2011-03-05

Intimitetet e "ngujuara" të Skënderbeut

Në Krujë, në qytetin që çdo ditë e më shumë humbet shkëlqimin e tij historik

Përulja e tij në prehrin e së ëmës është ndoshta një nga momentet më emocionuese për një vizitor që endet në Muzeun Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" në qytetin e Krujës. Nëse një pjesë e detajeve nga jeta e një prej personaliteteve më të mëdha të historisë së Ballkanit mund të gjenden në muze të ndryshme të botës, intimitetet nga jeta e tij, mund t\‘i gjesh vetëm këtu në këtë muze që shtrihet i qetë diku në anën perëndimore të këtij qyteti të vogël. Studioja e kalorësit e improvizuar vite më pas, kambana origjinale që njoftoi krutanët për vdekjen e tij në Lezhë, qëndron prej vitesh në një kënd të këtij muzeu. Në tavolinën e drunjtë, më këmbë të mëdha, sipër së cilës janë vendosur disa dokumente, disa vizitorë të huaj vazhdojnë të hulumtojnë duke dashur të përfytyrojnë kohët kur strategu i Evropës mbante lidhje diplomatike me mjaft shtete si: Franca, Gjermania, Austria Italia, Greqia etj. "Skënderbeu nuk ishte thjesht një strateg dhe ushtarak, por edhe një politikan, një diplomat për kohën", u thotë cicëroni çiftit francez që këmbëngul të dijë për domethënien e atyre fletëve. Teksa ecën në labirintin e shtruar me një tapet jeshil, para teje shfaqet gjithë jeta e improvizuar e njeriut për të cilin studiuesit kudo në botë vazhdojnë të bëjnë kërkime. Disa hapa më tej një bibliotekë e madhe ruan gjithë veprat e shkruara për të. Mbi 1000 libra të gjinive të ndryshme në 73 vende të botës në 25 gjuhë tregojnë histori për të. Pothuajse çdo vit, një sirtar i kësaj biblioteke do të hapet për t\‘u vendosur tituj të rinj librash. Eshtë si një joshje për studiuesit, thotë Mehdi Hafizi, drejtor i këtij muzeu, që vazhdon të riprodhojë historinë që fshihet kudo në këto mure sipas mënyrës së tij. Ky burrë që administron një nga qendrat më të rëndësishme të historinë sonë, ndien kudo në trup çdo fjali që thotë për këtë figurë historike. Ai nuk mund të lërë kurrsesi të largohesh nga ky muze pa shkelur në verandën e madhe nga ku shtrihet trishtueshëm Kruja, 608 metra mbi nivelin e detit, dhe nga ku vite më parë Skënderbeu shihte ardhjen e ushtrive turke. Hafizi, që flet turqishten në mënyrë të shkëlqyer, i ka shpjeguar betejat e këtij qyteti edhe para vizitorëve turq që nuk kanë munguar në këtë muze. Historia është e njëjta për të. Dhe çdo ditë që e përsërit atë aq më tepër ndien dëshirën për ta përsëritur sërish. Për të është bukur t\‘u tregosh të huajve historinë e vendit tënd, të krenohesh me personazhet që tashmë janë thjesht ikona të vendosura në muze. Ai e di se në fytyrën e ndonjë të huaji ka pikasur shpesh dëshirën që kjo histori të ishte e tyre, ka parë sytë e ngazëllyer të një anglezeje ndërsa shihte sallën e rezistencës, e cila dëshmon për luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut. Ajo grua e imët do të kishte dashur që ky burrë i madh të ishte paraardhësi i saj, që t\‘u tregonte fëmijëve apo qoftë edhe këtij drejtori që dje luante rolin e një cicëroni se "kjo është historia ime".


Historia mbaroi...


Historia mbaron aty ndërsa zbret shkallët e lehta të këtij muzeu historik të ndërtuar gati 25 vjet më parë. Zëri i një gruaje rreth të 60-ave të veshur me veshjet karakteristike të këtij qyteti që të fton të blesh disa nga mbulesat e saj të punuara me grep, të kujton se tashmë historia ishte vetëm aty, në ato minuta apo orë endjeje brenda mureve të muzeut. Ndërsa jashtë, fytyra e kësaj gruaje të tregon realitetin e këtij qyteti. Drejtori i muzeut, Mehdi Hafizi, thotë se ka një disnivel midis asaj çfarë ofrohet në muze nga ana kulturore dhe historike dhe realitetit me të cilët turistët e huaj përballen sapo zbresin nga muzeu në pazarin karakteristik të qytetit. Ndërsa ai kërkon që të rishihet ky kontrast, i cili sjell një imazh jo të mirë te vizitorët e huaj që udhëtojnë nga larg për të parë këtë qytet, kjo grua që të fton të blesh mbulesa mund të jetë lodhur duke ruajtur historinë. Ajo kërkon që ato perde apo centro të punuara me aq kujdes të mund të blihen në mënyrë që ekonomia e saj të ndryshojë disi dhe nuk mund të mendojë më gjatë se zëri i saj mund të dëmtojë impresionet që një vizitor mund të ketë marrë nga historia e dëgjuar në muze. Rrugëtimi në pazarin karakteristik të qytetit pothuajse nuk ka ndryshuar nga ai rrugëtim, që mund të keni bërë vite më parë në këtë qytet. Gjithë ajo strukturë historike vazhdon të ruhet nga këta banorë që janë të vetëm në iniciativën e tyre për të ruajtur historinë. Megjithëse një pjesë e tyre pranojnë se të ardhurat që mund të marrin nga shitja e objekteve tashmë është ulur dhe nuk mund të jetë mjet jetese. Suporti apo mbështetja që këta shitës të vegjël kanë nga ana e shtetit është shumë e vogël, ndërsa rrugët karakteristike të këtij pazari vazhdojnë të kenë të njëjtin shkëlqim, falë kujdesit të tyre të vazhdueshëm. Disa gra pak më tej, mësojnë në tezgjah një vajzë të vogël. Në mënyrë instiktive, ato e prodhojnë historinë duke u kujdesur për to, të bindura se një ditë gjërat do të ndryshojnë.


Asnjë gjurmë


Historianët vazhdojnë të nxjerrin në dritë fakte interesante nga qyteti ku mendohet se ka pasur vendbanim ilir që në shek III para lindjes së Krishtit. Epiqendra e shtetit të parë feudal shqiptar 1190-1215 duket se nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. Ky qytet që mund të ishte kthyer në një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore, ka ndoshta sot një nga pamjet e zakonshme të provincave tona. Perdet e vendosura në shtëpitë e krutaneve që vazhdojnë të kenë ende ato të qëndisura me dorë janë ndoshta të vetmet që tregojnë traditën e këtij qyteti. Qendra e qytetit që duhet të ishte një nga më të zhvilluarat për vetë turistët që mbërrijnë çdo ditë aty nuk ka asgjë që të tregojë se pak më tej ndodhet një nga kalatë më historike në Ballkan. Ndërsa ecën në rrugët e Krujës nuk mund të gjesh asnjë shënim lidhur me betejat që mund të jenë bërë aty, asnjë gjurmë që të çojë në një nga muzetë më të mëdhenj etnografik në Shqipëri, apo ndonjë detaj që të tregojë se dikur këtu ka jetuar një prej personaliteteve më të njohura të Ballkanit, një personalitet që ende sot përmendet në sallonet diplomatike në botë dhe që është totemi shpirtëror i shqiptarëve në shekuj.

Apolinier, netët në shtëpinë e Konicës

"Enciklopedia që ecte në këmbë". 57 minutat që rrëfejnë jetën e Faik Konicës, sipas regjisorit Kujtim Gjonaj

"Kjo është biblioteka ime....". Në katin e dytë të shtëpisë së Faik Konicës në Londër, poeti i njohur francez, Giom Apolinier, do të ishte një nga mysafirët e përhershëm. Qëkur u takuan për herë të parë, në një ceremoni për kulturën në Paris, ku Konica si njohës i mirë i gjuhës frënge do të jepte në frëngjisht para elitës së zgjedhur pariziane edhe konceptet e tij për letërsinë, miqësia e tyre sa vinte e bëhej më e thellë. Apolinier e dinte se nëse ky shqiptar kaq i përkushtuar ndaj atdheut të vet, do t\‘i çonte deri në fund ato dhjetëra fletë të mbushura me letërsi, të cilat gjithnjë i linte në gjysmë, atëherë ai mund të kishte qenë një shkrimtar i mirë. Por kështu, ishte ai, Konica, një nga emrat më të njohur të kulturës shqiptare, që jetën e tij e shtriu jashtë hapësirave të Shqipërisë, por që në çdo moment kontribuoi për vendin e tij. "Ai ishte një enciklopedi gjithnjë në lëvizje", thotë Apolinier, në kujtimet për mikun shqiptar. Personazhi aq interesant i letërsisë franceze do të ndante me Konicën mendime të përbashkëta për shumë çështje të atyre viteve, gjë që do ta bënte miqësinë e tyre të ishte e vazhdueshme. Nëse kërkon arkivin e lënë pas nga Konica, ende ruhen korrespodencat që dy emrat e mëdhenj të letërsisë së Francës dhe Shqipërisë shkëmbenin me njëri-tjetrin. "Unë e adhuroj Stendalin, mund t\‘i lexoj sërish veprat e tij", i thoshte në një letër Konica. Ndërsa Apolinier nuk denjonte të shprehte habi për këtë burrë me vitalitet të plotë që e fliste frëngjishten sikur të ishte një francez. Por takimet dhe historia e tij me Apolinier, janë vetëm një pjesë e jetës së Faik Konicës. Jeta e tij në shërbim të çështjes shqiptare është e mbushur me aq shumë histori, të cilat nuk mund të rrëfehen në një dokumentar të vetëm. Në 57 minuta dje, regjisori Kujtim Gjonaj solli në ekranin e Festivalit të 12-të të Filmit jetën e Konicës, nëpërmjet një udhëtimi që ai vetë ka bërë për të ndjekur gjurmët e tij. Një udhëtim që nis nga Konica, vendi ku lindi e deri në Boston, Vjenë, apo SHBA, ku gjendet një pjesë e mirë e jetës së Konicës.

Enigmat

A mund të thuhet gjithçka në 57 minuta për këtë burrë që mban me aq finesë cigaren në dorën e tij të djathtë? Kjo ishte vetëm ajo çfarë mund të sillte regjisori Gjonaj, që nuk është pak nga ajo çfarë ne dimë deri tani për Konicën. Një dokumentar ku mund të shohësh një pjesë të jetës të këtij burri kaq pasionant, që diti të ishte një personalitet i rrallë i shqiptarëve. Kujtime që vijnë nëpërmjet bashkëkohësve, apo dokumenteve që gjenden në arkivat e Vjenës, apo Bostonit. Por të gjitha këto kujtime kaq të rralla nuk mund të japin deri në fund të fshehtat e tij. Enigmat e një burri që preferoi të jetonte gjithnjë vetëm, të ishte një pasionant i letrave, por dhe i kafeneve. Jeta e tij ishte kaq shumë e çuditshme. Emri i tij mund të përmendej në faqet e para të gazetës "Albania", duke trumbetuar çështjen shqiptare, ndërsa në mbrëmje Konicës i pëlqente të kalonte kohët në shtëpinë e tij ku kishte ngritur dhe një kotec me pula. "Në oborrin përpara shtëpisë, Konica mbante edhe pula. Atij i pëlqente të kishte në vendin ku jetonte dhe imazhe të së kaluarës. Kotecet janë vetëm një pjesë e gjërave të çuditshme që ndodhin në jetën e Konicës", thotë për të, kritiku kosovar, Bejtulla Destani.

Rruga "Albania"

Rruga e njohur e shqiptarëve që ndodhet në Londër ende vazhdon të komentohet nga banorët e asaj lagjeje. Në banesën dykatëshe, e cila ka shërbyer për të nxjerrë në treg gazetën "Albania" të Konicës, ende vazhdojnë të hyjnë vizitorë. Banorët përreth nuk e kanë të vështirë të shpjegojnë historinë e asaj ndërtese të thjeshtë, por kaq domethënëse për shqiptarët. Një incident që Konicës i ka ndodhur në një nga ato mbrëmjet kur kthehej nga puna në shtëpi, ende tregohet nga banorët. "Ndërsa kthehej natën vonë për në shtëpi, Konica ndalohet nga një polic. Ai e pyet se nga është, Konica i përgjigjet "Albania"? Ku jeton? Në rrugën "Albania", thotë ai. Ku punon e pyet polici?, "Në Albania", thotë ai. Polici e merr si një shaka dhe Konicës i duhet të kalojë një natë në polici. Kjo rrugë e pagëzuar me emrin e një prej vendeve me historinë ndoshta më të dhimbshme në Ballkan, vazhdon të jetojë bashkë me historitë në Londër, në vendin nga ku trupi elegant dhe i imët i Konicës luftonte bashkë me miqtë për të trumbetuar idetë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Peter Minar, një personazh që e ka njohur nga afër Konicës, rrëfen në dokumentar mbresa nga vizita në gazetën "Albania". Ai mban mend mirë dhe kohët kur Konica nuk shkonte aq mirë me mikun e tij, Nolin. "Konica më mësoi të doja librat", thotë ai, duke treguar se i kërkonte shqiptarit shumë libra hua. Minar është i vetmi bashkëkohës i mbetur gjallë nga koha e artë e shqiptarëve që në këtë rrugë tashmë të heshtur të Londrës kërkonin të provokonin për të mbrojtur identitetin e tyre.

Box

Firma e Konicës, pranë asaj të Henri Miller e Hemingway

Në kafenenë që sot nuk ka ndryshuar asgjë nga imazhi i atyre viteve, ku njerëz të njohur të letërsisë vinin për të kaluar kohët duke pirë pijet e tyre të preferuara, Konica kalonte një pjesë të kohës kur ndodhej në Paris. Në murin e kësaj kafeneje përkrah firmave të shkrimtarëve të njohur si Henri Miller, Ernest Hemingway ndodhet edhe firma e Faik Konicës. Regjisori Gjonaj kishte ndaluar me kamerën e tij aty, për të sjellë këtë detaj interesant nga jeta e personalitetit të njohur shqiptar. Konica nuk gjendet vetëm në arkivat e bibliotekave të mëdha, por edhe në këto bare tepër moderne të asaj kohe, ku shkrimtarët hidhnin idetë për librat e tyre të ardhshëm. Letërsia shqipe do të ketë ardhur në këto tryeza tashmë të drunjta nëpërmjet rrëfimeve të Konicës.






Divergjencat me Nolin

Faqja e parë e gazetës "Albania" për muaj me radhë do të fokusonte në qendër karikaturat e Fan Nolit. Miqësia e madhe mes dy shqiptarëve të mëdhenj që papritur u kthye në një divergjencë mes tyre ende mbetet një fakt interesant në jetën e Konicës. Biografët apo njerëzit që kanë njohur nga afër këto dy figura kërkojnë t\‘i japin edhe shpjegime të thjeshta këtyre debateve, duke u shprehur se "Noli vinte nga një familje fshatare, ndërsa Konica nga një familje aristokrate, megjithëse të dy kishin studiuar në Haward", ndërsa dikush tjetër mund të thoshte se "Noli adhuronte Bethovenin, ndërsa Konica Vagnerin". Me gjithë këto debate, të cilat në thelb kishin vetëm një gjë, çështjen shqiptare, figura e Nolit dhe Konicës vijon të vijë në ditët tona përmes kujtimeve të tjera që i bashkojnë këto dy personalitete, kujtime që gjenden në arkivat e vendeve ku ata kanë jetuar. Ja një moment interesant që vjen nga kujtimet e Nolit, kur do ta takonte për herë të parë Konicën, pas një korrespodence të gjatë letrash". E kam takuar Konicën për herë të parë në 1909-ën. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte i veshur me kostum kombëtar, me mendimin se po të dilte në gazetë me këtë veshje do të ndihmonte çështjen shqiptare. Unë shtanga. E dija që mjekra ime e dalë mode nuk u pëlqente djemve të Bostonit dhe kushedi sa do të dëfreheshin duke më parë rrugës me një burrë të veshur me fustanellë. Unë isha i shkurtër, i bëshëm. Kurse Konica i gjatë. Dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançon, por u befasova se djemtë e Bostonit e harruan mjekrën time e vështronin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella jonë, nuk ishte fustanella qesharake greke, por diçka që i ngjante himnit të skocezëve".

Por nuk janë vetëm këto kujtime të përcjella nga Noli që tregojnë se kohët e tyre nuk kanë qenë vetëm të përfshira nga divergjenca. Në prag të vdekjes, Konica lë një letër ku i shkruan Nolit se "ka lënë disa para mënjanë për të organizuar ceremoninë e varrimit sipas zakonit". Dy personalitetet treguan me jetën e tyre se nuk ishin vetëm përsos ideve ndryshe që mund të shoqëronin dhe tezave që mbrojtën në jetë, në fund të fundit mbetën dy miq të përjetshëm.

nga Alda Bardhyli:Kodet e "fshehura" të artit shqiptar

Arti nuk mund të ketë tabu. Në studion e tij prej vitesh eksperimentet janë bërë pjesë e punës së tij të vazhdueshme.

Sado i rritur të jesh në art, gjithnjë ka vend për ndryshime, për ide të reja, ashtu si pasionet në jetë. Reshat Ameti, një nga emrat më të njohur të pikturës në Maqedoni, ndihet mirë që piktura ka qenë fati i tij. Piktori, që i njeh mirë ndjesitë e këtij lloj arti, jep në një intervistë gjithçka mbi marrëdhënien e tij me pikturën. Por Ameti nuk do të qëndrojë jashtë kornizave të asaj çfarë ndodh në artin pamor brenda trojeve shqipfolëse. Ai flet për soc-realizmin, dhe për atë që ai e quan një "kod shqiptar" të krijuar në botë, duke bërë një analizë të hollë të fenomeneve më të prekshme të artit shqiptar.



Çfarë do të thotë për ju të jeni përjetësisht një piktor? Të inkuadroni jetën mes ngjyrave dhe koncepteve të ndryshme që të jep ky art?



Shpesh më parashtrohen pyetjet të tilla. S\‘ka qenë zgjedhja ime të bëhem piktor?! Kjo gjë ka ndodhur para se të vendos se me çka të merrem në jetë, thjesht kjo është pasoja e jetës, talentit... Merresh me diçka, që në hapat e para të jetës edhe ajo po ngulitet në identifikimin personal, pra zgjedhja kam bërë para se të kem një vetëdije për zgjedhjen e profesionit. Piktor lind dhe nuk bëhesh gjatë jetës, as me anë të studimit. Ndoshta kjo që them është e ngjyrosur me romantizëm, por të gjitha argumentet e deritanishme çojnë në këtë vlerësim. Shpesh po mendoj se jam i privilegjuar që të merrem dhe që realizohem në këtë botë të ngjyrave, ku jam sovran dhe i dirigjoj gjërat ashtu si ma do zemra dhe mendja dhe nuk lejoj që për hir të "kohës", "rinovimeve", "modernizmave" në artin bashkëkohor të influencohem në krijimtarinë time, pra unë jetoj në hapësirë dhe kohë dhe vepra ime duhet ta reflektojë kohën dhe hapësirën time.


A keni bërë eksperimente me artin tuaj? Ju ka ndodhur ndonjëherë të mendoni se "nuk do t\‘ia dilni dot kurrë"?

Provokimet për eksperimente janë shumë të fuqishme dhe nuk janë tabu për mua, pra kam bërë eksperimente në teknikat e shprehjes, përdorimit të materialeve të ndryshme, rërës, tekstilit, letrave të ndryshme, ngjyrave me përbërje të ndryshme kimike, por përherë nëse nuk e kam përjetuar me emocion, nuk kam vazhduar. Gjithashtu kam bërë eksperimente me artin konceptual, me artin multimedial, projekte ku gërshetohen arti muzikor, skenik dhe ai pamor... megjithatë, më i realizuar jam atëherë kur jam vërtet i sinqertë me atë që e dashuroj më tepër. Është ky pikturimi "tradicional" në pëlhurë të bardhë, në të cilën forca e provokimit është e pa krahasueshme me eksperimentet e tjera. Të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur dilema se "nuk do t\‘ia dal dot kurrë" në konceptin tim artistik, por dilemat më të mëdha kanë qenë se në çfarë kohe jetojmë, a ia vlen që një shqiptar që jeton në Maqedoni të merret me art të bukur kur asgjë rreth nesh nuk është e bukur?! Çdo gjë ka qenë e ngarkuar me probleme esenciale; klima e pa përshtatshme politike, asnjë institucion që përkujdeset vërtet për kulturën shqiptare nuk shihej në horizont diç e përshtatshme për të krijuar, por historia ka treguar se edhe në këto rrethana artisti i mirëfilltë, nëse e ka forcën e vërtet krijuese, i tejkalon të gjitha barrierat, dhe ndoshta për hir të këtyre situata ato i japin vepra më të mëdha popullit që i takon dhe botës.


Ndërsa shihja disa nga punët tuaja, vija re një romantizëm, por dhe një përpjekje për të mos e humbur realizmin në të gjitha punët. Sa e vështirë është për një piktor të përcjellë mesazhet nëpërmjet veprës së tij?


Duke u bazuar në faktin se asgjë nuk është abstrakte, nismën në pikturë e kam nga format konkrete. Më parë kam paraqitur forma gjeometrike, të cilat i plotësoja me tekstura të ndryshme, me qëllim që format gjeometrike të jenë më lirike. Ngjyrat kanë qenë në funksion të ndërlidhjes së formave mes veti, ashtu që në tërësi kompozimi të jetë në një harmoni. Kohëve të fundit kam paraqitur interes për folklorin shqiptar, duke marrë motive nga dekorimet e tekstilit të përparëseve, qilimave, xhamadanëve etj. Jam habitur nga kreativiteti dhe pasuria koloristike që i kanë përdorur stërgjyshet tona në artzanate, por, të kuptohemi, unë nuk i imitoj ato, por u jap një dimension tjetër, ku vula ime krijuese i paraqet si motiv artistik e jo si dekorim. Populli ynë ka traditë të jashtëzakonshme në artin pamor, ndaj pse të mos e shfrytëzojmë këtë thesar. Pra, burimi im për motivim është ajo tradicionalja, e pastaj nga eksperienca botëror. Pikturoj ashtu siç mendoj dhe i ndjek emocionet e mia. Ndodh që opinioni të mos i kuptojë mesazhet e mia, por ajo s\‘është aq me rëndësi sa është që piktori të ndihet vetë i realizuar në krijimtarinë e vet, të jetë i lumtur në atë që bën, e jo të ngarkohet me emocione a do ta pranojnë mirë të tjerët artin e tij...


Cila është jeta juaj në Maqedoni? Sa komod ndiheni me punën tuaj?


Më lart përmenda se në çfarë sfidash të kohës jetojmë ne shqiptarët në Maqedoni dhe diç me duket se jam bërë më imun në këto situata historike, sociale, politike... Sikur më është bërë rutinë të jetoj në situata "jo normale", duke e trajtuar atë si një përditshmëri të zakontë? Pavarësisht prej dëshirës, për shkak të antagonizmave të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, padashur shqetësimet më të mëdha kanë qenë më tepër ato politike se sa artistike? Pra, kam jetuar me një presion të madh që nuk i takonte botës të artit. Personalisht jam edhe vetë i habitur se sa mirë jam gjendur në këtë labirint jetësor dhe jam inkuadruar shumë mirë në botën e artit pamor në Maqedoni, ku qëndroj si një piktor i mirënjohur, dhe kjo situatë më jep një siguri dhe komoditet të vazhdoj edhe më tej.


Si do ta vlerësonit artin pamor në trevat shqiptare këto vite? A mund të flasim për tendenca bashkëkohore në këtë art?


Numri më i madh i popullit tonë jeton jashtë shtetit amë (në këtë jemi të parit në botë?!), në shtetet dhe sistemet e ndryshme të shoqërive të ndryshme dhe është e natyrshme që edhe sensibiliteti artistik të jetë më i larmishëm. Por, megjithatë mund të identifikohet një kod i përbashkët. Është ky individualiteti i theksuar. Nuk kemi një shkollë shqiptare, por kemi një tentativë që çdo krijues të jetë një krijues individual, pra ende nuk mund të themi "art tipik shqiptar", por mund të themi "kod tipik shqiptar". Kemi një larmi të shprehjeve artistike prej atyre klasike e deri te posmodernizmi. Tendencat për art bashkëkohor reflektohen më tepër tek artistët që e kanë prejardhjen nga shteti amë, siç është rasti me Anri Salën, si dhe organizimin dhe menaxhimin e artit nëpër botë, siç është rasti me Fatmir Velaj. Ka edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë nga Maqedonia, si Omer Kaleshi, që jeton në Paris dhe shumë kosovarë që gravitojnë nëpër Evropë. Pra, kemi një invazion të "kodit" artistik shqiptar në Evropë dhe në botë. Mund të themi se jemi një popull që zbulohet me plot kapacitete qe i kemi, pavarësisht se ku jetojmë.


Për sa i përket Shqipërisë, a mendoni se brezi i ri i piktorëve ka mundur të japë një imazh krejt tjetër nga ajo e piktorëve të realizmit socialist?

Soc-realizmi shqiptar tashmë është histori. Por edhe ai, nëse ia heqim vijën ideologjike, ka pasur cilësi artistike. Brezi i ri veç ka hyrë thellë në tendencat e reja artistike shumë origjinale, por do të ishte mirë që të kishim edhe artistë që shumë e shumë nuk kanë ndikim, por artisti të krijojë vetë tendencat artistike e jo të jetë nën ndikimin e qendrave të ndryshme artistike. Kemi pasuri të madhe në artin shqiptar, por sërish na mungon menaxhimi më i mirë, si ai institucional, ashtu edhe ai privat, se vetëm ashtu mund të prezantohemi si një popull i organizuar, i cili di t\‘i mbrojë dhe prezantojë vlerat e veta. Tani për tani më tepër kemi depërtime individuale.


Ç\‘mendoni për piktorët e brezit tuaj dhe cilat janë lidhjet tuaja me ta?

Brezi im e ka pasur këtë "fat", që të jetojë dhe të jetë dëshmitar i ndryshimeve të mëdha, si në shtetin amë - ndryshimi i sistemit politik, ashtu edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi - ndryshimi i shtetit dhe sistemi politik. Jemi formuar dhe pjekur hap pas hapi me këto ndryshime dhe kjo ka ndikuar qind për qind edhe në formatizimin tonë krijues. Por, këto tranzicione janë me plot kurthe. Besoj se një numër i mirë i brezit tim i ka tejkaluar të gjitha këto sfida. Lidhjet më të shumta i kam me piktorët nga Kosova, se me ata nga Shqipëria. Kjo nga fakti se me kosovarët kemi jetuar në një shtet të përbashkët. Por, bashkëpunimi i mirë është edhe me artistë që janë nga Shqipëria, siç është rasti me Fatmir Velaj, një personalitet i fuqishëm në botën e artin jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Gjithashtu, përpiqem që eksperiencën time në këtë lëm ta bart te brezi im, ashtu që ta kenë më "lehtë". Unë kam ndihmuar një numër të madh të artistëve pamorë, qoftë kjo në formë të këshillave, informatave, gjetjen e financave për t\‘u organizuar ekspozitë, si dhe ndikime direkte për pjesëmarrje në ndonjë eveniment artistik. Unë jam i idesë se duhet me i përkrah kolegët. Kështu e ngrit veten dhe kulturën personale. Besoj se xhelozia e theksuar në mes shqiptarëve, që ndonjëherë merr përmasa të çuditshme, infantile, duhet të jetë vetëm një histori, se vetëm me bashkëpunim mund t\‘iu dalim përballë popujve të tjerë dhe të jemi faktor serioz në botën e artit.


Për sa i përket kritikës, por edhe ekspozitave që mund të keni hapur në vende të ndryshme, cilat do të jenë komentet tuaja për to?


Kam shumë përjetime nga ekspozitat që i kam pasur, por është e pamundshme me i përcjell në këtë intervistë. Pas vendit kam lënë një numër të konsiderueshëm të ekspozitave individuale nëpër botë: Paris, Nju-Jork, Vjenë... dhe një numër jashtëzakonisht të madh të ekspozitave kolektive, kështu që jam mirë i njohur te kritika artistike. Për krijimtarinë time kanë shkruar personalitete të njohura kulturore dhe intelektuale, si për shembull nga letërsia Ismail Kadare, estetika Kadri Metaj, kritik arti V. Velickovski, Klime Korobar, publicistika Luan Rama, piktori i njohur Adem Kastrati, poeti Lulëzim Haziri etj... Dua të theksoj se, pavarësisht çka do të thotë kritika e artit ose opinioni, së pari piktori duhet t\‘i pastrojë dilemat që ndoshta i ka në vetveten. Me rëndësi është që të jetë i realizuar në atë që e bën dhe të mos ko ketojë me kritikun, por të japë "mesazhet" e veta. Unë personalisht jam i kënaqur me atë që e kanë shkruar për mua, për shkak se me shkrimet e tyre janë afruar shumë në filozofinë time artistike.


Për çfarë ka më shumë nevojë një piktor?


Uh?! Nevojat janë të shumta dhe të llojeve të ndryshme, pavarësisht nga piktori. Së pari është hapësira ku mund të krijojë. Me këtë nuk kuptohet vetëm hapësira fizike, por edhe ajo shpirtërore. Unë kam dy studio ku mund të pikturoj, që do të thotë se relativisht e kam zgjedhur problemin hapësinor, por ëndrra ime është që të kem një studio të madhe në natyrë. Me rëndësi është edhe rrethi ku graviton artisti, por besoj se ky problem në këtë botë globale është tejkaluar. Mjafton ta kesh internetin në shtëpi dhe e ke çdo informatë për artin, kështu që mund të themi se nevojat e piktorit ndryshojnë sipas kohës. Mungesë e madhe është që piktorët shqiptarë nuk kanë menaxher profesional. Është shumë vështirë që piktori ta shesë produktin, siç është "nënçmuese" që vetë t\‘ia caktojë çmimin veprës së tij...


Si do vlerësonit evoluimin e kritikës? Sa e ndjeshme është ajo sot ndaj asaj çfarë ndodh në art?


Arti pamor shqiptar ka ecur shumë më përpara se kritika e artit. Pse është ashtu? A mund ta fajësojmë sërish kohën? Që të kemi kritikë të mirëfilltë na duhen persona që janë të përgatitur mirë në këtë drejtim. Brenda natës nuk mund të krijohen kritikët e artit. Ata duhet të kalojnë disa etapa, siç është diplomimi në historinë e artit, estetika, menaxhimi artistik, që nuk i kemi nëpër institucione universitare. Pra, duhet të presim edhe pak kohë. Fatkeqësisht mund të themi se nuk kemi kritikë të mirëfilltë që mund të ndjekin ndodhitë artistike.

Të dashurosh si Remark

Vijnë në shqip letrat e dashurisë të Erich Maria Remarque

Remark ishte një burrë i pafuqishëm, si të gjithë burrat kur bien në dashuri. Ai qante nën zë, ëndërronte pafund dhe përgjërohej si fëmi para këmbëve të Marlene Dietrich, një prej yjeve të kinemasë. Një dashuri që i ngjan aq shumë një përralle romantike, ndodhet e dokumentuar në letrat që shkrimtari i ka ruajtur me kujdes. Një letërkëmbim, i cili ka qenë në librat më të shitur pas vdekjes së shkrimtarit. Ka vetëm pak kohë që ky letërkëmbim mund të lexohet edhe në shqip. Mbi 100 letra dashurie, ku shprehet qartë fuqia që kjo ndjenjë kishte tek ikona e letërsisë. Orë të tëra pa gjumë dhe trishtimi i Marlenës, gruas që robëroi shkrimtarin.


Takimi


Marlena ishte ulur e pa hante drekë së bashku me Shternbergun në restorantin "Lido", kur te tavolina u afrua një burrë i panjohur.

-Zoti Fon Shternberg? Zonjë e nderuar? Në përgjithësi nënës sime nuk i pëlqente kur i drejtoheshin dhe i flisnin njerëz të panjohur, por atë e mahniti zëri i thellë e shumë shprehës i këtij burri. Ajo vlerësoi gjithashtu tiparet e holla të fytyrës së tij, buzët seksuale dhe sytë që i kishte si të një zogu grabitqar, shikimi i të cilëve u zbut kur u përkul për ta përshëndetur.

-Më lejoni të paraqitem, Erik Maria Remark.

Nëna ime zgjati dorën, të cilën ai ia puthi me nderim. Fon Shternbergu i bëri një gjest me dorë kamerierit që të sillte edhe një karrige tjetër dhe i tha: "Dëshironi të uleni me ne?"

-Me kënaqësi, po nuk pati kundërshtim zonja e nderuar?

E mrekulluar nga sjellja e tij fisnike, nëna ime buzëqeshi dhe e ftoi të ulej, duke miratuar me kohë.

-Dukeni shumë i ri, po të mendosh që keni shkruar një nga librat më të famshëm të kohës, tha ajo duke mos ia shqitur sytë.

-Ka të ngjarë që atë libër e kam shkruar vetëm e vetëm që në një çast të bukur të dëgjoj se si i shqiptoni ju këto fjalë me zërin tuaj magjik.

Ai nxori çakmakun, e ndezi dhe ia zgjati që ajo të ndizte cigaren. Ajo e mbuloi flakën e çakmakut me dorën e tij të nxirë nga dielli, me duart e saj të bardha, thithi cigaren dhe me majën e gjuhës largoi një grimcë duhani që i kishte mbetur në buzën e poshtme... Fon Shternbergu, që ishte një regjisor gjenial, kuptoi menjëherë që aty lindi një dashuri me shikim të parë. Kështu e përshkruan takimin e parë të shkrimtarit me yllin e kinemasë e bija e saj, Maria Riva, në librin e mençur dhe të frikshëm "Nëna ime Marlen", një takim që do të kthehej në një nga dashuritë më të mëdha të shkrimtarit, në vuajtjen e jetës së tij.



Jeta mes tyre


Marrëdhëniet e tyre, që në pamje të parë dukeshin kaq të natyrshme, në të vërtetë dolën jo aq të lehta e me mjaft probleme. Dhe ato u mbyllën me atë dramë që u pasqyrua në letërkëmbimin e tyre, në letrat e mrekullueshme gjithë ndjenjë e trishtim. Për shumë kritikë kjo është një nga historitë më të mëdha të dashurisë së shekullit XX, një iluzion i madh plot gënjeshtra, por e ndriçuar nga brenda prej zjarreve bengale të figurave të Remarkut, i cili nuk ka qenë shkrimtar më i madh se në këto letra intime drejtuar të dashurës së tij të ftohtë. Ashtu si e bija e Marlenws shkruan: "Remarku të kujtonte aktorin e një drame heroike, që qëndron gjithmonë prapa perdeve dhe pret që më në fund t\‘i japin mundësinë të thotë fjalët e duhura". Për shumë kritikë, Remarku ka vuajtur nga një kompleks i fuqishëm inferioriteti. Suksesin që korri fare papritur, e quante të pamerituar. Për shkak të nënvlerësimit të vetes e të depresionit që Remark mundohej t\‘i shuante me ujëvara alkooli, për Ditrihun, që ishte një grua pragmatiste dhe e vendosur, ai ishte një partner i vështirë. Në çastet e çlirimit të brendshëm ai arrinte ta "zbriste në tokë" të dashurën e tij, duke lozur rolin e fëmijës. Kur Remarkut i krijohej ndjesia se Marlena po largohej nga jeta e tij, ose që ai vetë po bëhej një nga adhuruesit e saj të parëndësishëm, ai shndërrohej në një fëmi.

Por se çfarë mendonte kjo grua për shkrimtarin, për fat të keq nuk mund të dihet mirë, pasi letrat e saj janë asgjësuar nga gruaja e tij, Polet Godar.

Marlen Dietrich e zbukuronte veten me Remarkun. Atë e mahniste jo vetëm fakti që ai kishte namin e njohësit të verërave të zgjedhura, por edhe nuhatja e tij politike, dhe ajo i përsëriste lart e poshtë arsyetimet e tij, sikur të ishin të sajat. Kur Marlena u kthye në Hollivud, Remarku ishte i detyruar ta shoqëronte në pritje zyrtare dhe në premierat e filmave, ndërkohë që ajo kujdesej vazhdimisht që ai të kishte një pamje sa më fotozhenike e jo të dukej "i fryrë, apo shumë i nxirë nga dielli". Marlena shihte me kujdes gazetat, për të kontrolluar nëse dukej mjaft tërheqëse pranë tij. Por kritikët e shkrimtarit i shihnin këto fotografi si dëmtuese për reputacionin e tij prej shkrimtari, ndoshta më shumë dëmtuese se një artikull i shkruar keq për librat e tij. Shoqërimi me yjet e kinemasë e izolonte edhe më shumë prej letrarëve të tjerë, ndërsa jeta tepër luksoze e bënte të dyshimtë në kuptimin politik në sytë e shumë emigrantëve që bënin një jetë të varfër.

Remark pranoi gjithçka nga kjo grua, e cila kishte nerva të forta dhe që u servirte burrave një tavolinë të shtruar mirë. Ashtu si Remark shkruan: "Ajo preferonte t\‘i ushqente burrat tej mase para se të flinte me ta, pra parapëlqente poezinë e kuzhinës para prozës së dhomës së gjumit".

Por me gjithë tentativat e tij për të qenë gjithnjë me të, lidhjet e tij me Marlenwn do të merrnin fund më 1940-ën. Ajo mbeti për shumë vite dashnorja e tij në fantazi. Më 9 dhjetor 1938, Remarku filloi punën për të shkruar romanin e madh me temë nga emigracioni, "Harku i Triumfit", që duhet ta shëronte atë nga trauma për të qenë i shquar vetëm me anë të një libri.



Letrat e dashurisë së Remarkut


E dashur dhe e shtrenjtë! Ishte një mrekulli që erdhe sot në aeroport e që pastaj më lave kokën. Më fal që më pas t\‘u luta të flije pak me mua, por këto janë të gjitha marifetet e Alfredit. Por ke të drejtë, ai ka kohë që fle vetëm e s\‘ke ç\‘i bën. Për më tepër, një djalë i asaj moshe, e ç\‘të kërkosh prej tij, di ai se ç\‘është sëmundja e gjakut. Por që unë preferova sot në mbrëmje të rrija vetëm me ty, se sa të organizoja diçka për një grup të madh njerëzish, jam i sigurt që nuk do shumë mënd për ta kuptuar. Dhe ja se ç\‘të propozojmë: unë e Alfredi do të shkruajmë një letër e atëherë ti do të jesh këtu me ne e njëkohësisht do të kesh mundësi të takohesh me miqtë e ty.

E meqë ra fjala, po të them diçka për letrat tona.

Ato nuk janë thjesht letra dashurie, ato janë letra dashurie për ty. Sepse nuk është që neve na lindi një ide dhe u ulëm e shkruam për ato që na erdhën ndërmend, sepse teta Lena, ti e di që kjo nuk është edhe aq e lehtë, se për këtë duhet të rrish me ditë e të jetosh tamam. Sepse nuk jemi nga ata që i kalojmë këto gjëra shpejt e shpejt, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Madje as Alfredi nuk mundet. Ti je e vetmja që mund të na frymëzosh!



Marlena


I dashuri im!

Është një e diel e trishtueshme, dielli në Central Park shkëlqen si një karrocë e lyer me vernik, radioja transmeton këngë italiane, ndërsa në shtëpi nuk kam as ngushëllimin e të mërziturve. Unë mendoj shumë për ty. Takohem shpesh me Torbegët dhe gatuaj në shtëpinë e tyre, por në përgjithësi nuk kam asnjë punë dhe u bënë disa ditë që nuk e kam parë "bebin". Kur Maria shkoi në Kanada mbeta dy javë krejt vetëm, e sigurt që këtu është një boshllëk i tmerrshëm.


Të përqafoj mijëra herë

Puma jote

Idilet e këputura të Kutelit

Ky burrë i shkurtër, me mustaqet e prera drejt mbi buzët e trasha, nuk ka reshtur kurrë së dashuri të shkruarin. Askush nuk ka mundur t\‘ia shuajë pasionin që i orvatet ende në trupin e imët edhe tashmë që po i kalon të 70-at. Mjekun e njohur të qytetit të Pogradecit mund ta gjesh pothuajse çdo ditë në rrugën buzë liqenit. Ashtu si dikur kur shoqëronte Lasgushin pasditeve në shëtitjet buzë liqenit, ai nuk e ka hequr atë zakon edhe tani që poeti nuk është më. Me miqtë që nuk i mungojnë në këtë qytet, ai vazhdon të njëjtin ritual, të hedhë hapat lehtë dhe të bisedojë për artin. Në këtë qytet, bisedat për artin mund t\‘i bësh me këdo. Tashmë, mjeku nuk ka frikë të thotë se ai është dramaturgu i triologjisë për Gjergj Kastriotin, apo njeriu që ka bërë libretin e operës "Zgjimi". Kanë kaluar kaq shumë kohë dhe liria është në duart e tij, vetëm se fuqitë nuk janë më si më parë. "Vazhdoj të shkruaj, në shtëpi kam shumë drama, të cilat ende nuk i kam botuar dhe të tjera që kam në proces", thotë ai. Teksa rrëfen ngadalë historinë e jetës së tij, sytë nuk mund t\‘i fshehin trishtimin që i fle prej vitesh, atë të dëshirës për të shkruar novela apo romane. Por tashmë kanë kaluar kaq shumë vite dhe historitë që strukeshin në mendjen e tij duken aq të largëta. Misto Marko, ose i njohur në shtyp apo dramaturgji me emrin Mirosh Markaj vazhdon të bëjë jetën e një dramaturgu pa braktisur profesionin e tij. Nipi i Mitrush Kutelit, mjeku i afërt i Lasgush Poradecit dhe një prej personaliteteve më të njohura të jetës së qytetit të Pogradecit, një nga ikonat e rezistencës në regjimin komunist, sot në mbrëmje do të nderohet nga bashkia e këtij qyteti me titullin "qytetar nderi", gjatë një ceremonie që do të mbahet me rastin e 99-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh, Mitrush Kuteli. Njeriu që e mbajti gjithnjë si një idhull dajën e tij, që u mundua të bënte një letërsi ashtu si e tija, tregon kujtimet nga koha kur Kuteli ishte gjallë.


Mendja e një burri


Nëse dikush mund të tregojë diçka reale nga jeta e Lasgushit apo Mitrush Kutelit, ai mund të jetë vetëm Misto Marko. Mjeku që shoqëronte dajën e tij gjatë vizitave që ai bënte në qytetin e Pogradecit, apo që rrinte aq gjatë me mikun e tij më të afërt, Lasgush Poradecin, duket se nuk do t\‘i rrëfejë kurrë të gjitha intimitetet nga jeta e dy kolosëve të letërsisë shqipe. I besuari i dy gjenive tregon aq sa është për të treguar, duke besuar se shumë gjëra duhet të mbeten si thesare në kujtimet e dy artistëve. Flet ngadalë dhe emocionohet sa herë që kujton Mitrush Kutelin, njeriun që e këshillonte vazhdimisht se duhet të shkruante. Misto i kujton ende kohët kur kërkonte të studionte për letërsi. "Por familja ime nuk donte, duke pasur parasysh vuajtjet e dajës. Nëna ime nuk donte që unë të bëhesha letrar dhe të shkruaja si Kuteli. Ndaj vendosën që unë të studioja mjekësi", thotë ai. Por djaloshi që u nis drejt Beogradit për të studiuar artin e mjekësisë nuk do të linte pa marrë me vetë në mendje shkrimet e dajës, apo fletoret ku shkruante pafund. Fati do t\‘i paracaktonte të njëjtën rrugë, si të Kutelit, do të jetonte në dy shtetet, në Beograd dhe Rumani. "Vetëm një vit ndeja në Beograd, pasi më pas u prishën marrëdhëniet me këtë vend, kështu që u nisa drejt Rumanisë për të vazhduar studimet atje", thotë ai. Teksa rrëfen ngadalë, Misto është i tëri i shndërruar në një kujtim. I kujtohen kohët kur krahas studimeve të mjekësisë ndiqte dhe veprimtarinë letrare në Rumani. Mësonte përmendësh vargje të Emineskut, apo të poetëve të tjerë të njohur. Kthimi në Shqipëri pas studimeve do ta përballte atë sërish me realitetin që kishte lënë vite më parë. Ai nuk duhej kurrë të shkruante të kishte të njëjtin fat si daja i tij, dhe e ëma ia përsëriste gjithnjë këtë gjë. Teksa nisi punën si mjek në qytetin e Korçës, ai do të përfshihej në jetën letrare të qytetit, duke shkruar edhe në një gazetë lokale. E njëjta gjë ndodhi edhe kur u transferua pa gjashtë muajsh në qytetin e Pogradecit, vetëm jo me emrin e tij, por me pseudonimin Mirosh Markaj. "Nëse do ta merrnin vesh se isha unë mund të kisha probleme, apo njerëzit në qytet do të thoshin se edhe mjeku bën nga këto". Por edhe pse me përparësen e bardhë të mjekut, Misto Marko ishte njeriu që ndiqte me aq vëmendje gjithçka që ndodhte në jetën letrare në vend. Lexonte dorëshkrimet e dajës së tij dhe nuk humbte asnjë intimitet nga takimet me të. "Kur botova variantin e parë të dramës për Gjergj Kastriotin, Mitrushi më tha se duhet ta bëja trilogji", thotë ai. Kështu iu fut punës për të realizuar një nga dramat më interesante për Heroin tonë Kombëtar. Gjithnjë vetëm në fushën e historisë, pasi nuk mund të prekte tema për të cilat daja i tij e kishte pësuar keq. Nuk mund të shihte sytë e trishtuar të së ëmës, e cila mund të jetonte një dhembje të dytë.


Kur shkruante historitë e Kutelit


Kuteli ishte si totem për të. Këshillat për dramat gjithçka që kishte lidhje me letërsinë ai do ta diskutonte me dajën e tij. I kujtohen kohët kur ai vinte në Pogradec, por edhe takimet me të në Tiranë. "Unë vija shpesh te daja, pasi ai ishte i sëmurë. Unë nuk mund të shkruaja prozën e tij, megjithëse kam bërë edhe disa novela ku kam marrë spunton nga jeta e tij", tregon Marko. Për burrin që vazhdon të ndiejë deri në gjak gjithë historinë e letërsisë, është e dhimbshme se si Kuteli, një njeriu me aq shumë histori të bukura edhe të jetuara, nuk mundi t\‘i shkruante të gjitha për shkak të sistemit. Por Misto ka provuar të hedhë vetë në letër diçka nga rrëfimet e dajës. Një histori dashurie që ai ka pasur me një aristokrate në Beograd, ai e ka hedhur në një novelë të quajtur "Idil i këputur". "Kam bërë disa novela dhe tregime ku kam marrë nga jeta e tij si "Idil i këputur". Fati im ishte se edhe unë kisha qenë në Beograd dhe e njihja pak jetën atje. Daja më tregoi për një idil që kishte pasur në Beograd me një aristokrate atje. Unë i mora rrëfimet e tij, të cilat ai nuk i ka shkruar dhe bëra një novelë. Sigurisht që Kuteli nuk mund të qëndronte atje", thotë ai. Por kjo është vetëm një histori që Misto ka mundur ta shndërrojë në letërsi nga jeta e Kutelit. Ndërsa dhjetëra të tjera të jetës së kolosit të letrave shqipe vazhdojnë të flenë në mendjen e këtij burri që respekton intimitetet që i takojnë vetëm Kutelit.


Dorëshkrimet e humbura


Misto ende nuk i ka fshirë nga mendja vuajtjet e gjata të Kutelit. Kohët në burg apo dorëshkrimet që shpesh ia besonte atij. I kujtohet se një kopje të dorëshkrimit "E madhe është gjëma e mëkatit" e ka ruajtur prej vitesh. Kur erdhën për vizitë në Shqipëri disa shkrimtarë nga Kosova dhe ai ua dha për ta lexuar, ata u shprehën se "ky dorëshkrim duhet të botohet patjetër". Por do të duhej ndërhyrja e Ibrahim Rugovës që ata të hiqnin dorë nga kërkesa për ta botuar. "E lexuat u pëlqeu, mjaft tani", se ne nuk i dimë rregullat këtu", thotë Misto, duke shtuar se "nëse do ishte botuar do kishte bërë skandal". Por jo të gjitha dorëshkrimet e Kutelit patën fatin e "E madhe është gjëma e mëkatit", e cila u botua pas viteve \‘90-të. Një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të tij do të humbnin. "Shumë dorëshkrime të tijat kanë humbur si romani "Për kampin e Prishtinës", apo disa tregime nga lashtësia ilire si "Dashuria e barbarit Artan për të bukurën galate". Shumë vepra i humbën, mbeti vetëm "E madhe është gjëma e mëkatit", thotë Misto.


Me Lasgushin dhe Kutelin


Askush më shumë se ai nuk e njeh më mirë Lasgush Poradecin. Misto thotë se gjithë ata që ngrihen e shkruajnë libra e kujtime për të nuk kanë qenë miqtë e tij. Pikërisht në rrugën që shtrihet poshtë kafes ku qëndrojmë me dramaturgun dhe mjekun, poshtë turizmit të ri të qytetit, ai dilte çdo mbrëmje shëtitje me Lasgushin. Ishte miku i tij i mirë, me të cilin mund të bisedonte për pikturën, poezinë. "Lasgushi vinte më shumë se daja në Pogradec, pothuajse rrinte gjithë verës. Shëtisnim gjer në mes të natës. Kam qëndruar pranë tij gjatë kohës kur ishte i sëmurë, askush nuk e njeh më mirë se unë, të gjithë ata që shkruante nuk e kanë njohur aq mirë, pasi unë e njihja që nga koha e miqësisë me Kutelin", thotë Misto. "Sa herë që Kuteli vinte nga Rumania kur ishte student, më merrte në biçikletë përpara dhe shkonte te shtëpia e vjetër e Lasgushit. Rrinin gjatë atje dhe bisedonin. Unë nuk mund t\‘i kuptoja të gjitha, pasi shpesh bisedonin edhe në rumanisht, pasi ishin të dy të kulturës rumune", thotë ai. Ky burrë që vazhdon të shkruajë drama, duke besuar se ky ishte dhe fati i tij letrar është një thesar i madh kujtimesh për dy kolosët e letrave shqipe. Edhe pse rrëfen aq pak ai nuk mund të fshehë se jeta e tyre ishte po aq interesante sa dhe letërsia e tyre. Kur e pyet se përse nuk shkruan kujtimet për Kutelin, ai shprehet se i takon familjes të shkruajë për të, ndërsa ai nuk mund të bëjë asgjë tjetër veçse të ndihet mirë që pati fatin të ishte aq pranë tij.




Box



Sot, Kuteli 99 vjeç


Mjeshtri i madh i letërsisë shqipe, Mitrush Kuteli, nëse do të ishte gjallë, sot do të festonte 99-vjetorin e lindjes. Në qytetin e Pogradecit, sot do të organizohet një ceremoni për nder të tij. Emrin Kuteli ai e kishte pseudonim letrar, ndërsa emri i tij ishte Dhimitër Pasko. Ai mbahet sot si një prej prozatorëve më të mirë të letërsisë shqipe. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934-ën mori titullin "Doktor i Shkencave Ekonomike". Më 1942-in u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes. Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikëpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar. Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën "Shqipëria e re", në Kostancë (Rumani). Vepra letrare të tij janë vëllimet: "Net shqiptare", "Ago Jakupi", "Kapllan aga i Shaban Shpatës", "Dashuria e berberit Artan", "Shënimet letrare", "Sulm e lot", "Këngë e britma nga qyteti i djegur", "Mall e brengë", "Havadan më havadan", "Tregime të moçme shqiptare" etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me kryevepra të letërsisë botërore si "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit, "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekur" të Gogolit, "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit, poezi të Pablo Nerudës etj. Mitrush Kuteli zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare edhe si studiues kritik. Ai shkroi mjaft artikuj, por studimi, vlerësimi i drejtë e botimi që u bëri ai veprës së dy poetëve të shquar të viteve \‘20-\‘30 Fan Nolit dhe Lasgush Poradecit, e renditi atë në radhën e kritikëve të talentuar shqiptarë, me shije të përparuar, me intuitë artistike, gjykim të thellë e kulturë të gjerë. Ai gjithashtu, mbetet një folklorist i pasionuar. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin "Këngë e britma nga qyteti i djegur", fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi "Tregime të moçme shqiptare" etj.

Shkrimtarët që burgosën në emër të letërsisë

Antologjia e krimit komunist/ Historia e persekutimit të vlerave intelektuale shqiptare pas vitit 1944

Ende vazhdojnë të mbeten disi në hije ai kalvar i pafund intelektualësh, shkrimtarësh dhe artistësh, të cilët përfunduan në burgjet komuniste, apo u pushkatuan. Nëse rrëmojmë në të kaluarën dhe mund të gjejmë një roman të shkrimtarit Astrit Delvina, pakkush mund të ketë lexuar librat e shkruar nga ky njeri që jeta i shkoi në burgjet komuniste. Një stil sa i thjeshtë aq edhe modern i shkruar nga një mjek gjatë kohës së realizmit socialist mund të renditet shumë mirë në veprat më të mira të letërsisë shqipe. Por, nuk është vetëm Astrit Delvina një personazh i mbështjellë me mjegull në ditët e sotme, një njeri i cili nga letërsia mori vetëm dënimet pafund dhe vdekjen. Eshtë e pafundme lista e emrave të atyre intelektualëve që guxuan të ishin ndryshe në një sistem totalitar dhe për këtë e paguan me jetën e tyre. Vetëm pak ditë më parë ka dalë në shtyp libri "Antologjia e krimit komunist", një libër i botuar nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës. Një vend të veçantë në këtë libër zë dhe masakra e bërë në ato vite ndaj vlerave intelektuale, mendimit për progres. Gjyqet speciale, ekzekutimet burgimet e internimet, përveçse eliminuan lirinë politike dhe njerëzore kryen një masakër edhe ndaj ngrehinës intelektuale, që kish arritur të krijonte deri në vitet 1940-të një shtrat të qëndrueshëm trashëgimie kulturore kombëtare. Njerëzit që ishin të parët që u vunë nën shënjestrën e regjimit dhe ranë pre e ndëshkimeve çnjerëzore më parë se kundërshtarët politikë ishin mendimtarët, shkencëtarët, studiuesit e fushave të ndryshme, shkrimtarë e artistë, që me veprimtarinë e tyre kishin krijuar një elitë interesante në atë kohë. Goditjet e pamëshirshme do të vinin pas vitit 1944, duke sjellë pasoja të rënda për secilin nga ata njerëz që me punën e tyre kishin krijuar një identitet në letrat shqipe. Përveç ndëshkimit fizik, atyre iu ndëshkua edhe vepra që kishin lënë ndër vite. Biblioteka të tëra u rrënuan apo u dogjën, mijëra dorëshkrime të vlefshme u zhdukën, shumë veprimtari shkencore e krijuese u ndërprenë në mes, duke goditur kështu trurin e vendit. Për afro pesë dekada i gjithë korpusi i veprave të trashëguara prej kësaj elite intelektuale u ndalua të qarkullonte. Ende ky korpus veprash përjeton harresën dhe shpërfilljen e ende gjendet në pluhurin kur për vite me radhë janë hedhur bashkë me autorë e tyre. Në këtë libër mund të gjesh si autorët që u detyruan të emigrojnë dhe të japin kontributin e tyre si emigrantë, ai dhe ata autorë që u detyruan të ndërprisnin krijimtarinë e tyre.


Bumi intelektual


Vitet 1904 deri në vitet 1944 pas të cilave do të niste edhe masakra mbi vlerat kulturore do të ishin vitet e mbushura me një sërë aktivitetesh në jetën intelektuale shqiptare. Një sërë gazetash filluan të dilnin prej vitit 1904. Në dhjetor 1925 del në Berat "Idea Kombëtare" një gazetë politike dhe kulturore, e cila drejtohej nga Islam Vrioni. Në shtator të vitit 1925 në Tiranë nën drejtimin e Namik Delvinës del "Rilindja shqiptare". Më 1928 botohet "Gazeta e re" ku botoheshin edhe shumë shkrime gjuhësore e letrare e drejtuar nga Xoi Xoxe. Një sërë organesh shtypi do të dilnin në ato vite duke promovuan në faqet e tyre konceptin për një vend të ri, me ide të reja. Në mars të vitit 1932 del edhe numri i parë i Minervës, një gazetë shkencore e letrare, e cila drejtohej nga Nebil Çika. Ndërsa në mars të vitit 1933 grupi redaksional i përbërë nga Asim Gjakova, Branko Merxhani, Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Karl Gurakuqi, Anton Logoreci, Odise Paskali etj., nisin botimin e revistat letrare "Ilyria" një nga organet më gjurmëlënëse në mendimin kritik shqiptar, e cila vijoi të botohej vetëm në 52 numra. Në shkurt të vitit 1944, Mitrush Kuteli bashkë me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spasen themelojnë të përmuajshmen "Revista letrare". I gjithë ky bum vlerash intelektuale, të cilat ishin duke krijuar imazhin e një mendimi në letërsinë apo jetën kulturore shqiptare do t\‘i shihje pas viteve \‘44 në listën e emrave të burgjeve komuniste apo shumë prej tyre do të përfundonin të pushkatuar. I shohim në këtë libër në bankën e të akuzuarve të gjyqeve speciale, përpara togës së pushkatimit në burgjet e regjimit, nëpër kampet e rrethinat e internimeve.


Shkrimtarët që vuajtën diktaturën


Eshtë e gjatë lista e atyre që jetuan burgjet komuniste apo pësuan më keq vdekjen në to. Jakov Milaj studiuesi që më 1944 do të botonte studimin antropologjik "Raca shqiptare" do të ishte një nga personazhet më të përndjekur nga regjimi. Po ashtu edhe Baltzar Benusi apo Xhevat Korça. Vepra e Vinçens Prenushit do të kishte të njëjtin fat si mijëra vepra të tjera, të cilat do të humbnin. Pas humbjes së dorëshkrimit "Rrënimet e Jeruzalemit" në tërmetin e vitit 1905, shkrimtarit do t\‘i humbin një sërë veprash të tjera. Po kështu emra të tjerë si Bernardin Palaj, Donat Kurti, Et\‘hem Haxhiademi, Lazer Shantoja. Në këtë kalvar të gjatë përfshihen dhe emra si Petro Marko, apo Mitrush Kuteli, apo një prej emrave më të njohur të publicistikës shqiptare të atyre viteve Nebil Çika, i cili do të dënohet me pushkatim. I njëjtë është fati edhe i Mustafa Gërblleshit, shkrimtarit që solli një erë rozë te "Grehina e dashurisë", apo Musine Kokalari, e cila shkruante në vitin 1944 një vëllim sipas traditës popullore "Si më thotë nënua plakë". Eshtë e gjatë lista me emrat e atyre shkrimtarëve apo publicistëve, të cilët rebeluan në emër të pasionit për artin dhe për këtë e pësuan keq. Por, sa më e madhe bëhet dhembja për fatin e tyre aq më shumë duhet të ngrihet sot përgjegjësia jonë për t\‘i vënë këto emra në vendin që meritojnë. Ende historia jonë flet shumë pak për këto personazhe, vepra e të cilëve u flet ende kohërave tona edhe pse kanë shkruar vite më parë.

Kadare, një Homer i kohërave moderne

Piet de Moor/ Reporteri i njohur belg rrëfen njohjen e tij me Shqipërinë dhe letërsinë e Kadaresë.

"Eshtë e çuditshme sesi një vend i vogël me një regjim totalitar si ai i Enver Hoxhës mundi të ruante shkrimtarë të mëdhenj". Kështu shprehet Piet de Moor, një reporter i njohur belg, i cili vetëm një vit më parë botoi në gjuhën e vendit të tij librin "Një maskë për pushtetin", kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Me një anglishte të pastër, i veshur me një këmishë të bardhë, Moor, i cili dje la Shqipërinë pas një vizite tjetër në këtë vend, rrëfen se gjithnjë ka qenë i befasuar nga ky fakt. Ndërsa rrëmonte në qytete të ndryshme të Shqipërisë të gjente detaje nga jeta e këtij vendi për të cilin kishte lexuar aq shumë në librat e Kadaresë, Moor ka ndjerë se e kishte njohur qysh më parë. Qysh atëherë kur në tryezën e tij të punës vendosi librin "Ura me tre harqe", për të vazhduar më pas me kolanën e shkrimtarit të madh shqiptar. Shqipëria në vizionin e tij nuk ishte më një vend i vogël, por një vend, i cili mund t\‘u fliste evropianëve nëpërmjet letërsisë së saj, e cila sipas Moor, ishte e mrekullueshme. Teksa na rrëfen aventurën e tij për të njohur një vend postkomunist, Moor ndihet mirë që pati fatin të njihej me një shkrimtar si Kadare që ai do ta vendoste në kolanën e emrave më të mirë të letërsisë së sotme evropiane. "Shqiptarët duhet ta dinë këtë gjë", thotë ai. Burri, i cili jep edhe leksione gazetarie në universitet, i cili për vite me radhë ka udhëtuar në të gjitha vendet e Evropës Lindore, e sheh Shqipërinë si stacionin ku do t\‘i pëlqente të ndalonte sërish. Gruaja që e shoqëronte gjatë këtij udhëtimi, një profesoreshë psikologjie, nxjerr nga çanta e saj prej lëkure kafe një libër për të na treguar. "Ky është libri që unë po lexoj tani", thotë ajo duke buzëqeshur, ndërsa nxjerr ngadalë me duart e saj plot damarë të kaltër, romanin "Përbindëshi"...
Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?


Kam dëgjuar qysh herët për vendin tuaj, që para se të mbërrija këtu. Prezantimin e parë me këtë vend e kam pasur nëpërmjet televizionit. Kam dëgjuar kronika për një vend komunist, sesi një Kryeministër vrau veten. Gjithnjë më dukej interesante të mbërrija në këtë vend, vetëm se atëherë ishte e pamundur. Duke qenë se më pëlqente të isha një reporter i lirë, kam udhëtuar shumë nëpër vendet e Evropës Lindore, për të parë nga afër gjithçka çfarë ndodhte në këto vende. Kështu, të gjitha vendet që mbartnin në vete një histori ishin për mua një stacion ku duhet të mbërrija. Kam udhëtuar drejt Rumanisë, në Turqi. Kur shkova në Rumani kam qenë i shoqëruar me një fotograf dhe qëndruam për dy javë. Më kujtohet se reportazhi im nga ai vend është komentuar për një kohë të gjatë mes kolegëve të mi. Kështu, pas kësaj eksperience, doja të zbuloja vende të tjera të Evropës.

Kështu kam udhëtuar nga Polonia në Rusi, në vendet e ish-Jugosllavisë dhe gjithnjë mendoja se një ditë unë duhet të mbërrijë patjetër në Shqipëri. Kështu, pasi diktatura këtu ra dhe të huajt ishin të lirë të udhëtonin në vendin që sapo kishte marrë frymë i lirë në Ballkan, unë vendosa të udhëtoja drejt Shqipërisë, dhe në udhëtimin tim të parë drejt vendit tuaj nuk kam qenë i vetëm. Bashkë me mikun tim filluam të eksploronim vendin për të cilin kishim dëgjuar aq shumë. Takuam njerëz të ndryshëm të njohur dhe të panjohur, shkuam në televizione për të parë nga afër gjithçka çfarë ndodhte. Vizituam qytetin e Krujës dhe të Gjirokastrës. Kështu, avash-avash, ne filluam të zbulonim Shqipërinë.


Pas udhëtimit në Shqipëri ju njohët letërsinë e Kadaresë, apo kishit lexuar më parë ndonjë vepër të tij?


Kadarenë e kam njohur përmes veprës së tij përpara se të mbërrija në Shqipëri. Ndoshta 20 vjet më parë kam lexuar librin e tij "Ura me tre harqe" dhe menjëherë pasi mbarova së lexuari këtë libër, mendova se ky është një shkrimtar shumë i mirë. Mund të them se ishte magjike për mua gjithçka çfarë lexova në atë libër dhe vendosa që nga ai moment të lexoja gjithçka nga ky shkrimtar. Në fakt, zbulimi i njerëzve më të rëndësishëm të një vendi në letërsi, ishte diçka që unë e bëja sa herë që mbërrija në një vend. Por Kadare ishte ndryshe, letërsia e tij nuk i përkiste vetëm shqiptarëve, ai ishte universal në mendimet që përcillte. Por gjatë udhëtimit për në Shqipëri, librat e tij më kanë shërbyer si një lloj guide për të zbuluar shpirtin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vetëm letërsia mund të ndihmojë për të zbuluar atë çfarë vërtet mendojnë njerëzit e një vendi, kështu unë do ta quaja një eksperiencë magjepse njohjen me letërsinë e tij.

Gjithçka që kam gjetur në udhëtimin tim në Shqipëri ka qenë ashtu siç e kisha parë të përshkruar në librat e tij. Gjirokastra mbetet për mua qyteti i frymëzuar aq bukur te "Kronikë në gur". Ndërsa ecja në atë qytet, mundoja të sillja në mendje ngjarje e ndodhi që i kisha lexuar në atë roman. Gjithçka ishte e gjallë në atë qytet ashtu si Kadare e ka përshkruar. Nëse ke ndenjur vetëm disa ditë në Shqipëri, ke kuptuar se shqiptarët janë një popull mikpritës ashtu si ai i ka përshkruar në librat e tij. Më kujtohet takimi im i parë me të, është një moment i rëndësishëm për mua. M\‘u duk pak i zemëruar dhe dyshues dhe i dhashë plotësisht të drejtë, pasi mendoja se do të kishte eksperienca jo të mira me reporterë të tjerë. Por ndërsa flet me të dhe ai e sheh që ti i ke lexuar librat e tij, ai bëhet njeriu më i këndshëm që t\‘i mund të kesh takuar ndonjëherë. Për mua, takimi i parë me të ka qenë shumë mbresëlënës, pasi i kisha lexuar të gjithë librat e tij. Ndërsa si shkrimtar, ai di të ofrojë gjithnjë diçka të re për lexuesin. Në këtë mënyrë, ai krijon një univers të tijin. Ndonjëherë ndërsa lexoj romane të tij më duket i ngjashëm me Balzakun, stili i tij është i përkryer.



"Një maskë për pushtetin" quhet libri që ju keni botuar në vendin tuaj për shkrimtarin Kadare? Përse vendosët të shkruanit këtë libër dhe çfarë donit të tregonit aty?


Këtë libër nuk e kam shkruar për shqiptarët, por për vetë Kadarenë. Prej kohësh kisha shumë dëshirë të shkruaja për novelat dhe romanet e tij që kisha lexuar, duke dashur të ndaja mendimet e mia me të tjerë. Doja t\‘u thosha njerëzve të vendit tim që çdokush duhet ta lexojë këtë shkrimtar të madh dhe këto libra kaq cilësorë. Kjo ishte shtysa e parë për të shkruar këtë libër. Arsyeja e dytë ishte dëshirë për të hyrë në universin e tij dhe për të zbuluar aty gjithçka. Kuptohet për të njohur universin e Kadaresë, unë duhet të njihja vendin tuaj, shqiptarët. U mundova të njihja mentalitetin e këtij populli që ishte ashtu siç e kisha lexuar në romanet e tij. Por në librin tim, vështrimi im ka shkuar më tej, duke e trajtuar shkrimtarin në krahasim me regjimin komunist. Ishte magjepse të shihje sesi ai kishte mundur të mbijetonte në atë regjim aq të egër dhe të dilte që andej me një letërsi cilësore. Të shihje sesi një shkrimtar mund të rrezikonte nga momenti në moment të burgosej me artin e tij dhe asnjëherë nuk e braktisi atë. Eshtë shumë interesante që të huajt të dinë historinë e krijimtarisë së tij që është aq interesante sa dhe vetë librat që ai ka shkruar. Unë do ta cilësoja atë si një shkrimtar me stil unik, si një shkrimtar që i përket plejadës së shkrimtarëve më të mirë që ekzistojnë sot në botë. Ai është i krahasueshëm vetëm me rangun e Homerit apo Dantes dhe Shekspirit për kualitetin e lartë. Unë mund të shprehesha se "nëse ke mundësi që të takosh atë, atëherë do të thotë se nesër ti ke mundësi të takosh edhe Shekspirin...Janë gjithë këto detaje që i thashë më lart që ndikuan që unë të ulesha dhe të shkruaja një libër për këtë shkrimtar, që unë do ta quaja të vogël në krahasim me atë që në të vërtetë përfaqëson ai si shkrimtar. Në librin tim përshkruhet jeta e Kadaresë në regjimin totalitarist. Njerëzit në Belgjikë dhe në shumë vende perëndimore nuk mund ta kuptojnë ende se sa e vështirë është të jetosh si artist në një regjim të tillë. Të jetosh në një vend ku nuk ke asnjë alternativë, ku nga momenti në moment mund ta gjesh veten në pranga. Ky është thjesht një libër sipas vizionit tim. Ndërsa për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht këtu mund ta kuptosh nëse lexon veprat e tij. Unë jam munduar të tregoj Shqipërinë në historinë e një shkrimtari.



Ky është udhëtimi juaj i dytë në Shqipëri. Si do ta shihnit progresin e bërë në këtë vend, apo në letërsinë shqipe në përgjithësi?


Gjithçka ka ndryshuar qysh nga udhëtimi im i parë. Ndërsa për letërsinë nuk mund të flas shumë, pasi duhet të jetoj këtu për të dhënë një konkluzion të qartë. Nuk mund ta quaj veten një ekspert të letërsisë shqiptare. Të vetmit shkrimtarë që unë njoh janë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli dhe këtu mund të bëj krahasime. Gjithsesi, në një vend postkomunist mendoj se çdokush mund të bëjë komente për progresin e bërë. Mendoj se është normale që ndikimi i letërsisë në këtë kohë nuk është rritur, por zvogëluar, sepse njerëzit kanë shumë gjëra të tjera për të bërë. Është një situatë normale, e cila mundet të krahasohet edhe me Evropën Perëndimore. Disa njerëz lexojnë, por jo të gjithë dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë. Përpara regjimit ishte një burim shumë i rëndësishëm informacioni. Tani gjithçka ka ndryshuar, po kështu dhe letërsia. Letërsia ka filluar të luajë një rol normal në këtë shoqëri ashtu si në Belgjikë, Holandë. Pas shokut të regjimit, njerëzit dëshirojnë të bëjnë gjëra të ndryshme, të kenë variacion, por kjo situatë pas disa vitesh do të normalizohet dhe letërsia do të luajë një rol të rëndësishëm ashtu siç luan në të gjithë botën.



Si do ta vlerësoje letërsinë e Kadaresë në raport me letërsinë e sotme evropiane, dhe si do ta cilësojë letërsinë e tij për shqiptarët?


Unë do ta klasifikoja Kadarenë, por jo vetëm unë në rangun e shkrimtarëve më të mëdhenj sot në Evropë. Ai e di këtë gjë dhe nuk është modest. Në pak vjet, njerëzit kudo do ta kuptojnë koherencën e letërsisë së tij. Për mua ai ia kalon edhe Gunter Grass apo Heminguejit. Mendoj se shqiptarët e kanë një pasaportë evropiane veprën e tij. Mendoj se në regjimin e kaluar, ai ka qenë burimi më i rëndësishëm i informacionit. Ashtu si në vendet sovjetike dhe lindore që shkrimtarët luajnë një rol shumë të rëndësishëm për shoqërinë civile. Regjimi në Shqipëri ka qenë më i vështirë se në Poloni dhe në Çekosllovaki. Nuk mendoj se njerëzit në Perëndim e dinë ende se çfarë ka qenë në të vërtetë regjimi i Enver Hoxhës. Mbi të gjitha, Kadare ka qenë një njeri shumë kurajoz dhe kritik, i cili u ka dhënë shpresë njerëzve nëpërmjet veprave të tij. Ai u ka dhënë njerëzve shpesë në një regjim të pashpresë. Në veprat e tij, ai krijon një urë mes jetës publike dhe asaj private. Shqiptarët duhet të jenë krenar që kanë një shkrimtar si Ismail Kadare dhe këtë nuk e bëj për të pasur sukses të lirë, por mendoj se tani për tani është shkrimtari më i mirë në Perëndim dhe jo vetëm. Esetë e tij janë të pazëvendësueshme. Ai është universal dhe është një novelist, eseist dhe për këtë e pëlqej Kadarenë aq shumë. Kështu që ai bën pjesë në kulturën botërore. Duhet t\‘i lexojmë librat e tij për të parë se një vend i vogël, edhe pse me një regjim si ai i Enver Hoxhës, ruan shkrimtarë të mëdhenj si Kadareja. Hapi tjetër është se Shqipëria do t\‘i përkasë Evropës Perëndimore dhe ne evropianët mund të mësojmë diçka nga shqiptarët ashtu siç bëra unë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...