BURRI I PESË GRAVE
Epiteti Don Jovani, që i kam përngjitur emrit të këtij njeriu, përputhet tërësisht, jo vetëm me karakterin e tij tejet feminist, por edhe me tingëllimin fonetik të Don Zhuanit, aq të njohur në veprimtaritë e veta mashtruese me gratë.
Don Jovani ishte një shofer shtatshkurtër nga Palasa e Himarës. Ai nuk kishte as ndonjë pamje tërheqëse për të joshur aq shumë femrat, si Don Zhuani i famshëm. Por kishte një natyrë prej zamke, që u ngjitej atyre me ngulmin e pashkëputur, me gazin e paperënduar në buzët e tij dhe me një zë nanuritës, aq të ëmbël, sa mund të prekte telat e zemrës delikate të disa grave të ndjeshme.
Me Jovanin, tepër larg profesionit dhe pasionit tim letrar, më lidhëm dy fije të padukshme të dobësisë sime të hershme: Himara e bukur pranë vendlindjes dhe gjuha greke, që pata mësuar në Sarandë qysh në vegjëli. Duke vënë re se në parcelën gjuhësore të trurit, po më thaheshin disa fjalë të paprashitura prej kohësh, Jovani ishte një rastësi e mirë ushtrimore, jo vetëm për të stërvitur gjuhën, por edhe për të mësuar disa pasurime të reja në fjalorin bashkëkohor të greqishtes.
Nejse, ajo që dua të tregoj nuk është ky informacion i thjeshtë, por fakti se prototipi i pushtit shqiptar, që më befasoi duke me treguar jetën e tij, kishte pesë gra dhe një tufë fëmijë me secilën prej tyre. Punonte shofer autoambulance në spitalin qendror të Tiranës dhe kjo i jepte mundësi të shkonte në çdo lagje e shtëpi, ku thirrej urgjenca shëndetësore. Ne u takuam rastësisht, teksa e dëgjova të fliste greqisht me një person në afërsi të pallatit tim, ngjitur me spitalin, ku për disa net me radhë parkonte makinën. Jo se spitali nuk kishte parkim për mjetin e tij, por sepse në këtë pallat atij i kishin mbetur sytë edhe te një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, me të cilën ishte njohur gjatë thirrjes së urgjencës për njërin nga prindërit e saj.
Pra, ai kishte lënë gruan e parë të ligjshme me pesë fëmijë, në shtëpinë e vet dykatëshe në Palasë. Tek e cila shkonte rrallë, sa për të mos e lënë djerrë, sikur barku i saj të ishte një parcelë, ku ai mund të mbillte çdo dy vjet nga një kokëlakër të re. Sepse për fëmijët e harruar që linte pas, nuk e merrte malli. Donte vetëm sa ta shihte fshati, se ajo familje kishte burrë dhe gruaja të vazhdonte të mbante lidhur gurët e vjetër të mureve të shtëpisë së tij. Ashtu siç kishte qenë zakoni me gratë e kurbetllinjve të atij bregdeti, që ktheheshin vetëm kur fillonte t’u harrohej emri. Ndërkohë bashkëjetonte me një kuzhiniere të shëndetshme në Tiranë, me të cilën kishte bërë tre fëmijë, pasi ajo e kishte pranuar të banonte në shtëpinë e saj. Kishte dy fëmijë me një infermiere, tek e cila shkonte për të fjetur disa net në javë, me pretekstin se netët e tjera gjendej në gatishmëri urgjence. Kishte shtuar pjellën e tij edhe me dy fëmijë të tjerë te një grua në Sauk. Kishte dy vjet që ishte bërë baba i paligjshëm me një punëtore të kombinatit ushqimor. Dhe tani së fundi te pallati im, bënte dashuri fshehtas me një adoleshente, e cila dilte nga kati i parë, kur prindërit e saj bënin gjumin e mesnatës dhe i shkonte te shtrati portativ që mbante Jovani në autoambulancë.
Dy pyetjeve të mia konfindenciale, në mënyrën habitore, ai u ishte përgjigjur kësisoj:
- More Vani, çfarë i shijon ti asaj fëmije?
- E para, ajo ka qejf vetë, - qeshi ai me kërcëllimë. - Pastaj puna ime kuptohet, maçokut të vjetër i shijojnë më shumë minjtë e njomë!...
U preka shpirtërisht nga këto fjalë mizore, sepse nuk mund te qeshja me poshtërsinë e tij.
-Po kështu si e ke zënë ti, more varvat i himarjot, mund të bëhesh me dyzet gra dhe të formosh një batalion me kopilë të paligjshëm!...
- Kurani mysliman, nuk thotë kot, se burri mund të ketë deri në shtatë gra...
- Por ama Bibla jote nuk ta lejon kurrsesi, - ia ktheva me të njëjtën monedhë.
Ai nuk u mendua fare për të më dhënë përgjigjen që meritoja:
- Unë nuk shkruaj libra, - tha krejt i qetë e buzagaz. - Në këtë botë njeriu ka dy qëllime, o të shpjerë botën përpara me shkencë, o t’i shtojë botës popullsinë. Unë mund të bëj vetëm të dytën, përderisa karburatori ma shpie currilin e naftën të digjet mirë në çdo motor...
Mirëpo adoleshentja pa përvojë femërore i hapi telashe të papritura dhe Jovani, si rrallëherë m’u duk tejet i mërzitur kur ma zunë sytë sërish.
- E mbusha aksidentalisht!- tha kur e pyeta për shkakun atij trishtimi që shprehte fytyra e tij.
- Ti je i çmendur! - i thashë i tronditur me ton të ashpër.
- Jam i mençur dhe i specializuar për këto punë aty ku punoj, - tha ultas. - Lepurin nga barku ia nxjerr asaj edhe sikur të shkojë tre muajshe, por kam problem një shuk me para për maminë, që të pranojë ndërhyrjen e abortit në shtëpinë e saj. Tani pres mos na japin ndonjë shpërblim për Vitin e Ri, se rroga nuk më mjafton...
Atë çast m’u kujtua se për tipa të tillë njerëzish sharlatanë, ka një shprehje që përdorin zakonisht gratë: "Të qafsha me lot e me qurre! "
Tri javë rresht, Jovani ishte tym dhe nuk u duk për të kaluar mesnatën pranë pallatit tim. Javën e katërt, në prag të Vitit të Ri, ai i ra borisë teksa po nxitoja hapat përgjatë rrugës "Bardhyl"
- Jasu, patridha! - lëshoi dy fjalë të vetme, duke nxjerrë kryet nga dritarja e makinës, me atë gazin e tij kërkëllitës, kur ishte me qejf.
- Hë, - i thashë gjithë merak, - ç’bëre për atë hallin e madh!
- To petakse ! (e hodhi!) - tha greqisht.
Mora frymë thellë dhe sikur u lehtësova nga keqardhja që kisha ndjerë kur ma tregoi fillimisht.
- Po më dëgjove mua, mos bëj budallallëqe të tjera me të dhe as me ndonjë tjetër, se do gjesh belanë më keq!- e këshillova për të bërë sadopak detyrën që më takonte.
- Po s’bëra, vdes! - tha duke qeshur dhe i dha gaz makinës drejt spitalit.
Një copë herë me bëri sërish të mendoj thellë ky njeri i çakorduar në ndjenjat e tij noprane.
Por, duke u marrë me telashet e punëve të mia familjare gati e kisha harruar, kur pas ca kohësh më doli parasysh papritmas, si fanti spathi i ngjyrës së zezë. Ai ndali makinën ndanë rruge, me një pamje krejt të zbehtë, të tretur nga vuajtja e thellë shpirtërore.
- Më ka ndodhur hataja e të gjitha hateve! - lëshoi fjalinë e parë duke marrë frymë thellë, sikur i mjaftonte ajri.
- Ç’dreqin ke katranosur përsëri, mor jahu? - i thashë duke mos pasur aspak dëshirë të zgjatem në bisedë me të.
- Unë të dëgjova ty, patridha, dhe kam bërë ca frena kohët e fundit, - tha me zë të mekur. - Po gruaja në fshat, pas kaq kohësh i mori vesh të gjitha qyfyret e mia. Ajo nga inati u bë e marrosur, spërkati shtëpinë me benzinë, i vuri flakën dhe i dogji të tëra me kuç e me maç, pastaj shkoi me gjithë fëmijët te prindërit e saj. Mua më la vetëm një gërmadhën me gurë të zinj, që edhe miliona po të kisha, nuk bëhet më kurrë siç ishte. Tani kam mbetur si ai huri i shkulur në mes të udhës dhe zoti e di se ku do ngulem kur të dal në pension. Se edhe ajo kuzhinierja që më mbante në shtëpinë e saj, i kishte shkuar infermieres, dhe duke bërtitur "kurve!"njëra e "kurvë!"tjetra, i kishin shkulur flokët njëra-tjetrës...
Nuk m’u durua më tej, prisha edhe unë gojën me të:
- Do vijë dita që edhe ti, si kurvar i tyre, të mos kesh më asnjë fije floku. Se do mblidhen të tëra bashkë me gjithë fëmijët dhe do të t’i shkulin qimet e kokës një nga një. Atëherë ç’farë do bësh, more qyqar?!...
- Do ia heq vetes, ose do pi bar miu, se minj të njomë nuk do ha dot më! - tha dhe tërhoqi këmbët zvarrë drejt autoambulancës.
Dukej tamam, sikur ishte nën efektin e barit të miut, ende pa pirë helmin shfarosës.
I SHËMTUARI MISTERIOZ
Në grupin tonë të arsimtarëve që kishim krijuar teatrin amator, bënin pjesë djem e vajza të rinj, me arsim të lartë dhe të gjithë të pashëm. Për të mos thënë se kishte edhe shumë të bukur, si Petriti, e sidomos Shania fantastike, të cilën e quanin çamia bukuroshe e Durrësit.
Por, ishte afruar mes nesh, për inerci e si për të kompensuar tërë hijeshinë e grupit, edhe më i shëmtuari i efektivit të arsimtarëve të rrethit, që kishte vetëm emrin e bukur, Fatmir. Për të cilin edhe ai vetë thoshte shpesh: "Unë duhej të quhesha "Fatkeq" po nuk e kuptoj pse krijuesit e mi prindër më vunë këtë emër, që stonon tmerrësisht me pamjen time."
Na prekte shpirtin me këto fjalë dhe me dëshirën e tij për të marrë në pjesët teatrale vetëm rolet negative, të cilat i qante si askush tjetër. Por ndjeheshim keq, sidomos, kur padashur hidhnim sytë vëmendshëm mbi fytyrën tij. Apo kur unë, që bëja makijazhet e shfaqjes, punoja gjatë për të transformuar në përshtatje me rolin, detajet e gjymtyrëve të tij të llahtarshme. Duke bërë të pranueshëm për spektatorin ballin e zbuluar deri lart në zhogën e kokës, me dy gunga koskore të dala në të dy anët çuditërisht, sikur natyra kishte përgatitur me to bazamentin për t’i nxjerrë brirë kafshe, por më pas ishte penduar dhe e kishte kthyer në njeri. Dy sytë e thelluar në gropat pamore pa qepalla, vetullat e kreshpëruara, bulçitë e rrafshuara nga dobësia, të ngjitura fare pranë dhëmbëve, xigomatikët si dy funde dardhash dhe mjekrën si të cjapit, të zgjatur deri afër fikthit të theksuar mashkullor, që i lëvizte si kokërr arrë poshtë e përpjetë gurmazit, sa herë fliste.
" O zot, - kishte thënë Shania nën zë, - edhe sikur ndonjë piktor të kërkonte tipare të tilla, për të bërë portretin e një xhindi, zor se mund t’i gjente këtu mes nesh!"
Ne shokët e tij, u thoshim vajzave dhe vetë Shanes, të mos e vrisnin shpirtërisht, duke e braktisur në biseda, kur ato qëndronin gjithë kohën vetëm pranë të tjerëve. Madje, për ta bërë të afruar e të domosdoshëm për secilin gjatë provave, Fatmirin e zgjodhëm regjisor të grupit teatral. Ndonëse kishte mësues të tjerë me prirje letrare e me njohuri skenike të mjafta për atë punë. Megjithatë, Fatmiri, që kishte mbaruar për matematikë, e justifikonte më së miri këtë përgjegjësi shoqërore që i kishim caktuar. Sepse ai ishte prej natyre më i zgjuari nga të gjithë ne dhe me shije e durim të pamposhtur për të lexuar pjesë teatrale. Me të cilat pushtuam skenën e shtëpisë së kulturës disa herë dhe bëmë turne në shkollat e mesme të Elbasanit dhe të disa qyteteve të Myzeqesë.
Në marrëdhëniet tona shoqërore, vajzat mësuese, si Shania, Leta, Neja e ndonjë tjetër ishin tejet të lakmuara nga djemtë si Petriti, Kashani, e gjithë beqarët e tjerë. Por sidomos Shanes i vardiseshin jo vetëm amatorët, por edhe djem të qytetit, të cilët i rrëmbente portreti i saj fantastik gjatë shfaqjeve, në disa role vajzash heroina të repertorit skenik. Madje Petriti thoshte me shaka, lum ai pallosh që do t’ia mbushë mendjen, ta ketë gjithë jetën në shtrat këtë perri çame, e cila na ka zbukuruar edhe vetë opinionin për të gjithë çamët e Shqipërisë.
Pra, siç lashë të kuptohet edhe më sipër, djemtë ndjeheshin të gjithë të dashuruar në mënyrë të njëanshme me këtë vajzë të rrallë. Por Fatmiri psherëtinte nga dhimbja kur vështronte Shanen, dhe kjo lëndohej në shpirt kur ai e shigjetonte në sy, njësoj si trëndafili që vyshket, kur gjembi në afërsi i prek petalet. Ndoshta mjerimi shpirtëror që ndjente kohët e fundit Fatmiri nga shëmtimi tij, i shkaktohej kryesisht, sepse ndjente largësinë kilometrike prej saj. Por edhe pamundësinë për të qenë në raport të barabartë pozicional me djemtë e tjerë që e ngacmonin e bënin shaka me këtë vajzë, të cilën fati ia kishte privuar vetëm atij, duke e dënuar të përgjërohej për të. Aq sa kishte arritur të shfrynte te shokët: "Ah, moj nënë, ç’më bëre që s’më mbajte dhe nja dy javë në bark, sa të më rregulloheshin defektet." Dhe këtë duf e nxirrte pikërisht në rastet, kur nuk ia varte Shania. Sepse, edhe kur ai i afrohej për ndonjë shpjegim roli, ajo e dëgjonte pa e vështruar në sy. Megjithatë, kishte edhe raste kur ajo e falënderonte përzemërsisht për mendimet që i jepte, duke ndjerë ngrohtësinë e sinqertë të zërit të tij të butë e të nënshtruar tërësisht para saj. Gjithsesi edhe në këto raste, ajo komunikonte kokëmënjanë e me sytë diku në boshësi, teksa Fatmiri ndjehej mirë, sepse kishte idenë se kur vajza të kthen shpinën duke të qëndruar afër, do të thotë se të bluan në trurin e saj.
Në fund të atij viti mësimor me arritje të mjafta në punë e në lëvizjen amatore të shkollës sonë të mesme, ndodhi e çudia e të gjitha çudirave që e la pa mend grupin tonë të arsimtarëve. Shania me kasafortën e mbyllur rreptësisht e tepër sekrete të mendimeve të saj, u kthye befas për një vizitë në familjen e Fatmirit, te shtëpia e tij dykatëshe me oborrin e madh nën hijen aromatike të portokalleve në Elbasan. Pas këtij pelegrinazhi në Edenin e fshehtë të këtij qyteti të lashtë, ajo bindi prindërit e saj në Durrës për vendimin e rëndësishëm jetësor që kishte marrë papritmas.
Të gjithë ne të tjerët, por sidomos pretendentet për tu fejuar me të, gati sa nuk shkalluam nga trutë, kur morën vesh se Shania bukuroshe ishte fejuar me të shëmtuarin misterioz. Tejet i mahnitur Petriti, tha se Shania duhet ta kishte dredhur patjetër gjatë viteve të universitetit në Tiranë, që pranoi verbërisht të martohej me Fatmirin e përçudnuar fizikisht.
Unë ia ktheva në çast:
- E ka dredhur, apo e ka shpërdredhur, është puna e saj ç’ka bërë. Në fund të fundit, e di vetë e zonja përse e ka zgjedhur...
Nga një bisedë me Letën, mësuam se Shania i kishte thënë asaj: "Mua, moj motër, nuk më duhet bukuria që kam vetë, më duhet burrëria, mençuria dhe besnikëria, në atë masë, që e ka Fatmiri, por sidomos shpirti i tij i bukur e fisnik me të cilin ndjehem fare mirë."
Këto fjalë të qarkulluara me shpejtësi të habitshme, mes të gjithë atyre që i njihnin, bënë të mbylleshin përfundimisht të gjitha gojët. Madje pas kësaj, edhe vete Fatmiri filloi të na dukej disi më i natyrshëm me hijen e re të pamjes së tij prej bashkëshorti. Por nuk na shkulej nga mendja sidomos zhgënjimi që pësuam, kur kuptuam se teksa qahej për fatin e keq të fytyrës së shëmtuar, kishte punuar në mënyrën më misterioze për të shtënë në dorë fytyrën më të bukur që gjendej mes nesh. Por në fund të fundit, jeta është përpjekje e pareshtur e njeriut, për të arritur të pamundurën në të gjitha format dhe trajtat ku shfaqet. Dhe na mbetej vetëm t’i shtrëngonim dorën këtij fitimtari të madh, që i la me gisht në gojë të gjithë pretendentët.