2011-12-24

AMANETI…!

Ose,-EDHE SYL DIDA ,E PRET NJË FJALE TE VARRI-! - Një kujtesë për miqtë e mi, në Krumë të Hasit 


– Nga Zeqir Lushaj


Interesant është jeta. Njeriu, ka detyrime të gjithanshme, nga më të ndryshmet. Për të gjallë, e për të vdekur. Bile, për të vdekurit, detyrimet e marrin një peshë, si të dyfishtë se, e kanë peshën e amanetit. Amanetet, nuk ban që të nënvleftësohen. Në traditën tonë kombëtare, amaneti është gati i njëvlefshëm, me besën e burrit, me Besën Shqiptare. Shpesh, këto të dy fjalë, trajtohen si sinonim. “Eshtë njeri, amanetqar”, - thuhet për tjetrin, e, është njësoj, sikur të kesh thanë: - “është njeri, besnik”!...Nisur nga ky konceptim, po e shkruaj këtë skicë-kujtesë,për (Vete), por, edhe për disa shokë e miq të mijtë, në Krumë të Hasit. Puna e solli që, kjo ditë, të më zërë largë, në anën tjetër të Botës, në Amerikë. Por, duke folë e duke shkruar, të paktën, e lehtësoj pak shpirtin tim!
... I ka kjo ngjarje, rreth këtu e 20 vjet të shkuara. Oda e burrave, në shtëpinë e Tahir Didës, ishte plot shokë e miq, të mbledhur, veç për qef. Në atë odë, janë bërë shumë ndenje burrash dhe shumë ahengje. Ai truell, ka qenë odë, gjithmonë. Por, këto dekadat e fundit, ka ndikue, për mirë, edhe fakti se, djali i Tahirit, Hysen Dida, i ka mbi 30 vjet që është ndoshta këngëtari më i spikatur i folklorit të Veriut. Me Rexhep Kovaçin e Lumës dhe me Rrustem Çelën  e Helshanit, janë një treshe rapsodësh që, nuk është e lehte të arrihen.
Edhe natën që po flasim, këta të tre, Dida-Çela-Kovaçi, ishin aty dhe, kënga kishte marrë hov. E, siç është normale, por, duket edhe nga kasetat që i kanë nxjerrë në treg, boshti I këngëve të tyre, është ai patriotik dhe historik, ku, Kosova zë ndoshta mbi 2/3 e repertorit...Syl Dida, ka qenë vëllai i madh i Tahirit, pra, axha i këngëtarit Hysen Dida. Një burrë i vogël nga trupi, por në këtë rast, është me vend të përdoret shprehja “i vogël, asht edhe florini”! E, Syl Dida, ka qenë një burrë flori, që më shumë i “peshonte” koka, se krejt trupi! Jo vetëm Kruma, tan Hasi, e njohin mirë emrin e Tij.Edhe katër djemtë, i ka në rrugë të mbarë...
Me Syl Didën, kam ndenjur shumë herë. I mençur, i matur,i saktë në faktet që përdorte, pa asnjë lëshim, në parimet e tij atdhetare. Kosovën e kishte pikë në zemër. Shpesh, ju thoshte
këngëtarëve: - Hajt bre, merrjani nja, qandej bre, qandej, - dhe i jepte dorës prej Kosove...
Oda buçiste dhe këngët me jehonë, ndjekin njëra-tjetrën me njëfarë rregullsie që, të krijojnë një unitet. Për Isa Boletinin,për Azem Bejten, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Ibrahim
Rugovën, për Bogdanin, Gërvallën, për Kurpalet… për cilin të duash, se, vargu është i pafund!
E, në pushimet e shkurtëra, nga kënga në këngë, bisedat janë nga më të ndryshmet. Syl Dida, mori leje, leje për me folë.
Dhe,ai burre i moshuar, u çue në kambë, si rrallë herë tjetër:
- Ndigjomëni, burra! Gjaku i derdhur për atë Kosovë,kurrë nuk mund të shkojë kot. Kjo punë, është e sigurtë.Kosova, ka me fitue lirinë. Pasha Zoten, Po! Unë, jam i vjetër,jam i lodhur. E kam kalue 80-ën dhe, e di se, nuk kam me e mrri atë ditë, po, kjo ditë, nuk do të vonohet, nuk ka se ku shkon ma andej kjo punë... Kjo dite ka me ardhe!
…I pushoi pak muhabetit. Ja shkoi njëherë dorën fytyrës.Na lëshoi të gjithëve, një shikim, si apelues (ndoshta për përqëndrim vemendje!) dhe, vazhdoi:
- Një amanet e kam për me jua lanë sonte, o burra!
Ndiej këtu, o Zeqir Lushaj, se,ju që shkrueni, nuk ju len shkrimi me i harrue porositë.
Ndiejmë o Naim Harajdini e,mire se na ke ardhë nga Suedia. Ndiejmë, o Refet Shehi!
Ndiejmëni këtu, o Hasan Peka,o Dan Gjeçi e Musa Dauti, o Avni Sheta! Ndiejmëni, o Rexhep Kovaçi, o Rrustem Çela!Ndiej ketu,o nipi im Halil Xhafa! Edhe ju, ma të rinjtë, ju lutna, me më ndije!
-Amanet, kur të çlirohet Kosova, kur Kosova të bahet e lirë dhe e pamvarune, kini me ardhë e, me ma pru atë lajm te vorri. Edhe i vdekur, atë lajm e due, atë fjalë, ju siguroj se, kam me e ndije!...
Dy pika loti u rrokullisën nëpër brazdat e faqeve të plakut e, u bashkuan, në quk të mjekrrës. Dhe, së bashku, nga mjekra, u këputën e ranë në votrën e shtëpisë, në token e Zotit, si për të na e përsëritur se: - jemi këtu, dhe: - “Amanetin, nuk e tret toka”!...
Dita e madhe, Dita e Pamvarësisë, po afron. Nuk duhet, as sesi të harrojmë që, këtë gëzim e kemi të përbashkët me varret, me varret e të parëve tanë, të breznive tona, që u flijuan për këtë ditë e, me mallin e kësaj dite. Amaneti i Syl Didës, nuk është vetëm i atij. Burrat e ditur, si Baca Syl, nuk kan fol kurrë, vetëm për veti! Ata, përfaqësojnë aspiraten shekullore të shqiptarëve... Miliona shpirtëra, përfaqësojnë!
Ta çojmë lajmin e fitores, gezimin e festes se Pamvaresie se Kosovës, edhe tek varret! Eshtë obligim, është detyrë shpirtërore, detyrë që Syl Dida,aq thjershtë e bukur, ”na e la në derë’ publikisht. Dhe, nuk ban te harrohet! Kurresesi.
Kurdo që të shkoj në Krumë, Unë, do ta kryej këtë amanet,por, jam larg, ne Amerike, ndaj, i bindur ne ardhjen shpejt te asaj dite, pres qe miqte e mije ne Krume te Hasit, ta kryejne
(secili per vete) shumë më parë se unë këtë detyrë! Ka qënë, një amanet kolektiv.
Unë, ndjej detyrë të jau kujtoj publikisht. Pastaj, secili, le ta kryej këtë amanet, siç e ndjen,në shpirtin e vet.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...