Prof.dr. Eshref Ymeri
Bravo, zonja Fajon!!!
Në lajmet e pasdites së sotme të kanalit televiz “abc news”, lajme
këto që për Kaliforninë (e cila me Tiranën ka një diferencë kohore prej
nëntë orësh) na përcillen si lajme të “mëngjesit”, u njoha me reagimin e
eurodeputetes Tanja Fajon ndaj xhevahireve të ndota, të shpërnadara në
internet prej zotit Erion Veliaj, të cilat ajo na i kishte marrë për të
vërteta të kulluara. Çdokush, pasi i ka rënë në dorë një informacion
prej dikujt, që është demaskues për një person të tretë, normalisht
duhet të interesohet të marrë informacionin e duhur edhe prej
personit të tretë, në mënyrë që pastaj, pas ballafaqimit të të
dhënave të të dyja palëve, të japë një gjykim të paanshëm. Por zonja
Fajon, duke shkelur si pa gjë të keqe këtë praktikë të thjeshtë, por
korrekte, për shpërndarjen e informacionit, mashtrimin e zotit Veliaj e
merr si të vërtetë absolute dhe ua shpërndanë eurodeputetëve, pa u
druajtur aspak se pala e tretë në rastin në fjalë, janë qeveria
shqiptare dhe strukturat e rendit të shtetit shqiptar. Duke mos u
interesuar për marrjen e informacionit përkatës prej Tiranës zyrtare për
rastin e Griselda Roshit (Zaimit), zonja Fajon bëhet palë me zotin
Erion Veliaj dhe shpifjet e tij i “tregton" si “mall të cilësisë së parë”.
Për
figurën e zonjës Fajon kam ushqyer një respekt të thellë, për
përpjekjet që ajo bëri për liberalizimin e vizave për qytetarët
shqiptarë të Shqipërisë Londineze dhe besoj se duhet të ketë mbetur
kryelartë për misionin fisnik që kreu, se, pas atij liberalizimi dhe
deri tani, siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, të
shkruara dhe pamore, nga burime të ardhura nga Bashkimi Evropian, asnjë
qytetar i vendit tonë nuk ka kërkuar azil politik në Perëndim. Një
qëndrim i tillë, me të vërtetë dinjitoz, i bashkatdhetarëve tanë që
udhëtuan drejt vendeve të Evropës Perëndimore, me siguri që ka ngjallur
xhelozinë e shteteve sllave, fqinje me vendin tonë, shumë
qytetarë të të cilave këkuan azil politik në Bruksel apo gjetiu. Pre e
ndikimit prej këtyre xhelozive dyshoj se duhet të ketë rënë edhe zonja
Fajon, e cila s’përtoi që një shpifje të ndyrë të një shqiptari të
bastarduar, por me poste të larta në hierarkinë partiake të Edi Ramës,
ta merrte për të vërtetë të padiskutueshme dhe ta shpërndante me një
zell të tepruar. Për çudi, zonjës Fajon nuk i shkoi fare ndër mend të
merrte në telefon Kryeministrin Berisha dhe të kërkonte sqarime për
mashtrimin e Erion Veliajt. Gjykuar nga rasti në fjalë, rezulton se në
praktikën e punës të disa parlamentarëve evropianë, çdo informacion i
sapoardhur nga Tirana që nxin realitetin shqiptar, u vlerësuaka si ar
safi. Me sa duket, europedutetët grekë, e kanë kryer më së miri në
Bruksel detyrën që u ka ngarkuar Athina për ta marrë për të vërtetë dhe
për ta fryrë çdo shpifje që ka për qëllim nxirjen e
realitetit shqiptar.
Shpifja
e ulët e zotit Erion Veliaj duhet të shërbejë si mësim edhe pë qeverinë
shqiptare, e cila gënjeshtrave që burojnë nga ofiçina e shpifjeve të
sejmenëve të Edi Ramës, duhet t’u përgjigjet flakë për flakë, aq më
tepër kur dihet që në parlamentin evropian qenka i kuturisur zelli për
t’i marrë ato për të vërteta sa herë që është fjala për Shqipërinë.
Meriton
falënderimet më të ngrohëta të mbarë bashkatdhetarëve tanë zonja
Mersila Doda, deputete e parlamentit shqiptar, e cila i dha përgjigjen e
merituar zonjës Fajon, e cila, në respekt të autoritetit të vetvetes,
duhet t’i kërkojë ndjesë Tiranës zyrtare për shpërndarjen e
informacionit mashtrues të shpifarakut Erion Veliaj dhe të vërtetën
duhet ta përcjellë po në ato kanale ku pati dërguar fillimisht shpifjen e
tij.
Santa Barbara, Kaliforni
15 qershor 2011