2011-09-30

Dorëshkrime dhe copëza poezish nga Agron Shele

Agron Shele
   Agron Shele     është Sekretar i Pergjithshem i Lidhjes Nderkombetare te Poetve dhe Shkrimtareve “Pegasi” Albania ,Nën/Kryetari i Përgjithshëm i Lidhjes “Pegasi”, Kryetari i Degës Përmet, ,anëtar i Lidhjes së Globit “WPS”,pjesmarrës në Kongresin e Lidhjes Shkrimtarëve të Botës,Athinë 2007,pjesmarrësi i Mitingut Poezisë (Gjakovë/Kosovë),pjesmarres i Takimit poetik Shkup (Maqedoni) 2009 dhe organizator i Simpoziumit Nderkombetar “Muza poetike Peagasi 2009” . Agron Shele, ka lindur më 07.10.1972 në fshatin Leskaj,Krahina Maleshove,Rrethi Permet. Pas mbarimit të shkollës së mesme, vijoi studimet e larta dhe u diplomua në Tiranë. Më pas ka kryer studimet pasuniversitare për gjuhën angleze, informatikë, mbrojtje mjedisi dhe strategji e pergjithshme. Iu dedikua poezisë që në moshë të hershme. Është autor i romaneve “Hapat e Klarës”, “Përtej perdes gri” dhe “Imazhi i rremë”, botime të shtëpisë botuese “Marin Barleti” Tiranë. Është Nen/Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve “Pegasi”Albania, me qendër në Gjirokastër dhe Kryetar i Degës së kësaj Lidhjeje në Përmet. Po kështu Kryetar i Shoqatës: “Rinia dhe fëmijët” dhe i shoqatës “Mjedisi në komunitet”. Agroni është Anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkohorë (W.P.S), pjesëmarrës i nderuar në Kongresin Ndërkombëtar të zhvilluar Athinë në vitin 2007, ku përfaqësoi Lidhjen e Krijuesve “Pegasi” Albania.Veprimtaria e tij shkrimore po prezantohet në të gjithë simotrat e Lidhjes Pegasi”. Ai gjithashtu është bashkëautor në Antologjinë poetike “Korsi e hapur”1 me autorë të Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” dhe të tjerë, botuar në mars të vitit 2008, ku janë përfshirë rreth 270 autorë shqiptarë dhe nga Bota. Ai po jep një kontribut të madh në fushën e letërsisë, jo vetëm në Përmet, ku është aktualisht edhe Drejtor i Qendrën Kulturore. Veprat e botuara: 1. Hapat e Klarës, “Steps of Clara” (roman) 2. Përtej perdes gri “Behind the grey curtains” (roman), ( çmimi I i Lidhjes Pegasi viti 2005,dhe vleresim me medalje nga Kongresi Lidhjes Poeteve dhe Shkrimtareve Nderkombetare,Salamine 2007) 3. Imazh i rremë “False images” (roman) ( çmimi I i Lidhjes Pegasi viti 2008) 4. Pasazh i pafaj “Innocent passage” (poezí) përkthyer Greqisht (revista Qeleno),Italisht (revista Artista a Confronto) dhe anglisht 5. Antolgjisë poetike /Korsi e hapur (Bashkëautor) Vëllimi “Pasazh pa faj” është vëllimi i tij i parë poetik, por janë botuar në disa vende poezi të tij, të cilat kanë tërhequr vëmendjen. Është fitues i çmimit të parë në konkursin”PEGASI 2006” (roman) Është fitues i çmimit të parë në konkursin “Pegasi 2008” (roman) Etj.


MUZA IME
 
Muza ime!
Ç´bukuri fsheh brenda muzgjeve?
Ç´ëndrra rilinde përtej lirishtave?
Ç´këngë këndon honeve të gremisura?
Ç´rreze kërkon mbrëmjeve të ngrysura?
Ç?...(A mund të mbarojnë pyetjet retorike?)
 
Muza ime!
Qëndroj majë shkrepit të heshtur,
heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur.
Ngado shoh perëndim të plakur,
më  shfaqet kudo agimi i ringjallur.
 
Muza ime!
Vitet dhe thinjat si vetë kreshtat,
zbardhin nën mjegullat e fshehta.
Shpirti i gdhendur nga pena thatime,
dridhet, griset, tutje humbëtirave.
 
Muza ime!
Mos erdhe si mallkim ndër deje
a  si lojë  luajtëse marramendshe?
Kundroj sy  vashe fshehur brenda teje
dhe lotkthyerin në smerald.
 
Muza ime!
Si frymë e shenjtë shtyn në harrim,
pse poetë u gdhimë në ag.
Vegimeve  të paqta jeta në vlim
Dita shpejton me harrakatin çap…

 
Ëndrrat e mia mbetën aty
 
Copëza fjalësh drithërojnë shpirtin...
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si mijëra ajzbergë në oqeanin e pafund.
Mendja depërton tutje fluturimth,
në të tjera qiej, rrugëtimesh “plot mund“.
 
Ëndrrat e mia mbetën aty,
netëve pranverore, yjeshumë.
Copëza ndjenje drithmojnë shpirtin
dhe endën magjinë pëlhurë.
 
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si zbardhja e dritës, në agim.
Me mallin e vjeshtës në gji
dhe ... e pikat e shiut -trishtim. 
 
Ëndrrat e mia mbetën aty
mbi harqe ylberësh, koloritë kuptimësie;
Të bardhën ditë, shpresë dhe ngazëllim,
përthyen shtigje “rrebelim“ poezie.
 
Ëndrrat e mia mbetën aty
Të formatuara ndjenjësisht...
Një shikim i hedhur qiellit të tymtë
Konturim frymor –figurë statujisht...                                                                   
                                                     
                 
Ëngjejt zbardhën
 
Demonët dhunues 
braktisën,
Perdet errëtuese 
shpërndarë në”Kumtër”.
u zhdukën,
humbën në vetveten e largët.
 
Qielli shndriti
Ëngjëjt zbardhën 
zymtësinë hapësinore.
Mikluan shpirtrat e vdekur,
të harruar;
 
farkëtuan 
thundrat e çelikëta, 
shtresave paqësore 
fluturuan.
 
         
Në Olimp vendoset drejtësia
 
Zeusi premtoi drejtësinë e përjetshme,
të fshehur,
të ndalur prej shekujsh, e shekujsh.
 
Mëkatarët kapën vetë mëkatarët
Dhuratën më të shenjtë, për të tmerrshin“Had“.
 
Kudo ithtarët brohoritën marrëzinë
dhe kudo shtrënguan zinxhirë pafajësie.
     
   
Tetor 
 
Mijëra gjethevrara prekin trotuarin
Erë- marrëzia shtyn edhe më tej,
Harresa e largët pret ndanë qytetit,
të mundë, më tepër të rrëmbejë,…
 
S´mbaron këtu mëkat’ i filluar,
Zogjtë e fundit nga shtëpia zbon,
Kur mëngjezi shkopin e parë hedh,
lotvuajtjet jetime asfaltin miklojnë.
 
Era bredhacake turret poshtë liqenit,
Gjurmëkujtesat gërvish thonjzhveshur,
E nesërmja përcjell me fshesën ndër duar
Ankthin e mbledhur, netëve të vonuara.
 
    
Anës liqenit
 
Vjeshta të harroi liqen, jo Unë.
Erdha si gjithmonë pranë teje,
zbathur,
Vlagun tënd më tepër të ndiej.
 
Valët derdhen poshtë këmbëve,
dridhen, përflasin;
khehen sërish prapë  tutje,
treten humbëtirave të thella.
 
Dallëndyshet u larguan,
Njerëzit po ashtu,
veç regëtima pulëbardhash
dhe çapat e mi të vetmuar.
(Shkruhet kujtesa në trajta papirusesh, 
për të rifreskuar kujtesën e shkuar…).
 
Gjatësi valësh të lodhura,
muzg mbi qelqin tënd,
Shirita të ndritshëm, të prerë,
 mendime që nisen larg,
 mendime, që s’ndalin  kurrë në vend…
                                                     
       
Dritëhije 
 
Perëndimi tretet tutje në pafundësi
Dal nga dalë dhe nata zbret pa kufi,
po dhe vashat, në të linjta shtratin zënë,
kush në ëndërr, kush e epur, kush dhe qan.
 
Qetësia përçuditëse mbisundon,
nën çapin harrakat ditë e vonë ,
mbi lumenj fërgëlluar dot s´gëzon
dhimbje lotësh mbart lugina poshtë.
 
Kush një thikë zemrës i shtrëngon…
Ç´duhej më për të dhe kjo jetë e zezë
Ajo iku. Po tani i shkreti!
Si ”Romeo” përgjëron gjunjëzuar.
 
Më fatkeqi, s´guxon ende të ngrihet,
I mbetur në gjumë, nxirrosur si më s´ka
Natë e errët, humbëtirë e pamatë
të bardhin shpirt, e çon shumë larg.
 
Prit të finishohet ky mallkim ndër deje:
Heshtje varri, nënqeshje mizore.
Nata arratiset, në pritsh ditën e re
çohu i lumtur, zhytu në hare.
                                                                                   
 
Rikthim
 
E mallkova shiun për ëndrrën e dëbuar,
Sytë e përgjumur kërkonin flokët tuaj,
buzëqeshjen,
shkujdesje hapash.
Hija jote tretej natën e vonuar.
 
Të  kërkova kudo gjurmëve të jetës,                                                                                                
diku humbe,...
Ku?...
Ndoshta mallit tim 
u struke e heshtur.
 

Pasazh i pafaj
 
Pasazh i shkuar,fytyrë e konfiguruar
Fytyrë vajze,
ëmbëlsisht e dashuruar.
Det i thellë,
konturim i tejskajshëm.
Mall i fshehur dhimbshëm.
Pasazh i pafaj.
 

Vajzat
 
Kapërcim diellor,rrëzëllim drite.
Vështrim i vjedhur ngutshëm,
robërim shpirti.
 
Botë e tërë ndjenjash ,
çast lumturi.
Brengë e përhershme,jetë marrëzi.
 
Botën rrotullojnë,si të ishte lodër.
Ulen e përulen,
boshllëkut të kotë.
 
Nimfa që tronditin zotat edhe qiellin,
Çojnë në altar,
Ditët e pendimit.
 
Të bukura ,të brishta 
dhe ëndërrimtare.
Krijesa  mrekulli,fluturim pulëbardhash.
 
Fllad pranveror,petal trëndafili
Shenjë çiltërsie
Kurorë dashurie.
 
   
E pafalshme
 
Valët shkumëzuse,
poshtë bregut soditës 
horizontesh u thyen,
thinjat e bardha shkulën,
ngjirizeve të thella përhumbën.
 
Deliri i paqes përtej blusë
nënqeshi mendjelehtësinë shekullore
dhe fali kryneçësinë moderne!
 

Së largu
 
Një telefonatë uron nga larg,
Një tjetër gotë troket dhe më larg.
Për mua!
Të gjithë ndihen të gëzuar,
dëfrejnë në dëfrim.
Sigurisht për mua!
Por s’pyetët shumë këtë buzëmbrëmje,
as për qytetin s’folët një të vetme  fjalë...
Vetminë tonë s’e shkulët, u trëmbët
 nga rrënjët xhufkore këtë natë.
 
Ju vazhdoni të gëzoni për ne,
pa ne…
Çuditem dhe vetë për akullin që ndiej.
 
 
Majë shkëmbit të bardhë
 
Majë shkëmbit të egër,
                       të lartë,
 mbisundon frika.
Mes territ shfryrës shkulmë bore,
                             gëlon stuhia.
Një klithmë vajtuese çjerr heshtjen,
qan fatin e braktisur prej kohës,
me sy të lodhur mbërthyer
pas territ pa fund  shfaqës.
 
Jehon ulërimë e largët
mbytur ndër dhimbje,  lot,
nota pentagrami vajtimi
 I lodhur,
          i mundur,
                         i plakur 
 
kërkon pak prehje  për shpirtin.
 
Në ëndërr vjen zëri i shokëve,
ta shkundë nga gjumi përjetshëm,
I pari të shkojë në furtunë,
të ndeshet dhe kthehet fitues.
 
Majë shkrepit të bardhë të ngjitet,
ulërimën e frikshme të niste.
Retë, në ishte e mundur,
 të gjitha, t´i përpinte! 
 

Apokalips 
 
Për zemrën,
rendën gjithandej ogurzinjtë…
por dot fatzinjtë,
s’e shkulën nga shpirti.
 

Një lypës
 
“Gjynah!”-
thotë me vete një plak kalimtar.
“Sa keq!”-
vazhdon lojëfjalën një djalë,…
Kështu shprehet më pas dhe një grua,
Ndërkohë një vajzë rrugën ka ndërruar.
 
Të tjerë,
prapë të tjerë përflasin.
Lypësi pret me duar të mpira.
 
Manastiri

Kambanat ranë sërishmi…
“Prapë ka vdekur tjetër njeri?!”
Fjalët e fundit, të vetmet…
I “fshehu” të gjitha manastiri,
 u kthye, në çast, në memec.
 
Kohezion 
 
Vërtet!
Sa afër ishim dje!
Çudi!
Sa larg shkuam sot!
Na ndante mes nesh një pikëpresje…
Sot nuk shquaj as pikat!
 
***
Sa zemra të plagosura,
sa shpirtëra të brengosur,
sa lot dhe sa mall,…
Ndal udhëkryqi më i madh. 
 
       
Mirë se erdhe
 
Kur zilja bie në derë,
dihet  alarm bëhet në shtëpi,
për rëndësinë e mysafirit të ardhur,
mimika tregon kush është ai.
         
 
O zemër, o mall, o vatër, o këngë, o zjarr…
 
O tokë e përgjakur nga shekujt,
O vend i të parëve të mi,
O diell që ndriçon përmbi qiej,
O vend i shqipeve – Shqipëri! 
 
O mall i mbledhur ndër njerëzi,
O vatër, ku prehje fal ti
O zemër, që rreh mbi çdo dashuri,
O vend i shqipeve – Shqipëri!
 
O këngë shpirti, burim jete,
O zjarr i endur ndër legjendë,
O më i shenjti ndër të gjithë,
O vend i shqipeve – Shqipëri!
 

Kosovës martire
 
Malet e rreptë dhe grykat e frikshme
Oshëtijnë nga klithmat e bijve të shqipes
Krenaria e arbërit fushëbetejë martirësh
Burrat e dheut  prore  ka thirrur.
 
E etur për komb,flamur e liri
U dogje në flakët e shekujve robëri
Tym e barut kullat statuja
Tmerr e panik për shkjahun  e huaj
 
Me zjarr e ndrite emrin tënd Kosovë
Me gjak e shkruajte gjuhën arbërore
Burrat u falën për besën dhe fjalën
Burrat e fituan tokën e të parëve.
 
Zëri i Drenicës,kushtrim lufte e furie
O prite o prite,jehon Azem Galicën
Ngritur mbi lavdi,tjetër rreth kreshnikësh
Me Adem Jasharin,valle historie.
 
Eh! Kosovë! Kosovë martire
Shekulli ri ,faqe lavdie
Gjaku dëshmorëve,provë pavdekësie
Krenari shqiptarizmi ,tokë e hyjnizuar. 
 

Oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon
 
Vendlindjes time, Malëshovës
 
Fshehur mes malesh, ku mjegulla zë fill,
tutje horizontesh mendja fluturon,
malli i nxituar përherë në kërkim
për lisat, zallishtet dhe ujërat e ftohtë…
 
Si zogjtë shtegëtarë humbëm, s´di ku,
të lamë të vetme, ikëm të gjithë,
Rrënimi si korbat, turret egërsisht
të kthejë ç`të mundë, në pluhur dhe hi.
 
Fjala më e parë të mat me “dikur“,
ç`vlen, kur të heshtur shikojmë sot,
Askush s´mbart mallin tënd të gjerë,
t´i flasim, ta prekim, të shkrihemi në lot.
 
Madhështia jote shkrepëtin rrufe,
oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon,
Malli i mbledhur na fton të gjithë 
Të të ngremë nga heshtja, nëna jonë, Malëshovë!

 
Me shpirtin, përherë në fluturim
 
Mikut tim, Frederik Reshpes
 
Ti ike ashtu, krejt papritur
me mallin vjeshtëror në gji.
Me zemrën mbetur peng atje
tek i shenjti,
             liqen turfullim.
 
Ti ike, pa thënë  asnjë fjalë,
i lodhur,
           i mundur nga dhimbja.
Me brengën e nënës së thinjur 
nga vitet e vuajtjes së poetit.
 
Ti humbe rrugëtimës  pa kthim,
me të vetmin ëndërrim në shpirt,
me të vetmen pasuri që kishe,


Dorëshkrime dhe copëza poezish. 
 

Ti ike larg, si era,
në të  përjetshmen paqe,
                                    ngadhënjim.
Me sytë e shpresës tek e nesërmja,
me shpirtin, përherë në fluturim.
Poemthi i kuajve të bardhë
 
I

U mendova një mbrëmje 
me vështrim nga yjet.
Hëna hidhte zbehtësinë mbi mua,
nënqeshte  pafajësinë e shpirtit treguar.
 
Mendova një çast 
ta përbuz këtë rreng të heshtur;
mendova një çast 
ta përbuz këtë imazh të rremë.
 
Qetësi!
Çuditërisht vetëm  qetësi,…
S´dihet ç’ ëndrra bredhin 
në shpirtin e njeriut!
 
Krahë menatorë shtrihen ngadalë
të lodhur,
             të verbër,
                        plot mistere.
Rendin pas natës së kuajve të bardhë.
 
 
Kjo është nata e kuajve të bardhë,
Natë,
Premierë e përhershme,
Premierë që s’di të reshtë.
 
II
 
Lëmshe mendimesh 
pleksen diku,
orvaten honeve,
ngrehinave të pafundme labirinthesh.
 
Shumë zgjidhje fal momenti.
Më vonë një e vetme,
në fund asnjë.
Treten si hije shiritave të prerë.
 
III
 
Dita agon…
Sklepat zhduken 
nga sytë e përgjumur,
Natyra përreth 
shfaqet në mjegull,
cicërimat e zogjve
 rikthejnë buzëqeshjen.

IV

Shkruaj për dashurinë.
E kush nuk ka shkruar 
për të në këtë botë!?
I pari nuk jam,
por as i fundit njeri.
do vijnë Të tjerët,
e të tjerë do shkruajnë ,
plot nostalgji të  gjelbër.

KORSI E HAPUR (ESSE)

Agron Shele
 
Një shpalosje universale vlerash
 
   Mendimi universal në letërsi dhe unifikimi vlerave reale kanë mundësur sot koncepte dhe ide nga më madhoret,kanë krijuar tendenca përafrimi në shumë kultura,kanë paracaktuar modalitete bashkohore dhe kanë krijuar mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi dhe komunikimi.
Nën këtë nismë dhe me motivim të qartë u realizua projekti “Korsi e hapur“ Antologji poetike e Krijuesve Pegasi dhe autorëve të tjerë nga vendi dhe bota (rreth 170 autorë vendas dhe 84 autorë të huaj nga 22 vende të ndryshme të botës),të cilët me prurjet e tyre letrare në 11 gjuhë të huaja,arritën të flisnin për herë të parë në gjuhën shqipe dhe të plotësonin një mozaik letrar nga më të larmishmit.
   Botimi i kësaj antologjie nuk është i rastësishëm,por erdhi si rrjedhojë e  përvojës  10-vjeçare,e shtrirjes së  Lidhjes “Pegasi“brenda dhe jashtë vendit,e komunikimit  me simotrat e tjera letrare të cilat shtrihen në të gjitha kontinentet,e shpalosjes universale të vlerave i cili është bërë evident dhe mjaft sinjikativ.
   Është e çuditshme por dhe mjaft premtues lloji i ri i komunikimit midis autorëve të ndryshëm nëpërmjet internetit,të cilët punojnë në mënyrë të pavarur përbrenda rrymave të ndryshme letrare,shkëmbejnë eksperiencë dhe hulmutojnë prurjet dhe gjetjet e reja ,debatojnë për anën kompozicionale dhe atë fabulore,konturojnë idetë dhe profeksionojnë stilet.
   Le të bëjmë një anlitikë të shkurtër të antologjisë poetike dhe të konkludojmë për dinamizmin e krijuar duke u endur nga një autor tek tjetri,nga një kulturë tek tjetra,nga një ndjenjësi në një ndjenjësi tjetër.
   Pse e shtroj këtë paratezë të nderuar kolegë?
Për shumë arsye të cilat të shtyjnë drejt konturimit të një letërsie ndryshe
•        -Letërsi që është domosdoshmërisht e aplikueshme në vende që kanë pasur  probleme çensurimi Shqipëri,Kosovë.
•        -Letërsi që duhet të ridimesionojë vetveten dhe të krijojë komunikim më të gjerë në hapësirë dhe kohë.(Komunikim që realizohet për herë të parë në letërsinë shqiptare pasi përfshihen rreth 84 autorë të ndryshëm të huaj)
•        -Letërsi që duhet të përafrojë kultura dhe kombe (Përfshi 22 vende të ndryshme të botës që përfaqësohen denjësisht)
•        -Letërsi komunikuese,dhe mundësuese për shkëmbime të ndërsjellta vlerash.
   Le të ndalemi në një moment tjetër, i cili shërben për të konfiguruar elementë kyç të një projekti të tillë,projekt që konsiston në paraqitje të përbashkëta  dhe në eventualitete të ndryshme.
   Ç´duhet të kuptojmë me elmentë që ndikojnë dukshëm në perfomancën e një vepre kaq të gjerë dhe në paraqitjen e saj grafike:
Është më se e kuptueshme që elementët bazë që treguesit e nivelit artistik të jenë sa më cilësorë duhet:
•        -Niveli i përkthimit të jetë përbrenda standarteve (Rast konkret   Shqipërim+ruajtje kompozicioni +ruajtje mesazhi) perfomancë që u mbështet fort nga Kongresi Lidhjes së Shkrimtarëv e të Botës ,Salaminë ,Greqi 2008 në lidhje me vështirësitë në fushën e përkthimeve.
•        -Harmonizimi i prurjeve dhe gjetjeve letrare të autorëve vendas me ata të huaj.
•        -Rikonceptimi i artit me autoritetin krijues.
 
  Jo pa qëllim përbrenda veprës letrare ndeshesh me emra të tillë si Teresinka Perriera Kryetare e lidhjes Shkrimtarëve të Botës IWA (USA)Domeniko Defeliçe dhe Flavia Lepre (Itali),Adolf Shvjedçikov (Rusi),Kristina Santos Akeza (Brazil),Dr Ashok (Indi),Hju Çi Çeng (Kinë),Benard Xhekson (Angli),Armando Roje Leon (Marok),Goro Ihara (Japoni),Çan Sirisuit (Tajlandë),për të ardhur tek poetët Grekë Dimtris Kraniotis Kryetar i Lidhjes Poetëve të Globit WPS,Dinos Kubatis,Panajota Zaloni ,kandidatja për çmim nobël Nadia Çela Pop (Rumani),autorët kosovarë Kadrush Radogoshi,Rushit Ramabaja,Muharrem Gashi,autorët e Lidhjes Pegasi që përfaqësohen kryetarin Kristaq Shabani,Petro Dudi, Iliaz Bobaj,Dashamir Malo,Trifon Dafa,Izet Çulli,Enrieta Sina,Lumo Kolleshi,Sinan Vaka,Dhimitër Miti,Anila Mihali,etj.
   Kjo konglomeratë autorësh të cilët nuk njohin as shtet dhe as komb por përfaqësojnë universalitetin e vlerave njerëzore përbën rast të papërsëritshëm për kulturën tonë letrare,dhe këtë gjë e vërtetoi më së miri shkëmbimi i informacionit nëpërmjet postës elektronike nga ku shumë kolegë të nderuar të huaj të cilët në këtë antologji poetike flasin shqip,kanë dërguar qindra mesazhe urimi dhe falenderojnë për të tjera inisiativa të tilla,të cilat dhe përoja e tyre e gjerë nuk i kish përcjellur më parë.
 
   Duke cituar një ekstrakt të shkurtër nga kjo antologji ku theksoj se:
 
“Poezia është vetë magjia
 Poezia është flirt i shpirtit
 Poezia është muzë mbi muza”
 
Mendoj se kam shprehur percepetimin e vërtetë të poetit global.
    Së fundi mendoj se “Korsi e hapur“ është pikënisje e atributeve dhe prurjeve të qindra poetëve të cilët përbrenda mendimit të tyre kanë nisur dukshëm dhe bindshëm shkëmbimin universal të mendimit letrar mbarënderkombëtar.

Lamtumire kohe!



Aida Dizdari





















Aida u lind ne vitin 1981 ne qytetin e Durresit ku ka kryer arsimin e detyrueshem si edhe ka frekuentuar shkollen e mesme "Naim Frasheri" ne Durres, se ciles i detyrohet shume per sa i perket pergatitjes se saj si shkollore ashtu edhe jashteshkollore. Ne vitin 1997, Aida fitoi nje burse studimi dhe si rrjedhoje u diplomua prane "Red Cross Nordic United World College" ne Norvegji. Tani ajo studion ne Fakultetin e Shkencave Nderkombetare e Diplomatike prane Universitetit te Triestes ne Itali.
Aida ka filluar te shkruaje qe ne moshe fare te vogel kryesisht ne gjuhen shqipe. Pervec publikimeve sporadike neper gazeta dhe atyre online, ajo nuk ka botuar asgje te rendesishme deri tani, por se shpejti ajo do te dale neper librari me nje dialog poetik, frut i nje bashkepunimi me poetin Artan Hasani.

Nje cast reflektimi

Karkasat e njerzve te dikurshem cirren shkretetirave
ndersa njerez therrasin korbat, t'i mbledhin nje me nje
qe valesh
njerez te tjere te vijne
e te ngrene kollonat e shfajesimit e perligjjes...
Nuk i kam marre vitet e mia qe te veshtroj ne heshtje...
Por teksa therras
zeri me vjen i dobet,
gati i padegjueshem
dhe veten qe cirret
e degjoj vetem une...


Une dhe Une


Gishterinj lozonjare ne barkun e dheut,
dhe velloja jote e nuserise perdhosur ne zhurmen e trafikut... 
Lulet e portokallit ndotshem bien...
Te veshtroj,
ashtu sic veshtrohen lumenjte qe rrjedhin 
dhe shiu kur bie i qete:
ti altaresh te bardhe ecen,
e sigurt...
vete...
E shoh token mbi ty                
dhe lojezen e trupit tim qe rreh...
Ti ecen e me hapa shtremberon
ate qe m'eshte me e shtrenjte.
Duhet te te godisja me nje veshtrim,
duhet te te hidhja perdhe,
por ti fluturzonje me iken e me shket,
ti shkon drejt aromes se re.
Jashte teje lebetitem pranimesh,
jashte teje therras e ulerij!
Ti nenshkruan te ardhmen time,
te ardhmen tende tani...
Gishterinj lozin me barkun e dheut,
ti luan me shpirtin tim...
velloja jote e bardhe fshin dheun,
velloja ime nxin.
Ti uni im i jashtem qe qesh,
une uni yt pelegrin...
Ti stoike ne ecjen tende
une stoike ne ulerime.


Pa fjale


Gjumi ka rene mbi mua, i bardhe
e fjale me s'kane mbetur, te tjera fjale...
Goten te mbushur gjysem shterngoj ne dore,
nje enderr te bukur kam pire te tjerash ore...
S'ka me sekrete per ty tek rri shtrire,
prej gotes me sublime kete mbremje ti ke pire...
Shternguar ne lendinat me te gjelbra mban tani nje flutur,
te vyer, sic e quan, e te bukur...
Pergjakur, burbuqe, ne krahet e tua dergjur rri.
Petel me petel ia puth ti kryet tani.
Gjumi ka rene mbi mua, i bardhe...
fjale, me nuk dua, te tjera fjale...


Makth


Endja ime ulet ne prehrin tend
e me gishta mjegullime te prek     gjoksin...
Perkedhel...
Gjumit peshperitje...
Te dua!
Te dua!
Te dua!...
ne tjeter gjuhe,
ne tjeter vend,
te tjera krahe...
Dy puthje...
Lamtumire kohe!
Veten e kam terhequr zvarre
muajsh te thate
ku buze te zverdhura
zgjaten puthjesh te mohuara.
Asgjeja u lind.
Brenda hereve kur une u dergja me dhembje
ti u fshehe ngadale...
Atehere une mbeshtetesha pas teje
pa e ditur se kembet qe me mbanin
qene te miat qe ne nisje...

Pas çdo dështimi...


Yllka Sheqiri, (1987) u lind në Prishtinë. Si katërvjeçare bashkë me prindërit mërgoi në Suedi. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme drejtimin natyror i kreu në Karlskrona. Është studente dhe studion dramaturgji dhe film. 
Si fëmijë ka ilustruar disa libra fëmijë,  por vallja dhe krijimtaria letrare janë pasion i saj i veçantë. Është prezentuar në disa antologji me poezi për fëmijë, psh. Në antologjinë ”Atdheun e kam në Zemër”, në ”Urat tona”, etj. Disa vite ka shkruar skenar për teatër me grupin e skenarit të shkollës. Ka themeluar dhe ka udhëhequr një kohë grupin e fëmijëve vallëtar të vegjël ”Gliter” në Karlskrona.
Gjatë vitit shkollor 2007/2008 ka punuar si mësuese dhe udhëheqëse e një kursi themelor për gjuhën ”Gjuha çels për integrim” në gjuhën shqipe dhe suedeze në Karlskrona.
Gjatë studimeve ka qenë asistente e regjisë për dramën ”Komedia hyjnore e Dantes” (2006) vënë në skenë nga studentët në Teatrin e Studentëve në Lund.
Vitin 2005 ka debutuar me përmbledhjen e poezive në gjuhën suedeze ”Jag lyssnar inte alltid” (Unë dëgjoj jo gjithmonë), ndërsa më 2008 ka botuar përmbledhjen tjetër me poezi me titull ”Men” (Por). 
Yllka Sheqiri

Në vitin 2007 me poezinë ”Kasta mig i öknen (Më hidh në shkretëtirë)” Yllka është prezentuar në përmbledhjen antologjike Via Mystica /Përmes mistikës/ nga autorët Jonas Eek, Stefan Klint, Beata Åhrman-Ekh në botim të shtëpisë  botuese Verbum ndërsa më 2008  është përfshirë në antologjinë ”Revansch 2008”, botim i Shtëpisë Botuese ”Skrivarsidan” dhe Vullkan.
Yllka Sheqiri, poete, studente  e dramës,  filmit dhe skenarit është një krijuese që premton  shumë  jo vetëm në fushën e  letërsisë,  por  edhe  të  dramës  e të filmit. 
Këtë e dëshmoi me filmin e saj të shkurtër artistik të realizuar vitin e kaluar me titull “Në pus pa fund” skenarin dhe regjin e të cilit i bëri vetë dhe ku rolin kryesor e luan vetë.  Në Festivalin e filmit të shkurtër artistik “Alfredgalan 2009” në Sölvesborg Yllka u nderua me Çmimin për aktrimin më të mirë në filmin e saj “Në pus pa fund”. Ndërsa në Festivalin e filmit “Tellus 2009” që u mbajt në Karlshamn filmi “Në pus pa fund” i Yllkës mori Çmimin e publikut.

Shpirti ynë – dritare e hapur


*   *   *

Nganjëherë qanë njeriu për jetën
Ankohet
Që është i vetmuar

Fati ju ndodhë të tjerëve
Befasishëm
Por 
Kjo s’na ndodhë
As ty as mua 

Ne i takojmë grupit
”Njerëz të dështuar”
Thellësinë e ndajmë
Dhe hapim një dritare
Pas çdo dështimi
Ne jemi të sprovuar
Për të shpresuar
Ndoshta fati që vjen nganjëherë
E gjenë shtëpinë në të paharruarin shpirtin tonë 
Dritare të hapur

©Yllka Sheqiri

 

*   *   *

Të gjitha lojërat përfundojnë
Disa janë më të gjata nga të tjerat
Mirëpo përfundojnë
Me fitues dhe humbës

Pse je aq i befasuar
Që  ka përfunduar loja dashuri 
Dhe që humbës je ti?!

©Yllka Sheqiri
 
*   *   *

Princesha deshi të shkoi
Dhe shkoi
Larg tutje 
Shkoi
Dhe kurrë më nuk u kthye 
Ajo ishte e frikësuar
E frikësuar
Të qëndroi
Dhe
Ta lë përrallën të rifilloi

©Yllka Sheqiri

 
*   *   *

Nëse ekziston një përpjetëz deri në qiell
Ajo duhet të jetë jashtëzakonisht e gjatë.

Tmerrësisht tepër tepër e gjatë!

©Yllka Sheqiri


 
*   *   *

Unë nuk kam frikë nga vdekja
Unë kam frikë nga procesi i vdekjes. 

©Yllka Sheqiri

Shënim: 
Këto pesë poezi janë marrë nga libri në gjuhën suedeze ”Men” ( ”Por”)  i Yllka Sheqirit. 

...hidhni farën jepni gji e gjak...




Qerim Raqi ka lindur më 22.mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në halmstad të Suedisë ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi komparative. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”,  ”Era ” Prishtinë,, 2010. jeton përkohësisht në Varberg të Suedisë. Punon mësimdhënës.



SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT

Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona
qielli do t´ mërrolet nxihet në t`ziun mot
varret do t `qohen peshë thirravajeve tona
si fantazmë Hamleti         o Zot

në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet
gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë
tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet
derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt

i akullt këtu dielli buka shumë e kripur
ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason
kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon:

në atdhe të vriteshim në betejë nga një plumb
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?


PRAP KOLLI I KEQ

në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri
qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë
në lëkurën e ethëshme, në t´thyerën bri
prap një koll i keq me vjeshtën e vonë

gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet
se një natë një shekull kishte fjetur
nga ashti pikon loti rrënja mpihet
në herbarium lulëkuqja e etur

një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës
don të përbijë globin si një kokërr rrush
e korbi i zi flatron mbi prag të derës
gacë e m`buluar n`mes hirit me prush

dicka po na e zë frymën në rrënjë në farë
t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt
t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr
që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.

           (janar, 1992)


SIMFONIA E GJAKUT

kur valle e vdekjes
përfshin atdheun Prekazin
jasharajt
me breshëri plumbash
shkruajnë
alfabetin e qëndresës
vdekja bëhet lirikë gjaku
në cifteli këputen telat e durimit
njëri tel akordohet në dhembje
tjetri në krenari
gjaku ngrihet në këmbë
kacakqe jasharqe krisin krismat
isove partiturave atdheut
epika ikën nga librat fjalët
”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”
këndon Hamza
yjet zbresin poshtë
në kullën e jasharajve
këmbëkryq ulet epika vetë Shabani
legjenda nxjerr flakë nga goja
dhe hynë drejt në histori
dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien
shkrumb sofrës së atdheut
pëllumbat e gjakut
në mur epika
merr sharkinë e Hamzës
gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes
njëri tel i akorduar në krenari
tjetri në dhembje këputur
Ademi për një oktavë më lart
shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut
në flakë kënga në flakë vdekja
ndërgjegjës sonë i japin shkollë
shkruajnë me plumba në flakë
alfabetin e qëndresës
dhe këndojnë
jasharajt
kur vdesin në këmbë
vdesin bukur
lindin kur vdesin
duke kënduar
simfoninë e gjakut


FËMIJËT  E FLAKËS

S´dinë asgjë për Prometheun
e janë gjysmëPromethe

vrapojnë portave të qytetit tim të djegur
kryeneq varfënjak luajnë lojën e zjarrit
(kohë zjarri është tani)


ja si u bëka jeta në flakë
lindja si u bëka në flakë vdekja
koha ua vjedh qeshjen

dhe s´dinë gjë për Prometheun

krejt jeta në flakë në flakë vdekja 
para pragut të shtëpisë ngrin buzëqeshja
fëmijët ikin prej kohës sfidojnë të mëdhenjtë
struken thellë në prehrin e historisë

natës së shekullit sogje i bëjnë


VITET PA TY

vitet, padiktueshëm
hanë vetveten, hyjnë
në vrimën e zezë

universi im tkurret
në një pikë
vetmia

thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate

gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas


GJEOGRAFIA E MUNGESËS

po e fshin vetveten nga harta, e dashur
lumin po ndal, burimit
ia mbyll derdhjen

po e gërryen dheun nën këmbë
rrëshqitja jonë shtratin si po e shtron
dalëngadalë fundos Kepin
e Shpresës së Mirë

po e fshin
nga harta ime, vetveten
e dashur po më del nga kufinjtë

përtej mallit po më rrëshqet
gropëzave të zhgënjimit
po merr thua,
gjak po më merr në krua

e dashur
po fshin vetvetën
nga harta gjeografinë tonë


NË SYTË E TU

në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore

në shpirtin tënd
luftrat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë

në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët

në fjalën tënde
të gjitha shpresat…


ALFABETI I SHPIRTIT

po t´i lë të gjitha, e dashur
ja ku i ke
të gjitha
fletët, librin, lapsin,
ditët
gjithcka
që shkruhet dhe më shkruan
merri e lexo në mua
ja gjuha ime,
shkronjat e lodhura
shpirtit tim lexo
hieroglifet, alfabetin tim
më lexo e dashur
merr sytë e së vërtetës
vendosi në zemër lexo hapur
nga e majta në të djathtë
nga e djathëta në të majtë
v
e
r
t
i
k
a
l
i
sh
t
më bëjë fjalë-kryq
më shumëzo në katror fjalën
e shpirtin, gjeometrinë time
jam faqe libri, kapitull i vjedhur
fytyrës sate, syve të tu
ja ku më ke, të tërin
shtypur në shenja, pergamenë
nëse di të lexosh shpirtin tim
dhe më gjyko pastaj pa fjalë
lexo në daq digje gjuhën time
alfabetin tim kapitull i grisur
i prozës sime absurde
dhe më gjyko…


DITA E GJYKIMIT

po ekspandon
a po tkurret
universi?

kohëhapësira
në vezën e vet kozmike

shkojmë para a prapa
në tkurrje a expansion?

me hapa gaforresh
në guacën tonë
a me shpejtësi drite
në shpërbërje?

do takohemi të gjithë
në një pikë vlimi
në vrimën e zezë
Ditën e Gjykimit

Po ekspandon
a po tkurret
Universi im?


PUTHJA E JUDËS

merreni
ja ku e keni
prejani kryet mashtrimit
këputjani kryet Pilatëve e Mojsiut

prejani
me sharrë dhëmbët kafshimit
tradhëtisë ngulni thikat
kopilave të mohimit
jepni helm

hudhjani qenëve
kockat e tradhëtisë
kuajve të harlisur të Judës
prejani trojat

shurdhoni trokun
kobit e Korbit
të Alan Poe-së
qiellit të përflakur tokës së djegur
hidhni farën jepni gji e gjak
pëllumbave pelikanë
a Feniks bëhuni
të gjakut

Elvira Dones prezanton në Itali romanin e saj të fundit



Ka lindur në Durrës (Shqipëri) në 1960. Është e  diplomuar në letërsi shqipe e angleze në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nga viti 1988 deri në 2004 ka jetuar e punuar në Zvicër. Aktualisht jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Ka shkruar e publikuar në gjuhën shqipe:

DASHURI E HUAJ, roman, shtëpia botuese Çabej, Tiranë 1997

KARDIGAN, roman, shtëpia botuese Çabej, Tiranë 1998

LULE TË GABUARA, vëllim me tregime, shtëpia botuese Onufri, Tiranë 1999

YJET NUK VISHEN KËSHTU, roman, shtëpia botuese Sejko, Elbasan 2000

DITË E BARDHË E FYER, roman, shtëpia botuese Sejko, Elbasan, 2001

I LOVE TOM HANKS (PËRRALLA MODERNE), tregime, shtëpia botuese Sejko, Elbasan, 2002

MË PAS HESHTJA, roman, shtëpia botuese Sejko, Elbasan, 2004

Romanet YJET NUK VISHEN KËSHTU, DITË E BARDHË E FYER e MË PAS HESHTJA janë pjesë e një trilogjie të titulluar "Trilogjia e dhimbjes".

Botuar në gjuhën italiane:

SENZA BAGAGLI (nga origjinali shqip "Dashuri e huaj"), BESA Editrice, Nardò (Lecce), 1998

SOLE BRUCIATO (nga origjinali shqip "Yjet nuk vishen kështu"), Feltrinelli Editore, Milano, 2001

BIANCO GIORNO OFFESO (nga origjinali shqip "Ditë e bardhë e fyer"), Interlinea Edizioni, Novara, 2004

Në gjuhën franceze:

Shtëpia botuese Anne Carrière e Parisit do të botojë së shpejti romanin "Yjet nuk vishen kështu", aktualisht në fazë përkthimi, me titullin SOLEIL BRULÉ. 

Fragmente nga vepra të mia, letrare apo esestike, janë botuar në gjuhët angleze, gjermane, rumune.

Krahas krijimtarisë letrare lëvroj punën si gazetare dokumentariste e skenariste filmi.


Gazetari:

Për Televizionin e Zvicrës italiane gjatë vitit 2003 realizoi dokumentarin CERCANDO BRUNILDA, 43', (finalist i Çmimit të gazetarisë "Ilaria Alpi 2004").

Po për të njëjtin televizion në pranverë 2004 realizova në malet e Shqipërisë së veriut dokumentarin : "I NGUJUAR (Inchiodato)", 53'.

I NGUJUAR u nderua me çmimin FIPA D'ARGENT në seksionin "Grands Reportages de faits et societé" në Festivalin Ndërkombëtar të Programeve Audiovizive, Biarritz, Francë, janar 2005.

Ndërkohë vazhdon aktivitetin si publiciste për disa gazeta shqiptare.

Ka shkruar tre skenarë filmash artistikë me metrazh të gjatë:

skenar për filmin SENZA BAGAGLI I ("Dashuri e huaj"), 1998 

skenar për filmin SOLE BRUCIATO ("Yjet nuk vishen kështu"), 2003, bashkëprodhim evropian me producentë nga Zvicra, Italia e Franca. Do të drejtohet nga regjisori shqiptar Fatmir Koçi. Xhirimet nuk kanë filluar ende. 

skenar në gjuhën italiane per filmin televiziv GUARDIE DI CONFINE, 2004, prodhuar nga Televizioni Zviceran, aktualisht në fazë realizimi.

Po punon mbi një roman në gjuhën italiane: HANA DELLA GONNA STORTA. Është  në fazën fillestare të punës mbi një vëllim me tregime e një roman në gjuhën shqipe.

Është anëtare e Shoqatës Zvicerane të Shkrimtarëve (ADS).

Informacioni si dhe nje pjese e krijimeve është marre tek faqja zyrtare e shkrimtares:www.ElviraDones.com



****


Shkrimtarja shqiptare me banim në SHBA, Elvira Dones prezanton këtë fundjavë, në Milano dhe Torino të Italisë, romanin e saj të fundit, “Piccola guerra perfetta”. I botuar në Itali në pranverën e vitit 2011, romani i kushtuar ngjarjeve të luftës së Kosovës ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe të kritikës. I sjellë në italisht me një parathënie të Roberto Savianos, librit i është bërë jehonë në mediat kryesore të shtetit fqinj. Këndvështrimi i masakrës së vitit 1999 në Kososvë, në romanin e Elvira Donesit, është kryesisht ai femëror. Bazuar mbi dëshmitë e grave kosovare, Dones trasformon dokumentet në një material “të nxehtë”, dhe paraqet nëpërmjet filtrit trillues, kompleksitetin dhe dhimbjen e viktimave. Veprimtaritë, të organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare do të zhvillohen në Milano, pasditen e të premtes, 23 shtator, në mjediset e Bibliotekës Sormani ndërsa të nesërmen në Torino, në Bibliotekën Italo Calvino. Prezantimi i librit do të drejtohet nga gazetari Benko Gjata gjithashtu do të jenë të pranishëm konsullit shqiptar Gjon Coba, studjuesit Guido Franzinetti, Silvio Ziliotto, Nanni Sallio dhe Donatella Sasso, etj. Aktiviteti do të pasurohet nga shoqërimi muzikor i artisteve Lindita Kopliku në piano dhe Diana Subashi në violinë. Elvira Dones ka botuar romanin e saj të parë në vitin 1997 me titull “Dashuri e huaj”, i përkthyer në gjuhën italiane. Ajo është gjithashtu autore e nëntë veprave narrative. Qëndra e Kulturës Shqiptare synon të përhapë në Itali njohurinë e historisë dhe të kulturës shqiptare, të mbështesë procesin e integrimit të bashkëisisë shqiptare dhe të promovojë zhvillimin e marrdhënieve kulturore, sociale dhe institucionale mes dy vendeve.


*****


Nga Benko Gjata
















Me pas Elvira flet per dhuntite e shfaqura qe ne vegjeli. “Ne moshen 4 vjec e gjysme une thashe se do behem shkrimtare. Ne klase te pare mesuesja me kapi me librin Qyteti i Fundit i Petro Markos qe une e mbaja edhe pse nuk e kuptoja qe ne ate moshe”, shprehet Dones.
Elvira Dones, shkrimtarja me atdhe boten




























Elvira Dones, gazetare dhe shkrimtare, ka zgjedhur si stil jete gjuhen dhe kulturat e ndryshme. Rrenjet e saj jane ne Shqiperi, por ajo thote se ndjehet shume mire ne shume vende te botes.

Me pas Elvira flet per dhuntite e shfaqura qe ne vegjeli. “Ne moshen 4 vjec e gjysme une thashe se do behem shkrimtare. Ne klase te pare mesuesja me kapi me librin Qyteti i Fundit i Petro Markos qe une e mbaja edhe pse nuk e kuptoja qe ne ate moshe”, shprehet Dones.

Ajo eshte nje shkrimtare e dashuruar pas emrave te medhenj si Cajupi, Marko apo Kadare, por Migjeni ze nje vend te vecante ne shpirtin e saj letrar. “Migjeni ka qene nje zbulim i jashtezakonshem dhe vazhdon te jete i tille”, shton Elvira.

Ne fund te profilit, shkrimtarja shqiptare pranon se dashuria per Shqiperine dominon mbi gjithcka. “I flas gjithmone Shqiperise dhe me shkasin lotet kur ngrihet avioni. Eshte nje dashuri e permasave te medha”, thote Elvira Dones. 



"Unë, si Neruda, rrëfej se kam jetuar”.

Me këto fjalë, të huazuara nga titulli i librit autobiografik të poetit të madh amerikano-latin, e nis Elvira Dones paraqitjen e saj përballë publikut të shumtë e të përzgjedhur Italjan dhe Shqiptar, që mbushi të Hënën, 14 Shtator 2009, sallën kryesore të Bibliotekës së qytetit të Astit, në Itali.

“Edhe unë, si protagonisti i shquar i këtij libri,” thotë Dones, “kam jetuar në mënyrë shumë intensive.

Kam bërë edhe gabime, më shumë se një herë edhe jam rrëzuar, por përherë jam ringritur.”

Kjo, natyrisht edhe falë pasionit të thellë për letërsinë.

“Letërsia është për mua si një besim fetar, ajo është vetë feja ime”, shprehet shkrimtarja, autore e shumë romaneve, përmbledhjeve me tregime dhe dokumentarëve, të realizuar, në gjuhë të ndryshme, në Shqipëri, Itali, Zvicër e SHBA.

“Nëse shkrimtarja Sibilla Aleramo shkruan ‘Dua, pra jam’, unë, për veten, mund të pohoj pa frikë se ‘Shkruaj, pra jam’”, shprehet autorja Shqiptare, krijimtaria e së cilës është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Grinzane Cavour-i i vitit 2008. Shkrimtare, patjetër, por njëkohësisht edhe grua, bashkëshorte e nënë, Dones flet gjatë edhe për vështirësitë, gëzimet dhe dhimbjet, e lëvrimit të letërsisë për një grua të përkushtuar edhe ndaj familjes.

“Për të shkruajtur letërsi, diçka e cila i përket unit tim më të thellë, kam nevojë për një hapësirë timen, të pacënuar nga asgjë tjetër, që shpesh më mungon” thotë ajo. “Për një shkrimtare femër krijimtaria është më e vështirë, pasi ajo duhet të përkujdeset edhe

për familjen.

Në rastin tim, kohë nga krijimtaria letrare më rrëmben edhe veprimtaria si gazetare dhe dokumentariste.”

Elvira Dones ne takime poetike
                             Elvira Dones ne takime poetike




















Por, pavarësisht vështirësive, Dones duket se preferon të punojë kështu, e impenjuar paralelisht në shumë “fronte”.

“Më tmerron ideja e të qënit vetëm shkrimtare,” thotë ajo. “Eshtë e rrezikshme të tentosh të përshkruash botën pa lëvizur nga skrivania e studios tënde.
dones.jpg

Bota duhet parë, duhet prekur, duhet njohur. Për mua shkrimi i një libri është një moment i shenjtë, dhe gjatë atyre katër muajve që shkruaj bocën e parë, jetoj vetëm për këtë gjë. Por kur përfundoj së shkruari një libër, vijoj menjëherë me veprimtari të tjera. Puna si gazetare më apasionon.

Ajo që më intereson më shumë, si autore dokumentarësh, janë të emargjinuarit. Ata më japin shumë, pasi kur përfundoj një dokumentar kam grumbulluar edhe mjaft material për një libër të ardhshëm.”

Nga ideja e një dokumentari ka lindur edhe suksesi i saj i fundit, romani “Vergine Giurata” i botuar në Itali nga shtëpia botuese prestigjioze Feltrinelli.

Ky është edhe romani i parë që Dones ka shkruajtur direkt në gjuhën Italiane.

“E kam bërë këtë,” pohonautorja, “pasi jo rrallëherë kam hasur vështirësi në përkthimin e

veprave të mia nga Shqipja në Italisht.

Nganjëherë më është dashur madje ti rishkruaj vetë, si në rastin e romanit “Ditë e Bardhë e Fyer”.

Elvira Dones duke u shperblyer
                                        Elvira Dones duke u shperblyer

























Projektet për të ardhmen janë të shumta.

Një film fiction, një dokumentar, një roman i ri, noir, i shkruajtur edhe ky në Italisht.

Por edhe një përmbledhje me tregime në gjuhën Shqipe, një projekt televiziv mbi letërsinë, i realizuar në bashkëpunim me Top Channel, si edhe ribotimi në Shqip i romanit “Yjet nuk vishen kështu”.

Pavarësisht përmasave të theksuara ndërkombëtare të jetës së saj – me

bashkëshort Zviceran, ajo jeton në SHBA dhe udhëton pareshtur për

arsye pune – Elvira Dones vazhdon të mbetet shumë e lidhur me vendin e

origjinës.

“Deri një, apo dy vite më parë, as që e mendoja të kthehesha në Shqipëri,” thotë ajo. “Ndërsa tani tek unë po hedh rrënjë ideja, nuk them e kthimit përgjithmonë, por e një vendosjeje të përkohshme, për 4,5 apo 6 muaj, në Shqipëri, për të punuar aty.

Shqipërinë e kam dashur dhe vazhdoj ta dua me shpirt.

Jam edhe shumë kritike ndaj vendit tim, por kjo vjen pikërisht sepse e dua. Sa herë kthehem në Tiranë kam shumë emocion.”

Veprimtaria, e organizuar nga Biblioteka e Astit në bashkëpunim me

Shoqatën Vatra të Torinos, shënoi etapën e rradhës të projektit

“Festivali i Kulturës Shqiptare” i propozuar nga Vatra, me mbështetjen

e Rajonit të Piemontit.

Ajo u pasurua nga buqeta muzikore e ofruar për nder të Elvira Donesit nga këngëtarja lirike Lindita Hisku e shoqëruar nga pianistja Kristina Gjonej.

Në kuadër të këtij projekti qytetarët e Piemontit, Shqiptarë, Italjanë

apo të kombësive të tjera do të kenë mundësinë të njihen me kulturën Shqiptare përmes takimit me personalitete të spikatura të saj.

Takimi me Elvira Dones vjen pas një serie veprimtarish të ngjashme të Vatrës, të cilat kanë sjellë në Piemont shumë artistë e studiues Shqiptarë, ndër të cilët përmendim Ylljet Aliçkën, Anilda Ibrahimin, Rando Devolen, Suzana Turkun, Gjergj dhe Luiza Xhuvanin, etj.

Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra

Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh Shqiptarë dhe Italjanë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italjane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.

Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qëndrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës Shqiptare në Europë.


************



NJË KAFE E PIRË SË LARGU... ME JAMARBËR MARKON
Nga ELVIRA DONES





Këtë bisedë do ia kisha bërë – ndoshta – poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëhere kur lexova librin e tij "Rastësisht me dashje". Një pjesë të kësaj bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur unë sapo kisha dalë nga bangat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut. Rastësia e solli që të punonim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen Kinostudio "Shqipëria e Re". Por unë isha një çupërlinë që qëndronte mbi kalë, bëja pjesë në fitimtarët – në mund të kishte të tillë nën thembrën e një diktature – kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar?, pata pyetur shpesh me kureshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshazi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, "miqësore", më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rihabilitohej. Mos i prish punë vetes për mustaqet e Celos. Kështu, mos i fol që të jesh në rregull. Dhe njerëzit nuk i flisnin. E ai, një djalë i hijshëm me pamjen prej eremiti, ngarkonte e shkarkonte dekore, tulla, thasë gjithëfarësh rrethuar nga punëtorët e tjerë gjysmëanalfabetë stomakgroshë.

Jamarbër Marko, poeti i mbështjellë nga një heshtje abisale, me të cilin nuk shkëmbeva dot kurrë më shumë se katër përshëndetje të thata, duke ndryrë kyç përbrenda dëshirën se një ditë do rrokullisnim mbi tavolinë lume fjalësh përpara një filxhani kafeje.

Ndaj kur themeluesi e drejtuesi i revistës "Haemus" A. Kyçyku, më ftoi të shkruaja një artikull shoqërues për poezitë e Markos që kish përkthyer në rumanisht, nuk mendova dy herë. Ja ku ishte rasti ta pija së largu atë të bekuar hidhësi, pa rrezikuar të shpjegoja keq e t’i ngatërroja fjalët me zërin ngatërrestar. Kështu, bardhë mbi të zi, këto pak rreshta nuk janë gjë tjetër veç një deklaratë dashurie: dashurie letrare, njerëzore, mërgimtari. Pasi jemi të gjithë mërgimtarë ne shkrimtarët, mërgojmë nga vetja e nga bota, e vetmja hapësirë ku ndjehemi në shtëpi është karta. Egzistojnë shumë mënyra për ta nxirë këtë të fundit. Jamarbër Marko është nga ata që e nxijnë në mënyrë të mrekullueshme, mban penën në dorë në mënyrë mjeshtërore. Dhuntia e tij poetike dhe njerëzore është e larë nga një ndershmëri e plotë e plotësuese.

Jau kam falur ditën kur më dënuat me vdekje.
Jau kam falur orën kur vuajta çmendurinë.
Jau kam falur minutën kur dashurova gënjeshtrën.
Do hakmerrem per sekondën kur më bëtë Zot.

Mendoj se në poezinë shqiptare moderne, Marko zë një vend krejt të veçantë. Shumë larg, do të thosha në antipod të shpërthimit të poetërimit shqiptar post-diktaturë emfatizues e shpesh të zbrazët nga domethënie përmbajtjeje apo estetike, vepra e tij në lexim të parë duket e çmishëzuar, sintetizuese, racionale, vertikale. Por vetëm në lexim të parë e mendjelehtë, dhe vetëm për kë poezinë është në gjendje ta konsiderojë një grumbull të zhurmshëm epitetesh-tullumbacë. Gjë që ndodh rëndom aty ku mungon një "shtrojë" e vërtetë edukimi modern poetik e letrar, siç është rasti i Shqipërisë, ku lexuesi kaloi nga pseudolirika diktatoriale pesëdhjetëvjeçare, në një hapje të pa kriter ndaj çdo "dhurate" ofruar pa kursim nga perëndia helmuese e konsumizmit të tipit merr tre e paguaj dy. Që në marramendjen e tranzicionit shqiptar u kthye në: merr dhjetë e paguaj një. Por një çfarë? Një Jokulturë, madje harrim e përbuzje edhe ndaj traditës më të mirë të letërsisë së këtij vendi, që historikisht ka prodhuar pena të shquara. Një Joletërsi – librat në Shqipëri vazhdojnë të blihen pak – tani lakmohen oroskopët, letërsija pornografike, romanet ngjyrë rozë me ofshama debilësh, Playboy – mjaft me gjëra serioze, kemi vuajtur shumë nga serioziteti. E natyrshme, mbas 50 vjet ferri. Një popull i tërë, plakur pa bërë kurrë fëmijën, kish nevojë të kthehej në një puerilitet çlirues. Nuk donte të mendonte e ndjente më, të ndjesh do të thotë të vuash. Pra le të hedhim vallen e të marrit, deri sa të na pëlcasë edhe ky pak tru i shëndetshëm që na ka mbetur. Pastaj shohim e bëjmë.

Por vallja e çmendur e të konsumuarit të mendjes nuk të lë të shohësh e të bësh, pasi të çmerit shpresën, asgjëson traditën, vret shijen e së bukurës, thërmon mendimin racional dhe shëmton ndjenjat e holla.
Dhe këtu hyn roli i madh i disa penave-urë të letërsisë së sotme shqiptare, midis të cilëve zë një vend të shquar poeti Marko. Këto pena shërbejnë për të lidhur traditën e njëhershme me kohët moderne, por pa injoruar e fshirë ferrin e pesë dekadave të diktaturës. Pasi kjo e fundit ka egzistuar, është ende brenda kujtesës shqiptare, ajo është Thelbi i Dhimbjes së shqiptarisë moderne. Këto pena zgjojnë delikatesën e sopitur të popullit, bëjnë që kjo kujtesë në vend që të harrojë vetveten, të ushqehet me dhimbjen pikë e nga një pikë, si një antidot i helmit, për t’u shëruar krejtësisht prej tij, e jo për të vdekur. Marko, në poezinë Te kuçedra thotë:

Mos e ngjyeni këtë kështjellë drite
Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu.
Mos e hidhni këtë bukë të hidhur
Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu.
Kërkoni që mendimet të varen?
Fytyra, fytyra arrijnë deri këtu.

Fytyra-dritare e shpirtit të poezisë së Markos është e ndritëshme e delikate, akuzuese e pajtuese, optimiste e thellësisht e trishtuar njëkohësisht. Poezia e tij është pararendëse e dhimbjes së tij të brendëshme, por jo për këtë patetike apo viktimiste. Ai ecën sëbashku me vargjet, i lind ata e thith qumësht jete prej tyre. Eshtë poeti tipik i kalvareve të kësaj epoke: vetmitar, këqyrës i jetës më shumë se pjesëmarrës, i kthjelltë ndaj së ardhmes që e pret, optimist i kujdesshëm, më shumë se pesimist i pakorrigjueshëm.

Kthehem nga lufta me plagë të mbyllura
Dhe gjej plagë të reja të freskëta
Me luftë mund të mbyllen përsëri.

Vargjet e tij janë të lira nga rimat, besnike ndaj një ritmi të brendshëm të pagabueshëm, të ngjizura me një harmoni sensuale të tillë që nuk të krijon askurrë ndjenjën e teprisë. Poezia e tij nuk vel. Nuk rreh ujë në hava me fraza të pakuptimta dhe manierizëm, aq të dashur për pseudopoetët që tentojnë të peshkojnë në kohë të turbullta, me qëllimin e vetëm që të zënë ndonjë "vendth" në ndonjë antologji të dorës së dytë shkruar nga njohës të letërsisë po aq vilanë sa ata. Kjo është edhe arësyeja pse vargjet e këtij poeti do jetojnë, do bëjnë shkollë mes brezit të ardhshëm të poetëve shqiptarë e ballkanikë, kur kjo poezi dhe etikë letrare, e pasur dhe e dendur me faqe të mrekullueshme, të "shtrydhë" duke hedhur tutje disa lëngje të tepërta, që rrjedhin nga një vështrim i tipit: sa më e trashë dhe madhe të jetë fjala, aq më e mirë është poezia.

Në udhë hapi do jetë imi.
Në jetë fryma do jetë imja.
Sa dëshirë në vdekje lulet t’i shpija vetë.

Esenciale. E kulluar. Frymëmarrëse. Simotër e poezisë më të shquar evropiane, me një forcë tronditëse tipike ballkanase njëkohësisht. Barazpeshë, ndërthurje mjeshtërore e dy stileve artistike. Nuk duhet më shumë për të bërë një poezi të bukur. Por duhet natyrisht dhuntia natyrore dhe njerëzore, duke u kthyer në fjalët që shkrova në fillim. Dhe këto të dyja Jamarbër Marko i ka me bollëk.
Dhe këtu ndalem. Pasi nuk dua që ky shkrim të marrë formën e një dizertacioni teorik plot kaçurrela. Nuk dua as të citoj këtu vargje të tjera të poetit. Ato duhen shijuar siç i ka përkthyer shkrimtari A. Kyçyku. Doja vetëm të falenderoja J. Markon për praninë e tij në poezinë shqiptare. Penë të mbarë, poet.


Ticino, Zvicër, janar 1999

Botuar në "Haemus" po atë vit, ribotohet si një homazh për poetin që u nda nga jeta më 4 shtator 2010.

Kërkomëni në kazanët 


 U kollit zhurmshëm. Në këmbë, në mes të dhomës këqyri sendet e pakta e të vjetra. Gjithçka aty brenda ishte e lyrshme, xhamat, muret e deri dyshemeja. Jashtë ishte një mot ujqish, nga ato netë që të kallnin diç të dyshimtë në shpirt: o prej lepuri o prej vrastari. Po të kish mundësi të zgjidhte, Ahmeti atë ditë do kish bërë lepurin, do ishte strukur në ndonjë qoshe e do ia kishte këputur një lepurie për shtatë palë qejfe. Por i takonte të dilte mes asaj errësire kallkan e të bënte vrastarin, si ata nëpër filmat me kaubojë të njëherë e një kohe, fap koburen në dorë, vështrim kërcënues e o burra, të dalë ku të dalë. Ahmeti kroi kokën e zuri vend pranë tryezës çalamane në qoshen e djathtë të dhomës. Herën e fundit që i ishte dhënë mundësia të punonte, kishte qenë këtu e tri javë më parë. Fqinji i katit të poshtëm ia kishte bërë këtë nder edhe herë të tjera, por mbrëmjen e shkuar, mbasi i kish dorëzuar çelësat e makinës së plehrave, kish shtuar me ton të rëndësishëm se ajo ishte hera e fundit. Ahmeti qe menduar një çast, mëdyshas, të kundërshtonte apo të bënte sikur nuk kish dëgjuar? Vendosi për këtë të fundit. Por dukej qartë që tjetri donte të kruhej. " Më dëgjove apo jo? E mbyllim këtë mesele thashë, nuk dua të rrezikoj vendin e punës për qejfin tënd." Se mos ia linte ta ngiste kamionin e plehrave për sytë e tij të bukur, deshi t'i thoshte refugjati, thjesht se nuk donte të ngrihej menatë e të fillonte një ditë tjetër të jetës mes plehrash, ja përse. Mario nuk kish nevojë të madhe për para, por në të njëjtën kohë nuk donte ta humbte gjithsesi atë vend pune, që paguhej nga Bashkia. Aty hynte në lojë Ahmeti, shkonte në këmbë të shoferit të vërtetë e mblidhte plehrat e zonës, prej orës katër e gjysmë deri në dhjetë të mëngjesit. Dhe kur ky i fundit të merrte pagën e muajit, mëkëmbësit, sipas marrëveshjes, i takonin tridhjetëmijë lireta në ditë. Pra mishi piqej e helli nuk digjej. Mario shoferi flinte për shtatë palë qejfe e ngrihej për të bërë matrapazllëqet e veta i çlodhur e gjithë lezet. Ahmet refugjati rropatej mes qelbësirave, por kthehej në rrangallën ku banonte me ndjenjën e njeriut që sido që të jetë ia ka dalë mbanë, e atij që mund të ankohet: punë muti, po më bie bretku. I papuni pa orën e dorës, ishte një e gjysmë e mëngjesit. Tepër herët për të mbledhur plehrat, por Mario i kish thënë se të nesërmen makina i shërbente për ca punë të tjera, pra duhej të shpejtohej e t'i mblidhte ato të mallkuara rreth orës një. Në rregull? Po sikur të më dalë ndonjë polic përpara? S'ka për të të dalë asnjë mut policie. Po sikur të ndodhë? Mos më çaj bythën e bëj si të thashë. Po sikur të më zbulojnë? Le të të zbulojnë, pa e sheh pastaj. Mirë mirë, do bëj kujdes, veç mos u nxeh. Ashtu de, se sikur po të hapet goja ca si tepër. U nis pasi rrasi mirë kapelen në veshë dhe ngriti jakën e xhupit treçerekësh. Doli në sheshin e shëmtuar mes pallateve e u ndal në qendër, si zakonisht. Vështroi ndërtesat e heshtura që ngjasonin me ndoca statuja të shëmtuara prej kartoni. Fundja nuk bënte dhe aq ftohtë. Në këtë periudhë të vitit, në tokën e tij njerëzit gëzoheshin, ngaqë nuk u duhej të çmeriteshin nga ngricat e mungesa e druve të zjarrit. Ahmeti qeshi lehtë, me një zë hundor. Asokohe me siguri lulet ishin harlisur. Natyrisht, atje ku kishte mbetur ende ndonjë lule e mbjellë, po të mos i kishin shkulur për ndonjë çaj a lëng, apo thjesht për kënaqësinë e të shkulurit. Se njerëzit kishin lloj-lloj manish, nga kjo anë apo nga ajo anë e detit që të ishin. Një mik i shtëpisë për shembull, - njëherë e njëkohë luante tavëll me babanë e Ahmetit ndjesë pastë - vdiste mbas luleve, kurrë nuk do lejonte njeri t'ia prekte ato që kish në oborr, mbjellë në tokë e nëpër vazo. Por po t'i përmendje fjalën shkulje i ndizeshin sytë. I pëlqente të shkulte qimet e njerëzve; qime nishanesh, vetullash, mjekre. Ti ndaleshe të shkëmbeje dy fjalë me të, ashtu, për mirësjellje, ngaqë fqinjësia e mirë e kërkonte edhe këtë gjë. Burri fliste qetë e ëmbël me ty, normalisht. E kur nuk ta priste mendja, të hidhej përsipër e të shkulte çdo qime që për taksirat të ishte rritur në fytyrë. Ishte bërë lemeria e lagjes, se mbas burrave, kish filluar të sulmonte edhe gratë, ato që më shumë se femra dukeshin si gomarë të plakur. Ahmeti qeshi përsëri, por këtë herë me të madhe. Hej dreq, tha, ç'tu kujtuan edhe ty meseletë e qimexhiut? Ndezi kamionin e plehrave dhe i vuri veshin motorit që uturoi serioz i e sigurt në vete. Sikur kabina të mos kutërbonte erë kalbësirash, Ahmetit do t'i dukej të kishte hipur në një nga ata TIR-ët që çanin Evropën mes për mes. Ahmet Lamaj, shofer evropian. Ama, ç'emër i kishin vënë pleqtë, Ahmet, emrin e stërgjyshit. Atij do t'i kish pëlqyer të kish një nga ata modernët, si një pjesë e moshatarëve në qytetin e tij. Adrian, Ilir, Masimo, Xhejms, Kevin, ndonjë gjë të këij lloji. Kevin Lamaj. Jooo, tcq tcq, nuk shkonte me mbiemrin. Arben më mirë, Arben Lamaj, kështu puqeshin. Nuk tingëllonte keq. Kushedi? Ndoshta Perëndia kish shkruar gjëkund një mrekulli edhe për të. Arben Lamaj shofer me patentë evropiane. Ç'e vret mendjen? I thoshte shpesh nëna, emri është vetëm kapistall, më mirë të kesh emrin e tët gjyshi se të ndonjë të vdekuri që s'ke njohur e që s'di ç'syfet ka patur. E ç'hyjnë këtu të vdekurit, o nënë? Hyjnë hyjnë, gjithë të gjallët kanë emra të vdekurish. Kush e zgjaste me të jëmën? Kur ngulte këmbë ajo për një muhabet, s'kish burrë ta shkulte nga e saja. Mori rrugën e zakonshme. Le të fillonte nga qendrat e grumbullimit të plehrave në qendër të qytetit. Kështu nuk kish rrezik ta zbulonte ndonjë nga kolegët e Marios, edhe ata grumbullues plehrash të Bashkisë. Ishte tepër herët, të tjerët flinin ende, se mos ishin trushkulur si ai. Vështroi orën, sapo kish kaluar një e çereku. "Oh o vajza, edhe një klient dhe mbaruam për sonte." Tha Ekstaza duke vënë të kuq në buzët e përthara. Jasmina i hodhi një vështrim qesëndisës. I ra me bërryl Natalisë, e cila u thoshte klientëve ta thërrisnin Madona. "Aja", klithi Madona, "ngadalë se më vrave, ç'dreqin ke?" "S'e dëgjon ç'thotë? Eshtë e lodhur. Më vjen ta mbys me këto duar, më vjen. Doemos që është e lodhur, pasi vodhi dy nga klientët e mi." "Kush tha që ti vodha? Sonte më kërkuan mua, pikë. Po të donin, vinin me ty." "Mbylle atë hale më mirë, se s'kam fuqi të grindem." "S'ke fuqi të grindesh se nuk ke ç'të thuash, por ama do të gërricesh ngaqë sonte të doli thatë." Gratë e tjera ndiqnin bisedën me një tëhuajtje kukullash prej qiriri. Shyqyr Zotit nuk bënte ftohtë. Sikur të mos ishte për sfilitjen, gati-gati do ishte një mbrëmje e këndshme. Po afrohej një veturë. Ato u vunë në pozicion pritjeje. Ky është imi, tha trashaluqja e Bregut të Fildishtë, jua këpus kokën po të afroheni. Eeejj, sherbet i vogël. Afrikanja iu afrua dritares së hapur të veturës duke tundur vithet si kiç anijeje. Hip, tha burri nëpër dhëmbë. Varet. Ec pra, hip e mos e zgjat. Në makinë apo në hotel? Në makinë. Të plotë apo gojor? Atë e zgjedh unë. Zgjidhe pra, ndryshe s'hipi. Ooo, e paske të gjatë llapën sot, si të duash, vetë e humbe rastin. Vetura çau ferrën dhe vajzat e ndoqën me sy, pa ditur mirë në u vinte për të qeshur apo jo. "Legen." Afrikanja përplasi këmbën me dëshpërim, por taka u përthye dhe asaj i dhembi kyçi i këmbës. "Olele. Klient muti, edhe herë të tjera kur kam shkuar me të, gjithë naze është, të thërret për një pozicion, e pastaj çfarë s'të detyron të bësh." "Faji ishte i joti që e le të të shpëtonte." "Mirë bëre," tha Madona që hiqej si kryetare edhe pse askush s'e llogariste për të tillë. "Haleve të tilla më mirë të mos u lëshosh pe. Leqë atij i qelbet hallati një erë që...baaahhhh." U rrëqeth. "Vajza, po vijnë derra të rinj, janë katër." Kthyen kokën andej nga u shfaqën katër vetura. Romina ndreqi fundin e marrë hua nga Bregu i Fildishtë. Sikur të peshkonte këtë herë, pas pjesës së Bosit, do i mbeteshin para për të paguar këpucët e vajzës. Kërceu pranë Jasminës dhe shpalosi një buzëqeshje prej idioteje në fytyrë. Klienti i veturës paraprirëse ishte krejt tullac, thatanik e me ca mollëza të dala. "Ej patatka, pranoni grup?" Si jo shpirt, në të gjitha ngjyrat e aromat. Sa e ke pazarin? Çerek ore tridhjetë mijë lira. Nuk kalojnë uljet e çmimeve këtej nga ju? Ej çuno, çerek ore tridhjetë, më shumë dyfishohet. Varet dhe nga pozicionet, bërtiti Bregu. Shshsht ti, flas unë, tha Madona. Romina vështroi Jasminën. Vdiqa për një cigare, tha kjo e fundit. E keni një vend ku të mos na pickojë policia? Llaf është ai shpirt? Ekstaza mori të hipte në veturën e tullacit. Jo ti, bërtiti burri, bythëtrasha, edhe kjo këtu. Zgjati gishtin tregues nga Romina. Hipni. Bregu i Fildishtë mori Rominën për krahu dhe e shtyu në veturë. Kjo vështroi me bisht të syrit ku do hipte Jasmina, e cila po drejtohej nga vetura e fundit. Por mbrapa tyre mbeti Madona, gjysma e së keqes. Të ndenjurat e Ekstazës u zhdukën në veturën e parafundit. "Ti ngit për ku të them unë." Tha Bregu me të zënë vend në ndenjësen krah klientit. U kthye nga Romina dhe i bëri një shenjë të rreptë me sy që të sillej më gëzueshëm. Kjo ngriti supet shfajësueshëm. Thataniku nxori një cigare nga një kuti metalike e argjendtë. Për ku? Pyeti. Drejt, ti ec drejt se të them unë, kemi një vend të sigurtë. Thataniku nxori dorën nga dritarja dhe u bëri shenjë të tjerëve që t'i ndiqnin. Jasmina rregulloi rripin e hollë mbi supin e djathtë. Ku po shkojmë? E pyeti trashaniku që i kish rënë në pjesë, qelbej erë djersë. Uh ç'tmerr, mendoi Jasmina në gjuhën e vet, kutërbonte si një copë dhjamë i kalbur. Trashaluqi filloi të zbërthente pantallonat. Fillo, i tha vajzës, nxito se dua të shfryhem mirë, hë jepi. Nxori që andej një gjë të kuqërremtë të pamëshirshme. Jasmina u rrënqeth, shyqyr që ishte i fundit. O Zot. Ku po shkojmë, the? Trashaniku i mori dorën dhe ia vuri mbi seksin si plënc, vajza u bind. Filloi të vepronte duke vështruar veturën prirëse ku dukej herëpashere koka e Ekstazës që i bënte punën klientit. "Pranë qendrës së plehrave", u përgjigj Jasmina duke iu lutur Zotit që tjetri të derdhej shpejt, e të mos i kërkonte punën më gojë. "Andej policia nuk kalon dhe Bosët e kanë më lehtë të na mbledhin në rast ngatërresash me derrat." "Eeejj, avash me ato fjalë, hajt fillo me gojë." "Jo", ia preu Jasmina, "e kemi të ndaluar nga Bosi." "Bukurosh" tha Madona, "le t'i sqarojmë një herë si qëndrojnë punët. Unë jam shefja e... sindikatës për ne të pesta, dhe unë them që në rrugë nuk bëhet gjë, se mund të ndodhin aksidente, qartë?" "Hiq të paktën brekët." Burrit i merrej goja. Kujdes, i tha vetes Madona, mos i qesh në surrat. "Sikur e kemi bërë edhe një herë tjetër bashkë në mos gabohem", tha gagaçi. Vetura hasi një gropë dhe klienti e prostituta kërcyen pupthi mbi ndenjëset prej lëkure. "Jo, hera e parë që shihemi. Mos humb veturën që na prin, ndryshe ngatërrohen edhe të tjerët që vijnë pas." Arritën para një semafori që kishte pamjen e një fëmije të sëmurë nga fruthi. Madona ktheu kokën mbrapsht e dalloi vajzat e tjera, kokën e Ekstazës gjithë kaçurrela të fryra, më tutje flokët e imët prej engjëlli të Jasminës, më e bukura nga të pesta. Hiqi brekët të ta prek, vazhdoi gagaçi. Madona hoqi mbathjet, tjetri i rrasi dorën e lirë në intimitet dhe i buzëqeshi me përzemërsi. Makina mbante aromë deodoranti të shtrenjtë. Bregu mbante me llafe thatanikun dhe Romina tha me vete që Bregu i Fildishtë kishte humbur kot si mësuese apo si folëse në ndonjë radio, me gjithë ato fjalë të bukura që gjente, aspak prej kurve, por si nga ato që shkollat ohu... i ka bërë me gishtin e vogël. Thataniku mbaroi cigaren. Bregu i përkëdheli tullën dhe tjetri bëri një ngërdheshje prej idioti. Iu afruan një zone të shkretë, afër ca kazanëve plehrash, pylli fillonte pak hapa më tutje, kërcënues e mbrojtës. "Pse këtu?" Pyeti thataniku me dyshim. "Këtu lemë rrobat që veshim kur lemë turnin, zemër, dhe meqë grupi juaj qëlloi të ishte i fundit për sot, ne mbarojmë, marrim rraqet tona dhe ju na shkarkoni në qendër. Në rregull?" "Në rregull." Veturat e tjera u rreshtuan njera pas tjetrës, secila duke iu shmangur rrezeve të një neoni gjysmë të verbër në të majtë të kazanëve. Një ambulancë çau ajrin e natës me një piskamë prej shtrige dhe u zhduk drejt qëndrës së qytetit ashtu si ishte dukur, rrufe. Puh, ta dhjefsha rracën, bërtiti njëri nga klientët. Vajzat qeshën. Lërini zgërdhimat, ju. Vajzat vazhduan të kukurisnin. Aaahhh, ç'ajër prej Telma e Luizë, tha Madona duke iu drejtuar shoqeve. Na vdiqe edhe ti me atë film, bërtiti Jasmina. Ç'hyn këtu Telma e Luizë? Se mos jemi në Amerikë. Me kë flas dhe unë, s'merrni vesh fare, gdhë do vdisni. Vdeksh ti o zot, ia ktheu Ekstaza, por klienti i saj nuk kish hapur dritaren e veturës kështu që zëri doli nga kabina si një topth leshi rrumbullak i pakuptimtë. Thataniku i veturës së parë ngriti krahun në drejtim të kumbarëve të gjahut. "Që tani fillon pagesa, shihemi pas një çerek ore, as edhe një minutë më shumë." Romina ia vështroi tullën nga prapa dhe se si ndieu dhimbsuri. Gjyshi i saj kishte të njëjtën paqësi në tullë, të lëmuar deri në ëmbëlsi. Një lëmueshmëri e tillë nuk mund të ishte veçse asnjanëse, e padëmshme. "Ti zhvishu krejt", i tha tullaci i pafajshëm Rominës, "ulu mbi mua dhe fute brenda për shtatë palë qejfe. Ti afrikane, thithja sisët kësaj vogëlushes, por vihu në mënyrë të tillë që t'ju shoh mirë të dyjave." "Mirë shpirt," Bregu i Fildishtë vështroi Rominën në fytyrë por vështrimi i saj ishte i zbrazët e i largët. " Këtë do, e këtë do bëjmë. Rominë, hiqi rreckat." Ashtu bënë. Bregu i Fildishtë, tek thithte gjoksin e vogël e të njomë të Rominës, vështronte vallëzimin e pështirë të trupave në veturat e tjera. Neoni qorr u jepte profileve gjasinë e një teatri kinez hijesh, por pa hijeshinë e tij. Ekstaza ulërinte, po po, kështu zog i vogël, kështu, jepi edhe pak se mbarove zemër e vogël. Jasmina vallëzonte me krahët ngritur lart, e heshtur, u ngjasonte balerinave të Maurice Béjart-it, por nuk ishte një e tillë balerinë, ishte aty, kurvë si katër shoqet e saj, dhe tani shfaqja do mbaronte dhe ato vetëm ishin ndotur pak. Vetëm Ishin Ndotur Pak. Fare Pak. "Uh", i tha Bregu i Fildishtë Thatanikut, "m'u lodhën nofullat e ti nuk ke aspak ndërmend të prishesh." Ah uh bah jepi, ngulçonte Thataniku dhe Romina përhidhej mbi seksin e trashë e të shkurtër të gjyshit, i dhimbte vrima vetëm në muret, por jo në kulm, desh Zoti, oh sikur të kishte tani pak ujë me kamomil për të qetësuar atë djegie të flamosur. Ej ej ej ej, ç'është kjo zhurmë. "Policia." Klithi Bregu i Fildishtë. "Uaaa, policia." Kujisi Ekstaza. "Na pickuan," tha Madona duke fshirë buzët që i qelbeshin erë. Klientët u strukën poshtë e më poshtë ndenjëseve që të mos dukeshin nga dritaret, e filluan të kërkonin pantallonat e rëna në fund të thembrave. Por askush nuk u ndalua afër karvanit kurvëror. Veç dy fanarë, si trungje të ndritshëm dhune, shpartalluan errësirën që mbretëronte në kabinat e veturave, dhe u shtynë më tutje. Dinozauri uturiu ndoca sekonda, - vajzat dalluan gungën e madhe të një kamioni plehrash, - dhe u ndal. Një burrë i hollë u hodh zhdërvjellët në tokë e u drejtua nga kazanët. "Ç'mut..." Thatanikut i mbeti dora poshtë mullaqeve tek kërkonte brekët e njërës prej kurvave. Hija e burrit mori ca thasë e i hodhi në barkun e hapur të kamionit. Duhej të ishte i ri nga mënyra si lëvizte, asnjë shenjë ndryshkjeje në shpejtësinë e gjesteve. Romina nxori prej vetes sendin e mishtë njëherësh të llurbëzuar mbi të cilin ishte shëmtuar deri atë çast, Thataniku nuk kundërshtoi. Nxori brekët e Bregut dhe ia zgjati. Kjo e fundit i veshi me mundim. "Vazhdo, vazhdo të thashë." Ulëriu i patrembur klienti i Jasminës, kjo uli vështrimin dhe e pa me një habi të çmeritur, por iu bind. Hijet e kurvarëve të tjerë sikur ishin ngrirë kundrejt pyllit që pikëlonte heshtje. Ahmeti i vuri veshin gjithësisë. Kjo hungëronte, por nga larg, si ato bishat që masin me sy viktimën para shqyerjes së fundit. E ç'do më bësh mua më shumë se kaq, a e zezë, tha me zë të lartë. Ishte një natë kot fare, si e shurdhët, sikur bolonjezët, aq të zhurmshëm zakonisht, të ishin zhdukur nga faqja e dheut. U mbush thellë me frymë dhe i shkeli syrin hënës, e cila lëshonte një sinjal të dobët pranie përtej reve të dendura, por pa guxuar t'i çante këto kodoshe. Burri u hodh pupthi si për t'u ngrohur, ndonëse nuk ndiente mardh. Vazhdoi të hidhte me fuqi në kamion thasët kutërbues. Kur mbaroi punën e po bënte të ikte, i zuri syri edhe një thes të veçuar, me ngjyrë të ndezur, u mendua një hop, pastaj e kapi dhe e përplasi në majë të stivës. Kërceu në kabinë dhe i ra burisë ashtu, sa për të bërë diçka. Aaaa rrofsh o Mario që më dhe makinën, qeshi. Tani kishte tridhjetë mijë lireta fituar pa shumë mund, ata në shtëpi do kishin me se të mbaheshin. Bëri nja dy llogari me mend dhe u nis rrufe. I duhej të grumbullonte edhe dy grupe të tjera hedhurinash, t'i shkarkonte në qendrën kryesore, e drejt e në shtëpi. Tek vështonte në pasqyrën e anës së majtë të kamionit për të hyrë përsëri në rrugën e gjerë i zuri syri shkarazi grupin e zi të veturave, ndonja njëzet metra më tutje. Do jenë çifte, mendoi dhe çau natën duke fishkëllyer një motiv të Shqipërisë së Mesme. Romina rrëmoi si e çmendur kutinë me shami të lagura në fund të çantës dhe kur ia zuri dora lëshoi një ofshamë lirimi. Bregu ndërkohë kish veshur të mbathurat, tepër të vogla për përmasat e saj, dhe Thataniku, dru nga frika, po e ndiqte me sy pa arritur të lidhte një mendim të qartë. Romina po pastrohej poshtë pa e çarë kokën se ai po e shihte. "Ej ti, kurvë e vogël, nuk mbaruam. Nuk e sheh që..." "E shoh", tha Romina duke u fërkuar si e lebetitur, "të është plandosur mbi pantallona dhe çerek orëshi kaloi." "Por nuk mbaruam, ama." "Për shkak të atij legenit." "Semos ishte faji ynë." Bregu e kish marrë veten krejtësisht. "Ne mbaruam për sot, tani jemi të lodhura." "As mos të të shkojë nëpër mend." Thataniku nuk dinte në duhej të nervozohej apo si. Ndërkohë futi hallatin përkohësisht në pantallona, kështu mendonte më mirë. Kurvari i Jasminës e urdhëroi këtë të fundit të mos lëvizte dhe shkoi të merrte udhëzime nga Thataniku. Trokiti në xham. Ç'do? Hiç, si do ia bëjmë tani? Ti mbarove? Çne. Unë them më mirë ta ndezim nga një duhan e pastaj shohim. Ashtu, mirë e ke. Dolën nga makina. Dolën dhe dy të tjerët. Gratë mbetën në vetura, të mpira nga lodhja. Madona nxori nga çanta nje shishe te vogël kokakole, hapi derën nga ana e pasagjerit dhe bërtiti: "Vajza, kush do një gllënjkë?" "Unë," klithi Ekstaza, brofi nga makina e shkoi drejt shoqes. Sa hap e mbyll sytë u mblodhën kokë më kokë në terr e kaluan me radhë shishen e kokakolës. "Bah, ç'natë vajza, po vdes për gjumë. " Bregu shtriqi krahët dhe u kthye nga grupi i meshkujve. Kurva e kurvarë u kundruan. Si s'e paskam vënë re se më ka rënë në hise më i shëmtuari?, mendoi Madona e fyer, të paktën një çikë estetikë, herë pas here. Bregu ndezi edhe ajo një cigare. "Tani tundni paratë, ne marrim rraqet tona, dhe na çoni deri në qendër, mirë?" Zëri i Madonnës doli autoritar. "As që bëhet fjalë", i tha trashaluqi i saj gagaç, "pse ç'na bëtë, idiotë na bëtë, që të paguajmë pa u kënaqur." "Unë u përpoqa" u shfajësua Romina me një rruzull loti në zërin ende fëmijëror, "tjetër punë se ti u squlle krejt. Mua ato para më duhen." "Edhe gruas sime." U zgërdhi pështirshëm klienti i Jasminës, ishte më i riu në moshë. "Donte të blinte gjimbajtëse të reja, veçse nuk ka ç'të vërë në to, hi hi hi." Kishte një zë prej kukuvajke. Bregu shëtiste mendueshëm tutje-tëhu dhe xixëllonja e cigares në dorën e saj shushatej në akrobacira nëpër natën që po tradhtonte gjumin e njerëzisë. Burrat mbaruan cigaret. "Unë propozoj" tha Thataniku "ta bëjmë në këmbë të gjithë bashkë, këtu mbas pemëve, por ne nuk paguajmë as edhe një qindarkë më shumë, dhe kështu u rregulluam." Gratë u menduan, askush nuk donte t'i linte t'i rrëshqisnin nga duart ato para. "Mirë." Tha nëpër dhëmbë Madona. Zvarritën këmbët drejt pemëve. "Ej Breg, dëgjove ç'u tha?" "Vajza, uuuuaaa vajza. Na ka marrë rrobat ai qelbaniku, kemi mbetur drangull!" Uuuaaau, ç'dreq, si kështu, kush tha, mamaaa. U sulën të gjitha drejt vendit që tregonte Bregu me dorë, ndjekur nga klientët e shastisur. "Thesi, thesi i rrobave, nuk është më. Plaçkat tona, kisha këpucët e reja, vajza humbëm..." "Mjaft gërthite si grifshë. E morëm vesh. " Jasmina u hodh përpjetë, me shpresën e kotë se mos thesi me rroba kishte përfunduar brenda kazanit. Uaaa po tashti ai qeni që i plaçin trutë qelbaniku i mutit ai i ka marrë po tani si i bëhet halli goca fundin dhe bluzën që vishja për herë të parë e tmerrshme e pabesueshme ashtu është kjo s'na kish bërë vaki ndonjëherë horri. "Ej, ej ej ej, mjaft se na morët mendtë s'u prish bota vetëm për ca rraqe." Thataniku ishte i tronditur më keq se kurvat. "Mbarojmë atë punë dhe me paratë tona shkoni e blini të reja." Kurrën e kurrës unë dua rrobat e mia ishin fringo të reja si s'na ra në sy që po merrte edhe thesin tonë uuuaa mi goca ç'natë e poshtër e dija unë që diçka do na shkonte shtrembër. Frymët e lodhura e mendjet e ndezura u ndalën. Kurva e kurvarë u panë sy më sy. "Le ta ndjekim." "Le ta ndjekim, pa për punën tjetër, ofrojmë ne gratis." "Në rregull." "Rrofshi." Pararoja, Thatanik-Bregu i Fildishtë-Rominë e çmeritur, çanë ajrin me përgjegjësinë mbi shpatulla se nga suksesi apo dështimi i tyre gjatë ndjekjes, varej gjithë ndërmarrja. "Fundja, dihet ku shkon." Tha gati i lehtësuar gagaçi i Madonës. "S'ka nga na luan." Nxori nga xhepi një qeskë me lajthi, "Do nja dy?" "Më vonë, tani e kam gjakun të prishur." "Mos u mërzit se do e gjejmë, në ç'të sëmës do futet? Ti nga je?" "Polake." "Hhhmm" Bëri gagaçi. Hhhm çfarë? Mendoi Madona e nevrikosur e i vështroi tinës profilin e shëmtuar. Sikur të mos ishte duke i bërë atë nder, që fundja s'ia kishte as për borxh, do i kishte dhënë një shuplakë surratit. Seç kishte një syfet që të vinte ta zije me shuplaka. Tjetri ngiste makinën duke u përpjekur të mos humbte prapanicën e makinës që paraprinte. Po hynin në zonat më të ndriçuara të qytetit dhe qarkullimi po dendësohej vrullshëm. Ah ç'do ia jepja me qejf një shpullë, ëndërroi e lodhur Madona. Ja ku është, në rrugëkalimin e mesit, bëtiti Jasmina duke shkalafitur me duar gjoksin, që në këtë orë të mëngjesit, sa herë nuk kishte shkuar ende në shtrat, i kruhej për ibret. Jooo, tha klienti, e pamundur. Pse? Se që kur horri u përvodh me thasët e deri sa ne vendosëm ta ndiqnim kaloi goxha kohë e..., llogaria është e thjeshtë, apo jo? Jasmina ngriti supet duke vazhduar të kruante gjoksin, sidomos të majtin, që s'donte të qetohej. Mos u kruaj, i tha klienti, se m'i ndjell të kruajturat edhe mua, hoqi njërën dorë nga timoni e zuri të kruhej midis këmbëve. Romina kotej në ndenjësen e pasme, mbledhur kutullaç nën një kuvertë të klientit. Zhurma e autostradës, në të cilën kishin hyrë pak çaste më parë, e përkundte ëmbël. Fundja s'ishin klientë të këqinj, mendoi para se të humbte përfundimisht në krahët e gjumit, kush ta bënte këtë nder asokohe, të ndiqte nëpër natë një horr që u kish vjedhur rrobat. Kush të... "Ej Rominë, po fle ti?" Bregu i Fildishtë kishte ftohtë e po i dridhej buza. Kur u sigurua se tjetra nuk e dëgjonte më, u kthye përgjysmë nga Thataniku dhe e vështroi një hop. I vuri një dorë në sup. Tjetri kish humbur në një ngërç irreal mbi timon e u tremb. "Mos më prek kur ngas, s'e sheh ç'qarkullim ka?" "Më fal. Më fal, nuk desha të... do Zoti ta gjejmë atë horr." "Do ta kapim patjetër legenin. Na prishi natën më të bukur, ia bëfsha nënën ia bëfsha. E kishim planifikuar prej kohësh. Ia tregojmë ne atij të na lërë në të thatë mu në kulm të qejfit." "Mos u merakosni, qejfin nuk ua lemë pa shpërblyer dyfish." Bregut i shkanë lotët pabesishëm. Sikur të mos dinte se sa në vështirësi ishin vajzat e tjera, e sidomos ajo e gjorë Rominë që s'kish një grosh në xhep, do u kishte bërë mutin rrobave, le t'i gëzonte ai qafir. "Eh jo, eh? Me lotë jo", tha klienti i sjellshëm, "me lotë më mbush ime shoqe tri herë në javë. Po qave, të plasa këtu, në mes të autostradës." Frenoi me sa i hëngri shputa e këmbës. Gagaçi me Madonën nga mbrapa bënë një frenim të llahtarshëm që e ktheu veturën në gjysmërreth, po kështu gjithë të tjerët nga mbrapa. “Luka legeeeen, ç'mutin bën?” Thataniku që u quajtkësh Luka, dha gaz prapë dhe Bregu që kish mbyllur sytë nga tmerri u shkri edhe më në vaj. Kori i burive në mes të autostradës dëshpëroi edhe më shumë situatën me sharje e mallkime shumëngjyrëshe. Kur pak a shumë gjendja u normalizua, Bregu ndieu dorën e Rominës që i përkëdhelte në heshtje supin. "Për fajin tim." Tha vajza e re. "Ndodhi për fajin tim?" Thataniku ishte zbutur, ndoshta edhe nga frika e vetë reagimit të dhunshëm që e pat mbërthyer pak më parë. U kthye përgjysmë nga putana. "Ç'hyn ti në këtë mes? Mjaft o gra, ja sikur mbërritëm, qetësohuni, tani dalim nga autostrada dhe shikojmë në këtë qendër plehrash në të djathë, edhe një kilometër na ka mbetur." "Në e kapsha, nënën do i bëj horrit, e le të vjedhe pastaj po deshi rrobat e vajzave të pafajshme në mes të natës, pederasti." Ekstaza që udhëtonte mospërfillëse, shtrirë sa gjatë gjerë në ndenjësen përbri klientit me ca flokë të shpupurisur qesharakë, vazhdoi të përkëdhelte kofshët e saj ngjyrë çokollatë. Ku e dinte ai që hajduti ishte pederast? Ndoshta s'ishte pederast, por shitës rrobash të vjedhura. "Unë kisha të reja vetëm këpucët aty brenda," zvarriti zërin Ekstaza, "për ato po, më vjen keq, se i kisha veshur vetëm dy herë, dhe më jepnin pamjen prej shefje llogarie, ndaj dua t'i gjej. Kalova një orë në dyqan para se të vendosja. Më shumë se vlera e këpucëve, ai horri më ka vjedhur vlerën e kohës. Në një orë një kurvë e zgjedhur si unë bën katër-pesë klientë." Klienti qeshi dhe doli nga autostrada duke imituar ortakët e vet. Pse si janë këpucët e shefeve të llogarisë? Hi hi hi. Tundi kokën dhe u zgërdhi për ndoca minuta të mira, Ekstaza e vështronte me neveri, pa reshtur e përkëdheljen e këmbëve. Një klient para dy muajsh, tek i derdhej mbi kofshë për të katërtën herë, i pat thënë se mëkat që bënte prostitutën në Bolonjë. Po të ishte në Los Angeles, me ato këmbë që i kishte bërë mamaja, mund të punonte në kinema. Pse, ç'lidhje ka kinemaja me këmbët? Tutkune, shumë nga ato milioneret e kinemasë, yjet, i kanë këmbë ibret, kështu që në skenat kur zhvishen, përdorin këmbë të tjera, i marrin hua, me truke gjatë xhirimit, kupton? Merr për shembull Mishel Pfaifer, apo Suzan Sërendon, këmbë grash janë ato, si cipenj pa pikë lezeti? Ej kokoroç, ngadalë me fantazira, i pati thënë Ekstaza që nuk humbiste kurrë sensin e realitetit, ç'lidhje kanë këmbët e mia të zeza me fytyrën qumësht të bardhë të Mishelë Pfaifër? Ndërkohë pat pastruar spermën, dhe me shaminë prej letre ende në dorë, kish treguar këmbët prej mulatje, hollësi kjo jo e vogël për të ngrënë broçkullat e prodhuesit të asaj lënde ngjitëse. Hmmm, ke të drejtë, tjetri kish bërë krrrëëk me zinxhirin e pantallonave, që shyqyr Zotit kish fshehur brenda sendin e pangopshëm. Por megjithatë, ky fakt nuk u heq aspak merita këmbëve të tua fantastike. Tjetri kish vazhduar të vriste mendjen, ndërsa Ekstaza ishte veshur duke menduar se të paktën ishte zemërmirë dhe e trajtonte me njerzillëk, derisa i lëvdonte edhe këmbët. Upi Goldbërg, aktore e jashtëzakonshme, por ka këmbët më të shpifura që mund të bëhen. Mund të zëvendësosh Upi Golbërg. Vështrimi i tij kish qenë triumfues. Dëngla! Ekstaza e kish asgjësuar me një vështrim përçmues. Bukurosh, këtu paratë dhe lëri dënglat, se s'ti ha njeri këto. Të zezat e mulatet kanë trupa prej përrallash, shih Anxhela Beset, për shembull. Kush është kjo? Ahhh, ç'injorant, kish bërë Ekstaza, me kë flas edhe unë, në kinema unë do mbetesha pa punë e do vdisja urije, megjithatë mendimi yt më përkëdhel sedrën, pse ta mohoj? "Hi hi hi", zgërdhihej klienti, ndërsa makinat ndaluan pranë qendrës kryesore të shkarkimit të plehrave, ku nuk dukej këmbë njeriu a rrotë kamioni. "Gjithë gratë e familjes sime janë llogaritare, brez pas brezi, veç mamaja ka qenë shefe, por tani është në pension, hi hi ha, do ta pyes ç'këpucë veshin shefet e llogarisë." E mbylle atë hale, mendoi me përçmim Ekstaza. Pika që s'të bije, përmend emrin e nënës në një veturë kurvërirash. Zbritën të gjithë, gratë dërrmuar nga sfilitja, burrat gjysmë të bezdisur e gjysmë të fryrë nga petku kalorsiak i shpëtimtarëve. Panë rrotull. Gratë i kishin buzët mavi nga e ftohta. Po gdhinte, nja dy gjela idiotë kujtonin se kënga e tyre e shpëlarë do i sillte ndopak romantizëm gjithë meselesë. "Plaç ishalla!" I mallkoi Jasmina. "Po tani ç'do bëjmë, o milet? Unë dua të shkoj në shtëpi, jam e vdekur." "Që këtu nuk iket pa mbaruar atë punë për të cilën kishim ardhur, ne tonën e bëmë. Ai horri duhej të ishte këtu pak a shumë, kjo është qendra kryesore e shkarkimit." "Pikërisht: pak a shumë." Ia preu Madona. "Ndoshta vjen, ndoshta, po mbledh plehra nga anë të tjera e vjen këtu më vonë." "Pra ne jua bëjmë të gjithave bashkë, një orgji nga ato për t'u mbajtur mend, e nëse ai vjen deri sa të kemi mbaruar, e ndreqim edhe atë. Nëse s'vjen, s'kemi ndërmend të bredhim gjithë qytetin me pesë kurva mbi kurriz." Gratë u panë të dëshpëruara. Romina dukej një grusht njeriu nën kuvertën e klientit që shtrëngonte fort mbi supe. Të gjitha vështrimet u përqendruan nga kryetarja. E cila tundi kokën, kafshoi buzën e poshtme duke e kruajtur me dhëmbë, gjë që tradhtonte nervozizëm. "Ne s'paguajmë as edhe një qindarkë." Dha goditjen e fundit Thataniku. "Sikur ta marrë vesh Bosi që na shtrënguat të bëjmë gjithë këtë aventurë nëpër natë dhe pastaj nuk na kënaqët... Ne ju dolëm borxhit." "Forca gra, le t'i japim fund edhe këtij derrllëku." "Unë e bëj vetëm sipas ndarjes së mëparshme, me një klient, orgjitë nuk i kam honepsur kurrë." Guxoi Jasmina. "E kush halenë të pyeti ç'të pëlqen? Ose të gjitha, ose hiç, ndryshe e dini kujt duhet t'i jepni llogari." Gagaçi u drejtua nga vetura e tij. "Imja ka vend boll, e bëjmë këtu, shpejt se mjaft kohë humbëm." Gratë u bindën dhe u zhveshën. Kurvarët e sjellshëm dhanë urdhërat në mënyrë po aq të sjellshme, cila duhej të ishte sipër e cila poshtë kush duhej të lëpinte e cila të ulërinte. Fatkeqësisht gjelat idiotë i kishin dhënë fund idiotësisë së tyre, ndaj i vetmi tingull shoqërues i orgjisë ishte uturima e largët e qytetit që po zgjohej. Thithje, gulçima, llurbërime mishrash që hynin tek njeri-tjetri, protesta femrash, kutërbime shpirtrash që po kalbeshin me shpejtësinë e dritës, një orgazëm shoqëruar me fjalor çuditërisht të dëlirë, një urdhër i ri që njëra nga vajzat të zëvendësonte tjetrën në njërin nga sekset e djersitur, uh, jo, unë nuk e marr nga mbrapa, nuk e kam marrë kurrë, futu këtu të thashë, tutje ti, merrja në gojë këtij vëllait këtu, pse moj kurvë nuk po ma ngreh, unë nuk e marr nga mbrapa, thashë, jam e re në këtë zanat, s'është vonë për të mësuar, jepmë atë që të thashë dhe pa fjalë. “Lëreni rehat, ajo është tepër e re”, u hodh Bregu, “futem unë aty.” “Me ty do kem punë më vonë. Ti, ec këtu e mos bëj naze!” “Jo, të lutem,” u lut Romina, “bëj ç'të doni tjetër, por jo atë.” “Unë dua atë, dhe pikë.” "Jo!" Rominës i sytë xixa nga shuplaka. Thatanikut i dogji pëllëmba, aq fort e kish goditur. Të tjerët vazhdonin qenërinë sikur mos të kishin dëgjuar gjë, vajza shpërtheu në lotë. Thataniku e ktheu mbrapsht me pahir dhe ajo u dërrmua në dënesa pa ditur më ç'të bënte. Eeeej, kafshë, bërtiti Ekstaza duke i rënë derrit me grusht - në dorë se nga i kish mbirë tubthi i vazelinës - të paktën lyeje me këtë. Kujt i thua kafshë ti moj kurvë?, dhe fap, një grusht në barkun e Ekstazës e cila ia ktheu me të njëjtën monedhë por gagaçit, që në atë çast po derdhej mbi flokët e Jasminës, i doli koha megjithatë të ngrinte një këmbë e t'i jepte një shkelm kryengritëses, e cila ulëriti dhimbshëm. Ndërkohë Thataniku po shqyente mishrat e Rominës e cila me sytë mbyllur po thoshte: shyqyr që hëna nuk po i shihte, shyqyr që hëna tashmë ishte fshehur e ai agim i ngjante më shumë një muzgu. Thataniku po i dhunonte të vetmin vend që i kish mbetur deri atë çast i papërçudnuar, e ajo midis tmerrit të dhimbjes nuk donte të paktën të dëgjonte zhurmat, nuk donte të dëgjonte zhurmat e atyre mishrave, nuk donte të dëgjonte zhurmat, nuk donte. Koka gati iu përplas pas radios së veturës, por ajo nuk nuk i hapi sytë, e mbas të ndenjurave të saj Thataniku po shfrynte ndyrësinë e vet kurse të tjerët po mbaronin, po mbaronin. Ajo ndieu sesi peshët po lehtësosheshin dhe shtypja e ajrit në kabinë po ndryshonte formë, me siguri tani po shihnin shfaqjen e saj, mes rrëmujës së përgjithshme, bëj që të mos më shohin, bëj që të mund ta ndez këtë radio me kokë o Zot, tha e dhunuara, Zoti e dëgjoi, Thataniku u shty aq shumë brenda saj sa gruas iu përplas koka pikërisht mbi çelësin e radios. Uuuh, ç'qejf, çfarë… Concert për pianoforte dhe orkestër numër 2 opus 18, luan në piano Lilia Cilbërshtain, çfarë pallimi oooo po... po... Gjithë ajo orkestër solemne madhështore hjynore shpirtlëmuese shpirtliruese u turr befasishëm nëpër kabinë së bashku me kafshën që po lëkundej me të fundit lëvizje të shpejta duke u mbajtur në ijet njomëzake të vajzës. Por orkestra vazhdonte vazhdonte vazhdonte, dhe të tjerët u shushatën me rraqet në dorë, e tek-tuk ende dëgjohej ndonjë e pllaquritur buzësh ende të panginjura. Orkestra vazhdonte e Romina nuk kishte dëgjuar kurrë një gjë kaq të bukur dhe duhej patjetër të mbante mend emrin që kishte thënë folësja numër dy opus tetëmbëdhjetë, numër dy... ç'është ky pleh, shuani atë radio tha një nga ujqit, e Thataniku uh uh, aaaah kjo ishte paq fare, uuaaau. Po tërhiqej nga trupi i presë, e cila mërmëriti: jo, mos e fikni, veç këtë lëreni, opus tetëmbëdhjetë numër dy. Mbeti kruspullosur, me të ndenjurat në ajër flakë nga dhimbja, aq i bënte se po e shihnin, moj nëne moj nëne, Rahmaninov, numër dy, opus… "Çohu, Rominë, çohu shpirt, mbaroi, tani do ikim. Hajt, vishu, në mos një herë një tjetër do ndodhte edhe kjo, ishte e pashmangshme. Ngrihu se u mardhe." "Nuk dua." "Mos u bëj çilimi tani." Po ajo është fëmijë, tha Madona me vete, dhe doli nga vetura. O Perëndi, mendoi, kur Romina të vinte në moshë të saj lëkura do i ish bërë shollë. U mbështet pas dritares anësore, duke mbuluar enkas me trup lakuriqësinë e Rominës që vishej me duart e dredhura. Kurvarët po pinin cigare duke u grindur me zë të ulët me njëri-tjetrin. Bregu, Jasmina dhe Ekstaza vështronin me fytyra të çmeritura sheshin e madh të plehrave gjithë pirgje ndotësirash që u ngjasonin sisëve të një dose me këmbë përpjetë. Epo që të dëgjonin muzikë klasike në mes të një orgjie, kurrë nuk do i kish shkuar në mend. Madona vuri hidhur buzën në gaz. Ishte me e vjetra e kurvave të Bolonjës e sytë ç'nuk i kishin parë, por këtë kurrë s'do e kish përfytyruar. Një uturimë kamioni i kaloi si petës byreku mbi mendimet. Ktheu kokën. Të tjerët po ashtu. "Uuuaaa” bëri një nga gratë, “ja ku na u duk bukuroshi, si me porosi, tani që nuk shpresonim ta shihnim më." Mbetën të gjithë gojëhapur. Trashaluqi gagaç tundi kokën e kruajti veshin e djathtë. Ishte ai. Kur u hodh jashtë makinës si para disa orësh, asnjëri prej tyre s'pati më dyshim. Të njëjtat lëvizje, e njëjta e ecur. Ndërkohë Romina, çalë, doli nga vetura, duke vështruar mpirë shoferin e plehrave. Ahmeti mati me sy largësinë nga ku kish lënë kamionin për të gjetur pikën më të përshtatshme ku mund t'i shkarkonte plehrat. Hipi përsëri në kabinën e ngrohtë. Nga lartësia e saj i zuri syri grupin e çuditshëm që po e gozhdonte me vështrime. Burrat dukeshin normalë. Gratë lavire, për këtë s'kish dyshim. Ndezi përsëri motorin duke mos lëshuar grupin nga bishti i syrit. "Ej, po ikën prapë ky?" Ulëriti Ekstaza dhe u turr përpara turirit të kamionit. "Eeeej ju, burra, tunduni se po ikën ky! Ej ti, zbrit që aty se kam nja dy fjalë të të them. Zbrit ore, shurdh je ti?." Ç'ka me mua kjo? Do jetë ndonjë trushkulur, Ahmeti ishte i këputur, donte të shkarkonte dhe... ç'thotë kjo derdimene, unë hajdut? Më mirë të bënte mbrapsht e të shkarkonte në pikën më të largët, çne melazëm. Burrat po afroheshin, shkuan mbas kamionit, kështu që ai nuk mund të vinte marshin praptas pa i shtypur. Laviret e tjera u bashkuan në ballë, me derdimenen. Hej ç'më polli, tha Ahmeti me zë. Kushedi ç'hall kishin e me kë e ngatërronin, halli do i kish sjellë aty në atë orë, me siguri. Zbriti duke i dhënë fytyrës një pamje të përzemërt. "Mirëmëngjes o njerëz." "Mirëmëngjes i sat ëme. Hajdut." "Mbaj gojën moj ti... zonjë." Njëra prej tyre u zgërdhi me fjalën zonjë, por të tjerat ia mbyllën sqepin. "Pse më fyen? Njihemi bashkë ne?" "Do njihemi o zog, ja tani." Thataniku u afrua kërcënueshëm, duke matur me sy Ahmet Lamajn që s'po kuptonte gjë prej gjëje. "Mbylle gojën ti femër. E sqaroj unë këtë bukuroshin." I këputi një grusht midis syve dhe gratë sa hap e mbyll sytë iu gjendën shoferit përsipër. Ky u përpoq të mbrohej me duar, por këto i ndiente të mpira nga thasët që kish ngritur, vuri bërrylat sipër kokës dhe: "Oooou, ngadalë, pse më bini në qafë. Lermëni rehat." Hunda i kish shpërthyer gjak e ndërkohë Thataniku ishte tërhequr e bënte sehir. Burrat e tjerë gjithashtu. Tërbimi i grave ishte vështirë të ndalohej. Ti të na vjedhësh rrobat neve dhe të na lësh çipllak në mes të natës kur sa po mbaronim turnin e do ishim në krevat prej kohësh? Nxirri, ku i ke futur, hajdut muti. Ku janë rrobat tona, thesi ku është? Ekstaza e pa me vend të përdorte takën e këpucës në vend që të dërrmonte duart, hoqi njërën prej tyre dhe ia vërviti në kokë burrit që ishte larë në gjak. Ky ndërkohë godiste majtas e djathtas qorrazi, gjë që tërboi edhe me shumë sulmueset. Bregu i Fildishtë, pas grushteve të parë, kryqëzoi duart e shau në gjuhë të vet. Me sa duket kjo i jepte kënaqësi të madhe, pasi nuk ndieu më nevojë të ushtronte dhunë fizike. Burri u përpoq të reagonte më energjikisht, por gjaku që i ishte vërtitur deri tek sytë e çarmatosi. E rrahën paq. Romina e shastisur, ndiqte skenën e dridhej pak hapa më tutje, me krahët si shall rreth kraharorit. "Mjaft, se e nxitë", tha me një fije zë por askush s'e dëgjoi, "mjaft moj gra, marrim rrobat dhe..." "Ç'thes kërkoni?" Burri i ri, që fliste italishten me një theks të padeshifrueshëm, përpiqej të fshinte hundën e fryrë top nga goditjet, por kjo rridhte gjak sikur të ishte ujë. "Nuk kam asnjë thes unë, unë grumbulloj vetëm plehrat." "Pikërisht." Kurvat u ndalën një hop dhe e panë sikur do ta shqyenin. Kurvarët po shkapërtheheshin gazit. “Prisni”, tha gagaçi duke iu marrë goja edhe më, “më parë ta sqarojmë si është puna”. "Ç'punë more zotërinj? Për ç'plaçka është fjala?" Madona, e kapur nga një ndjenjë e përkohshme drejtësie, i zgjati një copë rreckë të ndotur që gjeti përtokë dhe u bëri shenjë të tjerave të qetësoheshin. "Ne kishim turnin e fundit më këta këtu, i sheh?" Tregoi me përçmim katër burrat. Shoferi pohoi, gjithë me duart në fytyrë. "Kur po bënim atë punë me këta afër pyllit, ti erdhe për të ngarkuar plehrat mbi kamion, dhe bashkë me to, more edhe thesin me ngjyrë jargavani ku ne mbajmë rrobat tona për kur mbarojmë turnin.Por e kuptuam me vonesë, se të të kishim kapur në atë çast e dinim ne si të ta ndreqnim samarin." Shoferi hapi gojën si guak. Rrecka e pistë i kish bërë një hartë pluhuri e gjaku mbi fytyrë. "Mä raftë pika mua në marr vesh gjë", tha, "nuk kuptoj ç'thes doni e ç'keni me mua." "Për shkakun tënd këta na palluan pa para, e ne jemi akoma këtu duke dërdëllisur me një mut si puna jote. Bosi do ketë shkuar në apartament të na kërkojë për dorëzimin e parave dhe ne nuk kemi ç'ti japim.O i nxjerr rrobat tani, o ta bëjmë shoshë atë kokë prej të tredhuri. Hip në kamion e shkarkoje!" Ai hipi i pataksur dhe shtypi levën që shkarkonte kamionin, pjesa e pasme e tij u hap dhe një ortek mbeturinash u derdh poshtë. Ja ku është, ja ku janë rrobat do zoti, uuuua goca i gjetëm, shyqyr. U turrën si hiena mbi thesin ngjyrë jargavani, e shqyen. Shyqyr Zotit, mendoi si në ethe Romina, desh Zoti e rraqet e saj ishin aty brenda, gjithë tortura po mbaronte, sikur të shuhej ajo djegësirë e mallkuar nën vete. Shoferi zbriti nga kamioni në mënyrë automatike, por sapo vuri këmbën në tokë u pendua. Pse po zbres? Pyeti qiellin që dukej më i çmeritur edhe se ai vetë. Pa putanën e re që me të hedhur në tokë kuvertën që e mbulonte, po përpiqej të vishte rrobat me duar të dredhura. Ahmeti vuri një këmbë përsëri mbi shkallëzën e kamionit. Por ndërroi mendje. U drejtua nga meshkujt që po gatiteshin t'i linin kurvat me viktimën e tyre. “Të paktën të sqarojmë atë punën e hajdutllëkut.” Tha shoferi. “Se të rrihem nga ca…, e të më vihet edhe damka e vjedhësit për ca rraqe, kjo s'ka vend ku të rrijë.” Ata e vështruan me tëhuajtje të plotë. Sikur të mos ishin aq të lodhur do e kishin rrahur paq edhe ata. “Çoji ti këto në shtëpi tani, ne e bëmë tonën, e herë tjetër mos vidh rrobat e kurvave, tutkun.” Filluan të largoheshin drejt veturave pa e zgjatur më. “Ej, prisni”, Ahmetit, në kulmin e dëshpërimit, po i vinte si të fikët, “kush më çon deri në spital? Më duket se më keni thyer hundën.” Gratë po vishnin rrobat të mardhura, por ende me ndjenjë hakmarrjeje në sytë. Bregu vazhdonte të llomotiste në gjuhën e saj. "Çojeni në spital të shkretin, nuk shihni si e keni katandisur?" Romina sikur e kish marrë veten. Të tjerët u kthyen nga ajo sikur të shihnin një fantazmë. Leri llafet e mos bëj Nënë Terezën, i tha Bregu gjithë nerva. "I shkreti." Tha Romina në shqip. "S'duket si hajdut." Ahmet Lamaj ktheu kokën i trullosur. Hej dreq, tha nëpër dhëmbë, kjo folka…, po kjo sikur është, i ngjan, kjo më duket është…, folka edhe në… "Çfarë the?" Shqeu sytë më fort ai. "Ti je shqiptare, ti je…? Kaq shumë qenke shfytyruar?" Romina iu afrua me hapa prej të dehure, burrat gati ishin brenda në makina e gratë po i ndiqnin nga mbrapa me klithma që të mos i linin vetëm. “Thuaje, kush jam?” Romina tani ishte e tërbuar. Vuri duart në ije në shenjë kërcënimi dhe ashtu, nga mbrapa, prej nga e këqyrnin sehirxhinjtë, dukej qesharake dhe krejtësisht e pambrojtur. “Nuk të njoha më parë, kaq shumë ke ndryshuar.” Ahmeti këqyrte makijazhin e shprishur të gruas, dhe zbrazëtia në stomak po i shtohej edhe më. Ç'dreq gjuhe ishte kjo? Mendoi Bregu i Fildishtë, shkoi afër Rominës dhe e kapi nga shpatullat por tjetra as që e ndieu. “Thuaje pra, thuaje kush jam?” “Je Romina, goca e Xhaferëve.” “Hmmm, Romina, goca e Xhaferëve. Po tani, çfarë jam tani? Hë pra fol, hape atë të qelbur gojë, çfarë jam tani?” Ahmeti kroi kokën, bëj që të më mbajnë gjunjët, bëj që të mos bie në tokë. Fytyra e ish- fqinjës po i bëhej kaçurrel para syve. “Tani je… Romina e Xhaferëve.” “Gënjen ti horr hajdut rrobash, tani jam kurvë, jam një copë kurvë dhe me siguri ti po tallesh me mua në atë mendjen tënde prej shqiptari të qelbur.” “Jo”, u mundua të mbrohej Ahmeti me gojë, ndonëse mendja i tha po, ashtu ishte, ajo tani ishte vetëm një copë kurvë, nga gjithë ajo vajzë e bukur dhe e brishtë që pati qenë kish mbetur kjo kurva e tanishme, siç nga mekaniku i mrekullueshëm që ai kish qenë njëherë e njëkohë, kish mbetur vetëm ai shofer plehrash pa din e pa iman, “kush të tha që po mendoja gjëra të tilla? Unë…” “Më përçmon se jam katandisur kështu? Ta tregoj unë ty nderin e namuzin e hundën përpjetë, horr horri, se nëse unë jam kurvë, ti je hajdut i rraqeve të kurvave, pra nuk je larg meje.” “Ti je kurvë, unë nuk jam hajdut.” Romina e pështyu në fytyrë me sa pati fuqi. Mori të ikte, por në mes të rrugës u kthye nga ai edhe më e tërbuar. "Ky horri po më quan kurvë. Vajza, një brekëgrisur si puna e tij ka fytyrë të më thërrasë kurvë. Ka fytyrën të na quajë të gjithave si ato plehrat që mbledh nëpër kazanë. I duket vetja më i mirë nga ne." "Çfarë do që t'i bëjmë?" Bërtiti Ekstaza me sa pati në kokë. "Ta rrahim paq." Dha dënimin Romina. Këtë herë u bashkuan të gjithë, viktima e padronë. Kush përdori duart, kush këpucët, thasët e sapozbrazur të plehrave, copra karrigesh të thyera, dhe ia ndezën kurrizin paq shoferit. Kur mbërriti policia, Ahmet Lamaj dergjej përtokë, mes një harte gjaku e kockash të bluara. Dy mace vërtiteshin rrotull burrit pa e përfillur, ishin aty për hesap të tyre, po i merrnin erë shoshoqit para se të kapërtheheshin, ç' punë kishin me njerëzorin që dergjej në tokë? Katër veturat me pesë kurvat brenda ishin zhdukur nëpër pranverën e zhurmshme, midis diellit që më në fund kish dalë të ngrohte ca, horri, edhe ai. Veturat shkarkuan gratë para barakës ku banonin. “Herë tjetër na shkoftë më mbarë.” Përshëndetën meshkujt me tallje. Ashtu, mërmëriti zëzvarritur Ekstaza dhe vështroi këmbët e saj hollivudiane. (Nga: Lule të gabuara, Tregime)


(Përgatiti për Floripress:Flori Bruqi)