Publikimi i raportit të ri mbi Kosovën nga prestigjiozja angleze, “Sunday Times”, ku përsëriten akuzat kundër Kryeministrit Hashim Thaçi, ka nxitur edhe reagimin e parë ndërkombëtar. Ish-ministri britanik për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, Denis MacShane, dhe ish-prokurori në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, Geoffrey Nice, në një letër dërguar redaksisë së “Sunday Times”, kanë thënë se këtë raport e lexojnë me interesim të madh.
“Si ministër për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, dhe si prokuror në gjykimin ndaj Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, ne e lexojmë me interesim raportin rreth Kosovës i cili përsërit akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjë për të cilën shumë mendojnë se është propagandë serbe”, thuhet në letrën e të tyre dërguar redaksisë së “Sunday Times”.
Më tej, në letër theksohet se gjatë kësaj jave, Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, ka stimuluar Serbinë dhe Kosovën që të nisin një dialog që do t’i “çonte të dyja shtetet drejt pranimit në BE”.
“Edhe më tutje përpjekjet vazhdojnë, përmes përsëritjes së këtyre akuzave, për ta njollosur Thaçin si person të përfshirë në vrasjen e të burgosurve serbë në fund të luftës në Kosovë, për t’iu nxjerrë dhe për t’i tregtuar organet e tyre. Këto njollosje asnjëherë nuk janë mbështetur nga dëshmi të besueshme”, thuhet më tej në letër.
Akuzuesi kryesor, sipas tyre, është – apo ka qenë – senatori zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty. “Ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi të besueshme për ta mbështetur pretendimin e tij. Një ekip i OKB-së, në vitin 2002, për ekzaminime forenzike në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, e përshkruar si “famëkeqe” në raportin e juaj, theksoi se atje nuk kishte asnjë dëshmi se gjurmët e gjakut – çofshin ato të kafshëve apo të njerëzve – ishin ‘rezultat i akteve kriminale’. Z. Thaçi ka kërkuar nisjen e një hetimi të pavarur ndaj akuzave ndaj tij gjë e cila tani po ndërmerret nga misioni i BE-së, EULEX”, thuhet ndër të tjera në letër.
Më tej, Nice dhe MacShane shkruajnë se askush nuk e mohon faktin se gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në të dyja palët e konfliktit që i dha fund dekadës së shtypjes serbe në Kosovë.
“Por sot, Kosova është në paqe. Liderët e saj politikë dhe ushtarakë (për dallim nga Miloseviq, Karaxhiq e Mladiq), me tu akuzuar, janë dorëzuar në Hagë për tu gjykuar; disa prej tyre janë dënuar, disa janë liruar. Zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë dhe liderët politikë janë zëvendësuar nga kundërshtarët e tyre pa derdhje gjaku”, shkruajnë Nice e MacShane në letrën e tyre, si reagim ndaj shkrimit të datës 12 qershor në “Sunday Times”.
“Ne nuk e përkrahim Thaçin personalisht, por kërkojmë me ngulm që ju ta pranoni se përsëritja e njollosjeve të pavërtetuara nuk do t’u ndihmojë 1 milionë qytetarëve të Kosovës e as dialogut mes Serbisë e Kosovës i stimuluar nga Sekretari i Jashtëm. Benefitet për ata qytetarë për të hyrë në Evropë – dhe benefitet e mundshme të Evropës për t’i patur ata përbrenda familjes së saj të kombeve – nuk duhet të vihet në rrezik kaq rastësisht”, përfundon letra e ish-ministrit për Ballkanin, Denis MacShane, dhe e ish-prokurorit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.
No comments:
Post a Comment