Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip H. Gordon, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e SHBA-ve se ndarja e Kosovës nuk është në interes të askujt dhe se ajo do të sillte pasoja negative për gjithë rajonin.
Në kuadër të turneut diplomatik që po i bën rajonit, ndihmës sekretari amerikan, Gordon, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku është takuar me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Duke folur rreth deklaratave të zyrtarëve serb për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Gordon ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e SHBA-së se ndarja do të sillte pasoja negative për rajonin.
“Ne në SHBA kemi qenë shumë të qartë lidhur me çështjen e ndarjes. Nuk e marrim këtë parasysh. Ne mendoj se nuk do të jetë praktike, apo në interes të dikujt. Ndarja do të kishte pasoja rajonale, do të ishte negative për gjithë rajonin. Kemi qenë shumë të qartë për vendosmërinë tonë, përkushtimin tonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Për të mundësuar që gjithë qytetarët e një vendi pa marrë parasysh etninë, të kenë të drejtat e tyre, të mbrohen, të kenë siguri, të kenë sundim të ligjit. Çdo vend në botë ka minoritete, pa marrë parasysh cilat janë ato apo numrin e tyre dhe shumica e tyre demokracive, interesat dhe shqetësimet e tyre merren parasysh ose integrohen pa u bërë ridizajnimi i kufijve”, ka thënë Gordon.
Për më tepër ai ka shtuar se nuk i përket atij të thotë se çka duhet të bëjë në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë se ndihet i inkurajuar që janë identifikuar disa çështje për të cilat bisedojnë, duke besuar që do të arrihet sukses.
“Nuk mendoj se SHBA-të janë ato që i shtyjnë që të bisedojnë dy shtete, por vetëm i inkurajojnë, sepse fundja vetë këtu shtete duhet t’i zgjidhin këto probleme”, ka thënë ai.
Ndërsa në lidhje me krijimin e Task Forcës për hetimin e akuzave të Dik Martit, Gordon ka theksuar se ato duhet të hetohen në mënyrë të plotë, ndërsa ka shtuar se EULEX-i është i përshtatshëm për këto hetime.
“Ne kemi qartësuar që marrim këto pohime shumë serioze, sepse duhet të hetohen, ne i mbështesim hetime të plota. Roli i SHBA-së në ndonjë hetim nuk është përcaktuar ende, sepse kjo Task Force tek tash duhet të nisë. Por mendojmë se EULEX është i përshtatshëm për të kryer këto hetime. Dhe mendojmë që këto pohime për krimet e luftës janë çështje serioze, pa marrë parasysh kush është viktimë, drejtësia duhet të arrihet, për këtë arsye ne mbështesim këtë dhe inkurajojmë të gjithë vendet në rajon që bashkëpunojnë me hetimet”, ka thënë ai.
Për më tepër ai ka shtuar se për të bërë ndonjë hetim në mënyrë serioze duhet kohë dhe këto pohime duhet të hetohen në mënyrë të duhur.
Gordon ka theksuar se në këto vjet që ka vizituar Kosovën, ka parë një progres të madh, një demokraci stabile, sundim të ligjit dhe çështjet tjera.
Nga ana tjetër kryeministri Thaçi ka theksuar se në bisedimet me Serbinë janë duke u bërë përpjekje që të arrihet marrëveshje që janë në interes të dy vendeve, ndërsa duke mohuar që këto bisedimet ndërlidhen edhe me statuse politike.
“Çështjet teknike që lidhen me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë në interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, për një jetë më të mirë të qytetarëve. Sa i përket lëvizjes së lirë dhe mallrave, sa i përket çështjeve energjetike, komunikacionit dhe gjithashtu edhe personave të pagjetur. Këto janë çështje praktike që janë në interesin e dy vendeve më të mirë, por që nuk ndërlidhen me statuse politike”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ndërkaq për pretendimet e ngritura, i pari i qeverisë vendit ka thënë se janë duke u shikuar me seriozitetin më të lartë, duke shprehur besimin tek drejtësia ndërkombëtare.
“Pretendimet e ngritura ne jemi duke i shikuar me seriozitetin më të lartë, me përgjegjësin më të lartë shtetërore. Institucionet e Kosovës dhe unë personalisht kemi besim të plotë tek autoritete e drejtësisë ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj shumë ngushtë dhe do t’i mbështet plotësisht angazhimet për zbardhjen apo mbylljen sa më të shpejt të këtij procesi. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është në interesin e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Thaçi.
Për më tepër ai ka thënë se Republika e Kosovës dhe SHBA-ja do të vazhdojnë miqësinë e tyre të përjetshme. Sipas tij një dëshmi tjetër e gjithë kësaj është edhe memorandumi i mirëkuptimit që u nënshkrua sot, ku edhe njëherë Qeveria e SHBA-së përmes USAID ndihmon Kosovën me 9.7 milionë dollarë, për rregullimin e fushës së arsimit primar.