Nga Fritz RADOVANI:
Skandal në BE... Skandal në Tiranë... Skandal në Rinas...
Porsa njeriu do me pa
diçka për Shqipninë, del e shkrueme: “Një skandal…”
Ndoshta Shqiptarëve edhe u janë mësue sytë, veshtë
e truni me fjalën skandal, që në fq. 1762 të Fjalorit të Gjuhës Shqipe
shpjegohet kështu: “Ngjarje e pahishme, shkelje e turpshme e ligjeve, e
rregullave, e moralit shoqëror etj... Skandale rrugaçësh...”.
Ka edhe
mënyra të tjera që tregojnë çka asht skandali. Fotot janë mjeti ma i mirë për
me dashtë me shpjegue një skandal, që ngjanë, ose përsëritet disa herë, si bie
fjala skandalet e shtetit shqiptar! Në Tiranë shkrryhet për tokë Flamuri
Kombëtar...Dikush tjeter e shkelë edhe me kambë...Ka nga “ata” që edhe bajnë
vjerrsha për Flamurin, për Shqipen e Tij, dikund andej nga Çamëria, apo
pranojnë me e zëvendsue në Flamurin e Skenderbeut Shqipen Dykrenare me “copa
hartash”, p.sh. në Kosovë. Por ajo që më ka shtye me shkrue këte artikull
asht ajo që ngjau këto ditë në takimin që po zhvillohet në Bruksel, ku Shqipnia
vazhdon me ba bisedime edhe sot me flamurin “komunist” të dhunuem me “yllin e
kuq” nga sllavokomunistët në vitin 1944, flamurin e pranuem nga tradhëtari
anadollak Enver Hoxha, kur “shoku” apo “druzhe” Tito i pat dhurue edhe
dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, menjëherë porsa e kuptoj se me
çfarë plehu do të qeveriste shtetin kukull të Shqipnisë, pjesë e pandame nga
Jugosllavia. Vërtetë se kjo ishte “dhuratë” e Ruzveltit në Jalta, por kolltuku
i naltë i Tiranës në sherbimin e shovenistëve sllavokomunist të Jugosllavisë
dhe lanja e Trojeve Shqiptare nga Ulqini e deri në Çamëri nën sundimin e
shteteve fqinjë nga vetë Enver Hoxha, i cili deklaron në Beograd dhe Paris se “ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me
Jugosllavinë, po kemi marrëdhenje miqësore”, ka tregue se vetë drejtuesi i
shtetit shqiptar, që në vitin 1941, kur u themelue Partia Komuniste e
Shqipnisë, për me sigurue postin e tij, “ka shitë edhe Atdheun”, e si
rrjedhojë, bashkë me Shqipninë e Shqiptarët, edhe Flamurin Kombëtar të Shtetit
Shqiptar.
Duhet
t’u rikujtojmë Shqiptarëve se Ata Burra Heroj, që nuk e duruen dhunimin e
Flamurit Kombëtar dhe që u ngritën në revolta kundër diktaturës terroriste në
kampet e shfarosjes komuniste në Spaç apo Qafë Bari, janë Herojt e Parë të
pastrimit të Flamurit tonë nga simbolet komuniste dhe për këte veper Heroike
janë pushkatue, tue ua nxjerrë edhe sytë e ballit, mbasi Enver Hoxha e Ramiz
Alia nuk ngopeshin vetëm tue u nxjerrë Shpirtin, mbasi Shpirtin ata tradhëtarë
po ia nxirrnin mbarë Popullit Shqiptar, e këte e vertetojnë sot ma mirë se
kushdo tjetër dollarët e rezervuem në bankat Përendimore.
Në vitin
1991 mbarë Populli Shqiptar kur kërkoi që Shqipnia me kenë e pandame nga
Europa. Puna e parë që ka ba në mitingje dhe mbledhje të gjana, ka pastrue
Flamurin Kombëtar nga simboli komunist tue “hapë vrimë” për me fshi “yllin e
kuq”, shenjën e robnisë sllavokomuniste...Të gjithë brohoritën me ne dhe çuen
“dy gishtat nalt” tue thirrë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!..”
Edhe pse deri me 11 Nandor 1990, kur erdhën në Rrëmaji të Shkodrës, “ata”
kishin ndër xhepa teserat e PPSh, populli i besoj, se “ndoshta e kishin kuptue
veprën e vet terroriste ndaj Popullit Shqiptar” dhe i pranoi ndër tubimet e
veta, mitingjet e madje edhe ndër podet e mbledhjeve ku shtrohej fati i
Shqipnisë demokratike...
Kushtetuta e Re e Republikës së Shqipnisë përcakton saktë Flamurin dhe Stemën e Shtetit
Shqiptar. Këte besoj e di Presidenti, Kryetarja e Kuvendit Popullor,
Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Këte e di edhe Populli
Shqiptar!
Dhunimi
i Flamurit me “yllin e kuq” asht vepër e tradhëtarëve të Atdheut, Popullit dhe
Flamurit, por asht edhe “skandal” i Shtetit të sotëm përballë Bashkimit
Europian.
Dhunuesit e djeshëm vazhdojnë me u quejtë “Hero
i Popullit” endé sot...!
Dhunuesit
e sotëm janë “Nderi Kombit”...endé
sot, edhe pse Europa i njeh se deri dje ishin komunistë e sot multimolionerë me
“yllin e kuq” në flamurë e në zemer...
Asht e
vertetë se Europa e di që “Komunistët nuk janë Atdhetarë!”, por ndoshta, me Shtetin
Shqiptar e qeveritarët e saj, do me i tregue Këshillit të Europës se: A duhen
pranue këta...(nuk po e shkruej se çka i quejnë ata!!) edhe pse bajnë skandale,
mbasi janë brumosë ashtu, por nuk duhet të harrojmë se: “vetë komunizmi
asht një skandal!”..?
Melbourne,
Qershor 2011.