2011-06-19

REXHEP SHAHU : Lis i vetëm në fushë ( POEZI )





Babës  po plakem fëmijë jetim pa ty...


Titulli : Lis i Vetëm në fushë

Autori : Rexhep Shahu

Redaktor : Izet Duraku

© Të drejtat të rezervuara autorit



ISBN :  978-99927-685-5-6



Piktura në kopertinë: Nazmi Hoxha



Arti grafik: Albdesign

Shtëpia Botuese: Albdesign

Shtypshkronja: Albdesign

Tirazhi : 500



Tiranë,2011

SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.


TI JE PREJ UJI

Ti je prej uji se nuk të mbaj në duar
Më derdhesh në poret e lëkurës e sërish dua
Të derdhesh sërish e sërish.
Të pi si tokë e kallur nga etja,
ngopem një çast,
Mbush të çarat e thara të shpirtit
Dhe pas pak, prapë dua se prapë digjem,
E prapë pi e s’ngopem me ty.
Ti je prej ajri... Më përkëdhel edhe kur s’të shoh,
Kur kam ftohtë më ngroh,
Më mbush mushkëritë sa herë kam nevojë,
Më ledhaton flokët me dorë të padukshme,
Më ter djersët se mos ftohem,
Më flladit shpirtin kur më kallet zjarrmisë.
Duket se je prej drite, je drita vetë
Je dielli, hëna, ylli
Që hyn në sytë e mi e u jep dritë
Gjithë gjërave dhe botës që më rrethon
Gjithë gjërave dhe botës që kam në veten time,
Udhëve nga shkoj, të mos thej qafën në honet e hiçit
Tek ec mbi tokë, nëpër ëndërr a kur shtroj retë nën këmbë
Edhe hijes e natës time i jep dritë, ta shoh vetë e ta shohësh ti
Skutave ku ikën të natojë që të mos shihet,
Udhëve nga ecën që të mos e shkelin.
Duket je prej ëndrre, prej ëndrre je
Se vjen pa u ndjerë e më derdhësh kur dua,
Pa të parë edhe pse të thërras
Më hyn mes krahëve të hapur që të presin,
Mbështetesh në gjoksin tim që digjet, më puth lehtë
Më mbështjell për beli se e din që dua,
Më gudulis dhe hidhem përpjetë.
Po, po, prej ëndrre je, prej ëndrre
Se ta ndjej frymën që ma lëshon në fytyrë edhe pse je larg
Ta ndjej aromën e trupit mbi gjithë aromat e luleve,
Të ndjej ngjeshë për trupi kurdo,
Kudo ndjehem i mbështjellë me ty,
Si i zhytur në diell, det a Dri,
Më bëhet se ec dhe jetoj jetën brenda syrit tënd
Ndjej çdo çast trokun e hapit tënd në ritmin tim të nxituar
Në udhët e jetës që m’i ke paqtuar
Në tokën ku mbij e në qiellin ku hedh shtat
Ndjej lëngun e buzëve që s’di të teret në mua…


* * *

Ranë gjethet,
ulërimat e tyre ngjethëse
i pashë e dëgjova
ditë e natë në mua.


MË HUMBI VETJA

Më humbi  vetja, dheu i zi e përpiu
det’ i pangimë, ëndrra të pangime
në hijen time vetja u mbyt.
S’lashë vend që e rreh dielli pa e lypë
as hije e skuta të errëta të botës e të vetes
pa hy s’lashë...
I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po
yll pa pyetur s’lashë në qiejt e pafund,
s’lashë dyshim timin pa e pyetur për veten time
thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit
thërras kot veten, brenda vetes thërras,
çfarë humbtë mos u gjettë kurrë, mërmërin deti a
thërret dikush zëngjirur brenda meje,
e unë s’e shoh kush thërret,
deti u step më keq se unë i shtangtë
prej dhimbjes sime, turfulloi si kalë i zi plot plagë
me kalorësin të vrarë mbi shpinë
u ndal, më pa e më tha,
meqë e dashke kaq shumë veten,
lype lype se një ditë do ta gjesh
të ngrime bri ndonjë ferre…


* * *

Mbeta me drapër në dorë…
Bari i shpresës mbin
Edhe në majë të shkëmbit.


PA KRYE

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij
Por faji në varr është si në serë
Veç rritet e rritet në shëmti.
Gjithkush në vetvete është i varur
Nga pak në çengelin e fajit të vet
Askush me vetveten s’është në paqe të plotë
Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.
Askush s’qëndron dot kollaj para vetes
E sidomos para vetes në gjumë
Është njësoj si ta lash të vërtetën
Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.


* * *

Ti do të ikësh drejt pranverës,
Dimrin do ta lësh tek unë,
Ngricat brenda syve tu do mbeten
Si copat e akullit në lumë…


JEMI TË GJITHË VETËM

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Dhe kemi nevojë për dikë tjetër
Kush ndryshe bën e thotë
Gënjen të gjallë e të vdekur.
Shpesh vetmia na bëhet parajsë
Udhëkryqet kanë marramendje
Kërkojmë një palë sy, një sup, një krah
S’i gjejmë e drejtë vetmisë rendim me ëndje.
Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Drurë prej rrufeje shitur,
Pas syve që s’i gjejmë dot më,
Rendim mashtruar…


RRËNJË E PADUKSHME

Ëndërr që jeton kur nata është tretë
Diell që përvëlon kur vera ka ikë
Rrënjë të padukshme që s’më shkulen kurrë
Dorë që m’i mbyll qëpallat kur të kam pranë
Dhe më zgjon sa herë që s’je
Era dhe ajri që më duhet të thith
Pamja që më duhet për sytë
Lulja dhe kopshti që s’janë më
Ku rri e kundroj ikjen e mosardhjen tënde
Gjurmët që le në tokë, në ajër, në lëkurën time
Ku rri e kundroj ditën pa ty
Ditën pa sy...


QIELLI DIMËROR

Qielli dimëror lotonte në Paris
Grija bëhej më gri
Mijëra njerëz në Shën Elize
S’më hynin në sy.

Ecja mes tyre i pavënë re
Njerzia në punë të vet
Në dhjetra fytyra më bëhet se je
Mashtrim i shkretë.

Këtu gjithçka është gri
Dhe ëndrra më bëhet e hirtë
Ti atje buzë detit të largët
Sheh rërën që lahet.

Buzë Senës java pa ty
Ish e gjatë, ish një jetë
Dhe ky qytet ëndërr
Pa ty ish i shkretë.

Këtu qielli loton shi
Ti lahesh me diell në ato anë
Nata parisiene më përpin
Në tingujt e bardhë.



* * *
Larg më je sot, kaq larg
Të shoh me sytë e mendjes,
Buzët e puthjes s’të mbërrijnë
Veç krahët e zemrës.


NA LINI

Na lini të jemi të pa emra sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo, unë jam Adami
Dashnorët e parë në botë.
Na lini të jemi veç dy njerëz sonte
Të digjemi e të bëhëmi hi,
Mos na spërkatni me pështymë tek flisni
Mos villni nga sytë padi.
Na lini të jemi pa identitet sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo ,unë jam Adami
Dashnorët e fundit në botë.


TRISHTIMI YT

Kulm mbi Dri,
trishtimi i syve tu…
A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?…)
A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha, të fjetur, të trembur
a nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura të njerzve
buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave që më kalojnë pranë,
çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin, sikur flasin e sikur qeshin
por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë…)
A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
kurrë hënë në sy, yje përmbi…
Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë me mjaullima macesh të pafuqi
sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe…
Kurvat që më kalojnë pranë, (disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
mbretëresha të virtytit dhe nderit…
Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
edhe ato që kanë shkuar me to
edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.
Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
ta plasin publikisht se i ke palluar…
Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
edhe pse më sheh mes burrave kurva
me ligësinë e tyre pa kufi,
po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
e të marrin erzin…
Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual…
Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
nga zyra në zyrë, nga selia në seli
merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…


NËSE MË DO

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…



TRE ZOGJ…

Rrufeja ra
Lisin shkrumb e dogj
Edhe po të mbijë ndonjë filiz prej rrënjëve
S’bëhet lis për zogj.
Tre zogj mbeten pa fole
Të vetmuar cicërojnë në shkurrë…
A do t’i gjejë e ëma kur të kthehet
A do të mundet t’i ushqejë ?…
Tre zogj të vetmuar, pa fole
Qajnë në një shkurrë,
Rrufeja ra
E lisi shkrumb u dogj…



* * *

Jemi bërë si gurë

pa mundur t’i gjendemi njëri – tjetrit…
të brejtur,


ngulur rastësisht mbi tokë,




NË UDHË T’PA EMËR ME M’PRITË

Në udhë t’pa emër me m’pritë
në ditë të vdekura veshur me qefin,
në netë të shkreta veshur me vetmi,
në ardhsha me diellin ndonjë ditë,
me ndonjë yll të këputur ndonjë natë,
me pikat e trishta të ndonjë shiu të ngratë,
me hedhurinat që shtjell erë e forte…


ME M’I KPUTË KRAHËT

Me m’i kputë krahët, duart me m’i kputë
e di se kanë me më dalë prapë
se nuk mundem mos me i përkëdhelë
e shtërngue e me i mbushë duart plot me gjinjtë e tu
nuk mundem mos me të kapë e shtërngue gjithkund
në trupin tënd, me ta dëgjue zërin tek bërtet
auuaaa… më vrave, më sakatove, më nxive…
nuk mundem mos me të kapë për beli a për barku
tek më rrëshqet si ngjalë nën krahë e lumë nën urë
nuk mundem të mos ndjej dridhjen e dehjen e trupit tënd
e djersën e lehtë të lodhjes së ëmbël që të bulëzon mbi lëkurë…
Me mi nxjerrë sytë e ballit, me mi qorrue krejt
e di se prapë kanë me më ardhë sytë
se nuk mundem mos me të pa ty
e sytë e tu përmes të cilëve shoh botën…
nuk mundem pa e pa qetësinë hyjnore të syve të tu të qielltë,
s’mundem pa i pi ato dy pika loti që bulëzojnë në ato sy
teksa unë i thith e i pi që të mos rrjedhin faqeve tua,
tek perëndojnë e tulatën e derdhin një dritë qiellore në mua
teksa më thua fjalën tënde të zakonshme, ah i lig, i lig…
Me ma këput kryet në qafë si të pulës
e di se më ngjitet prapë, më del një krye tjetër
se s’mundem me ndenjt pa e vu kryet në gjoksin tënd
mes gjinjve të tu, s’mundem kurrë mos me e futë kokën
mes gjinjve të tu e me heshtë, me heshtë, me heshtë
s’mundem mos me e mbulue kryet me flokët e tu
e me u bë nervoz në çast tek më derdh flokët në fytyrë…
Me më mbytë krejt, me më blue gur për guri a me më djegë
e di se prej hiri kam me u ngritë kështu si jam
njeri që ha përditë fatin e vetën time me dhëmbë
që humbas pa mëshirë si në kumar orët, ditët, kohën time
që i ha e nuk i sos dot as në ëndërr thonjtë e mi
që të puth e të puth e nuk ngopem kurrë me buzët e tua që më çmendin
që qaj, qesh, flas e hesht, ulërij e vdes në të njejtën kohë
që e vras ditën me plumb në ballë dhe ashtu të vdekur e mbaj në krahë
udhës së yjeve me vaj e kujë ditë e natë
e gris, e çjerr përnatë natën e përdalë
ia shpërthej barkun e zi me thonjtë e mi të pistë
në prushin e yjeve ia pjek zorrë e mushkëri
Kam me u ngritë prej hirit të yjeve të djegur e kam me u ba
kështu, si më ke dashtë gjithmonë
ti, që për fatin tim të bardhë, nuk ke kërkue në mua dikënd tjetër...
ti, që më ke dhënë nga vetja jote plot sharm gjithë gruan e botës
dhe pafundësitë e saj…
prej hiri pra kam me u ngritë
e kam me ardhë, i gjallë…


* * *

Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…



TASH SA KOHË

Tash sa kohë shoh veten e varme në lis
Mu në mes të fushës
Me litar në qafë, natë e ditë.
Dimër verë njerzit pështyjnë,
Bëjnë shurrën në trung dhe rrënjë.
Lëvores, miza pafund, rrallë ndonjë korb a zog i pafaj
Merr vdekjen e vet në sqep.
S’ka mbetur gjë tjetër në mua,
As vdekje s’ka mjaft për gjithë zogjtë…



NË ËNDRRAT E MIA

Në ëndrrat e mia
Kam vdekë e
Jam varrosë qindra here,
Në tokën e mbretërisë së ëndrrave
Jam lindë,
Përmendore mjegulle jam bërë,
Nëpër varret e ëndrrave kam hyrë e dalë
Me ty në krahë,
Pa ty në krahë,
Me veten për dore
Drejt asgjësë.



LIS I VETËM NË FUSHË

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithsinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...



ASGJË TJETËR NUK DO TË KISHA DASHUR TË BËJ NË JETË

Nëse dashuritë shuhen e harrohen, atëhere nuk kanë ekzistuar kurrë.
Ndjenja e dashurisë për një shkak a një tjetër madhor mund të ndrydhet,
por nëse ka egzistuar vërtetë, kurrë s’mund të shuhet.
Sa më shumë përpiqemi t’i harrojmë dashuritë, aq më shumë mashtrojmë veten
dhe aq më shumë kujtimi i tyre fryn dhe na i ndez gacat e shpirtit,
rron gjithnjë si prush lisi i mbuluar me hi.
Shfaqjet që merr ndrydhja e një dashurie janë trishtuese dhe të dhimbshme,
pafundësisht të dhimbshme.
Kush beson dhe flet për shuarjen e ndjenjës së dashurisë, mashtron dhe
jeton vetëm me çerekun e qënies së tij, treçereku tjetër është lëngim.
Është e tmerrshme të ecësh gjithë jetën mbi shina… të shohësh burra
gjithmonë me pantallona, me model të njëjtë kostumi.
Është e tmerrshme, që duhet përgjithesisht të bëhesh i moshuar dhe pastaj të vdesësh.
Është dhe më i tmerrshëm detyrimi të përshëndesësh çdo ditë të njëjtat fytyra…
Është e dhimbshme që s’ke një këmbë vend të pashkelur prej vetes
në rrugen që të çon dhe të nxjerr nga shtëpia.
Po, po, e tmerrshme është, të jetosh ditën tip, punën tip, në shtëpinë tip,
në krevatin tip, në tryezë gjellët tip, të puthësh buzët tip,
të hysh në kafenetë tip, në nevojtoret tip, të shohësh pulpa këmbësh tip
e të mos jesh i lirë të kujtosh e të nderosh dashuritë që ke dashuruar…
Është shkak ankthi, që detyrohemi të flasim me fjalë, kur shpesh herë,
në mos gjithherë, më mirë flasin sytë.
Meqë kjo botë që prej fillimit i ka marrë shumë hua hipokrizisë, ne duhet
të përshtatemi që të jemi normalë se ndryshe damkosemi : të papërgjegjshëm.
S’kemi çfarë të bëjmë tjetër, por të mos harrojmë dashuritë
që të jemi të ndershëm sadopak me veten tonë të padukshme,
se me të dukshmen kjo s’ndodh,
kemi për detyrë, që pa droje, t’i kujtojmë e t’i pohojmë dashuritë.
Nderimi për dashurinë është nderimi për veten, është çlirimi i vetes
dhe njeriu kur çliron veten, kur është i çliruar, mund të shijojë lirinë
me të gjitha aromat e saj, në ato pak minutat e mbetura të jetës së tij.
Kur është i lirë njeriu plotëson detyrën e vet.
Në fund të fundit fare, njeriu ka për detyrë, të dashurojë dhe t’i kujtojë
e t’i nderojë dashuritë…
Asgjë tjetër s’do kisha dashur të bëj në jetë.



* * *

E kam vënë detin përpara,
Me fund do ta pi
Për ty...



PO THONË…

Veshur me natë
Ti vazhdon udhën
Pa ditë se për ku.
Hëna në shpinë
Ta çel shtegun
Drejt detit,
Udhëve të botës
A të shpirtit,
Poshtë dallgëve të fjetura
Të frikshme,
A në burg të reve
Të zeza të qiellit.
Sot e gjithë ditën
Më ruajnë
Sytë e tu,
E unë i falem Zotit dhe ty.
Nata mbetet çdo natë
Vetëm.
Dhe unë vetëm
Në vetminë time.
Drini vetëm
Ka me mbetë,
Pikëllima vetëm
Dhe ajo.
Ka me ra shi i ri
Në ditë të re
Dhe diell i ri
Ka me iu derdhë fushës.


NATA KA RA

Nata ka ra
e terri i saj n’dritare rri ulë,
ngeshëm sheh
e m’terron sytë.
Sytë e tu s’janë kërkund
për pak dritë, me ia shpue
zemrën natës.
Po s’erdhe me e djegë natën e zezë,
mos mungo nesër n’kortezhin tim
me hije njerzish…



KY QIELL

Ky qiell idiot që të mban në gji
Ky qiell i frikshëm, pafund i zi
Ky qiell që të zhduku nga sytë e mi
Ky qiell lugat që të mori ty
Ky qiell shpirtzi i errët e gri
Ky qiell… ah… ky qiell…
Ky qiell i mirë që mban diellin në gji
Stacion i ëndrrave dhe lutjeve të mia
Fron i zotit që thonë është atje
Mbretëri e paqes dhe shpirtit të bardhë
Kufi i fundëm i lirisë pa kufi…



NË GALERINË E PAFUND TË KOTËSISË

Në galerinë e pafund të kotësisë
Ne jemi tabllotë më tipike të pafat
Varur atje në gozhdat e idiotësisë
Ndihemi rehat.
Brenda kornizave ku na kanë vënë
Kemi hapësirë, komodë, jetojmë
Se natyrisht ne s’dimë korniza të shpërthejmë
As te qeshim, të puthim a derdhim lotë…


DIMËR PRAPË

Dimër sot, nesër, pasnesër, e dimër prapë
Zotat e mi thonë verë s’ka askund.
Endërrat e mia lindin, por nga ngrica s’rrojnë gjatë,
O zot, ky dimër a ka fund ?...
Dhe bëj sikur rroj, në skamje e mizori
Dhe sytë mi merr shkëlqimi i rremë,
Unë qorri me dy sy endem nëpër ferr,
Ne këtë ferr që s’lashë lëvdatë pa i thënë.


NUK SHKRUAJ PËR TY

Nuk shkruaj për ty, pa ty s’shkruaj dot
Sytë e botës të shohin gjithandej
Derdhur dhimbje në vargjet e mia
Si frymë, si dritë perendie.
Gjithkush brenda vetes ka zotin e vet
Dhe flet me të, se s’bën dot ndryshe
Gjithkush ka një udhë, një cak, një fund
Se jeta kuptim s’do kishte.
Por pak besojnë se në trenin e vdekjes
Udhëtojmë gjithë kohën sa jemi mbi dhe
Dhe në hije, të fshehur shtyjmë jetën
Burra dhe gra prej hijesh…


VALA ME BREGUN

Një mizë rriskon në buzët e gotës time plot dëshpërim
ca të tjera bredhin në xhamin e pistë të dritares së botës,
duke vizatuar me këmbët e tyre të llomta përhumbjen time.
Jashtë, dikujt s’i ndez makina, kërkon t’ia shtyjnë,
ca të tjera rrëshqasin fodulle me shpejtësi.
Nga streha pikojnë rrallë ca pika shiu të vjetra,
mbi kujtimet e mia godasin pa mëshirë.
Një qen i rjepur bën shurrën dhe rrëmon pa fat në plehra,
Një burrë ecën përkulur në breg të detit,
kujtoj se ai po kërkon perla dhe e admirova.
Një re e bardhë e vetmuar shpërbëhet ngadalë mbi det,
më duket po heq rrobat për t’u larë në diell.
Portreti yt më shfaqet në bebëzat e syve që fryhen,
Ca fëmijë rendin me qenin e lodhur të luajnë,
Më tej deti i paqetë më flet me fjalët e gjestet e tua.
Unë e vështroj ngultas përmes fytyrës tënde
këtë pikturë të kësaj të shtune buzë detit,
ku vala si ti luan pambarimisht me bregun…


* * *

Nuk besoj në vdekje dashurish,
se bota është e vogël,
s’ka aq vend për varre…



HERONJTË

Ku janë heronjtë, ku janë,
ku rrinë, ku struken, ku pinë…
Kohë heronjsh nuk ka,
nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
as shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s’ishin kur na u deshën në luftra,
në tragjeditë tona jo e jo,
në komenditë tona,
pse t’i shpikim vallë ?
Heronj nuk ka kund motra ime,
viktima po, të mundur po,
të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
të mundur që s’munden t’ia kafshojnë xhelatit
as gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
e kurrë jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
sot e përgjithmonë.


HAPI SYTË

Hapi sytë
dhe ke me e pa pikën e lotit
në sytë e diellit,
lot që zjarri i diellit nuk e ter.
Në mos mundsh
shiko hënën se do t’ia shohësh
lotët për faqe
që i shndrisin dhe në terr.



* * *

Thanë se gurët kanë vdekur
e lulet mbijnë në gur
… i do qielli i kaltër



KA DO DITË

Ka do ditë
Që mendoj se s’do me dëgjue zërin tim.
Dyert e syve i ke mbyllë,
E ndaj unë nuk nxjerr dot zë,
Veç psherëtima.
Mu varros zëri në mua,
As nuk fërshëlloj dot.
Udha mbeti shkretë,
s’ka më të lojtur që fërshëllen.
Edhe deti si i lojtur do të gjëmojë nga dhimbja,
Nuk i thërras dot më, s’kam zë.
Kush do ta qetësojë zemërimin e tij,
Kush do ti tregojë detit për ty
Që të fshehë sirenat
Kur të vish ti,
Mos t’i turpërohen e t’i kopin marazit
Kur të të shohin…
Thua nuk e djeg dot ti varrin
Ku ma kanë mbyllë zërin
Të mundem të flas dhe njëherë,
Veç të them të dua.
Të mund të mos pështyj botën përditë
E gëlbazë të mos u hedh njerzve në fytyrë.
Të mund të fërshëllej,
Oooo të fërshëllej dhe njëherë,
Të zgjoj rrugën që flen…



MË MUNGON SHUMË

Më mungon shumë dhe pa ty jam bërë
tokë e ngrirë që dielli i mungoi gjatë,
jetë gjithë stinë dimri që i mungoi vera,
lule që kot i thonë lule se s’çel petale asnjëherë,
lis a dru që sythe e gjethe s’ka kurrë,
shtrat lumi që ujë s’rrjedh kurrë në të,
gjiri i nënës që kurrë s’pikon qumësht,
sy i bukur që rri çelë por nuk mundet të shohë kurrë,
lugë që rri në tryezë por s’ka dorë që ta kapë,
zemër që pulson kot se s’ka kujt t’i japë gjak,
krahë të hapura kot në hava se s’kanë kë rrokin n’përqafim,
mundim i jashtëzakonshëm për të folë por s’ka më zë,
s’ka më lotë, e syve të mi të pajetë pikon gjak
nga mungesa jote shumë e gjatë…



JAM THJESHTË VETËM

Jam thjeshtë vetëm,
Shumë vetëm në këtë jetë.
Lodër e pavlerë
E braktisur nga fëmijët,
Lule e harruar pa ujë në vazon
e dritares tënde.
Jam shumë vetëm pa ty,
Pa mallin që lexoja në sytë e tu.
Nuk mbolla heshtje,
Që të korr shkreti.
Nuk mbolla dhimbje,
Që të vjel vetmi.
Jam shumë vetëm
Pa ty…



RRUFETË…

Rrufetë i kam ndezë zjarr
Me ngrohë veten.
Me litarët e vetëtimave
Jam hedhë e kam bredhë
Honeve të djegura të mallit për ty.
Detet i kam kaptuar
Duke vënë këmbët
Si gur më gur
Nëpër supe dallgësh.
Kam mbërri, gjithmonë vonë.


NJË TRUMCAK

Një trumcak i trembur cicëroi në xham
fjalë të ngrime zogu dhe iku nëpër borë.
Tej xhamit të plasur prej ngricës shikoja
trumcakun e strukur në një degë ftoi.
. . . . . . . . . . . . . . .
Kam vrarë dikur pa dashje një trumcak
dhe bashkë me të, përjetë qetësinë time.



TË MOS JEM

Të mos jem trishtimi i botës,
e fytyra ime të qeshë,
ti piko nga gjethja e vjeshtës,
piko hënë në sytë e mi.
Të mos jem trishtimi i botës,
guri që s’bëzan a pylli që hesht,
m’i sill zogjtë e zemrës,
të mos vdes…



NE TELAJON E NATËS

Në telajon e natës
Vetëtimat dhe rrufetë e zemëruara
Egërsisht vizatojnë portretin tim në flakë
Me penelata e ngjyra zjarri
Që s’shuhen edhe pse
Bie shi rrebesh e breshër.
Nëse pastaj do të më kesh
Kur të vish e të mos më gjesh
Merre natën dhe vare në mur
Që t’ma shohësh portretin
Me zgavrat e syve bosh
Pa ty –
Rrufetë sytë m’i kanë djegë
Me fytyrën e shkrumbuar
Si copë toke veç djerrë
Ku s’mbin as bar i keq.
Vetëtimat e rrufetë sonte
Po vizatojnë mbi terr
Gjithë zemërimin tim
E brengën
Nga mosardhja jote.




TANI TI KE IKË

Tani ti ke ikë në të gjitha ditët
Prej të gjitha ditëve.
Ke ikë në të gjitha stinët
Prej të gjitha stinëve.
Ke ikë
E nuk je kund.
Tani ti ke ikë
E unë rri e të pres
Të kthehesh sa për një buzëqeshje
Për një puthje në trëndafilin e buzëve
Të kthehesh në fundjavë
Si zogjtë shtegtarë
Që ikin e vijnë prapë.
(Pse vdekja s’bën kështu
Të na marrë në një stinë
E të na sjellë në një tjetër… !!)




SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.




* * *

Nëse gogla e rrufesë do bjerë,
Të digjemi bashkë dua.
Se po të jemi veç e veç
Digjet njëri dhe
Tjetri zgavër lisi mbetet.




* * *

Nuk di
gjethen a mua
e shtyn era.
Ajo bie në pellg
Sipër meje ...



UNË DO TË IK NJË DITË

Unë do të ik një ditë, ti mos beso, por
Shpejt do të ik nga kjo botë,
Fytyrën time që do të mungojë
Do ta njomësh ndonjë ditë me lotë.
Unë do të ik dhe ty do të mbetet,
Një boshllëk në zemër gjithësesi.
Nëse s’u bëra dot aromë të më ndjesh,
S’dua erë të bëhem që të bezdis ty.
Erë që të trazon flokët pa gishtat e mi,
Mbase dhe sytë, qëllon, t’i bën me lotë,
Se pas erës, prapë do të ketë shi,
Do të ketë diell e sërish do ketë shi.
Do mbetesh, siç je, pranverë me plot zogj,
Dimër, që deomos, kërkon e bën stuhi,
Verë, por, me diell që djeg e përvëlon,
Vjeshtë me bubullima, rrufe e shumë shi.
Deshirë të frikësuar s’do të ketë më,
Ajo është mosdashje e s’ka emër tjetër,
Unë shkaku i saj do do të jem askund,
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.




KA ME RA

Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërrdhak kemi me ra…
E pashë më sytë e mi
Si mbinin minj prej toke
Sa u mrrol pak dielli e u bë vrantë
Minjtë filluan me dalë
Me u ngjitë nëpër mure e pemë
Nëpër këmbë burrash e grashë
Me i gicilue e me i lëpi.
Plasi ulërima e gazi pa kufi
Filloi çveshja, grisja e flakja e rrobave tej
Lakuriq gjithë gratë e burrat mbeten shtangtë
Rrethuar nga minjtë që u rrinin pranë…
Sot e pashë me sytë ë mi
Si u terr toka me minj…



NJË QIELL TJETËR

E kam marrë për dore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s’të thonë “trus”…
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.
Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq…





LIS I NGRIRË

Në çastet kur s’je
Bëhem lis i ngrirë në breg të ëndrrës
Me krahët zgjatur drejt teje…




PIKË LOTI

Sonte unë pikë loti në harenë tuaj të rrejshme
Rreze hëne që s’është kund në këtë natë të tmerrshme
Peng i një krimi të bërë që vret çdo lumturi
Erë që ndez kujtimet që askush s’do t’i kujtojë…
Sonte jam këngë rrënqethëse e njeriut të pagojë
Zhurmë e hapave të njeriut pa këmbë
Tingull i kambanës që s’ka thumb
Dallgë zhgënjimi që godet në mosmirënjohje…




ZOGJTË RESPEKTOJNË ZINË

Blirët anash rrugës sot janë te vdekur
Por njerëzit s’mbajnë qetësi
Fodullë deri në dhembje
Trishtimin ma bëjnë më të zi.
Zogjtë nga qielli zbritën
Në degët e blirëvë s’rrinë
Heshtin nëpër strehë e tela
Zogjtë respektojnë zinë.
Blirët s’do çelin më lule
S’do tregojnë për asgjë
Në s’jemi fshehur të gjithë pas tyre
Pa erë lulesh s’kanë lënë asnjë.
Blirët sot janë të vdekur
Njerëzit s’mbajnë qetësi
Fodullë deri në dhëmbje
Trishtimin ma bëjnë më të zi.



E PAMBARUAR…

E pikturon dot heshtjen ti,
heshtjen time që pikon pelin,
që më mbështjell si mjegull
e që shkel mbi të,
heshtjen që më së shumti ka fytyrën time
gjithë kohën kur jam pa ty?
Po ikjen e saj kur vjen ti,
të qeshurën e hareshme të syve të mi
që gurgullon kur ti je, e pikturon dot ?
Po tingullin e vdektë e timbrin pa jetë të zërit tim,
psherëtimën drithëruese,
dridhjen e mjekrës time,
bebet e zmadhuara sa dielli të syve të mi kur të
shoh,
bebet gati të shuara të syve të mi, kur s’të shoh ?
E pikturon dot mallin që më djeg,
boshllekun a zbrazëtinë mes krahëve të mi,
mungesën tënde aty,
djegjen e syve të mi që s’e lënë lotin të rrjedhë,
sy që e pinë vetë lotin e nxehtë ?
E pikturon dot ti atë që ndodh në mua kur të prek,
atë që kurrë fjala s’e thotë dot,
atë drithërimë vërbuese që provoj kur të rrok
në përqafim, e përjetoj paqen që e kërkojmë
e na mungon e na lëndon se mungon ?
E pikturon dot ti ndjesinë që provoj
kur më përqafon e gudulis në kurriz,
tek më tërheq nga vetja e shtërngon në gji
kur të dukem pupël e jo i rëndë përmbi,
po çastin kur mbetem pa mend mbi ty,
kur më dukesh Hënë e vetja Diell ?
E pikturon dot ti aromën time përzier me djersë,
duart e tua të vogla që gudulisin gjoksin tim,
aromën tënde jo të parfumit, të shpirtit tend,
duart e mia të mëdha e të ashpra mbushë me gjinjtë e tu,
dihatjen, dihatjen e dridhjen e trupave tanë,
shkëndijat, që s’i sheh dot ti as unë, i pikturon dot ti
kur flakërojnë mes trupave tanë ?
E pikturon dot ti atë që provon zemra ime,
atë që thonë e shkruajnë sytë e mi
kur thith pangopshëm buzët e tua,
kur ti ma shtërngon kokën me gjinj
e kur unë nga lumturia mbes pa frymë,
e vdes nga pamundësia të të fus brenda vetës
e i them zotit, ik se jam zot vete ?…








CIKËL POETIK NGA FLORI BRUQI



View floribruq...JPG in slide show

Poezi Nga Flori Bruqi

 


 
1. RREZE DRITE 


Për Ty nga zemra
këtë poezi po e rris
asnjë hije muzgu
nuk  i  fus brenda
Ti kërkon  dritë
se ishe dritë
siç janë dritë
të gjitha nënat 
Vije Ti
çdo mbrëmje
duke më pëshpëritur:
-Natën e mire bir
çelësin mos ia vë derës
do të vijë nëna
(Gjumin pa ta prishur)
me hapa të pranverës
Biro
të të shoh mos je shpluar
kur ike
Unë të putha
a thua më ke ndjerë
ndoshta vetëm koha
si rreze drite
në mua t’paska mbetur 
Këtë poezi Nënë
nga zemra e shkrova
dhe hije azhuri
s’i futa Brenda
Ti kërkon dritë
se ishe Dritë
siç janë Drita
të gjitha Nënat 

2.LAJTMOTIV I SINQERTË 

U këndoj të thjeshtave
të urtave
fjalës së dashur
dritës së qartë
të gjitha ëndrrave
më ljtmotiv të sinqertë
të gjitha këngëve
përherë me krryerresht
Femrave 
Ejani në këngë
Nëna dhe motra
të dashura gra
hyni në këngë
në lindëm nga këngët Tuaja
nga zëri Juaj
morëm këmbë 
 
3.LIRI FJALE 

Në ditën e takimit me fole
më zë tjetër
dhe unë çuditërisht prapë erdha
nga zemra të të shoh e të puthi
si Diellin kopshtin me lule
përse qe aq e ashpër 
Mos vallë në qytetin tend ilirik të ndjekin
qentë e tërbuar
ndonjë hije nate
apo do të mbetesh
e mbyllur sal për vete 
Arti nuk të do të vetmuar
as muzikë s’mund të ndjesh
një buzëqeshje do të kërkoj prore
dhe karafila do të dhuroj
e puthje të ngrohta 
Mos hesht as mos ik lulebore
sigurisht ti do të qesh një ditë
dhe lufta mes unit tend e urrejtjes
do të çmend ty të tërën
vetëm jam dhe pres të vish… 
  
4.QYTETI KU TË PRITA 

U ndala ballë Spitalit të Prishtinës
hipa si Orfeu në altar
dy vargje të ti them
më zërin e shterur nga shqetësimi 
Dhe unë e pashë qytetin tend
më një dallendyshe fola me beso
dhe ikem të dytë e më tepër ike ti 
Unë prapë jam  aty ku më ke lenë
në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë
vallëzoj më hijet
nuk e di cilën ta përkdhel 
Ti nuk je
retë mbi qytet me nevrikosin
dhe shiu më lag bashkë me vargjet 
Një ditë në një orë dilë e takohemi
kiamet nuk bëhet
nuk bëhet as qyteti det 
I mërzitur rri i fyer jam
pres dashurinë tënde
e të fle mbi gjinjtë e tu 
Mbi buzët e tua të zë një ëndërr
të kërkoj t’i ha aat sy me vargje 
Po vargjet nuk kanë faj
që ti nuk i ndjen asnjë grime
mos ik mos u fsheh e as zërin mos e ndërro!… 

5. AKUARELI I DIELLIT

Iku Tetëmbëdhjetë vjeçare
E bukur S…
Si hëna pesëmbëdhjetë
Në fletore shkroi vjershën
Për Mëngjesin në Prishtinë
I pëlqyen soliterët e lartë
Dhe shtëpitë plot blozë
Tjegullat e çative të ulta
Me myshqe të venitura
Shtegu i fushës kujtonte nënën
Më këmbë t’amputuar
Dhe Agimin e madh pas shiut
Që lëkundin pemët në zgavra
Në Prishtinë..
Ajo me gishtin tregues vizatoi
Në xhamat e ateles
Profilin e babait plak-Metë
Pastaj e fshiu me dorë
Dhe dorën e puthi
Kur u kthye në vendlindje
Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
Në kalldrëm…
Dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
Në agimin e azhurtë
Hapi dritaren
 Rrotulloi çuditshëm
Lindjen e Diellit
Hijet në vetminë e rrugës
Dallëndyshet
Një pikë vesë
Në mbremjën e majit
Ngriti penelin
Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
Pikturoi rrugën
Me baltë të Strellcit
Durakun plak
Kopshtet me dardhë
Fshatarët e vyer
Me drapërinj në duar
Shtëpi me dyer të rënda
Strehë me borë
Hapësira bojë gushëpëllumbi
Hga fshatrat malorë…

6. MENDIM I KREDHUR

Shpirti i Saj
Një lëndinë Qershori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë
E dua atë
Era viteve
Buzët do t’ia vyshkë
Reliefin e kuq të mollëzave
VIzat e rudhave do t’ia prishin
Por
Megjithatë e dua
Sot
Kur me të jam i dritëzuar
Në shpirtin e përjetshëm
Jam i rrethuar edhe më njomësi
Edhe me rrudha
Nga pranvera e syve
Margaritarë të Saj


7.REKUEM I PËRLIGJUR

Prej gjakut e zemrës s’mund të dalë
siç u dogjën të tjerët s’dua të digjem
ç’donin ziliqarët në kopshtin e Edenit
mollën e Eridës në dorë që më lanë

ditë pas dite prej zemërimit të përligjur
nga trishtimi 
Zeusi s'e fal Prometeun
pa ia treguar fshehurisht intrigën

dashuritë digjen e përvëlohen
sa fort
brenda çdo ëndrre vuan zemra vetë

 udhë u deshën që djajtë të risjellin
poshtërimin e zbritur nga Olimpi i lartë
të lënë shtrëgatën... e të vrasë njerëzinë

edhe lotët kur djegin shpirtin së brendshmi
më ngjan se më hiqet i rëndi  mallëngjim
një këngë ilirishte përftohet fshehtësire
e vjen një kohë letargjie me gjëmimë


8.SHPRESA TË DJEGURA

Me çantë mbi shpinë të mbushur plot mall
rrëzë supi rripat e saj fort të shtrënguar
të rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmale
nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar

Shikimi i nënëmadhes si shqiponjë pas e ndjek
klithma djemsh mbetur ikona nëpër pragje
një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg
lot që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe

Gra zemërngrira presin në ankth zhytur
veten mallkojnë që nëna s’i bëri dot djalë
motra kërthinj prej trishtimit të mbytur
dhimbje e pamatur që gjunjëzon dhe djajtë

Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti
nënat kobzeza, që s’kanë një gur ku të qajnë
vejusha të pafat ngado mbjellë si tulipanë të zinj
fëmijë që prindërit në prehër dot s’i mbajnë



Emigrant, fjalë mizore që s’di të falësh kurrë
dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell
zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi
përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!
                në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...



Nga ESHREF YMERI - Rusia në penën e një rusi




       Kur po ecja nëpër faqet e internetit në gjuhën ruse, më ra në sy një material mjaft interesant i një qyetari rus, të cilin vendosa t’ua përcjell edhe bashkatdhetarëve të mi, në mënyrë që ata të njihen me ca të vërteta tronditëse për realitetin që karakterizon Rusinë putiane.
       Kur e mbarova së lexuari këtë material, m’u kujtua një bisedë që pata në vitin 1999 me ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, zotin Soprikin. Ishte muaji mars. Sapo ishte larguar nga vendi ynë një delegacion i parlamentit rus, i kryesuar nga zoti Sergej Baburin, zëvendëskryetar i parlamentit, i cili kreu një vizitë zyrtare në vendin tonë më 17-19 mars dhe unë e pata shoqëruar në cilësinë e përkthyesit. Kur zoti ambasador erdhi për një vizitë në shtëpinë time, në bisedë e sipër ra fjala edhe për zhvillimet në Rusi pas vendosjes së pluralizmit. Pasi më foli për zhvillimin e ngjarjeve në vendin e vet, zoti Soprikin më tha:
       “Në Rusi përsëri ka për të shpërthyer revolucioni”.
       Kur u njoha me përmbajtjen e këtij materiali, e kuptova që ambasadori paska pasur të drejtë kur m’i tha ato fjalë. Varfërimi i shkallëshkallshëm dhe i pandalshëm i popullit rus dhe humnera e krijuar, nga njëra anë, mes kastës sunduese dhe pasanikëve që grabisin pa mëshirë pasuritë kombëtare të vendit, dhe popullit të thjeshtë, nga ana tjetër, me siguri që një ditë të caktuar do të pjellë një situatë shpërthyese.
 Faktet historike dëshmojnë se ai popull i  madh kurrë nuk është lejuar t’i shijojë vlerat e demokracisë së vërtetë. Për fatin e tij të keq, populli i thjeshtë vazhdon të mbetet “i bujkrobëruar”. Etapa e parë e shndërrimit të fshatarëve rusë në bujkrobë, ka pas filluar që në vitin 946. Gjatë viteve 1237-1480, populli hoqi mbi kurriz sundimin e rëndë të zgjedhës tataro-mongole. Në vitin 1601, në kohën e sundimit të carit Boris Godunov, u përmbyll njëherë e mirë etapa e fundit e shndërrimit të fshatarëve në bujkrobë, domethënë në pronë të çifligarëve. Kjo ka qenë periudha e quajtur “e drejta e bujkrobërisë”, e cila u shfuqizua në vitin 1861. Koha që kaloi deri në vitin 1917, e cila mund të quhet si periudha e çlirimit zyrtar të fshatarësisë nga sistemi i bujkrobërisë, faktikisht, përfaqëson në vetvete kohën kur ajo u gjend ballë përballë me vetveten dhe me pamundësi vetëzhvillimi ekonomik, meqenëse ishte mësuar të jetonte në pronësi të çifligarëve rusë. Periudha e sundimit komunist prej vitit 1917 dhe deri në vitin 1991, si edhe në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, ishte koha e shtypjes së egër të lirive demokratike. Por, sipas autorit të materialit të mëposhtëm, rezulton se edhe sot, pas njëzet vjetësh pluralizëm politik, vlerat e demokracisë në Federatën Ruse vazhdojnë të mbeten të diskutueshme. Dhe ma do mendja se ato të tilla do të vazhdojnë të mbeten ende gjatë, përderisa Putini, siç tregojnë shenjat, po përgatitet për t’u rikthyer përsëri në postin e presidentit të vendit, me një mandat dymbëdhjetëvjeçar.
Prof.dr.Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
18 qershor 2011

      
Vladimir Garmatjuk
Rusi, qyteti Vollogda

27.07. 2010   
               
 “Do t’ju shërbeja me dëshirë plot,por t’ju lëpihem do të më vinte ndot”

       Këto janë fjalë të shkrimtarit dhe të poetit të njohur rus Aleksandër Sergejeviç Gribojedov (1795-1829 - E.Y.), të shkruara pothuajse dyqind vjet më parë. Por ato janë aktuale edhe sot e gjithë ditën në fillim të shek. XXI. 
Po çfarë po na tregon ky aktualitet befasues? Ai po na tregon se dyqind vitet e kaluara të përsosjes së marrëdhënieve mes shtetit dhe individit, të përpunuara prej mendjeve përparimtare të Rusisë, si Gribojedovi, Pushkini, Lermontovi, Çernjishevski, Çehovi, Tolstoji, prej të tjerëve klasikë dhe mendimtarë të vendit tonë, shkuan për dhjamë qeni.
I bëni një pyetje vetes se cilën nga figurat e lartpërmendura ju do ta pikasnit në radhët e partisë së tanishme në pushtet “Rusia e Bashkuar”. Dhe atëherë do të merrni përgjigjen se kush ndodhet atje dhe kush po e drejton vendin.
Apo mos vallë brezit të sotëm nuk i paskan ardhur mendtë, nuk paska shtuar “asnjë gram” zhvillimi mendor? Apo, për shkak të shpirtvogëlsisë, i ka tradhtuar pararendësit e vet, duke e përfshirë veten në listën e skllevërve të një sistemi të sakatuar?
Po t’i shikojmë gjërat faktikisht, në shoqërinë e sotme janë të pranishme edhe ndjenjat e  shpirtnënshtrimit, edhe marrëzia, edhe egërsia e neveritshme prej skllavi në qëndrimin ndaj njerëzve të varfër.
Ku janë, na i tregoni t’atdheut baballarë, / që neve për model na duhet për t’i marrë? / Mos vallë qenkan këta që me vjedhje janë pasuruar? / që mbrojtjen nga ligji mes miqsh, farefisi dhe paudhësish kanë siguruar?/ Pallate madhështore ndërtuan me nxitim, / ku shkrihen mes gostirash deri në shfrenim . / Kujt në Moskë të flasë nuk ia kanë ndaluar? (A.S. Gribojedov, Vargje nga komedia “Mjerë ai që di” (apo “Mjerë kush ka mend”, botuar në vitin 1824 - E. Y.).
Më thoni tani se sa aktuale tingëllon kjo vepër e A.S. Gribojedovit, sa tragjikomike është ajo sot, në shek. XXI?
Cila është mbështetja e armatës së burokratëve në ditët tona? Janë interesat e monopoleve dhe të oligarkëve.  Nga ana tjetër, janë qëndrimet e pamëshirshme ndaj mendimit të kundërt me politikën e autoriteteve. Dhe shtypja materiale e fakirfukarasë nga ana e makinës represive shtetërore.
Ku e gjen shprehjen e vet mbështetja që qeveria u jep monopoleve dhe oligarkisë?
Në nivelin prej 13% të tatimeve mbi të ardhurat, nivel ky që është “drejtësisht i barabartë” për oligarkët dhe për popullsinë e mjerë të vendit. Një nivel ky i barabartë për blerjen e një jahti prej një pasaniku dhe të një buke për një varfanjak. Po se mos vetëm këtu qëndron “drejtësia sociale”!
       Shikoni përkrahjen që u jepet monopoleve për grabitjen e vendit dhe të popullsisë përmes tarifave në fushën e energjetikës. Në Rusinë varfanjake që noton në naftë deri në vesh, benzina është më e shtrenjtë sesa në Amerikë që importon naftë. Dhe çmimet e lëndëve djegëse vazhdojnë të rriten, të rriten dhe të rriten.
       Deri kur kështu? Deri në cakun e durimit tonë.
       Në vitin 2009, që ishte një vit krize, në Rusi u rrit dyfish numri i dollaromiliarderëve, kurse 15-20% e popullsisë, me rublat e së cilës ata u bënë edhe më të pasur, u katandis në një varfëri të skajshme, me një minimum jetese deri në 50-100 rubla (2-4 dollarë) në ditë.
       Ku shprehet qëndrimi i egër ndaj pjesës më të mjeruar të popullsisë? Siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, minimumi mesatar i jetesës arrin në 5518 rubla, ndërkohë që paga minimale që marrin qytetarët arrin në 4430 rubla.
       Pa e vrarë fare mendjen, me një të zhgrapsur të lapsit të një burokrati qeveritar, ngrihen si pa gjë të keqe çmimet e elektroshtëpijakeve. Kjo çon në rritjen e qirasë së banesave, në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore, të produkteve të konsumit. Popullit i shkurtohen si pa gjë të keqe mjetet e jetesës, por nuk ekziston ndonjë mekanizëm për zëvendësimin e rezervave të shkurtuara. Vazhdon grabitja e popullit që bëhet në një mënyrë të planifikuar.
       Pasanikët sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të pasur, kurse varfanjakët gjithnjë e më të varfër.
       Këtu qëndron tërë thelbi i politikës.
       Cili është numri i njerëzve varfanjakë? Të dhënat e statistikës nuk janë për t’u lëvduar, por, sipas disa shifrave të tërthorta, ky numër arrin deri në 15-20% të popullsisë së aftë për punë, shto këtu edhe të papunët që nuk gëzojnë përkrahje sociale, plus invalidët dhe pensionistët. Sipas një informacioni që ka mundur të dalë nga Fondi i Pensioneve të Federatës Ruse për mjetet e informimit masiv, 17% e popullsisë së aftë për punë, merr një pagë zyrtare që arrin në më pak se 1000 rubla në muaj.
Mendoj se një gjë e tillë nuk vjen nga të ardhurat e larta. Njerëzit janë jo dhe aq budallenj që të mos mendojnë për të ardhmen, sesa të varfër për të mos qenë të uritur në ditët e sotme.
Nga të ardhurat e pakta të popullsisë, shteti, me duart e monopoleve të energjetikës, zhvat mjetet e fundit të jetesës në formën e pagesave për blerje banesash. Apartamentet, të cilat në kohën e Bashkimit Sovjetik jepeshin falas, për pronarët e tyre tani janë kthyer në një lak që po u merr frymën gjithnjë e më shumë. Me politikën e privatizimit, njerëzit ranë “në grep”, si puna e peshkut. Nëpër fshatra dhe qytete të vogla, apartamentet nuk mund të shiten se s’ka se kush t’i blejë, njerëzit s’kanë para. Qiraja e banesave ka arritur nivelin e pagës minimale. Për popullsinë varfanjake kanë mbetur vetëm dy alternative: ose të mbetet në mëshirën e urisë, duke paguar qiranë e banesës, ose të flaket jashtë dhe të vdesë rrugëve. Qindra mijë familje në mbarë vendin kanë borxhe me shtyrje afati për të paguar për banesën e tyre.
Atëherë lind pyetja: në rastin konkret, me çfarë po merren strukturat e shërbimit shtetëror? Mos po ju shkon gjë mendja se ato po përkujdesen se si të shtojnë të ardhurat e popullit, të ulin qiranë e banesave apo të pakësojnë tarifat e energjetikës? Jo.
Ato merren me inventarizimin e pasurisë së shtresës së varfër, ndërpresin furnizimin me gaz, me energji elektrike të apartamenteve dhe rrinë e vrasin mendjen se ku t’i degdisin varfanjakët e gjorë pasi t’u kenë marrë banesën e tyre. Mos ndoshta duhen ngritur kampe përqendrimi dhe krematoriume për fakirfukaranë? Një gjë e tillë, për çdo rast, do të ishte më “humane” (që varfanjakët të mos torturohen) dhe më e sigurt për luksin e autoriteteve shtetërore. Se njerëzit e gjallë, të uritur dhe pa një çati mbi kokë, në fund të fundit, mund të strehohen nëpër pallatet e vetë oligarkëve dhe të burokratëve që mbajnë poste të larta, të cilët sot vazhdojnë t’i grabitin me politikën e çmimeve.
Dihet se historia, duke u zhvilluar sipas një spiraleje të caktuar, ka prirjen për t’u përsëritur.
Në qytetin e Vollogdës është hapur një dyqan për shitjen e pasurisë së konfiskuar. Mos ndoshta ju shkon mendja se atje po shiten jahte, pallate, makina të shtrenjta, restorane, vila, prona këto të të korruptuarve? Në asnjë mënyrë. Atje shiten vjetërsira të jetës së përditshme të atyre njerëzve, kundër të cilëve është drejtuar makina represive shtetërore, pra, të njerëzve të pambrojtur. Me këta hesapet mund të qërohen më thjesht. Duke iu rrëmbyer atyre vjetërsirën e fundit, ju, autoritetet e vendit, me këtë poshtërim moral, jeni duke i zhdukur ata edhe fizikisht. Nga vuajtjet dhe gjendja pa rrugëdalje, njerëzit detyrohen t’u kthehen pijeve alkoolike, drogës, fillojnë e degradojnë, sëmuren nga insultet, nga goditjet në zemër dhe vdesin para kohe. Se i thonë një fjale, “njeriu nuk rron vetëm për të ngrënë”.
Në ditët tona, në shumë rajone të Siberisë dhe të pjesës evropiane të Rusisë, popullsia është pakësuar deri në 10%. Mjerimi dhe problemet e përhershme, të cilat ia krijon popullit “partia e punëve konkrete”, sa vjen e po i kosit njerëzit, si puna e murtajës, si puna e vërshimit të ujërave pranverore që gërryejnë dhe mbulojnë brigjet e lumenjve, duke shembur gjithnjë e më shumë shtresat e reja të shoqërisë.
Sipas parashikimeve të disa analistëve, pas pesëdhjetë vjetësh, numri i popullsisë ruse do të pakësohet trefish. Dhe një fakt i tillë ka të ngjarë që të mos ngjallë shqetësime. Për më tepër, po vazhdon presioni që ushtrohet mbi popullin me anë të politikës së çmimeve. Kush do të përkujdeset për popullsinë e Rusisë, të zhveshur nga të drejtat dhe që është në zhdukje e sipër?
Në Kushtetutën e Rusisë (ligjin themeltar të shtetit), të aprovuar pas një votimi mbarëpopullor më 12 dhjetor 1993, është shkruar:
Neni 2. Njeriu, të drejtat dhe liritë e tij përfaqësojnë vlerën më supreme. Njohja, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit janë detyrë e shtetit.
Neni 7. Federata Ruse është një shtet social, politika e të cilit ka për qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë një jetesë dinjitoze dhe zhvillimin e lirë të njeriut.
A po ndodh kështu në të vërtetë? A është duke u respektuar Kushtetuta, ligji themeltar?
Që të respektohet ligji, ai duhet njohur. Me siguri që faktin se vlera më supreme na qenka Njeriu, shumë nga përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore nuk e njohin. Nuk e njohin, nuk duan ta njohin se vetë ata jetojnë në kurriz të popullit dhe janë të detyruar  t’u shërbejnë interesave të tij. T’i shërbesh, do të thotë ta ndihmosh, jo ta shtypësh me anë të çmimeve dhe të taksave, dhe jo t’ia kufizosh të drejtat me “ligje” të paligjshme.
Prej pagës minimale prej 4 mijë rublash (që është poshte minimumit të jetesës), zbriten paratë që i grabiten popullatës me anë të qirasë së lartë të banesave, e cila është vazhdimisht në rritje, me anë të çmimeve të produkteve, ç’ka çon në konfiskimin e sendeve të përdorimit të përditshëm.
Kryetari i qeverisë Vladimir Putin, i cili është burimi i politikës së brendshme ruse, jep këtë përgjigje:
“Ne nuk mund të vjelim nga të pasurit një tatim progresiv”.
Po si nuk mundkeni? Për të shtypur popullin forcat ju mjaftuakan, kurse për të kontrolluar të ardhurat e pasanikëve nuk na qenkeni në gjendje?
Pushteti është i detyruar t’u sigurojë qytetarëve një minimum jetik të paprekshëm. Në të kundërt, një shtet i tillë na shërbyeka si një makinë që përdoret për asgjësimin e popullit. Në qoftë se nuk na qenkeni në gjendje për të siguruar një drejtësi shoqërore, atëherë pyesni se si duhet bërë një gjë e tillë. Nuk na qenkeni në gjendje për të mbrojtur vlerën më supreme, popullin? Atëherë lironi vendin për ata që janë në gjendje!  
Në SHBA, në Evropë, janë në gjendje që t’ua vjelin oligarkëve tatimin progresiv. Pse atje qenkan në gjendje ta mbrojnë popullsinë nga grabitja e monopoleve, të paguajnë të ardhura të mjaftueshme për jetesën, kurse në vendin tonë jo? Pse, mos vallë organet tona të mbrojtjes së të drejtave të njeriut na qenkan më të pazonja, nuk qenkan të afta për të ushtruar kontroll? Janë të afta! Janë dhe kanë shumë dëshirë të vendosin rregull dhe drejtësi dhe, në radhë të parë, në sferat e larta. Por pikërisht sferat e larta nuk i lejojnë që ta bëjnë një gjë të tillë. Për më tepër, nuk i lejojnë të shprehin publikisht as mendimin e tyre, të kundërt me mendimin zyrtar. 
Nuk u ardhka ndot, ore “zotërinj të mirë”, që t’i shërbeni zhdukjes së popullit? Mua më vjen ndot kur shikoj se si lahen hesapet me fakirfukaranë. Sipas Kushtetutës, kush na e paska të drejtën për t’i ndaluar zgjedhësit të votojnë “kundër partive”? Askush. Zgjedhjet e lira janë pushteti më suprem. Dhe askush nuk ka të drejtë t’i kufizojë zgjedhjet, me çfarëdolloj mënyre qoftë
Kur vëren se si njerëzve, të zhveshur nga të drejtat, u mohohet mundësia për të zgjedhur përfaqësuesit e vet deputetë, nuk u lejohet të votojnë kundër një sistemi që i imponohet shoqërisë (vota kundër nuk lejohet), të vjen të vësh ulërimën për popullin e mashtruar rus që është në rrallim e sipër.
Me heqjen e pragut të poshtëm të daljes në votime, është shmangur kësisoj edhe niveli i ulët i pranimit të legjitimitetit të pushtetit. Pushteti i siguroi vetes të drejtën për t’u vetëzgjedhur.
Populli nuk mund të drejtohet vetëm me “kërbaç”, ky duhet të shërbejë si mjet i skajshëm dhe vetëm në “një dorë” që mban drejtësi.
Është e domosdoshme që pushteti ekzekutiv të jetë nën kontrollin e përhershëm të ligjvënësve. Kurse pushteti legjislativ, pushteti i deputetëve, duhet kompletuar (jo me udhëheqës partish, poshtë vetes), por, sipas Kushtetutës, përmes zgjedhjeve të lira dhe të pavarura.
Duke mos i shërbyer popullit ndershmërisht, duhet larguar nga pushteti ndërgjegjësisht. Se do të vijë dita të gjykoheni për mungesë ndershmërie. Festja do t’u vihet sipas kokës. Me kutin që po matni, ashtu edhe do t’ju masin.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...