Poezia përfaqësuese për Festivalin Ndëkombëtar të Poezisë “Drini Poetik” organizuar nga LSHK
në Prizren më 10-11 qershor 2011-06-09
Namik Selmani (Berat, Shqipëri)
Këngë e ngrohtë që vjen nga Joni
1.
Po vjen larg në ditë lirie, si vëlla në Lumëbardh
Sjell urim Paramithie, frymë nga brigjet dritëlarë.
Po vjen larg-o nga Filati, nga Preveza sillka plisin
Gjunjëulur rri te varri, qerpikloti ia prek sirin.
Sjell një dritë nga Kalamaja ku gërmadhat flasin shqip
Borzikolu, manxuraja nuk janë vyshkur asnjë vit.
Det me mall po sjellin odat në Drenicë e lart, në Sharr
Mbi mermer në një varr trimi ngrohet zemra prush i gjallë.
2.
Prek lahuta këngën çame, pragje kullash po u hapkan
Si të ishte vello dasme kuqëluar mes bajrakëve.
Vjen një frymë Çamërie çel lulëkuqet mbi mermer
Fjalë nga gluhë Perëndie si behar mes dimrit sjell.
Na ndan thela bakllavaje në Prizren e në Prishtinë
Sjell flamur e abetare, amanetin që s’u thinj.
Sup më sup lisnojnë urime, bash si dora kur prek dorën
Gur i pragut na zgjon dhimbje, mall i gjyshit thinjka botën.
3.
Jemi bashkë ku flakron Fjala, gju më gju si ulen burrat
Paska ardhur Osman Taka, Bacë Ademi po i hap kullat
Kuqon lulja bjeshkatore tek nis vallen vajza çame
Si të ishte valë nga Joni, sikur shkelte mbi petale.
Pret lahuta këngën çame si të ishte eho bjeshke
Si të ishte fjalë piskame si një det i dalë prej zemre
Çamëria shamiblertë vjen te pragu të puthë bjeshkën
Ndë qershor ku gazmon festa, të bekojë vite dhe shekuj.
Prizren, më 10 qershor 2011