Librin prej 407 faqesh e lexova me shumë
kënaqësi. Në këtë libër, autori ka bërë një analizë të hollësishme të periudhës
çerekshekullore, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të
zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë
formatin e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një
shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Mjaft citate të
shkëputura prej këtij libri, do të ishte interesante sikur të përfytyroheshin
të afishuara anës bulevardit qendror të Tiranës, anës bulevardeve të qyteteve
kryesore dhe të autostradave të vendit.
Ja disa nga këto
citate:
“Kriza ekonomike, dështimi i projektit
politik të integrimit, rrënimi moral i shoqërisë dhe mungesa e zgjidhjeve të
ofruara nga paria, kanë krijuar një situate, e cila, fatkeqësisht, ngjason
shumë me një tenxhere me presion mbi zjarr”.
“Parisë i nevojitet një kulturë
kriminale për të justifikuar vjedhjen e pasurisë publike, pasurimin e saj të
shpejtë, duke menduar se ky popull kaq e ka takatin. Paria vepron me moton
“sipas kokës edhe festen”, sepse nuk e vlerëson popullin shqiptar. Mirëpo,
kultura kriminale e parisë nuk prodhon zgjidhje të problemeve, por i
shumëfishon ato. Si pasojë, në momentin që qytetarët do të ndërgjegjësohen që
paria i ka mashtruar paturpësisht dhe u ka mohuar një të ardhme me nder, rruga
që u mbetet është përplasja me parinë”.
“… i ashtuquajturi “model integrues”
kufizon ndjeshëm sovranitetin e Shqipërisë, duke rrezikuar qenësinë e shtetit
shqiptar. Në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotëron modeli i shtetit-komb dhe ku
të gjithë aktorët janë në luftë të vazhdueshme për mbijetesë, çdo shtet i varur
nga të tjerë është detyrimisht i rrezikuar”.
“Integrimi është një rrenë e madhe,
sepse jo vetëm, siç shprehet studiuesi gjerman Jens Bastian, “nuk ka gjasa që
BEja të zgjerohet në Ballkan të paktën deri në 2020”, por edhe sepse Shqipëria
nuk shihet në Europë si material zgjerimi”.
“Integrimi është një rrenë e bukur, e
cila nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm e më tej, dhe
aspak gjasë të na ndihmojë për të kapërcyer krizën e thellë politike dhe
shoqërore ku jemi. Sistemi i ndërtuar mbi rrenën e madhe të integrimit është i
dështuar, dhe i shërben mbajtjes nën sundim të shqiptarëve me anë të
propagandës”.
“Na thuhet se do të marrim miliona euro,
një tjetër gënjeshtër e pastër, sepse edhe sikur Europa të na priste me tabaka
me euro tek porta, sistemi i vjeljes së këtyre fondeve është në bazë të
kapaciteteve aplikuese të strukturave të shtetit, të cilat janë jo vetëm të
paafta, por edhe në funksion të sistemit korruptiv që ka instaluar”.
“Mungesa e një force politike serioze,
me karakter kombëtarist, është një nga boshllëqet vështirësisht të shpjegueshme
që ka krijuar tranzicioni, dhe që duket se nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë”.
[Në emisionin shumë të ndjekur të
gazetarit të mirënjohur Rezart Xhaxhiu të datës 21 janar, ndoqa intervistën që
ai i mori drejtuesit të lëvizjes “Reago”,
zotërisë Leonard Dedej. Në përgjigjet e veta, zotëria Dedej i bëri
radiografinë situatës së rëndë ekonomike që mbizotëron në vend dhe demaskoi paq
klasën politike shqiptare. Në fund ai deklaroi se, së bashku me miqtë e vet,
janë duke përgatitur kushtet për krijimin e një partie të ekstremit të djathtë.
Nënkuptohet vetvetiu që varfëria ekstreme që paria pushtetore i ka imponuar
shumicës dërrmuese të qytetarëve, do të pjellë domosdo edhe një reagim ekstrem.
Prandaj profesori Grid Rroji ka shumë të drejtë kur thotë se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. Do
ta shikojmë në praktikë se cili do të jetë programi i partisë së zotërisë
Dedej, cila do të jetë platforma, mbi të cilën mbështetet programi i saj dhe le
të shpresojmë se kjo parti nuk do të përfundojë në një flakë kashte, si puna e
partisë së zotërisë Kreshnik Spahiu.]
“…paria e Tiranës e ka frikë më shumë se
çdo gjë tjetër kombëtarizmin, sepse ndërtimi i shtetit-komb presupozon
vendosjen në plan të parë të interesave kombëtare. Duke qenë se interesat kombëtare
nuk përkojnë me interesat e ngushta të pasurimit dhe të shfrytëzimit të
popullit nga paria, kjo e fundit gjatë këtyre 23 vjetëve ka bërë ç’është e
mundur për ta thelluar grimcimin e shoqërisë…”.
“Kombëtarizmi shqiptar nuk është shpikje
e asnjë individi, por një frymë e mbrujtur ndër shekuj”.
“Udhëheqësit politikë shqiptarë të të
gjitha palëve janë kriminelë të veshur me kostume, të cilët kush më shumë e
kush më pak nuk ngurrojnë t’i lyejnë duart me gjakun e shqiptarëve për të
mbërritur objektivat e tyre”.
“… palët kanë krijuar modelin e
politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të klanit përkatës, pa
kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i paevitueshëm, por
shprehje e vullnetit të qartë të parisë për ta zvetënuar skenën politike dhe
për ta sunduar më kollaj popullin”.
“… nëse duam ndryshim të vërtetë, duhet
ndryshuar sistemi i vlerave, jo hajdutët”.
“Shqiptarët, kudo që jetojnë nëpër botë,
sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të rasteve, dinë të shfrytëzojnë
liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë arritur të bëhen politikanë
të suksesshëm në vendet pritëse. Shumica dërrmuese e tyre nuk vjedhin, nuk
vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele mafioze. Kjo shumicë
punon dhe fiton me gjak dhe djersë, shkollon fëmijët dhe e mban një sy
gjithmonë nga atdheu. Kësisoj, problemi nuk janë shqiptarët, por sistemi
politik dhe mendësia katundare që na ka imponuar paria”.
“… ne na duhet një shtet i mbështetur
tek vlerat që garanton sundimin e ligjit. Çdo zgjidhje tjetër na çon në hulli
të pakëndshme e na lë nën thundrën e kësaj parie të zvetënuar, e cila tashmë e
ka tejkaluar çdo cak të maskarallëkut. Hapi i parë drejt këtij fillimi të ri
është të ruajmë nderin e t’i vemë një kryq të madh votës”.
“Morali i zvetënuar i parisë dhe mungesa
e zgjidhjeve për të jetuar me nder në atdhe, ka shkaktuar një zhgënjim masiv, i
cili po pasqyrohet tek ikja masive dhe zbrazja e fshatrave nga Jugu në Veri”.
“Opozita sot janë shqiptarët, ata që nuk
kanë më shpresë tek paria, ata që po detyrohen ta lenë vendin me turravrap, por
edhe ata të rinj e të reja në diasporë, të cilët kanë tashmë përvojë në shtete
funksionale, por dhe e ruajnë në shpirt dashurinë për kombin shqiptar. Pra, nga
pikëpamja ideologjike, opozita e vërtetë e ka të përcaktuar tashmë rrugën e
vetme drejt ringritjes së shqiptarëve. E vetmja zgjidhje është ndërtimi dhe
konsolidimi i shtetit- komb”.
“Paria e Tiranës nuk ka më ku dhe si të
fshihet. Ajo përbëhet nga palë të kriminalizuara, të cilat kanë vjedhur shqiptarët
pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, sepse ata nuk e duan popullin e vet”.
Sigurisht që
paria e Tiranës nuk e do popullin e vet. Sepse mungesën e respekti ndaj tij ajo
e ka trashëgim nga diktatori Enver Hoxha, i cili, së bashku me kastën kriminale
të Byrosë Politike, të mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e
bajonetave të Gardës së Republikës, popullit shqiptar, me terrorin që ushtroi
ndaj tij, ia futi frikën në palcë. Kjo frikë, për inerci, po vazhdon të
manifestohet edhe në ditët tona, përderisa qytetarët nuk janë në gjendje të
vetorganizohen dhe t’i tregojnë vendin mafies politike në pushtet përmes
protestave të fuqishme paqësore në mbarë vendin dhe nëpërmjet bojkotimit
tërësor të procesit zgjedhor.
Duhet theksuar fakti
që Kontrolli i Lartë i Shtetit, me dr.
Bujar Leskaj në krye, deri tani ka bërë një punë të shkëlqyer me kontrollet e
ushtruara, duke zbuluar dhe duke denoncuar në organet e (pa)drejtësisë abuzime
të rënda me fondet publike dhe në dogana. Por, fatkeqësisht, askush nga
zyrtarët e lartë, qofshin këta ministra apo deputetë, nuk është vënë para
përgjegjësisë penale prej organeve të drejtësisë për grabitjet e rënda të
shumave kolosale nga arka e shtetit.
Pra, rezulton se që
nga organet qendrore dhe deri te qeveritarët lokalë, është krijuar një mjedis
korruptiv që ka kapur për fyti shtetin dhe po varfëron në një mënyrë të
pandalshme pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit. Kjo ndodh për arsye se në
vendin tonë nuk ka opozitë të vërtetë. Sepse po të kishte, ajo duhej të luante
rolin që i takonte në mbrojtje të
standardit të jetesës së qytetarëve të vendit. Shkrimtari dhe publicist i
njohur amerikan Ambroz Birs (Ambrose Bierce 1842-1914), thotë:
“Opozita në politikë
është një parti, e cila nuk e lejon qeverinë të bëjë akte çmendurie, duke ia
prerë asaj gilcat e gjurit”.
Gazetarja Ardita Simiçia, siç u
përmend më lart, i përcolli kryetarit të Kuvendit informacionet që i shkojnë
Radios Zëri i Amerikës nga qytetarë
shqiptarë:
“Pyetja e vetme që marrim
ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike shqiptare duhet të
largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar”.
Kjo është një e vërtetë tragjike për
fatet e vendit tonë. Kjo dëshmon më së miri se klasa politike është bërë si uji
i ndenjur dhe ka vite që kutërbon erë të keqe, sepse noton në llumin e krimit
ekonomik. Për pasojë, edhe sistemi i (pa)drejtësisë është strukturuar asisoj,
që të mbrojë vetëm interesat e kësaj klase politike me moral të degjeneruar.
Prandaj të kërkosh kryerjen e reformës në drejtësi prej kësaj klase politike,
është njëlloj sikur të kërkosh dardha nga boriga.
Duke pasur parasysh
situatën e krijuar, do të ishte fantastike sikur të bëhej një reformë me të
vërtetë rrënjësore në drejtësi, e cila do të mund të vinte para përgjegjësisë
ligjore të gjitha ata që kanë shkelur rëndë ligjin, pavarësisht nga postet që
mbajnë, që kanë grabitur pasurinë kombëtare dhe qytetarët e thjeshtë dhe që
kapitalin financiar e kanë depozituar në banka të vendit ose të huaja, me
siguri, me emra të tjerë. Por problemi është se ku t’i gjejmë ata prokurorë dhe
ata gjykatës, të cilët, jashtë rrezes së ndikimit të politikës, do të mund ta
merrnin në dorë situatën e krijuar, në mënyrë që t’i vinin fajtorët në bankën e
të akuzuarve dhe kapitalet e grabitura prej tyre, të vendosura me të tjerë emra
nëpër banka, duke filluar që nga Shqipëria, nga Zvicra e deri në Qipro apo
gjetiu, t’ia kthenin Bankës së Shtetit, çka do të krijonte kushte për rritjen e
pensioneve minimale dhe të pagave të ulëta. Jam i bindur se kjo mbetet një
ëndërr në diell, por, si qytetarë i Republikës së Shqipërisë, e ndiej për
detyrë ta shpreh publikisht. Sepse politika dhe (pa)drejtësia bashkëpunojnë
ngushtë me njëra-tjetrën dhe, së bashku, vërtiten në një qerthull kriminal, për
të cilin nuk mund të gjendet kurrfarë ilaçi që t’i bëhet dermani. Fakti që
organet e (pa)drejtësisë kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për abuzimet e
rënda që ka denoncuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që nga doganat e deri te
tenderat, është dëshmia më kuptimplote e humnerës së thellë që ndanë qytetarët
e thjeshtë të vendit nga “bëjlerët” e politikës dhe e kotashpresave
(iluzioneve) që mund të ushqejë ndokush se mund të kryhet me të vërtetë ndonjë
reformë në (pa)drejtësi. Sepse oligarkët kriminalë të politikës shqiptare kanë
ditur si ta bëjnë “tenxheren” e krimit, por, në të njëjtën kohë, ata ia kanë
gjetur asaj edhe “vjegën” e duhur. Prandaj them se reforma në drejtësi do të na
vërtetojë në praktikë se si do të “mbarset mali” për të “pjellë një mi të
ngordhur”.
Është për t’u
përshëndetur angazhimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
konkretisht i Departamentit të Shtetit, të cilët, përmes ambasadorit të nderuar
Donald Lu, kërkojnë ndëshkimin e krimit ekonomik dhe kryerjen e reformave të
thella për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por unë mendoj se
reforma në (pa)drejtësinë shqiptare mund të kryhet vetëm atëherë, nëse atë e
marrin në dorë juristë, prokurorë amerikanë, të cilët, me gjakftohtësinë e tyre
profesionale, në bashkëpunim të ngushtë edhe me juristë, prokurorë të
pakorruptuar vendës (se duhet shpresuar se të tillë duhet të ketë), do të
zbulojnë rrënjët e krimit ekonomik në Shqipëri, duke ia bërë të njohur publikut
shqiptar. Sepse vetëm kështu do të mund të shkulet nga themelet mafia politike
në pushtet dhe të gjithë fajtorët do të mund të marrin dënimet e merituara për
krimet e kryera, që të bëhen shembull për pasardhësit e tyre, në mënyrë që në
Shqipëri të hidhen një herë e mirë bazat e shëndosha për funksionimin e një
shteti juridik. Sepse juristët dhe prokurorët amerikanë janë rritur, edukuar
dhe shkolluar në atdheun e Tomas
Xheferseonit (Thomas Jefferson 1743-1826), autorit të Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, i
cili u ka lënë ca fjalë të arta pasardhësve të vet:
“Përkujdesja për jetën
dhe lumturinë e njerëzve është e para dhe e vetmja detyrë e ligjshme e një
qeverie të mirë”.
Për mendimin tim,
vetëm në këtë mënyrë do të mund të bëhet shpëtimi i tretë i Shqipërisë, por
këtë herë nga oligarkët e kriminalizuar të politikës shqiptare, të cilët i kanë
poshtëruar në një mënyrë të paimagjinueshme qytetarët shqiptarë me varfërinë
skandaloze që u kanë imponuar. Sepse vetëm kështu do të krijohen kushte që, nga
radhët e brezit të ri, të intelektualëve të përgatitur në Perëndim, dhe sidomos
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të intelektualëve të ndershëm dhe
atdhetarë vendës, jo të etur për pushtet personal dhe familjar, të dalin
personalitete të spikatura, të cilat, edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të
Uashingtonit, do të mund të krijojnë një formacion të ri politik, që të marrë
në dorë fatet e vendit dhe ta shpëtojë atë një herë e mirë nga oligarkët e
tanishëm kriminalë të politikës shqiptare, duke ndërtuar një shtet-komb. Sepse,
në kushtet e tanishme, siç thekson me shumë të drejtë profesori Grid Rroji, “Amerika e Xhorxh Uashingtonit nuk mbështet politikanë
që kërkojnë me çdo kusht pushtet personal e familjar, duke rrënuar të ardhmen e
kombit të tyre, duke cënuar institucionin e votës apo duke nxitur përmbysje të
dhunshme të shtetit. Për rrjedhojë, Amerika nuk mbështet asnjë nga palët” (Grid
Rroji. “Paria e rrethit të ferrit.
Analiza, vëzhgime, përjetime”. Shtëpia botuese “Onufri”. Tiranë 2015, f. 87).
Santa Barbara, Kaliforni
28 janar 2016