Nga Fritz RADOVANI:
PËR ATA QË NUK DUEN ME BESUE !...
Shpesh
përdoret një thanje: “Kjo botë asht e bukur, se ka gjithfarë
njerëzish!”. Sigurisht, edhe kjo ka shpjegimet e veta filozofike. Secila
thanje që i ka qendrue kohës, gati-gati asht ba e padiskutueshme. Jeta
dhe puna të përpjekë me shumë nga provat e këtyne thanjeve.
Në Shqipni erdhi një kohë që shumica e njerëzve na dukeshin se nuk besonin në Zotin.
Mbas
vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët, për pak vite ata nuk e
zbuluen fytyrën e tyne të vërtetë ateiste. Madje, në ditët e para të
Janarit 1945, kur ka ardhë në Shkodër vetë terroristi Mehmet Shehu dhe
ka vizitue Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol, aty ai u
ka folë studentëve për vlerat e mëdha Atdhetare dhe kulturore të Asaj
shkolle...
Nuk
asht aspak me u çuditë. Në vitin 1967, kur Enver Hoxha me Ramiz Alinë
kishin nxjerrë nga kllefi shpatat e tyne të përgjakuna në luftë kundër
Zotit, Fesë, Klerit Katolik dhe simbas tyne edhe kundër “zakoneve
prapanike”, në letrën që At Pjetër Mëshkalla, i ka drejtue me 5 Prill
terroristit të Spanjës, shokut të tyne të “armëve”, kriminelit Mehmet
Shehut, që ishte asokohe kryeministër, Ai i shkruen: “...Kur në vj.
1945, në Tiranë, me 8 Mars, unë u ankova Juve, Shkelqesë, se kishem
ndigjue prej komunistave fjalët: ‘Këte Kishë do ta bajmë kinema’; Ju m’u
përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me
të vërtetë, as armiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një
propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit...”.
Me
datën 15 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u kthye në burg.
Të gjithë klerikët që u ndodhën aty u konsideruen të arrestuem si
“armiqë të popullit”. Pra, pa pasë kalue as dy vjet, Ata profesorë që
kishin edukue Atdhetarë prangohen në hekura si “armiqë”!
Me
datën 16 në darkë dhe në të zbardhun të datës 17 Nandor, rreth orës
02.00 të mengjezit, forcat e Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga
Shefi i Sigurimit të Shkodres, kasapi Zoji Themeli, me Pjerin Kçirën,
Hulusi Hakon, Dilaver Sadikajn, Gjovalin Mazrrekun, Nush Babën, Lin
Çollakun etj., fusin në Kishën Françeskane pranë kuvendit “Burg”, arkë
municioni, armë të vjetra, mitraloza etj., dhe i mëshehin nën Elterë të
Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit. Armë u futën edhe nën Statujën e
Shna Ndout. Atë ditë drejtues të organizatave të grues, rinisë, frontit
etj., vizitojnë Kishën e shpërthyeme nga Sigurimi, që Populli i Shkodrës
me pa me sytë e vet rolin reaksionar të Klerit Katolik, që donte me
përmbysë Pushtetin “me armë”. Në darkë, operatorët jugosllavë xhiruen
film me Klerikët pranë Elterëve ku “u gjetën” armët e vume nga vetë ata
me spijunët tonë të Sigurimit në sherbim të shovenistëve serbë. Proceset
e Fretënve të akuzuem për futjen e këtyne armëve vazhduen gati dy vjet.
Askush nuk ndigjoi një nga gjyqet e zhvillueme të kësaj ngjarje. Me 11
Mars 1948 u pushkatuen: Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian
Nika, Don Nikollë Deda, të akuzuem për këte vepër. U dënuen shumë të
tjerë si: At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Dodaj etj., me shumë
vite burg të randë.
Kishte
shumë nga ata që nuk u besonin komunistëve, po kishte edhe të tjerë që
besonin. Në vitin 1967, të lidhun si mishi me thonin e kalbun me
“vëllaznit” kinez, në Shqipni u zhvillue “Revolucioni Ideologjik
Kultural”. Shqipnia u shpall “Shteti i parë ateist në botë”.
Ata
që e kujtojnë atë kohë, besoj se nuk mund të harrojnë ankthin e një
Populli: “Çka po ndodhë me mue sonte?!...” Lufta e pamëshirshme u ba
kundër Kishës, Klerit, Popullit Katolik e Musliman të Shkodrës dhe
kujtdo që mund të dyshohej nga komunistët dhe Sigurimi i Shtetit “i
pakënaqun”, madje edhe mbrenda radhëve të vetë partisë dhe spijunëve të
saj.
Ma në fund u mbyllën të gjitha Kishat. Shumë klerikë shkuen edhe një herë ndër burgje.
Shumë
Kisha u kthyen në stalla, magazina, vatra kulture kooperativash, etj.
Katedralja e Shkodrës u ba pallat sporti, Kisha e Motrave Stigmatine
“Sallë gjyqi klerikësh” (Klubi i Rinisë), Kisha e Fretënve u ba “Kino
Klub Punëtori”. Të gjitha, pa përjashtim, u vodhën, tue fillue nga
parmakët e mermerit, gurët e kompanjelave, kumbonët, sahatat, shalldanat
e deri tek unazat e Ipeshkvijve ndër vorrezat e Atyne Kishave. Kisha e
Zojës, tek Kalaja, Kisha e Rusit, dhe Ajo e Vaut të Dejës e shek. XIII,
mbas zhgatrrimit me dinamit, u rrafshuen fare. Këtë fat pat edhe Xhamija
e Parrucës ku qylymat e saxhadet u vodhën nga komunistët, spijunët
veteranë.
Me
porosi të Ramiz Alisë, u projektue “Muzeu Ateist” mu në qendër të
Shkodrës. Flitej se aty janë vendosë shumë objekte nga ata të Kishave e
Xhamive, shoqnue me karikatura dhe fotografi të ndryshme kundër Fesë dhe
besimeve. Unë nuk e kam vizitue kurrë, prandej edhe nuk di saktësisht
çka përmbante ky muze...Koha eci ma shpejt se mendonim na. Dikund, aty
nga Moska, hagrepët e sahatit të madh të Kremlinit, filluan me ra mbi
kumbonët e ndryshkuna pa e kuptue njeri se dishka po ngjiste!...
Shtëpia e Bardhë mori pamjen e një tempulli ku Reagani dukej sikur një Përmendore...
Në horizontin e Vatikanit doli ylberi!...
Muri i Berlinit ra!...
Edhe
pse e djegun dhe e zharitun, ngrihej Aty në mes të atyne selvijave në
Rrëmaji, mes vorresh e gropash pa Shenj tek kryet t’ Atyne Martirëve të
Fesë e t’Atdheut, na dukej e zhdukej nga frika, ankthi e mosbesimi, hija
e Skenderbeut, me mjekerr të bardhë e të thinjun si biluri, e murrlani e
merrte me vete tue u naltue drejt një kupole të shembun, me dorën nalt.
Ai sillte sa andej këndej një pelhurë me vija bojëqielli të një Nanës
së Madhe Shqiptare, që Bota mbarë u përul para Saj. Ishte pikërisht ajo,
Shpresa jonë e humbun,...që u Ringjall!...
Liria e Fesë - Liria e Atdheut!
Ja pra, binomi gati i harruem “Fé e Atdhé” i Françeskanëve Martirë Shqiptarë!
U
riparue Kisha Katedrale, që edhe pse e shihnim me sy, s’ na besohej se
ishte mes nesh madhështia e Atij Burri, po, e Atij që komunizmin e
shembi me kulm e themel, Polaku Trim Vojtila, për të cilin u flijue një
Kler Katolik, jo vetëm tue mos i ra mohit, po tue dhanë edhe jetën për
Té, Ai brohoriste në Zallin e Kirit: “Rrnoftë Papa e Rrnofshin Katolikët
në Botë!”
U riparue edhe Kisha Françeskane në Gjuhadol.
Kur hyna herën e parë, them të drejtën m’u mbushën sytë me lot...
Ishte
krejt e pastër dhe e dritëshme, po mue m’u duk shumë e vorfën. M’u
kujtuen Klerikët që dikur fëmijë i ndihmonim në Meshë, por që s’ ishin
ma asnjë. Eltërët ku gjyjzoheshim dhe me kemtarët ndër duart e njoma
tonat tymosej Ai vend krejt ndryshej... As lampadari i bukur që varej në
mes të Kishës nuk ishte ma... Asnjeri nuk kishte as tek vendi i
korit...heshtje...
Të gjitha figurat dhe veprat e artit nuk ishin ma! As Udha e Kryqit, aq e bukur, s’ishte ma!
Nuk ishin ma as statujat e Shejtënve, as Elterët e Tyne....Të gjitha janë thye e zhdukë...
Aty ishte Elteri i Shna Ndout, ku çdo të marte shpërndahej “Buka e Tij”...
Mendova...
me vete: Kur në gjithë Shqipninë asht zhdukë e prishë gjithëshka
fetare, si ka mujtë me mbetë pa u thye nga ai rrebesh komunist vetëm
statuja e Shna Ndout!?...
Aty ishte vetëm Ajo statujë e dikurshme e Shna Ndout!
As genocidi 50 vjeçar komunist nuk kishte arrijtë me e zhdukë Até!
Ishte pra, Ajo statujë, që shumë vite ma parë, unë ishe përulë me respekt para Saj...
Ishte
pikërisht Ai Shna Ndue, pranë të cilit predikoi Fishta, Harapi,
Prennushi, Palaj, Rrota, Kurti, Prela, Sirdani, Nika, Shllaku, Llupi,
Gjolaj,Targaj, Tracki, Koda, Baqli etj.
Ishte pikërisht Ai Shna Ndue, nën zhgunin e të cilit Sigurimi komunist futi armët!
Ishte, pra, Një Mbrekulli, që unë po shihshe me sy!
Shna
Ndou i Kishës së Françeskane të Gjuhadolit, Ai Shna Ndue i vitit 1946
dhe 1967, Ai, vazhdonte me kenë mbi Tokën Shqiptare, dhe ishte po n’ Atë
Elter ku ishte dhunue!
Ai asht Shna Ndou i Mbrekullive të Shkodrës!
Kush nuk beson të shkojë e ta shohi, e kush nuk u beson syve, ta prekë me dorë!
Unë i besoj Mbrekullisë së Tij të Madhe!
Shna Ndou i Kishës së Gjuhadolit asht kenë dhe do të jetë përgjithmonë në Shkodër!