2011-12-25

Aty, në kryqëzimet e universit


Alma Begaj, ka lindur më 21.12.1968 në qytetin e Beratit, banuese në Durrës. Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në qytetin e Lushnjes, të mesmen artistike për muzikë në degën fagot e ka kryer në Fier. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan dega Edukatë Qytetare.

BOTIME:
Në  tetor 2011, del nga Shtëpia botuese “KUMI” cikli i parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”.
Në nëntor 2011, nga Shtëpia botuese “VLLAMASI”, del cikli i dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”.

DRITË NGA DASHURIA

Rrufeja
çan qiellin.

E vret në errësirë
qiririn e natës’.

Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!

Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.

Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!


NATË

Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.

Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.


TROKTH

Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.


NJOHJE

Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!


MES SHPIRTIT DHE MENDJES

Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,

Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.

Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.

E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.


EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK

Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..

E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..


GRIMCA

*
E shëmbe dheun
nën çapin që po hedh.
Hije plot nur fytyra.

*
Je midis grimcash
të së përditshmes.
Bukur plotësohemi.

*
Më mungojnë yjet.
Kur u vodha buzëqeshjen,
në pus i hodha.

*
Me duart e mia
trazova valën e ujit
dhe jashtë, u turbullua pasqyrimi.
Sytë e tyre, më thanë lamtumirë..


ÇUDI..

Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..

Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..

Pse më zgjodhi mua?


TA HUMBA FYTYRËN

Në sy humba pamjen,
dhe errësira u mbush me dritën tënde.
Në skajin e heshtjes së shkretëtirës së brishtë
dritën e agimit thekove,
dhe era e detit i mori krahët e mi,
kur uji yt, hyri në mua.


MBRËMË

Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.

Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.

Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.

Sonte do të vish?


THESARI

Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.


NDËR LOT..

Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.



DY NË NJË

Dy zemrat që dashurohen
janë,
si dy orë magnetike
që lëvizin në një drejtim,
me kahje të nxehta,
sepse është një impuls i vetëm
që vepron në të dyja.
Një forcë e vetme
i përshkon ato.
Ndjenja!


KLITHMË

Brenda një pakoje
heshtur rri e kaluara
dhe mban shpresat e së ardhmes.

Klithje të lehta dëgjoj
në rrugën e vështirë
ku në strehën time yjet rrinë në sfond.

Kthesat lëngojnë
në qerren e ngarkuar
e përpjeta mbetet për t'u jetuar.

Klith drita në buzëqeshje dhe lotë!


UNË ATJE DO TË PRES

Pika uji në dritare,
kur ti mendon se unë jam larg,
duke i lënë mendimet
të rrëshkasin qartë.

Të gjitha ujrat
në det do shkojnë:
kujtimet e mia dhe mendimet e tua
le të shkojnë në qiell
për të formuar retë.

E, unë, atje do të pres
të bëhemi bashkë
për gjithnjë.


ZEMRËS

Dashuria, si një valë
që shkatërrohet përmbi shkëmb,
me zemër të fortë
këput e thyen gjembat
që depërtojnë thellë shpirtit.


NJË TJETËR KOMPLOT

I njoh peripecitë e kohës
që, pamëshirshëm dhe pandalshëm
e asnjëherë, nuk vonohen të më vijnë.

Në breg të detit tim, vështrimin tres
e, një dremitje, ose një shenjë
më sjell përsëri në agim të dritës,
e, me shkëlqimin e aureolës së saj,
unë ende mund të krijoj
një tjetër model qëndisje qetësie…


ZEMRA E FJALËS

Zemra e fjalës
zvarritet drejt qendrës së mendjes
të përcjellë në çdo ind të lëkurës
jetën dhe gjakun…

Je ushqim për Rilindje
në krahët e një ëndrre
ku jetojmë të dy.


KRYQËZIMET E UNIVERSIT

..çdo gjë është një frymë,
është sy-prekje,
madje edhe lëkura jonë..

Jemi emra të spërkatur nga
pluhur yjesh dashurie
në gjithësinë e udhëkryqeve të universit.

..gjithësia është një dehje dashurie,
dritë për errësirën,
melodi që qëndron në zemër
dhe vjen për të pushuar në buzë..
Aty, në kryqëzimet e universit.


NDJEJ PAQE TANI

Paqe ndjej tani
sepse në zemër më jeton
gëzimi që më dhurove ti.

Je buzëqeshja ime e munguar
që gushtin ma ç’ekuilibroi.

Je, krahët e fluturimit,
drita që flatroi në sytë e mi.


RA MBRËMJA..

Në fijet e errësirës
po varen fenerë yjesh,
dhe dritat qeshin vetminë
e hijeve që ecin natës.

Mjegullnajat e kujtimeve
shpërbërë prej yjësisë,
përshkojnë realitetin e shfrenuar
në humnerat pa ngjyrë.

Skajet e natës
ndritur mbi maja qiparisash,
këndojnë nina-nana
në gugatjen e sqepit të vjeshtës.


FESTË PA FLAMUJ

Festë pa flamuj,
pabukësi e uritur
në sy pa shkëlqim,
varfëri
edhe në sofrat e pasanikëve,
kafe që t'mbet në fyt,
diell i ftohtë në perëndim
që errëson qoshet e shpirtit
e verbon foshnjat ende pa lindur,
kafshë rimishëruar sërish
në zanafillën e kafshës..

Në festën pa flamuj,
ndjehem copë copë,
e më shumë se aq,
mbushur me dhimbje,
dhimbje fizike e përtej saj..

Ka festë??


ALPINE

Në harkun e horizontit
në verilindje …
në shkëlqimin e vesës
së agimit …
ylber ngyrash nga rrezet
e diellit,
sillmë mua parfumin
e luleve,
nga vendi më i bukur i tokës:
Alpine!


MES HESHTJES PA FUND

Jam
zëri i fragmenteve
të vogla,
që sjell
poezia e shpirtit,
kur  mbledh
emocionet,
mes heshtjes
pafund..!


JO, TI NUK JE..!

Sytë e shpirtit
në mëshirën e buzëqeshjes time,
gabojnë në horizontin e dritës.
Boshllëk i humbur,
ku unë vrapoj e mallkuar
në rrjedhën e kësaj kohe.
Jo,
ti nuk je..!


TI

Ti,
shihmë,
e do të kuptosh
shpirtin tim-si deti,
merri  ndjenjat e mia-si vela,
tej e mbanë  bjeri detit tim,
e mbytu ëmbël!


TË DHUROJ

Shiko në sytë e mi,
e, hyr brenda shpirtit tim
e, shih si ta dhashë
ngrohtësinë e diellit,
qysh ta dhurova
pafundësinë e detit,
si të jeshilova
me t’gjelbrën e natyrës,
e, me të mrekullueshmen e botës;
Dashurinë time,
ëmbëlsisht ta fala!

Haj’ t’i  gëzojmë   ditët
e pranverës që po lind!


ORKIDE

Parfumi i kujtimeve të vjetra
mendimet më prek
në faqen e shpirtit.
Orkidja delikate
trupin zhvesh,
e, mbështillet
me rrezet e ëndrrave,
turpshëm bën dashuri.


FORMA E UJIT

Ndërsa ndjej
ajrin në butësinë e lëkurës
që dridhet
si nxehtësia e horizontit
në sytë e tu,
pyes veten nëse yjet
janë aq larg
apo vetëm shndrijnë
të veshur me argjend
kur duart e mia janë brenda teje
për t’i dhënë formë ujit..

Rrjedh jeta në errësirë
për të ndriçuar
shkëmbin e gërryer.


AUTOSTOP

Në Hënë
shkova me autostop.
Elefanti  ndali
në rrugën e Qumështit
të puthte Arushën e Madhe.

Unë,
mbeta në Hapsirë
në pritjen e taksisë
për kthim,
në Ishullin e Shpresës.


ERDHA PËR TË MOS IKUR

Erdha,
erdha për të mos u zhdukur..
drita s’majfton në galeri.
Nuk thoh asgjë,
askënd…
këtu ishim më duket
ndoshta s’e di
errësirë është
e, s’majfton drita në galeri.

Unë erdha,
erdha për të mos u zhdukur më
në jetën pa energji,
dhe ti,
mos u vendos para rrezikut
në netët me parfum “kurthi”
në errësirë..

Erdha për të mos ikur
Nëse e ikur s’kam qenë,
Mbi shpatullat e dritës
Ma sill një fije drit-Hënë.


Ç’FAJ KAM UNË?

Ёshtë ajo,
vetja jote
e vërtetë,
krejt e zakonshme
pa sqimë,
e egër,
tinzare,
njeringrënëse:
ç’faj kam unë
që shoh përtej teje?


KËMBANA MË ZGJOI

Ra këmbana e fundit.
Heshtje..
Mbeta
me pështymën në fyt
e gëlltita çastin
në ankth prita
e ti nuk erdhe.


MOS MË NDAL

Dashuri,
mos më dëno në fatin tim,
mos më ndal!

Më mbaj  hapur
në të gjitha  stinët
të fluturoj!

Bëj  të rri mbështjellë
në krahë të mëdha,
të ngrohtë!

Mos të fle më gjumë
gjatë dridhjeve të pulsit.
Infektomë
me  gjithë pasionet,
e, të fle, mbi jastëkun tënd epshor.

Kur të shtohet ritmi,
në dashuri dhe pasion
merr  çdo gjë timen 
dhe mos më lëndo! 

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...