Më 16 maj 2011, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u bë prezantimi i romanit të shkrimtarit dhe të publicistit të njohur, zotit Skifter Këlliçi, me titull “Shtatori i gjëmës së madhe”, ku ishte i pranishëm edhe vetë autori, i ardhur nga Bostoni, ku ai jeton dhe punon që prej shumë vitesh.
Në krijimtarinë e Skifter Këlliçit, unë vërej atë çka është karakteristike për shkrimtarët e karrierës. Këta janë njerëzit e mendjes, janë eruditë, të talentuar dhe në çdo vepër të tyre të ngjallin emocione të fuqishme. Nuk është e lehtë të nxjerrësh nga pena një vepër që jo vetëm t’i tërheqë lexuesit, por që edhe të jetojë sa më gjatë në kujtesën e tyre.
Megjithëse i shkëputur nga atdheu që para 12 vjetësh, ai, i ndodhur mes kokëçarjeve të shumta të emigracionit, asnjëherë nuk është shkëputur nga bota e letrave. Gjatë viteve të emigracionit, ai, përveç botimeve të panumërta publicistike, ka nxjerrë nga shtypi shtatë libra dhe dy i ka në dorëshkrim. Këto dy të fundit janë romane me temë amerikane.
Romani “Shtatori i gjëmës së madhe”,edhe ky me temë amerikane, është një homazh për gati tre mijë viktimat e kullave binjake, por sidomos për tre punëtorët e thjeshtë shqiptaro-amerikanë - Rrok Camaj, Simon Dedvukaj dhe Mon Gjonpalaj, të përcjellë në faqet e kësaj vepre përmes rimishërimit artistik te tre personazheve - Rrok Cemi, Besim Vokshi dhe Marko Muzaka.
Ngjarjet në roman shtjellohen në vijimësi, duke ndërkëmbyer rrëfimin me dialogun, deri sa arrijnë në pikën kulminante, rrëzimin e dy kullave gjigante.
Megjithëse rrëfimi herë-herë përcillet me nota, në pamje të parë, jo fort shpirttrazuese, megjithatë, pulsi i një tensioni të brendshëm vjen e ngrihet ca nga ca në qenien e lexuesit. Përshkrimi i ca hollësive, në dukje të parëndësishme, në pikën e kontrollit të pasagjerëve, para hyrjes për në sallën e pritjes në aerodromin e Bostonit, vijnë e të krijojnë një gjendje ankthi të lehtë, i cili, me kalimin e kohës, vjen e bëhet më i pranishëm dhe më shqetësues për lexuesin.
Përshkrimi i sjelljes së shpenguar të kriminelëve, qoftë në pikën e kontrollit, qoftë në sallën e pritjes, të bën të përsiasësh për diçka që ka çaluar në rregullat e sigurimit të aviacionit civil amerikan. Prandaj në shpirtin e lexuesit fillon e përvijohet një trazim ndjenjash të papërcaktuara. Prandaj ai fillon dhe e ndien peshën e fjalës artistike të autorit, fillon të kapë nuancat kuptimore dhe ngjyrimin e saj emocional. Rrëfimi paskëtaj fillon e përcillet me një strukturim të brendshëm në tensionim e sipër.
Për ta mbrujtur librin me tharmin e së vërtetës, autori e ka mbushur atë tej e tej me lëndën e rrëfimit, çka gjen pasqyrimin e vet në strukturimin e frazës, në sintaksën e kyrsyer dhe në dinamizmin e dialogut.
Përshkrimin e ngjarjeve brenda avionit, kur terroristët kryejnë vrasjen e parë, lexuesi e përjeton me një ankth drithërues. Komunikimi i heroinës së romanit, stjuardesës Zhaklina, me të fejuarin e saj Stiv Robertson, gazetarin e kanalit televizin CNN, merr nota me të vërtetë dramatike.
Tragjizmin e rëndë që ka goditur pasagjerët e avionit, e pasqyron me vërtetësi sinonimika e leksemave të romanit, moria e formave gramatikore dhe e konstrukteve sintaksore. Me mjetet gjuhësore për shprehjen e kategorisë së intensitetit të veprimit brenda avionit, autori zbulon tërë ankthin e tmerrshëm që ka pushtuar qenien e çdo pasagjeri.
Mendoj se i kemi të paktë, për të mos thënë që na mungojnë fare, shkrimtarët që në veprat e tyre artistike të kenë trajtuar tema shqiptaro-amerikane për lexuesit e vendit tonë. Ndërhyrja e Presidentit Uillson kundër copëtimit përfundimtar të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Shkolla Amerikane e Fultzit, faktori përcaktues amerikan për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mund dhe duhej të kishin shërbyer si burime frymëzimi për botën e letrave shqipe.
Por pavarësisht nga ky boshllëk i ndjeshëm, unë dëshiroj ta falënderoj ngrohtësisht zotin Skifter Këlliçi për botimin e këtij romani, i cili, edhe me ndërhyrjen e kritikës sonë letrare, me siguri që do të zërë vendin që meriton në letërsinë shqipe me tema të huaja. Jam i bindur që ky roman do të radhitet jo vetëm pranë librave të autorëve të tjerë të huaj, por edhe pranë filmave të regjisorëve të talentuar që kanë pasqyruar ngjarjen e gjëmshme të 11 shtatorit, siç është regjisori amerikan Shon Penn, i ashtuquajturi rebeli i madh amerikan, i cili, një vit pas asaj tragjedie, nxori në ekran filmin me metrazh të shkurtër me titull “11 shtatori”, që pati vlerësimin maksimal të kritikës, duke u cilësua si filmi që meriton të gjithë “oskarët”, të marrë së bashku.
PROF.DR.ESHREF YMERI
Santa Barbara, Kaliforni
12 qershor 2011