2011-12-24

Agolli – Kadare, një duel artificial



Panairi i sivjetshëm i librit në Tiranë u shoqërua në ditët e tij më të nxehta edhe me një fushatë gazetareske sipas stilit shqiptar, stil që  karakterizohet nga mbizotërimi i shprehjes së mendimeve mbi baza hatëri, cmire, oportuniteti dhe preferencash interesi personal. Stil që imiton  shëmtuar ndërkomunikimin në politikën shqiptare. Gazeta “Sot” paraqiti në faqet e saj një lloj interviste anketë me idenë se, cili është sot më i madhi, më i lexuari shkrimtar shqiptar, Kadare apo Agolli. U pyetën disa deputetë, politikanë, disa njerëz të medias, e tek tuk ndonjë shkrimtar. Thelbi i përmbajtjes së vlerësimeve të tyre ishte pak a shumë ky: Kadare është shkrimtar elitar, princi i letrave shqipe i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Agolli është i tabanit popullor, i bën himn kombit, është i yni. Kishte edhe nga ata që thanë se të dy janë miqtë e me e të dy janë njëlloj të mëdhenj, të tjerë thanë se të dy janë servilë të politikës. Ndonjë tjetër figurë e njohur tha se nuk kam lexuar asnjërin, pasi lexoj vetëm literaturë profesionale, të artit të restaurimit. Një poet çuditshëm shkruajti se Agolli shkruan për shqiptarët ndërsa Kadare për të huajt. Ndër vlerësimet kishte edhe të tillë që, Agolli është më i madh në poezi kurse Kadare në prozë. Një akademik tha se Agolli ishte shkrimtari i tij i preferuar me nënkuptimin që Kadarenë nuk e lexonte fare,etj. Që mua si lexues më pëlqen njëri ose tjetri më shumë, mospëlqimet e  shprehura nga të tjerët, të pa arsyetuara bindhsëm,  nuk më ndryshojnë gjë në opinionin tim. Unë shijoj sipas kaleidoskopit tim, sipas shijes sime të kristalizuar nga botëformimi dhe prirja ime personale. Kur gjej vlera të reja në opinionet e tjera ia vesh ato bindjeve të mija duke forcuar opinionin individual. Përpara një tregu të tillë vlerash shikoj gjithmonë një peshore ku nga njëra anë janë popullariteti i njërit me trofe modeste, Agolli dhe nga ana tjetër janë disa trofe të larta të tjetrit përzier me popullaritet, Kadare. Kështu më duket peshorja Kadare – Agolli. Kjo më shtyn të kërkoj e të pyes: Dakord popullor Agolli, po përse nuk është kaq i afërt, kaq i ngrohtë për psikologjinë e masës ai tjetri, Kadare që ka edhe trofetë e larta vlerësuese? Çfarë e bën më të largët, çfarë e pengon mekanizmin admirues te njerëzit për t’u ndjerë i afërt te ata me mjeshtërinë e tij. Po arti? Sigurisht subjektivizmi i shijeve luan rol. Mos kemi të bëjmë me atë shkallën e vlerave ku “Mendësia Babaxhane” e përkthyer në popullaritet absorbohet më lehtë nga masa dhe “Inovativja” si më e vështirë për t’u kapur e interpretuar përkthehet në ftohtësi me më pak popullaritet, ndërkohë që merr trofe elitash?!
Mbase na ndihmon në kuptimin më mirë të kësaj dukurie shoqërore një fenomen i ngjashëm i viteve 60-70 në Francë. Atë fenomen që u quajt “Sindroma ose kompleksi Poulidor”. Në vitet 60-70 sporti i çiklizmit botëror kishte një kampion të madh, Jacques Anquetil, i cili fitoi në mënyrë absolute vendin e parë në disa vite radhazi të Tour de France. Sigurisht që kishte edhe konkurentë shumë të mirë dhe një nga këta ishte Raymond Poulidor, i cili për fat të keq asnjëherë nuk mundi të fitonte titullin kampion. Në shumicën e garave u rrjeshtua gjithmonë i dyti dhe i treti, asnjëherë të vetme i pari.
Kjo jo sepse ai nuk bëri maksimumin e përpjekjeve në një karierë shumë të gjatë, nga viti 1960 deri në 1976.Por ishte një fat i keq për Raymond Poulidor që kariera e tij koinçidoi me atë të Jacques Anquetil në periudhën e parë të fillimit dhe me atë të Eddy Merckx në periudhën e mbylljes. Konkurenca sportive mes tyre u influencua në sytë e opinionit francez si një garë mes dy koncepteve, midis të talentuarit absolut Anquetil dhe konkuruesit Poulidor, të admiruar shumë nga fansat për shpirtin e garës por i limituar përgjithmonë në arritjen e titullit kampion nga i padiskutueshmi Anquetil.
Poulidor vinte nga një vend bujqësor i Francës qëndrore. Rridhte nga një familje bujqish dhe në rrethanat e jetës në fshat i pajisur me forcë fizike dhe shpirt gare nuk arriti të arsimohej. Ushria dhe shërbimi në Algjeri e rritën duke shfrytëzuar më pas mundësitë e përfshirjes në garat aq popullore të çiklizmit në Francë. Me flokët e zinj, me shprehje fytyre babaxhani dhe trup muskuloz me dukje fshatari ishte më i afërt për mendësinë e njerëzve të zakonshëm. U dhimbsej kur e shikonin që me gjithë përpjekjet maksimale nuk arrinte dot që të vishte të paktën një herë bluzën e verdhë të fituesit të vendit të parë. Ishte një simpati popullore dhembshurore për suksesin e tij, sukses që shkonte deri te vendi i dytë, por asnjëherë i pari. Poulidor u influencua, u demoraliza nga rezistenca e gjatë e Anquetil, nga qëndrueshmëria e fortë psikologjike e tij. Janë tre raste të mirënjohura kur gjatë garave Poulidor kishte shansin që të thyente Anquetil mirëpo gaboi në racionalitetin e kohës së alteritmit të ritmit, të sprintit. Dhuntinë e mprehtësisë së ritmit të garës nuk e kishte në atë nivel sa rivali i tij i përhershëm.
Kalonin vitet dhe çuditërisht çiklisti Poulidor, i mbiquajtur tashmë “ I dyti i përjetshëm” kishte një popullaritet më të madh sesa kampioni Anquetil. Në popull kishte një keqardhje të madhe, një dëshpërim gufues për pamundësinë e fitimit të një titulli kampion nga Poulidor.
Ndryshe ishte në sytë e francezëve konkurenti Anquetil. Ai vinte nga veriu i Francës, Normandia, nga një familje ndërtuesish dhe vet studjoi inxhinjeri. Ishte bjond, i mprehtë me pamje tërheqëse, i hollë fizikisht me ambicie të qartë këmbëngulëse për të qënë fitues. Stërvitja dhe garimi i tij bazohej në kritere shkencore dhe inovative. Ai ishte në majë të teknikave stërvitore në ciklizëm, në ato të ushqyerjes dhe të rejave teknologjike të biçikletave të garave. Ai adaptoi për herë të parë qëndrimin mjaft të përkulur të trupit gjatë sprintitmbi biçikletë dhe modifikoi timonin e saj. Filozofia e tij pikësynonte çdo përpjekje të domosdoshme, racionale për fitimin e një sekonde gjatë garës. Intuita e talentit të lindur e bënte të jashtëzakonshëm kur i vetëm në krye të garës arrinte një racionalitet perfekt të ndarjes, alternimit të kohës së ritmit midis sprintit dhe pedalimit normal. Ai fitoi tetë gara të mëdha të Tour de France, por asnjëherë nuk u pa që të ngjitej e të kapërcente majën e një mali i pari. Nga kjo cilësi, racionaliteti absolut me kohën filluan ta quajnë “Zotëria Ritëm -Kohë”. Asgjë më shumë. Mbi bicikletë dhe në lëvizje ai ishte personifikim i elegancës dhe teknikës racionale. Ishte mjeshtër në rezervimin e energjive gjatë garës dhe i fuste në përdorim maksimal ato në çastet më të domosdoshme. Poulidor kish më shumë muskuj por në harxhimin e energjive ishte më pak racional.
I talentuari Anquetil iu dukej njerëzve i pamëshirshëm në egon e tij për të qënë gjithmonë i pari. Me sjellje prej fisniku, i vlerësuar për talentin e tij sportiv, nuk ia falnin, nuk ia pranonin dot, që nuk toleronte të paktën që një garë të fitohej nga Poulidor. Me gjithë admirimin e padiskutueshëm, publiku nuk e ndjente aq të afërt sesa konkurentin e tij, të dytin e pafat Poulidor. Kaq dëshpërueshëm e kërkonte publiku një fitim titulli nga Poulidor sa mbështetjen dhe popullaritetin për atë e shprehnin me fjalët “Poupou- ja jonë, ( Pupu-ja jonë)”.
Konkurenca e tyre, e dhimbshme në fatin e keq të Poulidor si nënkampion i përhershëm e ndau Francën në dy kampe. Impaktin e kësaj konkurence të Tour de France mbi shoqërinë, sociologët francezë e shikonin si emblemë të Francës së re që avanconte dhe asaj të vjetër, të traditës. Në vitin 1972 TV francez bëri një anketë me fansat e Tour de France mbi arsyet se përse Poulidor ishte aq më popullor sesa Anquetil. Nje pjesë e njerëzve me moshë mbi mesatare u përgjigjën: Ai është provincial, ai flet me një Midi aksent, (aksent nga Franca qëndrore). Disa analistë e shikonin konkurencën Anquetil-Poulidor si shprehje tipike të aspekteve të ndryshme psikologjike të shoqërisë franceze përgjatë fillim viteve 60 e fundit të viteve 70. Anquetil përfaqësonte modernizmin, simbolizonte mëndjen e kërkuesit të së resë, teknologjinë e orientuar drejt ndryshimit që transformoi Francën gjatë kësaj periudhe, ndërsa Poulidor përfaqësonte traditën shpirtin rural francez me psikologjinë e vetkënaqsisë tipike. Kështu  Poulidor ishte në rolin e konkurentit që futej në garë me besim të lëkundur humbësi, ndërsa Anquetil konkuronte si favorit i përhershëm. Gazetari i njohur anglez Alan Gayfer shprehej: Anqutil është një qytetar nga Normandia me nuancë të foluri që u ka dhënë një famë banorëve të kësaj zone. Ata kanë një veçanti që kur thonë “Po”, pothuaj nënkuptojnë “Jo”. Kur e pyeta Anquetil në Londër nëse Poulidor mund të fitonte ndonjëherë  Tour de Francë ai u përgjigj: “Po, mundet. Por po qe se unë jam në garë atëhere unë gjithmonë e përfundojë atë para atij”. Gazetari amerikan Owen Mulholland shkruante: “Jo fort e ndjeshme për konceptin amerikan, por pamja e Jacques Anquetil mbi biçikletë të jep idenë e besueshme të një qëndrimi “aristokrati të natyrshëm”. Që në çastin e parë kur seriozisht filloi të garonte arriti të kishte një sens perfeksioni gjë që të tjerëve u duhej një jetë e tërë sportive për t’a arritur”.
Presidenti francez Francois Mitterrand e shprehu opinionin e tij për kampionin Anquetil me fjalët: “E admiroj për aftësitë e tij sportive dhe shpirtin inovativ. Një krenari fisnike u shtohet këtyre njerëzve që zotërojnë e  cfaqin një talent të madh”. Në studimin e tyre për fenomenin “I dyti i Përjetshëm” studjuesit francezë Jean-Luc Boeuf dhe Yves Leonard shkruajnë: “Ata që e njohën veten admirues të Jacques Anquetil pëlqyen te ai stilin e vecantë dhe elegancën tërheqëse. Mbrapa aparencës së tij fluide, të zhdërvjellët ishte imazhi i Francës që fitonte dhe i atyre njerëzve që identifikoheshin me atë. Njerëzit me interesa modeste e panë veten te Raymond Poulidor, fytyra e të cilit me shprehje sforcuese përfaqësonte jetën e mundishme të plotësuar në ato vënde ku ata punonin pa shijuar pushim. Deklaratat e Poulidor me plot sens të mirë e ngazëllonin turmën: “Një garë sado e vështirë zgjat më pak sesa një ditë pune e rëndë në fushë”. Këto e të tjera bënin që një pjesë e publikut të identifikohej me dikë që i kish rënë në pjesë një fat i keq dhe pozicioni i të dytit të përjetshëm. Duke shkëmbyer mendime mbi këtë duel që për mendësinë shqiptare është diçka e preferuar, argetuese, por që për mendimin tim e pahijëshme, do sjell këtu opinionin e një mikut tim me shije të holla, admirues të “Piktorit të Popullit” Sali Shijaku. Piktorit Shijaku shumë shpesh i akordohej vendi i dytë, duke i mohuar të parin në konkurset e Jubileve. Me një ton humori më thoshte: “Nuk ka gajle se I Pari bashkë me venin e parë merr edhe inotin e miletit. Të dytit i ngelet simpatia, mua më del ma mirë kështu”.
Përsa i përket dy ikonave tona Kadare – Agolli, një anketë e tillë për “të parin e të dytin” mendoj se është diçka provokative, për të ndezur një duel artificial.  Aq më tepër kur vet Agolli në një rast, në filmin e "Top Channel" për Kadarenë, iu drejtua këtij më fjalët: “Të duam shumë Kadare dhe unë të vë mbi veten”. Një thënie me modesti që e afron më shumë Agollin te Kadareja. Fatmirësisht, “Të Bukurën” njeriu e shikon dhe e shijon simbas mënyrës së vet. Përndryshe do thonim se 90% e njerëzve nuk do ishin martuar, ndërsa 10% që mbeten do ishin penduar mbas vitit të parë. Kjo është diçka e pranuar nga e gjithë bota. Ndërsa përsa i përket aplikimit në politikën shqiptare mendoj se kjo gjë kërkon mundime shumë, shumë të mëdha për t’u aplikuar.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...