2011-06-18

Këshilltarët deklarohen më të pasur se ministri i Kulturës

I pari i kulturës në vend, Mr.sci.Memli Krasniqi, nuk është deklaruar edhe aq i pasur. Por nga deklarimet e pasurisë që janë publikuar të enjten nga Agjencioni Antikorrupsion i Kosovës, del se ai është i rrethuar me njerëz të pasur. Në mesin e drejtorëve të institucioneve, listës së më të pasurve vazhdon t’u prijë Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës. Edhe këtë vit Zeqir Hamiti, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka raportuar si pasuri bibliotekën e tij. E këshilltari i ministrit Krasniqi, Haqif Mulliqi, ka thënë se posedon eksponate artistike. Njerëzit që udhëheqin kulturën në vend nuk kanë deklaruar pasuri kulturore. Drejtori i Kulturës, Sami Piraj, që vjet kishte deklaruar se ka një traktor dhe një kombajnë, i ka hequr krejt nga lista e tij pasurisë.

Ministri në borxhe i rrethuar me këshilltarë të pasur 

Kreu politik i Kulturës në vend, Memli Krasnqi, ka deklaruar se ka një apartament, vlera e të cilit është 76 mijë euro. Para se të bëhej ministër, Krasniqi ka ngarë veturë “Opel Astra”, vlera e së cilës është 6 mijë euro. Krasniqi ka deklaruar edhe 2 mijë euro para të gatshme që i mban në banka të Kosovës, dhe 3 mijë të tjera që i mban në një bankë të Britanisë së Madhe. Por Ministri ka deklaruar se është në borxh. Ai ka dy kredi bankare me nga 15 mijë euro secila në një bankë në Kosovë. Më shumë para të gatshme se babai i tij, ka vajza e ministrit të Kulturës. Krasniqi ka deklaruar se ajo ka në bankë 4 mijë euro kesh. Ish - reperi merr çdo vit rreth 22 mijë euro. Mbi 15 mijë nga paga e ministrit dhe rreth 7 mijë nga kolegji “Iliria”. Bashkëshortja e tij i kontribuon buxhetit të familjes me rreth 16 mijë euro çdo vit si pagë në EULEX. 

Por reperi Genc Prelvukaj, aktualisht këshilltar i ministrit Krasniqi, është më i pasur, deklarativisht, se shefi i tij. Ai ka dy banesa, vlera e të cilave bashkë është 170 mijë euro. Ka të blera dy parcela toke që po ashtu bashkë kapin shumën e 350 mijë eurove, ndërsa ka trashëguar një tokë në vlerë prej 600 mijë eurosh. Prelvukaj ka deklaruar edhe dy shtëpi, në vlerë prej 100 mijë eurosh dhe një makinë që kushton 7.500 euro. Por Prelvukaj nuk ka shumë para kesh. Ka deklaruar vetëm 700 euro. Të hyrat e tij vjetore janë mbi 15 mijë euro. Prelvukaj ka edhe një studio muzikore, vlera e së cilës është 30 mijë euro, por nuk ka treguar sesa vlejnë 20 për qind të aksioneve në studion “Gramafon”. 

I pasur është edhe këshilltari tjetër i ministrit Krasniqi, Haqif Mulliqi. Si pronë të familjes ai ka raportuar një banesë që vlen 200 mijë euro. Ka raportuar edhe katër parcela toke që të gjitha bashkë kapin shifrën e 875 mijë eurove. Mulliqi nget veturë të 20 mijë eurove. Prej pesë burimeve të ndryshme, atij i mbushet buxheti çdo vit për më shumë se 22 mijë euro. Gruaja e tij, Shpresa, kontribuon me rreth 15 mijë të tjera. Ndonëse paguhet më mirë, ai ka para kesh shumëfish më pak se gruaja e tij. Të vetat ka deklaruar vetëm 300 euro, ndërsa të gruas së tij, e cila i mban në një fond të huaj, më shumë se 40 mijë euro. Mulliqi ka deklaruar se mban në shtëpi eksponate artistike, të cilave u ka vënë vlerë prej 50 mijë eurosh.

Më pak i pasur ndër këshilltarët del të jetë Shasivar Haxhijaj. Ai ka deklaruar si pasuri të përbashkët dy shtëpi me vlerë prej 120 mijë eurosh, dy parcela të tokës me vlerë prej 100 mijë eurosh dhe një qendër sportive në vlerë prej 60 mijë eurosh. Të hyrat e tij vjetore janë mbi 8 mijë euro, por ka deklaruar para të gatshme vetëm 500 euro.

Traktori e kombajna s’janë më pasuri e Pirajt 

Drejtori i Departamentit të Kulturës në MKRS, Sami Piraj, në pasurinë e tij të vitit të kaluar kishte deklaruar se ka në pronësi një traktor që ka vlerë 5 mijë euro, si dhe një kombanjë që kushton 500 euro më shumë. Por Piraj, në deklarimin për vitin 2011 ka hequr ato nga lista. Njësoj si vjet ai ka thënë se ka një banesë në Prishtinë, në vlerë prej 70 mijë eurosh. Ndërsa tokës dhe shtëpisë në fshat këtë vit nuk ia ka shkruar fare vlerën. Ka thënë të ketë kursyer 43 mijë euro, të cilat i ruan si para të gatshme. 

Krejt çka ka deklaruar si pasuri Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, është një shtëpi që vlen 220 mijë euro, si dhe të hyrat e saj vjetore që i afrohen shifrës 4.500 euro. 


Hadri prin me pasuri në listën e drejtorëve 

Njësoj si në vitin e kaluar, Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, nuk i ka caktuar vlerat monetare, por ka deklaruar një shtëpi, një banesë, një lokal dhe tokë të cilën thotë se ka trashëguar nga familja gjatë viteve ’70. Bashkëshortja e tij ka trashëguar po ashtu katër parcela që në total vlejnë 665 mijë euro, si dhe një banesë vlera e së cilës është 140 mijë euro. Vlera e veturës së tij është 25 mijë euro, ndërsa ka deklaruar para të gatshme 85 mijë euro. Ka thënë të ketë në banka edhe 47 mijë të tjera. 

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Zeqir Hamiti, po ashtu nuk ka deklaruar vlerën e pronave të tij. Ai ka thënë se ka tokë bujqësore, truall dhe banesë të përbashkët familjare, por nuk u ka vënë çmimin. Të gjithave bashkë vitin e kaluar u kishte vënë çmimin 610 mijë euro. Dramaturgu vjet kishte thënë se ka dy mijë libra të fituara për 30 vjet, ndërsa sivjet librat e tij po ashtu zënë vend të cilës si duket Hamiti e ka të vështirë t’i vërë çmim. 


Drejtorët e varfër! 

Nëse drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, mendon ta blejë ndonjë pikturë, mbase i duhet të hyjë në kredi. Ai ka deklaruar para të gatshme vetëm 320 euro. Të ardhurat e tij vjetore janë 5 mijë euro, ndërsa në listën e tij të pasurisë zë vend edhe një banesë në Prishtinë, që kap vlerën e 72 mijë eurove. 

Edhe më kë keq me kesh i ka punët Dilaver Kryeziu, drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Ai nuk ka deklaruar asnjë cent para të gatshme. Ka thënë të ketë të trashëguar një shtëpi që kap vlerën e 250 mijë eurove, dhe një truall 40 mijë të tjera. Ka një kredi bankare prej 10 mijë eurosh, që thotë se i ka marrë për shkollimin e vajzës jashtë vendit. 

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka deklaruar se ka një shtëpi që do të kushtonte 85 mijë euro. Ka edhe një tjetër shtëpi të vikendit që vlen 27 mijë euro. Ka deklaruar edhe dy vetura që bashkë bëjnë 15 mijë euro. Nga tri burime, ai paguhet çdo vit me 15 e 400 euro, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes marrin paga vjetore pak më shumë se 10 mijë euro. 

Edhe Jashari, edhe Spahija kishin deklaruar se kanë kredi bankare vitin e kaluar. Këtë vit, kreditë nuk figurojnë në deklaratat e tyre. 

Burbuqe Berisha, Ahmet Brahimaj dhe Agim Gërguri janë drejtorët e institucioneve që nuk kanë deklaruar fare pasuritë e tyre. 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...