2011-06-16

Kombi kosovar dhe deklarata e Tadiçit


NGA  NASER ALIU ALIAS LIS BUCUROCA


Sapo lexova artikullin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku Tadiçi kushtimisht pajtohej me bashkimin shqiptar, thash me vete: a thua sa është acaruar dhe zemëruar Nexhmedin Spahiu? Pikësëpari më vajti mendja tek ai dhe disa të tjerë, që me shkrimet e tyre, me shumë pasion  përpiqen të na distancojnë nga Shqipëria dhe të cilët me përkushtim të madh mbrojnë idenë e të qenit ndryshe dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit të ri.  Jo vetëm këtë, por për të bindur publikun për idetë e tyre, ato prodhojnë ndjenja mosdurimi kundër Shqipërisë. Kur lexohet komentet e përkrahësve të tyre, njeriut i ngrihen flokët përpjetë. Njeriu mendon se po flasin keq për Serbinë: nga traumat, nga urrejtja. Mirëpo jo, ata flasin kundër Shqipërisë. Ata përgatisin terren për komb të ri.
Tadiçi me pak fjalë u tha atyre: “ju, për ne, jeni shqiptarë, jo kosovarë.” Ai nuk tha tekstualisht kështu, por nga dëshira e tij për të negociuar me Shqipërinë, mund të shkoqitej mendimi se po fliste për shqiptarët e mbetur jashtë kufirit, jo për kosovarët, siç do të kishin dëshiruar disa mami. Etimologjia e toponimit Kosovë nuk ka mundur të shpjegohet me shqipen.”Kos” në serbishte d.m.th., mëllenjë, prandaj edhe është quajtur “Fusha e Mëllenjave (...)” Emri i vërtetë i këtij territori është Dardani. Dardani e zvogëluar, mirëpo jo Kosovë! “Kosovë” është semantika e copëtimit: përbuzjes, tmerrit, nënshtrimit dhe riemërtimit pas pushtimit serb! Ashtu siç kanë pagëzuar edhe Vojvodinën! Të krijohet kombi i ri  me një fjalë serbe, d.m.th të ruhet  lidhja kërthizore përgjithmonë me Serbinë.

Unë nuk kisha durim. Prisja shkrimin e profesorit Spahiu, të radhës. Kërshëria nuk më linte të qetë të lexoj kundërshtimin e tij. Se do ta kundërshtonte ai Tadiçin, isha i parabindur: isha i sigurt, aq sa jam i sigurt se java ka shtatë ditë. Dhe, disa ditë më vonë, u shfaq me lugë dhe fultere në dorë kryekuzhinieri. Profesor Spahiu merret me manipulim eksperimental, sugjestionim në masë dhe demagogji në gatimin e gjellës”komb”.
Sapo përfundova artikullin e gazetës gjermane, bëra vetes edhe këtë pyetje: pse ai  ndritur, që konsideron veten profesor, doktor të shkencave, nuk lufton ta quajë Kosovën Republika Shqiptare apo Dardani, por dëshiron të gatuajë kombin kosovar dhe ta zhduk emrin shqiptar?

Tadiçi nuk u shfaq me këtë ide për t’u bërë babadimër i shqiptarëve, por ka ndërmend të nxjerrë përfitime të reja, tjera, si për shembull të na copëtojnë edhe një herë. Ai është patriot serb.  Shqipërinë e vogël që e kemi sot, nuk është Shqipëria fizike që shtrihet deri në Bujanoc e Medvegjë, deri në Ulqin, Plavë e Guci, deri në Kumanovë, por është Shqipëria e copëtuar, sakatuar, masakruar, vrarë, dëbuar dhe zvogëluar nga ushtria serbe. Serbia pushtoi trojet tona dhe i mban të pushtuar, siç po mban veriun e Kosovës. Kjo Shqipëri e sotme, është rezultat i pafuqisë shqiptare, i orientimit të gabuar, mungesës së aleatëve dhe në anën tjetër, dëshmon për aleancën sllave, ortodokse dhe perëndimore në favor të Serbisë. Pra, Republika e sotshme shqiptare është pasojë e  dështimit tonë në fushëbetejë dhe në tryezë. Shqipëria është ndjenja e vogëlsisë shqiptare. Ajo gjithmonë na rikujton gabimet tona, orientimin e rrejshëm, braktisjen tonë nga Europa, animin e saj dhe diskriminimin në skenat politike ndërkombëtare. Serbia jo vetëm se ka shkëputur krahina shqiptare nga vendi ëmë, por me qindra mijëra veta ka dëbuar në Turqi, ku sot janë asimiluar. Arbëreshët nuk janë asimiluar edhe pas pesë shekujve. Edhe diaspora shqiptare nga ish Jugosllavja, është pasojë e politikës serbe. Ndërgjegjja e Serbisë ndaj popullit shqiptar është aq e ndyrë, sa nuk bëhet më. Tragjedia dhe fragmetarizimi shqiptar mban vulën serbe! Për këtë duhet biseduar me Tadiçin, nëse beson se nuk është pinjoll i Millosheviçit dhe nxënës i projekteve skolastike serbe.
Mali zi nuk ka pushtuar hinterlandin e Shkodrës pa ndihmën serbe dhe nuk do të kishte mundur ta zaptojë kurrë. Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia. Tadiçi nuk ka përmendur këto troje të sekuestruara në dobi të vëllezërve sllav, por foli për një rikufizim midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pse? Në mes të tjerash, Tadiç u tregoi ideatorëve të kombit të ri, se ai nuk i sheh shqiptarët e Kosovës si “kosovari”, siç do t’ i kishte pëlqyer atij nga gjellëtorja  “kosovska çorba”, por shqiptarë. Jo pse na donë Tadiçi, por ai  ka frikë se kombi shqiptar bashkohet dhe për të mbijetuar ai në skenën serbe, përpiqet ta zmadhojë edhe një herë Serbinë. Nëse një ditë Kosovës i hiqet tutorizmi dhe nëse një ditë Shqipëria bën politikë kombëtare, si grekët për shembull, si maqedonët, si serbet, si kroatët etj., atëherë demokracia nuk ka fuqi ta ndalojë bashkimin e asaj që ka bashkuar Zoti, gjaku, gjuha, gjeografia, historia, tradita, bashkëvajtja, bashkëvuajtja, dhembshuria, fati dhe jeta dhe, i ka ndarë: lufta, pushtimi, nënshtrimi dhe padrejtësia. Rrjedhimisht: krimi shtetëror.

Ata që njohin mirë kuzhinën e politikës serbe, dinë se Serbia  tani ndjehet shumë e rehabilituar dhe për këtë e ka ndihmuar shumë qëndrimi  i Kosovës dhe i Shqipërisë. Në vend se ajo të përballje me një Nyrnberg të vetin, ajo akuzon Kosovën. Meqenëse Kosova nuk mund ta padiste në Hagë, atëherë duhej ngritur një akuza kolektive shqiptare në Beograd tek  Gjykata e Krimeve të Rënda: për dhunimin e mijëra grave, për vrasjen e mijëra qytetarëve, për djegien dhjetëra mijërave shtëpive, për deportimin e qindra mijërave dhe për shitje e organeve të 3000 shqiptarëve të pagjetur! Pse në Beograd? Sepse Beogradi akoma konsideron Kosovën pjesë të veten dhe meqenëse është kështu, atëherë të kërkohej dëmshpërblim nga shteti serb për vrasjet  e qytetarëve të vet dhe për dëmtimin e ekonomisë. Një dëmshpërblim siç kërkojnë disidentët e djeshëm për mynxyrën gjatë sundimit komunist në vendet e veta. Pse dhunuesit e grave shqiptare të konsiderohen patriot serb? Pse vrasësit e fëmijëve shqiptarë të quhen patriot serb dhe pse të jenë në liri? Pse krimi i organizuar, që ka shkrumbuar shtëpitë shqiptare, që ka plaçkitur orenditë dhe arkivat, të nderohet në Serbi si patriot? Pse të mos burgosen në Serbi së paku ata që dhunuan gra dhe vranë fëmijë shqiptarë?
Kosova, në anën tjetër,  sillet sikur ta kishte fituar shtetësinë padrejtësisht. Sikur të kishte pushtuar troje serbe. Sillet si fajtore përballë Serbisë. Ajo nuk vepron, ajo vegjeton. Ajo nuk do ta padisë Serbinë. Ajo ka detyra më të mëdha: ka problemin e karrierave, të pasurimit të karrieristëve, krijimin e kombit kosovar dhe denigrimin e atij shqiptar!
Sikur të kishim një elitë politike si e vendeve perëndimore apo si ajo sllovene apo si e vendeve baltike për shembull, atëherë bashkimin e këtyre dy shteteve shqiptare nuk do ta kundërshtonte askush. Ne, me politikanët tanë amatorë, me dy shtete, nuk kemi arritur ta sjellim në Parlamentin Europian asnjë Projekt serb mbi shfarosjen e shqiptarëve, nga të cilat shteti demokratik serbe nuk distancohet. Qeveria serbe arriti të diskutojë në Parlament “shitjen e veshkave” që do të dëshironin të kishte ndodhur. Nuk është me rëndësi a ka ndodhur kjo apo jo. Edhe nëse nuk gjenden prova, ata do të pohojnë: “shqiptarët i kanë zhdukur gjurmët!” Pra, të damkosur mbetemi, kryesisht për ata që dëshirojnë ta besojnë këtë. Dhe, ata nuk janë pak!
Për t’ i ndryshuar bindjet dhe ndjenjat e tjerëve Nexhmedin Spahiu përdor manipulimin dhe kërkon dezertim nacional! Lexoni ju  lutem se çka shkruan doktori i shkencave:  “Kombin Kosovar e përbëjnë vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. E lexuar mirë? Lexoni edhe një herë: “vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. Çka domethënë kjo? Çka dëshiron t’ i imponojë lexuesit, që kapërdinë informata pa i përpunuar? Shqiptarët, që nuk duan ta quajnë veten me kombësi kosovare, nuk e duan shtetin e Kosovës! Ashtu thotë burri i dheut duke lavdëruar veten si profesor, doktor, shkencëtar dhe njeri me shtetësi shqiptare dhe kosovare, që i plotëson kushtet për t’ ia çnjohur që të dyja. Përkrahësit e tij vazhduan me të njëjtin ton: “ ata që mendojnë se janë shqiptarë, i besojnë përkufizimit stalinist të kombit.” Gjyshja ime, ndjesë pastë, u lind para implozionit të Perandorisë Osmane. Ajo ishte analfabete. Jo pse kishte dëshiruar, por vëllai jonë i madh, i sotshëm, që na ndërton edhe sot xhami e jo shkolla, mbyllte dhe ndalonte tonat. Toleronte vetëm ato greke dhe serbe. Gjyshja ime fliste shqip, bazohej në gjak dhe prandaj quante veten shqiptare. I mjaftonin këto dy fakte: gjuha dhe gjaku dhe nuk i interesonte se si përkufizojnë kombin shkencëtarët e botës. E as që kishte dëgjuar për akademizma të tilla. Tani, del një shkencëtar kosovar dhe ma shanë gjyshen si besimtare të Stalinit...

Tadiç vazhdimisht përsërit se shqiptarë fituan gjithçka, kurse serbet humbën dhe kështu ka arritur të krijojë bindje se ajo është viktimë e amerikanëve. Vendet myslimane po i besojnë. Serbet fituan një republikë në Bosnje, që kurrë nuk e kanë pasur, edhe pse tani ideatori dhe themeluesi i asaj ngrehine gjenocidale arrestohet, por vepra e tij mbetet. Dhe, ku qe strukur krimineli më i madh i Europës? Afër Beogradit, ashtu si qe strukur edhe kryeterroristi i botës, afër Islamabadit.
Republika Serbe me mbiemër cilësor, nuk dëshiron të krijojnë komb të ri, por ëndërron t’ i bashkëngjitet Serbisë. Serbet vranë, dhunuan, shkatërruan, dogjën dhe dëbuan, aq sa deshën në kohën e tyre dhe meqenëse ne këtë e quajmë humbje, ata duhet ta konsiderojnë fitore, nëse jo, atëherë duhet të turpërohen dhe pendohen dhe të kërkojnë ndjesë publikisht. Këndellja e Qeverisë serbe dhe demokratizimi i atij shteti dëshmohet vetëm me njohjen e Kosovës dhe me kërkimin ndjesë kombit shqiptar. Ai shtet, për gati një shekull, i fali vetes licencën për të vrarë e masakruar fqinjë dhe shqiptarë. Edhe atë, pa u dënuar!

Derisa po komentohej me shumë pasion një artikull në facebook, një intelektual nga Shqipëria këshillon kështu shqiptarët e Kosovës: “Kombi i ri kosovar nese do ndertohet sot nuk duhet te behet sipas Atifetes qe thote do ndjekim Skenderbeun e Nene Terezen - dy figura te huaja katolike qe i perkasin Republikes se Shqiperise. Kombi kosovar duhet te behet me heroj te tjere - pse jo me sulltan Muratin ne krye e me Adem Jasharin e Azem Galicen. Vend duhet ti lihet edhe serbeve qe do pranojne kosovarizmin, sic duhet tu lihet edhe romeve, goraneve, torbesheve, boshnjakeve, turqve etj.” Citati përfundon.
Një gjë është e sigurt: serbet kurrë nuk do ta quanin veten kosovar: as turqit, as goranët, ndoshta e bëjnë këtë romët.  Asimilimi ndodh zakonisht aty ku mungojnë ndjeja kombëtare apo nëse për denatyralizim fitojnë shumë lekë. Prandaj kemi shqiptarë, që janë më turk se turku, më grek se greku dhe më serb se serbet! Europa nuk synon uniformizmin dhe asimilimin, ajo është për ruajtjen dhe kultivimin e kulturave dhe diversiteteve.
Sulltan Murati baba i kombit kosovar, e lexuat mirë! Çka fshihet pas këtij mendimi?  Pas këtij mendimi fshihet armiqësimi i shqiptarëve, sepse te kombi shqiptar themelues i kombit do t’ ishte Gjergj Kastrioti, e i kosovarëve armiku i Shqipërisë, ata që kishte luftuar Skënderbeu dhe kështu do të kishim dy kombe, që nga origjina janë armiq në mes vete. Çka i sugjerojnë tjetër  shqiptarëve profesori i ndritur, shkencëtari, doktori i shkencave Nexhmedin Spahiu dhe përkrahësit e tij? Duke dashur t’i përfshijë në kombin kosovar edhe pakicat e Kosovës, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Luginës ta quajnë veten serb. Ata u rekomandojnë shqiptarëve të Maqedonisë, ta quajnë veten maqedon, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Malit të Zi ta quajnë veten malazezë, sepse pikërisht me këtë riçetë ata dëshirojnë t’ i shndërrojnë edhe serbet e Kosovës në “kosovari”. “Kombi kosovar është përforcim i shqiptarizmës” tha doktori i shkencave, që paska qenë edhe këshilltar i ish Kryeministrit. Nëse i besohet kësaj demagogjie provokues, atëherë për ta përforcuar akoma më shumë shqiptarizmin, duhet urgjentisht formuar edhe kombin drenicak! Të Anamoravës! Të Luginës dhe të Iliridës. Pesë kombe janë më shumë se një, apo jo?  

Sikur një intelektual gjerman nga ish Republika Demokratike e Gjermanisë t’ ishte shfaqur  me ide për formimin e kombit tjetër, do ta kishin konsideruar të shitur tek rusët. Sikur një gjerman i rëndomtë, t’ ishte kacavarur në dritaren e vet dhe të kishte bërtitur se duhet formuar kombin e ri, do ta kishin konsideruar të krisur. Gjermanët besojnë e besonin se bashkimi bën fuqinë, njësimi, jo përçarja e brendshme. Kështu mendon edhe populli korean, i cili edhe pse në dy shtete, ruan kombin e vet.
Sikur të ishte ndarja më e mirë, atëherë as Unionin Europian nuk do ta përligjte synimin e vet. Pse duhet bashkuar, kur regjionalizimi dhe krahinorizmi janë më të mirë? Në Ballkan nuk ka krijuar kombe vetëm politika, por edhe religjioni. Njerëzit që flasin gjuhën e njëjtë dhe që  kanë tradita të njëjta, kanë përkatësi tjetër etnike, vetëm pse i bëjnë qoftet apo turshitë ndryshe...Kërkesat për krijimin e kombit të ri, janë frymëzime nga kjo kuzhinë ballkanike.

Propaganduesve  të kombit kosovar u pëlqen shembulli austriak. Lexuesit e tyre impresionohet, mrekullohen nga ky krahasim dhe flasin për mirëqenien, që do të vijë pas arratisë së madhe nacionale. Ata mendojnë se me formimin e kombit kosovar, të nesërmen, sapo të zgjohen nga gjumi, do të gdhihen si austriak, Kosova si Austri! Gjermania humbi territore se u ndëshkua nazizmi. Shqiptari nuk ka nevojë të braktisë ndjenjat kombëtare shqiptare, sepse nuk ka dëmtuar asnjë komb rreth vetes. Dhe, bota perëndimore, nuk është kundër dy shteteve shqiptare. Përkundrazi, ajo urdhëroi, përmbaroi dhe ndihmoi sendërtimin e tyre.
Ja se çka tha profesori, doktori dhe shkencëtari Nexhmedin Spahiu pas deklaratës së Tadiçit:
“Një prononcim i imi për mediat serbe se “propozimi për ndarje të Kosovës nga ana e Daçiqit dhe Tadiqit do të thotë se Serbia po e njeh kombin kosovar, por po i konteston kufijtë e shtetit të Kosovës”, bëri që Tadiqi të del nga takti dhe të propozojë ndarjen e Kosovës jo me Prishtinën, po me Tiranën.”N. Saphiu.
Pra, sipas profesorit dhe doktorit të shkencave, Tadiçi me këtë deklaratë njohu kombin e Kosovës. Tadiçi në fakt çnjohu pikërisht këtë dhe iu drejtua Shqipërisë sepse konsideronte se i ka marrë troje Shqipërisë, shqiptarëve, jo Kosovës, jo kosovarëve. Doktori i shkencave po manipulon qëllimisht, sepse Tadiçi duke u pajtuar me bashkimin e shqiptarëve, bënë pikërisht të kundërtën: varrosë idenë e kombit kosovar dhe pranon realitetin: kombin shqiptar. Çfarë rëndësie paska për ne a njeh Tadiçi kombin kosovar apo jo ? Tadiçi mund dhe duhet ta njohë shtetin e Kosovës, por, a njeh ai kombin dardan apo kosovar, nuk është aspak me rëndësi. Ajo është ndjesi dhe bindje e jona. As nuk mund të na hiqet, as të na imponohet. Për të treguar përsëri se është profesor dhe doktor i shkencave ja se çka shkarraviti:
“Çështja është që Kosova duhet t’i ketë njerëzit që e nxisin Tadiqin të gabojë. E ata që nxisin Tadiqin të gabojë nuk janë ata që kundërshtojnë ekzistencën e kombit kosovar, por përkrahësit e kombit kosovar, falë të cilëve do të mbijetojë Kosova si shtet.”

Përsëri sugjestionim! Përsëri manipulim! Përsëri tendencioz. Përsëri demagogji! Thua se Tadiçi nuk ka punë tjetër, pos të lexoj gazetat kosovare! E lexuat mirë se çka thotë profesori dhe doktori i shkencave? Tadiçi detyrohet të gabojë nëse ne angazhohemi në krijimin e kombit kosovar, nëse ne nuk e bëjmë këtë, atëherë Tadiç mbetet i pagabueshëm. Dhe, nëse nuk luftojmë për krijimin e kombit kosovar, atëherë mbijetesa e shtetit të Kosovës rrezikohet, konstaton profesori! Lexojeni edhe një herë”... përkrahësit e kombit kosovar, falë të cilëve do të mbijetojë Kosova si shtet”. Sa veta përkrahin këtë ide? Nëse janë shumë pak, e dihet se janë, pse po mbijeton atëherë Kosova si shtet? Përgjigjen time do ta lexoni në fund.

Nuk di si ju duken në atdhe mendimet e tija: në Gjermani duken shumë të cekëta. Të cekëta, sa s’ bëhet më. Mënyra e gjykimit, fuqia e thellësisë analitike, zbërthyese, len shumë për të dëshiruar. Duket se po dëshiron të behet i pari! Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet, nëse nuk krijohet kombi kosovar. E pse Koretë po mbijetojnë me të njëjtin komb? Pse arabët po mbijetojnë me 22 shtete dhe madje ndjehen krenarë se janë arab? Pse profesor po mbijetojnë shtetet arabe?
Në fund, edhe një margaritar nga profesori: “ -Të jesh komb d.m.th. të jesh pronar shteti.” “Pronar i fabrikave është klasa punëtore!” Pronar i shtetit!  Ç’ ka domethënë kjo? Shteti është pronë e individit dhe ai mund edhe ta çnduk, si pulës puplat. Siç po çndukim në Ballkan dhe po e përjetojmë tani në Greqi!   Edhe atë mendim infantil të profesorit, doktorit dhe ish këshilltarit të ish Kryeministrit e demantojnë dy Koretë dhe 22 vendet arabe. Nëse nuk bëhesh komb kosovar, d.m.th. nuk je pronar i shtetit tënd. E kush qenkan pronarë i shteteve arabe? Eskimezët profesor?! Kush profesor doktor?!

Ja përgjigja që ju premtova më lartë pse mbijeton Kosova pa komb kosovar: derisa të jemi miq me SHBA-të, ajo nuk guxon të preket prej askujt, po humbëm këtë miqësi, (Amerika nuk duron shumë, pas vrasjes së amerikanëve nisën spekulimet për tërheqje dhe këto duhet marrë si sinjale të qarta) atëherë brenda 24 orëve do ta humbim shtetin, tok me kombin kosovar dhe do t’ ai mbathim përsëri drejt Shqipërisë dhe Perëndimit, jo drejt Turqisë. Shteti mbahet falë aleancave dhe orientimit të drejtë, jo duke i plotësuar dëshira Serbisë: me flamurin, me himnin dhe tash ta kënaqim dhe eksitojmë edhe me një etnonim serb! Etnonimi “kosovar” ka origjinë serbe. Etnonimi dardan ka origjinë ilire dhe dëshmon për autoktoninë tonë!Kaq! Më shumë kohë nuk meriton një profesor i tillë! Në fakt, kjo ishte e tepërt! Për mua dhe për ju që e lexuat këtë shkrim kaq të gjatë...

P.S.
Sapo mbarova, dola në qytet të çlodhesha nga ky shkrim dhe rastësisht takova një gjykatës gjerman, doktor i shkencave juridike, që nuk e kisha parë disa muaj. Biseduam në rrugë një çerek ore dhe më foli  për mbresat e tij mbi Kanunin e Lekës. Në fund më pyeti se ç’ kishte të re në Kosovë. I thash se ka disa kërkesa për krijimin e kombit kosovar. “Ç’është ky budallallëk i madh?!”, pyeti ai me sy të zgurdulluar! “Në politikë dhe religjion  një është më shumë se dy, tha ai në mes të tjerash deri sa po shkyçte biçikletën...I thash edhe unë se ky synim është idiotësi, por Ballkani dikur ishte kuzhinë e eksperimenteve kombëtare sllave,  tani jemi helmuar edhe ne...
Gjermani, 15.06.2011

Simboli jonë
Simboli i patriotëve kosovarë

KOMUNIZMI ASHT VETË NJË SKANDAL..!

Nga Fritz RADOVANI:


                                                         
 
              Skandal në BE...           Skandal në Tiranë...         Skandal në Rinas...

            Porsa njeriu do me pa diçka për Shqipninë, del e shkrueme: “Një skandal…”
Ndoshta Shqiptarëve edhe u janë mësue sytë, veshtë e truni me fjalën skandal, që në fq. 1762 të Fjalorit të Gjuhës Shqipe shpjegohet kështu: “Ngjarje e pahishme, shkelje e turpshme e ligjeve, e rregullave, e moralit shoqëror etj... Skandale rrugaçësh...”.
            Ka edhe mënyra të tjera që tregojnë çka asht skandali. Fotot janë mjeti ma i mirë për me dashtë me shpjegue një skandal, që ngjanë, ose përsëritet disa herë, si bie fjala skandalet e shtetit shqiptar! Në Tiranë shkrryhet për tokë Flamuri Kombëtar...Dikush tjeter e shkelë edhe me kambë...Ka nga “ata” që edhe bajnë vjerrsha për Flamurin, për Shqipen e Tij, dikund andej nga Çamëria, apo pranojnë me e zëvendsue në Flamurin e Skenderbeut Shqipen Dykrenare me “copa hartash”,  p.sh. në Kosovë. Por ajo që më ka shtye me shkrue këte artikull asht ajo që ngjau këto ditë në takimin që po zhvillohet në Bruksel, ku Shqipnia vazhdon me ba bisedime edhe sot me flamurin “komunist” të dhunuem me “yllin e kuq” nga sllavokomunistët në vitin 1944, flamurin e pranuem nga tradhëtari anadollak Enver Hoxha, kur “shoku” apo “druzhe” Tito i pat dhurue edhe dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, menjëherë porsa e kuptoj se me çfarë plehu do të qeveriste shtetin kukull të Shqipnisë, pjesë e pandame nga Jugosllavia. Vërtetë se kjo ishte “dhuratë” e Ruzveltit në Jalta, por kolltuku i naltë i Tiranës në sherbimin e shovenistëve sllavokomunist të Jugosllavisë dhe lanja e Trojeve Shqiptare nga Ulqini e deri në Çamëri nën sundimin e shteteve fqinjë nga vetë Enver Hoxha, i cili deklaron në Beograd dhe Paris se “ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me Jugosllavinë, po kemi marrëdhenje miqësore”, ka tregue se vetë drejtuesi i shtetit shqiptar, që në vitin 1941, kur u themelue Partia Komuniste e Shqipnisë, për me sigurue postin e tij, “ka shitë edhe Atdheun”,  e si rrjedhojë, bashkë me Shqipninë e Shqiptarët, edhe Flamurin Kombëtar të Shtetit Shqiptar.
            Duhet t’u rikujtojmë Shqiptarëve se Ata Burra Heroj, që nuk e duruen dhunimin e Flamurit Kombëtar dhe që u ngritën në revolta kundër diktaturës terroriste në kampet e shfarosjes komuniste në Spaç apo Qafë Bari, janë Herojt e Parë të pastrimit të Flamurit tonë nga simbolet komuniste dhe për këte veper Heroike janë pushkatue, tue ua nxjerrë edhe sytë e ballit, mbasi Enver Hoxha e Ramiz Alia nuk ngopeshin vetëm tue u nxjerrë Shpirtin, mbasi Shpirtin ata tradhëtarë po ia nxirrnin mbarë Popullit Shqiptar, e këte e vertetojnë sot ma mirë se kushdo tjetër dollarët e rezervuem në bankat Përendimore.
            Në vitin 1991 mbarë Populli Shqiptar kur kërkoi që Shqipnia me kenë e pandame nga Europa. Puna e parë që ka ba në mitingje dhe mbledhje të gjana, ka pastrue Flamurin Kombëtar nga simboli komunist tue “hapë vrimë” për me fshi “yllin e kuq”, shenjën e robnisë sllavokomuniste...Të gjithë brohoritën me ne dhe çuen “dy gishtat nalt” tue thirrë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!..” Edhe pse deri me 11 Nandor 1990, kur erdhën në Rrëmaji të Shkodrës, “ata” kishin ndër xhepa teserat e PPSh, populli i besoj, se “ndoshta e kishin kuptue veprën e vet terroriste ndaj Popullit Shqiptar” dhe i pranoi ndër tubimet e veta, mitingjet e madje edhe ndër podet e mbledhjeve ku shtrohej fati i Shqipnisë demokratike...

            Kushtetuta e Re e Republikës së Shqipnisë përcakton saktë Flamurin dhe Stemën e Shtetit Shqiptar. Këte besoj e di Presidenti, Kryetarja e Kuvendit Popullor, Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Këte e di edhe Populli Shqiptar!
            Dhunimi i Flamurit me “yllin e kuq” asht vepër e tradhëtarëve të Atdheut, Popullit dhe Flamurit, por asht edhe “skandal” i Shtetit të sotëm përballë Bashkimit Europian.
            Dhunuesit e djeshëm vazhdojnë me u quejtë “Hero i Popullit” endé sot...!
            Dhunuesit e sotëm janë “Nderi Kombit”...endé sot, edhe pse Europa i njeh se deri dje ishin komunistë e sot multimolionerë me “yllin e kuq” në flamurë e në zemer...
            Asht e vertetë se Europa e di që “Komunistët nuk janë Atdhetarë!”, por ndoshta, me Shtetin Shqiptar e qeveritarët e saj, do me i tregue Këshillit të Europës se: A duhen pranue këta...(nuk po e shkruej se çka i quejnë ata!!) edhe pse bajnë skandale, mbasi janë brumosë ashtu, por nuk duhet të harrojmë se: “vetë komunizmi asht një skandal!”..?

Melbourne, Qershor 2011.  

Një tren për Bllacë, kronikë lufte e gazetarëve Ilire Zajmi e Filippo Landi


Në rrugëtimin psikologjik që fillon nga e pabesueshmja e deri te e mundshmja pikërisht vjen deri te pika kur lufta bëhet e pashmangshme dhe e domosdoshme


Guglielmo Minervini

Se historia e rrëfyer nga masmediat është e pjesshme dhe e gjeneralizuar në të gjitha vendet, është një konstatim shumë i përhapur.

Por gjithnjë e më shumë po shtohet nevoja nga po të njëjtit sajues të informacionit për t’i ikur modeleve të ngurta dhe shterpe të kronikave, duke mërguar në hapësira të tjera të lirisë jo vetëm të ndërgjegjës por edhe të arsyes.

Filippo Landi dhe Ilire Zajmi, janë dy gazetarë, Filippo italian që vjen nga bota e televizionit, Ilirja gazetare shqiptare që vjen nga mediat e shkruara.

Rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë e kanë parë drejtpërdrejt me sytë e tyre. Gjithçka është përshkruar në rrëfimin në libër.

Filippo e ka parë luftën duke qëndruar andej kufirit të Kosovës, Ilirja e ka parë nga brenda. Shumëkush arriti të njohë vullnetin e tyre dhe të familjarizohet me rrëfimin e tyre.

Në këto faqe, të shkruara nga katër duar, ata nuk shkruajnë kronikë lufte por rrëfejnë historinë e tyre.

Kësisoj, tragjedia e Kosovës hyri në jetët e tyre, duke u bërë pjesë e zgjidhjeve individuale, raporteve dhe vlerave të tyre. Përmes rrëfimit sesi një histori e katastrofës mund të bëhet një qark i shkurtër për jetën e një individi, të një bashkësie, të një populli. Sesi mund të ndryshojë fatet, por edhe të gërshetohet me ngjarjet që pasojnë.

Në realitet, shikimet e tyre, ndodhitë e tyre, që takohen jorastësisht në pikën kufitare, transformohen në lenta narrative, deri në ndjenjën drithëruese që zhvesh deri në intimitet tmerret e kësaj lufte.

Rrëfimi i Ilires përshkruan ankthin e luftës, atë zhvendosje të ngadalshme të vetëdijes që fillon nga një skepticizëm i largët

”Lufta është një fenomen i çuditshëm, gjithnjë kujton që vdesin vetëm të tjerët” dhe zhytjen në një fatalizëm duke vazhduar me ndjenjën e pashmangshme të impotencës fataliste “ kush mund t’a parandalojë një luftë të dimensioneve tragjike në Kosovë? Më duket askush”.

E në rrugëtimin psikologjik që fillon nga e pabesueshmja e deri te e mundshmja pikërisht vjen deri te pika kur lufta bëhet e pashmangshme dhe e domosdoshme. Ritmi dinamik, parodizimi i dëlirë, dëshira e shtypur e Ilires për të kuptuar, lejojnë ndërtimin e një zingjiri të reagimeve që shkakton shpërthimin e paevitueshëm të dhunës, duke shpërfaqur me saktësi momentin kur të kuptuarit e rrugës pakthim tejkalohet si ndjenjë, dhe raporti i të pakthyeshmes copëtohet.

Rrëfimi i Ilires shpesh përdor metaforën e dashurisë e të fatit. Idea e bashkëjetesës ndërmjet kulturave e popujve si shprehje e një marrdhënie të dashurisë është një figurë shumë e çmuar e paqes apo “bashkëjetesë e diferencave”.

Idea e luftës e trajtuar si një fat dashurie që ndërpritet shkatërrueshëm, përbën politikën mbizotëruese të një etje të pafundme për dominim

“ bashkëjetesa ndërmjet dy popujve, më duket e pamundur. Kanë shkuar shumë larg kësaj radhe. E si çdo bashkëjetesë, edhe çdo dashuri ka fatin e vet. Dhe fundin”.

Është i ndryshëm, ndërkaq, shtegtimi i Filippos. Shikimi i tij ndjek një shteg tjetër, që fillon nga zbërthimi i një ”katastrofe humanitare” dhe vazhdon me një konstatim të pabesueshëm të “një deportimi masiv” të planifikuar në mënyrë shumë racionale. Edhe në rrëfimin e Filippos ka një përshkrim të një zingjiri reagimesh, që zgjasin shumë në tokën e Ballkanit, që fillon nga ikja e të përndjekurve e deri te gjenocidi sistematik : ”Unë që kam vizituar Dakaun, nuk mund të besoj se pas pesëdhjetë vjetësh, në Europë, do të mund të organizohej një deportim i ri masiv”.

Në këtë sekuencë, rrëfimi i Filippos kap pikën në të cilën lufta ka arritur të programojë ekzilin e një populli të tërë, për ta zhdukur edhe fizikisht ekzistencën e tij. Është ky momenti kur lufta në Kosovë zhvillohet në dy fronte, atë të teknologjisë së sofistikuar të aeroplanëve bombardues perëndimor, dhe në dënimin me deportim të një populli të tërë :”tragjedia duhet të ketë numrin e mjaftueshëm të viktimave, para se të prek ndërgjegjën njerëzore”.

Ky hibrid është një kaptinë e re që lufta ka ndjekur për të afirmuar sovranitetin e saj shkatërrimtar.

Vitaliteti i Ilires dhe rrëfimi autentik i Filippos, përbëjnë të kundërtën e asaj që duket: “gjithçka që thuhet e deklarohet s ‘është gjë tjetër përveçse trijumf i dhunës, në një territor që numëron 146 grupe etnike”.

Karakteri brutal që merr lufta, gjithnjë e pamëshirshme ndaj civilëve, është fryt i dallimeve që bashkëjetuan përgjatë tragjedive ballkanike, dhe ato shprehin nevojën urgjente të një politike të paqes për të cilën bombardimet nga ajri paraqesin vetëm një hipokrizi të konfrontimit.

Një politikë që ia del të lansojë horizonte të reja të bashkëjetesës, duke u nisur pikërisht nga Europa, njëri nga modelet më pozitive të suksesit të politikës në shekullin që po e lëmë pas.

Këtu pikëpamjet dhe opinionet e Ilires jo vetëm që ndërthuren, jo vetëm që përqafohen por përfundojnë duke u bashkuar domosdoshmërisht me pikëpamjet tona. E për të çliruar ata që jo vetëm lexojnë një rrëfim ankthi, jo vetëm emotiv, për ta përfunduar kështu rrëfimin në të cilin represioni i tjetrit është e vetmja mënyrë për të afirmuar të vërtetën tënde.
 Detyrë e një shkrimi autentik, në fund të fundit është që të vazhdojë të zbulojë të keqen e përjetuar për tu pajtuar me të ardhmen.

Bravo, zonja Fajon!!!

Prof.dr. Eshref Ymeri

Bravo, zonja Fajon!!!

Në lajmet e pasdites së sotme të kanalit televiz “abc news”, lajme këto që për Kaliforninë (e cila me Tiranën ka një diferencë kohore prej nëntë orësh) na përcillen si lajme të “mëngjesit”, u njoha me reagimin e eurodeputetes Tanja Fajon ndaj xhevahireve të ndota, të shpërnadara në internet prej zotit Erion Veliaj, të cilat ajo na i kishte marrë për të vërteta të kulluara. Çdokush, pasi i ka rënë në dorë një informacion prej dikujt, që është demaskues për një person të tretë, normalisht duhet të interesohet të marrë informacionin e duhur edhe prej personit të tretë, në mënyrë që pastaj, pas ballafaqimit të të dhënave të të dyja palëve, të japë një gjykim të paanshëm. Por zonja Fajon, duke shkelur si pa gjë të keqe këtë praktikë të thjeshtë, por korrekte, për shpërndarjen e informacionit, mashtrimin e zotit Veliaj e merr si të vërtetë absolute dhe ua shpërndanë eurodeputetëve, pa u druajtur aspak se pala e tretë në rastin në fjalë, janë qeveria shqiptare dhe strukturat e rendit të shtetit shqiptar. Duke mos u interesuar për marrjen e informacionit përkatës prej Tiranës zyrtare për rastin e Griselda Roshit (Zaimit), zonja Fajon bëhet palë me zotin Erion Veliaj dhe shpifjet e tij i “tregton" si “mall të cilësisë së parë”.
Për figurën e zonjës Fajon kam ushqyer një respekt të thellë, për përpjekjet që ajo bëri për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë të Shqipërisë Londineze dhe besoj se duhet të ketë mbetur kryelartë për misionin fisnik që kreu, se, pas atij liberalizimi dhe deri tani, siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, të shkruara dhe pamore, nga burime të ardhura nga Bashkimi Evropian, asnjë qytetar i vendit tonë nuk ka kërkuar azil politik në Perëndim. Një qëndrim i tillë, me të vërtetë dinjitoz, i bashkatdhetarëve tanë që udhëtuan drejt vendeve të Evropës Perëndimore, me siguri që ka ngjallur xhelozinë e shteteve sllave, fqinje me vendin tonë, shumë qytetarë të të cilave këkuan azil politik në Bruksel apo gjetiu. Pre e ndikimit prej këtyre xhelozive dyshoj se duhet të ketë rënë edhe zonja Fajon, e cila s’përtoi që një shpifje të ndyrë të një shqiptari të bastarduar, por me poste të larta në hierarkinë partiake të Edi Ramës, ta merrte për të vërtetë të padiskutueshme dhe ta shpërndante me një zell të tepruar. Për çudi, zonjës Fajon nuk i shkoi fare ndër mend të merrte në telefon Kryeministrin Berisha dhe të kërkonte sqarime për mashtrimin e Erion Veliajt. Gjykuar nga rasti në fjalë, rezulton se në praktikën e punës të disa parlamentarëve evropianë, çdo informacion i sapoardhur nga Tirana që nxin realitetin shqiptar, u vlerësuaka si ar safi. Me sa duket, europedutetët grekë, e kanë kryer më së miri në Bruksel detyrën që u ka ngarkuar Athina për ta marrë për të vërtetë dhe për ta fryrë çdo shpifje që ka për qëllim nxirjen e realitetit shqiptar.
Shpifja e ulët e zotit Erion Veliaj duhet të shërbejë si mësim edhe pë qeverinë shqiptare, e cila gënjeshtrave që burojnë nga ofiçina e shpifjeve të sejmenëve të Edi Ramës, duhet t’u përgjigjet flakë për flakë, aq më tepër kur dihet që në parlamentin evropian qenka i kuturisur zelli për t’i marrë ato për të vërteta sa herë që është fjala për Shqipërinë.
Meriton falënderimet më të ngrohëta të mbarë bashkatdhetarëve tanë zonja Mersila Doda, deputete e parlamentit shqiptar, e cila i dha përgjigjen e merituar zonjës Fajon, e cila, në respekt të autoritetit të vetvetes, duhet t’i kërkojë ndjesë Tiranës zyrtare për shpërndarjen e informacionit mashtrues të shpifarakut Erion Veliaj dhe të vërtetën duhet ta përcjellë po në ato kanale ku pati dërguar fillimisht shpifjen e tij.

Santa Barbara, Kaliforni
15 qershor 2011

Nga Përparim Hysi :Mall i një të mërguari (poezi)‏

Nga    Përparim     Hysi


            
1.Mall për vëndin


Diell kam në ballë
Diell kam në sy
Ku e gjej,vallë?
Veç në   Shqipëri.


Diell kam në zëmër
Dhe në shpirt kam diell
Për atë vënd-ëndërr
Piqem dhe në hell.


Dhe vihem në kryq
Siç e vunë Krishtin
E thom trroç:shqip
Për të jap dhe shpirtin.


Sa vënd i bekuar!
Ah,ç'njerëz!Sa bujarë!
Jam si i droguar
Dhe s'e mbaj dot mall.


Malli veç për ty
O moj,Shqipëri?
Vallë  a  e di ti
Tretem si qiri.


          
2.Ky vënd   *


Ky vënd ku po rrri,po  po rri veç përkohësisht
Sado që është mrekulli,mua më duket si i trisht?!!!
Se dua atë vëndi tim;me driza dhe me ferra
Dhe nisem fluturim...dhe shtritur jam tek dera


Tek dera e një pallati,atje në kat të dytë
Atje është fshati,ku janë"mrekullitë?!"
Në verë ka pluhur,në dimër ka baltë
Ku je,o Mbrostar-urë,o fshati im-mjaltë...


*USA


             
3.Po ku je,o fshat i dashur?


Po ku je o fshat i dashur?Po ku je,o moj shtëpi?
Buza ime është e plasur,plot mall e dashuri.
Po ku je,o lumë plot ujë?Po ku jini, o tri ura?    *
Se nga mëndja jam rrëmujë,veç për ty,o Mbrostar-Ura!   **


O ullinj gjelbëroshë,gjelbër dimër e behar
Dhe për ju malli s'u sos;ah,sa mall më ka marrë.
Malli mua më ka marrë dhe për rrugët që ka fshati
Po për ju,o bashkëfshatarë?U treta për ju,ingrati.


Dua të ngjitem mu në kodër dhe me gaz të thërres
Ta dëgjoj i madh e i vogël:veç tay dua që të vdes.


* tri ura paralele mbi lumin Seman,pranë fshatit tim

**Mbrostar-Ura-fshati ku banoj tri-katër km larg Fierit.


                    
4.Jam mbushur nostalgji


E mbaj mënd dashin e tufës
Dhe qingjin pirës mënd e mbaj
Ndaj nuk shpëtoj dot prej"ufës"
Si një pasthirmë që po e vuaj.


I mbaj mënd mirë dhëntë në shtrungë
Dhe vedrat që mbusheshin me qumësht plot
Sikur në shpirt zë më rritet një"lungë"
Dhe"lunga" nuk  më del mëkot.


Në zinxhir  lidhur qe Xhuveli*
Lidhur  në zinxhir dhe bushtra e zezë,Dhespa.
Babanë e "shoh" tek përdredh qengjin tek hellli
Sa e freskët që më erdh këtu mbresa.


Ç'bën,moj mbresë, që më çon në stan
Në stan ku kam qenë kur qeshë i ri
Për stanin dhe tani bëhem kurban
Jam i mbresuar dhe mbushur nostalgji.

*qeni ynë i stanit


                 
5.Në mes të ullinjëve


Kam shkuar me mend tek ullinjtë e mi
Faqen e  athët zë e vë tek degët
Ah,se ç'gaz që kam unë tani!
Kush vallë tani më fut mua tek pleqët?



Degët e ullinjëve tunden apo nuk tunden
Si një nina- nana që këndojmë në djep
Unë nga nostalgjia zë e shkundem
Dhe e ndjej veten atje:qeshqek!


Se ullinjtë e mi veç gojë nuk kanë
Që të më thonë:-Ç'u bëre?Ku vajte?
Nën degët e tyre...edhe lot më ranë
Mall,o mall,përse mua më çarte?!...


                   
5-15    qershor     2011

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...