2011-06-17

Soren Jesen-Petersen shpallet qytetar nderi i Pejës



Me moton “12 Vjet Liri” me aktivitete të shumta është festuar Dita e Çlirimit të qytetit të Pejës, që ka nisur me homazhe tek lapidarët e dëshmorëve të kësaj komune.
Një ndër ngjarjet më të rëndësishme që bëri qytetarët e Pejës të krenohen për këtë është shpallja qytetar nderi i ish-kryeadministratorit të Kosovës Soren Jesen Petersen, me ç’rast atij iu dhurua edhe çelësi i qytetit.
Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka thënë se populli i Kosovës nuk do të harrojë asnjëherë sakrificën e madhe të dëshmorëve për lirinë që ne sot gëzojmë.
“Pikërisht me këtë datë të 1999 Peja kishte pamjen e tmerrit, territ e të ferrit, pasojë kjo e një lufte të pabarabartë me okupatorin i cili vrau, masakroi, dogji çdo gjë që kishte adresë dhe frymë autoktone. Peja ishte më e shkatërruara në Kosovë me qindra të vrarë e të plagosur po aq edhe të zhdukur por asnjëherë nuk u zhduk fryma e lirisë për atdhe”, tha Berisha.
Ai gjithashtu ka çmuar edhe rolin e ish-shefit të UNMIK-ut Soren Jesen Petersen gjatë kohës sa ishte shef i këtij misioni në Kosovë. “Me ardhjen e Petersenit gjërat filluan të marrin drejtimin e duhur dhe ai fillojë të mishërohet me hallet dhe problemet e popullit tonë të shumëvuajtur, për dallim nga paraardhësit e tij. Ishte pikërisht Petersen i cili në vitin 2005 paralajmëroi se Kosova është e përgatitur të jetë shtet i pavarur. Nuk e kemi harruar as deklaratën e tij në vitin 2005, kur ai doli haptas në mbështetje të Ramush Haradinajt, i cili padrejtësisht po shkëputej nga puna për Kosovën”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, Soren Jesen-Petersen tha se ndihet shumë i nderuar që gjendet sot në Pejë në këtë ditë të veçantë dhe shumë të rëndësishme.
“Ju falënderoj shumë në këtë ditë të festimit të ditës së çlirimit të Pejës që më nderuat, duke më shpallur qytetarë nderi. Pas atdheut tim Danimarkës, Kosova është vendi që e kam më së afërmi zemrës. Kam kaluar dy vite të karrierës sime në Kosovë dhe kanë qenë vite që kanë kërkuar shumë punë, por kanë qenë edhe vite të arritjeve”, ka thënë Jesen-Petersen.
Ai ndërkaq ka shprehur bindjen se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të shpallet i pafajshëm dhe do të kthehet edhe një herë fitimtar në Kosovë.
“Unë jam po aq i pikëlluar sa edhe ju që Ramushit iu desh të sakrifikojë aq shumë për të dëshmuar pafajësinë e tij. Por jam absolutisht i bindur se siç ka ndodhur herën e parë edhe tash drejtësia do të fitojë dhe Ramushi do të kthehet i pafajshëm në Kosovë”, ka thënë Jesen-Petersen.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...