Tirana
u shpall kampione duke mundur në finale Ferizaj. E pranishme edhe
ambasadorja e re Shqipërisë në Kanada zonja Elida Petoshati
Nga
Ajet Nuro
Kur
kam shkruar një artikull për shoqatën e shqiptarëve këtu në
Montreal në vitin 2004 që në titull shprehja atë karakteristikë
të kësaj shoqate që është një Shqipëri etnike në miniaturë.
Asgjë nuk ka ndryshuar me kalimin e viteve. Bashkësia e shqiptarëve
të Montrealit ka qenë një nga më aktivet ndër bashkësitë e
shqiptarëve në diasporë. Ndonëse kohët e fundit, ndihet pak
mungesa e aktivizimit për të mos thënë një përgjumje por,
zjarri është aty, mjafton që t’i frysh pak hirit që ka mbuluar
thëngjijtë që fshihen tek ne. Ndonëse mua më ka pëlqyer të jem
“kronikor” i arritjeve të bashkësisë shqiptare këtu në
Montreal, shpesh herë kam bërë vrejtje me qëllim ndryshimet për
mirë të punës së bashkësisë. Sidoqoftë, në ato aktivitete ku
unë kam dashur dhe mundur të vë dorë, kam dashur cilësi. Në
fillim të këtij viti, pata një mendim dhe një dëshirë që të
grumbulloja sa më shumë shqiptarë që të ishte e mundur në një
aktivitet gjithë familjar ku çdo kush nga pjesëmarrësit të
ndihej aktor dhe pse jo edhe të njiheshim me njëri-tjetrin.
I
Have a dream ... do thoshte Martin Luther King... unë nuk kisha një
ëndërr në lartësinë e ëndrrës së Luter Kingut por të
ëndërrosh të zhvillosh një kupë futbolli me bashkatdhetarët këtu
në Montreal mund të quhet një ëndërr në diell nëse nuk ke
mbështetje. Ndryshe do të të quajnë “i marrë” siç thonë
shkodranët. Kur i thash z. Laze Leskaj se dua t’i grumbolloj të
gjithë shqiptarët që luajnë futboll për qejfin e tyre, në një
kupë ai më hodhi një sy për të parë seriozitetin tim, u mendua
pak dhe më tha do flasim me z. Hysni Marku. Z. Marku është një
intelektual dhe një mik i imi. Por nuk e dija që ai do më jepte
kartë të bardhë me atë mbështetjen e tij pa kufi. Kur shkova tek
z. Leskaj dhe z. Marku aty në palestrën ku ata luanin dhe ata i
njoftuan miqtë e tyre të mblidheshin sepse unë doja t’u
transmetoja një njoftim ata u grumbulluan dhe ndërkohë që unë u
bëja të ditur “ëndrrën” time “... ju luani për qejf ç’do
të shtunë ... pse të mos luani para familjeve tuaja me ekipe të
tjerë si Ju dhe kështu të organizojmë një kupë...” qe pak a
shumë ajo që u thash unë... Arturi (Artur Gjidede...) u hodh i
pari dhe tha “Nuk e di të tjerët por unë jam dakord!” Po
ashtu u shprehën edhe të tjerët. Njëri që unë nuk e njihja më
tha “Ajet, kjo është ide e shkëlqyer por ty të faleminderit që
erdhe dhe na bëre të pushojmë se ne këtu nuk na gjen ndonjë herë
të heshtur...” Pritja që i bënë ata propozmit tim të bënte jo
vetëm t’a ushqeja këtë ëndërr apo dëshirë por edhe çdo
kthim mbrapa do ishte ...turp...
Po
ato ditë takova edhe mikun tim Korab Xharra që edhe ai kishte disa
shok që luanin futboll të dielave që e përkrahu pa rezerva nismën
por me vrejtjen e drejtë që aktiviteti të ishte serioz në nivelin
e një aktiviteti familjar. E njëjta pritje edhe në lagjen LaSalle
ku takova z. Gëzim Shabani. Pasi u sigurova që kjo ide ishte jo
vetëm e realizueshme por edhe e pritur me doza entuziazmi, kësaj
nisme i integrova edhe krijimin e faqeve të verdha të bizneseve në
Montreal, gjë që e kisha nisur prej vitesh por kurrr nuk e kisha
realizuar. Realiteti i krijuar në këto vitet e fundit, ku shumë
shqiptarë kanë sipërmarrjet e tyre më shtyu t’a integroj këtë
projekt tek organizimi i kupës për t’i dhënë një vend të
privilegjuar njohjes nga bashkatdhetarët tanë biznesmenë, të
këtyre investisorëve apo sipërmarrësve.
I
sigurt që aktiviteti do pritej mirë u dërgova mesazh gjithë
bashkëkombasve të mi këtu në Montreal ku i njoftoja për
aktivitetin. Nga mesazhet që më dërguan kuptova se aktiviteti
ishte i realizueshëm. Po atë javë kryesia e Bashkësisë shqiptare
të Kebekut në Montreal, shyrtoi nismën dhe doli në përkrahje të
nismës duke marr përsipër edhe pjesmarrjen në përgatitjen e
aktivitetit. Kryetari i shoqatës z. Kujtim Ismaili si dhe z. Besnik
Bashi ishin të kontakt të përhershëm me mua dhe me ekipet e
krijuara.
Dua
t’u them se organizimi i një aktiviteti të till nga ana
logjistike dhe mledhja e të gjithë elementeve së bashku është
një kokëçarje më vehte. Po përmend disa elemente si rezervimi i
fushës, krijimi i ekipeve, krijimi i rregullave, hedhja e shortit,
thirrja për biznesmenët, pagesa, pagesa, pagesa... Nëse nuk do të
ishte krijuar një grup pune, për shkak të mungesës sime prej 10
ditësh, në fund të majit ndoshta aktiviteti nuk do ishte
zhvilluar. Por, falë punës së grupit të punës shumë elemente të
përgatitjes u realizuan edhe me mungesën time. Dua të nënvizoj
ndihmën e pakursyer të drejtuesve të organizmit CACI (
Centre d’appui aux communautés immigrantes) drejtoreshës së përgjithëshme, zonjës Anait
Aleksanian dhe ndihmësit të saj Ramon Carrasco që na vunë në
dispozicion lokalet e organizmit për mbledhjet tona të fund-javës.
Dita
e madhe e 5 qershorit
Në foto dy ekipet finaliste, me të kupe ekipi FERIZAj dhe me të bardha ekipi TIRONA
Disa
ditë para së dielës 5 qershor 2011 të gjitha mediat njoftonin për
shi. Vendosëm që edhe në shi kupa të zhvillohet... Por, natyra
ishte me ne. Një ditë para, të shtunën, mediat njoftuan
ndryshimin e kohës dhe kjo për mirë. Nuk ka shi për të dielën.
Dhe jo vetëm kaq. Më njoftuan se ambasadorja e re e Shqipërisë në
Kanada e cila i kishte dorëzuar letrat kredenciale tek Guvernatori i
Përgjithshëm i Kanadasë më 18 maj kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Pra, ajo do të merrte pjesë në aktivitetin e parë të saj me
shqiptarët e Montrealit.
Në
orën 11 që unë shkova në parkun ku ndodhej fusha, dhjetra
shqiptarë ishin rreth fushës. Shumë e shumë të tjerë iu shtuan
turmës në vazhdim. Ishte kënaqësi të shikoje kaq e kaq
shqiptarë, të rritur dhe të vegjël të merrnin pjesë në këtë
aktivitet. Aty nga mesdita pas disa përshëndtjeve të shkurtra që
bëra unë, kryetari i Bashkësië Shqiptare të Kebekut në Montreal
z. Kujtim Ismaili dhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada znj.
Petoshati, filloi aktiviteti sipas shortit të hedhur më parë.
Unë
u kërkova pjesëmarrësve të respektonin njëri-tjetrin për të
mos patur ndonjë plagosje sepse çdo njëri nga pjesëmarrësit ka
një familje dhe përgjegjësi që vijnë pas kësaj.... Por mund të
them se aktiviteti u zhvillua me në respekt të jashtëzakonshëm aq
sa është me të vërtet për t’u habitur. Madje dyshoj se gjaku
ynë i nxehtë ballkanik na është ndryshuar... apo është
ëmbëlsuar...
Do
të doja të flisja për ç’do ndeshje të kupës pasi njëra ishte
më e bukur se tjetra. Sidoqoftë do të përmend ndeshjen mes
Vllaznisë dhe Kastriotit ku fituesi u shpall nëpërmjet penalltive
dhe dy ekipet u ndan me shtrëngim duarsh si miq të vjetër.
Në
finale dolën Tirona (shqiptimi sipas dialektit tiranas...) dhe
Ferizaj. E ku mund të kishim një duel më të bukur sesa përplasja
e dy ekipeve që mbanin emrat e dy qyteteve shqiptare në dy shtetet
aktuale të shqiptarëve. Dy qytete të ndryshme, ndër ta njëri
përfaqëson kryeqytetin e asaj që quhet Shqipëria londineze ndërsa
tjetri ndonë përfaqëson një qytet shumë më të vogël simboli
është po aq i madh. Të dy ekipet ishin më të kompletuar nga ana
teknike. Secili nga ekipet kishte një staf prej dy deri në tre
vetash që kujedeshin për përgatitjen teknike të ekipit. Nga ana e
Tironës në përgatitjen e ekipit u morën zotërinjtë Sokol
Allushi dhe Genci Trebicka ndërkohë që ekipi i Ferizajt kishte
zotin Ruzhdi Ahmeti dhe dy ndihmësat e tij Sejdi e Enver Sejdiu.
Para
finales, në emër të organizatorëve u dhurova dy ekipeve finaliste
bluza të blera enkas në Tiranë, bluza me simbolet kombëtare.
Pamje nga ndeshja finale Tirona-Ferizaj
Pastaj
finalja. Një ndeshje që ishte në nivelin e një finaleje ... e
ngjeshur me raste, e pasur me gola dhe e pastër në shkëmbimet mes
futbollistëve. Sidoqoftë ...kur dy vezë përplasen, njëra do
thyhet... dhe në fakt Ferizaj u thye para ekipit të Tiranës. Me
një rezultat të pastër prej 4 me 1 Tirana u shpall fituese e së
parës kupë futbolli organizuar nga shqiptarët që jetojnë në
Montreal dhe rrethina.
Faqet
e verdha të bizneseve në Montreal.
E
organizuar për herë të parë në Montreal, realizimi i një liste
me bizneset në Montreal mund të themi pa frikë që ishte një
sukses më vehte. Si çdo fillim që ka vështirësitë e vehta edhe
ky aksion sigurisht nuk bënë përjashtim por vet fakti që u arrit
të mblidhen plotë 13 biznese shqiptare dhe tre biznese kanadeze që
duan të bëjnë biznes me shqiptarëret në Montreal, tregon se edhe
shqiptarët këtu në Montreal janë të ndërgjegjshëm se duhet
bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe se edhe biznesmenët e
komunitetit tonë mund të japin ndihmesë në përparimin e shumë
objektivave që shqiptarët e Montrealit kanë si bashkësi. Rëndësi
ka që secili të shikoj vetveten në realizimin e një aktiviteti.
Nja dy kuriozitete rreth bizneseve shqiptare në Montreal.
Biznesmenët shqiptarë këtu në Montreal kanë mes tyre edhe
milionerë. Në Montreal është diplomuar i pari veteriner në
Amerikën e Veriut. Bizneset më të shumta të shqiptarëve të
Montrealit janë në fushën e riparimeve dhe ndërtimeve.
Punë
të mbarë zonja ambasadore!
E
theksova pak më sipër se patëm fatin të kemi në mesin tonë
ambasadoren e porsa emëruar të Shqipërisë në Kanada znj. Elida
Petoshati. Nuk e kam njohur nga afër dhe as nuk kam qëllim këtu të
bëjë biografinë e saj. Unë do të desha të shpreh mirënjohjen
për pjesmarrjen e saj në aktivitetin tonë, atë përkushtim për
të marr pjesë në të gjitha fazat e aktivitetit(aktiviteti zgjati
mbi 5 orë...), atë thjeshtësi që e karakterizonte. Ajo mori pjesë
që nga fillimi ku ajo iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të
shkurtër ku ajo shprehu kënaqësinë që i fillonte aktivitetet e saj si ambasadore me një aktivitet
të shqiptarëve të Montrealit edhe për faktin që ajo është njohëse e mirë e gjuhës frënge. Ajo u shpreh e mahnitur për atë
valë atdhedashurie që shprehnin shqiptarët e Montrealit që nga të
vegjlit gjerë tek më të rriturit që shprehej sidomos në veshjet
dhe simbole të tjera me të cilat të pranishmit paraqiteshin në
këtë aktivitet por edhe nga fakti i përkushtimit për të kryer
një aktivitet gjithëpërfshirës. Ajo shprehu angazhimin e qeverisë
për të ndihmuar sado pak për të forcuar lidhjet e diasporës me
at'dheun. Zonja Petoshati dhe këshilltari i ambasadës z. Taip
Sulko, takuan çdo ekip dhe u fotografuan me të gjithë duke u lënë
të pranishmëve nga një kujtim më shumë nga kjo ditë e madhe.
Përfitoj nga rasti t'i uroj znj. Petoshati një mandat të
suksesshëm në Kanada dhe bashkëpunim sa më të frytshëm mes
ambasadës dhe komuniteteve shqiptare këtu në Kanada.
Falenderim
Do
të
doja të përmendja në këtë falenderim emrat e të gjithë
pjesëmarrësve në kupën e parë të futbollit të organizuar nga
shqiptarët e Montrealit dhe rrethinave. Çdo pjesmarrës në këtë
kupë është një kampion. Do të doja të falenderoja të gjithë
ato familje që erdhën për t'u zbavitur por që me pjesmarrjen e
tyre mbështetën një aktivitet shqiptar. Do të doja të
falenderoja zotërinjtë Laze Leskaj, Hysni Marku, Korab Xharra,
Gëzim Shabani, Gëzim Drenica, Rikard Shpori, Genc
Trebicka, Besnik Bashi, Besnik Qendro, Naser Veseli që mbështetën
aktivitetin që nga fillimi por edhe ndihmuan në organizimin e
aktivitetit. Do të doja të falenderoja kryetarin e Bashkësisë Shqiptare
të Kebekut në Montreal z. Kujtim Ismaili për angazhimin personal në
përgatitjen e aktivitetit por edhe në gjykimin e katër ndeshjeve të
kupës. Dua të falenderoj CACI-n dhe drejtuesit e saj Anait Aleksanian e
Ramon Carrasco. Dua të falenderoj gjithë biznesmenët shqiptarë,
zotërinjtë Sotiraq Shegani, Shkëlqim Tola, Mishel Koçiu, Hysni
Marku, Blerim Ponari, Ermir Agolli, Kujtim Talelli, Aurel Zaloshnja,
Lulzim Laloshi, Spartak Gjinika, Ideal Hodo, Jeno Sinani, Kujtim Canaj,
Edmond Nuraj që Ju mund t'i
shihni tek faqja e bizneseve
http://yp.albemigrant.com/montreal/index.php
Dua
të falenderoj edhe bizneset kanadeze që ishin të gatshëm për të
vendosur biznesin e tyre krahas atyre shqiptare, zotin Amirouche Benmérar dhe Mustapha Guechida. Jam i ndërgjegjshëm
që shumë nga biznesmenët iu bashkuan nismës për t'u solidarizuar dhe për
të ndihmuar në zhvillimin e idesë së bashkëpunimit.
Faleminderit, pra.
Së
fundi dua të them se sa përshkrova këtu, nuk është një analizë
e aktivitetit. Aktiviteti mendoj se ishte i suksesshëm por ka vend
për përmirësime. Këtu unë desha të nxjerr anët pozitive të
tija, anë që na nxisin për të bërë edhe më shumë për t'u
afruar me njëri-tjetrin, për të mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe
gjithë ato vlera pozitive që ne kemi mbartuar nga atdheu ynë dhe
që ua shtojmë vlerave të shkëlqyera të at'dheut tonë të dytë,
Kanadasë.
Ajet
Nuro
Montreal,
qershor 2011
Shënim:
Foto nga aktiviteti Ju mund t'i shihni tek faqja e kupës në
adresën: