2011-12-18

Mimoza Erebara :"Udhëkryqi" është një tregim i marrë nga libri "Dryn me qera" i autores


Dry me qera, Mimoza Erebara
Kur Marina mbushi të tetëmbëdhjetat, lulëzoi aq përnjëherë sa ua mori mendjen të gjithë djemurisë së fshatit. Me grupe ata filluan të rrinin nga lagjja e saj, të gjuanin me gur nëpër tjegulla dhe të prisnin me durim se kur ajo do të dilte në oborr, se kush do të ishte ai fatlum që do ta shihte i pari, dhe akoma më shumë, kë do të shihte ajo. Ishte një bukuri shpërthyese, epshndjellëse që vetëm sa shtonte adhuruesit e saj dhe shtonte gjithashtu edhe cmirën e moshatareve të veta, të cilat vërtet bënin dashuri me të dashurit e tyre, por e shihnin se edhe ato lidhje që mbaheshin të forta, po lëkundeshin prej bukurisë magnetike të Marinës. Kjo nga ana e saj ishte zhdukur Brenda dhomave të shtëpisë ku nuk guxonte të dilte as në oborrin ku ajo ishte rritur, madje, i ishte ndaluar nga burrat e fisit të nxirrte kokën edhe në dritare.Një nga gratë e fisit ishte ngarkuar ta ruante natë e ditë dhe përgjigjej me kokë po të ndodhte gjë. Në të vërtetë do të kishte dashur t'u gëzohej edhe ajo rrezeve të diellit, pikave të shiut, erës së luleve, qingjave, gjithçkaje...Por nuk mundtte. Vendimi i burrave të fisit ishte i prerë. Ajo do të qëndronte e burgosur për të ruajtur emrin e mirë dhe nderin e fisit derisa ata ta shihnin të arsyeshme ta jepnin dikund. Mirëpo ata hezitonin. Bukuria e saj i bënte të mendonin se do të ishte më mirë ta jepnin sa më shtrenjtë që të ishte e mundur. Kështuqë dy nga burrat e fisit ishin nisur prej kohësh në kërkim të një rasti sa më të mirë. Sepse fisi i tyre ishte i shtuar dhe kishte shumë nevoja për të plotësuar. Toka e pakët dhe kokëforte nuk ua plotësonte dot, veç që u rrëmbente gjithë të ritë e tyre, vitet më të mira.
           Vajza rrinte gjithë ditën duke qëndisur. Kur lodhej ngrinte sytë e shuar që edhe ashtu ishin të mrekullueshëm dhe tretej në botën e saj, që ajo do të kishte dashur të ishte e plotë, të ishte trazuar nga ndonjë puthje tinzare. Kur shikimi i arrinte tej gjethet e kajsisë që përkëdhelnin parvazin e dritares, mundohej të dallonte diçka, qoftë edhe një mizë, qoftë edhe një zog, qoftë edhe një rreze, një copë qiell.Në atë çast ajo ajo bëhej më e pakapshme se asnjëherë tjetër, sikur e gjithë bota që gjallonte përjashta fërfërinte brenda trupit të saj të derdhur e të lakmuar nga sytë nepsqarë të burrave të fshatit.Në ato çaste asaj nuk i flitej, ajo sikur i shkëpuste lidhjet me këtë botë, bëhej e tejdukshme , rrezëllitëse.
           Gruaja që e ruante e shihte me çudi pa mundur të kuptojë gjë...
           Edhe pse flladi lëkundte me naze degët e kajsisë dhe një aromë e mrekullueshme vinte që andej, enigma atje, në botën që gjallonte pavarësisht prej saj, ruante gjithnjë pamundësinë për të parë. Vajza papritur u tendos. Gruaja që e ruante nuk e pikasi tendosjen e brendshme të Marinës, ajo ishte ulur në një cep të dhomës dhe po kotej, siç bënte në fakt gjatë gjithë ditës e natës për të gjithë kohën që kishte filluar të zbatohej ky vendim.Sytë e vajzës u përqëndruan në një pikë, diçka, si një siluetë iu bë se dalloi nëpër degë. Një siluetë e turbullt që mundohej të shihte brenda dhomës së errët. Nuk ishte gabuar, me të vërtetë një siluetë ndodhej në degët e trungut të kajsisë. Silueta e pa vajzën dhe buzëqeshi e para. Edhe vajza buzëqeshi. Silueta buzëqeshi përsëri e përsëri, e përsëri vajza buzëqeshi.Djaloshi ngriti dorën dhe majat e gishtrinjëve i afroi tek buzët, i puthi dhe pastaj i drejtoi drejt dhomës ku ishte vajza,duke i fryrë sikur puthja të ishte një petale, apo krah fluture. Vajza e mori puthjen. Dhe ajo veproi po njëlloj.E çoi puthjen sikur ajo të ishte një petale a një krah fluture. Në atë çast gruaja që po dremiste u përmend dhe tha:
-Marina ç'po bën ashtu?
Vajza u drithërua. Gruas nuk i shpëtoi drithërimi i saj dhe vrik u afrua tek dritarja për të parë atë që e kishte shushatur vajzën.
-Çfarë po shihje ashtu?Kush ishte aty?- foli gruaja dhe u afrua edhe më dhe pasi nuk dalloi gjë iu kthye vajzës:
-Çfarë po shihje ashtu?Do më thuash, apo t'u them burrave?- kërcënoi ajo, po vajza sikur të mos kishte dëgjuar asgjë vazhdonte të qëndronte si e mpirë.
-Ishte bjond me sy të kaltër, kaq të kaltër sa i gjithë qielli!Më mori me vete dhe unë fluturova në sytë e tij. Oh!...sa bukur ishte!...Më puthi dhe më futi të tërën brenda syve të tij ku unë gjeta gjithçka...
           Gruaja mbeti. Ngaqë nuk u besoi fjalëve të vajzës, nxitoi të dilte përnjëherë përjashta dhe të shihte vetë vendin, degët e pemës së brishtë një për një, gardhet, oborrin e madh dhe gjithë ç'shtrihej përtej atij oborri. Po natyrisht që nuk dalloi asgjë. Asnjë këmbë njeriu nuk dukej. Bile edhe fëmijët nuk ndodheshin në atë çast aty, kishin shkuar të gjithë në lumë. Ishte verë.
-Ah, më mirë të mos kisha dëgjuar gjë, me sa duket vajza paska parë ndonjë ëndërr me sy hapur- i dha karar gruaja dhe nxitoi të kthehej në dhomën-burg, ku vajza vazhdonte të qëndronte në të njëjtin qëndrim që ajo e kishte lënë pa patur ndër mend të lëvizte.Që nga ajo ditë vajza u bë si e përhumbur, ishte gjithnjë si e drithëruar. Në fillim gruaja nuk e bëri për fjalë ç'kishte ndodhur, sepse edhe vetë nuk ishte e sigurt, por më pas kur qëndrimi i vajzës nuk po ndryshonte dhe filloi të binte në sy edhe të tjerëve, u detyrua të tregonte për ngjarjen. Po ende nuk dihej në kishte ndodhur në të vërtetë diçka, apo jo.Kur e pyesnin vajzën, ajo nuk ishte më në gjendje të tregonte në kishte parë vërtetë njeri a siluetë që i buzëqeshte apo jo,dhe mendimet e burrave të fisit u ndanë në dy pjesë, një palë mendonin që ndonjë nga djemtë e fshatit që e lakmonte kishte marrë në sy rrezikun dhe kishte hyrë fshehurazi në oborrin e tyre, dhe një pjesë që mendonin se kjo mund të ishte pjellë e fantazisë së vajzës.Ata që mendonin se ishte një person real, u përpoqën që ta gjenin se kush mund të kishte qenë, por nuk ia dolën dot, sepse në fshatin e tyre të gjithë djemtë në moshë, shumica ishin bjondë dhe me sy të kaltër si të qiellit.
           Më plaku i fisit ishte tepër i tronditur, se ai e dinte që në mos një ditë , ditën tjetër fjala do të dilte nga muret e shtëpisë, prandaj hapi fjalën se vajza ishte sëmurur papritur.
           Vajza e përhumbur thellë në ëndrrën e vet duke i bërë sytë katër, para se t'ia ndërronin dhomën me pamje nga kajsia dhe ta çonin në një bimsë që shërbente si qilar pa kurrfarë dritareje, u përpoq të shquante edhe njëherë siluetën që i buzëqeshte dhe të ndjente qoftë edhe për një herë të vetme, për së largu, puthjen.Dhe e pa. Silueta ishte po aty dhe po i buzëqeshte dhe po i dërgonte përsëri puthje.Që nga ajo kohë vajza i dha lamtumirën dritares dhe pasionit për të shijuar jetën.Megjithatë, sa herë që vëmendja e grave të fisit shpërqëndrohej, ajo nxitonte të shkonte tek dritarja nën kajsi. Prapëseprapë Silueta ishte gjithnjë aty dhe gjithnjë i buzëqeshte e gjithnjë i dërgonte të puthura pas të puthurash. Me kalimin e kohës ideja se aty në anën tjetër të shtëpisë ndodhej një krijesë që e donte dhe e mbronte nga çdo e keqe, sikur e ngushëllonte. Edhe në bimsën pa dritare, e siguruar si s'ka më mirë nga syri i çdo të huaji, madje edhe i njerëzve të shtëpisë, ajo e dinte se Silueta e djaloshit bjond me sy të kaltër si të qiellit, ku ajo fluturonte çdo herë, ishte aty dhe po aty e priste, me durim e këmbëngulje.Ai do t'i shfaqej sapo ajo të mbyllte sytë.Ndërkohë plaku i fisit vdiq.Vajzat e tjera ishin martuar të gjitha në punë të tyre. Djemtë, edhe ata ishin martuar. Gruaja që e kishin caktuar ta ruante, edhe ajo kishte vdekur.Fëmijët ishin rritur dhe të tjerë u kishin zënë vendin. Për bimsën sikur nuk po kujtohej më njeri. Edhe ajo vetë sikur nuk ishte e bukur sikur në fillim, dhe burrave të fisit sikur u kishte ikur mendimi për ta shitur sa më shtrenjtë, pas kërkimesh të kota në qytet. Secili tani kishte jetën e tij. Vetëm ajo kishte mbetur pa jetë, rob e bukurisë së vet. Tundimi për ta jetuar këtë jetë sa vinte e bëhej më i madh. Joshja ishte e papërballueshme. Le të vinin në djall traditat familjare dhe emri i mirë!Le të vinin në djall vitet e burgut idiot!Ajo do të jetonte, ajo do të tregonte bukurinë e saj dhe do të mburrej me këtë bukuri, do të takonte djaloshin sykaltër, do ta puthte e përqafonte për të gjithë kohën e humbur, do të rrokullisej mbi bar, do të lahej në lumë,do të mirrte në krahë qingjat e porsalindur dhe do të lahej nën shi gruri!Po, të gjitha do t'i bënte. Sa gabim!I kishin rrëmbyer jetën padrejtësisht. Në emër të diçkaje që nuk ekzistonte. Kaq shumë vite të humbura kot, fare kot. Po jeta ka rrjedhën e e saj dhe është kokëfortë. Ajo e dinte, në mos po e ndjente, se kjo do të ishte dënimi dhe mallkimi i vetë asaj. Po ja që ajo nuk mund të vepronte ndryshe, nuk mund të shkëputej nga silueta e djaloshit sykaltër dhe bjond. Ajo do ta kërkonte vetë e para dhe do ta gjente. Askush në familje nuk e dinte se ç'bluante në këtë kohë në kokë. Të ikte, të ikte...- ky ishte bërë i vetmi mendim...E dinte se atje, përjashta në botën që gjallonte pavarësisht prej ekzistencës së saj, ndodhej dënimi i vet, sepse askush nga të fisit nuk do t'ia falte veprimin, por do ta dënonin në mënyrën më çnjerëzore, pa e pyetur në ishte fajtore apo jo. Tundimi i dashurisë së pajetuar ishte shumë më i madh.Një natë, kur hëna ndriçonte plotësisht, vajza doli në heshtje nga bimsa e vet dhe prej andej u drejtua për nga degët e kajsisë, kur vite më parë kishte parë Siluetën e praruar nga rrezet e diellit të verës. Qëndroi poshtë kajsisë dhe ngriti shikimin lart duke pritur që sytë e saj të ndeshnin në kaltërsinë marramendëse të syve të djaloshit bjond.
           Po errësira e natës ishte në vend të tyre. Ajo u përpoq shumë herë të dallonte të paktën diçka, por qe e pamundur. Kjo vazhdoi deri në mëngjes kur njeriu i parë i fisit doli në oborr dhe u çudit pa masë kur e pa vajzën të ulur nën kajsi me sy të shuar, të përhumbur dhe kaq shumë larg kësaj jete.
           Siç e kishte parashikur vajza, egërsia e burrave nuk kishte kufi. Askush prej tyre nuk u përpoq ta mbronte, t'i jepte mundësinë ta jetonte atë jetë që asaj iu mohua në mënyrën më barbare. Jo, askush.Për të gjithë fisin e tyre ishte një turp i madh që ajo kishte guxuar të shkelte mbi vendimet e pleqësisë, dhe bash për këtë edhe do të dënohej, Brenda të gjitha rregullave. Nuk kishte rëndësi fakti se ajo nuk kishte bërë asgjë, dhe askujt nuk i vinte keq dhe ta mëshironte kur mendonin se mjaftonte që ajo kishte thyer urdhërat, gjë që pot ë jetonte mund ta bënte përsëri dhe për gjëra më të mëdha.Nuk kishte rëndësi fare se në këtë rast bëhej fjalë pikërisht për më të madhen gjë njerëzoren-jetën!Kjo gjë sikur ishte lënë në harresë, ishin lënë në harresë vitet që ajo kishte qenë e detyruar t'i kalonte e burgosur më keq se krimineli më i keq, pa patur kurrë asnjë faj. Ishin lënë në harresë se ajo kishte qenë 18 vjeç, kurse tani ishte bërë 30 vjeç dhe të tërë këta vite nuk i kishte shijuar si të gjitha moshataret e veta. Për fisin kishte rëndësi të vihej në vend nderi i humbur dhe sa më shpejt, aq më mirë do të ishte.
-E kupton edhe vetë se ç'të pret- iu drejtua vajzës më i më moshuari i burrave që ishte dhe vëllai i madh.
           Vajza nuk foli. Uli kokën dhe pastaj i ngriti sytë lart. Ata ishin kaq të bukur, kaq të pafajshëm, kaq rrezëllitës...Vëllai nuk duroi dot. U ngrit e iku. Pas tij u ngritën edhe burrat e tjerë. Dolën në dhomën tjetër dhe po diskutonin se ç'do të bënin, pothuaj për të gjithë natën. Pastaj, ashtu grumbull, hynë në dhomën ku vajza po priste gjithë me ata sy aq lutës e aq të pafajshëm.
-Do të dënohesh!- i foli mbytur vëllai i madh, të cilit i takonte edhe rradha për ta bërë këtë gjë.
--Ah !...-rënkoi vajza- Nuk kuptoj përse?Përse?Përse?...Unë e dua aq shumë jetën , njëlloj si ju të gjithë dhe nuk kam bërë asgjë...As mburreshe ti, vëllai im me bukurinë time?Ç'të bëri ajo? Përse?...
-Nuk ka rëndësi- iu përgjigj vëllai- njerëzit do të thonë se ti dole dhe kaq mjafton- shtoi ai.
           Burrat nuk e zgjatën më po dolën nga dhoma, për t'u kthyer pas pak me një kazëm e një lopatë. Pa folur më ia lanë vajzës tek këmbët dhe me lëvizje të prera të kokës i bënë shenjë që t'i ndiqte pas. Vajza e nënshtruar, gjithë aq e heshtur sa ata, u ngrit, mori kazmën e lopatën në sup dhe pa e ngritur më kokën i ndoqi pas nëpër natën që po shtyhej me nxitim drejt ditës së re. Ecën gjatë, duke u kujdesur t'i dalin fshatit në shpinë dhe të mos i shikonte njeri. Njëri pas tjetrit. Vajza në mes të rreshtit të burrave që ishin vëllezërit e saj dhe kushërinjtë e saj, me të cilët dikur kishte luajtur  e kishte qeshur aq shpenguar, si të gjithë fëmijët që gëzojnë fëmijërinë. Po tani?Ata të gjithë kishin ulur kokat e nuk flisnin. E kuptonin edhe vetë se po ndëshkonin  diçka që nuk duhej, por kur mendonin se i gjithë fshati do t'u kthente krahët, dhe do t'u ndalonte të merrnin dru në mal, të merrnin ujë në burimin e vetëm, të punonin tokat e tyre që nuk do të ishin më të tyret, stepeshin dhe vazhdonin rrugën për ku ishin nisur, pa u ndalur. Ecën gjatë. Dikur ndalën. Kishin qëndruar para një udhëkryqi. Po me shenja i bënë të qartë vajzës të merrte kazmën dhe të gërmonte m'u në mes të udhëkryqit. Vajza u bind edhe ajo pa hapur gojë.Mori kazmën dhe filloi të gërmonte. Pak nga pak togu i dheut të hedhur anash erdh'e u rrit, kurse ajo filloi të zhdukej në gropën që u krijua. Me një të përplasur të duarve vëllai i madh, dhe kryesuesi i fisit, i dha shenjë të qëndronte. Vajza qëndroi. Vetëm atëherë e ngriti kokën. Fytyra i ishte lagur nga lotët dhe sytë i rrezëllinin si kurrë më parë.O, Zot!, çfarë bukurie do t'u duhej të dënonin!Pse nuk ia dhanë më qurrashit, më morracakut, veç ta linin të jetonte këtë bukuri magjepsëse?
           Po tani ishte tepër vonë për t'u tërhequr. Po me shenjë vëllai i madh i dha shenjë të shtrihej. Vajza iu bind. U shtri dhe sytë nuk i mbylli edhe kur lopatat e para me dhe filluan t'i binin në fytyrë. Vëllezërit me sy mbyllur vazhduan të hidhnin dheun e gërmuar nga Marina, motra e tyre e adhuruar, derisa gropa u mbush dhe përposht saj nuk ndihej më asnjë shenjë jete. Krejt të dërmuar prej asaj që kishte ngjarë ata morën rrugën e kthimit, pasi më parë patën kujdes ta sheshonin mirë e mirë vendin me dhe të ri, sepse të nesërmen kur të kalonin karrot e udhëtarët të mos dallonin gjë. Në fund të fundit gjithçka ishte kryer sipas kanunit dhe në fshat nuk do të guxonte t'i  fajësonte askush.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...