Eshref Ymeri
Sa e pabes’ kjo vdekj’ e shkretë!
Sa e pabes’ kjo vdekj’ e shkretë! / Askush s’e di se kur troket. / Të shpifet mikesh’ e paftuar, / Ta merr njeriun nëpër duar. / Ma mori dhe mua një mik / Kjo shpirtskëterr’ që s’pret dekikë. / Të merr fëmijë, nënë a babë / Dhe e panginjur kthehet prapë. / Ma mori një mik fort të mirë Kjo tinëzar’ e pamëshirë, / Kjo lugatinë surratnxirë / Që forcat sikur m’i ka mpirë.
Më 15 gusht 2011, në orën 13-30, sipas orës së Kalifornisë, më erdhi një e-mail nga Italia. Ma dërgonte zoti Luan Çarçani, një shoku im nga Vlora. Më njoftonte se miku im i vjetër, Seit Sulejmani, kishte vdekur në Barcelonë në orën 12-30 të po asaj dite (sipas orës lokale). M’u pikëllua çdo qelizë e trupit. Në ekranin e kompjuterit kërkova fotografinë e tij, kur e pati nxjerr im bir, Plarenti, në shtëpinë time, më 01 shtator të vitit 2009, kur kishte ardhur familjarisht për pushime në atdhe. Që kur mora e-mail-in e zotit Luan me lajmin e gjëmshëm që më përcillte, fotografinë e Seitit tim të dashur e këqyr nga ekrani i kompjuterit kohë pas kohe me zemër të vrarë, pa gjetur dot ngushëllim
Isha njohur me Seitin në vjeshtën e vitit 1955, kur kisha filluar mësimet në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Banoja në konviktin që ndodhej mes ullishteve të Ujit të Ftohtë. Seiti ishte nxënës i Shtëpisë së Fëmijës në atë konvikt. Sepse ishte jetim. Ai dhe të tre vëllezërit e tij (Habili, Saliu dhe Siriu) u rritën në Shtëpinë e Fëmijës sepse prindërit u kishin vdekur që kur ata ishin të vegjël. Seiti mbaroi Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë dhe më pas Institutin Pedagogjik në Shkodër. E emëruan mësues në fshatin Gllavë të Tepelenës. Gjatë një dimri të ftohtë pati marrë plevit në mushkëri. Qe shtruar në spitalin e Beratit, ku doktori i talentuar Maksut Dërrasa i pati thënë se duhej të vazhdonte kurimin një mua rresht. Por Seiti, si mësues fizkulture që ishte, nuk e dëgjoi këshillën e doktorit dhe pas dhjetë ditësh u kthye në punë. Pas ca vitesh, e transferuan në fshatin Radhimë të Vlorës. Si bëri aty ca vite pune, e ritransferuan në gjimnazin e fshatit Brataj po të rrethit të Vlorës, por shumë më larg nga qyteti. Nuk shikohej me sy të mirë nga autoritetet komuniste. Se një dajon e tij ia kishin pushkatuar komunistët për bindjet e tij nacionaliste dhe antikomuniste që gjatë viteve të luftës. Për më tepër, e shoqja e Seitit, zonja Gjyliana, shkodrane, një vëlla asokohe e kishte të burgosur për tentativë arratisjeje. Vetëm kur u përmbys sistemi komunist, Seiti arriti, më në fund, të punësohej në qytetin e Vlorës. Kur plasi kundërrevolucioni i vitit 1997, Seiti e shiti shtëpinë dhe emigroi në Spanjë. Pas shumë vitesh në emigracion, më në fund, mundi të blinte një shtëpi në Tiranë dhe kohën e kalonte herë në Spanjë, herë në atdhe.
Pleviti i pakuruar i viteve të djalërisë, qelizat e sëmura të mushkërive, për gati dyzet vjet me radhë, i kishte mbajtur në gjendje letargjie. Por një ditë të bukur të vitit 2009, ato u zgjuan nga letargjia e gjatë dhe filluan sulmin kundër qelizave të shëndosha. Shenjat e egërsimit të qelizave të sëmura, dikur letargjiane, u dukën açik kur Seiti filloi të nxirrte gjak nga goja. U vizitua në sanatoriumin e Tiranës, ku një mjek i talentuar i tha se ishte gati ta operonte me shumë sukses, por problem ishte se mungonin ilaçet e paskurimit. U kthye në Barcelonë menjëherë. Pas analizave të hollësishme, rezultoi se ai plevit i mallkuar i viteve të rinisë, paskej degjeneruar në kancer zemërak. Në verën e vitit 2010 iu nënshtrua një operacioni të vështirë. Pas një viti, vdekja e pamëshirshme e hodhi në kthetrat e saj. Siç më njoftoi zonja Gjyliana kur u ktheva në Tiranë aty nga fundi i muajit tetor, punonjësit e funeralit e kishin pyetur nëse kufomën do ta varrosnin, apo do ta çonin në krematorium. Dëshira e tij, që para vdekjes, kishte qenë që të varrosej në Barcelonë. Dhe ashtu u bë.
Prej dikujt mora vesh se një mjek i mirënjohur i Spitalit “Nënë Tereza”, këtu e ca kohë të shkuara paskej vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se të vdiste, kishte lënë porosi që kufomën t’ia digjnin në krematorium dhe hirin t’ia çonin në atdhe.
Dikujt tjetër që ka vdekur jashtë atdheut, kufomën ia kanë pas sjellë për varrim në atdhe, sipas dëshirë së të ndjerit dhe të njerëzve të familjes. Në këtë aspekt, është mjaft domethënëse një letër që Faik Konica i pati dërguar Fan Nolit:
“I shumënderuari Noli,
Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se do të ma kryeni këtë amanet”(Faik Konica. Vepra, vëll. 4, f. 288).
Rasti i vdekjes së mikut tim të ngushtë në Barcdelonë dhe rastet që përmenda më lart, më ngjallën interesimin për ritualet e pasvdekjes së njeriut, për të mësuar se si praktikohen ato në popuj të ndryshëm.
Larmia e ritualeve që lidhen me pasvdekjen e njeriut në popuj të ndryshëm është me të vërtetë befasuese. Sidomos domethënës është rituali i varrimit. Pavarësisht nga pangjashmëritë e ritualeve të varrimit, në botë ekzistojnë pesë mënyra varrimi: shtënia e kufomës në dhé, kremimi (djegia në krematorium në vendet e Perëndimit), djegia në zjarr (në vendet e Lindjes), lënia e kufomës në ajër të pastër, zhytja e kufomës në ujë.
Për qytetërimin perëndimor, mënyrë e pranueshme varrimi, siç u përmend më lart, është edhe kremimi, kurse mënyrat e tjera mund të dukeshin minimumi si të pakuptueshme. Por kjo pakuptueshmëri, të shumtën e herëve, nuk është gjë tjetër, veçse një voli, një dobi praktike. Kështu, fjala vjen, në mjediset malore dhe gurore të Tibetit, fizikisht është e pamundur të hapësh një varr, prandaj njerëzit zgjidhjen e kanë gjetur në djegien e kufomës në zjarr. Por në rruzullin tokësor ka vise, ku lindin probleme edhe për çështjen e sigurimit të lëndës djegëse. Se jo më kot zjarri rezervohet për njerëz më të privilegjuar. Në këtë rast kufomën e hanë korbat dhe egërsirat mishngrënëse. Në Tibet dhe në Mongoli ekziston një etapë e ndërmjetme, kur kufomën e presin copa-copa, mishin e veçojnë nga kockat, kockat i thërmojnë dhe pasi i përziejnë me elb, ua japin si ushqim shpendëve që grumbullohen pasi dëgjojnë tingujt e një briri. Vlerësohet si shenjë e mirë kur korbat e përpijnë kufomën shpejt e shpejt. Për më tepër, në Lindje nuk e pranojnë ritualin e shtënies së kufomës në dhé nisur nga ca këndvështrime besëtytnore: kufoma duhet asgjësuar detyrimisht, në të kundërt fryma e të vdekurit mund të kthehet mbrapsht dhe atëherë… Atëherë dalin në skenë lugetërit, vampirët, vurkollakët që nuk kanë ndonjë dallim në kulturat lindore dhe perëndimore.
Të gjitha mënyrat e varrimit shoqërohen me një ritual të veçantë. Në një libër që ka shkruar për ceremonitë mortore, studiuesi Habenshtejn shkruan se në mbarë njerëzimin nuk haset asnjë grup etnik që të vdekurin ta braktisë në mëshirë të fatit, pa kryer kurrfarë rituali mbi kufomën. Kjo praktikë është jashtëzakonisht e ngulitur dhe përfaqëson në vetvete një nga aspektet më të qëndrueshme të kulturës njerëzore
Jo rrallë ajo zbulon para nesh të dhëna të fshehta të kohëve të perënduara dhe të viseve më të hershme të banimit.
Shkencëtari anglez Frejzer (Sir James George Frazer - 1854-1941), një antropolog, kulturolog, folklorist dhe historian i fesë ky, përfaqësues i antropologjisë sociale klasike angleze, ka dhënë një kontribut të shquar në studimin e totemizmit (kompleks besimesh dhe ritualesh të kohës së komunitetit primitiv që lidheshin me përfytyrimet për afrinë mes grupeve të njerëzve dhe të të ashtuquajturave totema, që ishin lloje kafshësh dhe bimësh që as duheshin vrarë, as duheshin prerë dhe as duheshin përdorur si ushqim), magjisë dhe transformimit të besimeve fetare gjatë tërë historisë së njerëzimit. Ai është autor i një vepre me 12 vëllime që titullohet“Dega e artë” (The Golden Bough), në të cilën ka sistemuar një material faktik për magjinë, mitologjinë, totemizmin, animizmin (besimin në ekzistencën e shpirtrave, e frymëve, një element i detyrueshëm ky i çdo feje), tabutë, besimet fetare, folklorin dhe doket e popujve të ndryshëm. Kur studioi aborigjenët (banorët rrënjës) e Uellsit të Ri të Jugut (New South Wales, NSW, shtet ky në juglindje të Australisë, njësia më e vjetër administrativoterritoriale dhe më e populluar e vendit, me kryeqytet Sidnein), ai zbuloi se kufomën ata e varrosnin ose në pozicionin e tendosur shtrirë në brinjë, ose në pozicion të përthyer, ose në pozicion vertikal, ose e futnin në zgavrën e trungut të ndonjë peme që e vendosnin mbi një ngritore (ngrehë, platformë, podium, skelë) dhe e mbulonin me trarë, ose e piqnin dhe e hanin.
Studiuesi Perri pati përcaktuar prejardhjen e kombësive të ndryshme të Indonezisë dhe arriti të orientohej në rrëmujën që edhe sot është e pranishme në tridhjetë mijë ishujt e këtij vendi, duke shfrytëzuar si shenjë kryesore mënyrën e varrimit të kufomës. Ai zbuloi një lidhje shumë të dukshme mes pozës së varrimit dhe vendndodhjes së tokës së stërgjyshërve. Kështu, nëse banorët e ishullit Savu e varrosnin kufomën në pozicionin ulur dhe me fytyrë nga perëndimi, atëherë atdheu i parë i kësaj popullsie ndodhej detyrimisht në atë drejtim.
Pavarësisht nga larmia e madhe e mënyrave të ndryshme të varrimit, ato të gjitha i bashkon një gjë: në çdo ritual varrimi gjen vend detyrimisht hamendja se vdekja nuk është fundi, ajo përfaqëson thjesht një kalim në një gjendje tjetër. Në një studim që ka kryer për sistemin e varrimit të një popullsie malajase, shkencëtari Robert Herc tregon se vdekja perceptohet jo si një ngjarje disi përfundimtare, por si njëra nga fazat e zhvillmit gradual. Malajasit dhe popuj të tjerë e konsiderojnë vdekjen si një proces që fillon që në ditët e para të jetës dhe një pikëpamje e tillë gjen pasqyrim në veprimet e komuniteteve të tyre
Komuniteti kota në Indinë e Jugut kremon pothuajse të gjithë kufomën, me përjashtim të një pjese të kafkës, kurse varrimi i vërtetë organizohet më vonë, kur njerëzit binden se shpirti është shpërngulur nga trupi përfundimisht. Në ndërkohën mes këtyre ceremonive, i vdekuri konsiderohet si i pranishëm. Në këtë komunitet ai e ruan rolin e vet social deri në ditën e varrimit.
Por jo në të gjitha kulturat vdekja konsiderohet si një hidhërim shumë i madh. Indianët e Paraguajit, deri në vendosjen e krishterimit, organizonin atë që quhej velorio, domethënë ballo me rastin e vdekjes. Trupin e të vdekurit e vendosnin mbi një tryezë që e rrethonin me lule dhe aty vazhdonin vallëzimin gjatë gjithë natës, deri sa zbardhte dita.
Në ishullin Bali (Indonezi) praktikohet një ceremoni varrimi që të kujton karnavalet. Organizohet një procesion, gjatë të cilit njerëzit mbajnë mbi supe statuja prej druri me pamje kafshësh. Këto statuja janë bosh nga brenda, por pikërisht brenda tyre janë vendosur trupat e të vdekurve. Pas vdekjes, kufomat nuk i varrosin, por i ruajnë derisa të arrijnë sasinë e duhur, të mjaftueshme për organizimin e një kortezhi. Pas përfundimit të ceremonisë, kufomat i djegin, së bashku me statujat ku janë vendosur.
Nuk dihet se cila është arsyeja që njeriu, aty nga mesi i periudhës së paleolitit, vendosi të hapë varre dhe që në fillim nisi t’i vendoste trupat e të vdekurve në një pozicion të caktuar.
Natyra e shumicës së ritualeve të varrimit dëshmon se pjesëmarrësit e tyre, të vdekurit i konsiderojnë ende të gjallë dhe mundohen të marrin disa masa parambrojtëse për të shmangur plotësisht shfaqjen e tyre. Ceremonitë e kremimit mes indusëve kanë si qëllim që ta nxisin frymën e të vdekurit të niset për në vendin që i takon. Lama (murg budist) në Tibet, që merret me drejtimin e ceremonisë, para nxjerrjes së kufomës nga shtëpia, i drejtohet të vdekurit, duke i thënë se nuk duhet të duket në këtë vend dhe të shqetësojë të afërmit dhe farefisin.
Në mënyrë që të vdekurit të mos i braktisnin varret e veta, egjiptianët e lashtë, për t’i dalë përpara një dukurie të tillë, i furnizonin ata me gjithçka të nevojshme. Në fisin indian hopi, njëri nga të afërmit e të vdekurit, pas varrimit, rri një i vetëm në pyll pranë varrit dhe, në një mënyrë simbolike, ia mbyll rrugën e kthimit për në fshat, duke hequr me qymur ca vija tërthore gjatë rrugës.
Njerëzit e një fisi tjetër, në vendin e kremimit thyejnë një vorbë dhe të gjithë të pranishmit largohen me vrap drejt fshatit, pa e kthyer kokën prapa. Të gjallët ndjekin rrugën e tyre, kurse të vdekurit ndjekin një tjetër rrugë. Ata mendojnë se një ritual i tillë i ndihmon dhe prandaj këtij fisi fantazmat nuk i krijojnë ndonjë shqetësim.
Rituali, sipas të cilit, pas vdekjes së burrit, gruaja duhet të sakrifikojë vetveten, lexuesve të kujdesshëm duhet t’u kujtohet nga një ngjarje që Zhyl Verni (Jules Gabriel Verne - 1828-1905)e përshkruan në librin me titull “Rreth botës për 80 ditë”. Sigurisht që në këtë mes nuk kemi të bëjmë me një trillim të ngeshëm të autorit se në përmbledhjen e ligjeve në sanskritishte, në kreun që u kushtohet vejushave, haset një fjali e tillë:
“Vejushës i takon ta djegë veten mbi trupin e burrit të saj”.
Një ritual të tillë e kanë pas praktikuar gjermanët e kohëve të lashta. Në një legjendë gjermane thuhet se Brunhilda u shtri mbi zjarrin, ku po digjej i shoqi i saj Sigurdi, ama jo me detyrim, por në shenjë dashurie.
Mes trakasve praktikohej poligamia, prandaj, kur vdiste burri, lindte problemi se cila nga gratë duhej të sakrifikonte vetveten. Zakonisht fillonin diskutime të pafundme se cila kishte qenë bashkëshortja më e dashur e tij dhe kur, më në fund, arrihej kompromisi, të përzgjedhurën e uronin në një mënyrë solemne dhe njerëzit më të afërm të saj e mbërthenin brenda varrit të të shoqit.
Aborigjenët e Australisë së Veriut i varrosin të vdekurit në tokë, duke krijuar një kulm të madh dheu mbi varr, të cilin e ngjeshin me tokmak gjatë valles mortore. Fisi bavenda në Afrikën e Jugut, të vdekurit i lë në shtëpitë e veta. Në vise të tjera për të vdekurit ndërtojnë shtëpi të veçanta. Në Filipine këto shtëpi i ndërtojnë me tulla të posaçme. Maronitët e Libanit shtëpitë për të vdekurit i ndërtojnë prej guri, kurse në Madagaskar përdorin lesh dhe eshtra. Fisi ovimbundunë Angolë, të vdekurit i fut nëpër shpella, kurse ca fise malësore në Indi të vdekurit i lënë thjesht mbi dalëzat e shkrepave. Fisi santi-siu i qep kufomat në një lëkurë dreri ose bualli dhe i var ato në majat e pemëve. Në disa vise parapëlqejnë t’i hanë të vdekurit e vet, duke menduar se është më mirë të prehesh në stomakun e një miku sesa në dheun e ftohtë. Në Uellsin e Ri të Jugut, aborigjenët i pjekin ngadalë të vdekurit në zjarr, derisa mishi të tymoset siç duhet. Në ishullin Bali, të vdekurit i djegin në kulla të posaçme, duke e shoqëruar procedurën me një ceremoni të komplikuar dhe të zhurmshme. Në pjesë të tjera të botës, kufomën e djegin në cilindra të mëdhenj në shtëpinë e të vdekurit ose në krematoriume të posaçme.
Në brigjet e lumit Gang ngrihen platforma prej guri, në të cilat indusët, pasi i lajnë kufomat në lumë dhe i lyejnë me vaj, ndezin zjarre për t’i djegur. Qëllon që në vend të zjarrit të përdorin ujin, si në Tibetin Lindor, ku kufomën, së bashku me një peshë, e flakin në lumë, apo si në Skandinavinë e lashtë, ku të vdekurit e kamur i vendosnin në një varkë të lehtë që e lëshonin në lumë për ta marrë rrjedha me vete.
Larmia e ritualeve që praktikohen pas vdekjes së njeriut në vende të ndryshme të botës nuk mund të mos na befasojë. Dhe kjo për faktin se gjithsekush ka një përfytyrim të caktuar për vdekjen. Por të gjithë janë të bindur se vdekja është një bashkudhëtare e përjetshme e jetës dhe kësaj të fundit nuk i ndahet për asnjë çast. Por ka një dallim thelbësor mes tyre. Filozofi i shquar gjerman Niçe (Friedrich Wilhelm Nietzsche - 1844-1900) thotë:
“Ekziston një e drejtë, sipas së cilës njeriut mund t’ia marrim jetën. Por nuk ekziston ndonjë e drejtë, sipas së cilës mund t’ia merrnim vdekjen”.
Gjithsekush nga lexuesit e nderuar mund të habitet me këto rituale varrimi që praktikohen mbi rruzullin tokësor. Në botën e krishterë (katolike dhe ortodokse), veç ritualit të shtënies së kufomës në dhé, praktikohet edhe rituali i kremimit. Kur kam qenë student në Bashkimin Sovjetik në vitet 1959-1961, kisha dijeni se në Moskë funksiononte krematoriumi. Në botën myslimane, me aq informacion sa kam, nuk njihet rituali i kremimit. Por për vendin tonë, ku sipërfaqja e tokës së punueshme është shumë e paktë, varrezat sa vijnë e po e zgjerojnë me shpejtësi sipërfaqen e tyre. Mendoj se autoritetet shtetërore duhet të mendojnë seriozisht për krijimin e një mendësie të re në radhët e popullit tonë, në mënyrë që edhe ne, me kalimin e kohës, të mësohemi dhe ta praktikojmë edhe ritualin e kremimit të kufomave, sidomos në qytetet e mëdhaja, duke filluar nga Tirana. Autoritetet shtetërore duhet të kenë parasysh se idenë e ngritjes së krematoriumit në Tiranë e ka hedhur i pari Faik Konica që në vitin 1921.
Në mbyllje, të gjithë atyre që janë të pasur apo të varfër, të lumtur apo fatkeqë, dëshiroj t’ju kujtoj një fjalë të urtë franceze:
“Nëse dikur do të mendosh se je njeriu më i lumtur në botë, bëj një vizitë në varreza. Por edhe kur të mendosh se je njeriu më fatkeq në botë, shko përsëri atje për një vizitë”.