Ka vite që i jam përkushtuar romanit historik me subjekte nga lashtësia e Ilirisë. Fryt i kësaj pune janë romanet”Mbretërimi i Pirros së Epirit”,Kristalin KH,2010, eseja historike “Aleksandri i Madh i Maqedonisë”Luma Grafik,Tetovë 2010, “Mbretëresha Olimpia”, kristalina KH,2011. Kjo trilogji me një synim të vetëm: për të risjellë me mjetet e artit, në dijeninë dhe vëmëndjen e lexuesit të sotëm, veçanërisht brezit të ri, një epokë të lashtë historike, të vërtetë e të lavdishme të Ilirëve, që janë paraardhësit tanë, që të dimë nga vijmë, kush jemi, ku shkojmë, ku janë rrënjët tona historike dhe, për t’i rikthyer vendit dhe popullit tonë heronjtë e vet, që të tjerët, fqinjë tanë ballkanas, përpiqen ti bejnë të vetët, te shpallen trashëgimtarë dhe të krenohen me lavdinë e tyre. Sa ja kam arritur? Nuk mund ta them. Autori nuk mund të japë vlerësime për librat e veta. Kjo i takon lexuesit dhe kritikës. Fjalë të mira janë thënë.
Në vitet që pasuan, në vijim të kësaj kolane, shkrova edhe novelën”Ditët e sprapsme të mbretit gent”(për Luftën e Tretë Iliro Romake), botimet Vllamasi, 2014, romanin “Andrea Topia dhe princesha Helena”, botimet”Enja”2019 dhe romanin “Pas trojës”, 2019. Kolana “Libri I Mbretërve” ka tashmë shtatë libra.
Përse një roman për mbretëreshën Teuta?Pas këtyre sprovave,figura e mbretëreshës Teuta, e kthyer gati në legjendë, u bë subjekt i dëshiruar për një roman kushtuar figurës së saj, si një vijim që do të plotësonte atë periudhë të lavdishme të Ilirisë, nga trualli i së cilës, në periudhën e shtetformimeve dhe qytetrimit, kanë dalë në krye figura të shquara, bëmat e të cilëve, historia i përcjell deri në ditët tona: Glauku, Bardhyli, Pirrua,Pleurati, Agroni, Longari,Monuni, Genti ,Batua, etj. Për të vijuar më vonë me Gjin Bua Shpatën,Depe Zenebishin, Skënderbeun e lavdishëm e deri te Ismail Qemali.
Vlen të vihet në dukje, se midis tyre, në lashtësi në vitet 360-228 para erës së re, shquhen edhe tre personazhe femërore: mbretëreshat Olimpia që mbretëroi në Epir dhe Maqedoni, Daidamea, në Epir dhe Teuta në mbretërinë ilire. Gra luftëtare , mentare e humaniste të shquara nga trungu arbëroro-shqiptar, pati në vazhdimësi edhe më vonë: Bubulina, Elena Gjika, Nora, Shote Galica , Zonja Çurre e deri te shenjtorja Nënë Tereza(Gonxhe Bojaxhiu). Kjo vazhdimësi nuk është pa domethënie.
Duhet të shënohet, një fakt i veçantë: paraardhësit tanë Ilirët, ndryshe nga popujt e tyre fqinjë: grekët, maqedonasit, trakasit apo romakët, që mbanin qëndrim përbuzës ndaj gruas dhe nuk lejonin që në fronin mbretëror të kurorëzohej një grua, Ilirët e kishin të lejuar këtë të drejtë në kodin e tyre zakonor e trashëgimor. Është kjo një shenjë qytetarie dhe nderimi e vlerësimi për gruan Ilire, për vendin e saj në familje e shoqëri, e cila kulmon me mbretërimin e Teutës. Ajo mbretëroi tre vjet(230-228 p.e.r.), në një kohë kur mbretëria Ilire ishte në kulmin e fuqisë së saj. Qenë vite të ngjeshura me ngjarje, me përpjekje dhe luftëra për njësimin e ilirisë dhe ilirëve në një shtet të vetëm. Në krye, zemra dhe truri i kësaj ëndrre, që e kishte fillesën te mbreti Agron, ishte Teuta. Këtu e ka nisjen fillesa e krijimit të një shteti të vetëm të Ilirëve, e më pas të Arbërorëve e Shqiptarëve, që është evidente dhe e papërbushur edhe sot. Pavarësimi i Kosovës dhe ruajtja e ngjallja e shqiptarizmit në trojet ku jetojnë shqiptarët, e lenë të hapur këtë mundësi. Lumë kush të rrojë! Ishte ky këndvështrim, shtysa dhe motivi nxitës për të shkruar romanin.
Figura e Teutës është trajtuar edhe nga autorë të tjerë me emër. Xh.Qosja, i ka kushtuar monodramën “Vdekja e Mbretëreshës”, E.Kryeziu, i jep shumë vend në dramën”Komploti ilir”Më pas, me dijen time,janë shkruar katër romane:
TEUTA ,autor Mirash Martinoviq, më 2004.
MALLKIMI I PRIFTËRESHAVE TË ILIRISË, autore Mira Meksi,2014
KLITHMA E MBRETËRESHËS TEUTË,autore Ajmone Sumaj Salihu,2015
TEUTA E ILIRISË, autor Resmi Osmani, 2014
Të katër këta romane i kam në bibliotekën time dhe u kthehem kohë pas kohe, jo vetëm për krahasime, kendveshtrimet historike, por kryesisht trajtimin e personalitetit të kësaj mbretëreshe te lashtesisë sonë.Mendimet që do të shpreh për ta(romanet) më poshtë, nuk dua të merren si konflikt interesi, apo gjykim subjektiv, por thjesht si mendime, koncepte dhe gjykime të miat për Teutën dhe Ilirinë, mbështetur në të dhënat historike dhe pervojën time letrare.
Pas një pune të gjatë përgatitore, që mu desh për grumbullimin e të dhënave historike të asaj kohe dhe për vetë Teutën, që çështë e vërteta janë të pakta, mësova se shkrimtari malazez Mirash Martinoviq, kishte shkruar një roman për Teutën, që ishte përkthyer dhe botuar edhe në Kosovë. Ani, për një figurë historike si e Teutës, mund të shkruhen disa libra, ngaqë çdo autor e sheh atë nga pikpamja dhe këndvështrimi i tij historik, ideo artistik dhe konceptet per vlerësimin e figurave të shquara historike,si figura njerëzore komplekse, emri dhe bëmat e të cilave u kanë qëndruar kohërave. Prandaj, ky fakt nuk më shkurajoi. Martinoviq, në një deklarim,thotë se iu desh të zbriste në njëzet e tre qindvjeçarë që të gjente Teutën. Për mua, ishte më e thjeshtë:Teuta ishte midis nesh, më familjare, në historinë tonë, vjen si një jehonë, është pjesë e kujtesën historike, në gojdhanat dhe legjendat dhe në qindra, apo në mos mijëra vajza e gra që mbajnë emrin e saj. Kësisoj ajo u vendos natyrshëm në faqet e romanit, që e shkrova, me një këndvështrim, vlerësim dhe synim që mund ta kemi vetëm ne, pasardhësit e saj për Të.
Librin e Martinoviqit e gjeta te një bukinist ne Tiranë, por kur isha duke shkruar romanin per Teutën, nuk e lexova se nuk desha sadopak, të ndikohesha prej tij.
Veprën e Martinoviqit, perkthyer nga Zenun Rexhepi-Kabashi dhe publikuar nga “ Koha “, në Prishtinë, pata rast ta lexoj më vonë. Romani është voluminoz, me 380 faqe. E lexova me interes, për të njohur jo vetëm vlerat artistike të një vepre letrare, por edhe paraqitjen e personalitetit dhe veprës së Mbretëreshës Teuta dhe mesazhin që i përcillet lexuesit. Per mua qe një çgënjim.Tjetër gjë prisja. Pyeta veten: Përse “Koha” duhet ta përkthente dhe hidhte në qarkullim këtë roman të Martinoviqit? Sido që autori, në dukje, bëhët anë dhe trajton me simpati Ilirinë dhe ilirët dhe paraqet romakët si pushtues të egër e rrënimtarë, nuk mjafton as baraspeshon vlerësimin dhe paraqitjen e Teutës si mbretëreshë në vitet para dhe gjatë mbretërimit të saj.
Ne pjesën e parë të romanit, ajo paraqitet, në një mbledhje të senatit romak, si nje grua me bukuri të rrallë, shume sensuale, me aventura dashurie, që ndrron dashnorët dhe fut në shtrat ushtarët e gardës së saj(një përngjasim me Katerinën e Rusisë). Këtë akuzë, e gjejmë më von si një pohim, nga vetë Teuta, në një letër, në roman, ajo pranon se ka patur shumë dashnorë: Dhimitër Farin, të kunatin Skerdilajdin, dhe për dëshira të saj erotike, ushtarë e oficerë të panumurt të gardës. Një lakmi dhe uri seksuale e shfrenuar. Një mbretëreshë kuçkë, bushtër! Dhe kjo, se ashtu ka dashur dhe e ka supozuar autori Martinoviq, për ta bërë romanin tërheqës për atë pjesë lexuesish, te dhëne pas skenave të tilla. Por, për mua, nenteksti është tjeter: te tilla ishin femrat ilire, te shthurura dhe te dhena pas lakmive epshore. Këtë e thotë në roman edhe një oficer romak. Për mua, romani përfundon në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë, pas humbjes së luftës me Romën,është ndertuar me tregime të veçanta, që u përngjajnë reportazheve, pa kujdesin artistik, me stil gazetaresk, një rrugëtim imagjinar që i kushtohet miteve legjendave, mbrtetërve ilirë parardhës, besimeve dhe gojdhanave dhe Teuta e shfronëzuar,bëhet pjesë e tyre. Ajo shëtit si pelegrine e leckosur dhe varfanjake nëpër malësitë, e asaj që ishte mbretëria e saj, bashkë me të ëmën për të mbledhur bimë mjekësore, me kurorën mbretërore të futur në gji! Ndërkohë që romakët e kërkojnë që ta gjejnë dhe ta nisin në një kafaz si egërsirë në Romë, si trofe të triumfit të tyre. Kjo nuk është Teuta,e vërteta, sfiduesja e Romës, luftëtarja, por një krijesë e shkrimtarit malazez , që gjoja bën se e vlerëson atë dhe Ilirinë, por me atë që shkruan, për mua bën të kundërtën. Të këtij mendimi nuk janë botuesit, që, në qershor 2019 i bënë një botim të dytë(këtë herë luksoz), me tirazh të konsiderueshëm, të cilin pati rastin të ma dërgonte Florim Zeqaj nga Prishtina.Gjej rastin ta falnderoj.
Ky roman, për sllavët malazez, që s’I lidh asgjë me Ilirinë dhe Teuten mbretëreshë, ndofta është interesant dhe zbavitës. Por për ne që jemi iloro-shqipëtarë, ajo është e shtëpisë sonë dhe ne jemi shtëpia e saj. Këtu gjërat ndryshojnë. Hyn në mes kodi i nderit, I cili vjen që nga lashtësia dhe është bërë pjesë e kanunit të maleve.
Do të ishte interesante, që shtëpia botuese “Koha” te botonte dhe hidhte ne qarkullim te kater romanet e shkruar per mbretëreshen Teuta, që lexuesit të njiheshin me ta dhe t’i linin vend ngjalljes së debatit për figurën e kësaj mbretëreshe dhe trojet e popullin Ilir të asj epoke.
Me romanin“Klithma e Mbretëreshës Teutë”, botimet “Toena”Tiranë, 2015 Ajmone Sumaj Salihu , vjen pas nje përvoje se cilës i perkasin tre romane në harkun e viteve 2004-2007. Duke iu përgjigjur interesit tim, autorja ma dhuroi me autograf në panairin e librit, 2015.Nga ana ime i dhurova”Teutën e Ilirisë”.E kam lexuar dhe rilexuar romanin.Është i ndarë në 31 kapituj dhe lënda përfshin 380 faqe. Është një botim me paraqitje luksoze. Autorja, mbi bazën e koncepteve të saj artistike dhe te vlerësimeve e interpretimeve historike, ka synuar t’i japë lexuësit portretin shumëplanësh të mbretëreshës Teuta, duke nisur nga vajzëria e saj e në vijim. Në afro 100 faqet e para, paraqiten vitet e rinisë, bukuria e saj dhe një etje e dëshirë për dashuri e lumturi. Në vijim,njohja rastësore me mbretin Agron, dashuria e ndërsjelltë, fejesa e martesa, lumturia e pafund e të qënit grua mbreti, vdekja e mbretit, hipja në fronin e Ilirisë,tre vitet e mbretërimit, Lufta Iliro-Romake, humbja dhe abdikimi nga froni.
Duket që në shumë aspekte, me gjithë përpjekjet, autorja nuk i ka shpëtuar ndikimit të Martinoviqit, të cilin me siguri e ka lexuar.E them këte se ka disa piktakime. Për ngjyrën e jashtzalonshme e magjepsëse të syve të Teutës, ngjyrë deti, si lulja e irisit me blu të bukur, mitizimi i lules së Irisit të Ilirisë, si simbol e metaforë, skenat te varret e mbretërve, apo grumbujt e njerëzve në breglumë që presin të shfaqen sytë e mbretëreshës,bredhjet nëpër malet e Ilirisë si pelegrine që mbledhin lule e bimë mjekësore etj. Gjenden në të dy këta romane.
Romancierja, I njeh faktet dhe zhvillimet historike, por i ka interpretuar ashtu si ja ka dashur menyra dhe ideja e paraqitjes së figurës së mbretëreshës dhe metoda artistike e të shkruarit.(Kuptohet është e drejta e saj) Por duhet vënë në dukje se në një roman historik, faktet dhe ngjarjet, nuk duhen shtrembëruar, apo impostuar, ato janë gurthemeli dhe skeleti i veprës. Zotësia e autorit ështe paraqitja e tyre me artin e fjalës për të krijuar te lexuesi gjendje emocionale të tilla që ai ti përjetojë si të qënsishme gjithë sa lexon. Si shembull këtu mund të sjellim romanet historike të Sabri Godos, “Skënderbeu” dhe “Ali pashë Tepelena”
Së pari: ngjarjet zhvillohen në Naronë dhe Risan, kur e vërteta është ndryshe. Agroni ishte mbret i Ardianeve, kryeqyteti ishte Shkodra, me një kështjellë të fortë,thuajse e papushtueshme, e rrethuar nga tre lumenj Drini, Buna dhe Kiri, te cilen Ardianët ua kishin rrëmbyer Labeateve. Në det dilej nga lumi Buna(Barbana) që ishte e lundrueshme. Më tej ishte liqeni Labeat dhe fushat e pasura. Asnjeherë Risani, qytezë e vogël në gjirin e Kotorrit, që nuk i plotësonte kushtet hapsinore per të qëne kryeqytet i mbreterisë, nuk ka qënë i tillë .
Së dyti: mbreti Agron vdiq në fushimin e ushtarëve, pranë Shkodrës, kur ishin duke festuar fitoren e arritur në Medion. Historianët dëshmojnë se shkak u bë një ftohme(pleurit) që I bllokoi mushkritë dhe nga të pirët e tëpërt etj. Autorja e lë të jetojë Agronin shumë kohë pas betejës së Medionit, i vesh vesin e të pirit dhe bjerrjes së detyrave të tij sovrane. Më pas thur një intrigë oborri dhe e helmon mbretin me dorën e Dhimitër Farit, te nxitur nga ish gruaja Triteuta, dhe mbretëresha Teuta, ende pa u ftohur shtrati, i pergjigjet “dashurisë” dhe bie në krahët e Dhimitër Farit. Gjithsa tham, janë interesante për atë lexues që nuk e njeh historinë, krijojnë një imazh romantik, por që nuk I përgjigjet realiteteve historike të asaj kohe, si i tilë është i pa përligjur.
Në vend të një romani heroik, në rastin e dhënë, kemi nje roman sentimental. Fundekrye, një Teutë narcisiste, e dehur dhe dashuruar me bukurinë e saj,që nuk lodhet për ta bërë publike, që e dëshiron me patjetër të jetë dhe të duket e bukur për sytë e popullit dhe ushtarëve të saj, si një far magjie që ata ta duan dhe t’i besojnë. Aq sa kjo kthehet si një mani dhe fiksim i saj i përhershëm deri në çastet e fundit. Fort e ndjeshme, tërë kohën është e etur per dashuri, së pari me një bashkvendës, në Naronë, Gramosin , Bardhylin, me mbretin Agron dhe pastaj flirtimi me Dhimiter Farin, që në gjallje të mbretit Agron.Janë të rralla faqet ku lexuesi të mos gjejë përsiatje nostalgji dashurore dhe narcisiste. Retorikat e vëna në gojë të saj, në këtë sfond, për lavdinë e Ilirisë dhe amanetin e mbretit Agron, janë të zbehta dhe nuk e bindin lexuesin se kjo është ajo Teuta, mbretëresha, trime, e vendosur, shtetare që merr në sy rrezikun dhe lufton për Ilirinë, ashtu si na e përcjell historia.
Autorja nuk i hyn mundimit të paraqitjes së betejave, ndofta nga njohja e pamjaftueshme e formacioneve, teknikave dhe përballjes, të luftërave të asaj kohe, perveç rastit te Korkyrës, por na i sjell ato si jehonë nëpërmjet lajmetarëve apo letrave nga fronti I luftimeve. Pergjithësisht, në roman, mungon veprimi, lëvizja, aksioni. I jepet shumë vend sentimenteve dashurore dhe ndijimeve e perjetimeve spirituale që gjejnë vend në çdo kapitull. Klithja e mbretëreshës Teutë eshtë klithje dashurie!
Mendoj se në roman Dhimitër Farit, i është dhënë më tepër vend ngasa i takon, princi Skerdilaid del i paplotë kurse Triteuta jepet gati si karikaturë, intrigante, ambicioze, xheloze, perverse, që përdor trupin e saj për të arritur qëllimet.
Kazus beli I Luftë së Parë Iloro-romake ishte vrasja e ambasadorëve romakë, në det, kur ishin duke u kthyer ne Romë.Burimet historike, thonë se njeri prej tyre arrogant dhe mendjemadh e fyeu mbretëreshën në nderin dhe dinjitetin e saj.Një situatë dramatike. Ajo u fye rëndë dhe urdheroi të vriteshin. Ky ishte shkaku. Por sido qoftë, kjo luftë do të shpërthente , ishte synimi romak per ekspansionin në lindje, kryeura ishte Iliria. Autorja e ka dhënë përciptazi takimin dhe jep një alternativë tjetër, gjithsesi të pranueshme, qe Roma, vuri vetë njerëz për t’i vrarë.
Së treti: fati i Teutës, që pas humbjes së luftës me romakët dhe dorëheqjes nga froni, kur nga frika se mund të binte Shkodra në dorë të romakëve, mori arratinë me pak oborrtarë e u transferua nga Shkodra në Risan. Pas pushtimit të Risanit nga legjionet romake, nuk dihet ç’u bë. Historia hesht. Për autoren , ashtu si edhe te Martinoviqi, ajo merr malet si pelegrine. Si të tillë e paraqet autorja në hapje të romanit duke kundruar nga larg qytetin e Risanit, tashmë nën sundimin romak dhe ashtu në mbyllje të romanit, fillikate, me metaforën e shqiponjës që merr fluturimin drejt qiellit.
Autores së romanit i duhet t’i japim vlerësimin që i takon për gjuhën e pasur dhe të pastër, figuracionin, metaforat e simbolet, analizat dhe paraqitjen e gjendjeve shpirtërore të personazheve, por me parapëlqimin për disa ksilema, shpesh arrin në inflacionin e përdorimit të tyre.
Romancierja Mira Meksi, e ka trajtuarTeutën në një këndvështrim të saj, ku thuren legjendat, besimet, totemet dhe spiritizmi me historinë, por ku legjendat dhe kujtesa prevalon mbi historinë. Një analizë te plote ketij romani ia ka bërë në pasthënie Shpëtim Doda dhe unë nuk dua të ndalem në të.Për mua si lexues, pavarësisht nga stili dhe mjeshtëria shkrimore, për të cilën kjo autore është e afirmuar, atje nuk gjejme Teuten që presim të gjejmë.
Të vijmë te rrëfimi vetjak. Romanin me titull “Teuta e Ilirisë”, e publikova (si një roman në proces krijimi) disa krerë te “Fjala e Lire” të F.Terziut, por lexuesi mund ta gjejë të plotë në portalin elektronik te “Kosovari media”(gjej rastin të falnderoj zotrinjtë Fatmir Terziu dhe Muhamet Hoxhaj), që i dhanë hapsirë mediatike. Libri u publikua dhe ribotua me tirazh modest, nga shtëpia botuese “Vllamasi” më 2015 dhe u shpërnda në libraritë e Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës. Tashme ai nuk gjendet më në treg.
Katër romane për një personazh historik, nuk janë pak. Në të katra, lexuesi do të gjejë një Teutë relativisht të ndryshme nga ajo e romanit tjetër, por gjithsesi, ajo është teuta me lavdinë dhe mjerimin e saj, Teutën njerëzore me vetitë dhe veset, ëndërrat dhe zhgjëndrrat, arritjet dhe zhgënjimet, synimet dhe dështimet, me një fund në dukje të palavdishëm por që e bëri pjesë të historisë dhe kujtesës iliro-shqiptare.
Pyetja shtrohet: pas leximit, si pasardhës të Ilirëve a na bën të ndjehemi krenarë paraqitja romanore e mbretëreshës Teuta? Këtë duhet ta thotë lexuesi.
Është rasti që këtu të parashtroj me objektivitet, pa e vënë veten në pozitën e historianit, disa interpretime, tregues e të dhëna historike për figurën dhe personalitetin e Teutës mbështetur në burimet e shkruara të historianëve të lashtësisë. Që janë disi ndryshe nga vlerësime shpesh subjektive e dashakeqëse si ato të historianit grek filoromak Polibit, apo sipërore, idealizuese dhe romantike, që i bëhen në shumë shkrime kushtuar figurës së saj.
Kush ishte Teuta? Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme historike, apo të dhënave të pjesëshme, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të mbështetemi te arsyetimi deduktiv,mbi bazën e ngjarjeve,zhvillimeve historike dhe formacionin shoqëroro-historik të asaj kohe të largët, me synim që për të arritur te personaliteti i saj, nga e pjesëshmja të arrijmë te e tëra. Emri i saj ishte Teuta por edhe një motërzim tjetërTefta. Janë përdorur edhe njeri edhe tjetri. le të kujtojmë Tefta Tashko-Koçon, por më së shumti është parapëlqyer Teuta, që është edhe mbizotërues. Mund të përllogaritet përafërsisht që ajo ka lindur rreth vitit 268-267 para erës së re. Për nga përkatësia fisnore, duhet të jetë nga fisi ilir i ardianëve ose daorsëve, ngaqë kështjella dhe qyteti i Rizonit,(në lindje të pjesës fundore të gjirit të Kotorrit të sotëm në Mal të Zi) ku ajo kishte selinë prindërore, gjendej në tokat e këtyre fiseve. Është e kuptueshme që ajo i përkiste njerës prej familjeve më të shquara të aristokracisë fisnore, me pasuri, prona, gjë e kamje. Kjo, ngaqë martesat e asaj kohe, veç pëlqimeve dhe zgjedhjeve vetjake, kishin edhe karakter politik për të lidhur miqësi dhe aleanca. Nusja shpinte pajë edhe troje apo krahina të tëra, që i bashkoheshin mbretërisë, por që të ardhurat administroheshin prej saj, për të patur njëfar pavarësie ekonomike. Nuk bën përjashtim këtu as martesa e Agronit. Thuhet se ishte me bukuri të rrallë. Duhet ta besojmë, përderisa ajo u zgjodh për bashkëshorte nga princi trashëgimtar i mbretit Pleurat, Agroni. Si vajza e madhe e një familje pa djem,(mund të supozohet se ishin tri motra:Teuta, Diteuta dhe Triteuta) ajo u ushtrua si të ishte djalë, kalëronte, delte në gjueti dhe përdorte harkun dhe shpatën, duke formuar një trup prej atleteje. Ajo ishte fatlume, përveçse e bukur, dallohej për zgjuarësi, ishte femër krenare, dinjitoze, e vendosur dhe trime.Si bijë e një dere të fisme, ajo kishte marrë arsimin e kohës.Historianët thonë se ajo dërgonte dhe merrte letra. Këto veti bënë që, ajo të ishte idealiste dhe me synime në jetë. Me Agronin, ajo jetoi pak a shumë rreth 18-19 vite, në kohën që ai ishte mbret i Ilirisë, me kryeqendër Shkodrën.
Me natyrën e saj kurajoze dhe të mençur, Teuta, me siguri përzihej dhe merrte pjesë qoftë edhe jo drejtpërdrejt në qeverisjen dhe drejtimin e shtetit, duke qënë këshilltare e të shoqit për politikat dhe synimet e tij për një Iliri të madhe. Kjo kohë ishte e mjaftueshme për të që të njihte mekanizmin e ngatërruar të drejtimit të mbretërisë, interesat, politikat, dredhitë , intrigat dhe forcat mbështetëse e kundërshtuese, që të krijonte bindjen se ajo mund të mbretëronte e të drejtonte njësoj si burrat. Ishte grua ambicioze, që e dëshironte pushtetin dhe luftonte për ta zotëruar atë.
Nga martesa Teuta nuk pati fëmijë. Si gjithë mbretërit e kohës, Agroni që të kishte trshëgimtar të fronit, u martua së dyti, me motrën e Teutës, që quhej Triteuta. Na lejohet të hamendësojmë se Agroni e ka bërë këtë zgjedhje për të ruajtur e forcuar raportet miqësore, me fiset e ilirisë veriore, ose për të patur mirkuptimin e Teutës dhe për të shmangur xhelozitë dhe zënkat që janë të zakonshme midis shemrave. Po të nisemi nga zhvillimi i ngjarjeve pasardhëse, Triteuta, ngjante me të motrën nga bukuria, por ndryshe nga e motra kishte tjetër natyrë, më e qetë, e përmbajtur, pa prirje për tu përzier në politikë dhe punët e shtetit. Kjo natyrë e saj, ndofta u bë shkak që pas vdekjes së Agronit, të bjerë pre e intrigave të gjeneralit Dhimitër Fari dhe të martohet me të.Me Agronin, ajo lindi një djalë që e quajtën Pin(ose Pineus) dhe iu përkushtua familjes dhe rritjes së të birit, që ishte princi trashëgimtar. Ajo kënaqej me të qënit e saj”Nënë mbretëreshë”.
Teuta mbretëreshë. Mbreti Agron, për të arritur synimet e tij politike,që të zgjeronte më në jugë shtetin e vet(përtej lumit Vjosë) krijoi një flotë të fuqishme me mbi njëqind anije të tipit të famshëm liburn dhe ushtri që i kapërcente dhjetë mijë ushtarë. Flota ilire u bë sunduese në Adriatik. Për të patur shpinën të sigurtë në lindje, bëri aleancë me mbretin Dhimitër II të Maqedonisë, i cili në këmbim të veprimeve ushtarake për çlirimin e qytetit Medion të Akarnanisë nga Etolianët, i linte Ilirisë dorë të lirë në Adriatik dhe Jon. Agroni e sulmoi dhe e nxori Medionin nga rrethimi duke arritur një fitore të bujshme në tokat greke. Pak dit pas kësaj fitoreje, pasi ishin kthyer nga lufta në Shkodër Agroni që ishte duke festuar fitoren në lëmin posht Shkodrës, u sëmur nga pleuriti dhe vdiq papritur. Pas vdekjes së Pirros së Epirit, kjo ishte humbja më e madhe e Ilirisë.
Froni mbeti bosh. Në oborrin mbretëror u krijua pështjellim. Trashëgimtari, Pini, ishte fëmijë, një mbret që nuk mund të mbretëronte. Në linjë mashkullore mtonjësi i dytë ishte princi Skerdilaid, vëllai i Agronit, por sipas së drejtës së trashëgimisë ai nuk mund të shpallej mbret, sepse Agroni kishte lënë trashëgimtar. Mbetej që të caktohej një mëkëmbës deri sa mbreti të rritej. Nënës së mbretit, Triteutës, i mungonin vetitë qeverisëse, prandaj edhe po ta dëshironte, ajo nuk do të pranohej që të ishte mëkëmbëse. Teuta e shfrytëzoi gjendjen e krijuar, që si gruaja e parë e mbretit të vdekur, të shpallej mëkëmbëse e thjeshtrit. E drejta e trashëgimit dhe ajo zakonore e lejonin që një grua të shpallej mekëmbëse apo qoftë edhe mbretëreshë. Teuta ndërkohë përdori gjithë ndikimin e saj, që të bindte pleqësinë për aftësitë e saj qeverisëse, dha e mori premtime në antarët e pleqësisë të quajtur “Miqtë e Mbretit” dhe siguroi përkrahjen e Skerdilaidit, i cili kishte ndikim në parinë Ardiane dhe pronarët e mëdhenj të tokave. Ajo i bindi ata se do të ruante dhe forconte shtetin e trashëguar, por do të luftonte për arritjen e ëndrrës së Agronit, për Ilirinë e madhe e të njësuar. Kjo do të thoshte më shumë hapësira,më shumë prona e skllevër, më shumë pasuri e pushtet. Kshilli familjar dhe i miqve, e shpalli Teutën mëkëmbëse të mbretit Pin. Ajo tashmë ishte mbretëreshë e Ilirisë.
Veprimtaritë dhe arritjet e mbretëreshës Teuta. Për të qeverisur,Teuta krijoi këshillin e të urtëve, që ndryshe quhej “Miqtë e mbretit”, prej tyre u caktuan dinjitarët e lartë të shtetit, në ngjashmëri me ministrat në qeveritë e ditëve tona. Në krye të ushtrisë vendosi Skerdilaidin, por duke ruajtur për vete të drejtën e komandantes së përgjithshme, që shpallte luftën dhe miratonte paqen. Një e drejtë mbretërore e kohës.
Në politikën e brendshme dhe të jashtme, iu përmbajt asaj të paracaktuar nga mbreti Agron: aleancë me Maqedoninë, (që ishte mbretëria më e fuqishme e kohës në siujdhesën ilirike), qëndrim të kujdesëshëm ndaj Romës, fuqizim të ushtrisë dhe flotës, çlirim nga sundimi grek dhe vënie nën kontroll e bashkimin me mbretërinë e qyteteve bregdetare të Dyrrahut, Apollonisë dhe ujdhesës strategjike veriperndimore të Isës dalmate ,që ishte koloni greke, por kontrollonte Adriatikun verior kundruall brigjeve italike. Qëllimi ishte që Adriatiku të kontrollohej dhe të mbetej thjesht një det i brendshëm ilir. Synimi tjetër strategjik ishte zgjerimi në jugë,duke dalë jashtë kufijve të shtetit, shkëputjen e Epirit nga aleanca Etolo-Ahejase (Greke) detyrimi i Epirit për tu lidhur në aleancë me mbretërinë ilire dhe vendosjen e kufirit të ilirisë drejtpërsëdrejti me tokat greke deri në gjirin e Ambrakisë. Marrja e ujdhesës së Korkyrës, shihej si një mundësi strategjike për sigurinë e jugut të Ilirisë. Siç shihet ishin synime ambicioze, të cilit iu përkushtua tërësisht dhe e bëri qëllim të jetës së saj. Arritja e tij do të krijonte kushtet e krijimit të Ilirisë së Madhe dhe do ta bënte Ilirinë fuqinë më të madhe e më të fuqishme të rajonit.
Për të arritur këto synime, Teuta u tregua një mbretëreshë jo vetëm autoritare por edhe reformatore. Forcoi pushtetin qendror dhe u pakësoi të drejtat vendimmarrëse krerëve të fiseve të mëdhenj që ishin pjesë e mbretërisë duke i bërë ata më të varur, vuri nën kontroll prerjen dhe qarkullimin e monedhave në sasi të mjaftueshme e metale me vlerë për të siguruar tregëtinë dhe qarkullimin e mallrave, shpalli monopolin mbretëror mbi prodhimin dhe shpërndarjen e kripës dhe shfrytëzimin e minierave të arit, argjendit, hekurit dhe bakrit, ku angazhoi një numër të madh skllevërish. Për nevojat e luftës, ngriti puntoritë për prodhimin e anijeve të famshme“Liburne”, nxiti prodhimin e armëve dhe pajisjeve për ushtrinë, zejtarinë dhe manifakturën dhe gjallëroi jetën ekonomike të qyteteve, vuri kontrollin mbi eksportin e drithrave, siguroi rrugët e brendshme për të mbrojtur tregtarët nga kusaria etj.
Në respekt të një tradite të vjetër,Teuta lejoi dhe nuk e ndaloi veprimtarinë e piratëve ilirë në detin Adriatik. Anijet pirate të ilirëve, sidomos ato të liburnëve dhe labeatëve, bënin zullume jo vetëm në Adriatik por edhe thellë në jon në brigjet greke, bile edhe në detin e Libisë. Pre e tyre ishin kryesisht anije tregtare të popujve fqinjë, përfshi edhe ato romake. Siç do ta shohim ,kjo nuk mbeti pa pasoja.
Për të krijuar një ide për gjithësa u tha më sipër, na ndihmon kronika e shkurtër e veprimtarisë së Teutës gjatë tre viteve të mbretërimit të saj:
Viti 231 p.e.r. Aleanca me Maqedoninë,qëllimi: të siguronte krahun lindor nga rreziku maqedonas dhe të zbriste në jugë të Ilirisë, në Epir,për të krijuar një shtet të madh që të përfshinte dhe Epirin.
-Lufta kundër Etolisë dhe Akaisë që kishin rrethuar qytetin Medion të Akarnanisë, aleate e Maqedonisë. Sulmi nën drejtimin e Agronit, me 100 anije dhe 5000 luftëtarë. Fitorja në Medion.Fitorja pati jehonë të madhe pasi etolët kishin ushtrinë më të fortë të greqisë. Qëllimi ishte ndarja dhe izolimi i Epirit nga bota greke.
-Vdekja e Agronit disa ditë pas fitores nga pleuriti.
Viti 230 p.e.r. Teuta u shpall mbretëreshë.
-U ruajt aleanca me Maqedoninë. Qëllimi:krijimi i një shteti të fuqishëm ilir nga Narona në veri deri në gjirin e Ambrakisë në jugë. Pengesa ishte Epiri. Teuta urdhëroi luftën kundër Epirit si aleat i Etolëve dhe Ahejve. Angazhimi I flotës dhe këmbësorisë tokësore nën komandën e Skerdilaidit. Pushtimi I Foenikes, kryeqytet i Epirit. U nënshkrua paqja me Epirin dhe ai, së toku me Akarnaninë u bënë aleatë të mbretërisë ilire.
-U arrit shkëputja e Epirit nga Etolët, aleanca me akarnanët bëri të mundur krijimin e një kufiri të largët midis Lidhjes Greke dhe shtetit Ilir.
Viti 229 p.e.r. Roma sheh me shqetsim fuqizimin e Ilirisë dhe aktet e piraterisë së saj në Adriatik. Dërgon ambasadorë te Teuta. Ajo nuk duroi arrogancën si u sollën me të, duke e fyer si grua dhe kushtin që vunë. Njeri prej tyre (Gai) që e fyeu, me urdhër të Teutës u vra në det në anijen që e shpinte në romë. Ky u bë shkak që Roma të përgatitej për luftë.
-Në pranverë:Teuta u përgatit për luftën e pritshme: qetësoi fiset që ishin shkëputur pas një sulmi të dardanëve; e shpalli anëdetin “Tokë armike” dha urdhër që të goditej çdo anije e huaj ose përpjekje për zbarkim. U përcaktuan pozicionet e rëndësishme ku mund të drejtoheshin romakët: Isa në veri, dy qytete bregdetare Dyrrahu e Apollonia dhe Korkyra në jug. Përpjekjet për pushtimin e Dyrrahut Apolonisë dhe Korkyrës dështuan, por u vunë nën rrethim dhe bllokadë.
-Lufta në Korkyrë, fitorja kundër flotës Etolo-Ahejase, pushtimi I ujdhesës së Paksosit dhe Korkyrës. Vendosja e garnizoneve ilire dhe flotës nën komandën e Dhimitër farit.
-Adriatiku u kthye në det I “Mbyllur” dalja në Mesdhe u bllokua nga flota ilire.
-Në vjeshtë: Lufta e parë Iliro-Romake. Roma sulmoi me 200 anije dhe 20 mijë legjionarë, që ishin sa dyfishi i ushtrisë dhe flotës ilire. Flota dhe ushtria drejtoheshin nga dy konsujt Albino dhe Centumalo. Në fillim flota sulmoi Korkyrën. Dhimitër Fari e tradhëtoi mbretëreshën. Dorëzoi flotën dhe ishullin,pa luftë. Forcat e këmbësorisë dhe flota romake u bashkuan në anëdetin e Apollonisë,e morën atë,pastaj në Dyrrah dhe në anëdetin verior të Dalmacisë,ku i hoqën rrethimin Isës. Me romakët, për interesat e tyre, u bashkuan edhe krerët e fiseve ilire të ultësirës bregdetare dhe prapatokave të Dyrrahut dhe Apollonisë.
-Flota e Ilirisë,e tradhëtuar dhe e shpërndarë qëllimisht nën këshillat e Dh.Farit nuk mundi të bënte qëndresë frontale. Megjithatë ushtria dhe flota bënë beteja të veçuara kundër romakëve dhe u shkaktuan humbje, më e madhja e të cilave ishte ajo e qytetit Nutria në Dalmaci.
-Teuta duke dyshuar se Shkodra mund të binte në duart e romakëve, me gardën dhe besnikët e saj, mori detin në Ulqin dhe u strehua në qytetin e Rizonit ku ishte më e sigurtë. Shkodra bëri qëndresë dhe nuk u pushtua nga romakët.
-Lufta vazhdoi gjashtë muaj. Me gjithë forcat e shumta,romakët nuk rrezikuan të hynin në rajonet e brendshme te ilirise,por pushtuan dhe vunë garnizone në bregdet dhe morën në “Mbrojte” disa fise duke krijuar një protektorat. Dhimitër Farit si shpërblim për tradhëtinë dhe shërbimet iu dhanë në qeverisje ishujt Isa, Fari, Bregu Dalmat deri në gjirin e Rizonit(sot Kotorrit)
Viti 228 p.e.r. Në pamundësi për të vazhduar luftën,pasi kishin shterrur burimet ekonomike dhe njerzore, u pranua kërkesa e Romës për paqe dhe u nis atje një dërgesë e ambasadorëve. Paqja që u arrit nën diktatin e Romës ishte nënshtruese. Nga mbretëria Ilire,mbeti pjesa nga veriu i Lezhës deri në gjirin e Rizonit, që iu la për mbretërim Pinit, u detyrua të derdhte tribute në të holla dhe të mos lundronte në jug të Lezhës me më tepër se dy anije të armatosura.
-Teuta dha dorëheqjen nga mëkëmbësia(mbretërimi), mëkëmbës i mbretit u bë Dhimitër Fari që ishte njerku i Pinit, pas martesës me Triteutën.
Pas kësaj, historia hesht dhe nuk thotë se çfar ndodhi me Teutën. Këtu mbaron edhe historia e saj, por jo e Ilirisë, që u pasua edhe nga dy luftera të tjera dhe kryengritje kundër sundimit romak.
A gaboj dhe ku gaboi Teuta? Natyrisht,në tërë këtë veprimtari të dendur, të pasur me ngjarje dhe vendimmarrje, Teuta beri edhe gabime, ndër to duhen shënuar: në fushën diplomatike, mbeti pa aleatë kur I duheshin.Kur sulmoi Roma, Maqedonia dhe Epiri nuk e ndihmuan, mbeti e vetme. Nuk qe në gjendje të tërhiqte në anën e saj Dardaninë. Bëri të pakënaqur disa nga prijsit e fiseve të mëdhenj me politikat për qëndërzimin e pushtetit dhe taksat; gaboi kur dha urdhër të vritej ambasadori romak; i dha besim dhe pushtet një ambiciozi e tradhëtari si Dhimitër Fari, gaboi kur dëgjoi këshillat e tij për copëzimin dhe ndarjen në shumë fronte të flotës dhe ushtrisë etj.
Në analizë të fundit,nuk ishin këto gabime që shkaktuan luftën me Romën dhe disfatën në këtë luftë. Roma, pas zotrimit të perëndimit dhe fitores mbi Kartagjenën kishte kohë që i kishte hedhur sytë në lindje dhe do ta bënte luftën edhe pa ato gjoja shkaqe. Pozita gjeo-politike e Ilirisë si urë midis lindjes e perëndimit, bëri që ajo të ishte objektivi strategjik i Romës si kryeurë për siujdhesën ballkanike: pushtimin e Maqedonisë,Greqisë,Trakisë,Dakisë,Bizantit dhe kalimin në Azinë e Vogël. Me gjithë qëndresën,fuqia romake ishte e papërballueshme. Ajo i arriti synimet e saj perandorake. Megjithatë iliria qëndroi, Romës iu deshën tre luftra për afro dyzet vjet që ta nënshtronte, deri sa konsulli Paul Emili, rrënoi,vidhisi e dogji shtatdhjet qytete. Edhe më pas shpirti liridashës ilir nuk u mposht dhe vijuan kryengritjet e njëpasnjëshme.
Teuta u dha emrin e saj viteve që sundoi dhe drejtoi, ajo bëri histori dhe mbeti në histori.
Gjithsa përmenda, janë bërë pjesë e rrëfimit romanor ne librin e shkruar prej meje me titullin “Teuta e Ilirise”, lexuesi do t’i gjejë aty të shprehura me mjetet e artit.
Një analizë të plotë dhe profesionale, romanit “Teuta e Ilirisë” ia ka bërë shkrimtari dhe kritku I njohur Vladimir Muça në studimin”Deheroizmi letrar dhe kujtesat historike( një esse në vend të një përshëndetje për romanin “Teuta e Ilirisë” të prof. dr. Resmi Osmanit), perfshirë ne librin “Unë mendoj”, Tiranë 2017.
Po jap një fragment nga ky shkrim:”Për të dhënë përmasat e duhura të ngjarjeve dhe fenomeeve,Resmi Osmani eksploron mistere të kujtesës njerëzore, duke I mbarsur në një univers letrar lakmueshëm. Ky univers na shfaqet në individualitete në formatin e një arti gjithpërfshirës, me një dramacitet, befasi, denduri mendimesh, qëllimesh, që reflektohen në çdo kapitull të këtij romani të llojit historik. Çdo gjë, dramatikisht zhvillohet në tri linja:idilike-shoqërore-tragjike.
Ai me skrupulozitet, këto tri linja I ka zhvilluar në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën, si apoteoza, që e kanë ndjekur popullin shekull pas shekulli.
Alkimia letrao-artistike e lëtij romani, në këto zhvillime, prodhon risi dhe zgjidh mjaft enigma të mbuluara qëlimisht me pluhurin e harresës.
Narracioni letrar I Osmanit, ngulmon në shpërbërjen e këtij pluhuri dhe ndryshku historik, duke na dhënë ravgimet shoqërore të vizioneve shtetformuese që në lashtësi, lakmuar sot nga shtete që atëhere vegjetonin ne kasolle, “majë pemëve “,apo në guva.
Në fund të kësaj trajtese, lexuesit, me të drejtë mund t’I lindë pyetja: Përse Resmi Osmani duhet te beje vlerësime për romanet e shkruar per mbretëreshë Teuten nga tre autorë të tjerë, nderkohë që edhe ai vetë është autor i një romani të tillë? Kam pritur katër vjet, që ndonjë kritik ta ndermerrte këtë studim Kjo nuk ndodhi. Kritikut i duhet të lexojë e shqyrtojë afro 1500 faqe, gjë që me gjendjen e letrave në ditët tona, është gati një pamundësi, zor të ndodhë, ndërsa unë për interesa letrare e realizova, pa pretenduar se në gjithçka që parashtrova kam të drejtë. Thjesht, është ashtu siç unë e mendoj.
Tiranë, 2017-2019.