2012-07-19

AKADEMIA E SHKENCAVE TË VIDOVDANIT


Shkruan: Ramadan MUSLIU
Pas një heshtjeje të gjatë ASHAK-u, që nuk foli as në momentet kyçe për vendin, kur kishte nevoje që ky institucion të bëhet i gjallë dhe ta thotë fjalën e vet të nderit për momentet delikate të historisë sonë, kryetari i ri i saj u bë gjallë: foli me sa zë që pati, jo rreth problemeve të ndieshme të vendit e as për librat që po promovonte si “shkencë të rëndë”, por u prononcua për një botim tjetër që nuk pati lidhje me aktivitetin e organizuar, rreth të parës histori autoriale të Kosovës, botimit trevëllimësh, “Kosova” , të Jusuf Buxhovit. Ky reagim, i cili çuditërisht vjen në një moment që fare nuk lidhet me librin, ngase gjithë ajo tiradë e kryeakademikut dr. Hivzi Islami erdhi në aktivitetin “vetëpromovues” të botimeve stereotipe që bën ky institucion, është një përkrahje tinëzare e reagimit të akademisë simotër nga Beogradi, SANU, të shoqëruar, më parë edhe nga disa krrokama të çorbaxhinjëve të do instituteve anonime me drejtorëve të shumtë, qofshin “teologë”, “historianë” apo edhe intelektualë kinse të pavarur dhe qarqeve të identifikueshme qeveritare.
Reagime për libër që nuk e kanë lexuar
Një pajtim i koordinuar i faktorit serb, atij të “jashtëm” dhe faktorit vendor! E keqja më e madhe e këtyre reagime është se asnjëri prej tyre nuk merret me librin, me përmbajtjen e tij, as i bënë analizë të mirëfilltë për t’i gjetur vlerat dhe jovlerat, shkarjet dhe gabimet eventuale, por janë konstatime kuturu, madje reagime për një libër që nuk e kanë lexuar fare. I vetmi “argument” i këtyre reagimeve është se kinse prapa librit autorialë po i fshehkan njerëzit jokompetentë, duke e nënkuptuar përgjegjësinë shkencore që, sipas mendimit të tyre duhet të vijë nga titujt dhe gradat e munguara shkencore, që zakonisht ambientin tonë akademik nuk dëshmojnë asgjë më shumë pos faktit se janë rezultat një vetëdije korruptive, kur dihet si janë marrë e si merren titujt e caktuar e që kurrënjëherë nuk janë pasqyrë e dijes dhe formimit intelektual e shkencor, aq më parë kur është krijuar bindja se me marrjen e titullit kapet litari dijes përfundimtare për të cilin duhet të rrijë varur gjithë jetën. Të njëjtin as që e dinë se ç’shkolla kanë mbaruar të apostrofuarit, sepse nuk janë verbuar nga pasha e gradave dhe harrojnë se titujt shkencorë nuk funksionojnë apriori, pa një punë komplementare të vazhdueshme në sferat e preferuara të dijes, po aq sa harrojnë kontributin e vet në fabrikimin e padijes akademike në institucionet ku punojnë. Pak ka njerëz me grada shkencore që kanë dhënë ndonjë kontribut të shquar në shkencën tonë e aq më keq që rrethanat e reja i kanë fshirë fare shumë libra dhe kontribute “shkencore” të skribomanisë së tyre. Në jetën tonë të përditshme këta tituj të dyshimtë madje kane shkuar deri aty sa ata i kanë shërbyer si mjete represive ndaj dijes sepse përmes tyre, si në rastin konkret, shërbenin për uzurpimet e pozicioneve institucionale për një dije dhe shkencë të kontrolluar.
Ky reagim i kryeakademikut, aq më parë që është fyes dhe, aq më keq për të, që është kongruent me qëndrimet e akademisë serbe, veçanërisht që behët para njerëzve që statusin akademik e kanë marrë në rrethana jo fort të moralshme, të detyron të mendosh se kush janë këta tipa akademikë, cila është fytyra e vërtetë e këtij institucioni, tradita dhe historia që bëhet pikërisht nga anëtarët e saj.
Të gjitha institucionet e Kosovës janë rezultat i zhvillimit dhe avancimit politiko-juridik të Kosovës dhe kosovarëve që nga “banovina” e hershme, “obllasti”, “srezi” e deri te “krahina autonome”, duke pasur për bazë aktet e caktuara normative, ligjet gjegjëse, statutet e deri te kushtetuta. Edhe akademia jone e nderuar është pjesë e këtij procesi. Po ky proces i zhvillimit politiko juridik ka ndodhur brenda një sistemi ultra totalitar, domethënë ku çdo gjë u bë për shtetin dhe nevojat e tij dhe ku inteligjencia ishte në aktivitetin e vazhdueshëm të verifikimit “shkencor”, e më shumë moralo-politik. Vetëm një pakicë të nderuar në këtë institucion arritën të ruajnë nderin e fytyrën, kurse pjesa më e madhe e anëtarëve ishin në pajtim të plotë me rrjedhat politike, në pajtim të plotë më statusin e një institucioni të shtetit totalitar.
Pranimi i kritereve moralo-politike
Nga ASHAK-u as ka kërkuar kush e as kërkon që të jetë hartuese e projekteve të mëdha nacionale, aq më pak të projekteve analoge me SANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë), por së paku të ishte një zëdhënëse e vockël e një përpjekjeje për emancipim politik, kulturor, shkencor dhe artistik të popullatës që e përfaqësonte, të sillte një mendim ndryshe ne jetën shkencore dhe artistike.
Akademikët tanë, pjesa më e madhe e tyre e pranuar me kriteret moralo-politike dhe pa ndonjë kontribut të dalluar shkencor, u akomoduan në këtë institucion dhe si struci, me kokën në rërë, shikonin se nga po shkon kërkesa legjitime e shqiptarëve për një avancim të statusit të tyre kushtetues.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës as gjatë viteve 80 nuk arriti të jetë partnere dhe rivale e simotrave të saj në ish-Jugosllavi e aq më pak të jetë një mburojë e popullit të saj të rrezikuar. Pikërisht shkrimtarët ishin ata që hapën frontin me ata të “Francuska 7” dhe jo vetëm që e hapën frontin, por edhe e fituan dyluftimin intelektual aq sa pala kundërshtare hoqi dorë nga ballafaqimi në Prishtinë. Ky ishte legjitimimi i parë ndërkombëtar i shqiptarëve si entitet serioz me të cilin duhet marrë politika ndërkombëtare.
Intelektualët suprem, çfarë i presupozon opinioni kosovar anëtarët e këtij institucioni, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk patën të shkruar e as të thënë një fjali kundër regjimit dhe po e thanë atë fjalë ajo ishte pikërisht nën pikëpamjen e “internacionalizmit proletar”. ASHAK si institucion ishte pjellë e një shteti totalitar dhe atë filozofi e mbrojti deri në fund, duke mos pasur as ide e dije e as fuqi morale për ta thënë një fjali se shqiptarët jetojnë të okupuar dhe në komunizëm, se pjesa tjetër janë viktimë e një sistemi totalitar stalinist dhe se që të dy pjesët e kombit janë në shërbimin serbo-rus. Nuk e thane se ishin të zënë me shkencën e rëndë dhe me gradabërjet shkencore! Pra, ASHAK ishte një institucion pa identitet shkencor, artistik e intelektual, por me një profilizim të qartë politik. Për akademikun tonë ishte e mjaftueshme që para emrit të vet t’i fshinte si me gomë gradat “shkencore” dhe ta vendoste epitetin e gjithëfuqishëm “akademik” dhe me të fitonte të drejtën që ta shihte popullin nga “kali i bardhë”… Nuk e di se ndonjëri prej tyre ka çarë kokën se djemtë e vajzat e reja futeshin burgjeve serbe me idetë staliniste dhe nga andej dilnin ose te rirekrutuar ose të shkatërruar fizikisht e psikikisht. Është vërtet e rëndë dhe e dhimbshme të kujtohet ajo periudhë e aq më e dhimbshme që sot të kërkohet llogari për një gjendje të tillë. Mirëpo, ripërsërtija e historisë, rishfaqja e klisheve mendor konkurrent nga periudha e përparshme në një kohë kur ajo periudhë duhet t’i takojë historisë, të detyron të prekësh plagën e pashëruar.
Historia sipas skemave të historiografisë serbe
Po kjo akademi, duke harruar se akomodimi ideologjik socialist më nuk është i vlefshëm, nuk e kujton se tani duhet bërë riverifikimi i statusit, ridimensionimi i shkencave të saj, por pa dyshim edhe i moralit akademik. Këta akademik që në përurimin e objektit të ri ( po të qëndronin në të vjetrin do të krijonin idenë se janë relikt i një kohe të harruar dhe pjese e trashëgimisë kulturore analog me objektin!) presin shiritin e inaugurimit para një pllake me një citat nga mendimet e kryeministrit Thaçi. Mirëpo akademikët tanë nuk e lanë kryeministrin në hallet e veta politike, ngase deshën ta nxjerrin edhe si mendimtar, duke e bërë e bërë të skuqet fare nga ideja e marrë akademike. Me këtë akademikët tanë dëshmuan se mbetën ata “çantaxhitë” dhe sahanlëpirësit e vjetër, përherë të gatshëm për shërbesa politike.
Akademikët tanë edhe në planin shkencor dhe artistik për më shumë se një dekadë të aktivitetit nuk lanë shenjë kund. Edhe kur shkruan e botuan gjë, flas për projekte kolektive, ato kinse të karakterit kapital, çfarë ishte monografia për Kosovën, bënë punë për faqe të zezë: shkruan historinë sipas skemave të historiografisë shoviniste serbe. Aty, përkundër pikëpamjeve të Buxhovit, na e nxjerrin si nga kapela e prestixhatorit “shtetin mesjetar serb”, “kishën ortodokse serbe”, etj. Ky, pos një gabimi material, është edhe një gabim metodologjik. Le të na thonë se sipas cilit dokument të kohës dëshmohet “shteti mesjetar serb” dhe “kisha ortodokse serbe”! Çdo studiues serioz i kësaj problematike e di se historiografia serbe ka bërë një falsifikuat të madh historik, duke krijuar për nevoja politike “shtetin mesjetar serb” nga “Rasit” (Rashka) dhe rasianët tribalë, që nuk kishin asnjë lidhje me serbët. Këtë e di edhe një pjesë e historiografise serbe. Nuk ka nevojë për të qene ndonjë studiues i thellë i historisë serbe dhe për ta hetuar se e gjithë ai falsifikuat mbështetet në dy tre libra si “Letopis popa Duklanina”, “Istoria slavena” e Mauro Orbinit, “Istoria slavena ilira, donje e gornje Mezije”, të Gjuragj Brankoviqit dhe katër versione false të “krisovulave” kishtare, e që të gjitha të shkruara në gjuhë të huaja. Libri i Orbinit madje përkthehet pa 200 faqet e para, të cilat gjykuar sipas një citati nga libri i Jovan Rajiqit (“Краткаја Сербљи, Раси, Босни и Рами кралевств историја”, i shkruar në “staroslovenski”), ku flitet për Dardaninë dhe dardanët…
Asnjë fjalë kundër simpoziumit të SANU-së
Akademikët tanë të nderuar nuk e panë të arsyeshme ta thonë asnjë fjalë kundër simpoziumit shkencor të SANU-s, të e mbajtur më 2007 në Beograd, për ta “dëshmuar” se shqiptarët janë të ardhur nga Albania e Kavkazit ( këto materiale janë botuar në një liber, “Kavkazki albanci lazni iliri”, me këtë sqarim: Ова књига садржи проширене текстове реферата изложених 21. јуна 2007. године
на мултидисциплинарном округлом столу у САНУ “Методолошки проблем истраживања порекла Албанаца.). Jo vetëm se nuk e thonë një fjalë të nderit kundër, por teza e tillë në formë rudimentare shfaqet edhe në librin e një anëtari të këtij institucioni, që domethënë se vetë ky institucion kontribuon në mjegullimin e të kaluarës sonë. Por historia dhe historiografia është proces i hapur dhe çdo hulumtim, kurse hulumtimi i terrenit është në pikën zero, do të ndryshojë përfytyrimin sllav dhe të akademisë sonë për shqiptarët dhe etnogjenezën e tyre. Ky përfytyrim sllav është shndërruar në klishe mendor me të vetmin qëllim, që popullatën vendore ta privojnë nga historia dhe e drejta historike e tyre ndaj këtij vendi dhe që ky klishe është pranuar vetëm nga shkenca dhe inteligjencia kosovare, por jo edhe nga popullate shqiptare!
Akademia e shkencave heshti trimërisht, duke mos ia prishur politikës, për Pakon e Ahtisarit, me të cilën Kosova jo vetëm se u bë Kosovë e Metohi, si e quajnë serbët, por “metohi” fare se një pjesë e madhe e saj u shndërrua në pronë kishtare e me këtë edhe iu fal dhunshëm e drejta historike ndaj këtij vendi. Është e habitshme dhe e pafalshme se si një institucion i tillë të mos çajë kokën për historinë nacionale, që të mos shfaqë as më të paktin dyshim mbi versionin serb të historisë sonë nacionale! Kryetari i akademisë nuk dyshon në asnjë moment në leksionet e shkollës fillore dhe të mesme, se dije më të madhe për historinë edhe nuk ka, sipas të cilave serbët identifikohen nga emrat me etimologji të adaptuar sllave, kurse shqiptarët vihen në dyshim për shkak të emrave të tyre jo-etnikë. Historiografia serbe, një pjesë e saj, e di se Nemanja (te Rajiqi Nemani), Dushani, etj. janë hasianë, tribalë, sipas versionit bizantin e ilir, sipas atij raguzan...
Nuk e di sa e kuptojnë akademikët se institucioni i tyre gjendet në një moment delikat: ç’të bëhet me këtë institucion të ardhur nga sistemi totalitar?! As mund të reformohet e as të vazhdohet më të. Kishte të drejtë një qytetar që thoshte duke kaluar nga godina e këtij institucioni: “Tash që janë në këtë ndërtesë njerëzit pyesin: a thua se ç’punojnë këta njerëz brenda? Përpara, te godina e vjetër i patëm harruar se ekzistojnë fare”.
Derisa Jusuf Buxhovi e shkruan librin trevëllimësh me rreth 2500 faqe, pa harxhuar as një cent të taksapaguesve kosovarë, pa dëmtuar askënd dhe duke hapur një dritare të re të vështrimit të historisë nacionale, kurse këta akademikët harxhojnë gjithë atë buxhet për të na mësuar të mendojmë sllavisht.
Kryeakademiku harron gjënë elementare: historia e Buxhovit është projekt autorial dhe se për bazë ka një pikëvështrim personal i historisë dhe shfaqje e një botëkuptimi ndaj një procesi historik, çfarë janë të gjitha historitë analoge. Mendja e kryeakademiku tonë është e obesionuar nga klishetë mendorë të shkencës socialiste sa nuk di se ç’është projekti i një historie autoriale. ASHAK-u as ka pasur e as ka ndonjë mision të caktuar. Pse ky institucion nuk bën një projekt, së paku arsimor (fjala vjen, për shkollimin e kuadri të ri për gjuhët që po i munguakan kryeakademikut, si osmanishtja dhe sllavishtja e vjetër, por edhe “greqishtja e vjetër”, latinishtja, edhe gjuhë të tjera të vdekura, që do të mund ta bënte përmes një kërkese drejtuar institucioneve që përkujdesën për ngritjen shkencore të kuadrot universitar), që nesër ta kemi atë kuadër të specializuar që do të na e artikulojë tamam si duhet problemin e identiteti historik të shqiptarëve!?
Nuk ka se si të mos na kujtohen kontributi i madh i ASHA-së në jetën publike, krijimi i dy partiçkat akademike, fshatares jetëshkurtër dhe LBD-së edhe më jetëshkurtër, që ikën pa lënë gjurmë mësa idetë e këtyre bajlozëve të shkencës dhe artit kosovar!
Në fund fare, akademikët duan ta kenë mirë më pushtetin se ai ua ndanë buxhetin dhe zëshëm pajtohen me degradimin e jetës së njeriut tonë, ku intelektuali është shndërruar në tepricë teknologjike që duhet hedhur në plehra e injoranti faktor politik që vendimmarrës, që duhet të vendosë për mënyrë e jetesës sonë.

Edhe një fitore e Ramushit!


Shkruan:Besnik Tahiri
Tribunali i emëruar gabimisht         
Në rrethana ideale Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në hapësirat e ish- Jugosllavisë do të duhej të kishte një tjetër emërtim. Mund të tingëllojë jonatyrshëm, por ky do të duhej të ishte Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte të Republikës së Serbisë. Nuk synoj t’i injoroj krimet eventuale edhe në hapësirat tjera të vendeve të ish- Jugosllavisë, por dihet botërisht se në kuadër të një lufte, është një palë, ajo e cila kryesisht ngarkohet me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe parësore. Pastaj, mund të flitet për përgjegjësinë e palëve tjera më përgjegjësi dytësore, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Për të qenë më i drejtpërdrejtë, terrori dhe dhuna e prodhuar nga luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka pasuar dhe është rezultat i politikave të prodhuar në inkubatorët dhe gjeneratorët në Beograd. Aty gjendet gjeneza ideologjike, dhe fuqia vendimmarrëse, e cila u shërbye me monopolin e Beogradit mbi mjetet e forcës, luftës. Nuk kam hasur asnjë autor serioz të ofrojë tjera shpjegime e argumente, pos atyre që Beogradi dhe Milosheviqi me qarkun mbështetës të tij të jenë përgjegjës për terrorin luftarak në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, dhe atë të mbetur në tentative dikur herët në Slloveni. Historia do të arrijë të gjykojë plotësisht dhe drejt rolin e Serbisë në luftërat e fundit, drejtësia do të arrijë atje me shumë defekte e mangësi. Mund të thuhet se në shekullin XXI drejtësisë ndërkombëtare i mbetet shumë për të bërë, në mënyrë që të arrijë standardin e nevojshëm, atë që shoqëritë njohin në nivel të drejtësive shtetërore dhe jo vetëm që do të dënojë liderët e Serbisë gjenocidale, por do të denoncojë dhe ideologjinë dhe pirësit e tyre politikë nacionalistë.

Tribunali Ndërkombëtar dhe Kosova
Emërtimi i gabuar i Tribunalit ka rezultuar edhe me mandat të gabuar, ndërkaq mandati i gabuar ka prodhuar trajtimin jo të qëlluar të palëve. Të shohësh një qytetar të Republikës së Kosovës të ndodhet në të njëjtën ndërtesë, dhomë, karrige me kriminelët e sofistikuar, ata që ‘gatuan’ krimet në zyrat vendimmarrëse dhe në terrenet ku luftohej për të shfarosur tjetrin vetëm për shkak të një besimi, kulture dhe gjuhe ndryshe nga ajo në çfarë thirreshin dhe proklamonin këta kriminelë, është TURP.
Andaj, publiku ndërkombëtar dhe ndërgjegjja njerëzore, ajo çfarë nxiti intervenimin e NATO-s, meriton të marrë mesazh të qartë që në kuptimin e drejtësisë ndërkombëtare, politika e Beogradit dhe eksponentëve të luftës janë përgjegjësit parësorë dhe të drejtpërdrejtë. Tribunali përpos bërjes së drejtësisë do të duhej t’i shërbente një qëllimi të tillë gjithashtu. Por, faktikisht gjykimet sikurse rasti z. Haradinaj cenojnë drejtësinë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare.
Sot e dje
Në përcjellje të seancës përmbyllëse të rastit të z. Ramush Haradinajt para Tribunalit, duke sjellë në mendje këto që tashmë u thanë në këtë artikull e them dhe e ritheksoj se dorëzimi dhe paraqitja vullnetare i z. Haradinaj në kohën kur ishte kryeministër, pas dorëheqjes, ishte vazhdimësia e luftës kundër padrejtësive me mjete tjera. Jo vetëm si pasues, por edhe si qytetar i këtij vendi mburrem me vendimin e tij të guximshëm, vendim i mbështetur në vizion dhe kauzën e Republikës së Kosovës për të gjetur vendin në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura, edhe pse drejtësia ndërkombëtare mbetet shpesh e vonuar, e qe besa shpesh e relativizuar.
Tani kur z. Haradinaj dhe mbrojtja e tij bindshëm dëshmuan që ai, lufta e tij dhe Kosova nuk kanë gisht në akuzat fiktive, mendoj se ai si luftëtar, lider dhe qytetar, i bëri vendit shërbimin më të madh. Mos të harrojmë se sot dhe dje u braktis themeli i aktakuzës, nga ana e prokurorisë, pasi që siç tha Mbrojtja, ata u bazuan në dëshmi të pavërteta. Si rrjedhojë u komprometua ky proces, pasi që dëshmitë kyçe ishin të paqëndrueshme. Mbrojtja e Haradinajt, i ka kundërshtuar pozicionet e prokurorisë rresht për rresht, duke ofruar prova dhe evidencë që nga faktet e drejtpërdrejta deri te dëshmitë gjatë procesit të parë.
Vlen të theksohet se Mbrojtja e z. Haradinaj e cilësoi atë si udhëheqës politik të shkëlqyeshëm, një person, i cili mund ta bashkonte politikën e Kosovës, dhe të siguronte mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Z. Haradinaj, gjithmonë sipas provave të Mbrojtjes së tij, “ishte një person shumë i angazhuar për mbrojtjen e pakicës serbe, të cilët mbetën brenda kufijve të Kosovës”, dhe si i tillë, ai përfaqësonte një kërcënim të fortë politik për konjukturën politike në Serbi, që në atë kohë ishte e angazhuar që ta pengonte Kosovën që të shkëputej dhe ta shpallte pavarësinë dhe të angazhohej në mënyrë të pa-kompromis për të siguruar udhëheqjen e saj politike. Në fund të prezantimit të tij, ai lexoi edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtar, gjeneralit Klaus Rejnhard dhe të ish-shefit të UNMIK-ut, z. Soren Jesen-Petersen, se z. Haradinaj ka qenë njeri i përkushtuar në punë, një partner i vërtetë i bashkësisë ndërkombëtare, me synim ndërtimin e një shteti demokratik, të lirë dhe të sigurt për të gjithë.
Andaj, me bindje ju them se, z. Haradinaj kësaj radhe nuk e mbrojti vetëm nderin e tij personal dhe luftën e tij të drejtë, por gjithë kauzën tonë për liri. Argumentet, provat dhe evidenca e prezantuar në këtë pjesë të rigjykimit është një ngjarje historike, pasi që kjo po e vërteton kauzën tonë të drejtë për liri dhe mbi të gjitha pastërtinë dhe nderin e luftës çlirimtare, të cilën e bëri z. Haradinaj dhe ne si popull në tërësi.

Nuk ka arsye të harrohen apo të anashkalohen ngjarjet me rëndësi politike e historike


Shkruan: Dr. sci. Ramadan KELMENDI
Në historinë e popullit shqiptar në Kosovë ka shumë ngjarje e data me rëndësi historike. Shumë nga këto data, me vetëdije apo pa të, ne i bëjmë të njohura apo të panjohura. Në këtë mënyrë ndërpresim lidhshmërinë e ngjarjeve në proceset politike të shtetbërjes së Republikës së Kosovës, e me këtë e zbehim rrugëtimin dhe kontributin tonë të përbashkët për liri, pavarësi dhe shtetbërjen e Republikës së Kosovës.
Këtë liri që ne sot po e gëzojmë dhe faktin se pavarësisë së kushtëzuar po i afrohet fundi nuk është rezultat vetëm i një gjenerate dhe as i vetëm i ne të gjithëve, por është kontribut, sakrificë, angazhim, flijim dhe meritë e shumë breznive para nesh. Shkurt, liria e sotme dhe pavarësimi i Kosovës është kontribut i sublimuar i gjeneratave ndër shekuj, i kristalizuar në kërkesën të mbrojtur me dije e gjak për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës në hapësirat e saja etnike dhe demografike.
Duke çmuar, nderuar, respektuar si dhe përulur para çdo date të rëndësishme historike të luftës së popullit tonë historik dhe liridashës, para çdo personaliteti shqiptar të njohur e të panjohur që dhanë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shtroi kërkesën para institucioneve tona që në mënyrë të organizuar, dinjitoze, institucionale, t’i shënojnë dhe ndriçon shkencërisht dhe historikisht vlerat, e datat historike dhe personalitetet tona, të të gjitha gjeneratave mbi të cilat u ngrit shtetësia dhe pavarësia e Kosovës.
Nënvlerësimi i ngjarjeve të rëndësishme historike

Mirënjohjen dhe pranimin e vlerave të së kaluarës jo vetëm se duhet ta bëjmë në mënyrë institucionale tanimë kur i kemi institucionet tona, por këtë duhet ta bëjë për begatinë tonë të lavdishme në këtë rrugëtim të gjatë të pavarësisë edhe për gjeneratat që do të na trashëgojnë.
Dhe, pikërisht në këtë kontekst, sikur ne me vetëdije apo pa vetëdije i harrojmë, apo i nënvlerësojmë datat e rëndësisë së veçantë historike, personalitetet dhe aktorët e ngjarjeve e vlerave, etj. Me keqardhje më duhet të rikujtoj se popujt e tjerë nuk veprojnë kështu, ata nga asgjëja bëjnë diç, krijojnë data dhe personalitete false, në të mirë të tyre, e NE, përkundrazi fakteve dhe argumenteve të pamohuara, shkelim mbi to.
Dhe, pikërisht po ndodh kjo tani si në shumë raste e personalitete të tjera edhe me Deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të 2 korrikut 1990, kur deputetët legjitimë të Kosovës, duke shprehur vullnetin e popullit shumicë të Kosovës, pra të shqiptarëve, para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, nën prangat e hekurta të tankeve të policisë serbe - shpallën aktin Kushtetues të pavarësisë së Kosovës, vullnet të cilin e sublimuan me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanikun legjendar.
Dhe, pikërisht kjo datë historike pa kaluar as 22 vjet të plota harrohet nga institucionet e Kosovës. Shkaqet dihen, por është më se e vërtetë se me këtë akt u vunë themelet burimore kushtetuese të shtetësisë së Kosovës.
Në kontinuitetin historik e politik, 2 korriku 1990 mbeti vendimi themelor përfundimtar i shqiptarëve të Kosovës për shkëputjen definitive të çdo lidhje me Serbinë dhe ish-RFSJ-në dhe pikërisht ajo që u vendos atëherë po ndodh sot. Me këtë akt burimor kushtetues, Kosova para 22 vjetësh doli nga kthetrat artificiale sllave, para Sllovenisë, Kroacisë, BH, Malit të Zi, për ta vazhduar jetën e vet paralele - institucionale politike, ekonomike, juridike, kulturore si shtet i vërtetë. Dhe, që nga kjo date historike de-facto Serbia nuk arriti kurrë më të ketë jurisdiksion mbi Kosovën dhe as që do ta ketë ndonjëherë më. Andaj ky akt burimor kushtetues meriton të shënohet siç po bëjmë sot dhe kurrsesi nuk duhet harruar.
Nga se Deklarata e pare Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës u miratua më 2 korrik 1990, krijoi parakushtet juridiko-politike mbi të cilat filluan të funksionojnë institucionet e mëvetësishme të Kosovës, edhe pse Kosova ishte e okupuar nga Serbia. Këto institucione paralele ndaj atyre serbe ushtronin detyra shtetërore dhe kombëtare në një nivel të admirueshëm dhe të paparë ndonjëherë më parë në historinë e formimit të shteteve të reja. Nuk është mburrje e as lavdërim, por 2 korriku 1990 ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë kur u vunë themelet e shtetësisë së Kosovës. Kjo datë ishte një mesazh i fuqishëm për faktorin ndërkombëtar dhe vendor se Kosova dhe populli i saj shumicë ka vendosur të ecë rrugëtimit të saj final për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Ky akt burimor kushtetues i vullnetit të shqiptarëve është AKTUAL për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, ngase:
Kjo deklaratë në thelb është një akt politik i vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë, por në vete përmban edhe qëndrime juridike. Vlera kryesore e Deklaratës qëndron në faktin se anuloi vendimet e delegatëve të përbërjes së mëparshme, të cilët dhanë pëlqimin në amendamentet kushtetuese të Serbisë për ndryshimin e pozitës kushtetuese të Kosovës.
Me Deklaratën Kushtetuese u përcaktua se rregullimi i ardhshëm kushtetues i Kosovës do të mbështetet në kërkesat gjithë popullore dhe në interesat e popullit shqiptar për t’u pavarësuar duke u bazuar në parimin e shprehjes së vullnetit të lirë e demokratik për vetëvendosje.
Nga teksti i Deklaratës Kushtetuese rezultojnë këto përcaktime të qarta:
1. Deklarata Kushtetuese është një akt i vetëvendosjes politike i popullit shumicë të Kosovës, si orientim burimor i rregullimit të ardhshëm kushtetues.
2. Kosova duke u shpallur njësi e barabartë me njësitë e tjera avancohet në republikë, duke hapur rrugët për pavarësi të plotë.
3. Shpallen shqiptarët si popull shumicë në Kosovë e me këtë nënkupton si shumicë politike e jo pakicë kombëtare, siç e dëshironte dhe e përcaktonte me kushtetutën e vet diskriminuese ish-RSFJ.
4. Me Deklaratën Kushtetuese bëhet përcaktimi i qartë se Kosova dhe organet e saj marrëdhëniet e veta në rregullimin e ardhshëm i mbështesin ekskluzivisht në vullnetin e popullit shumicë të Kosovës, pra të shqiptarëve.
5. Bëhet emërtim kushtetues i Kosovës dhe atë deri në përcaktimin kushtetues si Kosovë, e kurrsesi Kosovë e Metohi, siç dëshiron e proklamon Serbia.
6. Deklarata Kushtetuese me një aspekt është me vlerë historike, juridike dhe politike, sepse në fakt përveç tjerash, me të u bë anulimi i Rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të datës 10 korrik 1945, sipas të cilës gjoja se shqiptarët me vetëdëshirë dhe vullnet të pa imponuar iu bashkuan RPFJ-së. PO ashtu u bë anulimi i pëlqimit të dhënë në Kushtetutën serbe të tankeve, të 23 marsit 1990.
7. Në anën tjetër, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 aprovohet e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje, e drejtë kjo të cilën populli shqiptar e ka shprehur dhe miratuar në Konferencën e Bujanit (31 dhjetor 43 e 1, 2 janar 44). Është me rëndësi kjo se kjo rezolutë paraqet dokument themelor të vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë, ngase edhe është akt me garanci ndërkombëtare.
Po ashtu, me Deklaratën Kushtetuese u sendërtuan kërkesat gjithë popullore për vendosje politike të popullit shqiptar, duke ua bërë me dije së pari shqiptarëve, së dyti Serbisë dhe së treti bashkësisë ndërkombëtare se populli shumicë i Kosovës, pra shqiptarët, tash e tutje shkëpusin çdo lidhje me Serbinë dhe nuk do të pranojnë të jetojnë nën juridiksionin e saj dhe atë e konsiderojnë okupatore, ndërsa në të ardhmen fqinjë verior.
Andaj mbështetur në këto vlera është obligim individual dhe kolektiv i të gjithëve të punojmë në realizimin e tyre. Faktet flasin se 2 Korriku duhet ta zërë vendin e vetë të merituar jo vetëm në Ligjin mbi festat shtetërore, por duhet të shënohet me manifestime të organizuara institucionale.
Ndërsa, deputetët e kësaj legjislature tani skajshmërisht të lënë pa kujdesin shtetëror së paku të bëhen pjesë e përkujdesjes institucionale.
(Autori ishte pjesëmarrës në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, ish-nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në egzil, ish- deputet i disa legjislaturave, ligjërues i Drejtës Kushtetuese)

Vajtimet e "shqiptarëve" për të kaluarën e "ndritur"


Shkruan: Fahri Xharra
Ishim në gjumë të gjatë shekullor. Flinim e flinim. E edhe nëse e donim zgjimin, fillonte terapia e re me “sedativë ” edhe më të fortë se herëve të kaluara që ta na e kthenin përsëri gjumin, që kurrë të mos zgjohemi. Na e kishin frikën?!
Nga ai gjumë shekullor, kurrsesi të zgjohemi, ngase interferencat magnetike të antenave të huaja po i pengojnë valët tona, ato të ndritjes së mendjes sonë. E dinin mirë që... “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e mori lumi Turqinë. (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane).
Sytë “e poshtër” të së kaluarës
E kishin frikën nga zgjimi ynë. Ende na e kanë frikën nga të gjitha këndet (alfa, beta, gama) të trekëndëshit kundër-shqiptar brinjëndryshëm. Pra? Por, në emër të ” lirisë “së shprehjes dhe të folurit po shfaqim atë që nuk është pjellë e mendjes sonë. Po e themi edhe atë që sikur t`i lexonim në shtypin e huaj për ne, do të ofendoheshim shumë, do të mendonim që ende bota po na shihka me ata sy “të poshtër” të së kaluarës.
Është trishtim i madh të lexosh nga një pjesë e madhe e “ jazëgjive” (tur. jazëgji-shkrues, shënues), kur e harrojnë krejtësisht se çfarë iu besoi historia: nxjerrja nga mjerimi intelektual dhe nga tronditja psikike e një populli, që kishte vuajtur aq shumë dhe që ka nevojë më në fund për jetë, për shëndet dhe shëndoshje shpirtërore, me fjalë të tjera një përjetim të lirisë shpirtërore dhe mendore e automatikisht përgatitja e një ardhmërie shqiptare evropiane.
Një pjesë e madhe e “jazëgjive” (tur.yazici ) shqiptarë, si: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu kanë nevojë të ngutshme të “qytetërohen”. Ata janë shumë të “varfër” dhe të “rreckosur” kur e shkapërderdhin në mënyrë tragjike mendjen e popullit. Ngrehalucët e pandershëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj “përgatitjeve” nga kuzhinat antishqiptare vazhdojnë të jenë si të “dehur “ apo të “droguar” në “jazitë” e tyre (tur. jazmak- të shkruash). Duhet ditur se trëndafilat, zambakët, karafilat, të gjitha thahen, edhe çeliku e hekuri thyhet, por kombi i ynë as thahet e as thyhet.
Ali Asllani kishte për të thënë në këtë rast se koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve. Çudi e madhe, përsëritje e panevojshme kohësh!
Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë nga edukimi që e merr rinia”, ne po e fat-keqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor.
Ja, një nga “jazitë” (tur. yazi: të shkruash): “Është çmenduri... Me krijimin e shtetit të Ismail Qemalit, Qeveria e Vlorës me në krye Luigj Gurakuqin nisi krimet e para kundër multi-kulturalizmit në vend, duke mbyllur e djegur shkollat e Komunitetit Ortodoks dhe Mysliman. Dhuna që nisi Qeveria e Vlorës u vazhdua nga Qeveria e princ Vidit, e cila provokoi revoltën e myslimanëve të Shqipërisë së Mesme dhe ortodoksëve në jug. ...
Respektimi i feve dhe etnive
Arsyeja pse myslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë së Mesme mbështetën lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe më pas Esat Pashën, është se këto dy parti nuk u mbyllën mejtepet dhe skolitë myslimanëve dhe ortodoksëve, por respektuan njerëzit me fetë dhe etnitë që kishin.” ....E çuditshme, çfarë lakmie antikombëtare!
Edhe koha e Zogut, mbretit të parë të shqiptarëve, që nga koha e Ilirëve, me “jazitë “gjykohet se: “... Familja e Nasirudin Albanit dhe hoxhallarëve të tjerë shqiptarë që bënë emër në botën arabe, u larguan nga Shqipëria në kohën e Zogut, kur nacional-rilindësit tanë implementuan një proces terrori kombëtarist, duke u ndaluar sheriatin myslimanëve, mbyllur zyrat e kadilerëve, hequr feset dhe ferexhetë, mbyllur medresetë në vend.”
“.... Edhe njeriu me i madh i shqiptarisë, i kohës së re Fan S. Noli, ofendohet në këtë mënyrë e me këtë edhe i gjithë populli shqiptar: ...” Pjesë e nacional-laicizimit të Shqipërisë ishte edhe krijimi i Kishës Autoqefale Ortodokse. Kush lexon bisedimet e Parlamentit shqiptar në vitet 1920 – do të kuptojë sesi populli ortodoks, as që donte të njihte Kishën Autoqefale, që aventurieri Fan Noli kishte ndërtuar.” ... Ky është kulmimi i papërgjegjësisë kombëtare.
Rrjedhat e dëshirave sado që të fshehura dukeshin, tani kanë filluar të dalin haptas nga “jazegjitë” shqiptarë”: “ ..... Nacionalizmi shqiptar u projektua si dinsëz ( i padinë e iman f. xh). Nëse deri në 1920, myslimanët shqiptarë besonin në Turqinë, e cila nënkuptonte ymetin e Islamit, Shqyptaria që u ndërtua pas Kongresit të Lushnjës kishte si bazë të saj devizën e Vaso Pashës “feja e shqyptarit asht shqyptaria”.... Do koment kjo.?
Vajtimi i “shqiptarëve “ për të kaluarën e “ndritur” shihet edhe nga këta lot që “të thajnë zemrën dhe shpirtin”: ”Shqiptarizim pësuan edhe emrat e atyre qytetesh që nacionalistët mundën t’i ndërrojnë – fjala bie Shkodrës iu hoq emri zyrtar që kishte deri më 1912 - Iskanderije. E njëjta gjë u bë me Lezhën, e cila më parë quhej Selimije. U ndërruan emrat e rrugëve e lagjeve nga osmane në shqiptarishte. U shkatërruan çarshitë e qyteteve për të ndërtuar rrugë sipas modeleve perëndimore.” . “U shqiptarizuan edhe shumë fshatra që kishin emra osmanë. “
Vaje e vaje, vaje qesharake, por që të bëjnë me të vërtetë të vajtosh. Të them të drejtën, kurrë s`e kam ditur që paska pasur Iskanderlije dhe Selimije.
“Procesi i shqiptarizimit ishte më i thellë në gjuhë dhe emra. Nacionalistë si Mihal Grameno, Kristo Floqi, Aleksandër Xhuvani, Kostandin Çekrezi e më pas Eqerem Çabeji, Aleks Buda etj., nisën që të kërkojnë të reformojnë gjuhën shqipe. Reforma nënkuptoi procesin e “heqjes së barbarizmave” nga gjuha, që do të thoshte fjalët turke dhe greke. U zëvendësuan me mijëra fjalë islame, që nga araba, çaush, hasëm, vatan, bej, penxhere, selam, hava, munafik, beledije, rais, sadrazam, vezir etj., dhe u zëvendësuan me fjalë latine dhe perëndimore, si: makinë, oficer, armik, atdhe, zotëri, dritare, paqe, qiell, hipokrit, bashki, president, kryeministër, ministër etj “.
Rilindja e një kombi
Siç shihet zotërinjtë shohin ëndrra me sy hapur në shekullin 21. Vaji nuk ka fund aq sa nuk ka fund ironia dhe thirrja donkishotiane e autorëve të tillë që shkruajnë: ......” Nacional-oksidentalistët shqiptarizuan edhe paratë, duke hequr nga qarkullimi paren dhe groshën turke dhe monedhat tjera dhe shpikën monedhën shqiptare, të cilën deshën ta quajnë Skënder (pas emrit të Skënderbeut) e më pas e lanë Lekë (pas emrit të Aleksandrit të Madh).” Jazegjitë vajtojnë , jazegjitë e shprehin pafundësinë e pezmit të tyre : “Po ashtu, nëpër shkolla nisën t’u thonë myslimanëve që emrat Hasan e Hysein janë të vjetër, e i nxitën të vënë emra Petrit dhe Astrit”.
“Dhembshuria për të kaluarën e “ndritur” nuk ka fund, vajtimi nuk përfundon me kaq duke vazhduar: ”Grupi që u godit më së rëndi nga procesi shqiptar-laicizues në Shqipëri, ishin myslimanët të cilëve iu shkatërrua sistemi i tyre jetësor, ligjet, gjuha, feja, kultura dhe u oksidentalizuan me pahir”.
Librat në osmanishte, në të cilat ata kishin shkruar historitë e tyre për 500 vjet me radhë u larguan nga sistemi dhe mësimi i osmanishtes dhe shkrimi i shqipes me germa arabe u ndaluan me ligj ... Por, përveç myslimanëve edhe ortodoksët u lënduan shumë. Ata u shkëputën me dhunë nga lidhja e tyre me Patrikanën e Kostandinopojës, se Fan Noli e bëri Kishë Autoqefale”. Dhembje e madhe për “lëndimin” e Kishës Greke që e krijuam Autoqefalin.
Por, edhe më e çuditshme është kjo: “Apo mos do të ndjekin në Shqipëri shembullin e rugovistëve kosovarë që Suharekën e kanë bërë Therandë, dhe Kosovën e quajnë Dardani, apo arbenxhaferristët që Maqedoninë e quajnë Iliridë? E çuditshme kjo habi e tyre.
Faik Konica e shkruante një letër një miku të tij: “ Robër të poshtër nga 500 vjet e më shumë, robër për jetë do të mbeten. Unë faqeza t`a them: S`kam shpresë të bëhet kurë gjëkafshë, dhe jam sigurt se të gjithë ata që mendohen pakë , në mendje t`ime janë….500 vjet robëri nuk i tundi pakë. Të pasurit s`ndihën, të papasurit s`punojnë. Ç`presim ahere?....” Me të vërtetë për t`u dëshpëruar! Pse të na përsëritet koha e Faik Konicës ?
Tekefundit një gjë ta kemi të qartë: “Nëse një komb nuk ka rilindur dhe nuk ka bërë transformime rrënjësore brenda tij pasi ka parë se janë krijuar kushtet për një gjë të tillë, duke injoruar një vendim të tillë historik për të dhe qenien e tij, ai pastaj vetë është zhytur në padrejtësi dhe në humbje të qëllimit të tij të plotë. Gj. Keka”. Ruana zot!...

Ju që e prutë dikur vetë, tash e gëzofshi me shëndet!


Shkruan: ADNAN ABRASHI
“Jo, s’e ha!...E hëngre, be dajë”, thotë një metaforë e shprehur në zhargonin popullor. Por, mendoj se me këtë punë, nuk e hëngri veç Isa, Hashimi dhe Bexha, por i tërë një Kuvend i Kosovës, i cili me 2/3-tat e votave të besuara e votoi këtë “presidente nga zarfi”.
Pranoj se, me bindje më ndryshe, fuqishëm i takoj atij grupi të paktë qytetarësh, të cilët thellësisht janë të bindur se kjo Gjykatë e jona Kushtetuese, si nga aspekti profesional kadrovik, ashtu edhe nga ai i vendimmarrjes së drejtë deri më sot gjykuese (aktgjykuese), mund të konsiderohet plotësisht neutrale dhe e paanshme nga ndikimet e qendrave të caktuara politike vendore dhe ndërkombëtare. Por, së fundi, tek rasti i vlerësimit në lidhje me shkurtimin e mandatit të presidentes aktuale, jam më se i bindur se, kjo Gjykatë, ka vepruar profesionalisht dhe shumë drejt.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Derisa pas këtij vendimi të pakontestueshëm të GJKK, tash e tutje, subjektet tona politike, zëshëm do të merren me anën e drejtë, apo të padrejtë të këtij vendimi, mendoj se, në vend se ata të shpenzojnë kohën dhe energjinë në këtë drejtim, do të ishte shumë më racionale dhe shumë më produktive për ta që vëmendjen e tyre ta përqendrojnë në analizën e atij momenti qesharak, të naivitetit vetjak, të pranimit si kandidat për president, të një anonime të imponuar nga dikush tjetër autoritar me zarf. Kuptohet, fundi i kësaj përsiatje të tyre kreative, uroj nga zemra që të del si zotim se kurrë më në të ardhmen nuk do t’i përsërisin këto gabime aq naive. “Jo, s’e ha!... E hëngre, be dajë”, thotë një metaforë e shprehur në zhargonin popullor. Por, mendoj se me këtë punë, nuk e hëngri veç: Isa, Hashimi dhe Bexha (treshja palaço në duart e Dellit), por i tërë një Kuvend i Kosovës, i cili me 2/3- tat e votave të besuara, e votoi këtë “presidente nga zarfi”. Mu ky Kuvend, mbështetur në pikat e asaj fantom marrëveshje të 6 prillit 2011, e që kanë të bëjnë me shkurtimin e mandatit të saj kushtetues tani të fuqizuar edhe ligjërisht nga çdo paqartësi, atëbotë, aprovoj edhe një rezolutë jo/kushtetuese. Kështu që, e mbështetur edhe nga propaganda e fuqishme mediatike e aktualitetit të momentit, ma dashje, apo, pa dashje, këtë kulaç të gatuar si mashtrim, e “hëngrëm” edhe ne si opinion.
Tek tash nisin telashet për presidenten?!
Pas prurjes së këtij vendimi juridikisht të pa/atakueshëm dhe detyrimisht të zbatueshëm të GJKK, tash e tutje, jam më se i bindur se në jetën dhe punën e saj, presidentja Jahjaga, sigurisht do të përballohet me shumë situata të palakueshme të prapavijës së errët të këtij zanati. Këto sfida do të jenë të ndryshme: disa si presione në formë të trysnisë për dhënie të vullnetshme të dorëheqjes që praktikisht do të zhvillohen prapa kulisave dhe jashtë syve të opinionit; dhe disa të tjera të natyrës publicistike: artikuj, editoriale, analiza, opinione...me fakte dhe jo/fakte, principiele dhe jo/principiele, të shënjestruara në drejtim: drejt diskreditimit dhe zbehjes së personalitetit të saj në opinion. Nga e gjithë kjo lakoni reagimesh të bëra ndaj këtij Vendimi të GJKK si zyrtare në opinion, ajo që më së shumti më bëri të befasohem ishte deklarata e menjëhershme e përfaqësueses së LDK-së - deputetes Vjosa Osmani, e cila, sigurisht nga ndjesia e mllefit të përfshirjes kyç të partisë së saj në këtë lojë të fëlliqur politike, qëllimshëm sipas direktivës, apo në lajthitje totale, me këmbëngulje pretendonte se ky akt i kësaj Gjykate, kinse nuk na qenka si VENDIM obligues ekzekutiv, por vetëm si një “MENDIM i pa/obligueshëm sugjerues”. Ajme, ajme, ajme..! “Gajret i thatë, përplot ethe” - e ka populli ynë një fjalë të urtë, për këto situata, e nderuara profesoreshë Osmani. Edhe, sikur ta zëmë, ky vlerësim i GJKK të ishte mendim, e jo vendim, sikur thoni ju, ku keni has zonjushë, që qëndrimet profesionale vendimmarrëse, ose edhe interpretuese të gjykatave kushtetuese, ligjërisht të reflektojnë si më pak të vlefshme dhe më pak të fuqishme se sa synimet e caktuara formalestrategjike të çfarëdo partie politike, pa marrë parasysh fare se a e kanë ato emirin: marrëveshje apo çfarëdo tjetër terminologjikisht më mbresëlënëse?!
Inicimi i shkarkimit të parakohshëm
Po ashtu, lexova këto ditë diku se si një analist i yni politik parashikonte mundësinë kushtetuese të inicimit të shkarkimit të parakohshëm të presidentes Jahjaga. Për këtë punë, sipas tij, do të mjaftonin 2/3 e votave, e këto vota, PDK, LDK dhe AKR së bashku, praktikisht i kanë si numra në Parlament. Vërtet! Kushtetutën e Republikës së Kosovës e parasheh edhe këtë mundësi, por jo kur dikujt i teket. Neni 91, pika 1, e Kushtetutës decidivisht konstaton: “Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”. Aspak nuk besoj se, në të ardhmen, presidentja Jahjaga mund t’ia lejojë vetes që me ndonjë veprim apo mosveprim, të krijojë për veten këso rrethana të padëshirueshme të përcaktuara si në nenin 91, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e që do ta mundësonin inicimin e shkarkimit të saj. Më tej, në pikën 2 të po këtij neni të Kushtetutës së Kosovës, thuhet: “Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”. Krejt në fund, këtë artikull desha të përmbylli mu ashtu sikur e titullova në fillim. Me porosi: “Ju që e prutë dikur vetë, tashti e gëzofshi këtë presidente, me shëndet!”.

Studim mbi veprën e parë të gjuhës shqipe


Studiuesi i letërsisë shqipe, Nuhi Ismajli në fund të vitit 2010 botoi librin  “ Vepra e Gjon Buzukut”, një studim i thelluar mbi librin e parë të botuar në gjuhën shqipe, pikërisht në 455 vjetorin e botimit të “Mesharit”.

Ismajli, deri tash ka të botuar veprat me shkrime dhe kritikë letrare : "Nga vlerat e traditës", “Kureshtje letrare”, Aktualizime letrare”, kjo është vepra e katërt me radhë, nga fusha e studimeve, vështrimeve dhe trajtesave shkencore në fushë të historisë dhe kritikës gjuhësore, letrare, publicistike dhe polemiste.

Shkrimet që përbëjnë këtë vepër shkencore hulumtuese, e cila është e pasuruar me të dhëna arkivore për Gjon Buzukun që deri së voni i kanë munguar historiografisë sonë të shkruar të historisë së gjuhës dhe letrave shqipe.

Edhe ato që kanë qenë të njohura sipas gjuhëtarit, historianit të letërsisë shqipe, profesorit, Nuhi Ismajli, deri më tash, ato janë shkruar në kohë të ndryshme, dhe me parë, ku shumë prej tyre janë botuar në gazeta, revista e vepra të ndryshme.

Një qasje e tillë hulumtuese gjithëpërfshirëse për “Buzukun dhe gjuhën e tij”, do përmendur edhe faktin se Nuhi Ismajli është i përfaqësuar edhe me 6 njësi bibliografike për veprën e Buzukut, në veprën: Buzuku dhe gjuha e tij, të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më 2005.

Mbase kjo është edhe qëllimi i tij që ato , përmes kësaj vepre, shkrimet e shkruara në vazhdimësi dhe të botuara në shtypin e Prishtinës dhe të Tiranës, t’i ketë lexuesi të tubuara , në një vepër të vetme.



Në shkrimet që e përbëjnë këtë vepër, janë trajtuar çështje të ndryshme të veprës “Meshari” dhe të autorit të saj, të cilat janë heshtur dhe nuk janë trajtuar fare, ose janë trajtuar pak ose nuk janë trajtuar si duhet .

Kështu, këtu trajtohet çështja e historisë së zbulimit të veprës së Buzukut , në etapa të ndryshme duke filluar me zbulimin e parë të të ekzemplarit të vetëm më 1610 nga arqipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, edhe pse mendimi më i përhapur ishte për të cilin zbulim, flitej vazhdimisht edhe i përsëritur një pohim i tillë se: “ Zbulimi i parë është ai, zbulimi i studentit nga Gjakova Gjon Nikoll Kazazit, i vitit 1740, si dhe çështja e historisë së ribotimit të saj.

Këtu në këtë libër është folur për çështjen e vlerës historike–letrare të veprës së Gjon Buzukut, kurse, më parë, siç dihet nga studimet e gjerë tanishme është folur, duke pasur për lëndë studimi nga autori Ismajli, bindjen e thellë për vlerën edhe letrare të teksteve biblike dhe të teksteve autoriale të Bozukut, të cilat e përbëjnë tekstin e “Mesharit”, si dhe në saj të analizës së vetë natyrës së teksteve të tij, ku sipas autorit në librin “Vepra e Gjon Buzukut”, aty janë trajtuar edhe llojet letrare të veprës Meshari, vlera letrare, si dhe historia e gjendjes e trajtimit letrar të saj.



Nga aspekte të ndryshme si plotësim të mendimit për Buzukun dhe veprën e tij, është folur edhe përmes interpretimit e vlerësimit të shkrimeve të ndryshme për Buzukun dhe veprën e tij, në një këndvështrim shumë shtresor dhe shumë dimensional të çështjes së shtruar nga studiues albanologët tanë dhe të huaj.

Botimi i veprës synon të përmbush dhe aktualizoj nëpërmjet saj, të nderoi shkrimtarin, Gjon Buzukun, i cili, në kohën, kur ishte zbuluar nga Marin Beci, ishte fushata për çrrënjosjen e shkrimeve dhe botimeve, e cila gjendje ishte përshkruar përmes Pjeter Mazrekut, edhe atë në mes të shek. XVI, shkroi një vepër tejet të rëndësishme për kulturën shqiptare, dhe t’i kontribuoj njohës, të së kaluarës kombëtare dhe begatisë së vlerave të saj, si kusht për të njohur të ardhmen, ishte mesazhi i autorit Ismajli.

Autori librin e tij prej 80 faqesh, e ka ndarë në tetë njësi, duke përfshirë zbulimin e veprës Meshari të Gjon Buzukut, Zbulimi dhe ribotimi I veprës Meshari të Gj. Buzukut, vlera historike letrare e saj, llojet letrare të veprës, ndriçimet e shumanshme të veprës dhe të autorit të saj, duke e përmbyllur me të dhënat arkivore për Gjon Buzukun dhe shënimet biografike për autorin Nuhi Ismajlin i cili shkrimet i ka të botuara në gazeta e revista të ndryshme, përbëjnë vëllime të tëra.
alt
Ky autor, vetëm me botimet nëpër gazetat e revistat e ndryshme, do të kishte edhe disa botime të tjera, të plota të cilat i ka në dorëshkrim. Ismajli është studiues i pasionuar i kulturës shqiptare, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, polemist e gjuhëtar, një krijues i veçantë i gjithanshëm dhe mjaft produktiv.

Për herë të parë, me shkrime për çështje të arsimit, paraqitet në vitin 1983, për të vazhduar pastaj me shkrime të tjera, për çështje të ndryshme gjuhësore, letrare etj. Shkrimet e tij të para Nuhi Ismajli i botoi në gazetën “Rilindja”, pastaj në revistat “Fjala” e “Shkëndija”, për të vazhduar më pas me paraqitjet në gazetën “Bujku”, “Koha ditore”, “Zëri”, “Bota sot”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Iliria post” , në revistën “Identiteti”, të Prishtinës, si dhe në gazetat “Shekulli” e “Koha jonë” të Tiranës.

Nuhi Ismajli është pjesëmarrës mjaft aktiv në takimet e ndryshme shkencore të organizuara nga institucionet shkencore të botës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në Sesionin shkencor për Çabejn, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1998 dhe, disa herë, edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në kuadër të botimeve shkencore të të cilave institucione i janë botuar punimet.

Nuhi Ismajli është i përfaqësuar edhe me 6 njësi bibliografike për veprën e Buzukut, në veprën: Buzuku dhe gjuha e tij, të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më 2005.

Nuhi Ismajli është pjesëmarrës mjaft aktiv në takimet e ndryshme shkencore të organizuara nga institucionet shkencore të botës shqiptare.

Ai ka marrë pjesë në Sesionin shkencor për Çabejn, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1998 dhe, disa herë, edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në kuakuadër të botimeve shkencore të të cilave institucione i janë botuar punimet. /Nijazi Ramadani/

SHKRIMTARI PA URTI


Shkruan: Nuhi Ismajli
Në botën e mendimit dhe të artit, pra edhe në filozofi e letërsi, shembulli ideal i njerëzimit merret krijuesi i mendimit të thellë e i porosisë së rëndësishme, jeta dhe sjelljet jetësore të të cilit përputhen me mendimet e thella e porositë e rëndësishme të veprës së tij për njerëzimin.
Por, shembujt e përputhjes së sjelljes së urtë njerëzore të krijuesve dhe mendimit të thellë e porosive të rëndësishme të krijuesit, për njerëzimin, nuk ka shumë. Sokrati konsiderohet se ishte një i tillë, i cili me sjelljet e tij synonte t’u qëndronte pranë ideve të tij. Po, Sokratë nuk ka shumë. Dobësitë e karakterit, ambicia dhe egoizmi i ulët, e mundin shpesh njeriun dhe filozofin Sokrat.
Krijuesit e mëdhenj, e kundërta e ideve të veprës së tyre
Historia botërore e kulturës tregon se, jo rrallë, krijues të mëdhenj, me karakterin dhe sjelljet e tyre jetësore, kanë qenë e kundërta e ideve e porosive të mëdha të veprës së tyre.
Zhan-Zhak Rusoi, Persi Bish Shelli, Karl Marks, Henrik Ibseni, Lev Nikollaeviç Tolstoi, Ernest Heminguej, Bertolt Breht, Bertrand Rasëll, Zhan-Pol Sartri, Edmund Uillson, Viktor Golanci, Lilian Helman etj., etj., kishin sjellje tejet të ulëta, në krahasim me vlerën e ideve dhe porosive të veprave të tyre.
Rusoi, “miku i njerëzimit” (Tronkin), “mësuesi i njerëzimit “(Robespieri), “Profeti i së vërtetës dhe virtytit” (P. Johnson) etj., ka habitur botën intelektuale me idetë e ligjëratave të tij për edukatën, por edhe me sjelljet arrogante e të egra të tij, në rrethin familjar e shoqëror. Prandaj, edhe u quajt mburravec, egoist, grindavec, që kultivoi harbutërinë dhe paedukatën; provincial i pashërueshëm, i trashë dhe i pasjellshëm (P. Johnson), që e pranonte edhe vetë se “për parim ishte harbut, i papëlqyeshëm dhe i ashpër” (P. Johnson) dhe, i cili, për vetveten, thoshte: “Unë jam barbar”. Dhe, më tej: “Në zemrën time ka gjëra që më pengojnë të jem i sjellshëm” (P. Johnson) etj.
Në kohën tonë, si edhe më parë, kemi sjellje të tilla edhe të krijuesve shqiptarë, që na bëjnë të mendojmë për raportin që ekziston midis krijuesit, sjelljes jetësore të tij, dhe mendimeve e porosive të veprës së tij.
Raporti midis krijuesit shqiptar, si njeri, e sjelljeve të tij jetësore, dhe mendimeve e porosive të veprës së tij, spikatet më së shumti përmes qëndrimit të krijuesit shqiptar ndaj politikës dhe pushtetit. Vështrimi i kësaj dukurie na bën të vërejmë se ka krijues shqiptar që qëndron krejt i patundur në mbretërinë e krijimit (artit e filozofisë), por ka edhe të tillë që tregohen tejet të dobët, sa të rrëshqasin lehtë nga mbretëria e krijuesit/krijimit. Sot ka shumë krijues shqiptarë të dalluar për natyrën luftarake të personalitetit të tyre, të cilët i janë qasur me përkushtimin kryesor politikës e pushtetit. Disa prej tyre edhe kanë arritur të hyjnë në mbretërinë e politikës e të pushtetit, kurse disa të tjerë, që, si të pasuksesshëm, kanë mbetur jashtë, por vazhdojnë t’iu nënshtrohen dhe t’iu shërbejnë atyre, duke treguar mungesën e pavarësisë së unit të tyre krijues.
Rasti i Kadaresë dhe rasti i Qosjes
Në këtë pikëvështrim dy janë rastet më karakteristike për të parë raportin midis sjelljes së krijuesit të sotëm shqiptar dhe botës së krijuesit/krijimit: rasti i I. Kadaresë dhe rasti i R. Qosjes.
Para disa ditësh, patëm rastin e kërkesës që Kadareja të pranojë postin e presidentit të Shqipërisë. Kadare deklaroi publikisht se nuk mund ta pranojë një detyrë të tillë. Nuk përfilli pozitën në pushtet, as të mirat që sjell pushteti. Deshi dhe mbeti krijues. Dhe filozof. Mbeti me vlerat e artit. Me mbretërinë e tij. Pra, Kadareja dha shembullin e sjelljes së një krijuesi të madh. Sjellja e Kadaresë tregon se ai politikën dhe pushtetin i kupton si artist dhe filozof, i kupton si një vazhdim i luftës.
Një rast krejt të kundërt, me atë të Kadaresë, kemi rastin e R. Qosjes, i cili, siç do të shihet, politikën dhe pushtetin nuk i kupton si vazhdim të luftës, po si burim të të mirave materiale humane dhe si bazë të forcës e autoritetit edhe të krijuesit.
Shembulli: Qosja u propozua për çmimin letrar “Beqir Musliu”, të cilin e jep kryetari i Gjilanit. Ai shkoi dhe e mori shpërblimin nga pushtetari (“Kosova Sot”, 24 qershor 2012, f. 29 etj.), e jo nga shkrimtarët ose nga ndonjë asociacion i shkrimtarëve. Pra, edhe Qosja, si krejt normale e konsideron marrjen e shpërblimit nga pushteti/pushtetari dhe shërbimin e krijuesit ndaj tij në mënyra të ndryshme.
Më shumë para politikanëve e pushtetarëve, të djeshëm e të sotëm, sesa para krijuesve, Qosja, me rastin e pranimit të shpërblimit ligjëroi, siç shkruajnë mediet e ndryshme, “për rolin e krijimtarisë shpirtërore në ndryshimin e botës dhe për reflektimin e kësaj krijimtarie shpirtërore në lirinë e Kosovës” (“Kosova Sot”, 24 qershor 2012, f. 29). “Liria e një populli, - ka thënë Qosja në atë rast, - më së pari krijohet në krijimtarinë e tij shpirtërore. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë, ku ne më së pari Kosovën e kemi bërë të lirë dhe të pavarur në krijimtarinë tonë, në poezi, në prozë, në shfaqje, në këngët e Dervish Shaqës e të këngëtarëve të tjerë popullorë, në poezinë e Beqir Musliut dhe të poetëve të tjerë” (Po aty, artikulli: Liria e një populli lind me krijimtarinë e tij shpirtërore).
Vetë Qosja, duke marrë si krejt normale pranimin e shpërblimit nga pushtetari, dëshmon se kultura atë nuk e ka çliruar dot nga zinxhirët e pushtetit e se ka mbetur rob i tij.
Injorimi i vetvetes
Pohimi i mësipërm i Qosjes nuk do ta kishte atë kuptim që e ka dhe do të ishte pohim me një porosi të rëndësishme për pushtetarin, sikur të mos pasohej nga pohime në të cilat Qosja falënderon pushtetin për çmimin dhe e lavdëron atë për “kontributin” në kulturë.
Por, për krijuesin, mjerim edhe më i madh njerëzor është atëherë kur atij, jo vetëm nuk i përkojnë sjelljet jetësore me idetë dhe porositë e rëndësishme të veprës (fjalës), por edhe kur ai injoron e zvogëlon vetveten duke dalë në publik edhe pa qëndrimin dhe idetë elementare filozofike e etike; kur idetë dhe porositë e veprës (fjalës) së tij janë në kundërshtim me idetë dhe porositë e rëndësishme; kur idetë dhe porositë e veprës (fjalës) i përputhen me sjelljet jofisnike të tij ose kur, në të, ambicia dhe egoizmi i ulët i tij e mundin njeriun dhe filozofin Sokrat, për ç’shkak edhe në veprën (fjalën) e tij, në vend të ideve e porosive të rëndësishme, shpreh idetë dhe porositë e padobishme dhe, madje, edhe të dëmshme, dhe në kundërshtim me misionin e tij krijues.
Në raport me pushtetin, nga i cili çuditshëm lejon të manipulohet e korruptohet, Qosja si krijues, nuk ndalet në pohimin e tij të parë, aspak favorizues për të si krijues.
Duke dhënë shembullin e një krijuesi që zvogëlon vetveten, ai falënderon dhe i thur lëvdata pushtetit gjilanas, duke marrë atë si shembull të përkushtimit të pushtetit ndaj kulturës: “Mund të themi me plot gojën se Gjilani është shembull në Kosovë se si një qytet duhet të sillet ndaj krijimtarisë shpirtërore të popullit të vet, ka thënë laureati i çmimit të sivjetmë, R. Qosja “ (Art. i cit., “Kosova Sot”, 24 qershor 2012, f. 29).
Kështu, pushteti arriti ta manipulojë krijuesin Qosja për krijimin e autoritetit të vet. Po, Qosja, ç’fitoi dhe a fitoi diç me shpërblimin e Gjilanit?
Për një krijues, do të thuhej: Asgjë! Assesi!
Sepse, pa marrë parasysh emrin me të cilin jepet shpërblimi i përmendur, kur kemi parasysh kush e jep atë dhe për ç’qëllim, atëherë shohim se Qosja fitoi: pak para dhe lëndimin e autoritetit të tij krijues.
Kjo nuk mund të jetë ndryshe, pra krijuesi nuk mund të mos e zvogëlojë vetveten, kur shpërblimi ka karakterin e tij politik dhe pushtetar; kur krijuesi lavdëron pushtetin dhe me fjalën e tij njëjtësohet me pushtetin dhe i shërben një force politike (partiake).
Me fjalën e tij lavdëruese për pushtetin, në Gjilan, Qosja bëri një nga paraqitjet më jodemokratike të një krijuesi.
Ai lavdëroi “kontributin” e pushtetit komunal në kulturë, duke konsideruar çmimin e reklamës së pushtetit, shembull të kontributit të pushtetit në kulturë dhe bëri, në këtë rast, një propagandë shumë të ulët, tejet të dëmshme dhe të palejueshme, kur, në mënyrë shumë pretenduese, synoi propagandën e tij afirmative për pushtetin dhe përhapjen e imponimin e propagandës së tij për vlerën e pushtetit (gjilanas), në vend të vlerësimeve të vetë banorëve dhe krijuesve gjilanas, të cilët e ndjejnë dhe e njohin më mirë se Qosja realitetin kulturor të vendbanimit të tyre.
(Mbase, më mirë, apo më pak e pandershme, do të ishte sikur Qosja të lavdëronte pushtetin e komunës së tij!).
Vuajtja e krijuesit
Krijuesi, i cili bëhet pjesë e organizimeve politike për pushtet ose bëhet pjesë e pushtetit, ndërsa kjo bëhet veç për shkak të leverdive personale, ka cenuar mbretërinë, natyrën dhe autoritetin e tij prej krijuesi. Krijuesi i tillë, i manipuluar e i korruptuar, ka zvogëluar vetë vlerën, autoritetin e tij, të cilin kurrë nuk mund t’ia kthejë politika as pushteti. Krijuesi i madh kurrë nuk ndjen hapësirë të mjaftueshme brenda politikës për pushtet dhe brenda pushtetit. Prandaj, sado është i kërkuar e i ftuar, ai qëndron jashtë politikës dhe pushtetit, sepse aty është bota e jetës së tij.
Kyçja e krijuesit në organizimet politike për pushtet dhe në pushtet, përveç vetëzhvlerësimit e vetëcenimit të lirisë, mund të jetë edhe shkaku i vuajtjeve të tij të pafund, nga të cilat mund të qajë gjatë gjithë jetës.
Dante u përfshi në organizimet politike të kohës së tij, por ua pa sherrin sa u desh të braktiste atdheun, të vuante gjithë jetën mungesën e tij dhe të vdiste me pikëllim në dhe të huaj.
Krijuesit e mëdhenj dallojnë qartë vlerat dhe mashtrimet, krijimtarinë dhe politikën. Ndaj politikës dhe pushtetit kanë qëndrim kundër dhe refuzojnë të përfshihet në to, për interesa personale. Për krijuesin e vërtetë është e denjë vetëm një mendje e lirë dhe e patëhuajsuar, sidomos nga politika e pushteti.
P.S.
Shpërblimi i Gjilanit është mjaft provokues dhe, prandaj, nxitës i debatit intelektual, sepse, në njërën anë, e mban emrin “Beqir Musliu”, pra është shpërblim letrar, që jepet në emër të shkrimtarit, kurse, në anën tjetër, atë e jep pushteti komunal (gjë që nuk do të duhej të ndodhte!). Dhe, pse ndodh kështu fajtorë janë shkrimtarët, të cilët harrojnë se ç’janë dhe bëhen hamej dhe borizanë të pushtetit!
Skeda:Nuhi ismajli.jpg

Nuhi Ismajli lindi në fshatin Terziaj të komunës së Gjilanit, më 5 mars të vitit 1953, është shkrimtar shqiptar.
Nuhi Ismajli shkollën fillore e kreu në Zhegër, kurse të mesmen (normalen dhe gjimnazin) në Gjilan. Studioi letërsinë dhe gjuhën shqipe në Prishtinë. Është profesor në gjimnazin e Gjilanit.


Shkrimet e Nuhi Ismajlit, të botuara në gazeta e revista të ndryshme, përbëjnë vëllime të tëra. Ky autor, vetëm me botimet nëpër gazetat e revistat e ndryshme, do të kishte edhe disa botime të tjera, të plota të cilat i ka në dorëshkrim. Ismajli është studiues i pasionuar i kulturës shqiptare, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, polemist e gjuhëtar, një krijues i veçantë i gjithanshëm dhe mjaft produktiv.

Për herë të parë, me shkrime për çështje të arsimit, paraqitet në vitin 1983, për të vazhduar pastaj me shkrime të tjera, për çështje të ndryshme gjuhësore, letrare etj. Shkrimet e tij të para Nuhi Ismajli i botoi në gazetën “Rilindja”, pastaj në revistat “Fjala” e “Shkëndija”, për të vazhduar më pas me paraqitjet në gazetën “Bujku”, “Koha ditore”, “Zëri”, “Bota sot”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Iliria post” , në revistën “Identiteti”, të Prishtinës, si dhe në gazetat “Shekulli” e “Koha jonë” të Tiranës.

Nuhi Ismajli është pjesëmarrës mjaft aktiv në takimet e ndryshme shkencore të organizuara nga institucionet shkencore të botës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në Sesionin shkencor për Çabejn, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1998 dhe, disa herë, edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në kuadër të botimeve shkencore të të cilave institucione i janë botuar punimet.

Nuhi Ismajli është i përfaqësuar edhe me 6 njësi bibliografike për veprën e Buzukut, në veprën: Buzuku dhe gjuha e tij, të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më 2005. Është profesor i Gjuhës dhe letërsisë në Gjimnazin" Z. Hajdini", të Gjilanit.Jeton e vepron në Gjilan.

Veprat

| Kritikë letrare : "Nga vlerat e traditës", bot. “Rilindja”, Prishtinë, 2000
| Kritikë letrare : "Kureshtje letrare", bot. “Ura”, Prishtinë, 2001
| Kritikë letrare : "Aktualizime letrare", bot. SAS, Prishtinë, 2009
| Studim "Vepra e Gjon Buzukut" bot. Ars-club "Beqir Musliu",Gjilan,2010
| Kritikë letrare: “Përsiatje letrare”, bot. “Era”, Prishtinë, 2012

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...