2017-10-30

Albanologu Antonio Baldaçi (Antonio Baldacci, 1867- 1950), botanist dhe gjeograf, i pasionuar pas studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike, është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në shkencën shqiptare, si edhe një nga personalitetet më të rëndësishme në fushën e albanologjisë


Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, dr. Adriana Frisenna, i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në 150-vjetorin e lindjes së tij disa monografi dhe artikuj shkencorë, të panjohur më parë nga publiku shqiptar. Fondit arkivor albanologjik tashmë i shtohen 22 tituj të botuar përgjatë viteve 1895-1948, të cilët përbëjnë një ndihmesë jo të vogël për studiuesit shqiptarë në thellimin dhe njohjen e mëtejshme të punës kërkimore shkencore të Baldaçit në Shqipëri.

Artikujt shkencorë përfshijnë një gamë të gjerë studimore, duke nisur nga tema thelbësore, të cilat Baldaçi i njihte më së miri, si karakteri gjeografik, morfologjik dhe ekonomik i florës shqiptare, ngritja dhe zhvillimi i industrisë së kultivimit të orizit, industrisë së bimëve mjekësore, kultivimi dhe shfrytëzimi i bimëve karakteristike të vendit, por edhe çështje etno-kulturore si popullsia e Epirit, hartimi i një harte etnografike të rajonit të Ballkanit, marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve fqinje etj.



Në të gjithë këta artikuj albanologu italian dëshmon edhe një herë njohjen e thellë të traditës, kulturës dhe popullit shqiptar, duke qenë një shkencëtar rigoroz në mbajtjen e të dhënave të hollësishme dhe të detajuara mbi vëzhgimet që kryen. Njëherazi, punimet e tij pasqyrojnë edhe njohjen e studimeve të realizuara më herët nga albanologë dhe studiues të tjerë, një bagazh i thellë dijesh e kulture.

Ndër to, nuk mungojnë polemikat me studiues apo albanologë, siç është edhe polemika me albanologun Martin Urban lidhur me studimin e këtij të fundit mbi Shqipërinë e Jugut. Në këtë artikull, botuar në “Rivista d’Albania” më 1940, Baldaçi analizon hollësishëm studimet e albanologëve Martin Urban dhe baronit Franz Nopça, duke vënë në dukje aspekte të artikujve të tyre.



Sipas tij, “punimi i Urbanit synon të plotësojë studimet e hungarezit”, dhe duke vlerësuar studimin që albanologu hungarez Nopça ka bërë për Shqipërinë e Veriut, Baldaçi shkruan: “Asnjë tjetër nuk e ka tejkaluar njohjen e tij të thellë, të cilën ai e kishte fituar duke jetuar gjatë midis shqiptarëve të Veriut, duke arritur pothuajse të asimilojë çdo aspekt, madje edhe sekret, të jetës së tyre”.

Sipas Baldaçit, “dallimi midis dy studiuesve është i madh, pasi nëse te Nopça mbizotëron koncepti shkencor dhe objektiv i konsideratave të tij, qëllimi i Urbanit është që të ofrojë vetëm një koncept politik të njëanshëm, që nuk është në një linjë me bashkëkombësit dhe miqtë e tij gjermanë dhe është e nevojshme të pranojmë që ai ka nxituar të paraqesë një çështje të keqkuptuar më shumë se ajo e drejta.

Urban paraqitet kështu si një ‘partizan’ krejtësisht ndryshe nga kolegët e tij gjermanë, të cilët për vite të tëra i kanë kushtuar mendjen dhe zemrën çështjes shqiptare”. Gjatë gjithë artikullit të tij, albanologu italian shpreh vazhdueshëm “admirimin” për shqiptarët, kulturën dhe karakterin e tyre, duke i mbrojtur me forcë.

“Ne, si miq prej mbi gjysmë shekulli me popullin shqiptar dhe që i kemi studiuar shpirtin patriarkal dhe zhgënjimet e tmerrshme që kanë pasur në përballjen e tyre me të gjithë propagandën e jashtme politike të Fuqive të Mëdha si dhe vendeve fqinje, duhet të refuzojmë me forcë kriteret e Urbanit, i cili kërkon që gjeologu me çdo kusht të bëjë historianin, por jo vetëm që i mungon temperamenti, por edhe njohja e duhur dhe e thellë e historisë”.

Duke vënë theksin në rëndësinë shkencore që kanë të gjitha studimet e kryera në Shqipëri prej studiuesve italianë dhe meritën e tyre në njohjen e vendit, Baldaçi “i kundërvihet” albanologut Martin Urban: “nuk mund të mohohet që opinioni i tij ndikon në vendosjen në një plan më inferior të vëzhgimeve serioze me karakter shkencor të realizuara në Shqipëri”.

SHQIPËRIA NË REVISTAT ITALIANE

Interesi për të njohur Shqipërinë, por edhe për ta bërë atë të njohur në Europë, gjeti një “dritare” komunikimi të rëndësishme në revistat dhe gazetat, të cilat në Itali ishin konsoliduar dhe kishin një ndikim të madh te studiuesit dhe publiku. Në fund të shekullit XIX ato shërbyen më së miri për të përcjellë informacionet e para mbi vendin e panjohur, në atë periudhë ende pjesë e Perandorisë Osmane.

Studiues, gazetarë, udhëtarë dhe diplomatë, që kishin përshkuar Shqipërinë, kujtimet e tyre së pari i publikuan si artikuj në këto revista. Janë një sërë revistash, me një spektër të ndryshëm nga njëra-tjetra, të cilat përcillnin për publikun italian dhe më gjerë të dhëna të rëndësishme shkencore, por edhe përshkruese, mbi aspekte të ndryshme të Shqipërisë, nga historia, kultura, gjuha, tradita dhe zakonet, gjeografia, botanika, arkeologjia, bujqësia dhe ekonomia, jeta sociale, etj. Pjesa më e madhe e këtyre artikujve lidheshin me studimet e zbulimet shkencore të realizuara nga studiuesit italianë në hapësirat ku jetonte popullsia e quajtur shqiptare.

Këto informacione pasqyroheshin në buletinet më të rëndësishëm shkencorë, duke shtuar edhe më shumë interesin për Shqipërinë. Për vite me radhë eksplorimi i kësaj toke “të panjohur” u shndërrua në qëllimin kryesor të shkencëtarëve të huaj, mes tyre edhe gjeografi dhe botanisti Antonio Baldaçi. Shkencëtari italian, përgjatë dy shekujve, fundshekulli XIX dhe fillimshekulli XX, ka vizituar, hulumtuar dhe publikuar studime të shumta shkencore mbi Shqipërinë.

Siç kujton edhe miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, gjeografi gjerman Kurt Hassert, “vëmendja dhe interesi i Baldaçit për Shqipërinë nisi më 1888”. Udhëtimi i parë i Antonio Baldaçit, në vitin 1892, drejt një vendi të panjohur si dhe kërkimet shkencore të realizuara gjatë vizitës së tij në Malin e Tomorrit, e shtynë atë të eksploronte dhe të thellonte më tej studimet në trojet shqiptare.

Kujtimet e para ai i botoi në vitin 1893 në një nga revistat shkencore më në zë në Itali, “Bolletino della Societa Botanica Italiana”. Ndërkohë, vetëm pak vite më pas, ai fillon të publikojë kujtimet e tij mbi Shqipërisë, “Itinerari albanesi”, që është edhe një nga veprat e tij më voluminoze dhe thelbësore. Për herë të parë “Itinerari albanesi” u botua në “Memorie della Societa Geografica Italiana” në vitin 1897.

Këtë vepër themeltare e pasojnë “Nel paese del Cem: viaggi di esplorazione nel Montenegro Orientale e sulle Alpi Albanesi” (1903), “Nuovo Stato di Albania” (1913), “Romeni dell’ Albania” (1914), “L’Albania” (1929) veprën në 3 vëllime “Studi speciali albanesi” (1932), “Scritti Adriatici” (1943), si dhe një tërësi botimesh e studimesh shkencore e monografi mbi botanikën, hartografinë, historinë, studime sociale, etj.

Ekspeditat e tij shkencore të realizuara fillimisht në Mal të Zi, e më pas në Shqipëri dhe Kretë, përgjatë viteve 1885 dhe 1904, kanë krijuar një fond të pasur të vëzhgimeve dhe studimeve të detajuara, që tregojnë punën e tij të jashtëzakonshme si hulumtues skrupuloz, i pasionuar me çdo gjë shqiptare, por njëherazi shfaqin qartazi mendimin e tij për interesin ekonomik, politik dhe ushtarak të qeverisë italiane në zonën e Ballkanit.

Përgjatë këtyre udhëtimeve, Baldaçi jo pak herë u përball me situata të vështira dhe të rrezikshme, madje nga arrestimi i tij deri në një atentat me armë zjarri, si pasojë jo vetëm e natyrës së egër dhe ende të panjohur të atyre zonave, por edhe të përplasjeve midis fiseve rivale, sidomos në zonat në kufi midis Shqipërisë dhe Malit të Zi; armiqësia e autoriteteve osmane ndaj të huajve që tentonin të përshkonin territoret shqiptare. Udhëtimi i vitit 1902 në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi konsiderohet edhe si misioni i parë shkencor italian në këtë rajon.

Gjatë ekspeditave të tij, Baldaçi ia doli të mbledhë mbi 100 mijë ekzemplarë bimësh, disa specie të panjohura më parë dhe që kanë marrë edhe emrin e tij. Puna e tij shkencore dhe publikimet e shumta në revistat më në zë kanë ndikuar edhe në njohjen e Shqipërisë. Punën kërkimore shkencore Baldaçi e vazhdoi deri në vitet e fundit të jetës, duke analizuar me shumë kujdes materialet dhe arkivin e tij dokumentar të mbledhur gjatë gjithë qëndrimit dhe ekspeditave të tij në Shqipëri.

Janë rreth 250 monografi dhe artikuj shkencorë që dëshmojnë veprimtarinë e tij të gjerë akademike, një pjesë e konsiderueshme e tyre gjenden në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Megjithëse një nga studiuesit dhe kontribuuesit më të rëndë- sishëm në fushën e albanologjisë, botanikës dhe shkencës, Antonio Baldaçi dhe vepra e tij voluminoze vijon të mbetet ende e panjohur plotësisht për publikun e gjerë.

Ekspozita në nder të 150-vjetorit të tij të lindjes në Bibliotekën Kombëtare synon jo vetëm të nderojë këtë albanolog të çmuar, por edhe të tërheqë vëmendjen e studiuesve të rinj mbi veprën e tij.

Dosja e shumëdebatuar për lidhjet e Presidentit Trump me Rusinë ka ridalënë sipërfaqe, me lajme të reja se fushata e Hillary Clintonit dhe DNC, si dhe portali konservator i lajmeve Washington Free Beacon, u përfshinë në financimin e kërkimeve prapa dosjes


Image result for donald trump putin

Dosja thuhet se po luan një rol në hetimin e Robert Muellerit në Rusi, por mendimet se sa të besueshme dhe shpërthyese janë zbulimet e saj, variojnë shumë. Trump dhe mbështetësit e tij thonë se është një “lajm i rreme” dhe skandali i vërtetë është përfshirja e pjesëtarëve të Partisë Demokratike në financimin e saj. Shumë nga kritikët e tij e shfrytëzuan menjëherë, pas publikimit të dosjes nga “Buzzfeed” në janar.




Pyetjet:
Image result for donald trump putin


Çfarë është?


Dosja është një grup prej 17 memosh, mbi ndërveprimet e supozuara të Trumpit me rusët, të datave mes qershorit dhe dhjetorit 2016 dhe përgatitur nga Christopher Steele, një ish oficer i shërbimeve të fshehta britanike. Shërbimet e Steele u kontraktuan nga “Fusion GPS”, një kompani investiguese me qendër në Uashington.


Image result for donald trump putin

Çfarë ka në të?

Dosja përfshin pohime të pista por të paverifikuara që oficerë të inteligjencës ruse zotërojnë video kaseta të sjelljes së Trumpit në një dhomë hoteli në Moskë, që Steele pretendon se mund ta bëjë atë të shantazhueshëm, si dhe pretendime për lidhje midis bashkëpunëtorëve të tij dhe Rusisë.

Avokati i Trumpit, Michael Cohen i shkroi një letër hetuesve të Kongresit në gusht duke mohuar pretendimet në lidhje me të në dosje, ku përfshiheshin dhe pretendimet se ai udhëtoi për në Pragë për takime me zyrtarët e Kremlinit. Cohen tha se kurrë nuk ka qenë në Pragë. Ekipi i Muellerit u takua me Steele gjatë verës, për të diskutuar gjetjet e tij.

Image result for donald trump putin

Kush pagoi për të?


“Fusion GPS” ishte pajtuar nga Free Beacon, pronari i të cilës mbështeti kandidaturën e Marco Rubios, për të mbledhur informacione të dëmshme rreth Trumpit. Pasi u bë e qartë se Trumpi do të ishte kandidati republikan, një avokat që përfaqësonte Clintonin dhe DNC u lidh me “Fusion GPS”, që nga ana tjetër kërkoi shërbimet e Steele. FBI ra dakord të paguajë Steele për të vazhduar punën e tij pas zgjedhjeve, por në fund u spraps, kur Steele u identifikua publikisht.

Shënim: Trump shkroi në Tuiter dje në mëngjes, se Clinton pagoi 12 milion dollarë për informacione, por është “e paqartë se si Trump arriti në” këtë shifër, sipas Post. Fushata i dha kompanisë ligjore që pajtoi “Fusion GPS” një shumë totale prej 9.2 milion dollarë, por është e paqartë se sa prej kësaj shume i është transferuar “Fusion GPS”.
Image result for donald trump putin
Çfarë thotë Trump?


Pretendimet e Trump se dosja përmban informacione të rreme dhe se hetimi i Rusisë është një “gjueti shtrigash” janë inkurajuar nga lajmi se një avokat i lidhur me demokratët, ka paguar “Fusion GPS”. Të dielën në mëngjes, ai shkroi në Tuiter: “Asnjëherë nuk kam parë të tillë ZEMERIM & UNITET republikanësh, siç kam parë në lidhje me mungesën e hetimeve që Clintoni që ka bërë Dosjen e Rreme … Në vend të kësaj, ata shikojnë gjoja “bashkëpunimin” Trump-Rusi, i cili ekziston”.


Image result for donald trump putin

Çfarë thotë “Free Beacon”?

Drejtori i Free Beacon i tha Neë York Times se ata nuk kishin të bënin me dosjen që u prodhua në fund. “Free Beacon nuk kishte njohuri apo lidhje me dosjen e Steele, nuk e pagoi dosjen dhe nuk kontakte, njohuri, ose nuk ka paguar ndonjë punë të kryer nga Christopher Steele”, tha ai në një deklaratë.

Image result for donald trump putin

Çfare thotë Komiteti Kombëtar Demokratik?

“Tom Perez dhe udhëheqja e re e KKD nuk janë të përfshirë në vendimmarrjen në lidhje me “Fusion GPS”, as nuk ishin të vetëdijshëm se Perkins Coie po punonte me organizatën,” tha zëdhënësja Xochitl Hinojosa në një deklaratë.

Mjeku personal i Enver Hoxhës, Prof. Isuf Kalo -ja , rrëfen “sekretet” e diktatorit: Pse ruhej në shtëpi kartela mjekësore, si na survejonte Sulo Gradeci



Kartela mjekësore e Enver Hoxhës, me shumë gjasë, ka mbetur në duart e familjes së tij, pas vdekjes, në vitin 1985. Prof. Isuf Kalo, ish-mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha, tregon se si ndiqej gjendja shëndetësore e udhëheqësve komunistë përpara viteve ’90 dhe në veçanti, ajo e numrit një të shtetit

Kalo tregon se drejtuesit e lartë të shtetit trajtoheshin në një klinikë të posaçme, ku ruhej edhe dokumentacioni përkatës, por për Enver Hoxhën, u ngrit një miniinfermieri në ambientet e shtëpisë së tij. Në shërbim të Enver Hoxhës u vendos edhe një ekip me mjekët më të mirë shqiptarë, ndërsa zhvilloheshin konsulta edhe me mjekë të huaj, kinezë edhe francezë.

Pikërisht, në infermierinë e krijuar në vilën e diktatorit, ruhej edhe kartela e tij mjekësore, e cila dilte nga kasaforta vetëm me raste konsultash. Kalo tregon se si zhvilloheshin ato, si mbaheshin shënime dhe si trajtohej diagnoza e Enver Hoxhës, si një sekret i një shkalle shumë të lartë.

Kjo ishte një kërkesë e vetë Enver Hoxhës, ndërsa ishte Sulo Gradeci ai që kujdesej që ky sekret të ruhej. Kalo thotë se deri në ndërrimin e sistemeve, dokumentacioni shëndetësor i Enver Hoxhës dhe familjarëve të tij ndodhej brenda shtëpisë së tij, por nuk mund të thotë se cili është fati i tyre më pas.

Prof. Kalo, ju keni qenë mjek personal i Enver Hoxhës, si trajtohej shëndeti, jo vetëm i tij, por i gjithë udhëheqjes?

Për gjithë udhëheqjen, ku përfshiheshin anëtarët e Byrosë Politike, anëtarët e Qeverisë, anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të Frontit Demokratik, anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë, kishte një klinikë të posaçme, që quhej klinika speciale ose klinika e vogël, e cila ishte sipas modelit të Kremlinit për udhëheqësit sovjetikë. Kjo klinikë varej nga Ministria e Shëndetësisë dhe kuadri në të paguhej si gjithë mjekët e tjerë.

Çfarë shërbimesh ofronte kjo klinikë, përveç vizitave?

Aty bëheshin edhe ekzaminimet e tyre, ishte laboratori biokimik, kryhej elektrokardiogrami, radiografi. Ajo klinikë kishte edhe një aneks me 2-3 shtretër, për shtrim, kur ndonjë nga udhëheqësit kishte nevojë për t’u shtruar. Kishte edhe një sallë operacioni, ku kryheshin operacione, një kabinet dentar dhe një farmaci. Kjo ishte arkitektura e klinikës.

Po dokumentacioni përkatës, kartelat për secilin, a ruheshin në këtë klinikë?

Këta persona ndiqeshin dhe kishin kartelë të posaçme në këtë klinikë, bashkë me familjarët që bashkëjetonin me ta, që do të thoshte që kur dikush martohej dhe largohej nga familja, teorikisht, i hiqej edhe kartela, por kjo jo gjithmonë ndodhte. Kartelat e tyre ruheshin aty.

Kur u angazhuat si mjek i udhëheqjes?

Unë kam filluar të punoj aty qysh kur mbarova Fakultetin e Mjekësisë. Isha 22 vjeç dhe isha në dispozicion të të gjithë këtij kontingjenti. Më pas, në vitin 1971 filloi një trajtim disi më i veçantë për treshen kryesore, Enverin, Mehmetin dhe Hysniun, të cilëve iu caktua edhe një mjek personal, por vetëm teorikisht, pasi praktikisht, do ishe i të gjithëve. Megjithatë, për ta kishte një fokus më të veçantë. Unë ndiqja ata dhe familjarët që jetonin me ta. Kartelat e tyre kanë qenë në atë klinikë, të mbyllura në një kasafortë dhe që përdoreshin sa herë që ata vinin për vizitë, duke shtuar shënime nga ana e mjekëve.

Kur u caktuat mjek personal i Enver Hoxhës?

Në vitin 1973, unë u caktova mjek personal i Enver Hoxhës. Shumë shpejt pasi unë shkova atje, ai pësoi infarkt të miokardit. Kjo solli nevojën e një ndjekjeje shëndetësore më të afërt. Në atë kohë kartela e tij ishte në klinikën speciale si gjithë të tjerët, por meqë kërkohej një ndjekje e përditshme për të kaluar situatën akute, por edhe në vijim me problemet që shfaqeshin më tej, ajo kartelë u mor në shtëpi, ku u hap një dhomë infermierie. Kartela ruhej pikërisht në këtë infermieri.

Kush kishte akses në të?

Ajo dilte sa herë bëheshin shënime në të, sa herë unë bëja konsulta, apo më pas nga një ekip mjekësor që u krijua pranë tij. Ekipi mbante shënime veç gjatë diskutimeve që dilnin, por kartela bazë qëndronte gjithnjë brenda shtëpisë së Enverit, e me sa di, edhe kartela e Nexhmijes. Por, vetvetiu edhe e fëmijëve besoj. Kartela ishte sekret. Diagnozat e Enver Hoxhës dhe të gjithë udhëheqësve mbaheshin sekret. Quhej sekret shumë i rëndësishëm, madje edhe midis njëritjetrit. Aty ishin edhe elektrokardiogramet, radiografitë, ekzaminimet e tij, gjithçka që lidhej me shëndetin e tyre. Gjithçka është e shkruar në kartelë, ose siç ju thashë, në një bllok të posaçëm, që mbante ekipi mjekësor. Një protokoll, gjatë diskutimeve dhe propozimeve që bëheshin.

Pra, kartela mjekësore e Enver Hoxhës është në duart e familjarëve të tij?

Në kohën që janë bërë ndryshimet e sistemeve, kartela ka qenë në shtëpi. Nuk di të them nëse ajo mbeti në familje apo gjendet në arkiv. Enveri, vonë, pasi dolën problemet me Mehmet Shehun, është interesuar të dijë se ku është dokumentacioni i tij dhe nuk donte që të kishte akses në të as drejtori i Klinikës speciale dhe as ministri i Shëndetë- sisë. Kështu që në njëfarë mënyre, ajo është mbajtur gjithnjë sekret dhe ka qenë aty. Nuk e di se çfarë u bë më pas me dokumentacionin në fjalë, kartelën, operacionet, skemën e mjekimit. Ishte edhe një infermiere që mbante po ashtu shënime për mjekimin. Puna ka qenë e mbyllur, por për Enverin është bërë autopsi dhe rezultati ka qenë shumë koherent me diagnozën tonë. Dhe gjendja klinike e shkaku i vdekjes është shënuar me hollësi në raportin mjekësor që ne lëshuam si ekip mjekësor, ditën e vdekjes dhe që u botua në gazetën “Zëri i Popullit”.

Kush e realizoi autopsinë?

I gjithë ekipi ynë asistoi në autopsi. Autopsinë e kreu anatomopatologu më i mirë që ne kishim, prof. Pëllumb Bitri. E ndoqëm me shumë interes autopsinë. E kam çmuar që Nexhmija si familjare e lejoi këtë gjë, sepse kryerja e autopsisë është në dëshirën e familjarëve. Ajo u tregua mendjehapur dhe transparente. Rezultatit të autopsisë i janë bashkangjitur të gjitha diagnozat. Pavarësisht se gjatë gjalljes së tij, për gjendjen shëndetësore të Enverit nuk ka pasur asnjë transparencë publike, pasi ishte e ndaluar, kur ai vdiq, transparenca qe e plotë. Raporti iu bë i njohur popullatës. Të mbajturit e fshehtë gjendja shëndetësore, qe në disavantazh për ne, sepse njerëzit nuk ishin të përgatitur dhe besonin që “Enver Hoxha do të jetojë sa malet”.

Ju thatë që përveç shënimeve në kartelë, mbaheshin shënime edhe më vete, çfarë ndodhi me këtë material të shkruar nga ju?

Edhe ky material u dorëzua atje. Enver Hoxha ruhej fizikisht nga një grup i madh rojesh, me në krye Sulo Gradecin. Ky i fundit kishte si detyrë të siguronte edhe sekretësinë. Ne nuk lejoheshim të mbanim shënime apo ditarë për Enver Hoxhën, se quhej sekret, por në ekipin tonë mjekësor ne vendosëm praktikën e protokollit, të cilin e mbante njëri prej mjekëve.

Aty mbaheshin shënime çfarë thoshte secili prej nesh për një situatë të caktuar dhe qëndrimin që duhej mbajtur dhe shumë herë zgjidhjet ishin disa, por secila kishte avantazh dhe disavantazh dhe duhej të binim në konsensus që çdo medikament që shtonim, të ishte i miratuar nga të gjithë. Kjo ma vështirësonte punën mua si mjek personal i tij, por edhe më qetësonte, sepse evitohej subjektiviteti. Nuk ka qenë vetëm një bllok. Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe nuk mësova gjë më tej. Kur ndodhën ndryshimet, unë u gjenda jashtë shtetit. Pas vdekjes së Enverit, unë kisha kaluar pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Kam qenë me studentët kur nisi lëvizja studentore dhe në atë kohë familja Hoxha i shkëputi marrëdhëniet me mua si mjek. Aty ka pasur një infermiere, Drita Domi, e cila i ka pasur kartelat, por se kush i mori blloqet me shënime dore, nuk e di. Nuk kemi bërë regjistrime me diktofon, sepse kjo ka qenë e ndaluar.

Ishin të vëzhguara konsultat tuaja?

Gjatë diskutimeve tona ndodhte shpesh që të vinte edhe Sulo Gradeci, çka unë nuk e quaja normale, pasi pavarë- sisht nga detyra që kishte, ai ishte ushtarak dhe nuk mund të kuptonte gjithmonë propozimet apo kundërshtimet që bëheshin, argumentet mjekësore. Kjo krijonte një lloj tensioni, pasi ndiheshe i survejuar nga njerëz të Sigurimit, në një kohë që duhej të ishim të përqendruar tek ana mjekësore.

Ekzistonte frika se mos debateve tuaja ai mund t’u jepte ngjyrime politike?

Nëse propozoje një medikament dhe dikush do thoshte që ky shkakton këtë fenomen anësor apo komplikacion, ai mund t’i interpretonte si rrezik. Por mjekësia është menaxhim i rrezikut, do rrezikosh diçka për të fituar diçka më shumë. Është e ditur që çdo medikament ka një efekt anësor, por këto jo gjithmonë parashikohen, mjafton që qëllimi të jetë i mirë. Por prej “frikës” se dikush mund ta interpretojë këtë qëllimisht, futesh menjëherë në psikologjinë e vetëruajtjes. Pavarësisht nga qëllimi jo i keq i Sulos, unë e kisha biseduar edhe me Ylli Popën këtë gjë, madje edhe Fejzi Hoxhën, që ishte kryesori, pasi krijonte një lloj kompleksi. Por kjo rrezikon të mos bësh atë më të mirën e mundshme.

Cilët ishin mjekët që përbënin ekipin që ndiqte shëndetin e Enver Hoxhës?

Fillimisht, ekipi ishte më i vogël: Fejzi Hoxha, Ylli Popa, Nikolla Çobani, Petrit Gaçe, më vonë u shtua Ahmet Kamberi, Sabit Brokaj dhe Hajro Shyti. Ishte një ekip i gatishmërisë. Ai kishte një mjek që e ndiqte 24 orë, një mjek kardiolog sidomos, i cili e shoqëronte edhe në zyrë.

Unë pata kënaqësinë të kisha prej tij lejen të lëvizja dhe të vazhdoja kontaktet e mia profesionale në spital, pa qenë i mbërthyer, por për këtë duhej të ishte patjetër dikush tjetër që ta shoqëronte.

Por duhet t’ju them se të gjithë ishin njerëz të besuar. Petrit Gaçe ishte anëtar i Komitetit Qendror, deputet, anëtar i Presidiumit të Kuvendit popullor, ishte “Hero i Punës Socialiste”, Fejzi Hoxha ishte deputet në 7 legjislatura, anëtar i Akademisë, Ylli Popa, akademik, deputet, më pas kryetar i grupit parlamentar, Ahmeti dhe Sabiti u bënë më pas ministra të Shëndetësisë, ndërsa unë vazhdova rrugëtimin tim personal. Nuk mora poste dhe kur vdiq Enver Hoxha, unë kërkova të kthehesha në spital pranë të sëmurëve dhe studentëve.

Përveç mjekëve shqiptarë, a konsultoheshit edhe me mjekë të huaj?

Kur Enveri pësoi infarkt, ka bashkëpunuar me ne edhe një ekip kinez, pavarësisht se marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë, siç u mësua më vonë, nuk ishin ato që dinte publiku dhe për situatën shëndetësore të Enverit ka pasur dijeni prof. Paul Milliez në Francë, i cili na ka ndihmuar në konsultat tona për të sqaruar situata të reja që shfaqeshin, por pa e vizituar ai asnjëherë Enverin, si mjek i tij. Ai ka qenë konsulent në parim, ose që na rekomandonte ekspertë që mund të konsultonim dyshimet tona për diagnoza të ndryshme.

Agim Veliun e Latif Gashin i ndanë politika por i bashkon biznesi


Agim Veliu dhe Latif Gashi – Faqja Zyrtare e duan shumë njëri tjetrin, anipse në publik shiten si kundërshtarë

Të dy së bashku janë aksionarë në “GRAND STORE”, normalisht përmes vëllezërve, djemve e miqve të tyre. Djali i Agimit, Naseri, është menaxher i Grand Store. Vëllezërit e Latës kryejnë punë operative aty.

Por, Agimi e Lata janë bashkë edhe në këto zgjedhje. Lata po e saboton kandidatin e PDK-së për ta përkrahur Agimin në garën e tij me Ajet Poterën e Lëvizjes Vetëvendosje. Podujeva do të shkojë sigurtë në BALOTAZH, ku për të parin e qytetit do të garojnë Agim Veliu dhe Ajet Potera i Vetëvendosjes.
Por, a do t’i ndihmojë Agimit koalicioni me PDK-në, mbetet të shihet në balotazh.

Parada e homoseksualëve ofendim ndaj Heroit të popullit,komandant Zahir Pajazitit



Ish-kandidati për deputetë nga Partia e Drejtësisë, Fidan Mustafa, paradën e parë të komunitetit LGBTi, e cila do të zhvillohet ditën e martë në sheshin kryesor të Prishtinës e ka cilësuar si ofendim ndaj Zahir Pajazitit. Ai konsideron se kjo paradë provokon dhe fyen ndjenjat e çdo qytetari, sipas tij kjo paradë është tendencioze

Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve tjera që të dënojnë ashpër këtë paradë. Pasi sipas tij ku marsh rrezikon të ardhmen e Kosovës. “Ne populli i Kosovës, botërisht e kemi dëshmuar se vendi ynë është vend i kulturës, dashurisë familjare, morale, multikulturalizmit, e assesi me paradigma të shfrenimit dhe degjenerimit shoqëror, të cilat rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë”- shkruan ndër të tjera Mustafa.

Ky është shkrimi i tij i plotë dërguar mediave:

Paradë e turpit, jo e dashurisë!

Paralajmërimet nga grupet Homoseksuale (LGBT), lidhur me mbajtjen e paradës me 10 tetor në Prishtinë, provokon dhe fyen seriozisht ndjenjat e çdo qytetari, fyen vet nocionin e familjes dhe çdo vlerë kulturore, morale e tradicionale ndaj çdo shqiptari në Kosovë dhe më gjerë.

Marshe të këtilla nën ombrellën e përdhosjes së fjalës “Dashuri”, tejkalojnë çdo normë ligjore dhe promovim të së drejtës, madje ky veprim i marsheve të këtilla bie ndesh edhe me Kushtetutën e vendit mbi të drejtën e manifestimit të orientimit seksual (Neni 38, pika 1,2,3).

Prandaj, marshe të tilla kanë vetëm një tendencë, atë të provokimit ndaj situatës së brishtë në Kosovë, që ndokush nga shoqëria të reagon, ndërsa nëpërmjet këtij veprimi, të zhvendoset vëmendja e opinionit nga problemet dhe sfidat politike nëpër të cilat po kalon Kosova tash e sa vite.

Nëpërmjet këtij reagimi si qytetar i Republikës së Kosovës, si një kryefamiljar, i bëjë thirrje shoqërisë civile, organizatave joqeveritare nën mbrojtje të familjes, organizatave te nënave, gjegjësisht edhe komuniteteve fetare në vend, që marshet e tilla të dënojnë ashpër, pasi që paradat e këtilla mbjellin vetëm urrejtje, përdhosje, e poshtërim të vlerave kombëtare e kulturore të çdo qytetari të vendit, veçanërisht të familjeve tona.

Po ashtu, i rikujtojmë këtij grupacioni tendencioz – shfrenues (LGBT), që nuk ka vend për marshe të turpit para figurave e shesheve si Zahir Pajaziti, i cili gjatë gjithë jetës luftoj dhe ra dëshmor në mbrojtje të familjes, nderit, moralit, kulturës, traditës dhe vet shtetit të Kosovës.

Nëse e drejta juaj qenka shkruar në Kushtetutë të vendit shumë tërthoras, ne u rikujtojmë se vlerat e familjes dhe vlerat e popullit të Kosovës, janë rishkruar qe njëqind vjet me gjakun e dëshmorëve dhe në çdo amendament kushtetues, andaj nuk e keni këtë të drejtë të paraqitni Kosovën vend i marsheve të Turpit, shfrenimit e kërcënimit.

Ne populli i Kosovës, botërisht e kemi dëshmuar se vendi ynë është vend i kulturës, dashurisë familjare, morale, multikulturalizmit, e assesi me paradigma të shfrenimit dhe degjenerimit shoqëror, të cilat rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë.

Andaj, si qytetar i Republikës së Kosovës, publikisht u bëjë thirrje të hiqni dorë nga provokimet e tilla dhe mos të fyeni dëshmorët tanë, familjet tona, dashurin tonë për familjen dhe nderin tonë shqiptar.

Kush ia vrau qetësinë Timonierit tonë


Nga Armand Shkullaku

Të shumtë ishin ata që u habitën nga çthurrja e gjuhës së kryeministrit përpara gazetarëve dhe nga shpërthimi i tij i papritur pas seancës parlamentare, që nuk lejoi Prokurorinë të vijonte me ndalimin e deputetit Saimir Tahiri. Hamendësimet e shumta për agresionin anormal të kryeministrit, që shkonin nga tronditja psiqike deri tek aversioni i tij i njohur për lirinë e fjalës, e kanë një shpjegim. Sjellja e Edi Ramës është tipike e një njeriu që shikon fundin e tij, pikërisht në momentin kur e mendonte veten më të fortë se kurrë.
Ajo që po ndodh me rastin Tahiri, është vetëm hapja e një kapaku që po nxjerr dhe do të nxjerrë zbuluar kazanin politik ku është gatuar qeverisja e Ramës për katër vite me radhë. Tahiri nuk është një rast i izoluar, që merr fund me një votim në Kuvend. Ai përbën daljen në dritë të një modeli qeverisës që ngërthen brenda vetes lidhjet politikë- krim, korrupsionin dhe përqëndrimin e pushtetit në një kupolë të vetme. Këtë fenomen, Edi Rama as nuk e kontrollon dot më nëpërmjet levave të tij të propagandës dhe as e parashikon dot se ku mund t’a ketë fundin. Kaq mjafton për t’ia rrënuar atij qetësinë, për t’ia shtuar ankthin dhe për t’a nxjerrë para gazetarëve si liderët tipikë autoritarë, që sa më shumë shohin fundin aq më tepër agresivë bëhen.
Në këtë këndvështrim duhet parë si shpërthimi i tij i fundit ndaj reporterëve që bëjnë punën e tyre, ashtu edhe fjalimi që mbajti në grupin parlamentar të PS, dy ditë përpara votimit për Saimir Tahirin. Edi Rama nuk e di nëse ka bërë mirë apo e ka rënduar pozitën e tij duke vendosur të mos e dorëzojë ish ministrin e Brendshëm. Kjo e bën nervoz dhe gati të përçartë kur duhet të flasë në publik. Në një anë përpiqet të lajë duart me Tahirin dhe në anën tjetër shtyhet nga instikti i vetëmbrojtes për t’u bërë mburojë për të. Kryeministri e ndjen se ky mund të jetë fillimi i fundit për të, por është i paaftë të drejtojë një lojë që po e luajnë të tjerët.
Nëse do e dinte që gjithçka do të mbyllej tek Saimir Tahiri, ai me siguri do t’i shkonte deri në fund qëndrimit që mbajti në ditët e para, kur çështja e ish ministrit u bë publike. Por kur mori sinjale se bëhej fjalë për një proces dhe jo për një rast të vetëm, zgjodhi të bëjë atë që dinë të bëjnë liderë të prerjes së tij sa herë që u rrezikohet pushteti. Zgjodhi sulmin ndaj prokurorisë, mediave, opozitës, komentuesve në facebook, njerëzve në rrugë, ndoshta edhe ndaj vetes së tij, që ishte kapur mat pikërisht aty ku akuzohej për vite me radhë: në lidhjen e qeverisë së tij me krimin dhe korrupsionin.
Fillimisht Edi Rama u mundua të bëjë figurën e një lideri të moderuar perëndimor, të atij që i hap rrugë drejtësisë për këdo, madje edhe për ndonjë “dru të shtrembër” që i qëllon brenda shtëpisë së tij. Ai u shfaq parimor dhe i pakompromis, ndonëse i prekej krahu i djathtë i qeverisë së tij. Drejtësi deri në fund, asnjë pengesë për prokurorinë, ishin fjalët e tij të para, të përsëritura nga papagallët e vegjël në PS. Disa kaqolë mediatikë u entusiazmuan dhe nxituan që njollën t’a shndërronin në pastërti, duke rifilluar avazin e vjetër të krahasimit me Berishën. “Ja, Rama nuk është si ai. Nuk e pengon drejtësinë, ka tjetër standart. Nuk vepron me Tahirin si Berisha me Gërdecin apo 21 janarin… është lider që respekton ndarjen e pushteteve”, ishin komentet që synonin t’a nxirrnin të papërlyer kryeministrin nga balta ku ishte llokoçitur qeverisja e tij.
Por iu desh të bënin prapaktheu, sapo kryeministri i “standartit europian” kuptoi që rasti Tahiri ishte një ingranazh që po lirohej në makinerinë e ndërtuar prej tij e që tani rrezikon të shëmbet. Përballë këtij rreziku u shfaq një Ramë tjetër. Njeriu që mbështeste drejtësinë shpërtheu në akuza politike ndaj prokurorëve: “Pas akuzave të ngritura nga Prokuroria, për hir të së vërtetës me një vrap që do kishte hutuar edhe Ben Xhonsonin, me një paraqitje komike që do kishte rrëzuar edhe Mister Beanin, kësisoj, mbase shumëkush mund ta ketë pritur, por edhe më shumë e presin që unë t’i bashkohem qëndrimit haptazi dhe ngultazi të prerë të Saimir Tahiri, kundër një gjyqi farsë, që për hir të së vërtetës i ngjan një farse të inskenuar nga amatorë, inatçinj… Në cilën epokë të gurit u gjet kurajoja për ti prerë faturën e burgut deputetit me katër fletë bakalli që do të ofendonin çdo bakall … dhe për llogari të kujt deshën t’ia shesin këtë faturë të arrestit me burg këta prokurorë”, deklaroi Rama duke aluduar më tej se dosja e prokurorisë ishte shkruar në zyrat e opozitës, se kishte një komplot politiko- mediatik prapa kërkesës së prokurorëve, etj. Paralelisht me sulmin personal, ai orientoi në sinkron edhe ata, që më parë e duartrokitën kur tha se do i hapte rrugë drejtësisë, për të nisur denigrimin personal ndaj përfaqësuesve të akuzës.
Rama mund të stërmundohet sa të dojë që të rrijë brenda kostumit perëndimor dhe t’i durojë atletet adidas që ia shtrëngojnë këmbët, por kur ndjen se i kërcënohet pushteti është i gatshëm t’i flakë ato dhe t’i shpallë luftë kujdo që e vendos përballë të vërtetës. Ai mund të mos i thotë “horr” Adriatik Llallës, por ky është një ndryshim stilistikor dhe jo thelbësor. Sepse sulmi politik ndaj prokurorëve është i njëjti reagim tipik që di të bëjë një soj politikanësh sa herë kapen në mëkat.
Kryeministri ka nisur një betejë kundër prokurorisë, mediave dhe opozitës, për t’a projektuar hallin që e ka zënë si një pasojë që i vjen nga “Fronti i së Keqes” dhe jo si krizë të qeverisjes së tij, që tashmë ka shpërthyer. Por këtë herë të gjithë e kanë të qartë se të keqen e ka brenda dhe më kot tenton t’i bëjë dalje. Ai po vepron në panik, i pasigurtë për të ardhmen e tij politike dhe për këtë duhet kuptuar. Prandaj, ndoshta nuk i duhen hequr mikrofonat kur nis e shan përçart. Shumë shpejt do të n’a shkaktojë të qeshura më shumë se mister Bini. Provojeni si fillim t’i hiqni zërin dhe t’i shihni shprehjet e fytyrës ndërsa u sulej gazetarëve përpara selisë së Kuvendit.

Dosja e radhës: Qeveria Rama në ankth


Dosja Tahiri – Habilaj po e mban në ankth qeverinë Rama. Dhe jo vetëm ajo. Kryeministri nuk po e fsheh dot shqetësimin, jo për çfarë iu desh të përballet, por për çfarë do të duhet të përballojë në vazhdim

Të premten, sy më sy me Arjan Çanin, i mungoi spontaniteti. Batutat i dolën të thata. E qeshura, e zorshme. Ngacmimet, të ngathëta. Ndoshta u sugjestionua nga “kostumi” i hetuesit që veshi gazetari në pyetësorin e tij të zakonshëm.

Tani, ai e ka me hetuesinë betejën. Ndoshta në errësirën skenike të “Zonës së Lirë” mendimet i endeshin poshtë e lart nëpër dosje të tjera që është paralajmëruar se do të bëhen publike e që njerëzit e hetimit do të kenë në dorë.

Një grup i Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të niset drejt Katanias për të parë të tjerë fashikuj për Saimir Tahirin. Janë 4 vjet përgjime dhe ato çfarë kanë mbërritur në Shqipëri janë vetëm maja e ajsbergut; një përmbledhje e reduktuar në maksimum.

Tahiri nuk është ferra e vetme në këmbën e kryeministrit.

“Ky është vetëm fillimi” i përsëriti sërish dje Lulzim Basha.

“Në ditët e ardhshme do ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptarë dhe të Ramës në mbështetje të krimit dhe të trafikantëve të drogës”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

“Edhe bota tashmë e ka kuptuar dhe nuk mund të lejojë më një shtet të kontrolluar nga krimi në mes të Europës”, vijon presioni i tij.

Por çfarë janë këto dosje të reja që po përfliten? Çfarë përmbajnë ato? A i disponon ato opozita? Nga kush kanë dalë?

Një ministër aktual është fotografuar në shoqërinë e një anëtari të grupit të Habilajve, në Vlorë, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sali Berisha, që me qytetarin e tij dixhital ka goditur jo pak herë në shenjë, përmend Damian Gjiknurin.
Superministri i Ramës, që mori nën vete Energjinë dhe Transportet, e përgënjeshtroi Berishën. Por deri këtu bëhet fjalë vetëm për deklarata politike.

Lapsi.al paralajmëroi këtë javë se disponohen edhe pamje filmike të zyrtarëve të lartë me Habilajt e trafikantë të tjerë të drogës.

Priten edhe përgjime. Më të rënda se ato të Tahirit. Një zyrtar lokal, kryetar bashkie i një qyteti të madh është përgjuar duke komunikuar vazhdimisht me drejtues të një grupi të famshëm kriminal.

Këto përgjime implikojnë edhe familjarin e një Ministri aktual. Opozita flet e sigurt. Prokuroria nuk ka ende asgjë. Ndoshta do të jetë i njëjti skenar si me dosjen Tahiri – Habilajt; prokuroria do të veprojë pas publikimit të saj, nëse përgjimet nuk janë kryer prej organeve shqiptare.

Një dosje korruptive pritet të publikohet gjithashtu. Një ish –ministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë përflitet se janë përfshirë dhe mund të thirren nën hetim.

Një raport i një shërbimi të rëndësishëm sekret për krimin e oganizuar në Shqipëri del gjithashtu në dritë. Priten hollësi të asaj që deklaroi disa ditë më parë ambasadori amerikan, Donald Lu, për 4 familje mafioze që drejtojnë të gjitha punët e pista e trafiqet në Shqipëri.

Prokuroria po heton edhe Ministrinë e Mbrojtjes për radarët që dyshohet se janë mbajtur jashtë funksionit qëllimisht për të favorizuar skafet e gomonet e trafikantëve.

Edi Ramës do t’i duhet të përballet me të gjitha këto, njëra pas tjetrës.

Vendosmëria e tij për të mbrojtur të vetët dhe veten bashkë me ta do të vihet sërish në provë.

Do t’i çojë përpara drejtësisë të besuarit apo do të manovrojë si me Tahirin? Do të jetë më në gjendje ta mbajë timonin që shqiptarët i lanë në dorë më 25 qershor, apo do t’i duhet të përdorë “airbag-un” që iu dhurua tek “Zonë e Lirë”?

Opozita flet për dosje të bujshme që disponohen nga partnerët e jo vetëm. Dosja e radhës pritet më e fortë se ajo e Tahirit. Qeveria po pret një rrebesh përmasat e të cilit s’i parashikon dot e që duket se nuk do të mjaftojë ombrella politike e kartonave të parlamentit për ta mbajtur të palagur.