2011-06-15

Poezi eksluzive për Floripress nga poeti Naim Kelmendi,nga vëllimi "Në vend të asgjësë",

Nga Flori Bruqi




Naim Kelmendi (1959). Lindi në fshatin Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Naim Kelmendi një kohë të gjatë ka jetuar në Zvicër.

VEPRAT LETRARE:

POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.Etj.

PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.Etj.

Naim Kelmendi jeton në Prishtinë.

NË VEND TË ASGJËSË


Në vend të asgjësë
kam shpirtin tim
përditë në stacion
të pakuptimësisë

rrugëve të kuptimit
në kërkim të vetvetes
hullive të mnerta të vetëjetës

prandaj s’dua ta trandë as për një çast
këtë kuptim prej asgjëje
sepse s’e kam fuqinë e zotit t’i ndryshojë gjërat

dhe në vend të asgjësë
gjithmonë ka diçka që ma kuptimëson
frymëmarrjen,mendimin për të jetue
dhe që do të shuhemi këtej jete
është aksiomë e njohur nga e vërteta

po sa vështirë ata bëjnë përpjekje për ta mundur vdekjen…
pa mundur t’i qetësojnë askurrëmë dhembjet
e thekshme të shpirtit pa shpëtim
dhe kur vdesin thua se nuk ishin kurrë pjesë jona

unë s’dua të shkel më mbi vetveten
e ta denoj shpirtin tim me gjithfarë teorish
të paqena…që vrasin që helmojnë

dhe në vend të asgjësë
prapë si një lulediell vjen dashuria
prandaj këtu kemi ardhur të duam
e jo të vrasim të urrejmë krijimin e zotit-njeriun
dhe duhet të shkojmë,ama të shkojmë heshtur dhe pavërejtshëm
pa prishur as për një çast as rendin as rregullin

dhe unë zotohem se në vend të asgjësë
do të vijë kuptimi i diçkaje
për të të thelluar në kërkim të njohjes
dhe s’ke për ta njohur kurrë…

ka diçka tej shikimit
diçka ka tej mendimit
ka diçka tej t’vërtetës
diçka ka përtej jetës

bari do të lulëzojë dhe bimët do të kokrrojnë
dhe ne dhe ju dhe ata të gjithë dhe gjërat
që s’i njohëm kurrë dhe s’kemi për t’i njohur

përgjithmonë në vend të asgjësë…

MAL I MADH



Mal i madh
e unë kërkoj
majën e gjilperës
veten e humbur

po askush s’e ka humbur veten
që unë ta gjej fatin e humbur
në mjegullën e epshit
dhe dal nga teatri i gazepit njerëzor
për ngritje për forma deri në Maje
servilët pederët laviret dhe shumëkëmbëshat
jetojnë më së miri në këtë zallahi jete

unë ende kërkoj veten dhe melodinë
e humbur në jehonën e një vajtimi të këputur

ec e dije mbrëmë kush kënd e ka mashtruar
deri në poshtërim dhe e ka hedhur si limonin

dua ta them se kështu jeta s’ka asnjë kuptim
në Malin e Madh dal i vetëm dhe humbës
i krejtë kohës në eksplorim…
shëndosh koka pra
rrugën e gjejnë të tjerët
ata që kanë shpikur kodin e jetës
shumëngjyrëshe… shumëkuptimëshe…
shumëmënyrëshe…
mal i madh e unë ende kërkoj majen e gjilperës
e ende kokrroj mendësi kokëdhembëse…
dhe ia shkel bishtin, dikund kokën nxjerr
vjen erë sperme nëpër të qarat e natës

por njeriu dhe unë ecim e ecim e mendojmë ende
për shtëpinë për familjen për ngjyrën prej njeriu
për identitetin për dorën e fshehët për dorën e zezë
që pret lisat natën që shkruan skenarët e lavireve

sikur na e ka ëndja ta hamë më të mirin
na e do gjaku që ta rrëzojmë secilin
dhe s’bëhet gjë prej gjëje
pa dirigjuar dikush nga prapaskena

ato fytyra që shikoni në skenë janë veç maska
të mjera… tragjike…askushët e askundit…
vetja ua ka gërdinë e fatit të tyre t’pafat

KOHA PA TY

Koha pa ty është kohë pa kokë
kohë që i digjet shkrumb dhembja
dhe kohë që i ka mall vargu e fjala

koha pa ty është kohë e ndalur
dikund në një vegim dhe s’i ec
as ora s’i del as fjala as vargu

koha pa ty rrin në rremb të qyqes
krejt qyqevetem
dhe i rriten flokët, dhe
i rriten thonjët, dhe thërmohet
imazheve të pritjes
dhe ia ha vetes thonjët dhe ia ha
vetes vargjet dhe fjalët në gojë

është gjykim i vetes
dhe mallkim është
në hirin e asgjësë

nëse nuk kthehesh…

koha pa ty rri në rremb të qyqes
krejt qyqevetem








































A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...