2011-12-24

KUR GEGËT DO TË NDIEJNË VETEN N’ ATDHEUN E VET ?!

Pershndetje Konferencёs shkencore me temё Gegnishtja sot...
                
                                                                                           IPVGjSh TIRANË
            Të Nderuem Bashkatdhetarë!
           
         Në vitin 1993 kam botue një libër,“At Pjeter Mëshkalla S.J.”. Një kopje ia pata dhurue mikut tim të nderuem, Prof. Kolë Ashtës, i cili endè vazhdonte mos me besue se mund të vinte koha me shkrue njeriu Gegënisht. Atë ditë Ai më pat tregue se kur ishte në Kongresin e “Drejtshkrimit” të Gjuhës Shqipe, që u zhvillue në Tiranë nga data 20 – 25 Nandor 1972, ditën e fundit pra, me 25 Nandor, që do të firmonin aktin e pranimit të vendimit “për varrosjen e Gjuhës Gegënishte”, Profesor Kola, që flinte në hotel “Volga” në Tiranë, kishte njoftue se nuk mund të merrte pjesë në atë seancë të Kongresit ku do të hidhte firmën e Tij, mbasi me të vërtetë kishte temperaturë, por “shokët” nga Kongresi, të drejtuem nga Androkli Kostallari, një fotoreporter dhe një përson i panjohun për Profesorin, nga ora 11.00 paradreke të asaj dite kanë shkue në hotel ku Profesori ishte i shtrimë në shtrat dhe nën dritën e një prozhektori ka firmue aktin e vendimit. Pra, edhe nëse ishe tue vdekë, Enver Hoxha, ashtu si në hetuesitë e tij, kërkonte me pa“firmat” me sytë e tij...mandej, po deshte, ti vepro ndryshe!
Ja si shkruhet për këte kongres në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë, 1985, fq. 510,: “Kongresi i Drejtshkrimit ishte një fitore e vijës marksiste-leniniste të PPSH për zgjidhjen e drejtë të problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare...” Atyne “firmave” po shohim me sytë tonë tue i qendrue “besnikë” edhe sot të gjithë ata që nga qejfi apo nga halli e frika, u detyruen me firmue...Sigurisht, kjo ishte e pranueshme për secilin që ndodhej mbrenda kafazit të quejtun Shqipni! Por mos harroni kurrë se ata Burra që ishin të burgosun apo të internuem, asnjëherë nuk i kanë aprovue ata vendime të pandershme. Për të gjithë ata që ishin jashtë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, arbëreshët e Italisë dhe Greqisë, tue përfshi edhe krahinat e Hotit, Grudës dhe diasporën e shpërndame në botë, që i kanё pranue ata vendime të atij kongresi dhe “pajtimi” i tyne me këte akt “vorrimi të Gegënishtes”, asht kenë dhe vazhdon me kenë aqsa i turpëshem e përçarës, aq antiatdhetar!
Këte e vërteton fakti që sot 70% e letërsisë shqipe e shkrueme në Gjuhën Gegënishte, nuk njihet fare nga intelektualët dhe brezi i ri, ndonse gjoja kanë mbarue edhe shkolla të nalta, por tue mos harrue se këto shkolla i kanë përfundue me librat e botuem nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, të mbytun fund e krye me rrena, mashtrime dhe me ideologjinë antiatdhetare marksiste – leniniste.
Për fatin e keq të Popullit Shqiptar me këto libra asht helmue edhe rinia jashtë Atdheut, tue fillue në Prishtinë, USA e deri në kontinentin e Australisë, sepse politika sllavo – komuniste e anadollake e çkombëtarizimit ka mbizotnue mbi botimet e librave të edukimit Atdhetar. Ajo frymë edhe sot mbizotnon në të gjitha anët ku mund të bahet fjalë me mësue Gjuhën Shqipe. Ata kanë përdorë dhe po përdorin mjetin ma të ndytë të përçamjes krahinore, fetare, kulturore, etnike, politike etj., mjete të cilat i shërbejnë shpërbamjes kombëtare.
Prof. Namik Ressuli asht ndër të parët që ven gurët e Tij shkencor të Gjuhës Shqipe të Përbashkët apo të Njësueme dhe ja çfarë shkruen për këte letersi:“Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vëndin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët, që mendojnë për Atdhenë e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë...”
(Shkrimtarët Shqiptarë, vol I, fq.12, Tiranë 1941.)
Ajo letërsi dhe ata shkrimtarë u hoqën nga shkollat në vitin 1944 nga serbo – sllavët komunistë shqiptarë dhe shumica vazhdojnë me kenë endè sot jashtë dyerëve të shkollave e institucioneve të Shqipnisë “Demokratike”. Që në vitin 1924 e ma parë, At Fishta, Luigj Gurakuqi, Don Ndre Mjedja, Mustafa Kruja, At Anton Harapi, Don Lazër Shantoja, At Vinçenc Prennushi etj., kanë punue për Gjuhë Shqipe të Njësueme, ku Gegënishtja e Toskënishtja gjithmonë bashkë, do të barazpeshonin në kandarin e drejtësisë shkencore dhe intelektuale të gjuhëtarve...Shumica e Këtyne Atdhetarve u zhduken, u vranë e u masakruen, Ata vetë dhe Vepra e Tyne në sherbim t’ Atdheut! Komunistët u munduen me zhdukë edhe Visarët e Tyne...
Prof. Karl Gurakuqi, Prof. Tajar Zavalani, At Danjel Gjeçaj, Prof. Ernest Koliqi, Prof. Martin Camaj, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nikollë Daka, Prof. Mark Dema, Prof. Namik Resuli, Prof Filip Fishta, Prof. Arshi Pipa, Prof. At Zef Valentini, Prof. Kolë Ashta dhe të tjerë, na kanë lanë aq shumë punime letrare e shkencore, sa mund të themi se janë të mjaftueshme për themelet e Një Gjuhe Shqipe Letrare.
Por e vërteta qendron e thanun në Korçë para gati 70 vjetësh nga At Anton Harapi:
“Progresistat, n’emën të kulturës së vërtetë vunë Zotin dhe Shpirtin, moralin dhe idealin në shërbim të Përparimit; sociologët dhe statistat n’emën të kombsisë së vërtetë duen të shkelin dhe të shuejnë të drejtat e idealet e njeriut si njeri, dhe mbi çdo gja të hyjnojnë e të venë egoizmin kolektiv.”
***
Deri në vitin 1992 – 93 kishte njerëz që vazhdonin mos me besue në rrugën që u hap...
Vazhdimësia sjell ripërsëritjen e historisë! Nëse intelektualët e rijë do të jenë vazhduesit e rrugës apo të labirintëve e tunelëve t’errta të pseudointelektualëve të Enver Hoxhës dhe në të njejtën kohë skllavë të firmave të paraardhësve të tyne, atëherë bashkë me Gegënishten jo vetëm asht varrosë mbarë Populli Shqiptar, por edhe e gjithë Shqipnia me Trojet e Saja!
Heshtja e sotme e shtetit asht vazhdimsi e rrugës së antishqiptarizmës.

                                                                        Pershndetje vllaznore Fritz Radovani.

Forma poetike dhe rima, dy të fshehtat e poezisë për fëmijë

Font size: Decrease font Enlarge font
Me krijimtarinë e Janaq Panit)

‘Forma poetike’ e cila që në vitin 1970, parashtrohej nga Jakup Mato, si një dukuri dalluese në mënyrën e paraqitjes së figurave të një vepre letrare, duket se është edhe një preokupim i shkrimtarit, Janaq Pani. Thuajse në rreth dymbëdhjetë titujt e botuar prej tij, që nga viti 1994, ndihet se kemi të bëjmë me një krijues që di të derdhë bukur ngjyrat e poezisë edhe në tablo të prozës apo përrallës që ai lëvron. Kjo padyshim shton vlerën artistike të krijimtarisë së tij, e bën atë më tërheqëse e më interesante, ngjyros me pathos e lirizëm ngjarjet e personazhet.
Tek vëllimi poetik i Panit, “Xhepat e Gjyshit” (Toena; 2008) gati 168 poezitë e tij kanë një formë poetike që flet qartë për një pasuri të madhe figurash me të cilat autori adreson lirizmin e të lexuarit. Edhe shkrimtari, Hasan Ulqini, na vjen në ndihmë në këtë gjetje kur citon për veprën e Janaq Panit: “karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori është sinqeriteti dhe bukuria e vargut, figuracioni spontan, lirizmi i të rrëfyerit, vlera, cka e kanë bërë këtë autor të jetë shumë i dashur dhe mjaft i lexuar nga fëmijët e moshës parashkollore dhe cikli i ulët i shkollave.”
1-
Janaq Pani një shkrimtar fitues i disa cmimeve letrare në vite për vlerat e tij të larta artistike dhe edukative, është cilësuar nga kritika si ndër autorët më cilësorë dhe edukativë të letërsisë së sotme për fëmijë. Ulqini shton për këtë se “Janaq Pani është ndër poetët më të spikatur të letërsisë për fëmijë. Me një krijimtari të bollshme mbi tridhjetëvjecare, ai është autori i mbi njëzet tituj librash, nga të cilët mund të përmendim: “Yll mes yjesh”; “Tufëza me lule”; “Shamia e kuqe”; “Baladë për 11 heronjtë”; Përrallëz për zogun Cërr”; “Me një mik u njoha unë”; “133 gjegjëza”; “Pse qan Otrantoja”; “Gjyshi ketër në Kanada” e shumë të tjera”. Ndërsa Agim Bajrami, poet dhe kritik nga Durrësi, shton se “krahas krijuesve më në zë të letrësisë për fëmijë që shkruhet në pesë dekadat e fundit, edhe emri i këtij autori zë një vend të nderuar, dhe me të drejtë”.
Duke lexuar, poezi të këtij autori si “Xhepat e gjyshit me vjersha”, apo “Ku lind poezia” shohim qartë se për Panin poezia është e rëndësishme si krijimtari për fëmijët, por vetëm kur ajo është brenda kontekstit ‘Fëmijëria’ dhe kur kjo është në fazën kritike, kur vetë fëmijët duhet të zbulojnë mrekulli dhe përfitimet e moshës të vijnë nëpërmjet vetë poezisë, në mënyrë që lexuesit e moshës fëminore, të mbeten lexues të jetës në poezi. Poezia e Panit nëpërmjet vargjeve të saj plot figuracion, pasqyron të menduarit mes brigjeve delikate të natyrës së fëmijëve. Kjo duket në poezinë “Kur lojën nis në shesh” (faq 50),: “Unë kur lojën nis në shesh/dhe për kohën s’pyes fare’/ del ti mami shpesh e shpesh/e ngre zërin në dritare./Kur vonohem, në merak/mos u ndiej mami, moj!/Se Ukiksit i ngjaj pak/Dhe “sirenat” s’i dëgjoj.” Kështu me këtë lirizëm forma poetike e vargut të Panit, nuk e ngut poezinë e fëmijëve, por e bën të jetë e lehtë për ta, të lexohet e mbahet mend me lehtësi e dashuri, për shkak se ata e duan gjuhën, me të cilën është duke luajtur autori mes figuracionit edukativ dhe me vlerë njohëse nga historia.
Vjershat dhe modelet e këtij autori janë shumë të dukshme dhe emocionuese, dhe mund të përdoren lehtë si nga nga prindërit dhe mësuesit për të ftilluar ditën me fëmijët apo nxënësit e tyre, si një ditë plot dashuri nëpërmjet poezisë.
Mënyra se si është paraqitur poezia e Panit për fëmijët nuk është kritike. Fëmijët në këto poezi nuk kanë nevojë për udhëzime, për të siguruar kuptimin e tyre. Poezia e tillë si një zhanër i letërsisë për fëmijë, nuk është një derivat i fjalës së artit, i gatuar vetëm për mosha të caktuara, ajo me stilin e shkruar të Panit, vjen e pjekur edhe për të rriturit dhe fëmijët, të dy palët mund të marrin përfitim të barabartë nga kjo poezi. Ama duhet thënë qartë se kjolloj poezie, nuk mund të interpretohet njësoj nga të dy palët, nga fëmijët dhe të rriturit, ama kënaqësia mund të jetë i barabartë.
2-
Kur lexojmë poezinë “Vjen e më shfaqet një yll” (f.68), nuk është njësoj si me një poezi tjetër në këtë vëllim, e cila lexohet njësoj me dy nivelet e moshave, nga të rriturit dhe fëmijët në këtë rast. Pani, ia kushton këtë poezi Joanës, dhe natyrshëm, është i lidhur fakti me të se duke lexuar një poemë të tillë me një fëmijë, është e rëndësishme për të rriturin për të pyetur fëmijët për atë që ata janë duke parë në faqet e librit dhe për të inkurajuar fëmijët të mendojnë për mënyrën se si figuracionet e tilla si: “kjo e mira e florinjtë”; apo “m’i sjell pranë Perëndisë” janë të lidhura me tekstin. Kështu duke lënë një mirëkuptim vjen që poezia me tërë bukurinë e saj të jetë dhe mbetet e shpallur për fëmijët. Të rriturit mund të jenë një katalizator për dashurinë e fëmijës me poezinë, por autorët e tyre natyrshëm duhet të gjejnë formën poetike më të lehtë që fëmijët të mbeten të dashuruar mes bukurisë së poezisë.  Por cfarë përfitimesh ofron poezia e Panit?
Poezia e tillë feston fjalën individuale, tingujt dhe ritmin e gjuhës në një mënyrë që nuk e realizon një tregim. Ajo është një kënaqësi, është e lexueshme nga vetë struktura e saj e  shkurtër, shkurt është një kafshatë e shijshme për të ndarë me fëmijët.
Në poezi të autorit me temë nga natyra si “Një kërkesë e zogut”; “Pa kujdes asgjë nuk lind”; “Pranverën në shpirt”; “Lepuri i egër”; “Dëbora e parë” etj, (f. 69-83) forma poetike e autorit na jep një afërsi më të qartë të poezisë me natyrën e fëmijës. Pse themi se fëmija është një natyrë me poezinë?
Së pari, poezi është e natyrshme mes ritmit, pamjes dhe gjallërimit të fëmijëve. Ata flasin vetë poezi, padashur për ‘bojëderdhjen’ piktoreske të ardhur nga metaforat, ato shprehin ngjyrime të llojit nga më të habitshmet edhe kur fjalëëmbëlsia e tyre i bën enkas të angazhohen. Në këtë kuadër, poezia e Panit vjen e mirë, e kapshme, e një natyre me riskun fëminor dhe tenton të bëjë të njëjtën gjë. Ajo është një imitim artistik i asaj që bëjnë të vegjëlit, dhe mbetet një strehë e bukur në shërbim të fëmijëve të vegjël që duke gatuar vetëm dashurinë nga tingujt e poezisë, u jep atyre shansin të jenë në një natyrë me poezinë edhe nëse ata nuk i kuptojnë të gjitha fjalët dhe kuptimet e poezisë.
Poezi të tilla gjithashtu janë pjesë të identitetit kulturor shqiptar, një pjesë e kulturës së përbashkët Kombëtare. Poezi të tilla si “Kë dua më shumë”: “Mami moj, ti as më thua/zemrën kush ma kurdis mua,/më rreh e s’pushon/për kë dua unë/dhe rrahjet i shton/për kë dua më shumë./mami moj, më thuaj ti/a ndodh kështu dhe te ti?” kanë vlera identititeti kulturor, jo vetëm shqiptare, por ato kanë edhe vlera kulturore globale.
Së dyti, vlerat natyrore të poezisë së Janaq Panit, shtohen pasi autori ia di ‘zanatin’ kësaj fushe dhe i vë rimën si një kuadër i shtrenjtë interesi i lidhjes së poezisë me fëmijën dhe anasjelltas. Rima e shoqëron nga fillim në fund edhe poemën “Baladë Qeparotase” (Botuar nga “Enerd”). Rima e kësaj poeme i shton atmosferën vargjeve dhe lexohet si me një frymë: “Për këtë poemth, gjallë e kam në mend/si erdhi tek unë edhe zuri vend/ishte buzëmbrëmje, një shpresë e venitur/me syrin nga deti rrinte duke pritur...” (f.3).

Nga Enrik Mehmeti - Dhimitër Pojanaku: Ligësia e të mençurve, thikë nën mantel

 image
 Bisede me Dhimitër Pojanakun

Vite më parë, kur zëri i tij u ndje në kryeqytet, Tirana ishte më e dashur me poetët e rretheve. Sot nuk është edhe kaq e thjeshtë. Ndonëse me disa vëllime të botuara dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare në Francë, Itali, Greqi, Maqedoni etj., poeti Dhimitër Pojanaku e ndjen peshën e gjuhëgjatëve dhe helmeve të të liqve. “Tek artistët ke dy lloj ligësish, ligësia e dështakëve, që i shohin ata që ecin para me mllef e çfarë nuk shpikin, dhe ligësia e atyre që janë në shkëlqim dhe nuk duan tjetër t’u afrohet, pale po t’ua kalojnë pak, bëhen si ujqër apo ujkonja. Zoti na ruajtë nga të gjitha ligësitë…”, thotë Pojanaku, i cili në vitin 2003 ka merituar çmimin e ndarë nga MTKRS, “Penda e argjendtë” për poezinë më të mirë. Ka botuar vëllimet “Shiu lexon trishtimin tim”, “Mëngjes dhe pak natë”, “Xhindet kërcejnë polka”, “Gurët zbardhin natën” dhe “Shtëpia ime rrotullon qiellin”.
Si u drejtuan hapat tuaja në rrugën e letërsisë dhe pse zgjodhët poezinë?
Nuk e di se si rashë brenda këtij kurthi sa të rrezikshëm, aq të bukur. I vogël kisha dhuntinë t’i mësoja përmendësh vargjet shumë shpejt. Duket kjo më ushqeu dëshirën për të shkruar. Hapat e para kanë qenë ato të shkollës tetëvjeçare, klasa e katërt a e pestë. Shkollat bënin konkurse poetike ahere dhe nxitnin breza talentesh. Kampi i pionierëve Durrës më dha çmim të parë në një konkurs poetik dhe aty nisën “fluturimet” e mia poetike prej vërteti. Nuk e zgjodha poezinë, më erdhi nga Zoti. Poezia është vuajtje, dhimbje! Zoti e pat vënë re që unë e pëlqej vuajtjen, e ushqej, e fisnikëroj, ndaj edhe ma solli poezinë!
Cila është bota juaj?
Qyteti im është i veçantë. Jeta këtu është e veçantë, provincë, por qyteti romantik e lezeton. Është mësuar me poetë. Përshëndetjet ndaj meje tashmë janë: “Ç’kemi poet, ndonjë poezi të re?!”. Këtë e bëjnë më të shumtit. Ka edhe njerëz të vegjël, smirëzinj, por unë falë edhe profesionit, i kuptoj shpejt dhe u rri larg. T’u përgjigjesh helmeve të tyre, do të thotë të bësh harakiri nga qejfi i tyre dhe budallallëku jot. Jo, këtë nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj. Ziliqarët nuk do më gjejnë asnjëherë në rrjetat e tyre. Boritë e tyre do i dëgjojnë gjer në shurdhim vetëm veshët e tyre, të mijtë asnjëherë! Familja ime është Adelina, e cila është jo vetëm një bashkëshorte e nënë e veçantë, por edhe një liman për stuhitë, që jeta ime i ka pasur dorëlëshuara. Prindërit e saj kanë pasur origjinë greke dhe ajo ka trashëguar një kulturë të gjithanshme. Fëmijët e mi, edhe pse të rritur tashmë, mbetën dobësia ime. Vajza Eris dhe djali Pjer, janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Kur ishin të vegjël, gëzimet që më sillnin ishin pa fund, aq sa nuk doja të rriteshin. Tani u rritën, kaluan adoleshencën, thuhet u poqën, por tani  shqetësimet, problemet janë pa fund, jeta e tyre e re përballë realitet shqiptar është aq e vështirë… Uroj të kenë rrugë të bardha… e keqja t`u rrijë sa me larg dhe të mos u afrohet.
Shumë poezi tuajat kanë lidhje me detin edhe pse jetoni kilometra të tëra larg. Ju jetoni pranë liqenit të bukur të Ohrit dhe “vdisni” për detin, përse?
Detin e kam dobësi. Nga vjen lidhja ime me detin, pyesni? Nga kraharori ndoshta, nga zemra, nga gjaku, ajri, hapësira…
Lidhja vjen nga syri që më kërkon det, oqean. Ku ka si deti! E dua edhe kur është i qetë si vaj edhe i egër, e kam të vetmin  tempull ku rrëfehem. Kur më keni takuar në Vlorë nuk u kam thënë krejt të vërtetën, vij kryesisht për detin. Askush si ai nuk m‘i kupton brengat dhe gëzimet.
Punoni në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ndodh të “ndërhyjë” gjyqësori te poezia?
Duhet t’u them se poezia tek unë ka qenë e lindur, gjyqësori erdhi tepër vonë, pra ai e gjeti “kështjellën e ngritur”. Për çudinë  time, jo vetëm që gjyqtari nuk e prishi magjinë, por përkundrazi i dha asaj ç’mund t’i jepte. Mori nga nenet gjuhën koncize, pa teprime, dhe ia fali poezisë. Ç’doja më tepër?
Ku zënë fill poezitë tuaja?
Tek gjithçka, një i dehur që mbyt hallet në fund të gotës, një gjeth i verbër, hëna e ngrënë nga vetmia… Më frymëzojnë udhëtimet, dëshpërimi dhe gëzimi. Muzika më ngre muzat nga gjumi. Kur fabula e poezisë merret nga jeta dhe ke magji në çastin kur vjen, krijohet një poezi që e kalon cakun e kohës.
Mes vargjeve tuaja, kë keni më shumë për zemër dhe cila është ajo që të tjerët pëlqejnë më shumë?
“Zhvirgjërimi i murgut”, “Lot i burrit”, “Dhoma përballë times”, janë disa poezi që lexuesit e poezisë sime i dinë edhe përmendësh dhe i recitojnë edhe pa praninë time. Sa për mua, më pëlqen cikli i poezive të vdekjes.
Ç’ju tërheq kah vdekja?
Vdekja është qasur shumë herë brenda fisit tim. Dhimbjet që më ka sjellë më kanë dhënë fisnikëri si mua, ashtu edhe poezisë sime. Poezitë e vdekjes morën jetë tek unë atëherë kur me ardhjet e saj të shpeshta kuptova se jeta e vdekja nuk bëkan pa njëra-tjetrën.
Kuptova se në vend që të grindem e zihem me vdekjen, “duhet të shkoj me tepër në kopshtin e saj/ Të ujit eshtrat e fisit tim”.
Po shkruani ndërkohë?
Një libër të ri, një botim në Greqi e Maqedoni, pasi jemi afër dhe duhet të njohim njëri-tjetrin. Tani për tani nuk do marr pjesë ne konkurrimet poetike, nuk e di përse, kështu më thonë trillet… Konkurse poetike ka me dhjetëra, juritë kudo janë subjektive, edhe kur më vlerësojnë mua. Rëndësi ka të shkruash poezi që sfidon kohën. Ka shumë shkrimtarë që edhe pse nuk kanë rrokur “Nobel”, mbeten të kërkuar tërë jetën, brez pas brezi. E ç’rëndësi ka çmimi aherë?!
Kam lexuar diku një poezi tuajën për njerëzit e liq, keni njohur kaq shumë të tillë në rrugën tuaj?
Ligësia është më e keqja që has njeriu në jetë, sidomos artisti.
Të jesh thjesht i lig nuk bën aq zarar, sepse lexohesh lehtë. Kur je edhe i mençur edhe i lig, atëherë ligësia fshihet bukur, si thika nën një mantel të mëndafshtë dhe jo se bën gjëmën, por të lëndon në mënyrën më të paskrupullt. Tek artistët ke dy lloj ligësish, ligësia e dështakëve, që i shohin ata që ecin para me mllef e çfarë nuk shpikin, dhe ligësia e atyre që janë në shkëlqim dhe nuk duan tjetër t’u afrohet, pale po t’ua kalojnë pak, bëhen si ujqër apo ujkonja. Zoti na ruajttë nga të gjitha ligësitë… Poezia që ju keni lexuar te “Fjala e lirë” ishte për një lloj nga ligësitë e artistëve mesatarë, që nuk duan të shkëlqesh, je apo nuk je brenda zhanrit të tyre krijues, p.sh, një këngëtar i njohur nuk do të shkëlqejë një poet, një poet nuk do të shkëlqejë një prozator, përse do thoni ju, sepse ligësia ua ka bërë zemrën gur, ja perse…
Kjo do të thotë se duke qenë edhe nga një vend i vogël nuk ka qenë e thjeshtë që të bëni emër, apo të merrni në vitin 2003 çmimin prestigjioz “Penda e argjendtë” për librin më të mirë në shqip…
Nuk them se ka qenë e lehtë. Por në kohën kur fillova të ndjehem në poezi, metropoli nuk ishte aq gllabërues, linte hapësirë edhe për krijuesit e rretheve. I kam zënë këto hapësira me mund dhe falë njerëzve të kryeqytetit që e donin poezinë time. Pastaj përmendim edhe faktin që Pogradeci është parë dhe shihet si qyteti i lirikës shqiptare dhe si qytet i pritshëm për befasi, sidomos në poezi dhe pikturë. Tani është ndryshe. Tani metropoli, krahas vlerave, është mbushur edhe me pseudovlera, të cilat për çudi ushqehen edhe nga ekranet e shumta televizive. Kjo është më e vështirë për artin në grup, si teatër, balet etj. etj. Këtu lulëzimi i antivlerave sjell dëme të mëdha.

Fan Noli –Mes botes njerezore dhe hyjnore

Nga Raimonda Moisiu


Ndërsa kthejmë kokën përgjatë viteve, në perëndimin e tyre, dallon gjurmët e arta të kujtesës së një kombi. Janë gjurmë që gjithmonë do të kujtohen si shprehi e ndodhisë në etapa të ndryshme dhe e ekzistencës së tyre, për t'u përqendruar në erudicionin e një prej figurave që është çmuar shumë prej shqiptarëve dhe amerikanëve, si një figurë aktive e letrave shqipe, Rilindjes Kombetare, çështjes kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve jo vetëm në trojet etnike shqiptare, por edhe në Amerikë e kudo në botë, Fan Stilian Noli. Ndërsa vitet rrjedhin, aq më shumë rritet edhe ndërgjegjësimi kombëtar për t'u kthyer pas ideve, erudicionit, veprave, penës, së këtij kolosi të letrave shqipe, për të eksploruar në vlerën e tyre. Vepra e Nolit të madh është shumëdimensionale, e krijuar në përkushtimin dhe vëmendjen, nw poezi, prozë, publicistikë, fe, muzikë, përkthime të shkrimtarëve të shquar të botës, pastaj si pamfletist, esseist, historian midis tributit të një lideri popullor dhe shpirtëror, midis lavdisë e modestisë që e karakterizonte, gjithmonë sipas kontributit që ai kishte ndërtuar në thënien biblike që shprehte shpesh: "Një popull pa vizion zhduket". Poliadriku dhe eruditi Fan Noli nuk u përqwndrua vetëm te një pjesë e veçantë e historisë së kombit shqiptar, por ai adaptoi atë pjesë integrale të vlerave dhe historinë e kulturave të tjera, pikërisht asaj amerikane, ku ai jetoi dhe veproi deri ditën që vdiq Dhe, hodhi një bazë të shëndoshë të rizbulimit të identitetit kombëtar dhe të ruajtjes së tij nga asimilimi kulturor, pas disa shekujsh shtypjeje. Muaji mars tashmë është bërë një muaj i vecantë për të përkujtuar, poliadrikun dhe erduditin, Nolin e madh, dhe krahas tij nw sjellim në kujtesë një sërë figurash të shquara të letrave shqipe, atdhetarizmit e patriotizmit, si Konica, Pipa, Zef Oroshi, Rexhep Baba Bardhi, Qerim Panariti, Antoni Athanas, Kristaq Trebicka, Petraq Turtulli, Sotir Peci, At Arthur Liolini, Bill Kamenica, Thanas Laskaj etj. Përgjatë gjithë kësaj kohë, forca e kujtesës, e vizionit, e mendjes dhe e penës së njerëzve të letrave shqipe, nëpërmjet aktiviteteve në dedikim të vlerave kombëtare e historike, sikurse kanë bërë ata vetë dhe pararendësit e tyre. Ata besojnë në parimin bazë e jetësor se vepra dhe kontributi i Nolit flasin shumë, si një domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme, ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën ngadhnjyese me njerëzoren. Ndërgjegjësimi kombëtar i njerëzve të letrave shqipe lëviz drejt vizionit të së ardhmes drejt atij vizioni që predikonte Noli i madh, në ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës, identitetin e tyre, për të treguar se jemi një komb me botë, shpirt e mendim të lirë, ecim, jetojmë, tregojmë me pënën e krijimtarinë, organizimin e aktiviteteve me taban kombëtar e historik, se jemi aty, në tokën e mundësisë e demokracisë, dhe kjo është një arësye që ata e përkujtojnë 45-vjetorin e përjetësisë së Nolit tonë të madh. Është ndjesia më e fuqishme e krenarisë kombëtare, është aftësia e e talentit dhe penës së shkrimtarëve, ndjesitë që poetët e prozatorët i koordinojnë me ndjesitë e pararendësve të tyre, si gjënë më të bukur e të shtrenjtë të përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar ashtu si pati bërë dikur ky uragan i shqiptarisë në Amerikë.

Noli...nuk besoj të ketë patur ndonjë armik personal.
 Ai ka qënë njeri i letrave dhe i humanizmit të thellë njerëzor, në ato përmasa, sa që nga burrë shteti u bë prift. Të bëhet prift dikush, do të thotë të jetë idealist patjetër, njeri që jeton mes botës njerëzore dhe asaj hyjnore, pra, njeri tolerant, i dhimbsur për njerëzit, i gjëndur për ta,- dhe, Noli, e pati të thjeshtë krejt të vishte rason e zezë. Me dhënjen e meshës së parë në gjuhën shqipe dhe shkëputjen e orthodoksisë shqiptare nga ajo greke janë dëshmi të një kthese historike në historinë e Rilindjes Kombëtare. Noli ynë i Madh ka qënë Kryeredaktori i gazetës më të vjetër shqipe, "Dielli", President Nderi i Shoqatës Pan Shqiptare "Vatra", u diplomua në Universitetin e Hawardit, botues i "Adriatic Revieë", "Republika" dhe Përfaqësuesi i Lidhjes së Kombeve, Ministër i Punëve të Jashtëme, Kryeministër i Shqipërisë, filozof, botues dhe përkthyes i shumë veprave letrare e fetare, dhe i vlerësuar nga kritika e kohës amerikanë, në vecanti nga Presidenti Linden B. Xhonson.Një deklaratë brilante e Fan Nolit i kapërceu me të shpejtë kufijtë e mijëvjeçarit kur jetoi. Ai tha se populli shqiptar, me një shumicë dërmuese myslimane, zgjodhi në krye një prift orthodoks, sic vdiq ai.
 E ku ka kompliment më të bukur, se ky mesazh i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare që mund t'i bëjë dikush popullit të tij se sa ky? Sidomos sot, kur ngado gëlojnë përplasjet fetare?
 Fan Noli i ka kapërcyer kufijtë e kulturës së intelektualëve të kohës, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Ai është parë si një personalitet i shquar për tributet e një lideri shteti që ai i atribuoi vetes me restaurimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve mbas disa shekuj të pushtimit otoman. Jo vetëm si kishtar, historian, studiues, shkrimtar, esseist, pamfletist por edhe si një burrë shteti -bëri që atdheu i tij të njihej në arenën ndërkombëtare, duke e shquar Nolin si një arkitekt i zgjimit e dinjitetit kombëtar, besimit dhe pika e bashkimit të shqiptarëve, sidomos në Amerikë. Brilantet e tija të veprave origjinale dhe të përkthyera, janë deri më sot, të pakritikueshme nga askush.
 Si poeteshë dhe publiciste, si një adhuruese e patjetërsueshme e Nolit të Madh, do të vëreja një shëmbull të mrekullueshëm për mua, për ne , njerëzit e letrave dhe për ata që aspirojnë galaktikën e letërsisë. Në qoftë se ne i themi "çifut" dikujt që është kurnac dhe që i tërheq gjithmonë kërraba nga vetja, Noli i madh ka qënë "çifut" i fjalës së përkorë. Ai ka qënë kur shkruante , si një punonjës i arit apo i zembrekëve të orëve. Aq poezi sa na ka lënë Noli, janë, që të gjitha, të derdhura në flori, ku nuk ke kurajon të heqësh apo të redaktosh, qoftë edhe një rrokje.
 Mirëpo, Noli, Konica, Mjeda, Migjeni, Fishta, etj, kanë lënë trashëgiminë e tyre që ne jemi të detyruar t'i referohemi, si zotërues të tyre. Pra, duhet të përkulemi me nderim përditë te "Professor Noli" në përzgjedhjen dhe koncizitetin e fjalëve.Tregojnë se Noli, vetëm për të gjetur fjalën e bukur shqipe "gërdallë" , i ka shkruar letër një shoku të tij të fëmijërisë, që nga Amerika, ndërsa po përkthente Cervantesin. Dhe...kush na qe më në fund "gërdalla"? E kush tjetër, përveçse Rosinantit.Apo, tjetër. Pas luftës, kur i dërguan Nolit vepra të tjera të Shekspirit të botuara në atdheun e tij, ai, - si i përgëzoi për punën e lavdëruar me gjeniun anglez, i këshilloi nga ana tjetër duke u thënë se; " por, shqipja ka fjalë të tjera më të bukurua, more djema".
 Noli , në tërë parametrat ka qënë modern.
 Kur udhëhoqi revolucionin e njëzetekatrës, i tërë Ballkani ishte monarki, pra, në një mënyrë arkaike e të drejtuarit. Noli, krejt ndryshe, organizoi republikë vëndin e qeverisur prej tij, dhe, për më tepër, ai kërkoi të lidhej me pushtetin komunist të Rusisë së Leninit, duke vepruar me një diplomaci marramendëse. Fundja Lenini qe ai që denoncoi traktatin e fshehtë të Londrës për copëtimin e vëndit tonë, por, nga ana tjetër, në atë kohë, komunizmi sovjetik u bë aspiratë e shumë popujve, shteti qe i madh, dhe nuk ishte aspak keq të kishte edhe simpatinë e kësaj fuqie që po rritej me bum të paparë. Dhe, rrëfanën e kishte.... Noli ishte aq energjik, humanist e reformator, diplomat, njohës i shumë gjuhëve të huaja, historisë e kulturës së popujve të ndryshëm, dhe mbrojtës i flaktë i cështjes kombëtare dhe i të drejtave të patjetërsueshme të kombit shqiptar, kur fati i Shqipërisë ishte në një rrezik të madh për t'i ndarë përsëri kufijtë, ai takohet me Presidentin e SHBA-së të asaj kohe, Wilson, duke i kërkuar mbështetjen e padiskutueshme të tij dhe falë saj Noli ynë i Madh do të ndalonte masakrën tjetër që donin të bënin shtetet europiane me kufijtë e Shqiperisë. Duke e vlerësuar ndihmën e Presidentit Wilson dhe mbështetjen e patriotëve të vjetër dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, përvecse zërit të tij të fuqishëm kombëtar, në Konferencën e Parisit më 1919, ai do ndërgjësonte zgjimin e kombit, me vargjet "Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë..." Aktualiteti dhe mesazhi i këtyre vargjeve vazhdon edhe për të sotmen për zgjidhjen e cështjes kombëtare si një apel që i bëhet botës dhe Europës për më shumë vëmëndje ndaj kombit shqiptar dhe Kosovës, njohjen e Pavarsisë së saj ndërkombëtarisht. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e kombeve Fan Noli e vlerëson si një arritje nga më të mëdhatë e shpirtërore të kombit e cështjes shqiptarë.
 Kur e përzunë forca të financuara nga armiku shekullor i shqiptarëve, shteti sërb, Nolin, këtë figurë poliedrike dhe që krahasohej me kokat më të ndritura të kohës, e zëvendësoi një njeri tjetër. Ai , për fat , që nuk e kishte as kulturën, as edukatën, as bagazhin , as elegancën e të qeverisurit dhe as qytetarinë e tij , por ishte një fshatar i zgjuar dhe manovrator nga Brurgajeti i Matit, pretendenti se vinte nga familja mbretërore e Topiajve, Ahmet Zogu.
 Noli I madh u detyrua të ndahej fizikisht nga populli i tij.
 Atij nuk I mbeti tjetër, veçse atë pjesë të jetës që i kish mbetur, të vishej prift. Pikërisht në Amerikë.
 Ai e dinte se kush do të bëhej Amerika.
 Falë kishës së tij, shqiptarët e Amerikës ishin dhe janë të bashkuar më shumë se në asnjë vënd tjetër të botës.
 Nën shëmbullin e Nolit të madh i mbajnë bashkuar shqiptarët sa e sa klerikë të nderuar si At Arthur Liolini e shumë te tjerë.

Raimonda Moisiu
Hartford CT USA.

Kush është Shën Sofia… e famëshme?

PETRAQ KOTE


imagePetraq Kote




A kemi të drejtë ne pasardhësit e ilirëve ta trashëgojmë këtë kulturë të të parëve tanë të pushtuar nga turqit, të përvetësuar nga grekërit?!
 Buzeanum
Kisha e shën Sofisë e ngritur mbi qytetin 7000 mij vjeçar të Buzeanumit dardan, është vepër madhore dhe një nga mrekullitë e Shën Kostandinit ose Kostandinit të Madh, Kostandinit të I - rë nga Nishi  ( Njishi )  i Ilirisë. Kur jetonte Buzeanumi,  Serbia, Bullgaria dhe  Turqia nuk ishin këtej, në këto troje ku gjnden ngulur sot. Aty ishin ilirët.
Ai ndodhet në Euro – Azi. Si urë, si portë nga ku hyhet në dy kontinente. Me një kep trekëndor që laget nga deti Marmara dhe dy ngushtica ajo e Bosforit  dhe e dardaneleve, Dikur, quhej Briri i Artë. Buzeanumi është qyteti më i sulmuar në botë, ushtarakisht, historikisht dhe moralisht. Është legjendë ku në barkun e tij ende zihet e rrihet absolutia me relativen e përfundimeve. Popullsia e tij arriti  60000 – 70000 banorë. Në të gjeje gotë, romakë, hunë, helenë, skandinavë, egjiptianë, aziatikë etj. Popullsia kryesore ishte ajo shqiptare.
 Jo, rastësisht Kostandini i Madh ( i  biri i Kostancit dhe Irenës e bija e një hotelxhiu ) ish gjenerali i Perandorisë Romake, kryeqytetin e Romës së Re e ndërtoi mbi Buzeanum
( 326 – 330 pas Krishtit ). Nishianët e tij nuk e pranuan(!).  
Në Buzeanum  gjendej edhe guri i parë miliar ( gurë miliesh në rrugët e perandorisë Romake).
Pra ishte " kërthiza " e botës.
 Shën Kostandini                                                                                
 Ishte i njëjti person dhe personalitet ilirik.
Askush si ky perandor nuk e ka merituar titullin  “ I Madh “ dhe shenjtërimin  “ Shën “. Paradoksal, metamorfozik dhe i bindur ndaj së ëmës, ndërtoi me shpenzimet e veta bazilikën e parë të Romës Shën Jovanin në Laterano. Në vitin 312 ishte gati të ndërronte fe. Në janar të 313 Kostandini shkoi në Milano tek Licin dhe sëbashku hartuan një edikt që u siguronte të krishterëve njohje ligjore në mbarë perandorinë Romake. Në dhjetor të vitit 324 mblodhi të parin Këshill Kishtar në Nikea, me 330 pjesmarrës. “ Feja e Krishterë është feja e llumit të shoqërisë. “ bërtisnin romakët atëhere. Në vitin 326 ai i dhuroi Romës një bazilikë tjetër Shën Palin e sotëm, Shën Sebastianin. Por më e rëndësishmja ishte ajo që ndërtoi mbi kodrën e Vatikanit, kishën e Shën Pjetrit.  Pas mbarimit të këtyre detyrave ai i dha urdhër Niketë dardanit nga Dardania, patriotit të vet të kompozonte këngën e parë korale të kishës “ Te Deum “. Dhe Niketa e kompozoi.  Mantelin perandorak e hodhi krahëve pas një beteje të fituar prej tij, ku në qiell iu shfaq një kryq në ngjyrën e diellit, dmth pas qershorit të vitit 306.
Gjysma e dytë e vitit 326 e gjeti duke iu lutur bashkëqytetarëve të tij të Nishit, për ngritjen mbi themelet e qytetit, Romën e Re, por ata nuk e pranuan. Ishin dardanasit trima qytetarë te Buzeanumit ata që e pranuan dhuratën e çmuar të ish gjeneralit romak, birit të tyre, Kostandin. Menjëherë filloi ndërtimi i kryeqëndrës së perandorisë së re duke mos pritur as të nesërmen.
Kostandinopoja. Bizanti
Është quajtur edhe perandoria e turpit. Për jetën e saj  1400 vjeçare janë shkruar 1400 faqe histori ose më sakt 1400 faqe cinizmi. Një faqe për çdo një vit historie të ngjeshur. Sa turp!
Duke filluar ndërtimin e kryeqëndrës së “ Romës së Re “ Kostandini po ndërtonte qytetin që do të merrte për nder të tij emrin, Kostandinopojën. Por edhe jetën.  E nisi me ngritjen e kishës së Shën Irenës ( nënës së tij ). Pikërsht aty ku ndodhej tempulli i Afërditës e cila u martua me Ankizin e Trojës ( trojeve ) dhe lindi  prijësin ( e dinte ) e njerëzimit, Enean.
Fundin e punimeve të ngritjes së Romës së re, Kostandini i mbylli me inagurimin e kishës së Shën Sofisë ( kisha e mençurisë )
Pastaj ndërtoi “ mesean “ rrugë e gjërë e cila më vonë si edhe shën Sofia do të bëhej e famëshme. Në qëndër së cilës i ngrihej një kolonë profidi, tridhjetë metra e lartë, e rrëmbyer në Helipoli në Egjipt, vendosur mbi një piedestal mermeri 6 metra i lartë kun ë të gdhendeshin:
-          Sopatën me të cilën Noeja kishtë ndërtuar arkën.
-          Coprat e bukës me të cilën Krishti kishte shuar urine e njërëzve.
-          Shishja e pomadës e Maria Madalenës.
-          Statuja e “ të thënës “ që Enea e kishte sjellë nga Troja.
-          Në maj ishte Apoloni i Fidias me kokën e Kostandinit. Në dorë mbante skeptrin dhe në thetrën globin që brenda kishte një copë kryq.
Më 11 mars të vitit 330 u inagurua qyteti i Kostandinit.
Për t’i paraprirë kësaj ngjarje gjigante të njerëzimit të krishterë, zhvendosjesn e qendrës së besimit në kufijtë ekstremë të Lindjes Europiane, në vitin 327 Irena shkoi në tokën e shenjtë, në Betlehem, atje ku Krishti hyri hipur mbi një gomar, ku prej andej solli Kryqin e vërtetë ku u kryqëzua Krishti ( një copë u dërgua në Romë ).
Data e përfundimit të qytetit të   Kostandinit, nuk është data e thirrjes së perandorisë së bizantit. U deshë qindra vjet që ajo të pagëzohej me atë emër.
Shën Sofia… e famëshme
Siç shkruam më lartë kisha  e Shën Sofisë mbi Buzeanum, u ndërtua nga iliriku   Konstandini i Madh. Megjithëse ishte kisha e dytë, fama e saj u bë e qiellore. Atëhere Buzeanumi quhej ende Buzeanum, s’ishte shëndërruar në Kostandinopojë. Kisha ngjyrë gri u dogj më 13 janar të vitit 532. Atë e rindërtoi duke e bërë edhe më të famëshme Justiniani i lindur në fshatin ilir Bederrinë të Shkupit, hartuesi po i famshëm i kodit të të drejtave dhe lirive njerëzore.
 Justiniani
 I njohur me emrin “ Kodi Justinian “. Data e përfundimit të punimeve shënonte 27 dhjetor 537. Rindërtimi filloi më 23 shkurt të vitit 532, ku punuan mbi 10000 punëtorë. Nga Roma mbërritën 8 kolona profidi të tempullit të diellit dhe 8 të tjera prej mermeri të jeshil mbërritën nga Efesi. Pjesa e brendëshme e kishës u vesh me mozaikë të artë dhe polikrome. Magjia e kishës ishte kupola, ikonostasi prej argjendi 17m i gjatë, altari i veshur me ar dhe gurë të çmuar,
 Kisha e Shën Sofisë mbi Buzeanum në Kostandinopojë ( Stamboll )
Amvona e gjitha me mermer, polikromë dhe mozaikë, llampadarë madhështorë e të panumërt. Dhe në fund relikat që asnjë kishë në botë nuk i ruante. Bile këtu ishte dhe një enë që mbante të pa tharë gjakun e Krishtit.
Gjendeshin aty edhe mjetet e torturës që kishin përdorur mbi Krishtin si dhe pëlhurat që e mblidhnin atë të “ vdekur “
Justiniani pasi hipi mbi gurin e dalë të themelit të kishës së saporindërtuar nëpërdhëmbi:
“ Solomon, ta kalova! “
Arkitektët e saj janë Antemio i Tralës dhe Izidori i Miletit. Në këtë kishë kanë papënuar shumë papë dhe janë pagëzuar shumë perandor. Shumë prej tyre gjatë një mij e ca vjetësh jetë shpirtërore kanë vënë aty edhe kurorën e martesës. Shën sofia u ndërtua për të plotësuar kuadrin e ndërtimit, ligjërimit, jetës dhe shenjtërimit kristian. Brenda mureve të saj  janë ndodhur shumë ngjarje dhe ngjizur shumë vepra me vlera epokale botërore.
Aty ka lindur edhe kundërshtia e parë e kristianizmit “ si pushtet “. Ishin orthodoksët me në krye patriarkun Akac, më  484 që e bënë këtë akt të drejtë i cili shpëtoi njerëzimin, deri në mars të vitit 519 kur në Shën Sofi shkeli një “ dërgatë papale “.
Jovan deklaroi:
-      Kisha e Romës së Re dhe kisha e Romës së Lashtë është një dhe e pa ndarë. Duke fshirë nga ditikët emrat e Zenonit dhe Anastasit. Kjo vazhdoi deri në vitin 1054, kohë, kur ndodhi përfundimisht ndarja ndërmjet të krishterëve katolikë dhe të krishterëve orthodoks ( besimi i drejt ). Kishat u ndanë.
Shën Sofia e djegur është dëshmitare e parjes së 30 000 viktimave, të cilët u vranë pasi e dogjën kishën. Ishin Mundo ( ilir )  e Belizar ( latin ) me ushtritë e tyre ata që e kryen këtë krim të pa shëmbullt në historinë e besimit fetar kristian të mijëra e mijëra fishtë.
 Perandoria Bizantine
 Në vitin 325 pas lindjes së Krishtit perandori Romak Kostandini i Madh e shpërngul kryeqytetin e perandorisë Romake në Lindje. Kryeqyteti i ri u quajt Roma e Re dhe më vonë Kostandinopojë. Kufijtë e perandorisë së re, që më vonë mori emrin Perandoria Bizantine, ishin të përafërt  me kufijtë e “ Perandorisë së vjetrës “. Me kalimin e viteve Bizanti i humbi këto hapësira. Presioni i jashtë mureve dhe humbja e shumë luftrave ndikuan deri në rënien e plotë të kësaj perandorie lindore. Ishte viti 1453 ai që shënoi   shëmbjen e mitit “ të Orthodoksisë “
Karakteristikat kryesore të shtetit Bizant ishin:
Ndarja e krishterimit në atë pjesë që quhej Orthodoksi.
Transferimi i vëmendjes religjioze nga sfera e ndikimit  latin  në sferën e ndikimit grek dhe për rrjedhojë gjuha zyrtare latine ra për t’ia lënë vendin asaj greke.
Për here të parë funksionoi ligji modern ( Kodi Justinian ) duke realizuar reforma në legjislacion
Fillimisht, perandoria Bizantine ishte një shtet shumë etnik me organizim dhe qeverisje romake, me fe krishtërimin ( orthodoks ) dhe me arsim të centralizuar. Greqishtja mësohej në shkolla.
Shteti Bizantin luajti rol të rëndësishëm në ecjen përpara të historisë ndërkombëtare dhe pse historia  luajti një rol tejet mospërfillës ndaj tij. Bizanti si një superfuqi kontinentale  ofroi mbështetjen e tij për europianët e atëherëshm nga sulmet barbare. Mbajti dhe transmetoi në të njëjtën kohë thesarët artistik dhe grafik të lashtësisë. 
Periudhat kryesore të bizantinizmit
 Perandoria filloi të ndërtohej në vitin 324 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 565.
Në vitin 326 nisi ndërtimi i kryeqytetit. 
U riorganizua shteti. Tipikisht u bë kristian. Sistemi i tatimeve dhe taksave u bë më i drejtë.
Rrënjësisht u organizua ushtria. Në krye të saj u vunë gjeneralë të rinj dhe të zot. U ndërrua uniforma dhe armatimet. Në ushtri si dhe në zyra u pranuan barbarët.
Dhe më e rëndësishmja, perandori nuk konsiderohej më Zot.
Përpjekja e dështuar e  Julianos, të risillte fenë e lashtë.
Agona për ortodoksinë  378 – 518.
Ortodoksia si dogmë merr formë  përfundimtare në vitin 451.
Hapësira midis kishës lindore dhe asaj perëndimore u krijua në vitin 518.
Perandoria e humbi  pushtetin e saj dalëngadalë gjatë vjetëve 1081 – 1260
Humbja e pushtetit shoqërohet nga ndryshimi i vazhdueshëm i perandorëve. Kontradiktat e brendëshme vazhdojnë me një politikë te keqe. Vazhdojnë gjithashtu humbjet e njëpasnjëshme me Kroatët, Serbët, Hungarezët, Turqit etj.
 Perandoria zëvëndësohet nga shtete të vogla.
Ushtria e sulltanit Muhamet II e pushto i kostandinopojën më 1453, perandori i fundit Kostandin Paleologu vritet në betejë.
E drejta e trashëgimisë
 A kemi të drejtë ne pasardhësit e ilirëve, shqiptarët ta trashëgojmë këtë kulturë të të parëve tanë të pushtuar nga turqit, të përvetësuar nga grekërit, të harruar dhe braktisur nga ne?!
Islamizimi i trojeve shqiptare ndikoi edhe në lënien jashtë shtëpie të të gjithë arealit trashëgimor të krishterë. Realiteti i “ ri “ nuk e pranonte realitetin e “ vjetër “. Shkatërrimeve, vjedhjeve, djegieve të kishave dhe manastireve shqiptare prej otomanëve, iu shtua edhe braktisja nga pronarët legjitim, shqiptarët. Shumë prej syresh u zhdukën nga faqja e dheut dhe mbi to u ndërtuan xhami. Ato që mbetën të pa zota,  kishat katolike të Dardanisë u kthyen ne kisha orthodokse serbe, bullgare, në kisha greke. Shkatërrimi, djegia, konvertimi i tyre solli humbje të llahtarëshme në identitetin kombëtar. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve u njehësuan me turqit, serbët, grekërit, italianët. Ata
“ fare pak “ shqiptarë të mbetur në trojet e tyre në Ballkan, përpos persekutimit të tmerrshëm të pushtuesve ottoman, filluan të përjetonin edhe përçmimin e persekutimin e bashkombasve të huajzuarë. Nga Shqipëria po ngelte pak e më pak Shqipëri. Frikën e kësaj gjëme fatale e u mundua ta ndal  Lidhja e Prizrenit, por  ajo nuk mundi. Gjëma pat ndodhur më parë e përgjithmonë…

GËZUAR FESTAT E FUNDVITIT

FLORI BRUQI dhe stafi i FLORIPRESS-it ju urojne GËZUAR FESTAT E FUNDVITIT



MySpaceGraphicsandAnimations.com

Gezuar festat

Pershendetje
dhe
Urimet me te bukura
per krishtlindjet
dhe Vitin e ri

Gezuar festat
Miqesisht
Visar Zhiti

 

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...