2011-06-17

Mirëmëngjes, Shqipëri - Mirëdta Kosovë !





 I thjeshtë si vetë thjeshtësia, / I ëmbël si vetë ëmbëlsia, / I çiltër si vetë çiltërsia,/ Trimosh si vetë trimëria,/
I ndershëm si vetë ndershmëria, / I mençur si vetë mençuria, / I pastër si vetë pastërtia, / I mirë si vetë mirësia, / I thellë si vetë poezia! Ky ishte dhe mbetet Vehbi Skënderi, / I shqiptarisë mburrja dhe nderi!
(Kopy Kyçyku)


 *************


Ai ringjallet poetikisht

(In memoriam për poetin korçar Vehbi Skënderin)

            Ike, ike larg poet, lart në qiell, atje pranë shtëpisë së Atit.  Edhe pse s’të kam takuar kurrë, kam ndjerë se kishja biseduar prej kohësh, ngase këtë privilegj e kanë vetëm poetët me penë të artë si Vehbi Skënderi.  Kishja kohë që lexoja poezitë, si lexuese më kishin ndihmuar dhe në ditë të vështira, se qënie njerëzore jemi dhe midis nesh ka dhe lëndime apo mos dhe më keq…  Ju me dashurinë e thellë të metafores së vargut që çelte si syth në shpirtrat e lexuesve keni ditur të përballoni dhe burgun, atje ku Hëna vinte të puthte vjedhurazi nga vrima e çelësit të derës hermetike.  Vuajtjet e tua si në rrathët e ferrit të Dantes, ja tregoje vetëm Hënës dhe ja se si:
Kur ke diçka,-për të më thënë/ diçka që se mban dot për vete/ Që nuk ja thua e s`e shkul dot prej zemrës/ Dhe nuk të shqitet kudo që vete/
Trokit në hënë! Thuaja hënës!
Mjafton të lexosh këtë strofë e cila është një terapi e mirë poetike dhe nuk të lë të besosh se ike, sepse le pas nje lirikë të mrekullueshme që të mbush mushkëritë me ajër mali. 
            Janë këto poezi lirike të ëmbla që shpesh herë ta shuajnë etjen për një bukuri vargu.  Me këtë lloj nuri e vesh poeti krejt krijimtarinë që nga Zvicra ku kaloi vitet e tij pas rënies së diktaturës:  O Zot! E gjithë Berna sot vezullon nën shi/ Mes vorbullës së valëve befas më shfaqesh Ti/ Unë bërtas sa mund posi dikur në shpellë/  Pritmë, o Izabelë!
Të gjitha poezitë janë jashtë të rëndomtës, aty është mirëfilli metafora poetike të veshura me një membranë krejtësisht të tejdukshme, ku sheh dhe ndjen atë qe ti ke kohë që e ke kërkuar...
Ai është një poet i vetëdijshëm që kërkon artistikisht ta nxjerrë kombin e tij nga mjegullat e kohës, nëpërmjet semantikës së poezisë, e cila bëhet tepër e besueshme kur e lexon, mendimin e tij të avancuar artistikisht.  Edhe pse u internua, u persekutua me gjithë familje, poeti vazhdoi përsëri të shkruante bukur, pena e tij nuk u thye, ai është nga ata poetë që sic thotë Carls Dikensi katër gjëra nuk i humbi në jetë, besimin, lidhjen, premtimin dhe zemrën, sepse kur këta thyhen nuk bejnë zhurmë, por shkaktojnë shumë dhembje.
Vargu i tij bëhet një pronësi shpirtërore pa tapi për lexuesin, që çuditërisht lexuesi vetë e ruan si të shenjtë emrin e dhuruesit, të poetit që i ka dhënë kaq shumë ndjesi të ëmbla atij.  Jane shumë poezi që mesazhin përcjellës e japin natyrshëm apo duke biseduar me Hënën, çka tregojnë dhe flasin qartë se si ka menduar poeti për kohën, njerëzit apo plagët dhe dhimbjet që i qëndruan gjatë në trup.  Dhe ja biseda poetike me Hënën e bukur:
Sado e largët të të shtiret, sado e kotë/ Ka zemër delikate hëna! Vjen në sekondë më thotë.../ Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë! Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtëruese/ E je shterur krejt duke besuar/ Diçka që s`ia thua as shoqes sate, as nënës/ Trokit në hënë! Thuaja hënës!
Tepër emocionuese janë dhe vargjet në poezinë: Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbetën/ Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë/ I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten/ E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë…
Autorit i vërtiten si spirale me një zbehtësi të pikëlluar cfarë ka kryer e cfarë ka lënë pa bërë.  Edhe pse poezia është shkruar para 20 vjetësh, sentenca poetike të ben ta përjetosh në cdo kohë, ajo është rezistuese, ngase mendimi analitik zbërthen atë çfarë ka dashur të shpreh në gjithë kohërat.
Syri i tij si poet duket se kap te pakapshmen, nëpërmjet një zemre me ndjesi shumë të holla.  Krijimtaria e tij dhe vështrimi aq i hollë poetik është tashmë jo vetëm brenda nesh si lexues të apasionuar të tij, por dhe brenda rrënjës së ninëzës së syrit të bijës së vetme Elidës që hedh dritë edhe në fund të tunelit... Poeti krijoi një strehëz të ashtë poetike, një folezë të argjendtë që do të çuçurijnë vetëm zogjtë pendëartë, miqtë e shumtë që e takuan dhe ata që do ta takojnë pafundësisht në vargun e tij vizatuar mjeshtërisht në hapësirën qiellore të kaltër i cili shprehet:
E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute/ Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë/ E shtyj, për miqësi, një çik më tutje/ Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !
Tek i lexon keto vargje aq humane, të shfaqet poeti me shpirt aq delikat dhe të bukur.
Ai ringjallet poetikisht!

Kozeta Zylo
Staten Island, New York,14 qershor 2011.


Në vend  të përkujtimit për Pushkinin shqiptar
Vehbi Skenderi 



Më datën 13 qershor 2011, në orën 04:30, pushoi së rrahuri zemra e lirikut, "Pushkinit" shqiptar, të madhit poet Vehbi Skënderi. Në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, liriku i madh Vehbi Skënderi pati pranë deri në çastet e fundit gruan, vajzën, dhëndërrin dhe nipat. Familja e poetit Vehbi Skënderi, duke e njoftuar më hidhërim të thellë opinionin publik, veçanërisht të afërmit, miqtë dhe dashamirët, për humbjen e njeriut më të dashur, i fton të gjithë t'i bashkohen në lutjet e saj drejtuar Zotit që poeti Vehbi Skënderi të gjejë prehjen e përjetëshme në parajsë. Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927 në familjen e një kleriku të lartë. Babai i tij Imam Demir Efendiu kishte kryer studimet e larta fetare në Stamboll, kishte një bibliotekë nga më të pasurat e asaj kohe në arabisht dhe persisht, kishte pikëpamje liberale antikomuniste, ishte për bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare dhe shfaqte simpati për demokracitë perëndimore: djalin e madh, Kadriun, e dërgoi në Shkollën Amerikane të Fullcit, në Kavajë. Nëna e tij, Selimeja, ndonëse autodidakte, përveç librave fetare, lexonte edhe letërsi në gjuhën shqipe. Ajo ishte Kryetare e Komisionit të Luftës kundër Analfabetizmit në të gjithë Gorën. Vehbi Skënderi shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitin 1940 u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Aty ai përjetoi nga afër tmerret e luftës: përpara syve të tij kalonin përditë me qindra luftëtarë të plagosur e të gjymtuar. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë, ku midis mësmidhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj.. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin, ku iu mbijeton dy plagosjeve. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Në vitet 1947-1949 shtrohet në sanatorium me një proces tuberkular të avancuar. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Veprimtaria si gazetar Bashkëpunimin me shtypin Vehbi Skënderi e fillon tek gazeta Arma e Mbrojtjes. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë ishte ai i botuar më 1945 tek Bashkimi, me titullin "Myfiti", ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati. Në vitet 1949-1953 është redaktor në revistën Miqësia me Gjovalin Lukën, ndërsa në vitet 1955-1956 në revistën Hosteni me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959 është korespondent special në të përditshmen Bashkimi. Nga viti 1960 deri në vitin 1967 punoi në revistën Ylli, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1972-1974 ai ishte redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese „Naim Frashëri". Veprimtarinë publicistike, e cila është brilante, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e diktaturës. Në këto vite Vehbi Skënderi ka botuar publicistikë dhe poezi kryesisht në gazetat e përditshme "Rilindja" dhe "Bota Sot". Veprimtaria si poet Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Vëllimin e fundit, "Mirëmëngjes, Shqipëri - Lirika të një tetëdhjetëvjeçari", i cili ndodhet në dorëshkrim, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009. Persekutimet Përplasjet e tij me regjimin e kohës dolën hapur në vitin 1967, kur shkruan fejtonin Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve" për Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Një sekretar partie për ideologjinë u shpreh atëherë se ky fejton përmban helm më shumë se romani më antiparti i kohës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. - ai përgatiti një "Brigadë shtypi" dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit. Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë: Instituti i Historisë, në vend që të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Instituti i Gjuhësisë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Pamfleti nuk botohet. Zëri i Popullit ia dorëzon dorëshkrimin sekretari të parë të Tiranës dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar veprimtari armiqësore të njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës. Në Komitetin Qendror gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten. Nga ky grupi intelektualësh në vitet e tranzicionit është vlerësuar me të drejtë me nderime të larta, midis tyre vetëm Profesor Selman Riza, ndërsa për autorin e këtij shkrimi, Vehbi Skënderin, ka vazhduar gjatë këtyre njëzet viteve heshtja. I ndjeri Profesor Zija Shkodra, pas rrëzimit të diktaturës moniste, në një shkrim të gjatë ka hedhur dritë të plotë rreth rolit kyç të Vehbi Skënderit. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Vaun e Dejës i dënuar me punë korektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike zëvendësdrejtori i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ai i kërkon Vehbi Skënderit të bëhet agjent i Sigurimit, çka shkrimtari e refuzon kategorikisht. Punonjësi i Sigurimit i betohet shkrimtarit se do të pendohet për këtë refuzim. I transferuar si zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme Tiranë ai ia përsërit kërcënimin shkrimtarit edhe vite më vonë. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretari të Parë të Tiranës, sajon të tjera reprazalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi. Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anullohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anullohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik në repartin e presimit dhe në magazinën e hedhjes së mbeturinave. Pas rreth dhjetë vitesh i rikthehet e drejta e botimit. Por në Lidhjen e Shkrimtarëve i deklarojnë se rehabilitimi i tij i plotë si autor do të bëhet vetëm diku nga vitet 2030-2040. Del në pension në vitin 1987 duke qenë korektor në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndërin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore deri në fund të jetës së tij.

********* Presidenti i Republikës të Shqipërisë Zoti Bamir Topi në një letër ngushëlluese drejtuar familjarëve të poetit të ndjerë Vehbi Skënderi shkruan: „Të dashur familjarë të të ndjerit Vehbi Skënderi, Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, letrarit të vyer Vehbi Skënderi. Vehbi Skënderi ishte përfaqësues i denjë i asaj plejade letrarësh dhe personalitetesh, të cilët asnjëherë nuk i tradhëtuan idealet e tyre, nuk e humbën shpirtin e lirë prej poeti, mendimet e qashtra, pasionin dhe dëshirën për jetën, por mbi të gjitha dashurinë për atdheun. Koha u tregua e ashpër me ta, por në kujtesën e kombit, ata do të mbeten gjithnjë në piedestalin e vlerave njerëzore dhe kombëtare falë trashëgimisë së paçmuar që u kanë lënë brezave të ardhshëm. Ju sot përjetoni dhimbjen e humbjes së njeriut tuaj më të afërt, më të shtrenjtë dhe në këto çaste të vështira të jetës, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Miqësisht BAMIR TOPI

*******


Kryeministrishqiptar prof.dr.Sali Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së poetit të mirënjohur shqiptar Vehbi Skënderi, ku shpreh dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta. Në mesazh, Kryeministri Berisha shprehet: "Të dashur familjarë të poetit të shquar Vehbiu Skënderi, Me pikëllim mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe mendimit intelektual shqiptar, Vehbi Skënderi. Vehbiu mbetet në lëminë e letrave dhe poezisë shqipe një nga emrat më të shquar të tyre, krijuesit e mëdhenj, por Vehbi Skënderi i përket atyre intelektualëve shqiptarë që për mbrojtjen e vlerave, të ideve dhe pikëpamjeve që besonte qëndroi me burrëri dhe kurajo të madhe, sakrifikoi, por nuk u mposht. Humbja e tij ndjehet sot në botën e mendimit intelektual shqiptar, të krijimit letrar e artistik, ndjehet nga ju, njerëzit e tij më të dashur, miqtë e tij kudo. Në këto çaste dhimbjeje, lutemi që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar.

*********

Mora vesh me hidhërim për vdekjen e poetit të shquar, mikut tim të hershëm Vehbi Skënderit, u shpreh poeti Moikom Zeqo, duke vazhduar: "Ia transmetoj familjes së tij, sidomos vajzës, ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Jam pranë tyre në këtë çast të pikëllimit të madh. Emri i lirikut gjenuin, të çuditshëm Vehbi Skënderi nuk do të harrohet asnjëherë. për këtë jam i bindur. Përqafime Moikom Zeqo.

********

Me të marrë vesh se poeti Vehbi Skënderi ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, shkrimtari Faruk Myrtaj i drejtohej familjes së poetit: "Lutemi edhe ne, njerëzisht, me shpresën e justifikuar nga vepra e tij dhe respekti jone për të, që Vehbi Skënderi të sfidoje edhe këtë herë përballjen e radhës... Lutemi njerëzisht, ndonëse e dimë mirë se vetëm me natyrën, modeli i njeriut që Vehbi Skënderi përqafoi dhe ngriti, nuk do dëshironte të përballej; iu desh të ndeshej me jonjerëzoren, me antiarsyen, me të panatyrshmen, një jetë të tërë (për të cilën, ndonëse dimë jo pak, nuk ditkemi aq shumë), dhe arriti të Mbetej, të Qëndronte Ai që do Donte të Ishte, gjer në fund lirik, njerëzor, jetësor, i natyrshëm...se nga poezitë e tij e kemi ditur që pjesë të natyrës jemi, si natyra shkojmë, si ujët, si ajri, si drita... Sepse shpirtra jemi, veç shpirt jemi..., dhe shpirti është ose nuk është i lirë, natyrshem, askush nuk ia merr apo ia jep lirinë dhe, tek e mbramja: Shpirti Është ose S'është, pavarësisht prej trupit... Në këtë kahje, ne lutemi që Vehbi Skënderi të jetë edhe me tej ai që ka qenë, ai që është, pra ai ka për të qenë një shpirt i lirë që vetëm liri ka dhuruar në këtë jetë... Nderuar qofshi edhe ju Elida e Skënder, që jeta u ofroi përgjegjësinë dhe nderin t'i ndodheni pranë atij që vetëm njerëzi kërkoi, tërë jetën...



Faruk Myrtaj


Lajmi i hidhur për shuarjen e Poetit tonë VEHBI SKENDERI është një tronditje, jo vetëm për familjaret dhe miqtë e Tij kudo, por dhe për botën e letrave," u shpreh poeti Visar Zhiti sapo mori vesh lajmin e hidhur se poeti Vehbi Skënderi është ndarë nga jeta. "Ikja e Tij krijon një bosh në poezinë e re shqipe, të cilin e mbush vetëm AI me këngën që na la, të sinqertë dhe emocionuese. E kam njohur, na donte kur nuk na donin, e donim dhe kur Ai ishte i ndaluar nga diktatura bashkë me të papërkulurit e tjerë. Zëri i Tij i dashur, antalogjik tashmë, rikthehet, duke sjellë jetën e Tij, jetë poeti dhe si e tillë ajo është e pambarimtë. Ndajmë dhembjen me ju, pranoni ngushëllimet tona, në vend të një tufe me lule nga AtDheu," përfundon poeti Visar Zhiti në ngushëllimin e tij drejtuar familjes së poetit Vehbi Skënderi.

********

Poeti nga Kosova Naim Kelmendi:

I nderuari z.Skender dhe z.Elida ju shprehi ngushellimet e mia me te sinqerta per humbjen e babait dhe vjehrrit Tuaj  ,per poetin dhe lirikun e madh te letrave shqipe,Vehbi Skenderin...,thuhet në telegram e z.Kelmendi.


**********






*******
I DASHURI,Z. SKENDER DHE E NDERUARA Z.ELIDA BUCPAPAJ,

PRANONI NGUSHELLIMET TONA FAMILJARE PER VDEKJEN E ME TE DASHURIT TUAJ DHE TE GJITHE SHQIPTAREVE,PER TE MADHIN E LETRAVE SHQIPE Z.VEHBI SKENDERI.

I LEHTE QOFTE DHEU I MEMEDHEUT QE AQE SHUME E DESHTI.

ME RESPEKT DHE PIETET

FLORI BRUQI ME FAMILJE

********
Kopy Kyçyku:

VEHBI SKENDERI - DISA HERË I MADH NJËHERESH: NJERI, KRIJUES, LUFTËTAR ME TË GJITHA ARMËT E LIRIDASHËSIT, DEMOKRAT, I FISËM, TRIM MBI TRIMA, MODEST, PA PRETENDIME, I ÇILTËR, SHPIRTDET, I PAPËRSËRITSHËM...
 I thjeshtë si vetë thjeshtësia, / I ëmbël si vetë ëmbëlsia, / I çiltër si vetë çiltërsia,/ Trimosh si vetë trimëria,/
I ndershëm si vetë ndershmëria, / I mençur si vetë mençuria, / I pastër si vetë pastërtia, / I mirë si vetë mirësia, / I thellë si vetë poezia! Ky ishte dhe mbetet Vehbi Skënderi, / I shqiptarisë mburrja dhe nderi!


Kote Petraq:

Gjithmone e kam ndjekur dhe lexuar me kujdes Vehbi SKenderin, kete pene te vuajtur diktature.

Me pelqente tingulli i tij zanor qe ishte i barabart me tingujt e shpirtit te tij. Me pelqente sinqeriteti i vargut te tij, muzika shqiptare e vargut...


Radije Hoxha nga Prishtina:


O Zot! C'far humbje! Vehbi Skenderi. Poeti dhe njeriu. Kam pase fatin te njihem me te ne Takimet Poetike ne Tetove, ne v.1997. Ma fali lbrin "Bejme sikur" dhe ma shkroi nje perkushtim te bukur. Nga ai liber qe shetiti boten...me kane mbetur... ne mendje disa vargje. Do ti kujtoj si homazh: Si te te quaj, engjell, magjistrice a vagabode? Me ate ...(i harrova dy fjale) ... me ate perrua fjalesh me bere skllav ne gjysmesekonde. Dhe tani rri heshtur dhe pyes veten gjith tmerr: Ku do ta shoh serishmi kete grua, ku do ta kap kete xixellonje neper terr?...ose poezia tjeter: Tani ti je si nje zone e pushtuar, s' kam lene koder, qoshe e kjoske pa marre, po pse te dua e te dua pa pushuar, nje mije here me shume se me pare?.............................................................. Ngushellime Elida Bucpapaj! 
 
U takofshi me shpirtin e babit tuaj te mire ne Parajse!
 
Përgatiti:Flori Bruqi


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...