2011-06-13

Dyert e hapura të vetvetes…



Ese nga Namik Selmani

Simbolika e Dyerve të Hapura ka qenë e mbetet për breza të tërë njerëzorë
prijatarja e një jete ku ka shumë dashuri, harmoni, bashkëjetesë, shumë më tepër
respekt të ndërsjellë, miqësi, bashkëpunim, natyrisht edhe besimin më të lartë
te Zoti, te Mirësia, që mund të ketë një njeri si qenia më thelbësorja e jetës.
Kufijtë e ndryshëm, muret, telat, kodet sekrete, trarët, policët, kamerat
vëzhguese, doganat, flamujt me ngjyra të ndryshme në hapësirat e të cilëve ka
kafshë, shpendë, lule, fletë, yje, diell, hënë, qiell, det. male, borë etj nuk e
kanë penguar në të gjithë shekujt Dyert e hapura për të komunikuar.
Ky meditim sa moral social, por edhe filozofik mund të jetë fare mirë edhe
Porta e parë e një libri që kërkon edhe rrëfime më të shumta më bëri që të
kujtoj Malin e Tomorit. Një mal madhështor për nga lartësia, legjenda, bukuria..
Mali i Tomorit, ose si të thuash ndryshe dhe Olimpi shqiptar, shpesh herë në
mendësinë popullore të krahinës apo edhe të të gjithë shqiptarëve është
quajtur dhe quhet ende si një mal i shenjtë. Këtu gjen edhe sot e kësaj dite ca
njerëz paganë modernë që betohen njëzëri: “Ja Tomor!”(Për Tomor!” Për Çukën e
Tomorit!”). Gati një javë në vit, në atë zagushi gushtiane, me mijëra pelegrinë
nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga Evropa dhe Amerika. Dhe është një udhëtim
që nis në mënyrë figurative që një vit më parë, porsa ata i hedhin krahët malit,
luginës, lutjes në ditët e mesgushtit. Njerëz që duan të jenë sa më lart
mëkateve. Që nuk harrojnë të flijojnë edhe një dash, lëkurën e të cilit duhet ta
dhurojnë në Teqenë e Kulmakut. Që duan të hapin dyert e besimit te zoti për të
hapur më te dyert drejt një vetveteje më fisnike. Më të ndershëm. Një
ndershmëri që sot duket si relikja më e vjetëruar në Muzeun e Kohës, në fletët e
poezive apo edhe në skenat perderënda të teatrove të lashtë e modernë.

Në rrëzë të Tomorit këtej e matanë malit akoma gëlon jeta njerëzore me shumë
fshatra që jetojnë edhe sot e kësaj dite jetën në hijen e tij legjendare aq
edhe fizike. Ca fshatra që krijojnë gjeografinë njerëzore të një krahine që
punon shumë, që pushton një treg qyteti e shumë më tepër me mallrat e duarve të
tyre të arta e shumë më tepër se kaq por edhe nga bujaria e Zotit që i ka dhënë
kaq shumë burime, kaq shumë begati tokës rrëzë malit këtej në perëndim e matanë
në lindje të shpateve. Janë disa fshatra që mund të kenë edhe lëvizjen më të
vogël demografike në Shqipëri drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë për arsye
ekonomike, si ka ndodhur në vitet e fundit.

Në këtë kërkileghendash për dyert e hapur na godet fort në kujtesë një tjetër
legjendë shumë më e bukur se ajo që lidhet me malin-vëlla të Shpiragut. Në një
fshat rrëzë Tomorit dikush kishte thënë se thellë tokës ishte porta e një
thesari me flori. Dhe fshatarët shkuan ta hapnin. Shpuan shumë, shumë. Kur po i
shkonin pranë fare pranë thesarit dhe po e shikonin edhe me sy, doli një ujë i
vrullshëm. Një fontanë ujore. Uturima mbeti atje (edhe sot dëgjohet një uturimë
e tillë) dhe ata iu deshën që të mblidhnin të gjithë leshin e deleve të kopeve
për ta mbyllur këtë guvë, këtë derë. Një derë që kërkonte ta hapte dashuria dhe
dëshira për të jetuar më mirë, por që ka brenda dyerhapjes edhe sakrificën.
Ndoshta nuk do të zgjatesha shumë në këtë rrëfime cicëroni nëse nuk do të
tregoja edhe qëllimin më të veçantë të tij. Për të dhënë një mesazh që duket
shumë herë si një lodër dasme apo habertare që bie e bie vazhdimisht në skenën
e madhe të jetës . Të një skene me aromën e fjalëve shekspiriane. Me jehonën e
ndeshjeve homerike. Të një jete me penelatat danteske. Të shprehur edhe me
vargjet hijerënda të folkut tonë që shumë herë ia kalon për nga bukuria
dramatike e mesazhi edhe kyeveprave të mëdha botërore. Për të kërkuar një Çelës
të ri të jetë dhe që Dyert e Mirëqënies të ishin sa më të hapura, këngëtari
popullor me gojën e një gruaje që ndahet padrejtësht me burrin që po shkon në
kurbet thotë me një duf që nuk mund të gjendet aq lehtë se nga vjen e ku shkon:
“Ti, o Zot rri e mos ecë/të pashë ndë ëndërr të shkretë/t’u pengua kali mbë
udhë/dyfeku të ra ndë lumë/ngjata dorën e ta dhashë/udhë mbarë dot s’të
thashë….”
Në shumë takime që kam bërë me fshatarë të kësaj krahine kam dëgjuar për njerëz
të një fshati që nuk kishte kyça. Dikush e kishte quajtur “Fshati i Dyerve të
Hapura”. E me dorën në zemër, unë nuk mund të vë dorën në zjarr apo të betohem
në një formë që mund të besohem nga lëçitësit e nga ata që mund të më dëgjojnë
në një tavolinë se sot mund të ketë edhe ende fshatra të tilla që do të ishin
reliket më të veçanta të jetës sociale të një populli. Po, po, jo shumë kohë më
parë, asnjë kyç nuk kishte për të mbyllur shtëpitë, odat, kuzhinat, stallat,
hangarët, kotecët e pulave. Natyrisht duke mos patur as edhe një xhandar dikur
apo sot policë për të lëshuar hijen e frikës dhe të gjykimit mbi ata që mund të
merrnin për arsye të ndryshme statusin e vjedhësit, të kriminelit, të prishësit
të qetësisë publike. Nuk ka një njeri me statusin e një gardiani për këtë zakon
të pashkruar, të këtij riti më idealist se idealizmi vetë. Ndërkohë që diku, në
një krahinë tjetër të vendit tonë ende dhe sot e kësaj dite thonë se djemtë e
saj nuk mund të marrin nuse, ose edhe nuk iu japin nuse, po qe se nuk janë të
aftë që të vjedhin, ose të marrin një gjë pa u vënë re. Jo thjesht për të
dëmtuar tjetrin, por që të tregohet si ai djalë është i shkathët, se nuk ia
marrin dot bukën nga dora, se ata duhet të jenë trima, guximtarë, në pamundësi
që këto pjesë të karakterit të provohen në ndonjë luftë të mundshme.

Kjo simbolikë Dyersh të Hapura më sjell ndërmend edhe atë udhë të bukur të
nënave çame që dërgonin në një dasëm bakllavatë më të mira që mund të bënin ato
në jetën e tyre. Në të kundërtën, është shteti që ka drejtuar njerëz, policë,
prokurorë, gjykatës që gjykojnë krimin apo edhe baballarë autoritarë që kërkojnë
të gjykojnë fëmijët në pafajësinë e tyre të pafajshme. Njeriu ka menduar si test
të gjykimit për fajet e vegjël e ato më të mëdhenj dyert e mbyllura, qelinë,
kyçin, izolimin, ndërprerjen e komunikimit me njerëzit e tjerë të zakonshëm,
ishullin ku nuk ka anije njësoj si të ishte një derë shpëtimi për botën që ishte
pas tij. Apo vetë izolimi në ato shtëpi që quhen ndryshe edhe Kullat e Ngujimit.
Ende në Dukagjin të Shkodrës ka Kulla të tilla që janë muzetë më të çuditshëm
të botës. A nuk ishte kjo Kullë një lloj dere të mbyllur për të nesërmen e të
gjithëve?
Jashtë dyerve të rëndë të gjykatave ne jemi bërë dëshmitarë të qepenave që
mbushën sot të gjithë dyqanet e këtij vendi sidomos pas viteve 90. Në fshat e në
qytet. Në secilin qytet dhe fshat sot gati lulëzon tregu i dyerve të blinduara,
i kasafortave, që duket se nuk janë një objekt luksi, por shenja e një izolimi
që i bëjmë vetes. I atij mosbesimi që kemi në secilin hap që hedhim, në atë
sinor shtëpie apo dyqani që na takon. Në këtë çast m’u kujtua një aplikacion i
skulptorit nga Gjilani i Kosovës Avni Behluli në një nga ekspozitat e tij të
piktures dhe të skulpturës në Galerinë e Arteve “Eduard Lear” në Berat. Në të
vërtetë ishin një dyzinë kyçash. Të mëdhenj. Të vegjël. Të ndryshkur. Të
prodhimit të fabrikave të ndryshme. Të këtij vendi, por edhe të ardhuar nga
shtete e kontinente. Të rregullt. Me e pa çelësa për të hapur qoftë edhe një
prej tyre. Një tufë kyçash që të bënte të mendoje gjatë e të merrje jo një, por
disa mesazhe njëherësh.

Dyer të hapura, do të thotë edhe mendje të hapura. Dëshirë për të dëgjuar e për
t’u dëgjuar. Të ketë sa më pak ose aspak duar lypësish. Lypësa që nuk duan vetëm
një copë bukë, disa qindarka, por disa lypësa të një lloji të veçantë. Duan një
semafor të saj të që të kapërcejnë udhëkryqet ku jo rrallë ndodhen. Ai dhe shumë
të tjerë pas tij.
Të ketë sa më shumë buzëqeshje që hapin më tej dyer të tjerë mirëkuptimi,
përqafime vëllazërore. Mbase nuk gaboj kur dua të them se simbolika e dyerve të
hapura për ne ka qenë e mbetet edhe me një copë të nesërme brenda jetës sonë.
Kur doganierët na ndalnin edhe zogjtë të ngrinin çerdhet në të dy anët e kufirit
ku kishte shqiptarë, ku kishte një gjuhë, një trase kënge, një tupan të njëjtë
që drejtonte vallen epike, ku kishte të njëjtën dashuri. Na ndanë mortet, sofrat
ku priste luga e pjata, shtretërit ku ishte shtruar jorgani dhe nuk kishte njeri
për të fjetur. Arën ku brazdonim të zgjatur pas një hosteni mbi trupin e qeve
të lodhura e të djersitura. Na ndanë dyert e hapura për të na memecëruar secilin
hap që kemi hedhur apo edhe që do të hedhim ne drejt një rruge që akoma nuk e
njohim se si do të jetë.

Pjesë e këtyre Dyerve jemi të gjithë. Herë bëhemi viktima e herë heronj të
heshtur që jemi përleshur qoftë edhe me heshtjen tonë vrastare, me atë grusht që
gjakosej dhe gjakoset ende për njëmijë e një arsye me gishtërinjtë e tij. Herë
duke monologuar si Migjeni, herë si Hamleti e herë duke ia kërkuar qiellit që po
bëhej kështu një derë tjetër shumë e hapur se kanatet e një porte hijerëndë.
Herë marrim ca thërrime prometejane për atë që na pret, pa ditur se edhe në
kohët tona kjo sakrificë njerëzore idealiste drejt dyerve të hapura të mençurisë
na bën që të ndëshkohemi fort, fort, dhimbshëm, pa dyshim edhe tragjikshëm.
Shikoni një çast vetrinat e muzeve tona! Natyrisht atje ku ka, se edhe Muzetë
janë kthyer në ca ndërtesa ku nostalgjia i pushton të tërë. Duke harruar se bota
e qytetëruar e vlerëson hartën e një qyteti apo të një krahine me numrin e madh
të Muzeve me një garë se kush është më i ndryshëm se tjetri.
. Në ballin e tyre janë vënë abetaret e rrudhosura nga duar njerëzish të kombit
tonë. Janë vënë pranga që kanë dashur të mbyllin shtigjet e rrugëve të së
nesërmes. Dyer ëndrash Dyert e asaj që nuk ishte një hartë e re mageliane pas
një zbulimi të ri, por një jetë që duhet të bëhej edhe më e begatë.

Të hapeshin dyert e këngëve për të dalë kanat më kanat zogu i shpirtit të
shqiptarit.

Të hapeshin dyert e shkollave e të cicërinin pambarim nxënësit e moshave të
ndryshme. Qoftë edhe pak të moshuar që nuk donin të iknin nga kjo jetë pa parë
dritën e ëmbël të diturisë. Kam qenë këtë verë në Trojet amtare. Në Shkup i
gëzoheshin një gazete që kishte emrin e qytetit ku do të dilte “SHKUP”. 100 vjet
gazetë. 100 vjet shkronja shqipe. Gaz i madh qenka shkronja e gdhendur në fletë
të bardha si të qe një mulli që asnjëherë nuk e ndalon trokashkën e bluarjes ku
asnjë herë nuk iu mungonte uji që do ta lëvizte në dimër e në behar. Në
Preshevë i gëzoheshin librave që kishin shkruar e po shkruanin ende autorët e
këtij qyteti e të rrethinave të tij për të hapur dyer të rinj të mençurisë.
Në Prishtinë akoma flitej për abetare të njëjta. Për dyer që hapeshnin për të
trokitur shqiptarisht gjithkund. Dyer kulture që të hap një këngë që mendohet
kudo njëlloj të paktën në vargjet e saj dritëfanari.
E mbase do të jenë të rrallë kombet në tërë botën e stërmadhe që do të kenë kaq
shumë vargje poezish e tinguj këngësh që t’iu jenë kushtuar gjuhës së kombit si
te shqiptarët. Në këtë LLOGORE ku jemi futur të gjithë kush më shumë e kush më
parë janë rreshtuar poetët më të mëdhenj si Budi, Naimi, Mjeda, Fishta, Agolli,
Poradeci, Kadareja, pa folur për këngët anonime të popullit.



Ndërkohë që shumë para të mbledhuar me aq sakrificë u bënë gazeta e revista për
lëçitëit e vegjël. Mos vallë kjo ishte dhe është një shenjë e “pushtimit” të të
tjerëve? Jo, ishte ëndrra që për shekuj e kishin mbyllur dyert e nuk e kishin
lënë të fluturonte si zog i lirë në shpirtërat e në duart e njerëzve të një toke
me Moshën e Diellit.

Dyert e hapura të Evropës i kemi patur sa e sa herë në këngë, në libra, në esetë
e gjata të studentëve. Më tepër se në fjalimet diplomatike e në ekranet e
televizorëve.

Po edhe në qëndismat e shumta të nënave e motrave tona ku ku kishte shumë
pëllumba që e nisnin dhe e mbaronin fluturimin në një degë peme të tharë pa
patur mundësi që të kishin një qiell të paanë. Në fjalimet retorike të
politikanëve të të gjithë trojeve. Madje edhe të atyre që sot e vënë kokën në
jastëkët me lule të Amerikës, Italisë, të Gjermanisë, Greqisë, Australisë, kudo.
Dyert e vetvetes i kemi hapur në dasmat tona ku mbizotëron kryerurimi ”Të
trashëgohet” njëlloj si të thuash “T’ju qëndrojë përherë e hapur dera e fisit!”
Ashtu si mund edhe të mallkonim me të gjithë dufin e fjalës “Të mbetë dera pa
miq! T’u mbuloftë dera me ferrë!” kemi patur të hapur edhe në mortet tona që
nuk kanë qenë të pakët edhe nga zoti, por edhe nga luftrat që ngatërrohen me
tespihet e një dore që i rrotullon pambarimisht. Në këtë ceremoni hyjnore të
respektit për ata që do t’i mbulonte dheu (ku është dheu më i ëmbël se mjalta)
kishim dhe kemi ezanet e këmbanat e kishave dhe një betim a të paktën një
premtim për të mos i lënë kurrën e kurrës të mbyllur dyert e shtëpive dhe dyert
e shpirtit tonë të sfilitur dhe fort të lodhur.
Dyert e Hapura do të na ndjekin shumë kohë në përditshmërinë tonë. Atje ku
djersisim dhe atje ku argëtohemi. Ku punojmë e ku pushojmë. Ku hapim dyert e
shkollave dhe hipim shkallët e avionëve për të shkuar drejt botës së madhe. Se
ende nuk kemi hapur dyert e bashkëpunimit. Shikoni tavolinat e lokaleve tona të
panumërta! Sa debate ka, por ne nuk dimë ende se e tërë kjo energji na ikën kot,
na ikën dëm ashtu si uji i një vije që ikën në rrugë të tjera. iqtë i trishton
kjo derë e Mbyllur e vetvetes sonë. Fëmijët tanë ua mjegullon shikimin drejt
rrugës që kanë nisur. Zilet e shkollave e venitin ëmbëlsinë e tringëllimës së
tyre.

Urtia e kuvendeve bash si ajo Simbolika e Fshatit të Dyerve të Hapura duket se
duhet të na vijë si zonja e Konakut tonë. Le ta mirëpresim këtë URTI e kurrë të
mos zemërohemi me të.

Qershor, 2011

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...