KUR GEGËT DO TË NDIEJNË VETEN N’ ATDHEUN E VET ?!

Pershndetje Konferencёs shkencore me temё Gegnishtja sot...
                
                                                                                           IPVGjSh TIRANË
            Të Nderuem Bashkatdhetarë!
           
         Në vitin 1993 kam botue një libër,“At Pjeter Mëshkalla S.J.”. Një kopje ia pata dhurue mikut tim të nderuem, Prof. Kolë Ashtës, i cili endè vazhdonte mos me besue se mund të vinte koha me shkrue njeriu Gegënisht. Atë ditë Ai më pat tregue se kur ishte në Kongresin e “Drejtshkrimit” të Gjuhës Shqipe, që u zhvillue në Tiranë nga data 20 – 25 Nandor 1972, ditën e fundit pra, me 25 Nandor, që do të firmonin aktin e pranimit të vendimit “për varrosjen e Gjuhës Gegënishte”, Profesor Kola, që flinte në hotel “Volga” në Tiranë, kishte njoftue se nuk mund të merrte pjesë në atë seancë të Kongresit ku do të hidhte firmën e Tij, mbasi me të vërtetë kishte temperaturë, por “shokët” nga Kongresi, të drejtuem nga Androkli Kostallari, një fotoreporter dhe një përson i panjohun për Profesorin, nga ora 11.00 paradreke të asaj dite kanë shkue në hotel ku Profesori ishte i shtrimë në shtrat dhe nën dritën e një prozhektori ka firmue aktin e vendimit. Pra, edhe nëse ishe tue vdekë, Enver Hoxha, ashtu si në hetuesitë e tij, kërkonte me pa“firmat” me sytë e tij...mandej, po deshte, ti vepro ndryshe!
Ja si shkruhet për këte kongres në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë, 1985, fq. 510,: “Kongresi i Drejtshkrimit ishte një fitore e vijës marksiste-leniniste të PPSH për zgjidhjen e drejtë të problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare...” Atyne “firmave” po shohim me sytë tonë tue i qendrue “besnikë” edhe sot të gjithë ata që nga qejfi apo nga halli e frika, u detyruen me firmue...Sigurisht, kjo ishte e pranueshme për secilin që ndodhej mbrenda kafazit të quejtun Shqipni! Por mos harroni kurrë se ata Burra që ishin të burgosun apo të internuem, asnjëherë nuk i kanë aprovue ata vendime të pandershme. Për të gjithë ata që ishin jashtë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, arbëreshët e Italisë dhe Greqisë, tue përfshi edhe krahinat e Hotit, Grudës dhe diasporën e shpërndame në botë, që i kanё pranue ata vendime të atij kongresi dhe “pajtimi” i tyne me këte akt “vorrimi të Gegënishtes”, asht kenë dhe vazhdon me kenë aqsa i turpëshem e përçarës, aq antiatdhetar!
Këte e vërteton fakti që sot 70% e letërsisë shqipe e shkrueme në Gjuhën Gegënishte, nuk njihet fare nga intelektualët dhe brezi i ri, ndonse gjoja kanë mbarue edhe shkolla të nalta, por tue mos harrue se këto shkolla i kanë përfundue me librat e botuem nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, të mbytun fund e krye me rrena, mashtrime dhe me ideologjinë antiatdhetare marksiste – leniniste.
Për fatin e keq të Popullit Shqiptar me këto libra asht helmue edhe rinia jashtë Atdheut, tue fillue në Prishtinë, USA e deri në kontinentin e Australisë, sepse politika sllavo – komuniste e anadollake e çkombëtarizimit ka mbizotnue mbi botimet e librave të edukimit Atdhetar. Ajo frymë edhe sot mbizotnon në të gjitha anët ku mund të bahet fjalë me mësue Gjuhën Shqipe. Ata kanë përdorë dhe po përdorin mjetin ma të ndytë të përçamjes krahinore, fetare, kulturore, etnike, politike etj., mjete të cilat i shërbejnë shpërbamjes kombëtare.
Prof. Namik Ressuli asht ndër të parët që ven gurët e Tij shkencor të Gjuhës Shqipe të Përbashkët apo të Njësueme dhe ja çfarë shkruen për këte letersi:“Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vëndin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët, që mendojnë për Atdhenë e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë...”
(Shkrimtarët Shqiptarë, vol I, fq.12, Tiranë 1941.)
Ajo letërsi dhe ata shkrimtarë u hoqën nga shkollat në vitin 1944 nga serbo – sllavët komunistë shqiptarë dhe shumica vazhdojnë me kenë endè sot jashtë dyerëve të shkollave e institucioneve të Shqipnisë “Demokratike”. Që në vitin 1924 e ma parë, At Fishta, Luigj Gurakuqi, Don Ndre Mjedja, Mustafa Kruja, At Anton Harapi, Don Lazër Shantoja, At Vinçenc Prennushi etj., kanë punue për Gjuhë Shqipe të Njësueme, ku Gegënishtja e Toskënishtja gjithmonë bashkë, do të barazpeshonin në kandarin e drejtësisë shkencore dhe intelektuale të gjuhëtarve...Shumica e Këtyne Atdhetarve u zhduken, u vranë e u masakruen, Ata vetë dhe Vepra e Tyne në sherbim t’ Atdheut! Komunistët u munduen me zhdukë edhe Visarët e Tyne...
Prof. Karl Gurakuqi, Prof. Tajar Zavalani, At Danjel Gjeçaj, Prof. Ernest Koliqi, Prof. Martin Camaj, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nikollë Daka, Prof. Mark Dema, Prof. Namik Resuli, Prof Filip Fishta, Prof. Arshi Pipa, Prof. At Zef Valentini, Prof. Kolë Ashta dhe të tjerë, na kanë lanë aq shumë punime letrare e shkencore, sa mund të themi se janë të mjaftueshme për themelet e Një Gjuhe Shqipe Letrare.
Por e vërteta qendron e thanun në Korçë para gati 70 vjetësh nga At Anton Harapi:
“Progresistat, n’emën të kulturës së vërtetë vunë Zotin dhe Shpirtin, moralin dhe idealin në shërbim të Përparimit; sociologët dhe statistat n’emën të kombsisë së vërtetë duen të shkelin dhe të shuejnë të drejtat e idealet e njeriut si njeri, dhe mbi çdo gja të hyjnojnë e të venë egoizmin kolektiv.”
***
Deri në vitin 1992 – 93 kishte njerëz që vazhdonin mos me besue në rrugën që u hap...
Vazhdimësia sjell ripërsëritjen e historisë! Nëse intelektualët e rijë do të jenë vazhduesit e rrugës apo të labirintëve e tunelëve t’errta të pseudointelektualëve të Enver Hoxhës dhe në të njejtën kohë skllavë të firmave të paraardhësve të tyne, atëherë bashkë me Gegënishten jo vetëm asht varrosë mbarë Populli Shqiptar, por edhe e gjithë Shqipnia me Trojet e Saja!
Heshtja e sotme e shtetit asht vazhdimsi e rrugës së antishqiptarizmës.

                                                                        Pershndetje vllaznore Fritz Radovani.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit