2021-12-28

INTELEKTUALI QË SHKROI HISTORINË DHE BËRI HISTORI

 Afrore SHAIPI



Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Me rastin e 99 vjetorit të lindjes, kujtojmë jetën dhe veprën e intelektualit dhe patriotit të shquar

 

Patriotizëm do të thotë ta duash vendin tënd. Patriotizëm është ta mbrosh atdheun e kombin tënd kudo e kurdo. Me vepra e me fjalë. Ta mbrosh edhe me armë po qe nevoja, po edhe ta respektosh me dije e shkencë për t’ia ngrite ne piedestal kulturën dhe civilizimin e tij. Kushdo që bën një gjë të tillë, pasqyron më sinqerisht ndjenjën e atdhedashurisë. Këta njerëz janë të paktë. E në mesin e tyre ka vend edhe për historianin e parë të Kosovës Lindore, profesorin e shquar Ibrahim Kelmendin.

 

Në gjurmët e të parëve, drejt rrugës së dijes

I lindur më 16 prill 1916, në një familje qytetare dhe arsimdashëse të Preshevës, ai pati një fëmijëri të mundimshme e të vuajtur. U rrit pa kujdesin e plotë familjar, në një vend me probleme të shumta etnike e politike, ku bashkëkombasit e tij urreheshin e përbuzeshin. Nisi të shkollohej në shkolla me propaganda të forta antishqiptare, por ja që kurrë, në asnjë moment nuk ra pre e ndikimit të tyre. Përkundrazi, i kundërshtoi hapur dhe ashpër!

Përkundër rreziqeve e peripecive, qe i vendosur të ndjekë gjurmët e të atit. Iu përkushtua rrugës së dijes e shkollës. Vetëm se i ati kishte studiuar drejtësinë në Universitetin e Stambollit, kurse ky u përcaktua për degën e Historisë në Universitetin e Beogradit (1938). Zgjodhi historinë, sepse donte me çdo kusht ta dëshmonte historinë, origjinën, gjuhën e kulturën shqiptare, që të tjerët mundoheshin vazhdimisht ta fshinin, ta zhduknin apo ta shtrembëronin. Vitin e parë e kreu në Shkup, të dytin dhe të tretin në Beograd, semestrin VII në Peruxhia të Italisë, kurse semestrin VIII në Zagreb, ku edhe diplomoi më 1942. Lëvizi shumë, sepse asnjëherë nuk mund t’i duronte deri në fund ligjeratat propagandistike antishqiptare, me falsifikime e keqintrepretime. Do t’i kundërshtonte gjithmonë, prandaj dhe do të sanksionohej. Por dënimet dhe pengesat se ndalnin dot, se edhe ai vetë pati deklaruar “…do t’i qëndroj gjithmonë besnik gojëdhënave e rrëfimeve që kam dëgjuar që në vegjëli nga familjarët dhe paraardhësit e mi në Preshevë”. Dhe me të vërtetë i qëndroi besnik. Madje arriti edhe t’i dokumentojë në fakte e vepra që do t’i botonte në vitet në vijim.

Njeriu i pendës dhe i luftës

Pas diplomimit, Ibrahim Kelmendi nisi punën si profesor i historisë e pastaj edhe zv.drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Jo vetëm si profesor, por edhe gjatë kohës kur ishte student, duke i ndihmuar studentët e tjerë shqiptarë, Ibrahim Kelmendi dha kontribut të paçmueshëm në vetëdijësimin e gjeneratave të reja, për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, për të respektuar dhe mbrojtur kombin dhe gjuhën e pastërt shqipe. Ai pati ndikim në shumë njerëz, prandaj dhe gëzoi respektin e shumë prej tyre. Si një antifashist i devotshëm, ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Ishte anëtar aktiv i kreut të ngushtë të Komitetit të Intelektualëve  të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare dhe ishte në organin drejtues të Komitetit Demokratik Shqiptar.

Por, atdhedashuria, e mishëruar aq fuqishëm në personalitetin e tij, kishte jo vetëm anën intelektuale, të pakrahasueshme për kohën dhe vendin ku  jetoi, por ngërthente edhe shpirtin guximtar e luftarak për të qenë gjithmonë i gatshëm t’i dalë në mbrojtje vendit të vet. Kjo u pa edhe më 1944 kur si shumë bashkëvendas të tij, me pushkë në dorë mori pjesë aktive  kundër forcave sllavopartizane në përleshjet në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësi të Preshevës e Drenicë. Kelmendi nuk e pranonte asnjëherë robërinë. Do të kërkonte me çdo kusht lirinë dhe prosperimin e popullit të vet. Ky ishte qëllimi i tij parësor dhe s’do të kishte asnjë frymë apo ideologji që do ta ndalte. Një bindje e këtillë, do t’i kushtonte shumë. Gjatë tërë jetës. Shumë herë do t’ia rrëmbente edhe lirinë nëpër burgje e kampe. Do të bëhej viktimë e kërcënimeve, që do t’i sillnin çdo ditë vdekjen më pranë. Por sado pranë të kishte vdekjen, dëshira e madhe për të realizuar ëndrrën e tij, ia shtonte jetën. I jepte kurajo. I jepte vullnet.

Kundërshtar i përjetshëm i komunizmit

Ai gjithmonë vepronte për të mirën e popullit, edhe pse kjo nuk i shkonte përshtat regjimeve të atëhershme. Qëndrimi i tij i palëkundur se“komunizmi është një proces jo natyror” , do ta vendoste atë në anatemën titiste e enveriste.. Si ithtar i përheshëm i idealit të lirisë dhe demokracisë, Ibrahim Kelmendi besonte se vetëm ky parim do të duhej të jetë e ardhmja e shqiptarëve. Ndonëse i përndjekur vazhdimisht, ai e dinte se atdheu duhet dashur e respektuar, edhe atëherë kur udhëhiqet nga njerëz jo të duhur. Sepse ai ashtu e donte edhe vetë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e tij në një kohë, kur kompani shqiptare e të huaja po përgatitnin një grup diversantësh shqiptarë që të zbarkonin në Shqipëri për të përmbysur regjimin komunist. Atëbotë, Ibrahim Kelmendi me miqtë e tij të ngushtë patën deklaruar “Ne nuk do të shkojmë kurrë në Shqipëri që të vritemi në luftë kundër shqiptarëve të atjeshëm, apo edhe të vrasim ushtarë shqiptarë. Shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë luftuar dhe do të luftojnë për bashkim me Shqipërinë e jo kundër saj…Nëse dëshironi t’i dërgoni kosovarët ta luftojnë komunizmin diku, atëherë na ndihmoni të shkojmë në Kosovë dhe në Serbi dhe atëherë do të shihni se si luftohet dhe si vdiset për ideale dhe kundër komunizmit”. Pas kësaj vendosmërie të prerë, e vetmja rrugë që i mbeti ishte ajo e mërgimit drejt Australisë së largët.

Zëri i shqiptarëve, nga Australia e largët

Vazhdoi jetën në atë pjesë të botës, shumë larg familjes, miqve e vendlindjes. Por mendja dhe zemra i ngeli përgjithmonë këtu, tek ne. E vetmja mënyrë për t’i ndenjur pranë bashkëkombasve, ishte të vazhdonte aktivitetin e tij politik e intelektual edhe atje. Prandaj dhe botoi me dhjetra shkrime e dokumente nëpër gazetat shqiptare në diasporë si: “Albania” e Bostonit, “Albania” e Romës, “Përpjekja e Jonë” e Nju Jorkut, “Flamuri” i Ballit Kombëtar, “Besa” e Stambollit, “Koha jonë” e shumë të tjera. Gjatë jetës, ka lënë shkrime shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve si:  “Ilirët në protohistori-origjina,kultura dhe përhapja e tyre”, “Prej Miteve deri në Butmir”, “E vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi”, “Përbërja etnike dhe historike e Kosovës”, “Kosova në luftë me komunizmin”, “Perspektiva e imperializmit serb”, “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë” e kështu me radhë…

Historiani i parë i Kosovës Lindore

Ndonëse, në kohët e sotme këto dukuri janë studiuar edhe më gjerë, nuk duhet harruar, se për kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi Ibrahim Kelmendi, aftësia e tij për t’i realizuar këto studime, mbetet unike dhe e pamohueshme. Kjo e veçon atë nga të tjerët. E bën ndër ilirologët e parë në tërë trevën e Kosovës. E ngre në nivelin më të lartë të intelektualëve të kohës së tij. Profesor Kelmendi, me veprën dhe vet jetën e tij, e nderoi kombin. Dhe sot, pas vdekjes, kombi duhet ta nderojë atë. Ta nderojë me mirënjohje të thellë, për shërbimin që ia bëri. Në luftë dhe në paqe. Me armë dhe me pendë. Më 1979, vdekja i mori trupin, por vepra i ngelet përjetë. Ai do të kujtohet gjithmonë, si një personalitet shqiptar i dalluar, ku mishëroheshin bujaria, guximi, urtësia, arsimimi, idealet dhe patriotizmi. Me një fjalë ai do të mbetet gjithmonë simbol shqiptar i qytetërimit, që Presheva e vogël ia dhuroi Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

MEHMET PASHË DËRALLA, NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT

Mehmet Pashë Dëralla

Mehmet Pashë Dëralla i rrethuar në foto

Mehmet Pashë Dëralla është një ndër figurat e shquara të Kombit Shqiptar. Ai lindi në Gradec të Tetovës në vitin 1843. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Ishin vite kur ndjenja e fortë e lirisë dhe e shpëtimit kombëtar po rritej me shpejtësi në të gjitha trojet shqiptare.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare familja Derralla, ka qenë në çdo kohë në radhët e para të barrikadës ndaj çdo rrebeshi, të paepur në stoicizmin e tyre, ajo është përballur me hordhi armiqësh ,duke mbrojtur me heroizëm trojet shqiptare. Në familje Mehmet Dëralla mësoi shumë për të kaluarën e popullit shqiptar dhe më pas, kjo ndjenjë e kultivuar do ta bënte një luftëtar të paepur për lirinë e kombit shqiptar.

Mehmet Pashë Dëralla njihet në memorien historike si një ndër protagonistët e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878 dhe ishte një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë… Ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Arsimin fillor e kreu në Tetovë, kurse atë të mesëm në qytetin e Shkupit. Pas shkollimit në vendlindje, studimet e larta i ndoqi në Akademinë Ushtarake të Turqisë. Pas diplomimit, do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekë shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Në moshën 35-vjeçare u gradua Pasha (Gjeneral) i Perandorisë Osmane . Gjenerali i ri u emërua komandant xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë. Nga Siria u transferua në Selanik, më pas transferohet në vilajetin e Kosovës, ku vendoset me detyrë në kryeqendrën e tij, në Shkup. Në vijim e shohim në funksionin e qeveritarit dhe komandantit të qarkut të Prizrenit që përfshinte edhe Gjakovën, Tetovën dhe Lumën.

Gjenerali i ri, Mehmet Pashë Dëralla, në kulmin e karrierës së tij e hoqi uniformën osmane të pashait, për të mos e veshur më kurrë gjatë gjithë jetës së tij,sepse ishte vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u emërua këshilltar i njërit prej udhëheqësve popullorë të Lidhjes Shqipatre të Prizrenit, Sulejman Vokshit.

Mehmet Dëralla së bashku me babanë e tij ishin në vijën e parë të frontit të luftës për liri. Babë e bir treguan gatishmëri të lartë për të sakrifikuar gjithçka për idealet kombëtare shqiptare.

Lidhja e Prizrenit u shtyp, por Mehmet Pasha nuk hoqi dorë nga idealet e tij. U aktivizua përsëri në Lidhjen e Pejës ,nën drejtimin e Haxhi Zekës. Mehmet Pashë Derallën e internuan në Bagdad për t’i prerë çdo mundësi kontakti me Shqipërinë

Në dokumentat e botuara shkruhet : “Kryengritja xhon-turke e vitit 1908, që u pasua nga një amnisti e përgjithshme, i dha mundësi Mehmet Pashës të rikthehej në funksione të larta në ushtrinë osmane. Në Stamboll mendonin se ai do ta mirëpriste rehabilitimin dhe riveshjen e uniformës së gjeneralit osman. Pas dy dështimesh të hidhura, a nuk ishte rasti që ai të mendonte, më në fund, edhe për veten e familjen e tij, për të ardhmen e tij dhe njëherësh për prosperitetin e të tijve, për një jetë të qetë e të lumtur? Mirëpo për çudinë e shumë turqve dhe të pak shqiptarëve që nuk e njihnin sa e si duhet, Mehmet Dëralla refuzoi duke dhënë përgjigjen e tij befasuese: “U jam mirënjohës për bamirësinë, por tani i takoj tjetërkujt”.

Ai refuzoi, sepse fatet e Shqipërisë i qenë njësuar në vetëdije me fatet e tij. U kthye në atdhe me po atë vendosmëri të viteve të stuhishme të të dy lidhjeve historike shqiptare që mbetën vetëm si gurë kilometrikë udhërrëfyes drejt pavarësisë. E presin triumfalisht në vendlindje pas një mungese të gjatë gati dhjetëvjeçare. Tashmë ai ishte bërë i njohur edhe në qarqet më të larta të Europës. Emri i tij qe cituar edhe nga ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Bertoldt, për të cilin “Mehmet Pashë Dëralla qe një burrë me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare”.

Në vitet 1908-1912 shtëpia e Derallave në Tetovë do të shndrrohej në një çerdhe të shqiptarizmës. Mehmet Pasha dhe i biri Halimi ishin kurdoherë në krye të lëvizjeve të mëdha atdhetare,duke dhënë ndihmesë jo vetëm me trimërinë,guximin,logjikën por edhe me pasurinë e tyre.Të dy sëbashku ata do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë, trimat patriotë e atdhetarë si Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Mid’hat Frashërin, Hamdi Ohrin, Hoxhë Vokën dhe dhjetra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare. Ata do të merrnin pjesë në Kuvendin e Junikut e mandej në fillim të viteve 1912,do të komandonin çetën e parë të luftëtarëve tetovarë, e cila rroku armët për t’u bërë ballë sulmeve turke dhe atyre serbo-bullgare Mehmet Pasha ishte një nga organizatorët më në zë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Lufta e vendeve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane kishte objektiv kryesor pushtimin e trojeve shqiptare. Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të interesuara të mohonin ekzistencën e kombit shqiptar, për të realizuar aneksimin e torejeve shqiptare. Në këto ditë të tmerrshme jete ose vdekjeje për shqiptarët. Mehmet Dëralla përkrah atdhetarëve të shquar, ishte ndërmjet radhëve të para që u ngritën në këmbë për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Gjenerali Mehmet Dëralla, në luftimet e ashpra me serbët, arriti t’i mbajë trupat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Një bllokim i tillë krijoi terrenin e domosdoshëm, siguroi kushtet historike për ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Mbas Shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të qeverisë të parë të Shqipërisë të Pavarur, kryeministri Ismail Qemali , mbështetur në meritat, kapacitetet profesionale dhe atdhedashurinë e zjarrtë të Mehmet Pashë Derallës i ofroi postin i ministrit të ushtrisë kombëtare shqiptare. U formua Ministria e parë e Mbrojtjes që quhej Ministria e Luftës. Ministri i parë i luftës ishte Mehmet Pashë Dëralla. Kjo Ministri kishte një efektiv që përbëhej nga disa oficerë shqiptarë të ish ushtrisë turke, nënoficerë dhe popull të armatosur. Si detyrë kryesore këto forca kishin të organizonin mbrojtjen e qytetit të Vlorës ku ndodhej qeveria e sapo formuar dhe ta mbronte atë nga çdo lloj rreziku.

Mehmet Pashë Dëralla, u emërua Ministër i parë i Luftës , në bazë të mbledhjes së pestë të kuvendit Kombëtar të Vlorës, sipas votave të fituara. “Kjo zgjedhje u verifikua në seancën e pestë, e cila filloi më 3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra, ku nga 63 delegatë, të pranishëm ishin vetëm 57, vend i tretë i takoi gjeneralit tetovar me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit e Mufid Beut”.

Dita e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, 4 dhjetor 1912, lidhet dhe me emrin e kontributin e Mehmet Dërallas, i cili u bë organizatori dhe frymëzuesi i qëndresës me armë në dorë kundër të gjitha trupave pushtuese ballkanike që po sulmonin Shqipërinë. Ai reformoi trupat vullnetare dhe siguroi sovranitetin e Qeverisë së Vlorës.

HAFIZ ALI KORÇA DHE BOLSHEVIZMA

 Roald A. HYSA

 


Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça si askush tjetër në lëvizjen tonë politike ndërtoi një vizion të qartë dhe largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare, por edhe gjithënjerëzore. Këtë konceptim pak kozmopolit e universal ai e ndërtoi në veprën “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” 1925. Pikërisht kjo vepër duhet studiuar më gjerësisht për të parë konceptin largpamës dhe të gjerë që e karakterizoi gjithmonë Hafiz Aliun dhe për të cilin pati pasoja të ndjeshme në jetën e tij private. Me kohë Hafiz Aliu do të hetojë rrezikun e bolshevizmit dhe ideve të importuara ruse, i cili e çonte kryet lart në emër të barazisë e drejtësisë, duke krijuar një fuqi të madhe të ashtuquajtur “proletariat” për ta mbisunduar botën. Vepra “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” (1925) shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut. Ai përmes shënimeve statistikore, thekson shkatërrimet e mëdha që kishin bërë bolshevikët asokohe në Bashkimin Sovjetik. Në një mënyrë apo në një tjetër, me anë të kësaj vepre ai kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje e rëndë duke konstatuar: Si çdo atdhetar dëshiron që shtetit dhe kombit të vet t’i shërbejë sipas fuqisë që të ketë. Na duhet të përmendim që një pjesë e mirë dhe e ndjeshme e veprës së tij në dorëshkrim është zhdukur dhe po bëhen përpjekjet për ta nxjerrë përsëri në dritë nga arkivat ku e kishin fshur gjatë kohës së regjimit komunist. Kjo bëhet e kuptueshme si pasojë e rrethanave historike e politike të krijuara, të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemit diktatorial që e pasoi për një periudhë të gjatë gati pesëdhjetëvjeçare. Kontributi i tij është shumëplanësh në jetën kulturore dhe sociale të kombit tonë. Një vend të veçantë nga ana studimore paraqet edhe letërkëmbimi i tij me figura të politikës dhe shkencës. I damkosur nga regjimi komunist si klerik reaksionar dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar dënohet nga “Gjyqi i Popullit” me dëbim. Vitet e fundit të jetës i kalon në Tiranë e më pas dëbohet në Kavajë, mu për pikëpamjet e tij antikomuniste, ku edhe vdes në mjerim të plotë ky mendimtar, patriot dhe veprimtar i shquar islam më 1956. Pavarësisht nga paragjykimet politike që i janë bërë ai mbetet një figurë e shquar e plejadës së klerikëve militantë, që ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën e tyre për hir të së vërtetës. Megjithëse nga sasia e materialit që paraqet në këtë studim të shkurtër, ajo ka dalë në formën e një broshure dhe për nga ana studimore këtu paraqitet modestisht; me këto faqe Hafiz Ali Korça hyn denjësisht në historinë e mendimit politik, si i pari person që e denoncon publikisht ideologjinë bolsheviko-komuniste. Ai në këto faqe të pakta nëpërmjet disa të dhënave ve në dukje rrezikun që i kanosej nga ideologjia bolshevike, shoqërisë shqiptare, e karakterizuar nga ekuilibre delikate, në të cilën gjendej në atë kohë Shqipëria e sapodalë nga Lufta I Botërore, e cila e dëmtoi shumë vendin. Pikërisht në fillimin e viteve ’20-të të shekullit të kaluar shkëputen lidhjet e Shqipërisë me Turqinë pas rënies së kalifatit dhe shkatërrimit të tij prej Mustafa Qemalit. Në çastet e pasluftës i gjithë Perëndimi kalon në një fazë trazirash me lëvizje tronditëse sociale. Pas fitores së Revolucionit Bolshevik të Tetorit në Rusi me në krye Leninin, gjithashtu do të bënte që ekuilibret botërore të ndryshonin ndjeshëm. Rusia u gjend para ndryshimeve radikale dhe të menjëhershme. “Dekreti mbi tokën” bëri që e gjithë prona private e çifligarëve, carit dhe e institucioneve fetare t’i kalonte sovjetëve të fshatarëve, duke u kthyer në një pronë të përbashkët. Menjëherë pas dy vjetësh po me iniciativën e Leninit në kundërpërgjigje të Perëndimit, i cili përkrahu gjeneralët kozakë: Kollçakun, Denikinin, Judeniçin, Vrangelin etj., hapet në Moskë, Kongresi I i Internacionales III Komuniste. Menjëherë pas kësaj Evropën e përfshin një valë grevash, protestash e revolucionesh bolshevike siç ishin: ai në Gjermani i organizuar nga krerët e PK-së Gjermane, Roza Luksemburg dhe Karl Libkneht kur në prill të 1919-ës e shpallin Landin e Bavarisë, Republikë Sovjetike. Po ashtu Bela Kun, udhëheqësi i komunistëve hungarezë, i përgatitur në Rusi, kryeson Republikën Sovjetike të Hungarisë dhe menjëherë me anë të një fushate ushtarake dhe të disa fitoreve të njëpasnjëshme pushton Çekinë në qershor të 1919-ës dhe ngre një tjetër republikë sovjetike atje. Megjithatë një ushtri rumune e bën atë që të tërhiqet shumë shpejt, por edhe si rezultat i një politike të brendshme të dobët Republika Sovjetike e Hungarisë detyrohet të bjerë dhe Kuni largohet nëpërmjet Vjenës për në Moskë. Atje, pas shumë vitesh qëndrimi akuzohet për trockizëm dhe në një nga spastrimet e bëra nga Stalini ekzekutohet në nëntor të 1939-ës. Po kështu Italia, Franca, Anglia e Amerika përfshihen nga një valë grevash e protestash punëtore në mbështetje të Rusisë Sovjetike, ndërsa në Itali Musolini hip në pushtet me Partinë Fashiste, e dalë fillimisht si fraksion nga radhët e Partisë Socialiste. Po ashtu gjendja e brendshme e Shtetit Shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 ishte tronditur disa herë radhazi. Qeveria e Lushnjes menjëherë iu desh të ballafaqohej me një luftë të pabarabartë me italianët në Vlorë dhe më pas me disa kryengritje afatshkurtra për të ardhur më pas në të ashtuquajturin Revolucionin Demokratiko-borgjez të Qershorit të 1924-ës, me në krye Fan Nolin dhe me mbështetjen e regjimenteve të Shkodrës me komandant, kolonel Rexhep Shalën dhe ai i Përmetit me komandant, kolonel Kasem Qafëzezi. Si rezultat i politikës së dobët të brendshme dhe të jashtme të Nolit dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, në dhjetor të 1924-ës rikthehet në pushtet Ahmet Zogu. Kjo është pak a shumë në vija të trasha gjendja e jashtme dhe e brendshme në të cilën e pa dritën e botimit kjo broshurë. Pikërisht kjo është edhe merita e Hafiz Ali Korçës që diti të diktojë në ato çaste kush ishte rreziku real, që po i kanosej shqiptarëve, rrezik që po i kanosej edhe tërë Botës. Ai në këtë vepër i bën një analizë të hollësishme bolshevizmit, lidhur me “parimet” njerëzore, drejtësinë, luftën e klasave, punën etj, mbi të cilat ndërtohet sistemi bolshevik. Këtu ai ve në dukje dëmet e ndryshme që i solli pushteti sovjetik popullit të vet, qoftë nga ana morale, apo materiale e shpirtërore. Kjo vepër tregon njëkohësisht edhe pjekurinë politike të Hafiz Aliut. Pasi ka vënë në dukje dëmet morale dhe shpirtërore që solli vendosja e regjimit bolshevik në Rusi, ai me anë statistikash nxjerr në pah dëmet materiale në ushqim, bagëti, njerëz dhe se çfarë i bëri fesë kjo ideologji tashmë shtetërore. Statistikat e dëmeve njerëzore i ka nxjerrë nga Çeka e Feliks Xherxhinskit, embrioni fillestar i KGB-së së mëvonshme. Me këtë ai kërkon t’i paralajmërojë shqiptarët qysh herët për dëmet që sjell kjo ideologji si shkatërruese e të gjitha vlerave njerëzore të mirëfillta, ku ndër to kryesorja është feja dhe familja. Denoncimin e bolshevizmit ai e ka bërë edhe në një vepër tjetër të tijën, e cila e pa dritën e botimit po në këtë vit, 1925, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë. Kjo është vepër e një karakteri krejt të ndryshëm nga Bolshevizma, sepse në të paraqet vizionin e tij për të ardhmen e vendit, porse edhe në këtë vepër, e cila do të ribotohej në maj të vitit 1944 ai përsëri do ta damkoste komunizmin si një ideologji shkatërruese. Kontributi i Hafiz Aliut me këto dy vepra është tejet i rëndësishëm edhe nga ana studimore, gjë të cilën është heshtur deri tashti, për shkak edhe të petkut të tij fetar.

IMAMAJ, SHQIPTARI QË JETON NË TURQI, QË FLET 12 GJUHË TË HUAJA

 Reshat IBRAHIMI

 


Muhamed Imamaj

Muhamed Imamaj

Me përfaqësuesën e Maqedonisë në mundje udhëtuam për në Turqi për të marrë pjesë në kampionatin ballkanik të mundjes për kadetë, i cili nga 23-25 tetor të këtij viti po mbahej në Bursa të Turqisë. Para se të marrë rrugën për në këtë qytet njerëz të afërt më thonin se do të kalojë bukur sepse atje ka shumë shqiptarë që janë të njohur për mirëpritje, ngrohtësi dhe kulturë shqiptare, të cilën e ruajnë me xhelozi.

Dhe, fjalët e këtyre njerëzve më dolën të vërteta, sepse shqiptarët e Bursës kishin traditë për mikpritje. Ata me krenari thonin se kanë rrënjë shqiptare. Deri sa po pushoja në ambientet e kompleksit sportiv, ku po zhvilloheshin garat në mundje, afër meje mu afrua një djalosh i cili në dukje të parë dukej si turk dhe më pyeti: Nga jeni? I rrodha krahët dhe i thash se nuk e kuptoj turqishten dhe se jam shqiptarë, ndërsa ma ktheu se edhe ai ishte shqiptarë dhe se vinte nga Vlora. Më tha se quhet Muhammed Vilson Imamaj. Dhe, gjatë bashkëbisedimit ai nisi të rrëfej se si ka ardhur në Bursa për të jetuar.

“Në Bursa erdha para shtat vitesh, pasi kam kryer shkollën e mesme në Vlorë të Shqipërisë. Këtu erdha përmes një bashkëpunimi mes Komunitetit më të lartë fetar dhe një nga organizatat më të rëndësishme në Turqi ‘Diyanet Vakfi’, duke fituar të drejtën e Studimit me bursë në Turqi për Shkenca islame dhe Teologji në Uludağ Universitesi në Bursa. Në të njëjtën kohë jam duke studiuar një degë të dytë për marëdhënie ndërkombëtare”, tregon Imamaj, i lindur në vitin 1989.

Ai thotë se është ambientuar mirë me mënyrën e jetësës në Bursa, ndonëse në fillim e ka pasur paksa vështirë. Imamaj përgëzon popullin turk i cili shqiptarët nuk i trajton si të huaj.

“Me të vërtetë të shkosh të studiosh dhe të jetosh në një vend të huaj në një shtet ndryshe nga vendi ku je lindur, ku gjuha është ndryshe, njerëzit kanë hije tjetër, do të thoja edhe ku malet dhe detet janë të ndryshme (të paktën kështu na dukej në fillim kur erdhëm për herë të parë), patjetër që ishte pak e vështirëe për tu ambientuar. Pengesa e parë ishte gjuha, pastaj kultura dhe mënyra e të jetuarit.

Megjithëse ballkanasit, në veçanti shqiptarët, me turqit kanë jetuar për një kohë të gjatë së bashku, përsëri do të thosha që nga shume vende të tjera të Evropës ktu shqiptaret nuk i quajnë të huaj. Çdo shqiptar që vjen nuk e ndjen vetën të huaj. Unë personalisht jam ndjerë i respektuar dhe i privilegjuar këtu megjithëse jam i huaj dhe kjo është një cilësi për tu admiruar dhe për ta përgëzuar popullin e Turqisë.

Njeriu duhet të ketë ambicie të jetoj për qëllime të mëdha. Dëshira për të studiuar, për të mësuar, kurioziteti, mirësjellja, horizonti i gjerë, humanizmi mbi të gjitha, besimi në Zot dhe përkushtimi për t’i shërbyer njerëzimit ishte një forcë dhe një vlerë e cila të ndihmon të integrohesh kudo. Mendoj se këto gjëra nuk më kanë munguar dhe për këte arsye jam ambientuar mirë. Jam martuar këtu në Bursa me shtetase turke dhe megjithëse jam dhëndër i huaj nuk më bëjnë kurrë të ndihem si i tillë. Martesa është një kismet, një përcaktim, e shkruajtur nga Allahu do të thoja, sepse askush nuk e di të ardhmen përveç Zotit. Ndihem i kënaqur. Këtë gje e shikoj dhe tek familjet tona, e imja dhe e nusës. Kemi respekt reciprok, dashuri ndërmjet dy palëve. Dhe, meqë ra fjala nusës sime po i mësoj dhe shqipen”, shton Imamaj.

Imamaj tregon se Shqipërinë e viziton nga njëherë në vit, sidomos Vlorën për të cilën e merr malli. Dhe, sa po flisnim atij i kujtohet poezia e poetit të Vlorës, Ali Asllani.

“Po, Shqipërinë e vizitoj pothuajse çdo vit. Për Vlorën më merr malli më shumë dhe kam një ndjenjë të vecantë, sepse është vendi ku jam rritur. Tani mu kujtua poezia e një poeti të famshëm vlonjat Ali Asllani:

‘Shëtita Evropën, shëtita Azinë

gjer tek molla e kuqe vajta dhe në Kinë.

Sa tutje më tutje, sa largë e më shumë

dhe atje ku piqet buka mu në kum.

Dhe, me re të bardha mora edhe dhashë,

por si Vloren time një qytet nuk pashë’.

Por siç e di gjendja në vendet tona është e vështirë për shkak të politikave të gabuara, mendoj. Megjithëse, jetojmë largë përsëri vendin tim nuk e harroj dhe vazhdimisht kam për të kontribuuar në të ardhmen me çfarë të më jepet mundësia”, flet me emocione Imamaj.

Ai tregon se akoma është duke studiuar, ndërsa flet 12 gjuhë të huaja.

“Po, akoma studioj. Jam 26 vjeç dhe po mësoj për gjuhë te huaja, ku përveç talentit e kam edhe pasion të madh. Kur isha 8 vjec, përmes kurseve nisa të mësojë anglishtën dhe italishtën, më pas në moshën 9-vjeçare në shkollë fillova të mësoj edhe gjuhën frenge, e cila zgjati për gati nëntë vite. Mësimi i gjuhëve të huaj filloi të më pëlqejë dhe nisa të mësoj gjuhë të reja. Kur dëgjoja se dikush studionte jasht shtetit shkoja menjëherë afër tij bisedoja dhe i kërkoja me ngulm të më mësonte gjuhë të huaj.
Tani flas gjuhën angleze, frenge, spanjolle, italiane, gjermane, portugeze, greke, rumune, turke, arabe, ruse, shqipe, kurse tani mësoj gjuhën kineze, holandeze dhe urde.
Mendoj se njerëzit që janë me guxim gjithmonë fitojnë. Gjithashtu besimi në Allah dhe jeta ime e organizuar, sipas rregullave dhe urdhërave të Kuranit dhe Fjalëve të Profetit Muhammed më kanë mësuar shumë rreth rrugës që duhet të ndjekim. Fjala e parë që ka zbritur nga Kurani është ikra: Lexo, pra qytetërimi İslam është formuar mbi diturinë dhe e ka nxitur atë në çdo fushë të jetës. Këto mësime dhe shembuj të larmishëm më kanë nxitur dhe mua të mësoj deri tani pothuajse 12 gjuhë të huaja dhe akoma vazhdoj të mësoj duke përdorur çdo metodë: Kurse private, mësime në shkollë, komunikim me njerez të huaj, lexim gazetash, romane, dëgjim lajmesh, filma etjerë. Pra, të mësosh gjuhë të huaja nuk është e lehtë, duhet mund, pasion, harxhim energjie dhe paraje, sepse ëndrrat bëhen realitet. Një Filozof Amerikan thotë: Kur flet me një person në gjuhë të huaj fjalet i shkojne deri tek koka e tij, por kur flet në gjuhën e tij amtare të nënës fjalët mund t’i prekin zemrën. Pra, gjuha e huaj është kënaqësi. Gjithashtu ndihem krenar që jam shqiptar, sepse ne si popull në përgjithësi i mësojme shpejt gjuhët e huaja si asnjë popull në botë”, thotë Imamaj.

 

Ai thotë se Bursa është qytet shqiptarësh, pasi jetojnë rreth 800 mijë dhe janë të organizuar mirë, madje edhe kryetari i bashkisë është me origjinë shqiptare.

“Jeta në Bursa është shumë e bukur, nganjëherë me stres për shkak të angazhimeve të shumta, por dinamike. Bursa është një qytet madhështor me 3 milion banorë. Ka vende historike që para erës sonë, ka dete, male, ujëvara. Bursa në Turqi njihet si ‘Bursa Jeshile’, sepse ka shumë gjelbërim. Në Bursa jetojnë afërsisht 800 mijë shqiptarë, 500 mijë janë Shqipfolës. Këto janë shifra që ka dhënë vitin e kaluar TV Klan. Shqiptarët në përgjithësi bëjnë aktivitete. Janë të organizuar, kanë Shoqatat e tyre. Kanë financuesit e tyre dhe janë të integruar në çdo sferë të jetës administrative. Të përmendi faktin se në Bursa dhe kryetari  Bashkisë, Rexhep Alltepe është me origjinë shqiptare. Kryesisht festat e pavarësisëm, si ajo e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës festohen çdo vit në mënyrë solemne. I presim të gjithë në Bursa”, tregon ai.

Ambiciet e tij janë të ndihmojë sa më shumë njerëzimit.

“Ambiciet e mia. Pyetje e bukur. Unë gjatë kohës së lirë merrem me përkthime. Kryesisht punoj si përfaqësues i biznesit të jashtëm në firmat e mobiljeve dhe tekstitlit, sepse siç e dini Bursa është qyteti i parë industrial i fabrikave në Turqi. Për këtë arsye ka vazhdimisht marëdhënie të jashtme me shtetet e huaja. Gjithashtu punoj dhe në Bashkinë e Bursës si përkthyes dhe organizatore i grupeve dhe delegacioneve të ndryshme të huaja. Është një punë që më pëlqen ta bëjë. Dëshiroj të punojë në të mirë të njerëzimit, të paqës, të besimit dhe të dashurisë”, thekson Imamaj.

Ai zotohet se edhe fëmijët e tij do të flasin shqip.

“Jam në pritje të fëmijës së parë dhe ai ose ajo patjetër do ta mësoj shqipen. Gjjuha shqipe është gjuhë e bukur, është një nga gjuhët më të vjetra në Evropë dhe botë. Të mësosh gjuhë është vlerë, është krenari dhe kënaqësi. Por, për mendimin tim në vendet shqipfolëse e kanë deformuar gjuhen shqipe, sidomos gazetarët, sepse përdorin shumë fjalë të huazuara nga italishtja, anglishtja etjerë. Mendoj se nuk ka nevojë sepse ne kemi një gjuhë të pasur. Ky fakt më shqetëson shumë dhe duhet të merren masa urgjente”, tha Imamaj në fund të këtij bashkëbisedimi.
U ndamë me Imamajn me dëshirën që të shihemi sërish në një rast të tillë.

IBRAHIM DALLIU: INTELEKTUALI DHE PATRIOTI QË U ARRESTUA NGA TURQIT E U GJYMTUA NGA SHQIPTARËT


Hafiz Ibrahim Dalliu

Hafiz Ibrahim Dalliu

Ishte arrestuar disa herë nga regjimi osman, si një ndër personalitetet më problematike për ta, sa i përket përhapjes së ideve atdhetare shqiptare. Ibrahim Dalliu kishte vuajtur përndjekje nga regjime e pushtime, por asnjëherë nuk u dorëzua. Kurrë nuk e pati menduar se e keqja më e madhe do t’i vinte pikërisht nga shqiptarë. Do t’i vinte nga regjimi komunist, sepse do të arrestohej e torturohej në moshë të thyer e prej burgjeve komuniste, do të dilte i gjymtuar, në agoni të jetës.

Ibrahim Dalliu ishte teolog dhe shkrimtar në Tiranën e viteve të para të shekullit të shkuar. Kishte lindur në një familje të vjetër tiranase, në vitin 1878. Ishte diplomuar në degën teologji-filozofi në Stamboll, atje ku dhe mori pjesë në lëvizjen për çështjen kombëtare shqiptare.

Me t’u kthyer në Shqipëri, Hafiz Ibrahim Dalliu u emërua “imam” i qytetit të Tiranës dhe mësues në shkollën fillore të këtij qyteti, në atë shkollë që drejtohej nga Filip Ashiku. Më 1908 hapi shkollën për mësuese të vajzave.

Paralelisht me aktivitetin e tij për arsimin e shqiptarëve, u bë pjesë e partisë “Bashkimi”, që aspironte për mëvetësi kombëtare në kohën e shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit). Në vitin 1909, Hafiz Dalliu ishte një ndër delegatët e Tiranës në Kongresin e Elbasanit, atje ku u vendos edhe hapja e Shkollës Normale e ku u emërua mësues. Në formimin me ndjenja patriotike te Dalliu ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë shqiptare. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë“, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit. Këta qenë motivet që Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos hapja e Shkollës Normale (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri) e ku Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re ku A. Xhuvani shkruan, ndër te tjera, që Normalja ka ne themelin e saj djerseën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut.

Hafiz Dalliu ishte imam, por mjedisin fetar e shfrytëzoi më së shumti si shkollë ku u mësonte fëmijëve gjuhën shqipe. Çfarë u bë edhe më e papranueshme për pushtuesit ishte se i mësoi fëmijët gjuhën shqipe, sipas alfabetit latin – sipas vendimit të Kongresit të Alfabetit.

Mirëpo këto bindje e qëndrime ‘heretike’ të njeriu të përkushtuar e çuan Hafiz Dalliun në burgje mizore deri në dënim dhe përndjekje.  Gjatë kësaj kohe, prej vitit 1909-1911, u arrestua disa herë nga regjimi osman, si veprimtar për arsimin shqip e çështjen kombëtare. Gjatë arrestimeve iu sekuestruan materialet didaktike dhe shtypi patriotik në gjuhën shqipe, ndër të cilat revista “Albania” dhe fletorja “Trumpeta e Krujës” e Faik Konicës etj.

Në vitin 1911, Hafiz Ibrahim Dalliu u burgos nga regjimi osman në Manastir, dhe më pas edhe në kështjellën e Selanikut. Atje u lidh me zinxhirë dhe kjo ishte masa e rreptë për një klerik mysliman, që po akuzohej si “Hoxhë kaur”. Kjo akuzë i vinte për shkak se kishte përhapur shkrimit shqip me shkronja latine.

Pas disa muajsh u lirua nga burgu, për shkak të përpjekjeve të patriotëve Hasan Prishtina e Mihal Grameno. Pas vitit 1912, drejtoi gazetën “Dajti”. Ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar, më 26 nëntor 1912 në Tiranë, sipas porosisë së Ismail Qemalit.

Hafiz Ibrahim Dalliu është autor i veprave shumë të rëndësishme satirike, si “Grenxat e kuqe” e “Dokrrat e hinit”. Gjithashtu, është autor i vjershës politike “Kreshniku i atdheut”, e botuar në vitin 1924. Ai përkrahu lëvizjen politike të Nolit, sipas mënyrës së tij, duke shkruar një elegji për Avni Rustemin. Në vitin 1930 botoi veprën e njohur monografike “Patriotizma në Tiranë”, duke sjellë dëshmi të përndjekjes në kohën e Turqisë, duke ndriçuar rolin e patriotëve Tiranas në Pavarësinë e vendit.

Regjimi komunist e gjeti si mësues. Në vitin 1945 ishte emëruar mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, ku përgatitej brezi i ri i besimtarëve. Pikërisht në këtë kohë, në Shqipëri kishte nisur sulmi gjakatar kundër elitës intelektuale. Padyshim që Hafiz Ibrahim Dalliu do të ishte pjesë e kësaj elite, që do të ndëshkohej nga diktatori Enver Hoxha.

Ai u arrestua në fillim të shkurtit të vitit 1948, dhe më 24 shkurt të atij viti, me vendim nr. 67, Gjykata e Tiranës e dënoi “për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë”, me pesë vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për tre vjet. Më 25 shtator 1948, Pleniumi i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin nr. 67, sepse çështja ishte pushuar nga Gjykata e Lartë. Por, Hafiz Ibrahim Dalliu ishte torturuar pa mëshirë, për shtatë muaj rresht, pa marrë parasysh as moshën e tij të thyer. Doli i gjymtuar nga qelitë errëta të diktaturës komuniste, në shtator të vitit 1948. Katër vite më pas, ndërroi jetë, pikërisht në shkurt të vitit 1952, kohë kur Shqipëria kishte hyrë në valën e frikshme të pushkatimit, burgosjes e internimeve të intelektualëve më në zë shqiptarë e familjeve të tyre.

Hafiz Ibrahim Dalliu mbetet një ndër personalitetet më të lartë të gjysmës së parë të shekullit të shkuar, patriot, teolog e shkrimtar i shquar.

PERSONALITET I DIJES DHE KULTURËS: VEXHI BUHARAJA

Vexhi Buharaja

Vexhi Buharaja

Pushohet nga puna për motive politike orientalisti i shquar Vexhi Buharaja. i vetmi reagim drejtuar drejtorisë së Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave në Tiranë më 5 Qershor 1975 ishte i dr. Vasfi Samim Visoka shkencëtar I njohur në degën e veterinarisë dhe zooteknisë. Nëpërmjet një letre ndër të tjera ai shpreh keqardhjen për këtë veprim duke spikatur vlerat e mëdha të këtij orjentalisti duke thënë: Elementë të këtillë si Vexhi Buharaja janë perlë. Për përgatitjen e një orjentaliasti duhen 15-20 vjet. Por siç thotë populli ra daullja në vesh të shurdhit. Jeta e tij vazhdoi me kalvarin e turpshëm ndaj tij.

Jeta

Lindi më 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, në Berat, tek familja e tij. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë, në vitin 1946, komunistet e porsaardhur ne pushtet, e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, si ish i burgosur politik ende konsiderohej prej udhëheqësve të partisë si armik. U detyrua të bëjë punë të rënda fizike për të mbijetuar. Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive ju bëri ballë. Ky njeri i madh, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, orientalist, studiues, hulumtues, u pranua në punë si mësues. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Vexhi Buharaja me punën e tij hulumtuese, kërkimore shkencore dha rezultate madhështore. Puna që bëri në Institutin e Historisë i zbuloi shumë fshehtësi Shqipërisë.

Vexhi Buharaja me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkruar studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.

Ka përkthyer një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthyer nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri. Këto vepra të përkthyera nga Vexhi Buharaja janë vlerësuar si perla në letërsinë artistike shqiptare.

Ka përkthyer nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i krahasuar me Shekspirin, madje i mbiquejtur “Shekspiri i Lindjes”. Prof. Eqrem Çabej kur e lexoi “Gjylistanin” vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën dhe tha: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.”

Përveç qindra përkthimeve të dokumenteve historike, përveç përkthimeve të kryeveprave letrare botërore, përveç përkthimeve të veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj…. Në muajin maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja, ky intelektual atdhetar, dijetar, njohës i dhjetë gjuhëve, gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore, ky poet, shkrimtar, përkthyes, historian, studiues, hulumtues, u pushua nga puna, u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë si njeri i “padëshirueshëm”. Diktatura komuniste, që në vitin 1946 e arrestoi, e burgosi, e persekutoi, e përbuzi, e nënçmoi, e dënoi, dhe në vitin 1975, pas një veprimtarie me rezultate madhështore, e dëboi edhe nga puna në Institutin e Historisë këtë shkencëtar të madh.

Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare, por pas tri vitesh ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare.

Vexhi Buharaja, në gjithë krijimtarinë e vet, në radhë të parë mbeti poet. Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ja disa vargje nga poezia “Përpara Tomorit” e shkruar nga Vexhi Buharaja, fituese e çmimit të parë në konkursin letrar që u organizua në Tiranë, në vitin 1942:

“Zog i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturo!

Shpuz’e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro!

Thuaja si ia thot’ bariu, kur dëgjon zën’ e gugashit.

Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,

Qesh, si qesh një shtizë hënë përmbi faqen e dëborës,

Ndrit, si ndrin një fije ari, mu në buzën e kurorës…”

Pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, menjëherë, emri dhe vepra e Vexhi Buharasë u përtëri, hyri në histori… Për jetën dhe veprën e Vexhi Buharasë studiues e historianë organizuan Sesione Shkencore në Berat e Tiranë.

Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), kurse më 6 korrik 1994, Biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”.

Në vitin 1995, historiani Ahmet Kondo, ish punonjës shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, shkroi një monografi me titull: “VEXHI BUHARAJA, njeriu, poeti, dijetari 1920-1987, shtypur në shtypshkronjën “SHPRESA”, Tiranë, 2005, ndërsa e botoi Shtëpia botuese “EUGEN” Berat, 1995.

HISTORIA E VËRTETË E FAMILJES SË QAZIM MULLETIT! TRONDITJET NGA REGJIMI KOMUNIST DHE SHENJAT QË I LA KOMEDIA “PREFEKTI”


Qazim Mulleti

Qazim Mulleti

Emisioni Dosja K në Report TV sjell historinë e vërtetë të Qazim Mulletit, jo atij të komedisë “Prefekti”, por atij me diploma në Stamboll e Vjenë e që njihte aq gjuhë të huaja sa lodhesh duke i numëruar! Rrugëtimi i Qazim Mulletit mes emigrimit dhe Shqipërisë… “Puthi tokën kur u kthye dhe tha se nuk do të merrej më me politikë”… Si pranoi të shërbente në Tiranë si prefekt dhe kryebashkiak në periudhën më të keqe. Kalvari i familjes pas luftës… Persekutimi, dhe komedia “Prefekti” si armë vrasëse.

Qazim Mulleti është një personazh i rrallë.

Historia jonë është treguar e rreptë dhe e padrejtë me të.

I diplomuar në Universitetin e Gallatasarajt e më tej në Akademinë diplomatiko-ushtarake të Vjenës, ai ishte një nga poliglotët e rrallë që ka pasur Shqipëria.

Njihte dhe fliste turqisht, greqisht, gjermanisht, arabisht, serbisht, italisht, latinisht dhe frëngjisht.

Emrin e tij e hasim në ngjarjet kryesore historike të Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë me ngritjen e flamurit në Tiranë dhe në Vlorë, më tej si një prej katër adjutantëve të Princ Vidi, si pjesëmarrës energjik në Kongresin e Lushnjës, si komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve nga serbët, mbështetës i qeverisë së parë në Tiranë, e më tej i pozicionuar në rradhët e opozitës si fanolist i bindur. Që prej shtypjes së revolucionit të qershorit 1924, ai merr rrugët e mërgimit. Në Vjenë martohet me Hajrie Kusin dhe pati një djalë të vetëm: Reshitin, i cili u rrit pothuajse me figurën e munguar të të atit. Pas pushtimit të Shqipërisë, Qazim Mulleti kthehet në atdhe, ku ushtron për pak vite detyrën e kryebashkiakut të Tiranës dhe atë të prefektit. Në fund të Luftës, ai merr sërish rrugën e mërgimit duke lënë në Shqipëri bashkëshorten dhe djalin e vetëm, të cilët nuk do t’i shihte më kurrë.

Por ndryshe nga ky profil, për 50 vjet të regjimit komunist, shqiptarët e personifikuan Qazim Mulletin me një figurë groteske. Kjo për shkak të një komedie, ku e tallën dhe e fyen atë dhe familjen e tij, duke përdorur për personazhet e komedisë emrat e tyre realë.

Falë dëshmisë së mbesës së tij, Fatbardha Saraçi Mulleti, sot do të mësojmë historinë e vërtetë të familjes së Qazim Mulletit.

Ishte shtator i vitit 1944. Reshiti 14 vjeçar mbeti sërish pa të atin. Qazim Mulleti ishte arratisur për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Nuk do ta shihte më djalin e tij dhe as bashkëshorten Hajrien.

Por historia dëshmoi se komunistët e derdhën gjithë hakmarrjen e tyre mbi familjarët e kundërshtarëve politikë, qofshin fëmijë, gra apo pleq, duke i bërë të përjetojnë ferrin për gjysëm shekulli.

Fatbardha ishte 5 vjeç kur u instalua regjimi komunist në Shqipëri. Ajo s’kish si të kuptonte çfarë po ndodhte e aq më pak të perceptonte të ardhmen e errët. Por shpejt do të shihte lot në sytë e nënës së saj, pasi babanë do t’ia arrestonin e me familjen e saj do të përjetonin ditë me të vërtetë të vështira, në kasolle e bodrume, për vite e vite me radhë.

Ky ishte vetëm fillimi i persekutimit për familjen e Fatbardhës, një persekutim që do të zgjaste afro gjysëm shekulli. Shijen e tij Fatbardha e provoi mbi lëkurën e saj. Por ajo nuk do të rrëfejë vetëm historinë e saj personale, por të gjithë familjes, e sidomos të familjes së xhaxhait të saj Qazim Mulleti, familje që sot është shuar tërësisht pa trashëgimtarë.

Ishte vitit 1948. Besim Levonja shkruan komedinë “Prefekti”, ku satirizohej, tallej e përbaltej figura e Qazim Mulletit, e gruas së tij Hajries dhe sidomos e djalit të tij Reshitit. Komedia merr famë menjëherë dhe pushton gjithë skenat e vendit. I madh e i vogël tallej me batutat e kësaj komedie. Ndërsa në familjen e Qazim Mulletit bashkëshortja Hajrie dhe djali i saj Reshiti ishin troditur. Pse ta shkruante këtë komedi, për më tepër me emrat realë ai komedian i ri, që gjatë luftës ia kishte shpëtuar kokën vetë Qazim Mulleti???

Pak vite më vonë ky djalosh që i kishte shpëtuar vdekjes vetëm falë zemërgjerësisë së Qazim Mulletit do të shkruante komedinë “Prefekti”.

Mësuesja e tij Alija, sapo mësoi për këtë komedi, shkoi drejt e në zyrën e Besim Levonjës në Lidhjen e shkrimtarëve.

Ndërsa vijonin dënimin në Tepelenë, një ditë i kishin thirrur në Tiranë në Degën e Brendshme ku i kishin torturuar, duke iu kërkuar të tregonin se ku i kishin fshehur florinjtë.

Jeta në internim ishte e vështirë përtej çdo imagjinate. E gjithë jeta në kasolle teneqeje dhe dërrase, por më e rënda ishin mungesa e lirisë. Reshiti në kujtime të tij thotë se ai s’kishte të drejtë të lëvizte nga kampi përveçse me leje. Dy herë në ditë i nënshtrohej apelit. Duhej të paraqitej tek polici i kampit në mëngjes dhe mbrëmje. Shpesh i kërkohej ta bënte këtë edhe në drekë… Punoi gjithë jetën në bujqësi, në vendet më të largëta e të vështira. Por mallkimi i komedisë “Prefekti” do t’i kapërcente të gjitha vuajtjet. Ja një kujtim tjetër i dhimbshëm i tij…

Pas arratisjes në vjeshtën e 1944, Qazim Mulleti e jetoi pjesën e mbetur të jetës së tij në emigrim, bashkë me vëllanë e tij të vogël.

Familjarët e mbetur në Shqipëri mundoheshin të rrëfenin diçka prej jetës së tyre në letrat e rralla që këmbenin. E po ashtu edhe me rrugë të tjera ata në Itali merrnin lajme nga Shqipëria. Fatbardha tregon edhe një detaj se si e mori vesh Qazim Mulleti që për të kishin vënë në skenë një komedi kushtuar atij…

Qazim Mulleti jetoi pak vite pas arratisjes dhe pothuajse nuk u mor me aktivitet politik.

Lajmi i vdekjes së Qazim Mulletit e gjeti familjen e tij të mbetur në internim, në një kasolle të mjerë në Savër të Lushnjës… Fatbardha e kujton si sot ditën që morën telegramin me lajmërimin e vdekjes së xhaxhait.

 

G.M./m.v.

Burimi: https://shqiptarja.com/lajm/historia-e-vwrtetw-e-familjes-sw-qazim-mulleti-tronditjet-nga-regjimi-komunist-dhe-shenjat-qw-i-la-komedia-prefekti

 

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...