Poeti Përparim Hysi u lind më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit.
Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe në vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arsimit të lartë për gjuhë letërsi. Për pamundësi botimi ( për shkaqe biografie) filloi të botojë vetëm në vitet e demokracisë. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë” me dashurinë”. Ka përgatitur për botim librin”Bluaj në mokrat e kujtesës”. Përveç poezisë shkruan prozë, kritika, esse. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.
Tregim
Nga Përparim Hysi
Unë
kisha dëgjuar që në fshatin tonë, Petovë, kish ardhur një hoxhë. Kish
ardhur dhe qe nga Çamëria. Kur e dëgjova këtë as kisha parë hoxhë me sy,
por nuk dija se ç'ishte Çamëria. Dëgjova dhe isha i vogël. Aty,
praviteve '50-të, në mbylljet të vitit shkollor arrita që ta shoh këtë
hoxhën tonë nga Çamëria. Do të thoni ju po pse s'e kisha parë më parë?
Së pari, që ky, hoxha ynë, u shërbente 7 fshatrave aso kohe dhe xhamia
që kish Petova që mu në të dalë të fshatit kur shkoje nga
Petova për në Fier. Nga shtëpia ime xhamia, donte nja dy orë të mira
dhe, veç kësaj, si të ardhur nga Skrapari ne s'para bëheshim me hoxhë,
se qemë bektashinj. Klerikët e Bekatshinjëve janë derivishët dhe
Baballarët. Kështu që në shtëpinë tonë, ia grahnin si mysafirë, më tepër
dervishë e Baballarë (sado larg prej tyre, ne), por ata e ndiqnin edhe
larg grigjën e tyre. Natyrisht, këtyre klerikëve, si besimtarë të
devotshëm kurrë nuk ua linim pa paguar detyrimet si besimtarë. Majfton
që t'ju kujtoj një fakt: nuk kishte shtëpi skraparlie që ishte vendosur
në Petovë, pa mbjatur për të nxjerrë nga dimri gati nga 10 kokë të imta
që figuronin për iks teqe në Skrapar.
Por,
pse po zgjatem? Hoxhën e pashë aty nag viti 1950, në ceremoninë e
mbylljes së shkollës. Pra, ka qenë qershor. E pashë dhe e mbaj mend
mirë: me atë mantelin e gjatë, sado që qe verë, me çallmën në kokë që qe
e ndryshme nga sarëku që mbanin derivishët apo dhe Baballarët e teqeve.
Ata, përgjithësisht, sërëkun e çallmës e kishin me jeshile, kurse kjo e
hoxhës qe e bardhë. Po kam arsye më madhore që e mbaj si të gjallë atë
ditë portretin e hoxhës. Përjgegjësi i shkollës (Petova, sado e madhe
vetëm fillore kishte, se qenë vitet e para të mbasçlirimit), mësuesi
Sotir Meço kish krijuar një traditë të bukur: në mbyllje të vitit
shkollor, vinin që të gjithë prindërit tanë, me burra, gra, fëmijë dhe
bëhej si një festë e bukur. Njerëzit-arsimdashës që të gjithë- gatunain
gjellët tradicionale dhe si në një dasëm të vërtetë kërcisnin këngët e
vallet. Kjo ceremoni gjante me një dasëm të vërtetë, po të shtosh dhe
faktin tjetër, se e gjithë ceremonia shoqërohej me sazet që Petovës,
ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, nuk i mungonin. Sotir Meçoja (sa
mirë që rron ende). Jo vetëm rron me gjithë të shoqen, mësuesen time,
Dhoksinë, por ky, Sotiri mbajti fjalën e tij përshëndetëse në përurimin e
librave të mi, vjet, në maj, tek biblioteka e qytetit të Fierit ) qe
shpirti dhe "ilaçi" i këtyre ceremonive. Kish ngritur një presidium, ku, veç tij, qenë dy pleq të moçëm dhe, patjetër, hoxha se 95% e popullësisë së Petovës janë myslimanë.
Ceremonia
fillonte me një fjalë përshëndetëse të përgjegjësit të shkollës,
përmëndëshin nxënësit shëmbullorë dhe, pastaj, kalohej në recitime nga
nxënës të ndryshëm. Por dhe në këtë ceremoni, dukej dora prej
organizatori të mësues Sotirit. Mua, si nga Skrapari, më kish dhënë për
të recituar një poezi luftarake. Sa me qejf e recitoja
dhe me sa pasion. Edhe sot atë vjershë nuk e kam harruar. Jo vetëm kaq;
vjersha që do bëj të njohur për lexuesit, është recituar dhe nga dy
fëmijtë e mi dhe deri tek mbesa, Jola në Shkodër, sot paramaturante
honor në një gjimnaz privat. Ja dhe vargjet e vjershës:
"Dua të jem ushtar
Të kem pushkë në dorë
Të më thonë luftëtar
Të fle në dëborë.
Se atje është nderi
Për çdo shqiptar
Jam foshnje,i mjeri,
Por jo frikacak..."
Natyrisht,
unë e shoqëroja me gjeste poezinë time dhe kur dëgjova duartrokitjet,
mënd zura qiellin me dorë. Për një shokun tim, që gjyshërit i kish pasur
hyzmeqarë tërë jetën, mësues Sotiri kish zgjedhur një vjershë të bukur.
Kur shoku im, recitoi dhe, mes tjerash, arriti tek vargjet:
"Këmbëzbathur/bythëçjerrë/punoj vetëm për të tjerë/... njerëzit ranë
përmbys nga gazi. Por edhe më: radha i erdhi shokut tim të ngushtë,
Zenelit.Zeneli ishte djali i madh i hoxhës. Dhe mësues Sotiri,
pikërisht, këtij djalit të hoxhës, i kish dhënë vjershën "Po kërkoj
ilaç". Zeneli prej natyre është shumë hokatar dhe filloi:
"Më zuri sëmundja dhe u leqendisa
Dhe botën të tërë, për ilaç gjezdisa.
Pyeta një plakë që kisha në mëhallë
Më
tha:-Je ograndisur se ke shkelur djall. Plasi një e qeshur që hajde ta
mbaje njerëzinë, por Zeneli as që e humbi toruan, por e ngriti zërin dy
oktavë mbi gjindjen dhe, sikur ta kish porositur njeri, iu drejtua
hoxhës, të jatit:... dhe i rashë në gjunjë, aman Efendi!? Ky shpejt
nxori dividin, më jep hajamali. Të gjithë sy e veshë nga hoxha. Hoxha,
mozollah se e bëri veten, por ndiqte të birin që vazhdoi:
-Na këtë "fletë" dhe thua se u binde
Se ty, mor evlat, të kanë zënë xhinde!!!
Por edhe hoxha, shkoi ashtu si shkoi
Sëmundjen që pata, as ky s'ma shëroi.
Gjindja
prapë ra përmbys, por hoxha as që e prishi terezinë. Vonë, shumë vonë
arrita që ta njoh më mirë, këtë klerik që qe aq i ditur.
* * *
Kur
u mbyllën objektet e kultit, unë isha ushtar në Shëngjin dhe kam
treguar për priftin e Lezhës që nuk pranoi të hiqte kryqin nga vila e
tij. Kur pa që e hoqën frocërisht "vullnetarët e Enverit", prifti u
tha:-Po unë kryqin e kam çetu-duke shënuar mbi zëmër. Kur u lirova, në
fund të vitit 1967, u emërova mësues në fshatin tim, në Petovë. Me
hoxhën miqësia ime kish filluar me faktin se unë, djalin e madhdh të
hoxhës, atë, Zenelin e "po kërkoj ilaç" e kam pasur dhe e kam mikun tim
më intim. Zeneli u bë agronom i mesëm dhe shërbeu deri sa doli në
pension që nga Levani, në Pyjore dhe në Petovë për shumë kohë si
brigadier. Hoxha, kur i mbyllën xhaminë, kish bërë pak a shumë atë
gjestin e atij priftit katolik: ua kish dhënë çelsat e
xhamisë,"vullnetarëve", dhe qe mbyllur brënda në shtëpi. Kur kishin
ardhur dhe i kishin thënë:-Hajde, folu të rinjëve dhe thuaja që ju,
klerikët, kini gënjyer, ju tha:-Unë vdes si besimtar tek Perëndia dhe
kurrë nuk e mohoj atë (perëndinë), pa të rinjtë le të bëjnë siç u thotë
partia.
Meqë
u emrova në fshat, gjithmonë do të kaloja mu tek pragu i shtëpisë së
hoxhës. Sado që e kish hequr "veshjen", të gjithë i thërrisnin, Efendi.
Dhe unë kështu i thirra. Deri ditën që vdiq. Qe goxha burrë i ditur, dhe
kurrë nuk hiqej si i tillë. Dinte të bisedonte me çdo njeri dhe me
zgjuarësinë natyrale që kishte, dinte të ruhej dhe nga "fuksat". Isha
prezent kur kish ardhur një nga "ata?!". I kërkonte (gjasme) t'i
shkruante një nuskë për të birin që "ishte sëmurë (pas mbylljes së
xhamisë, de) dhe tek kundroja Efendinë se si do ta zgjidhte këtë "nyjë
gordiane", dëgjoj që t'i
thotë:-Po ku di unë nga "nuskat" Usni?! Po unë atë punën e hoxhllëkut e
bëja nga e "keqja" se kam 5 fëmijë për të ushqyer, pa fmilët Usni t'i
shëron partia ty dhe, kur vuri re se ky Hysniu (Usni në Çamrishte), kish
ulur kokën, Efendiu më shkeli syrin. Usniu u ngrit e iku me kokën të
qethur. Kur ky, Usniu, e theu qafën, dëgjova t'i bërtiste të shoqes,
Lirisë:-Gjerbna dhe ndonjë kafe mua e Papit, por pa sheqer, se, sa
përcollëm "xhenazenë" (qe fjala për Usninë, fuksin,de!).
* * *
Pothuajëse
dy-tri herë në javë ktheja tek hoxha. Tani ai e kish prerë daljen dhe
vetëm lexonte. Një ditë, e preu bisedën, dhe pashë që mori shkallët dhe u
ngjit në tavan tek koridori. E ndoqa me sy. Atje në tavan, kish një si
dritare të fshehtë, që, pasi e largoi, hyri në të. Kur zbriti, kish në
dorë dy libërtha. E dinte maninë
time për të lexuar dhe më tha:-Po të jap këto dy "ilaçe", janë nga to
që kërkoi "Usniu" dhe qeshi. Mbaroi dhe m'i kthe prapë. I mora i gëzuar
dhe tek i shfeltoja në shtëpi, qenë as më shumë dhe as më pak: revista
"Kultura Islame" dhe ajo që më bëri përshtypje "Hylli i dritës". I
lexova me qejf dhe tek po i ktheja (e merrja me mend që ai do kishte
"barut" tjetër atje tek kthina e fshehtë), i them:-Efendi, mirë "Kultura
Islame", po "Hylli i driës" si e paske rujatur.
Dhe
ai:-Eni, po ka njerëz më të ditur se ata, katolikët?-më thuaj. E di
ti,- më tha, se edhe në Kongresin e Manastirit, ata vunë dhe vulën.
Pastaj më dha prapë një
fashikull tjetër nga "Hylli i dritës". Aty lexova dhe atë
polemikën:-Gabove, Hilë! A di ti,-më tha,- që atë AT Gjergj FIshtën
italianët e kanë pasë bërë akademik. Po a din ti, që në atë kongresin e
Manastirit, Hafuz Ali Korça e ka marrë në grykë këtë, Atë Fishtën, se ka
lëshuar pe, për të arritë tek ki alfabeti që kemi. Dhe unë, dalngadalë,
së bashku me Efendinë po bëhesha "katolik". "Ilaçin" ma jepte Efendiu
që e kish fshehur në tavan. E pata parë, Efendinë që mbante mardhënie të
ngrohta (pa u prishur kishat e xhamitë) me Imzot Irinea Banushin,
rektorin e madh të Manastirit të Ardenicës dhe me Imzot Atë Polizoi
Ikonomi, prelatin e kishës së Fierit.
I pata thënë:-A e lejon Kuh'rani miqësinë e një prelati mysliman me të
një fej tjetër. Dhe ai, si burrë i ditur që ishte, më tha:-Edhe Imzot
Irenea edhe At Polizoi janë si Universitete me vete. Të ditur si ata. Po
të kishte sinodi i krishterë nga këta prelatë dhe besimi i njerëzve do
të qe më i madh. Dhe përsëri më dha një "Hylldrite". Kur po më
përcillte, më tha:-Unë jam hoxhë, por, vallaj-billaj, këta katolikët (e
kish fjalën për kelrin katolikë) e kanë bërë
beli: vetëm ata e pranuan fashizmin me konditë që të ruheshin simbolet e
kombit. Janë më patriotë, më të ditur,- pse do t'i vijmë anës. Por ti
di të lexosh, lexoj dhe do të shohësh. Kanë hapur shkolla dhe, kur Zogu i
mbylli këto shkolla, ata (klerikët katolikë) bërtitën:-Të rrojë
Shqipëria dhe pa ne klerikët. Po ku u numërohen veprat e tyre në të mirë
të kombit?
* * *
Sapo
kish dalë libri "Gjylistani e Bostani" dhe me atë në dorë, drejtohem
tek Efendiu. Unë e kisha mbaruar me një frymë dhe ai, sa ma pa në dorë, u
gëzua si një fëmijë kur i dhurojnë
një lodër të dashur, më tha:-U dija, e nxorën. E di që e ka përkthyer
Vexhiu. Ti,- më tha,- nuk e njeh. Vexhiu i ka të rrallë shokëlt nga
dituria. Është i ditur si këta, "katolikët",- më tha,- por ai veqili i
Gjinokastrës (nënkutpo Enver Hoxhën), e ka çuar faturist tek diqani i
berberëve në Berat. Më përqafi dhe troç fare më tha:-Eni, me këtë libër,
përcillu! Dhe nuk ma dha më. Por, kur shkova pas një jave-dy rrugë e
një punë-kinse për ta rimarrë "Gjylistanin..." tim, ai, pashë që mori
përsëri shkallët (thashë e ka vënë atje), po, kur zbriti, më tha:-Është
prishur ca nga përdorimi, por i ka të gjitha faqet. Po bëj "tramp" me
pak "doganë" me "Gjylistanin...". E mora në dorë dhe mu në krye pashë
vargjet që kisha dëgjuar: për Marassh Ucin. Eh,- thashë tek ikja për në
shtëpi,- e ka mbajtur fshehur dhe mozollah se tregonte. Kuptohet që e
lexova me nge "Lahutën e malsisë" të Atë Gjergj Fishtës. Paradoksi qe se
"streha" qe bash një hoxhë mysliman.
Kur
u bëra inspektor për gjuhën e letërsinë në rrethin e Fierit, aty
mesviteve '90-të, më së fundi qe vënë dhe një fragment nga Fishta. Po
dhe ky i "sakatuar" nga autorët e tekstit. Po pse e kisha "ilaçin" e
Hoxhës në shtëpi. Me atë në dorë, organizova një seminar me të gjithë
mësuesët e klassave të teta dhe bëra ndreqjet sipas origjinalit në
libër, që, më së fundi, dhe Atë Fishta të lexohej ashtu siç e kish
shkruar: gegërisht dhe jo duke e "shartuar" ata të "institutit të
teksteve,de!".Në Fier u bë dhe meritën e ka ai hoxhë, Efendi Yzeir
Sallata që qe "katolik?!".
Një
ditë e gjeta të nxehur mikun tim. Ma bëri me dorë që të
kthehesha.-Ç'ke, Efendi, pse je nxehur kështu?-Eni,- më tha,- kam
arritur në përfundim që mathematika nuk është shkencë ekzakte?-Po
ç'thua, kështu, Efendi?-ia pres.-Kështu është dhe nuk e luan topi,-
ngulmoi ai. Deri sa Hasani im që është "budalla" mbahet si mësues i mirë
mathematike, kështu është. Po si ishte e vërteta? Hasani, është djali i
dytë i Efendiut, një nga mësuesët më të mirë të mathematikës në Fier
(ka mbi 10 vjet që jep mathematikë në një nga shkollat e Tiranës) dhe
hoxha e quante budalla, se kurrë nuk dinte të merrte kthesat. Qe i
ndershëm dhe ashtu mbeti. Po, kur nxehej, edhe miku im, Efendiu, e
humbiste ndonjëherë. Por, tek i mbyll këto radhë për të, them se qe jo
vetëm një klerik imirë dhe i ditur, por qe njeri që shihte larg.
Njerëzit e ditur i çmonte dhe ndaj e quaj "katolik". Kur vdiq, aty prag
viteve '70-të, nuk mbeti njeri
pa marrë pjesë. Si mik i familjes që isha dhe jam, atje pashë, pothuaj,
gjithë klerikët e rretheve nga Vlora e deri në Shqpëri të mesme. Dhe për
të qenë i sinqertë në gjithë shkrimin tim, them se e bëra si Silvestër
Bonari, pas vdekjes së Efendiut, e "rivodha" "Gjylistani dhe Bostani". E
kam dhe sot, këtu me vete. Dhe, në e zë me
dorë, tak dhe më ravijëzohet portreti i dashur i Efendi Yzeir Sallatës
nga Marglliçi i Çamërisë, që më rrënjosi, veç tjerash, dhe dashurinë për
katolikët dhe, mbi të gjitha, për Atë Fishtën.