2011-06-16

NEPËRKA DHE NUSJA


Vullnet Mato
 
   Tregim.    

                       
    Thuhet se natyra ia ka dhënë helmin gjarprit, thjesht për vetëmbrojtje nga kundërshtarët e vet. Pasi në të gjitha rastet e shfaqjes para syve tanë, ai rrëshqanor i rrezikshëm nuk sulmon, po nuk e sulmove dhe nuk godet pabesisht, kur nuk i afrohesh befasisht. Këto konstatime i kam të provuara saktësisht edhe me përvojën time jetësore, por sidomos me një ngjarje tepër rrëqethëse.
    Si fillim, është nevojshme të bëj të qartë, se në fëmijërinë time shfaqja e gjarprit në rrugicën me diell, apo në shtegun ku rrëshqiste me panik për t’u fshehur, më është shoqëruar gjithmonë me një dridhtirë tmerri, nga e cila, ose më ka shpëtuar shurra rrëzë pantallonave të shkurtra, ose më është bllokuar frymëmarrja për të ndaluar vrapin sa më larg tij. Më saktë, kam qenë një frikacak i klasit të parë. Dhe as vetë nuk e kuptova, se si pas pak kohësh ndodhi e pabesueshmja, u bëra miku më i ngushtë i gjarprit, aq sa t’i bëja fole të më flinte në gji, ngjitur me lëkurën time të hollë. Dhe ja, si ndodhi kjo çudi e pazakonshme për një djalë rreth tetë vjeçëve?...
    Në shtëpinë tonë, të trashëguar nga gjyshi në fshatin Karahaxh, (prejardhja nga Kara Haxhi “ Haxhiu i zi “) dhjetë kilometra larg Sarandës, ku ne shkonim gjatë stinës së verës, erdhi një babush teqeje me mjekër të bardhë, të madhe e të gjatë deri afër brezit. Dukej në ecje e sipër, sikur lëvizte një mullar me kashtë gruri. Ai e njihte babanë si mësues i atyre anëve dhe i pëlqente të shkëmbenin mendime bashkë. Duke vënë re se isha tepër kureshtar për atë dukuri të leshtë që mbulonte krejt pjesën e përparme të pamjes së tij, ai më lejonte ta zija për mjekre, madje edhe ta lëmoja njësoj sikur të ishte ndonjë cjap manar. Dervishi filloi të më donte si djalin e tij, më lëmonte kokën dhe më mbante pranë vetes, duke më treguar ndodhi të çuditshme, të cilat në atë moshë nuk i kuptoja, por diçka fantazoja me mendjen time të ujshme.
    Një ditë, teksa babai ishte duke bërë disa meremetime me gozhdë e sqepar në tavan, ai më mori përdore dhe dolëm nëpër kopshtiet përqark kodrës ku ishte shtëpia jonë. Diku te një ferrë e ulët, sytë e tij të murrmë dalluan një nepërkë lara-lara, e cila e bëri mjekroshin të gëzohej si fëmijë dhe mua prapa krahëve t’ia mbath vrapit në çast.
    - Qëndro aty!- më bërtiti babushi befas me një ton të rreptë, të pazakonshëm. - Unë do ta bëj këtë bukuroshe laramane, jo të na hajë ne, po të kërcejë vallë në dorën tonë...
    Këto fjalë të pabesueshme më bënë të kthehem i ngarkuar me kureshtje, për të parë i tendosur disa metra më tej, si do t’i bënte këto marifete mjekërmadhi fantastik.
    Ai mori një shkop furkaçe, nga ato që ne fëmijët bënim llastiqe për të vrarë zogj dhe me të ia ngjeshi kokën përtokë. Pastaj i kapi kokën me dorë dhe kur e ngriti lart, nepërka iu mbështoll e gjitha rreth dorës së shpërveshur deri te bërryli. Atëherë unë ndjeva disa pika urine që njomën mbathjet e mia dhe po prisja kur babushi mjekërmadh do të këputej i vdekur përtokë, si mullar kashte i përmbysur nga era.
    Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por duke parë fytyrën time të rrudhur nga tmerri, ai qeshi me ton të lartë dhe me nepërkën përqark dorës gjithë damarë të ngritur nga shtrëngimi i saj, më tha:
    - Shikoje pa frikë, se do ta urtësojmë, këtë kafshë njësoj si atë macen me të cilën loz ti!
    - Ç’kafshë, thua ore babush, po ajo nuk ka katër këmbë si macja, dhia apo delja? - i thashë unë me zë të dridhshëm.
    - Këmbë kjo ka bishtin, që e shtyn trupin përpara me shkathtësinë që nuk e ka asnjë kafshë tjetër. - u gjegj ai dhe vijoi: - Eja tani të shkojmë te shtëpia ta bëjmë të nusërojë këtë zonjë pikaloshe të bukur. 
    Ai tha “zonjë” dhe unë thashë me vete, të kisha t’ia shtypja kokën me gurë asaj vrrome  të pështirë.
    Kur shkuam te shtëpia nëna ime u step, duke kundruar me sy të shqyer baba dervishin me nepërkën të mbështjellë përqark dorës.
    - Mos u tremb, zonjë, - i tha ai nënës - nuk ha njeri kjo. Ja, do ta shohësh. Vetëm më sill një filxhan dhe një copë të vogël të leshtë, sa t’i zbut pak inatin.
    Kur dëgjova sërish fjalën “zonjë”, mendova me zemërim, si ky njeri që hante bukë me babanë tim, përdori për nënën time të njëjtën fjalë “zonjë” që kishte përdorur edhe për nepërkën. Nëna ime që nuk vriste asnjë mizë, ishte zonjë mbi  zonjat e vërteta dhe jo nepërkë e pështirë që kapte bretkosat për fyti nëpër kanale të pista dhe i kullufiste. Ai mjekërosh duhej ta lante njëqind herë gojën te burimi e t’i kërkonte falje nënës, që e kishte barabitur me nepërkën.
    Nëna tepër e druajtur, i solli atij mjetet që kërkoi  dhe ne të dy të shtangur te njëri-tjetri po vështronim nga larg me habi e tmerr çdo të bënte ai çudibërës me laramanen vdekjeprurese. 
    Dervishi ia kapi kokën me dy gishtat e parë dhe ia shtrëngoi fort, sa iu hap goja dhe i futi te dhëmbët cepin e copës së leshtë, duke e mbajtur pingul mbi filxhan. Nepërka kafshoi copën e leshtë dhe lëshoi nëpër fijet e saj një curril helmi të verdhë mbi filxhan. Si e mbaroi këtë punë të llahtarshme, babushi nxori me dorën tjetër nga xhepi një pincetë të vogël dhe duke ia shtypur gojën, sa iu hap si ndonjë fik i çarë, i shkuli dhëmbët me kujdes. Pastaj qeshi i gëzuar dhe e futi nepërkën brenda asaj këmishës së tij, më të bardhë se mjekra gri.
    Nëna klithi:
    -Uauuu, ç’bëre ashtu, more derëzi, se do vdesësh!...
    Dervishi vazhdonte të qeshte. Por duke vënë re, se ne të dyve na u bë fytyra në ngjyrën e dheut dhe ndjeheshim keq nga ky veprim, futi dorën në gji, e nxori nepërkën dhe shkoi e lëshoi te ferrat poshtë kopshtrave. Më pas erdhi në shtëpi, e hodhi helmin në një shishe të vogël me tapë, duke lënë fare pak në filxhan. Ai i kërkoi nënës një lugë sheqer dhe ujë sa për të mbushur  filxhanin. Atëherë më tha mua fjalën më të tmerrshme, që na bëri të dridhemi të dy me nënën.
    - Pije, si trim, se kjo do të bëjë që të gjithë gjarpërinjtë të ndërrojnë udhën kur të të shohin ty me   sy !  
    - Jo, jo, mos ja jep djalit!- kërceu nëna prerazi dhe më tërhoqi pas vetes.
    - Jo! - thashë edhe unë i vendosur të mos e pi kurrsesi.
    - Unë, moj zonjë, e dua  djalin tuaj të zgjuar, jo më pak se ju që i keni bërë kokën! - iu drejtua ai nënës me përulje. - Po me këtë ilaç që e kam bërë në trupin tim dhe tek shumë të tjerë, ky djalë fiton imunitet dhe nuk pëson kurrë gjë të keqe nga helmet e gjarpërinjve.  
    Nëna u lëkund pakëz dhe mjekërmadhi m’u drejtua mua:
    - Pije si burrë, se kam folur edhe me babanë, apo do që ta zbresim nga çatia të të thotë me gojën e tij?
    Babai dëgjoi nga tavani ku punonte dhe zbriti shkallën një çast.
    - Duhet ta pish me dëshirë, biri im, se është për të mirën tënde!-  më tha butësisht duke rregulluar syzet.
    Unë sërish ngurova i pavendosur dhe sakaq dervishi e ktheu vetë filxhanin, që humbi një çast te goja mes mustaqeve dhe mjekrës së tij.  
    Më tej u desh rreth një orë, pasi ai kishte mbetur ende gjallë, që ne të dy me nënën të bindeshim ta pija edhe unë dozën e parë të helmit me sheqer. Dhe pasi e rrëkëlleva poshtë, të them të drejtën, më pëlqeu. Nuk ishte aspak i hidhur, si disa ilaçe që më jepte nëna kur ftohesha, apo kur më zinte gripi. Dhe kura kundra pickimit të gjarpërinjve vazhdoi, duke rritur dozën nga një pikë çdo ditë, derisa shishja e vogël u boshatis krejt.
    Atëherë baba dervishi më mori me vete dhe dolëm rrëzë kopshtijeve me ferra të kërkonim gjarpërinj për provën e tmerrshme. Por dy ditë me radhë nuk gjetëm asnjë për be. Ditën e tretë ai pikasi një nepërkë të vogël dhe pasi ia fiksoi kokën, më tha mua ta kapja me dore pa frikë. Me gjithë frikën e zbutur, ai më kishte injektuar edhe besim. E zura nga koka dhe ajo m’u mbështoll te krahu. Ashtu, me nepërkën në dorë, shkuam në shtëpi dhe pasi bëri veprimet si herën e parë, ai më tha ta futja dhe unë nën këmishë. Ah, jo, këtë s’kisha guxim ta bëja kurrë, t’i jepja liri nepërkës të më sillej nëpër lëkurën e trupit si t’i donte qejfi, e po t’i tekej të shijonte mishin tim, sikur të isha ndonjë bretkosë kanalesh...
    U stepa për disa çaste. Por m’u kujtuan kalamajtë frikacakë të fshatit greqishtfolës dhe sidomos nusja ime bukuroshe me fustanellë të bardhë, më te cilën më kishin martuar në lodrat  dasmore të fëmijëve. Do t’i lija me gojë hapur të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla minoritare. Do t’u tregoja të tërëve, sa trim isha dhe pasi të nxirrja nepërkën triumfalisht, do ta puthja fort nusen time të dashur. Ky mendim më dha guxim të pazakonshëm dhe së fundi e futa nepërkën në gji. Ajo zvarranike e shkathët u suall një copë herë përqark gjoksit tim, duke më shkaktuar një kilikosje rrëqethëse të ftohtë, nga e cila pata një gaz kërcimtar të frikshëm, që e kënaqi shumë babushin mjekërmadh.
Pas kësaj më tha truri dhe dola me vrap për të shkuar te lëndina, ku luanin çdo ditë kalamajtë e fshatit. Hyra mes tyre, duke i mbajtur sytë drejt “nuses time”. Pasi u tërhoqa vëmendjen, të më shihnin të gjithë me vërejtje, futa dorën në gji dhe nxora kokën e nepërkës që e kishte zënë gjumi nga ngrohtësia e trupit. Befas  ajo m’u mbështoll rreth dorës dhe vura re se pantallonat e disa kalamajve të tmerruar riguan tek gjunjët. Ata më shikonin me sy të shqyer, sikur të mos isha ai shoku i tyre i përditshëm ardhur nga qyteti, po një magjistar i zbritur nga qielli.
    Nusja ime rrudhi fytyrën dhe duke më përpirë me sy tha greqisht:
    -O panaiamu, ti kani aftos ! ( O shënmëria ime ç’po bën ai ! )
    Unë i thashë asaj me krenim, se këtë gjë e bëja vetëm nga dashuria e madhe për të dhe për bukurinë e saj që ua kalonte të gjitha vajzave të fshatit. Dhe atë çast desha ta puth fort, jo si burri i saj i legjitimuar, po si trim triumfator, nga ata që mundnin kuçedrat nëpër përralla. Por ajo faqekuqe me buzët si një qershi e ndarë më dysh, që më bindej gjithmonë si manare, nuk pati guxim të më afrohej në atë krekosje me gjarprin në dorë.
    Dhe më çuditi shumë kur ma ktheu në çast me një greqishte aq të kthjellët:
    - Kot thua se më do mua, ti ke marrë nuse nepërkën që mbaje në gji, kur unë të prisja të luanim bashkë... - dhe u prish në fytyrë nga kërshëria.
    Por dhe unë u çudita shumë që nusja imë vogëlushe ishte bërë xheloze për një copë nepërkë bishtdredhur të kanaleve... Apo babushi nuk i kishte quajtur kot “zonjë” atë pikalore, kur e zumë bashkë. Dhe me pendim të thellë që e kisha lënë nusen vetëm e po merresha me të, i thashë të vinte ta shihte si do ta braktisja për hatër të saj.
     Atëherë shkuam të gjithë bashkë, e lëshuam nepërkën në një ferrë, ku i porosita kalamajtë të mos e gjuanin me gurë nëse e shihnin prapë, se ajo nuk kishte dhëmbë për të kafshuar njerëzit. Pastaj u ktheva vrullshëm, e pushtova nusen time me të dy krahët, e putha shumë fort dhe ndjeva në buzë e mia lëngun ëmbël të buzëve të saj. Dhe këtë shpërthim dashurie e bëra fare pa druajtje, sepse ajo më përkiste vetëm mua, pasi të tjerët kishin “nuset e tyre”. Më pas, secili me nusen përkrahu, hymë nëpër kasollet e vogla prej kashte që kishim ngritur në lëndinë. Aty filluam të shkëmbejmë vizita çiftesh tek shtëpitë e njëri-tjetrit, duke bërë urimet e mirëseardhjes dhe shprehëm fshatarçe dëshirat, për të pasur sa më shumë bereqet nëpër arat e katundit.
    Një ditë tjetër  babush dervishi zuri papritmas katër gjarpërinj të ngjyrave e dimensioneve të ndryshme. Ai i mbushi mendjen babait dhe shkuam për të bërë një paraqitje publike te shëtitorja buzë detit të Sarandës. Aty im at bëri shumë fotografi dhe unë pozova duka luajtur me gjarpërinjtë në duar e në gjoks, përgjatë dy orëve, ku kalimtarët e mahnitur zgurdullonin sytë me habi. 
    Kësisoj jetova disa kohë në botën e frikshme të gjarpërinjve, duke shijuar kënaqësinë euforike me krenari te lartësuar. Më tej, kur iku babushi mjekërmadh, unë vijova shkollën. Dhe jo vetëm nuk u mora më me gjarpërinjtë të më zemërohej nusja, po edhe fillova pak nga pak të ftohem nga ajo dashuri marrëzie me rrëshqanorët helmatisës, madje edhe e të ruhem prej tyre.
    Sot kam frikë si të gjithë frikacakët ordinerë të gjarpërinjve. Por nepërkën nuk e urrej, siç nuk mund të urrehet një grua gjarpërore, të cilën e kisha futur në gjirin tim dhe nuk më kishte rrezikuar, vetëm se më deshi llahtarisht. Më vonë, ngjitja nëpër vite, më ndau edhe  nga buzëqershia ime, nusja e dashur e vegjëlisë, të cilën vazhdoj ta kujtoj me nostalgji.

NJOFTIM NGA LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS



Ftoheni të merrni pjesë në përurimin e librit të prof. dr. Mahmud Hysës me titull “VEPRA IV”, e cila përmban trajtime të ndryshme letrare, që kanë të bëjnë gjithashtu me vepra dhe autorë të ndryshëm.
Përurimi organizohet në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 18.6.2011, në orën 11.
Referojnë ky pedagogë universitarë, kurse do të ketë dhe diskutime rreth këtij libri.

Me respekt,
Kryetari,
Adem Demaçi

CIKËL POETIK NGA NEZIR PROKSHI: ASGJË MË SHUMË SE LIRI...

Nezir Prokshi

SHENIM BIBLIOGRAFIK

Gjysmë  dekada e katërt
Erdhi me një smundje të keqe
S’linte kope të plotë
E ngordhjet dukeshin  kudo
Erë të rëndë  kundërmonin

Po gjysëmbota jetonte në shpresë
Për një diell që do të ndriste  errësirën

E zhurmshme ia behu dekadë e  pestë
Atdheu kish veç  ankth, gjemë dhe uri

Djajt zunë pritë, lëmsh i bënin ikonat
Dasmat, festëlindjet, ditët mortore
Vallet dhe këngët e çikave
Lojërat e burrave, këngën e vajin e fëmijëve
Gjithë festonin në ditët pa festë

Dhe liri i thoshin, kohës  gjëmë, rrëmujes
Shiut, stuhisë erërave  Shprese u  thoshin
Dhe ia behu e gjashta dekadë me hije bjeshke

Në kërkim të një dielli ëndërrimtar
“ Kosovë Zog i Diellit “
Mërmëriste Din Mehmeti
Në do shkëndija  valëvitëse
Aliu burrërohej e tha:
“Kosova është gjaku im që nuk falet”
Me fjalë e shpirt nëpër dhëmb
Demaçi nisë lojen me  “Gjarpit e gjakut”
Dauti me “Plisat e Kuq”

Drenicë e Fazli Greiçevcit
U  mbështoll Kuq e Zi
Mbeti  përjetësisht nën qiellin  yjeplot
Nga derdhej në shi
Ato mote  seç u qullnin nga shiu i vjeshtës

Me dhëmbjen  e ndryrë në kraharor
Ëndërrimtarë mbetëm
Me sy  nga vetëtimat, përflakjet
Dhe  s’kërkonim asgjë
Më shumë se dritë

Asgjë më shumë së frymëmarrje
Asgjë  më shumë se  Liri.
Po zjarri do të  mbetet i ndezur
Po amaneti do të përcillët brezave
Derisa    shkrep një rreze -
NJË  Diell tjetër  në Çyçevicë
Një  ADEM të lind
  Drenicë




HESHTJE E MADHE

Të gjitha ngjyrat e bjeshkës
Peng syrit i mbeten
Rob u zu majeve të  pehatura në erë
Kokë e copëtuar e zogut
Shekulli i shpresës durimit iku
Ti gomar i njëmbëdhjetë vjetëve
Ndal  ëndërrat e liga
Zbrit në tokën ku bie shi borë ku bie
Ku rritet gjethi bari zambaku
Ku bjeshka merrë  erë trëndeline
Atje maje majeve në krih Shqiponje
Në Lubotenin plisbardhë
Bëj një lutje nga tokë e Arbërit shqip
Freskohu me ujëkroi
Blegrimën e deleve dardane
Tingujt e këmbonave dëgjoji
Grykave gjëmë le të bëhet
Kënga që mbulon arkivole
Fushave le të zbresë

Se nata troket nëpër varre
Ndiz kandilat e lotëve  se droj
Do ta plagosë orkestrën e qetësisë
Kaloi kohë e shekullit të egër
Një lutje për Kosovën bëje  shqip
Le të shërohet ngadalë
Mbretëri e ëndrrës

Drenas, 31.07.2005

GJITHÇKA NË SHITJE

Gjithçka shitet
Dheu bari guri lulet buka ujë mishi
Me këngën me vain me shpresën
Mishi i gjallë shitet
Koka flokët syri buzët gjinjtë tambëlsore
Edhe zhurma shitet
Gjithçka gjithçka është hedhur në shitje
Toka shtëpia qielli retë
 Oh edhe shiu shiu i diellt i përflakur
Vetëtima gjaku i gjithë trupi ijet dhëmbët dhe
Dhemballët  Madhëri janë në shitje
Zoti qiejtë tensioni i lartë tensioni i ulët
Hidhërimi zemërimi stresi virtyti shpresa mjerimi
Rrena besa Oh edhe Besa  fjala të gjitha të gjitha
Me krismat shiten
Fajdja këstët janë vënë në shitje
Mishi shitet mishi lopës mish i gomarit
Mishi i lepurit mish i  dhelprës

Mish i breshkës gjarprit i gjallë shitet mishi
Mish  Brazili, mish Kosove,Shqipërie edhe nga
                                    Korpatet  edhe nga…
Mish njeriu, mish derri mish qeni gjithçka gjithçka
Është në shitje
Lëkurë viçi lëkurë lope dhije deleje
Lëkurë kaprolli  ketri  lëkurë miu

Minjtë  e arës minjtë e shtëpisë  të shpellave minjtë e galerive
Lëkurë gjarpri hardhuce, lëkurë mace qeni
Lëkurë krokodili ujku lëkurë
 Njeriu majmuni lëkurë  pule vjedulle
Lëkurë djalli o zot edhe gjarper i gjallë 
  një sy me flok bollë e shtëpisë
Gjithçka shitet hapësira universi
Dallgët  erërat stuhitë  ciklonet
Deri  edhe stuhitë diellore.
O Zot…

Tiranë,Gusht 2005 


NGA ELISA BRUQI :TË PRIFTË E MBARA SHKOLLA IME



Në ketë shtator
gjithëçka frymon ndryshe,
fëmijët janë të qeshur …
dhe thonë
mirë se të gjejë shkollë e jonë.

Posa kalon vera,
shkolla  e dashur bëhët  gati,
fëmijëve j’ua  shto’ gëzimin
më të priftë e mbara,
 të priftë fati.

Shkolla e dashur
I hapë dyert e diturisë
bijt’ e tu merri në gji,
këta janë engjej  të përendisë
pa këta bota s’ka gjallëri.

Ata janë lule në blerim
gjithë natyren e hijeshojnë,
me një at zë porsi të bylbylit
jetës së re këta i këndojnë.

Mësues të dashur o fanar drite
dituritë ju që shpërndani,
gëzonju e kënaqnju ju kësaj rrite
kurr nga vetja mos e ndani.

Puna e mbarë juve ju qoftë
kurr suksesi mos të mungojë,
bashkë me fëmijët zoti ‘u bekoftë
gjithë të mirat unë ju uroj.

Elisa Bruqi,nx.e kl.II Shk.fillore "Iliria"Prishtinë

2011-06-15

PËR ATA QË NUK DUEN ME BESUE !...

Nga Fritz RADOVANI:

 
PËR  ATA  QË  NUK  DUEN  ME  BESUE !...

Shpesh përdoret një thanje: “Kjo botë asht e bukur, se ka gjithfarë njerëzish!”. Sigurisht, edhe kjo ka shpjegimet e veta filozofike. Secila thanje që i ka qendrue kohës, gati-gati asht ba e padiskutueshme. Jeta dhe puna të përpjekë me shumë nga provat e këtyne thanjeve.
Në Shqipni erdhi një kohë që shumica e njerëzve na dukeshin se nuk besonin në Zotin.
Mbas vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët, për pak vite ata nuk e zbuluen fytyrën e tyne të vërtetë ateiste. Madje, në ditët e para të Janarit 1945, kur ka ardhë në Shkodër vetë terroristi Mehmet Shehu dhe ka vizitue Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol, aty ai u ka folë studentëve për vlerat e mëdha Atdhetare dhe kulturore të Asaj shkolle...
Nuk asht aspak me u çuditë. Në vitin 1967, kur Enver Hoxha me Ramiz Alinë kishin nxjerrë nga kllefi shpatat e tyne të përgjakuna në luftë kundër Zotit, Fesë, Klerit Katolik dhe simbas tyne edhe kundër “zakoneve prapanike”, në letrën që At Pjetër Mëshkalla, i ka drejtue me 5 Prill terroristit të Spanjës, shokut të tyne të “armëve”, kriminelit Mehmet Shehut, që ishte asokohe kryeministër, Ai i shkruen: “...Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 Mars, unë u ankova Juve, Shkelqesë, se kishem ndigjue prej komunistave fjalët: ‘Këte Kishë do ta bajmë kinema’; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as armiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit...”.
Me datën 15 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u kthye në burg. Të gjithë klerikët që u ndodhën aty u konsideruen të arrestuem si “armiqë të popullit”. Pra, pa pasë kalue as dy vjet, Ata profesorë që kishin edukue Atdhetarë prangohen në hekura si “armiqë”!
Me datën 16 në darkë dhe në të zbardhun të datës 17 Nandor, rreth orës 02.00 të mengjezit, forcat e Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga Shefi i Sigurimit të Shkodres, kasapi Zoji Themeli, me Pjerin Kçirën, Hulusi Hakon, Dilaver Sadikajn, Gjovalin Mazrrekun, Nush Babën, Lin Çollakun etj., fusin në Kishën Françeskane pranë kuvendit “Burg”, arkë municioni, armë të vjetra, mitraloza etj., dhe i mëshehin nën Elterë të Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit. Armë u futën edhe nën Statujën e Shna Ndout. Atë ditë drejtues të organizatave të grues, rinisë, frontit etj., vizitojnë Kishën e shpërthyeme nga Sigurimi, që Populli i Shkodrës me pa me sytë e vet rolin reaksionar të Klerit Katolik, që donte me përmbysë Pushtetin “me armë”. Në darkë, operatorët jugosllavë xhiruen film me Klerikët pranë Elterëve ku “u gjetën” armët e vume nga vetë ata me spijunët tonë të Sigurimit në sherbim të shovenistëve serbë. Proceset e Fretënve të akuzuem për futjen e këtyne armëve vazhduen gati dy vjet. Askush nuk ndigjoi një nga gjyqet e zhvillueme të kësaj ngjarje. Me 11 Mars 1948 u pushkatuen: Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Nikollë Deda, të akuzuem për këte vepër. U dënuen shumë të tjerë si: At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Dodaj etj., me shumë vite burg të randë.
Kishte shumë nga ata që nuk u besonin komunistëve, po kishte edhe të tjerë që besonin. Në vitin 1967, të lidhun si mishi me thonin e kalbun me “vëllaznit” kinez, në Shqipni u zhvillue “Revolucioni Ideologjik Kultural”. Shqipnia u shpall “Shteti i parë ateist në botë”.
Ata që e kujtojnë atë kohë, besoj se nuk mund të harrojnë ankthin e një Populli: “Çka po ndodhë me mue sonte?!...” Lufta e pamëshirshme u ba kundër Kishës, Klerit, Popullit Katolik e Musliman të Shkodrës dhe kujtdo që mund të dyshohej nga komunistët dhe Sigurimi i Shtetit “i pakënaqun”, madje edhe mbrenda radhëve të vetë partisë dhe spijunëve të saj.
Ma në fund u mbyllën të gjitha Kishat. Shumë klerikë shkuen edhe një herë ndër burgje.
Shumë Kisha u kthyen në stalla, magazina, vatra kulture kooperativash, etj. Katedralja e Shkodrës u ba pallat sporti, Kisha e Motrave Stigmatine “Sallë gjyqi klerikësh” (Klubi i Rinisë), Kisha e Fretënve u ba “Kino Klub Punëtori”. Të gjitha, pa përjashtim, u vodhën, tue fillue nga  parmakët e mermerit, gurët e kompanjelave, kumbonët, sahatat, shalldanat e deri tek unazat e Ipeshkvijve ndër vorrezat e Atyne Kishave. Kisha e Zojës, tek Kalaja, Kisha e Rusit, dhe Ajo e Vaut të Dejës e shek. XIII, mbas zhgatrrimit me dinamit, u rrafshuen fare. Këtë fat pat edhe Xhamija e Parrucës ku qylymat e saxhadet u vodhën nga komunistët, spijunët veteranë.
Me porosi të Ramiz Alisë, u projektue “Muzeu Ateist” mu në qendër të Shkodrës. Flitej se aty janë vendosë shumë objekte nga ata të Kishave e Xhamive, shoqnue me karikatura dhe fotografi të ndryshme kundër Fesë dhe besimeve. Unë nuk e kam vizitue kurrë, prandej edhe nuk di saktësisht çka përmbante ky muze...Koha eci ma shpejt se mendonim na. Dikund, aty nga Moska, hagrepët e sahatit të madh të Kremlinit, filluan me ra mbi kumbonët e ndryshkuna pa e kuptue njeri se dishka po ngjiste!...
Shtëpia e Bardhë mori pamjen e një tempulli ku Reagani dukej sikur një Përmendore...
Në horizontin e Vatikanit doli ylberi!...
Muri i Berlinit ra!...
Edhe pse e djegun dhe e zharitun, ngrihej Aty në mes të atyne selvijave në Rrëmaji, mes vorresh e gropash pa Shenj tek kryet t’ Atyne Martirëve të Fesë e t’Atdheut, na dukej e zhdukej nga frika, ankthi e mosbesimi, hija e Skenderbeut, me mjekerr të bardhë e të thinjun si biluri, e murrlani e merrte me vete tue u naltue drejt një kupole të shembun, me dorën nalt. Ai sillte sa andej këndej një pelhurë me vija bojëqielli të një Nanës së Madhe Shqiptare, që Bota mbarë u përul para Saj. Ishte pikërisht ajo, Shpresa jonë e humbun,...që u Ringjall!...
Liria e Fesë - Liria e Atdheut!
Ja pra, binomi gati i harruem “Fé e Atdhé” i Françeskanëve Martirë Shqiptarë!
U riparue Kisha Katedrale, që edhe pse e shihnim me sy, s’ na besohej se ishte mes nesh madhështia e Atij Burri, po, e Atij që komunizmin e shembi me kulm e themel, Polaku Trim Vojtila, për të cilin u flijue një Kler Katolik, jo vetëm tue mos i ra mohit, po tue dhanë edhe jetën për Té, Ai brohoriste në Zallin e Kirit: “Rrnoftë Papa e Rrnofshin Katolikët në Botë!”
U riparue edhe Kisha Françeskane në Gjuhadol.
Kur hyna herën e parë, them të drejtën m’u mbushën sytë me lot...
Ishte krejt e pastër dhe e dritëshme, po mue m’u duk shumë e vorfën. M’u kujtuen Klerikët që dikur fëmijë i ndihmonim në Meshë, por që s’ ishin ma asnjë. Eltërët ku gjyjzoheshim dhe me kemtarët ndër duart e njoma tonat tymosej Ai vend krejt ndryshej... As lampadari i bukur që varej në mes të Kishës nuk ishte ma... Asnjeri nuk kishte as tek vendi i korit...heshtje...
Të gjitha figurat dhe veprat e artit nuk ishin ma! As Udha e Kryqit, aq e bukur, s’ishte ma!
Nuk ishin ma as statujat e Shejtënve, as Elterët e Tyne....Të gjitha janë thye e zhdukë...
Aty ishte  Elteri i Shna Ndout, ku çdo të marte shpërndahej “Buka e Tij”...
Mendova... me vete: Kur në gjithë Shqipninë asht zhdukë e prishë gjithëshka fetare, si ka mujtë me mbetë pa u thye nga ai rrebesh komunist vetëm statuja e Shna Ndout!?...
Aty ishte vetëm Ajo statujë e dikurshme e Shna Ndout!
As genocidi 50 vjeçar komunist nuk kishte arrijtë me e zhdukë Até!
Ishte pra, Ajo statujë, që shumë vite ma parë, unë ishe përulë me respekt para Saj...
Ishte pikërisht Ai Shna Ndue, pranë të cilit predikoi Fishta, Harapi, Prennushi, Palaj, Rrota, Kurti, Prela, Sirdani, Nika, Shllaku, Llupi, Gjolaj,Targaj, Tracki, Koda, Baqli etj.
Ishte pikërisht  Ai Shna Ndue, nën zhgunin e të cilit Sigurimi komunist futi armët!
Ishte, pra, Një Mbrekulli, që unë po shihshe me sy!
Shna Ndou i Kishës së Françeskane të Gjuhadolit, Ai Shna Ndue i vitit 1946 dhe 1967, Ai, vazhdonte me kenë mbi Tokën Shqiptare, dhe ishte po n’ Atë Elter ku ishte dhunue!
Ai asht Shna Ndou i Mbrekullive të Shkodrës!
Kush nuk  beson të shkojë e ta shohi, e kush nuk u beson syve, ta prekë me dorë!
Unë i besoj Mbrekullisë së Tij të Madhe!
Shna Ndou i Kishës së Gjuhadolit asht kenë dhe do të jetë përgjithmonë në Shkodër!

Melbourne, Qershor 2007.

Poezi eksluzive për Floripress nga poeti Naim Kelmendi,nga vëllimi "Në vend të asgjësë",

Nga Flori Bruqi




Naim Kelmendi (1959). Lindi në fshatin Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Naim Kelmendi një kohë të gjatë ka jetuar në Zvicër.

VEPRAT LETRARE:

POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.Etj.

PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.Etj.

Naim Kelmendi jeton në Prishtinë.

NË VEND TË ASGJËSË


Në vend të asgjësë
kam shpirtin tim
përditë në stacion
të pakuptimësisë

rrugëve të kuptimit
në kërkim të vetvetes
hullive të mnerta të vetëjetës

prandaj s’dua ta trandë as për një çast
këtë kuptim prej asgjëje
sepse s’e kam fuqinë e zotit t’i ndryshojë gjërat

dhe në vend të asgjësë
gjithmonë ka diçka që ma kuptimëson
frymëmarrjen,mendimin për të jetue
dhe që do të shuhemi këtej jete
është aksiomë e njohur nga e vërteta

po sa vështirë ata bëjnë përpjekje për ta mundur vdekjen…
pa mundur t’i qetësojnë askurrëmë dhembjet
e thekshme të shpirtit pa shpëtim
dhe kur vdesin thua se nuk ishin kurrë pjesë jona

unë s’dua të shkel më mbi vetveten
e ta denoj shpirtin tim me gjithfarë teorish
të paqena…që vrasin që helmojnë

dhe në vend të asgjësë
prapë si një lulediell vjen dashuria
prandaj këtu kemi ardhur të duam
e jo të vrasim të urrejmë krijimin e zotit-njeriun
dhe duhet të shkojmë,ama të shkojmë heshtur dhe pavërejtshëm
pa prishur as për një çast as rendin as rregullin

dhe unë zotohem se në vend të asgjësë
do të vijë kuptimi i diçkaje
për të të thelluar në kërkim të njohjes
dhe s’ke për ta njohur kurrë…

ka diçka tej shikimit
diçka ka tej mendimit
ka diçka tej t’vërtetës
diçka ka përtej jetës

bari do të lulëzojë dhe bimët do të kokrrojnë
dhe ne dhe ju dhe ata të gjithë dhe gjërat
që s’i njohëm kurrë dhe s’kemi për t’i njohur

përgjithmonë në vend të asgjësë…

MAL I MADH



Mal i madh
e unë kërkoj
majën e gjilperës
veten e humbur

po askush s’e ka humbur veten
që unë ta gjej fatin e humbur
në mjegullën e epshit
dhe dal nga teatri i gazepit njerëzor
për ngritje për forma deri në Maje
servilët pederët laviret dhe shumëkëmbëshat
jetojnë më së miri në këtë zallahi jete

unë ende kërkoj veten dhe melodinë
e humbur në jehonën e një vajtimi të këputur

ec e dije mbrëmë kush kënd e ka mashtruar
deri në poshtërim dhe e ka hedhur si limonin

dua ta them se kështu jeta s’ka asnjë kuptim
në Malin e Madh dal i vetëm dhe humbës
i krejtë kohës në eksplorim…
shëndosh koka pra
rrugën e gjejnë të tjerët
ata që kanë shpikur kodin e jetës
shumëngjyrëshe… shumëkuptimëshe…
shumëmënyrëshe…
mal i madh e unë ende kërkoj majen e gjilperës
e ende kokrroj mendësi kokëdhembëse…
dhe ia shkel bishtin, dikund kokën nxjerr
vjen erë sperme nëpër të qarat e natës

por njeriu dhe unë ecim e ecim e mendojmë ende
për shtëpinë për familjen për ngjyrën prej njeriu
për identitetin për dorën e fshehët për dorën e zezë
që pret lisat natën që shkruan skenarët e lavireve

sikur na e ka ëndja ta hamë më të mirin
na e do gjaku që ta rrëzojmë secilin
dhe s’bëhet gjë prej gjëje
pa dirigjuar dikush nga prapaskena

ato fytyra që shikoni në skenë janë veç maska
të mjera… tragjike…askushët e askundit…
vetja ua ka gërdinë e fatit të tyre t’pafat

KOHA PA TY

Koha pa ty është kohë pa kokë
kohë që i digjet shkrumb dhembja
dhe kohë që i ka mall vargu e fjala

koha pa ty është kohë e ndalur
dikund në një vegim dhe s’i ec
as ora s’i del as fjala as vargu

koha pa ty rrin në rremb të qyqes
krejt qyqevetem
dhe i rriten flokët, dhe
i rriten thonjët, dhe thërmohet
imazheve të pritjes
dhe ia ha vetes thonjët dhe ia ha
vetes vargjet dhe fjalët në gojë

është gjykim i vetes
dhe mallkim është
në hirin e asgjësë

nëse nuk kthehesh…

koha pa ty rri në rremb të qyqes
krejt qyqevetem








































EKSKURSION SPEKTAKOLAR I 800 GRAVE SHKODRANE SHKODRANE NË PRIZREN

RIZA  LAHI
 
   EKSKURSION  SPEKTAKOLAR I   800 GRAVE SHKODRANE  SHKODRANE NË PRIZREN
 
Që të gjitha të veshura me gjëra të ndezura, si korie me lule ngjyrangjyra, me 
dialektin e ambël e të paprekur, siç e fliste Ndre Mjeda, duke kënduar dhe bërë 
shaka  siç i ka ujrat e veta shpirti i gëzuar i shkodranëve, ato u nisën qënga 
Shkodra e tyre herët në mëngjes.
Iu bënë të njëjtën pyetje punonjësit e doganës të Republikës  sonë dhe asaj të 
Kosovës: autobuzëve me këngë shkodrane “A keni lënë ndonjë grua në Shkodër?”, 
apo, “ Paj, të tana motrat e nanat shkodrane ia paskan mësye sot Prizrenit?”
Gratë,  si kundruan “ me ato sytë e bukur” – do të perifrazonim Vaso Pashë 
Shkodranin – rrugën e re, tunelin madhështor; si panë me përmallim tokën 
kosovare, u ndalën në Prizren dhe  ngopën syrin me ‘të. Sigurisht që bënë veç 
 fotove,  edhe pazar ( Oh, edhe kur shpenzojnë shkodranet – sëmundje planetare e 
grave të shpenzuarit – blejnë  gjëra  për shtëpinë  e njerëzit e shtëpisë e 
kënaqen sikur po vënë xhevahire për t’ia vënë vetes në qafë!.)
 Kundruan gjithëçka atje…Panë shtëpinë muze të “Lidhjes së Prizrenit”…
Shkodra me Prizrenin janë qytete të traditës së lashtë qytetare shqiptare; 
pikërisht këta të dy qytete kanë patur historikisht vajtje e ardhje pareshtur.
Jeta bëri të veten e i ndau. Ja, po i afron sërish.
Tek prisnin të vinin kamarjerët në lokalin më luksoz atje,  te “Vila Park”, 
kushedi se sa prej grave, mendonin për periudhën e tmerrëshme të popullit të 
Kosovës, kur regjimi fashist i Beogradit të Millosheviçit, i përzuri genetikisht 
kosovarët nga trualli i tyre. 
 
Lotët të shpëtonin ato ditë ndërsa shihje nëna me fëmijë, pleq, vajza të reja me 
xhinse a rroba mode, qerre, makina, traktorë të ngarkuar me plaçka, qën dhe mace 
shtëpie, që kalonin kufirin me kokat e ulura dhe sytë e mekur nga të qarët. 
Kalonin duke lënë pas, përveç kujtimeve, edhe një grup burrash  të armatosur, që 
nëpër grykat e armëve po përcillnin si viganë lavdinë e  burrërisë kosovare; 
duke pritur vdekjen nga plumbi si  të lindin edhe një herë..
Kushedi se sa nga këta gra shkodrane u kanë dhënë “me hangër e me pi” kushedi se 
sa familjeve kosovare! Burrat dhe fëmijët e tyre  mbase ua kanë kthyer vizitën 
pas fitores familjeve të strehuara, por, oh, kushedi se sa nga këto gra shtëpie, 
nuk e kanë lujatur këmbën nga trualli I shtëpsë . Duke pritur  me  derën   hapur 
dhe plot kërshëri “përshtypjet prej Kosovës”...
Janë këto nëna e gra shtëpie shkodrane që e kanë lumurinë e tyre duke u shërbyer 
pleqve të shtëpisë, që të gjithëve, ani, edhe të lodhura prej puns; duke pritur 
e përcjellë miq, duke fjetur të fundëtat e duke u zgjuar të parat. Duke mbetur 
kështu tër jetën  - të bukura e me shpirt të bukur, fol e qesh e këndo, duke 
ruajtur  natyrën e tyre para telasheve të përditëshme  këto, me aftësi 
spektakolare për të gjetur rrugëzgjidhjen më të bukur për meshkujt e shtëpisë 
kur kanë halle. 
 
Kundron këto gra dhe vajza… I përkasin baballarëve e nënave “ashikë”, që për një 
këngë, për një mik, e boshatisin xhepin apo hyjnë në borxh dhe mysafiri nuk e 
dallon dot këtë sakrificë mbi shpirtërore; I përkasin asaj rrace që kanë dhënë 
jetën për dashurinë;  një populli kryetrim e I paepur, por që  edhe këngët e 
trimërisë I këndon me motve nga këngët e dashurisë  dhe…në mendime sërish.
Te këta nëna dhe motra, ende nuk ka mundur të hyjë “qytetërimi  i  shalëjashtave 
 rebeleve”. Thuajse nuk ka asnjë rast që të ushtrojë prostitucion në Itali 
ndonjë vajzë nga qyteti I Shkodrës , kur, sipas statistikave italiane, 
përqindja  shqiptare e këtyre viktimave e fatkeqeve,  është e llahtarëshme ( dhe 
unë nuk dua ta shkruaj këtë shifër). Një familje shkodrane bën çfardo sacrifice 
për nderin e bijës së shtëpisë. Dhe bija, sigurisht që përlotet dhe egërsohet si 
bishë, kur të shikojë që dikush I nëpërkëmbë daillëkun e krenarinë babait a 
vëllait të saj.
Edhe mbi popullin e  Shkodrës, mbi kështjellën shekullore të kulturës së tij, 
kësaj rokaforte mbarëkombëtare, presioni  ka qënë  turullosës, por ai shtënrgoi 
dhëmbët, tendosi shpatullat të ronte  qytetërimin e  tij të lashtë. Dhe në ballë 
të kësaj rezistence kanë qënë dhe janë, ja, këto femra që qeshin me zë të lartë, 
që kujdesen të ulin cepin e fustanit kur ulen, që e kanë të zhvilluar krejt të 
natyrëshëm ndjenjën e turpit që thuajse ka humbur ngado nëpër Ev ropë dhe po 
humbet me të shpejtë edhe në vëndin tonë, aq sa  do të vijë koha që ta 
dëshërojmë. Sa ç’e dëshërojnë sot nëpër Evropë, që e kanë deri edhe emër gruaje 
dëshirën për këtë ndjenjë ( “Verina” – një emër sh I përhapur në Skandinavi, 
Gjermani e gjetkë, do të thotë pikërisht “vajzë me cipë”).
   Mirëpo, si u organizua ky ekskursion një ditor? Sa vallë të kenë paguar 
secila nga këto gra të një qyteti ku një paçe kushton 120 lekë dhe një kafe 
normale 30 -  tregues të standartit të ulët të jetësës edhe në këtë qytet që ka 
ndërtimin gjeografik siç është përfytyrimi I myslimanëve për Xhehenetin, pra, 
rrethuar me ujra të ëmbël -  Drini, Buna, Kiri dhe Liqeni?
Absolutisht as edhe një kacidhe.
Kush I ka paguar? Bashkia? Ministria?
Jo, jo! Vetëm një njeri. i cili, në drekën madhështore që u shtrua në “Vila 
Park”, nuk shkoi. Ishte një ditë më parë në Prizren, bisedoi, pagoi gjithëçka, 
porositi që për shpenzime ekstra do të vinte vetë ta likuidonte  dhe…u kthye në 
Shkodër.
Shpatullat vigane të  këtij burri, ish kampion I mundjes klasike për njëmbdhjetë 
vjet në peshën e rëndë dhe që shokët e thërresin “harushë”, nuk e përballonin 
dot barrën e falënderimeve.. Më mirë se atje, te “Vila Park” mes grave gazmore 
shkodrane -   ku kishte lënë të shoqen Valin dhe të kunatën Mimozën - Sait 
Fishta shkoi te foleja e tij e mëngjesit. Te foleja gazmore e shkodranëve… 
 
Tanimë ky grup shkodranësh në Tiranë, I përbërë nga gjeneralë të humorit 
mëngjesor ,  “qysh në pikë të sabahit” si Fetah Laçaj, Qemal Zhabiaku, Ruzhdi 
Fatusha, Xhorxh Grabova, Remzi Kruja, Masar Zekja, Sulw Begolani, Ferit Burrja, 
Gilman Muka …  është bërë I famshëm edhe nga poezia një poeti rus,  nga më të 
mëdhenjtë e njerëzimit sot.
Një e qeshur me shpirt është terapia e mrekullueshme e qindra mikroinfrakteve që 
kalon çdo ditë organizmi njerëzor.
A nuk e kishte zgjedhur bukur për ta kaluar mëngjesin Saiti që din të qeshë me 
shpirt dhe që ka pasionin më të madh të tij t’u bëjë mirë të tjerëv? A nuk ishte 
më bukur se sa t ë prisje falënderime, komplimente e lëvdata, të mbaje ijet me 
dorë në tavolinën gazmore të “Mesdheut”?
     Sait Fishta, që mban titullin honorifik “Nderi I qytetit të Shkodrës” dhe   
merret me ndërtime. Ai ka bërë të mundur ringritjen e xhamisë që ka qënë 
krenaria e Shkodrës, asaj me dy minaret, në lagjen Parrucë . E ka ngritur pa 
ndihmën financiare të fondacioneve të huaja myslimane, siç është bërë gjithandej 
dhe, për këtë inisiativë të denjë për bijtë e Shkodrës, së shpejti do të dalë 
edhe një libër lluksoz dhe laik. Parku madhështor i apartamenteve në Velipojën 
turistike është realizuar nga “Firma Fishta”. 
 
Mirëpo, tanimë ka dalë në modë që biznesmenët që kanë të punësuar në kompanitë e 
tyre me dhjetra e mbase qindra kryefamiliarë, duhet të rreshtohen me ndonjë 
forcë politike; e kanë të doemosdoshme që të jenë nën ombrelën e një force 
politike, që ta ndimojnë e t’I ndihmojë. Shkrimtarët, si puna ime, edhe bëjnë si 
bëjnë, sforcohen sa mundin, dhe edhe mund t’i  shpëtojnë grishjeve e lluksit për 
të qëndruar jashtë këtyre çadrave, por biznesmenët e fuqishëm, e kanë   të 
pamundur praktikisht.
Dhe Fishta, si pa me kujdes spektrin politik, si studioi liderët e partive, si 
provoi edhe përvoja personale me ta, vendosi t’I bashkëngjitej partisë Lëvizja 
Socialiste për Integrim. Kjo, falë simpatisë personale që krijoi për zotin Ilir 
Meta .  Ai na e përsërit shpesh simpatinë për ‘të  “ Ilir Meta? Më dëgjoni mua! 
Ai  është burr! E thotë, e mban fjalën. Është vizionar dhe I afrueshëm me 
njerëzit dhe ta din nderen .”
 LSI, dega e saj në Shkodër, arriti kështu  të joshte një “Superfuqi” të 
mirësisë, dashurisë njerëzore por edhe të biznesit, si Sait Fishtën, që  që e ka 
të shnëjtë dhënien e mbajtjen e fjalës.
Në kohën kur ne kemi evidentuar ndonjë lider partie, I cili, në një çast dobësie 
pat deklraruar një të vërtetë të pacipë dhe mbarë kombëtare thuajse, sipas së 
cilës “ Jo të gjithë premtimet elektorale mbahen”, Fishta bëri atë që përputhet 
me edukatën e shëndoshë familiare, me burrërinë që I ka dhënë qyteti I lindjes 
dhe me grishjet e përherëshme të mentalitetit mysliman që e konsideron gjynah 
mosmbajtjen e premtimit, amanetit…
Siç tha aktivistja e LSI që patëm rast ta takonim në Shkodër, Shpresa Lekiqi, 
“Unë nuk di ndonjë rast tjetër në Shqipëri që dikush të rendë të mbajë premtimin 
e dhënë para fushatës e të raportojë s e si e ka tejkaluar atë”.
    Në eskursionin e asaj dite qenë parashikuar të shkonin 420 gra, kryesisht 
aktiviste të forumit të gruas së LSI që drejtohet nga arsimtarja Vjollca Vuçini, 
por në mëngjes qenë mbledhur dy fishi. “Pah! Ça kena hekë me gjetë autobuzat e 
mikobuzat për me I nistë të tana.gratë   Shkova edhe vetë në Prizren, por Saiti 
u nis për Tiranë” – më tha Isa Reka, një burr që I këndon mirësia në çdo qelizë 
të fytyrës, zgjedhur “këshilltar” dy legjislatura në Shkodër, dhe që ishte 
sekretari I LSI në locale që drejtohet nga një dorë e fortë organizimi, si ish 
socialisti Edip Shiroka. 
 
    Jemi në selinë e LSI. Kam mbi njëzet vjet që nuk kam shkelur në selinë e 
ndonjë partie.  E kam thyer rregullin sot për hatrin e Sait Fishtës, me të cilin 
kam udhëtuar qënga Tirana sot  për  të parë dhe, shkruar diçka rreth këtij 
ekskursioni. Motivi im nuk është edhe aq shpenzimi I madh nga një individ, as të 
mbledh përshtypje nga nëna e gra shkodrane me të cilat jam rritur edhe unë, 
madje as edhe të evidentoj përkujdesjen e dikujt për gruan, që me forma të 
gjithfarëshme po nëpërkëmbet e poshtërohet përditë. 
 
Është dikush që është sulur të mbajë një premtim të dhënë. Ky “dikush” është 
njëra prej luleve të tavolinës gazmore të shkodranëve. Fishta para zgjedhjeve u 
ka shtruar një drake 300 aktivisteve të LSI te “turizmi” ku u tha se, mbas 
fitores, “kam me ju çue në Kosovë” 
 
Disa gra , aktiviste të LSI në Shkodër, e ndonjë burrë po na prisnin “këtë 
gazetarin qi ka ardhë nga Tirana që e kena prej Zdrales? A e njifni familjen 
Lahi? Nji ky asht , pra, Rizaja. E kena…”.
Mua më vjen pak  rëndë nga prezantimi im.Që tetëmbëdhjetë vjeç kur kam lënë 
Shkodrën,gjithmonë, sa herë që vija dhe që vi, I lë “spaletat”, “gradat”, 
“trofetë” te “Ura e Bahçallëkut”  dhe, me duar në xhepa e duke vërshëllyer, 
kthehem 18 vjeçar 
 
  sërish…..
Vjollca Vuçini, Kryetare e LSI, Shkodwr: Me mbeshtetjen e vazhdueshme te 
kryetarit te partise zotit Ilir Meta, sponsorizimin e vazhdueshem te biznesment 
shkodran zotit Seit Fishta kemi organizuar aktivitete te shumta ku do vecoj disa 
prej tyre:takim me 60 gra ne zyren e LSI-se me teme:roli i LSI-se ne emancipimin 
e gruas dhe vendimmarrje.i shoqeruar me koktej i realizuar ne mars 
2011.aktivitetin e mbylljes se fushates per zgjedhjet lokale duke respektuar dhe 
falenderuar kontributin e sakrificen e cdo gruaje LSI-ste, ne vecanti 17 grate 
dhe vajzat kandidate per anetare e kshillit bashkiak.u realizua ne hotel rozafa 
ne nje darke ku moren pjese 200 gra…Nw Prizren?....Banoret shikonin ne autobus 
targen e shkodres na buzeqeshnin e pershendesnin me dore.kaluam autokolone duke 
perfunduar ne Brahdovic te Vila park,nje pamje magjepese. lokali gjendej ne nje 
lugine mes dy Maleve ku afer tij gjarperonte nje perrua.Ata ishin bere gati per 
ne,nje shoqe e pyeti nga kurioziteti:Ka ardhur zoti Seit para 2 ditesh dhe na ka 
porositur nje sherbim sherbim special dhe mikeprites per grate e LSI-se iu 
pergjigj pronari, shqiptari e mban fjalen.kishin pergatitur tavolinat brenda dhe 
jashte lokalit, te lodhura paksa nga rruga te gjitha zune vend, po sodisnim 
natyren dhe bisedonim duke rrespektuar njera-tjetren dhe duke treguar nje 
pefaqesim dinjitoz
…Ixhlal Agoviku, gazetare: “ Kena shkue në Kosovë vetëm me karta 
identitetit…Jana këndaqë…Jo, more, kishte edhe prej partive të tjera…Kishte gra 
që nuk e kishin kaluar kurr Urën e bahçallëkut, intelektuale, të papunë, 
shtëpiake…
Shazie Malevi, ekonomiste: Unë kam shtetitë tanë Shqipninë pëllambë për 
pëllambë, kam dalë jashtë shtetit kushedi se sa herë, po, si një këtë herë nuk 
jam kënaqë…Si më the? LSI a asht e majtë apo e djathtë? E majtë evropiane, mor 
asht, por, asht forcë politike e pamvarun. Kur grihen dy, fiton i treti. , Pse, 
jo? E? Si the? Pse pat dalë ajo “pastë rahmet LSI?”. Pastë Rahmet Edi Rama! 
Heh!”
Midush  Shabaj : “Unë  kam kenë në partinë e professor Milos, “Demokracia 
sociale”. Mirëpo, ika. A e din se pse?Qe, pot a diftoj nji tash. Ishte nji 
ditë….”
Edip Shiroka: “ Jo, more, nuk e  shofim jeni tjetrin si armiq me socialistat…Nc, 
na nc. As agresivitet me njenitjetrin nuk kena. Na morrëm shumë vota simjet se u 
organizuem mirë. Sidomos rinia e gruaja. Ne aktivizuam militantët e vjetër të 
LSI krahas të rinjve..kena marrë 5 këshilltarë nga 44…Si the? A na ka ndihmue ne 
PD? S’di ça me të thanë, porn a kena votue , si individ, për kanidatin e PD 
Lorenc Luka, si këshilltarë, për partinë tonë. Ban vaki e ka votue ndonji I PD 
për këshilltarët tonë, por vetë nuk di gja!”
….Aktivistet e LSI më dhanë edhe nje fletore ku kishin hedhur përshtypjet e veta 
disa nga gratë eskursioniste. Gjithfarë kaligrafie. Gjithfarë urimesh. Në fund 
ka emra dhe mbiemra grashë, ka vetëm emra pa mbiemra, ka iniciale, ka edhe vetëm 
firma. Le të exojmë  diçka së bashku:
 Miriona Lahi : “ Asht kënaqësi me kenë në LSI, ku ka shumë njerëz të ndershëm 
dhe intelektualë. Biznesmeni Sait Fishta  na ndihmoi shumë forumin e grave të 
LSI tuj e mbajtë premtimin.
Mirela Imeraj:” Ëshë kënaqsi e jashtëzakonëshme  për mue, si grue shkodrane  dhe 
si antare e LSI , që u bame të tana bashkë e dolëm nji herë prej 
shkodret…hahahah…pa e shti dorën në xhep “
 Gani…: I uroj Sait Fishtës :ja priftë zoti të mbarën dhe ja ruejtë zoti 
familjen e biznesin”.
Mira Abulli: “ Ka kenë nji kënaqësi e papërshkrueshme…”
Hydi : “Jam Hydi.Ju falënderoj LSI. Ju falënderoj “Vila Park”. Ishte kënaqësi”
Fatmir Hysa, kyretar rajonal I LSI:  Sait Fishta  asht tregue shkodran tamam! 
Nuk ka lanw kwrkend nw tokw sa ishin atje, te teatri “Migjeni”
Vali Fishta - …Wow! Si nuk m’u duk harxh I madh nga fondi I familjes? Dakord pwr 
400 veta, po…dy herw ma shumw? Mmm…Mirwpo, kur mw than w telefon Saiti , 
njashtu, me za tw ambwl,  se ban zoti mire me ja ba qejfin atyre grave qe 
shumica e tyre nuk e kane kalu uren e bahcallekut u qetesova… Posi, kena pasw 
telashe boll me organizue drekwn pwr tanw ato njerwz, por I pwrballueme pwr 
bukuri bashkw ato tw forumit tw gruas sw LSI, motra jeme  Mimoza si dhe me tre 
shoqet e mia te shkolles- Drita,Lira dhe Valbona…A? Si the? A jam ba xheloze unw 
kur thojshin gratw fjalw tw ambla pwr burrin tem? Hahahahaha….Mirw more me 
vinte. Ma pwrshkruejshin Saitin 
 
  si nder djemt ma te bukur te Shkodres ,qesh e njesh me thonin fjalw me mw 
ngacmue qw… me kthyen 24 vite pas nw kohe kur u fejuam,e ndjeva atw xhelozi tw 
atyre viteve. Me te thanw drejten kisha vite qe e kisha reduktu po kwshtu qenka 
njeriu,jane disa ndjenja qe nuk vdiskan kurre.... 
 
 
Një kujtimi tillë, ku në përgjithësi ka urime nga më origjinalët për Saitin dhe 
LSI, përmëb një souvenir I rrallë pas shumë viteve…
     Nisemi për Tiranë.
“Sa harxhove, harushë? Sa të shkoi tanë rruga , me makinat e me drekën, e kafet 
e…”
Është e pamundur ta di.
Sait Fishta nuk don të ma tregojë. As lexuesit nuk kanë nga ta dinë.
Në një aforizëm të profetit të myslimanëve Muhamet thuhet: “Atë që dhuron dora e 
djathtë, nuk bën ta dijë as dora e majtë”.
Nderi I Qytetit të Shkodrës, Sait Fishta, që mban edhe titullin “Haxhi” I 
përmbahet me shumë dashuri kësaj aforizme…
 
                  RIZA LAHI 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...