2011-06-12

Illyria 20 vjeçare dhe një festë për të gjithë shqiptarët

Si u festua 20 vjetori i botimit të gazetës Illyria në New York
Mbi 800 veta morën pjesë në festimin e 20 vjetorit të botimit të gazetës shqiptaro-amerikane Illyria dhe 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në New York, më 22 maj 2011.

Për fotot, videon dhe shkrimin, klikoni këtu: http://www.illyriapress.com/20/index.html
Illyria Newspaper
481 8th Avenue, Suite 537
New York, NY 10001
212.868.2224
illyriapress.com
Po 20 vjet më parë u rilidhën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dekoroi gazetën "Illyria" me "Medaljen e mirënjohjes" me motivacionin "në shenjë nderimi e mirënjohje të thellë për këtë gazetë që ka për ideal të shenjtë në tërë përmbajtjen dhe veprimtarinë e saj shërbimin ndaj çështjes kombëtare, lirisë, prosperitetit dhe përparimit të popullit shqiptar".

Kongresisti Eliot Engel bëri një deklaratë përshëndetëse për gazetën "Illyria" nga salla e Kongresit amerikan ku u kujtoi kolegëve të tij rolin e shqiptaro-amerikanëve në shoqërinë amerikane, miqësinë e fuqishme dhe tradicionale mes dy kombeve tona dhe rolin e gazetës "Illyria" për t'i përforcuar këto karakteristika.

Letra përshëndetëse gazetës i dërguan: shkrimtari i madh Ismail Kadare, ish presidenti amerikan George W. Bush, kryebashkiaku i New York-ut, Michael Bloomberg, biznesmeni dhe filantropisti Donald Trump, kryetari i Bronx-it, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga etj.

Nga Ruben Avxhiu
Gazeta shqiptaro-amerikane "Illyria" festoi ditën e dielë, 22 maj, në Manhattan festën e 20-vjetorit të saj si edhe të 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Darka festive u kthye në një nga grumbullimet më masive në historinë e komunitetit shqiptar të Amerikës me mbi 800 vetë që mbushën në skaj të kapacitetit sallën më të madhe të mjediseve në përdorim të kompanisë së banketeve "Pasha Events" në Manhattan.
Pjesëmarrja masive ishte një lloj falenderimi i komunitetit për rolin e jashtëzakonshëm dhe unik që ka luajtur gazeta "Illyria" në jetën e saj. Pa qenë nevoja të bëhet një histori e gjatë e këtyre 20 viteve botimi të pandërprerë, mjafton që të kujtohet koha kur doli numri i parë i kësaj gazete. Ishte një kohë kur komuniteti shqiptar ishte përforcuar ekonomikisht, ku shqiptarët e Amerikës nuk ishin më një grup familjarësh hallexhinj që përpiqeshin të mbijetonin në dhe të huaj, por ishin një aradhë individësh të suksesshëm që arritjet e tyre personale e familjare ishin të vendosur që t'i kthenin në të mirë të kombit.
Ishte një kohë kur shqiptarët gjithësesi ishin të shpërndarë në pjesë të ndryshme të Amerikës pa lidhje me njëri-tjetrin. Media që ekzistonte ishte shpesh lokale pa shpërndarje të mirë e të rregullt. Interneti nuk ekzsitonte ndërsa teknologjia telefonike ishte ende me barriera.
Kjo ishte gjithashtu një kohë kur valë të reja shqiptarësh kishin mbërritur prej disa vitesh nga ish-Jugosllavia dhe të tjerë po bëheshin gati të vinin nga Shqipëria paskomuniste.
Kjo ishte gjithashtu koha kur shqiptarët po provonin shanset e tyre të lobimit në Washington, kur po përzgjidhnin miqtë dhe kundërshtarët, kuriozët dhe indiferentët.
Ishte mbi të gjitha, koha kur shqiptarët e Amerikës po zbulonin veteveten. Kush ishin njerëzit më të suksesshëm, më të shquar, më të pasur, më të edukuar, ata që kishin bërë emër në shoqërinë amerikane etj.
"Illyria" krijoi pikërisht atë rrjetin që nevojitej që ky komunitet të ngjizej në një forcë kompakte e dinamike. Lexuesit e saj zbuluan se nuk ishin vetëm, se mund të takoheshin e komunikonin lehtësisht, e se nëse do të aktivizoheshin, pjesëmarrja e tyre do të shënohej në histori. Nga Florida në Alaska, nga një skaj i Amerikës në tjetrin, "Illyria" i bashkoi të gjithë shqiptarët pa dallim, duke vënë kombin mbi gjithshka.
Që atëherë kanë kaluar 20 vjet, gjatë të cilave, bota ka ndryshuar shumë, kombi shqiptar ka ndryshuar shumë, komuniteti shqiptar ka ndryshuar shumë e bashkë me to edhe gazeta "Illyria". Sot, roli i gazetës i është përshtatur kushteve të reja, mirëpo ajo përfaqëson të njëjtat parime, standard e synime që i kanë shërbyer aq shumë këtij komuniteti e për të cilat ai ka nevojë për veprimtarinë e saj.
Një gazetë model
Ishte biznesmeni dhe aktivisti i njohur i komunitetit Harry Bajraktari ai që e nisi këtë udhëtim duke themeluar gazetën në qershor të vitit 1991 (festa u organizua këtë muaj për t'iu përshtatur kalendarit të veprimtarive shqiptare të komunitetit dhe për të qenë disi më afër datës së përvjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Amerikën).
Krijimi i gazetës gjallëroi jetën e komunitetit dhe filloi të kanalizonte në drejtimet e duhura energjitë dhe mundësitë e shqiptarëve. Sigurisht që ndihmonte fakti që botuesi i saj Harry Bajraktari ishte edhe vetë një nga aktivistët dinamikë në lobimin për interesa të shqiptarëve. I ardhur nga Kosova, kur ishte vetëm 12 vjeç, suksesin në biznes e përdori për të ndikuar te politikanët amerikanë.
Në atë kohë, shqiptarët në Amerikë ishin sa të entuziasmuar për mundësitë që ofronte rënia e komunizmit në Shqipëri dhe shpërbërja e Jugosllavisë, aq ishin të shqetësuar se keqpërdorimi i shanseve dhe mungesa e ndihmës nga jashtë do të vononin demokracinë në Shqipëri si dhe se pa ndërkombëtarizimin e çështjes, tragjedia që po ndodhte në Kosovë do të thellohej.
Ekrem Bardha ishte botues i gazetës nga viti 1998 deri në vitin 2006. Me origjinë nga Kolonja, ai ishte arratisur me familjen nga Shqipëria për t'i shpëtuar persekutimit komunist. Ekrem Bardha në vitin 1986, siguroi në Kongres një dëshmi për një mërgimtar shqiptar që ishte arrestuar për motive politike gjatë një vizite në Jugosllavi. Kjo bëri që ai të lirohej, ndërsa Jugosllavia për herë të parë në histori mori një goditje në Washington.
Sot, si Harry Bajraktari ashtu edhe Ekrem Bardha, janë jo rastësisht, investuesit shqiptaro - amerikanë nga më kryesorët në Kosovë dhe Shqipëri respektivisht.
Të dy këta ish-pronarë dhe aktivistë u nderuan në darkën e të dielës.
Një falenderim të veçantë botuesi i tanishëm, Vehbi Bajrami kishte rezervuar edhe për mbarë komunitetin shqiptar të Amerikës.
"Kjo gazetë nuk do të kishte mbushur sot 20 vjet suksesesh dhe arritjesh pa mbështetjen zemërgjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan", tha botuesi Bajrami në fjalën kryesore të mbrëmjes. "Ata na kanë ndihmuar që nga dita e parë me reklama, abonime, ndihma, këshilla, artikuj, reportazhe, kujtime personale dhe familjare, fotografi e dokumente nga arkivat e tyre, të dhëna, si dhe me mbështetjen e tyre morale. Disa nga më të mirët në këtë drejtim janë këtu në këtë sallë. Dhe fjalët nuk mjaftojnë për t'ju falenderuar aq sa e meritoni që keni qenë pjesë e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm".
Vehbi Bajrami e filloi punën si gazetar në muajt e parë pas hapjes së kësaj gazete dhe u bë redaktor e kryeredaktor i saj. Pas një stazhi rreth njëvjeçar si drejtor i Seksionit Shqip të "Zërit të Amerikës" në Washington, ai bleu gazetën "Illyria" në shtator të vitit 2006.
Vehbi Bajrami është autor i librit voluminoz "Shqiptarët e Amerikës" dhe librit në gjuhën angleze "My Trip to Holy Land" (Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë).
Imazhi i shqiptarëve
Gazeta "Illyria" e kishte organizuar darkën e saj festive jo thjesht për t'iu gëzuar 20 vjetëve të saj e për të festuar me komunitetin. Synohej që ajo të shërbente gjithashtu edhe për një nga misionet e gazetës: prezantimin e vlerave dhe kombit shqiptar te të huajt, kryesisht tek amerikanët.
Për këtë arsye, në sallë e festës, ditën e dielë, merrnin pjesë edhe një numër shkrimtarësh dhe arstistësh amerikanë, gazetarë nga media amerikane, biznesmenë dhe veprimtarë të fushave të ndryshme, të njohur e miq. Për shumicën e tyre, kjo ishte hera e parë që prezantoheshin masivisht me botën shqiptare, njerëzit e saj të shquar, kujtimet e të kaluarës dhe shpresat e të ardhmes. Efekti ishte i jashtëzakonshëm. Ndonëse shumë prej tyre e kishin një ide për shqiptarët nga lidhjet personale, përvoja e mbrëmjes ishte një edukim i rëndësishëm për ta.
Në listën e gjatë të të ftuarve amerikane spikasin sidomos këta emra:
Francine Prose, shkrimtare e njohur amerikane dhe presidente e Qendrës PEN në SHBA, organizatës së shquar të shkrimtarëve; Laura Maria Censabella, dramaturge dhe skenariste amerikane që ka fituar dy Çmime Emmy për serialin televiziv "As the World Turns"; Charles Kipps, autor librash, skenarist i njohur televiziv. Lista e tij e gjatë e çmimeve përfshinë edhe një Emmy, një Peabody, dhe një Edgar Award; Kirk Semple, gazetar i "The New York Times" që nga 2003 (ish-korrespondent në Irak, Afganistan dhe Haiti-aktualisht punon për seksionin që mbulon qytetin e New York-ut); Dominic R. Massaro, anëtar i Gjykatës Supreme të New York-ut, që nga viti 1987, autor librash dhe fitues çmimesh e medaljesh nga shumë vende të botës; Michael Genet, skenarist dhe aktor amerikan etj.
Kjo ishte në përputhje me veprimtarinë tashmë 20-vjeçare të gazetës "Illyria" që përpiqet t'ia shpjegojë botës amerikane sukseset e shqiptarëve te Amerikës. Në mënyrë të rregullt që prej themelimit, gazeta "Illyria" i është dërguar senatorëve dhe kongresistëve më të shquar amerikanë, zyrtarëve të rëndësishëm në Departamentin e Shtetit, diplomatëve të njohur, institucioneve studimore të njohura si "think tank", departamenteve të universiteteve ku studiohen shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, historia, antropologjia dhe fusha të tjera studimore që mund të lidhen me Shqipërinë. Fqinjët tanë kanë në akademinë amerikane katedra që i sponsorizojnë vetë. Në vite janë botuar libra e referenca që kanë shtrembëruar historinë. Kjo mungesë e ky disavantazh nuk mund të kapërcehet lehtë, mirëpo ndërkohë "Illyria" ka mbushur zbrazëtirën duke ofruar kontributet dhe informacionet që botohen në faqet e saj, për të ofruar një burim dhe një realitet tjetër.
Në kohën kur u themelua "Illyria" Kosova dhe shqiptarët nën Jugosllavi kishin nevojë për ndihmë, ndërkombëtarizim të çështjes së tyre dhe mirëkuptim. Kauza shqiptare është mbrojtur dhe argumentuar në Washington nëpërmjet faqeve të gazetës "Illyria". Kjo dëshmohet edhe nga dhjetëra letra që personalitete nga më të lartat amerikane i kanë shkruar gazetës, apo mesazhet që ia kanë komunikuar në vite botuesve dhe gazetarëve të saj.
"Illyria" ka ndihmuar për të identifikuar në Washington ata që na përkrahin dhe ata që na dëmtojnë, ata që janë përpjekur të ndihmojnë shqiptarët e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë si dhe integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO si dhe ata që janë përpjekur të na dëmtojnë.
"Illyria" ka treguar se cilët janë shqiptarët që po punojnë më shumë me këta politikanë e ekspertë amerikanë, duke ndihmuar që këta individë të komunitetit të lidhen me njëri-tjetrit, të gëzojnë promovimin dhe nderimin që meritojnë, të sigurojnë përkrahje e pasues, si dhe të nxisin me anë të shembullit të tyre, bashkatdhetarë të tjerë.
James Rubin dhe politika parimore amerikane në Ballkan
Në planin politik i ftuari më i shquar i mbrëmjes ishte James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe ish Ndihmëssekretar i Jashtëm nën zonjën Madaleine Albright (Madëllejn Ollbrajt).
Shtetet e Bashkuara kanë qenë besnikërisht pozitive ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 20 vjet, sidomos ndaj shqiptarëve të Kosovës. Aty zhvillohej tragjedia më e fortë e kohës dhe aty u përqendruan edhe përpjekjet kryesore të shqiptaro-amerikanëve.
Të zgjidhje pra një përfaqësues të kësaj mbështetjeje nuk ishte e lehtë, por besuam se asnjë periudhë tjetër nuk mund të simbolizonte më mirë mbështetjen amerikane se sa ndërhyrja e vitit 1999 në Kosovë që shmangu katastrofën humanitare dhe çliroi Kosovën nga pushtuesi e kolonizatori serb. Rimëkëmbja, pavarësimi dhe etapat që vijnë më pas janë rrjedhime të natyrshme të asaj ndërhyrjeje.
James Rubin ka qenë në atë kohë, fytyra publike dhe zëri i politikës së jashtme amerikane. Ndonëse ishte Presidenti Clinton ai që dha urdhërin, ndonëse ajo njihej si "Lufta e zonjës Albright", ishte James Rubin ai që mori përsipër t'ia shpjegonte këtë luftë opinionit botëror. Në bashkëpunim me Jamie Shea të NATO-s, Rubin sfidoi publikisht argumentet pro-serbe ruse e kineze, apo edhe ato që dilnin nga Perëndimi. Se sa e vështirë është të fitosh opinionin publik e treguan ndërhyrjet e mëvonshme ushtarake amerikane në botë.
James Rubin nuk ishte thjesht një zëdhënës. Ai ishte edhe një diplomat, një zyrtar i lartë (i vetmi zëdhënës në histori që ka qenë edhe NdihmësSekretar i Shtetit, pra pjesëmarrës në vendimmarrje). Ky personalitet i medias dhe politikës amerikane simbolizon më së miri rritjen e njohjes amerikane të çështjeve shqiptare, sepse ka punuar si ndihmës i Senatorit Joseph Biden (Xhozef Bajden), sot zv-president i Amerikës, në kohën kur Biden u bë një nga politikanët e parë amerikanë që foli hapur dhe qartë për Kosovën dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Rubin sot është figurë në median amerikane, pikërisht në kohën kur Kosovës dhe shqiptarëve u duhet ndihma në imazhin publik, tashmë që problemin kryesor politik e kanë zgjidhur.
James Rubin, që u nderua, në darkën e të dielës, me një çmim të veçantë nga gazeta "Illyria", u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga shqiptarët kur u ngjit në skenë. Çmimi, një pllakë me një mbishkrim domethënës, iu dorëzua personalisht nga botuesi i gazetës, Vehbi Bajrami. Rubin përfitoi nga rasti për të treguar disa mbresa nga viti 1999 si dhe besimin e tij se shqiptarët do të vazhdojnë të ecin përpara.
Nderimi që i bëri "Illyria" ishte sigurisht një shpehje e mirënjohjes të të gjithë shqiptarëve dhe një kujtesë se ndihma që i dha Kosovës i ka shërbyer jo vetëm shqiptarëve por mbarë paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe imazhit të mirë të vetë Amerikës dhe politikanëve të saj të asaj kohe.
Vetë kongresisti Engel bëri një deklaratë përshëndetëse për gazetën "Illyria" nga salla e Kongresit amerikan ku u kujtoi kolegëve të tij rolin e shqiptaro-amerikanëve në shoqërinë amerikane, miqësinë e fuqishme dhe tradicionale mes dy kombeve tona dhe rolin e gazetës "Illyria" për t'i përforcuar këto karakteristika. Në emër të kongresistit, çmimin e gazetës e mori këshilltari i tij politik, Bill White.
Një miqësi e vjetër dhe e sinqertë
Historia e lidhjeve shqiptaro-amerikane sigurisht që nuk fillon me vitet 90-të. Ajo fillon qysh nga ardhja e shqiptarëve të parë si mërgimtarë në fund të shekullit 19-të, për të vazhduar te krijimi i "Vatrës" dhe i Kishës autoqefale, te roli i Presidentit Wilson në garantimin e një shteti për shqiptarët në Ballkan, te lufta për çlirimin e Shqipërisë e pastaj në rezistencën kundër komunizmit dhe diktaturës që përfundoi më rënie e kësaj të fundit, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën.
Sjellja e komunistëve me aleatin tonë të madh është një njollë turpi në historinë e shqiptarëve. Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi material e shpirtëror i Shqipërisë, komunistët bënë çmos që të minonin në mënyrë fatale dhe përfundimtare marrëdhëniet me miqtë tanë në Perëndim, sidomos me Amerikën.
Kjo përpjekje e turpshme përfundoi me rënien e komunizmit dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ky rikthim te aleati ynë i vjetër dhe i duruar ishte një ngjarje që nuk duhej pa iu dhënë respekti i duhur dhe i merituar. Pikërisht për këtë arsye, "Illyria" që një nga misionet ka edhe që të jetë një urë lidhëse e miqësie ndërmjet dy kombeve tona, vendosi ta ndajë festën e saj me kujtimin e kësaj ngjarje.
Në mënyrë kuptimplotë merrte pjesë në këtë përvjetor ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit. William Ryerson është një diplomat i shquar, mik i shqiptarëve dhe anëtar i hershëm i Bordit të Nderit të gazetës "Illyria".
Tipike në natyrën e tij ishte që refuzoi që "Illyria" t'i paguante udhëtimin për në New York dhe qëndrimin në hotel, madje këmbënguli që të paguante edhe çmimin për pjesëmarrjen si çdo anëtar tjetër i komunitetit.
"Jam betuar që kur u bëra diplomat se nuk do të përfitoja asnjë cent për shkak të detyrës sime", shpjegon ai buzagaz.
Ryerson kujtoi kohën kur erdhi për herë të parë në Tiranë nga Ambasada në Beograd dhe ndonëse komunistët ishin ende në pushtet, ndonëse vendi ishte në një krizë ekonomike, atmosfera ishte e mbushur me padurimin dhe dëshirën për të ecur përpara.
Sot, pas 20 vjetësh, Ryerson mbetet një mik i përkushtuar i shqiptarëve. Ai lexon dhe mund të flasë në gjuhën shqipe. Shpesh na dërgon reagime ose komente për shkrime që i ka lexuar në shqip. Ai merr pjesë gjithashtu në aktivitete lokale të shqiptarëve, në zonën afër Washington-it.
I pyetur nga "Zëri i Amerikës", Ambasadori Ryerson i bëri një përshkrim gazetës "Illyria" që e nderon shumë atë: "Illyria ka qenë një zë i arsyes, ka raportuar në mënyrë objektive dhe kjo flet shumë për një gazetë. Eshtë shumë e lehtë për një gazetë komuniteti të mbajë anën e këtij apo të atij. Mendoj se "Illyria" ka qenë shumë e matur duke mbajtur një ekuilibër të vështirë dhe duke na dhënë të gjitha aspektet e një ngjarjeje. Kjo është një gjë vërtet e mirë dhe unë i përgëzoj".
Ashtu siç i takonte një veprimtarie me një temë të tillë, merrnin pjesë në këtë darkë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, zotërinjtë Ferit Hoxha dhe Avni Spahiu si edhe konsujt respektivë Dritan Mishto dhe Arta Rama.
Ambasadori Hoxha i dorëzoi botuesit të gazetës, Vehbi Bajrami dekoratën e Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi per gazetën "Illyria", "Medaljen e mirënjohjes" me motivacionin "në shenjë nderimi e mirërnjohje të thellë për këtë gazetë që ka për ideal të shenjtë në tërë përmbajtjen dhe veprimtarinë e saj shërbimin ndaj çështjes kombëtare, lirisë, prosperitetit dhe përparimit të popullit shqiptar".
Kreshnik Spahiu, i cili kishte udhëtuar nga Tirana për të marër pjesë në mbrëmje, është shumë i njohur për lexuesin e gazetës sonë. Ai është vënë në krye të rezistencës shqiptare kundër regjistrimit të popullsisë sipas interesave greke që kërkojnë që njerëzit e thjeshtë ta deklarojnë kombësinë e tyre pa vërtetime, për të fryrë në mënyrë artificiale numrin e pakicës greke në Shqipëri.
Kreshnik Spahiu është një nga organizatorët kryesorë të referendumit që kërkon pastrimin e regjistrimit nga ngarkesa politike dhe kryerjen e tij sipas standardeve kombëtare. Në festën e gazetës ai lavdëroi shqiptaro-amerikanët si një shembull i pashoq i patriotizmit dhe ruajtjes së traditave shqiptare. Ai vlerësoi rolin e gazetës "Illyria" për bashkimin e shqiptarëve dhe për vendosjen e interesave kombëtare mbi gjithshka tjetër. Fjalimi u prit me duartrokitje dhe me mjaft interes nga aktivistë të shumë e të njohur të komunitetit. Një fushatë nënshkrimesh për referendumin mund të fillojë edhe në SHBA.
Në prizmin e kësaj teme ishte me vend edhe pjesëmarrja e një numri shqiptaro-amerikanësh që ishin ftuar të merrnin pjesë. Ndër ta edhe Bardhyl Tirana, avokat i shquar shqiptaro-amerikan, që ishte Kryetar i Komitetit për organizimin e ceremonisë së betimit të Presidenti Jimmy Carter; shqiptaro-amerikani Eddi Z. Zyko, një Gjeneral Brigade i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara; Nijazi Tonuzi, veteran shqiptaro-amerikan nga Lufta e Vietnamit; Ed Rexha, ish-oficer shqiptaro-amerikan i Flotës Detare Amerikane, gjatë Operacionit Liria e Irakut në 2003 etj. Këta e të tjerë në sallë janë shqiptarë që kanë përjetuar ngjarje të historisë amerikane, të lumtura apo të hidhura, të nderuara apo të diskutueshme. Tre vetë nuk mund të ishin aty me ne, tre shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj e Rrok Camaj.
Illyria, shqiptarët dhe politika lokale
Një nga gjërat që e ka karakterizuar punën e gazetës "Illyria" në këto vitet e fundit ka qenë përpjekja e saj për ta angazhuar komunitetin me politikanët lokalë në bashki e në asambletë e kështillat lokalë.
Ashtu si u përpoq të edukonte politikanët amerikanë lidhur me të vërtetat shqiptare në vitet 90-të, po ashtu u mundua "Illyria" të edukonte shqiptaro-amerikanët me mundësitë që ekzistonin para tyre për të ndikuar te politikanët në Washington.
Kohët e fundit, një përpjekje e ngjashme po bëhet nga gazeta për t'i shpjeguar komunitetit rëndësinë e politikanit lokal. Ndërsa politikanët në Washington ndikojnë në fatin e kombit shqiptar, ata të pushtetit lokal ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit. Dhe sigurisht që sa më e mirë të jete jeta e shqiptaro-amerikanëve, aq më shumë mundësi do të kenë ata të ndihmojnë në kauzën kombëtare dhe në çështje të tjera humanitare, shoqërore e kulturore në të cilat janë angazhuar.
Për këtë arsye, përveç kongresistit Engel dhe ish-NdihmësSekretarit Rubin, në festën e të dielës ishin ftuar dhe u nderuan edhe figura më lokale, si Presidenti i Manhattan-it, Scott Stringer, anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, James Vacca, ish-asambleisti Stephen B. Kaufman. Një numër figurash të tjera si kryebashkiaku Michael Bloomberg, ish presidenti George W. Bush, biznesmeni i njohur Donald Trump, shkrimtari i shquar Ismail Kadare etj. dërguan përshëndetje e urime të ngrohta për gazetën dhe komunitetin.
Ndërmjet shumë kontributeve që kanë dhënë, Presidenti Scott Stringer në bashkëpunim me gazetën "Illyria" dhe Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, të drejtuar nga Esad Rizai festoi pavarësinë e Kosovës këtë vit me një parrullë gjigande elektronike në Times Square, një nga qendrat më të ndjekura të botës. James Vacca po në bashkëpunim me FSHSHA ka siguruar që një rrugë në Bronx të marrë emrin "Nënë Tereza" si dhe po organizon çdo vit festën e pavarësisë së Kosovës në Bashkinë e Qytetit. Avokati Stephen B. Kaufman që ka luajtur dhe luan një rol të dorës së parë në afrimin e komunitetit me përfaqësuesit tanë lokalë, siguroi në vitin 2003 vizitën e kryebashkiakut Bloomberg në Kosovë, kur shqiptarët atje kishin nevojë për vëmendje ndërkombëtare. Për këto dhe kontribute të tjera ata merituan nderimin në darkën e gazetës.
Shqiptarët në median amerikane
"Illyria" ka shkruar shpesh për brezin e ri të shqiptarëve që po shkëlqen në fusha që nuk kanë qenë tradicionale për komunitetin tonë këtu në SHBA, kryesisht në industrinë bankare dhe financiare. Mirëpo, kjo festë e gazetës së komunitetit ishte një rast i mirë për të ftuar e nderuar shqiptarët e rinj që punojnë sot në median amerikane, në gazeta e televizione.
Vetë bashkëdrejtuesja e programit, Lidia Ujkaj është një reportere shqiptaro-amerikane për kanalin televiziv News 12 Westchester. Shpesh aktivizohet si korrespondente speciale për Fox News, CNN dhe Court TV, kur ka tema nga Westchester që kanë interes më të gjerë. Ajo është fituese e një çmimi Emmy.
Një çmim i veçantë ishte ruajtur për Tara Nicajn, producente e shfaqjes Hannity Show në kanalin Fox News, që është emisioni i dytë më ndjekur i lajmeve në mbarë rrjetet televizive amerikane, për gati 10 vjet tashmë. Gazetarja shqiptaro-amerikane ka mbuluar ngjarje si 11 Shtatori, Lufta në Irak, Uraganin Katrina, dy zgjedhjet e fundit presidenciale, tërmetin dhe cunamin në Japoni, etj
Një tjetër pjesëmarrëse ishte Marina Vataj, ish-reportere shqiptaro-amerikane e "New York Post" dhe redaktorja aktuale e versionit në internet të revistës "Wine Enthusiast Magazine" si dhe producente në kanalin video "Wine Enthusiast TV"
Nga ana tjetër ishte një kënaqësi që Rose Dosti, ish-gazetarja e "The Los Angeles Times", një nga katër gazetat më të shquara amerikane dhe autore librash mundi të merrte pjesë dhe "Illyria" pati kënaqësinë që ta nderonte me një çmim për rolin e saj shumë të rëndësishëm në procesin e ruajtjes së kujtimeve të viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe nxjerrjes përpara gjyqit të historisë të krimeve të tmerrshme të diktaturës së kuqe në vendin tonë.
Shqiptarët e artit, kulturës dhe spektaklit
Kjo mbrëmje do të ishte e mangët pa shqiptarët që këtu në SHBA dhe në botë janë përfshirë në botën e artit, kulturës dhe spektaklit. Një tërheqje të jashtëzakonshme ka nga industria e filmit. Ka shumë më tepër shqiptarë që aspirojnë Hollywood-in sesa ç'kujtojmë ne.
Po një pjesëmarrje fare e veçantë rastisi në këtë darkë. Ajo vinte vetëm pak javë pasi një kineast shqiptar, Andamion Murataj kishte fituar çmimin prestigjioz Ariu i Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për vitin 2011. Berlinalja siç e njohin disa, është një nga festivalet më të shquar të botës dhe mbase më i madhi për nga pjesëmarrja. Vjen direkt mbas Kanës dhe Venecies, me ambicjen në rritje për t'i konkurruar ato.
Andamioni ka fituar si Skenaristi Më i Mirë, çmim që e ndau me kolegun e tij amerikan Joshua Marston. Ndonëse fitoi për skenarin, Andamioni është një nga kineastët më të kompletuar që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët, me aftësinë për të marrë përsipër çdo proces të realizimit të një filmi si dhe që ka pasion t'i japë emër Shqipërisë dhe shqiptarëve në botën e filmit. Ai ka themeluar edhe një firmë produksioni filmash "Lissus". Marston ka bërë emër si regjizor me filmin "Maria Full of Grace". Kësaj here, të dy këta artistë bashkuan forcat për të realizuar filmin "The Forgivness of Blood" (Falja e Gjakut) që e merr temën nga dukuria e rëndë sociale e gjakmarrjes në Shqipëri.
Të gjitha filmimet u bën në Shqipëri, me aktorë shqiptarë dhe mjete shqiptare, në film flitej shqip dhe Shqipëria është ngjitur më në fund në skenën e një festivali të famshëm. Për Andamionin ky është vetëm fillimi. Të dy ata pranuan ftesën dhe çmimin që u ndau "Illyria" për kontributin që po bëjnë për të ndihmuar që trojet shqiptare të afrojnë më shumë interes nga industria shumëmiliadëshe e industrisë së filmave.
Një artist me emër të madh që ka bërë shumë që të ndihmojë njohjen në botë të talenteve shqiptare është edhe Fadil Berisha. I njohur si fotograf i shquar i modës, fotografitë e Fadilit janë botuar e botohen në disa nga revistat më të famshme të botës. Ai është edhe fotografi zyrtar i "Miss Universe", ku ndihmoi që Kosova e sapopavarësuar të ngjitej për herë të parë në një skenë ndërkombëtare si shtet më vete. Studioja e tij në Manhattan ka qenë për shumë vite tashmë foleja e shumë shqiptarëve të talentuar, bazë për hapje ekspozitash, për mbrëmje tematike e muzikore për të prezantuar artistët shqiptarë tek bota e artdashësit amerikan. Çmimin nga gazeta "Illyria" ia dhuroi fotomodelja më e shquar shqiptare, Emina Çunmulaj.
Ndër njerëzit e shumtë të lidhur me filmin, artin dhe median që merrnin pjesë ishin edhe Stan Dragoti, shqiptaro-amerikan, regjizor i njohur filmash, fitues çmimesh dhe autori i fushatës së famshme publicitare "I Love New York" që lavdërohet se nxorri New York City-n nga depresioni i viteve 70-të; Mike Dusi, aktor, producent dhe menaxher produksioni shqiptaro-amerikan. Firma e tij vepron në Los Angeles, California; Luan Bexheti, aktor shqiptaro-amerikan për filma, teatër dhe dokumentarë, komik në klubet e humorit të New York-ut e shumë të tjerë.
Shqiptarët janë bijtë e shqipeve po askush nuk ka fluturuar kaq lart
Një nga vlerat më të rëndësishme të gazetës "Illyria" në vite ka qenë pa dyshim zbulimi i figurave të shquara shqiptare, të cilët kanë arritur suksese në drejtime të ndryshme, mirëpo duke qenë të shkëputur nga komuniteti apo mërgimtarë të brezit të dytë apo të tretë i kanë humbur lidhjet me botën shqiptare. Ishte diçka e natyrshme që festa e të dielës të kishte më shumë njerëz të tillë se sa politikanë.
Dy njerëz që bënë përshtypje të jashtëzakonshme ishin të lidhur me fluturimin në Kozmos, arritjen më të madhe teknologjike të njeriut. William Gregory ishte shqiptari i parë që ka fluturuar në hapësirë. I lindur në New York, ai ishte fillimisht pilot avionësh luftarakë derisa NASA e zgjodhi si astronaut. Fluturimi i tij më i famshëm zgjati për më shumë se 16 ditë në bordin e anijes së famshme kozmike Space Shuttle Endeavour. Shqiptarët e kanë njohur së pari publikisht nëpërmjet gazetës "Illyria".
Në pllakën që i dhuroi gazeta "Illyria" për ta nderuar për arritjet e tij në jetë, për shembullin që përfaqëson, për aktivitetet humanitare ku është përfshirë dhe për krenarinë që u jep shqiptarëve në Amerikë e kudo, shkruhet veç të tjerash: "Shqiptarët janë bijtë e shqipeve po askush nuk ka fluturuar kaq lart".
Një tjetër personazh më i tërhequr por njësoj mahnitës është Wilson Kokalari, inxhinieri me prindër nga Gjirokastra që që luajti një rol kyç në udhëtimin e parë të njeriut në hënë. Ai hartoi programin final inxhinierik në bazë të të cilit u lejua nisja e fluturimeve në hapësirë të misioneve Apollo 11, 12 dhe 13. Misioni Apollo 11 dërgoi njeriun e parë në hënë.
Wilson Kokalari nuk e priste nderimin që iu bë. Ky hero i heshtur i një arritjeje të jashtëzakonshme njerëzore, u përlot ndërsa përpiqej të tregonte historinë e angazhimit të tij me ekipin që bëri bujë në të gjithë botën.
Nëse nesër ju pyet dikush po çfarë keni bërë ju shqiptarët për Amerikën, një përgjigje e mirë mund të jetë: "Ja, ju ndihmuam të shkoni në Hënë! Ç'mund të bëjmë më shumë".
Po kur flitet për çështjet qiellore, jo gjithmonë na vjen në mendje Kozmosi. Ndonëse komunizmi u përpoq që ta kthejë Shqipërinë në të vetmin vend ateist në botë, shqiptarët mbetën kombi që më së miri di të respektojë fenë. Në një kohë pasionesh të mbrapshta e esktremizmash fetare, shqiptarët i ofrojnë botës një shembull të bukur civilizimi dhe harmonie ndërfetare. Përcjellin mesazhin se besimi duhet të konsistojë në dashuri për Zotin e jo në urrejtje për njeriun.
Një nga shembujt më të mirë të kësaj harmonie fetare përfaqëson kleriku që u nderua në këtë mbrëmje, Dom Pjetër Popaj, udhëheqësi shpirtëror i komunitetit katolik të Kishës "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, New York. Ata mijëra shqiptarë, jeta e të cilëve rrotullohet rreth kësaj kishe, janë pa dyshim segmenti më kompakt dhe më vibrant i komunitetit shqiptaro-amerikan. Natyrisht që meritën më të madhe në këtë drejtim e ka pikërisht famullitari i shquar Dom Pjetër Popaj që kohët e fundit mbushi 25 vjet që prej shugurimit të tij, një çerekshekulli në shërbim të Zotit, të Kishës, të komunitetit dhe kombit shqiptar.
Në kohët tona, ne kemi pikërisht nevojë për këta udhëheqës që frymëzojnë idealet më të mira njerëzore, të gërshetuara me mësimet më të mira të fesë. Çmimin me të cilin e nderoi gazeta "Illyria" iu dhurua nga aktivisti i njohur i komunitetit, Lekë Gojçaj, i cili bashkë me vëllain e tij Pashkun kanë mbështetur për disa dekada nismat më të nderuara shqiptare, veprimtaritë patriotike, humanitare dhe kulturore. Ata janë bërë të njohur me punën e tyre për të përjetësuar figurën e Nënë Terezës në trojet shqiptare me statujat e saj. Një e tillë ndodhet edhe pranë Kishës Katolike Shqiptare në Hartsdale, New York, aty ku çdo të dielë, por edhe gjatë javës sipas kalendarit fetar, Dom Pjetër Popaj u ofron besimtarëve udhëheqje e orientim, këshilla e qortime, u jep shpresë dhe guxim për të ruajtur zakonet tona, traditat më të mira dhe emrin e shqiptarit.
Figurat shqiptare që u ngjitën në skenën e "Illyria"-s, në atë darkë, kanë merituar e meritojnë shkrime më vete, e jo një përmendje kalimtare si kjo këtu, mirëpo kufizimi i hapësirës bën të vetën. Një prej tyre ishte edhe Skënder Ghilaga, President i Services Group International, Inc. dhe Kryetar i Dhomës Tregtare Shqiptaro Amerikane. Ka shumë ndërtesa të famshme në New York City ku ai ka lënë gjurmët e punës së tij të talentuar, që nga Javits Convention Center, Lincoln Center for the Performing Arts, Mt Sinai and New York Hospitals, Madison Square Garden etc. Lista e ndërtesave monumentale nëpër botë është shumë e gjatë. Ka qenë ndër të parët që ka investuar në Kosovën e lirë duke ndërtuar Fshatin Ndëkombëtar, bashkë me Dino Asanajn, sot një nga lagjet më luksoze të Prishtinës.
Një tjetër personazh që shqiptarët e kanë njohur për herë të parë nëpërmjet gazetës "Illyria" është Bashkim Dibra, stërvitësi më i famshëm i qenve në botë, këshillues për kafshët shtëpiake në Shtëpinë e Bardhë dhe për shumë yje të Manhattan-it. Librat e tij janë ndër më të shiturat sipas "The New York Times". Ndonëse nuk pati rast të ngjitej në skenën e festës, vështirë të gjesh një shqiptar tjetër që njeh aq shumë nga afër personalitete të politikës, artit dhe spektaklit se sa ai.
Yje të biznesit, të bujarisë dhe patriotizmit
Shumë nga aktivitetet e botës shqiptare, duke përfshirë edhe ato këtu në diasporë, do të ishin të pamundura pa bujarinë dhe patriotizmin e biznesmenëve shqiptarë, që në vend që të blejnë një jaht më shumë, apo një shtëpi më shumë, apo një makinë luksoze më shumë, preferojnë që të dhurojnë për çështjen shqiptare, për zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të bashkatdhetarëve të tyre dhe për të ndihmuar të vobektit e njerëzit me problem të pazgjidhshme shëndetësore.
Nuk është e lehtë të zgjedhësh mes tyre se janë kaq shumë që kanë ndihmuar në vite lobizmin e komunitetit në Washington, politikanët që na përkrahin, shoqatat shqiptare e sigurisht edhe gazetën "Illyria", me reklama, me urime në numrat specialë të 28 Nëntorit etj. Për këtë rast u vendos që nderimi të kufizohej te dy prej tyre, kredencialet e të cilëve janë tashmë të padiskutueshme.
Jim Xhema është një biznesmen i suksesshëm shqiptaro-amerikan, aktivist i shquar i komunitetit dhe filantropist i njohur. Ai u shmanget skenave me modesti, mirëpo roli i tij në mbështetje të veprimtarisë shqiptare në Washington është i pakrahasueshëm. Shqiptarët e njohin më shumë si njeriu që afroi senatorin Bob Dole (Bob Doll) me çështjen shqiptare, por vështirë se ka një politikan pro-shqiptar në SHBA që nuk është ndihmuar prej tij.
I ardhur nga trojet e vetme të populluara nga shqiptarë e që kanë mbetur nën Serbi, Jim Xhema ia doli mbanë që të bëhet një biznesmen i suksesshëm dhe qysh atëhere nuk ka rreshtur së ndihmuar çështjen kombëtare. Ai dhuroi 100,000 dollarë për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, duke dhënë një shembull të paparë të harmonisë ndërfetare shqiptare.
Biznesmeni tjetër vinte nga Europa. Lazim Destani është biznesmen i shquar nga Tetova, por me banim në Dyseldorf të Gjermanisë. Ai është filantropst, ideator dhe themelues i biznesit të udhëtimeve, president i kompanisë ECOLOG, me një shtrirje ndërkombëtare, qytetar nderi i Tetovës. Mjetet e tonelatave të rënda të udhëtimit që përdor NATO-ja sot në Afganistan janë të gjitha nga kompania e tij.
Destani është gjithashtu një njeri modest, që ka bërë shumë veprimtari humanitare pa iu ndjerë zëri e që ka punësuar mijera shqiptarë duke ua ndryshuar përgjithmonë situatën ekonomike. Kjo nuk është hera e parë që ai viziton New York-un dhe që ka shprehur konsideratë të lartë për gazetën "Illyria". Suksesi i Lazim Destanit është një shembull zemërdhënës dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët që jetojnë përtej Oqeanit.
Ai erdhi në New York i shoqëruar nga Emin Azemi, një nga gazetarët më të njohur në Maqedoni, që hapi rrugën për median e pavarur shqiptare edhe në këtë republikë ish-jugosllave duke botuar të mirënjohurin "Fakti". Emin Azemi është gjithashtu edhe shkrimtar dhe analist i njohur i çështjeve shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare.
Shqiptarët e komunitetit
Nëse do të ndaloje tavolinë më tavolinë, në darkën e festës do të gjeje histori pas historie, personazh pas personazhi, të gjithë aq interesantë sa për t'i përshkruar e prezantuar në gazetë, për t'u kushtuar libra e filma. Ky komunitet është një mori historish të jashtëzakonshme personale. Kjo është e natyrshme për një bashkësi njerëzish që lanë pas vuajtje e fatkeqësi e erdhën në një vend ku ekzistonin mundësi të pafundme.
"Illyria" kishte ftuar dy figura të dy brezave të ndryshme që kanë shkëlqyer e po shkëlqejnë në fushën e sportit: Fortuna Velaj, që është shpallur si Futbollistja më e Mirë e Vitit për Moshën nën 19 vjeç në SHBA, erdhi si refugjate e luftës nga Kosova dhe u bë e famshme duke luajtur me skuadrën "Connecticut Passion", ndërkohë që vazhdonte studimet universitare.
Mergin Sina – ish bashketbollist i njohur shqiptaro-amerikan (ka luajtur në NCA, NBA, Itali, Izrael etj), tani trajner basketbolli për të rinjtë në New Jersey.
Po sa talente të shquara ndodhesin në atë sallë që do t'ia kishin vlejtur programe të tëra festive. Shumë prej tyre i njohim, të tjerë presin që të zbulohen.
Pastaj aktivistë shoqatash politike e patriotike, të organizuara në tavolina apo sipas shoqërive e familjeve. Që nga "Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan" e "Vatra", nga "Rrjeti i Profesionistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur" te "Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane", nga "Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane" te Shoqata "Besa" nga Massachusetts e kështu me radhë.
Ajo që dallonte ishte pjesëmarrja nga të gjitha trojet, shteti i Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Çamëria.
Gjithshka reflektonte vijën e njohur të gazetës "Illyria", një gazetë mbarëkombëtare për të gjithë shqiptarët, nga të gjitha trojet që dikur mbulon pjesën më të madhe të Ballkanit, në mbarë Ilirinë.

http://www.illyriapress.com/20/index.html

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...