Eshref Ymeri
Ç’ndodhi me ambasadorin rus në Serbi?
Në faqen e internetit në gjuhën ruse www.svoboda news.ru të datës 21 shtator 2011, zonja Irina Llagunjina njoftonte:
“Gazeta ruse “Izvjestija” të premten e kaluar (16 shtator - E.Y.) kishte botuar një material me titull “Në Beograd kanë ofenduar ambasadorin rus”. Po
të nisemi nga karakteri i incidentit në Forumin e Beogradit për
Sigurinë dhe nga mungesa e reagimit nga ana e Ministrisë së Punëve të
Jashtëme të Serbisë për atë që ndodhi, mund të themi se marrëdhëniet
prej aleatësh midis Moskës dhe Beogradit i takojnë së kaluarës. Një
pohim i fortë ky. Po të hapim youtube dhe të formojmë mbiemrin e ambasadorit rus në Beograd - Konuzin -
atëherë mund të bindemi se regjistrimin e asaj që ndodhi e kanë parë
pothuajse 83 mijë vetë. Për të na rrëfyer se çfarë ndodhi në Forumin e
Beogradit dhe si po reagojnë ndaj asaj ngjarjeje në Serbi, unë i kërkova
informacion korrespondentes sonë në Beograd Aja Kuges.
Aja Kuge: 15 shtator. Beograd. Shtëpia e ushtarakëve. Vazhdon
punimet Forumi i Parë për Sigurinë, në të cilin marrin pjesë rreth 300
specialistë: diplomatë, analistë, politikanë dhe gazetarë nga 25 vende
të botës. Pas fjalës së hapjes të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç,
pjesëmarrësit filluan të diskutonin temën që u kushtohej çështjeve
globale të sigurisë. Por nga radhët e publikut çohet më këmbë befas
ambasadori i Rusisë Aleksandër Konuzin. Ai, me një ton plot zemëratë, i drejtohet herë sallës, herë kryetarit të
forumit, duke akuzuar pjesëmarrësit serbë të mbledhjes se ata, gjoja, nuk i mbrojtkan interesat e vendit të vet.
Aleksandër Konuzin: Unë
jam i shqetësuar thellësisht. Pikërisht në këtë moment KFOR-i i NATO-s,
së bashku me EULEX-in, në shkelje të mandatit të këtyre forcave, në
shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në
shkelje të vendimit të Këshillit të Sigurimit të nëntorit të vitit 2009,
kanë ndër mend që në pikat e kontrollit të kufirit të sjellin doganierë
dhe oficerë shqiptarë… Në këtë auditor nuk po bëhet asnjë pyetje për
këtë çështje! A ka serbë në këtë sallë? Pas disa orësh Këshilli i Sigurimit
i OKB-së do të merret me këtë problem. Rusia do të
mbrojë interesat tuaja, së bashku me ministrin tuaj të punëve të
jashtme, ndërkohë që shtetet anëtare të NATO-s, shtetet anëtare të
Bashkimit Evropian do të ngrihen kundër interesave tuaja kombëtare. S’u
bë asnjë pyetje për këtë çështje! Mua po më krijohet përshtypja se ju
përgjithësisht nuk po merakoseni se çfarë po ndodh në çastin e tanishëm
në vendin tuaj”.
Interesante
kjo mënyrë sjellje e ambasadorit rus! Duke shkelur çdo rregull
komunikimi me një publik të huaj, duke tejkaluar etikën diplomatike, ai
kërkon të bëhet zot në shtëpinë e botës, duke u munduar t’u japë leksion
serbëve se si këta duhet t’i mbrojnë interesat e vendit të tyre. E
kuptoj dëshpërimin zemërak të ambasadorit Konuzin për zhvillimin e
ngjarjeve në Serbi. Ai na zbulon brengën sfilitëse që ka pllakosur
Moskën për situatën në Serbi, e cila Kremlinit i ka dalë fare nga
kontrolli. Serbia, si nusja para ditës së fejesës, po niset e stoliset
para marrjes së statusit për në Bashkimin Evropian. Kurse Rusia rri e
kujton me pikëllim në zemër kohët e sakrificave të mëdha
që ka bërë për pavarësimin e Serbisë nga Perandoria Otomane, për
mbrojtjen e interesave të saj në Luftën e Parë Botërore, çka i çeli
shtegun krijimit të Jugosllavisë së ardhshme, për çlirimin e saj nga
fashizmi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, për “mbrojtjen” e saj nga
NATO-ja gjatë bombardimeve të vitit 1999. Në fushatën e tërbuar që Rusia
ndërmori që prej këtij viti dhe që vazhdon edhe sot e gjithë ditën për
mbrojtjen e Serbisë para “rrezikut të fundamentalizmit shqiptar”,
urrejtja ruse për etninë shqiptare u ngrit në të tilla kuota të
paimagjinueshme, saqë edhe mes serbëve gjakftohtë ngjallte njëfarë
habie.
Mirë
do të ishte që politika ruse t’i kthente sytë prapa dhe të shikonte me
gjakftohtësi se si Serbia ia ka dredhur paturpësisht Rusisë pas
sakrificave të shumta që kjo e fundit ka bërë për të, që prej vitit
1878, kur ajo (Serbia) fitoi pavarësinë.
Më
19 shkurt të vitit 1878 Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën
Stefanit. Në bazë të atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të
plotë. Por fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte
politikën e saj drejt Austro-Hungarisë dhe nuk u kujtua më për Rusinë,
deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, Serbia, pasi u bë e
pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe diplomatike të Rusisë,
kësaj i ktheu krahët aty për aty.
Pas
përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u krijua mbretëria e
bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, “e majmur” sidomos me territore
shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse, serbët,
që ishin “violina e parë” në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të
komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, “harruan” të lidhnin
marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave
marrëdhëniet e veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe
Italia. Rusia vërtet ishte bërë një vend komunist, por rusët kishin
vazhduar të mbeteshin rusë. Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin
marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur
rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar të bëhej
tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit
gjermanë, por “dashuria e zjarrtë” e serbojugosllavëve për Rusinë
Sovjetike nuk zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i
kthyen shpinën Moskës dhe u lidhën me Perëndimin.
Por
nuk do të ishte pa interes që Rusia t’i kthehej edhe traditës së
mendimit racional rus për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin
1877, në Sankt-Peterburg u botua një libër interesant me titull “E
vërteta për Serbinë”, libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë
në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski
(1839-1914), një publicist i njohur ky, (nip i Karamzinit, historianit
të njohur rus), të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si një
gazetar reaksionar. Princi Meshçerski ka qenë njëri nga organizatorët
kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të
luftuar përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë
nga Perandoria Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për
zhgënjimet e thella që pësuan trupat
vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u gjendën mes
serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:
“Patrioti
serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse një rus, që vjen
në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me çështjen e
patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i Beogradit…
Ata (rusët - E.Y.) u nisën (për në Serbi - E.Y.)
me mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet… Atje ata gjetën një
popull, pjesa e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët
dhe i vjen turp para Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e
ulët, populli i thjeshtë, në shfaqjet kryesore të botës së tij
shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se nuk ka arritur t’i kuptojë
dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit
serb…rusi e ndien veten keq…
Rusët
u bërtisnin rusëve “shpejt”, kur po i përcillnin drejt tokës serbe.
Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po priste
rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë.
Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për
të luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një
dashurie vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e
një njeriu mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të
mos u ngjallnin rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë
e këtij zhgënjimi të thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos
lindte një ftohje armiqësore ndaj serbëve…Por, sado të këqija të jenë
përshtypjet e rusëve, prapëseprapë
ne nuk duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në
gjendje që prej tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej
t’ia bëjmë të qarta vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne
ishin befasuese, në mënyrë që prej këtyre fakteve dhe prej këtyre
përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë një mësim historik, bindës dhe
serioz.
Gjatë
tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca përshtypje të
rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m’u shqit nga
koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to
reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i
takonte çdo rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që
Rusia ka përjetuar…
Disa
thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as dy sllavë nuk
bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët urrejnë
bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin
(princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve
për shqiptarët - E.Y.). Por atëherë vetvetiu ngrihet
çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me njëri-tjetrin,
atëherë a ia vleka t’ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka roli
historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se…çdo
provë duhet të na shërbejë si mësim… Para se të jemi sllavë, ne duhet
të dimë të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në
fillim
shëro veten tënde” (Citohet sipas: Revista “Ogonjok”, nr.30, korrik 1995, f.69, 70, 71).
Për
fatkeqësinë e politikës ruse ndaj Serbisë, historia përsëritet.
Zhgënjimet e thella të princit Vladimir Meshçerski na i përcjell 130 më
vonë, me po atë mënyrë rrëfimi, pra, në vitin 2007, një mercenar rus, i
cili, në vitin 1992, u rreshtua përkah shovinistëve serbomëdhenj, në
luftërat agresive që Millosheviçi ndërmori kundër shumë popujve të
Ballkanit.
Gishtat e prerë të Rusisë në Ballkan
Kur u njoha me reagimin e pakontrolluar të ambasadorit rus Aleksandër Konuzin në
Beograd, fillova të bridhja nëpër faqet e internetit në gjuhën ruse dhe
rashë në një material të gjatë mjaft interesant. Materiali titullohej “Предательство по-сербски” (Tradhti a la serbçe).
Autor i këtij materiali është Sergej Suharjev. Ja se çfarë shkruan ky mercenarovullnetar rus në materialin në fjalë, të cilin lexuesve të nderuar po ua përcjell përmbledhtazi:
Sergej
Suharjev shkoi vullnetar në Serbi në vitin 1992. Në foto: portreti i
Leninit dhe dora e djathtë e Suharevit, me gishtat e prerë. Gishtat i
humbi në luftë, përkrah ushtrisë kriminale të Milosheviçit, e cila në
vitin 1992 filloi agresionin kundër popullit boshnjak. Tani ai banon
diku në rrethinat e Beogradit. Këtë fotografi Suharjevi e mban të varur
në dhomën e vet. Fotografia është e 6 gushit të vitit 2007.
“…Kemi
qenë shumë vullnetarë rusë që kemi luftuar këtu, shumë prej tyre janë
vrarë… Unë kam pas mbyllur sytë para shumë gjërave që ka bërë udhëheqja
serbe. Rrija e vrisja mendjen, paçka se gjërat dukeshin açik që luftën e
humbëm… Neve, rusëve, që paskëtaj quheshim tashmë si ish-vullnetarë,
nuk na lejuan të kishim një grazhd. Vullnetarët rusë që qëndruan në
Serbi, s’mundën që s’mundën dot ta gjenin vendin e vet në shoqërinë
serbe. Ne duhej të gëzonim po të njëjtat lehtësira, si edhe serbët, por
neve nuk na lejuan t’i gëzonim ato. Na e bllokonin fare thjesht çdo hap
administrativ që ne ndërmerrnim. Pas luftës kishte mbetur pa na e thënë
edhe zyrtarisht: “ne nuk e dimë se kush ju ftoi juve, vullnetarëve, të
vini këtu, kthehuni andej nga keni ardhur, ne kishim nevojë për armët
ruse, jo për ju…”. Unë nuk kam gëzuar asnjë lehtësi, madje nuk kam
gëzuar as shërbimin mjekësor falas dhe të drejtën për t’u siguruar për
pension, pa folur pastaj për lehtësira të tjera. Mendoj se nuk e kam
merituar nga serbët një poshtërim të tillë… Unë gjithmonë e kam thënë se
të mbrosh serbët do të thotë të merresh me një punë të pagratshme. Ata
janë tepër larg botës tonë shpirtërore, aq më tepër kur një i tillë
popull i vogël, si populli serb, ambiciet i ka tej mase perandorake. Nuk
dua t’i prekë në ndjenja vullnetarët rusë që erdhën për të luftuar në
Serbi, por më duhet ta nënvizoj se sakrificat e tyre nuk dhanë asnjë
rezultat për forcimin e marrëdhënieve ruso-serbe. Tani serbëve u qan
mendja për Bashkimin Evropian dhe për NATO-n
dhe, nisur nga ca hesape maksimale që kanë bërë me vetven, atyre as që iu bëhet vonë fare për Rusinë… Prandaj serbëve paskëtaj nuk duhet t’u jepet kurrfarë ndihme pa shpërblim!!!
Rusia,
çuditërisht, nuk nxori mësime nga përvoja e marrëdhënieve me
Bullgarinë. Në betejën e vitit 1877 që u zhvillua kundër trupave osmane,
në Qafën e Shipkës të maleve Stara Planina të Bullgarisë, Rusia humbi
male me të vrarë. Pikërisht nga ajo betejë e ka prejardhjen shprehja e
bukur frazeologjike e gjuhës ruse “në Shipkë çdo gjë (gjithçka) është e qetë”, e cila përdoret në kuptimin: kur na fshehin të vërtetën, kur e vërteta mbulohet me plaf, kur na thonë se nuk kanë halle. Shprehja
përdoret në adresë të atyre që fshehin dhe zbukurojnë një situatë të
paleverdishme dhe madje të rrezikshme për ta. Piktori rus V.V.
Vereshçagin (1842-1904), njëri nga piktorët më të shquar batalistë rusë,
kështu i pati emërtuar tri tablo, të bashkuara në një subjekt të vetëm,
në të cilat pasqyrohet vdekja tragjike e një ushtari rus në qafëmalin
Shipka në Bullgari, gjatë luftës ruso-turke të
viteve 1877-1878. Ai i pati emërtuar tablotë në këtë mënyrë, nisur nga
raportimet zyrtare të gjeneralit F.F. Radecki (1820-1890) për komandantin
M.D. Skobelev (1843-1882). Ato raportime ai i pati dërguar asokohe kur një grup i
vogël ushtarësh ndodhej nënë breshërinë e trupave osmane që vinte nga
tre drejtime, ndërkohë që ushtarët, të torturuar dhe të veshur keq, po
ngrinin nga acari. Piktori ka zbuluar anën tragjike
të luftës: ai ka nxjerr në pah karrierizmin dhe natyrën kriminale të
komandës cariste që i çoi ushtarët rusë drejt një vdekjeje të
pakuptimtë. Trupar ruse, po ashtu, në Luftën e
Dytë Botërore e çliruan Bullgarinë nga fashizmi. Por sot Bullgaria
është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, kurse Rusinë e ka lënë
me gisht në gojë.
Serbia
ka mbetur si “ishulli” i fundit i Ballkanit, ku Rusia shpreson ende të
mbajë të ankoruar “varkën” e vet që do të vazhdonte t’i shërbente për
gjoja mbrojtjen e sllavizmit nga ekspansioni perëndimor ekonomik dhe
ushtarak. Por, për shkak të dritëshkurtësisë që e ka karakterizuar,
politika ruse nuk ka arritur ta kuptojë dot kurrë faktin që serbët i
lidh me rusët vetëm prejardhja paradisashekullore dhe asgjë tjetër. Me
urrejtjen e thellë që Rusia i ka mëkuar Serbisë kundër kombit shqiptar
që prej çerekut të fundit të shek. XIX e deri tani, ajo i ka bërë një
dëm shumë të madh, para së gjithash, vetë etnisë serbe, vetë popullit
serb.
Populli shqiptar, popull rrënjës mijëra shekullor në Gadishullin
Ilirik, dhe populli serb, me pararendës të vendosur në këtë gadishull në
shekullin VII, janë popuj fqinj dhe marrëdhëniet e tyre nuk duhej të
qenë karakterizuar nga acarime të skajshme, deri në përplasje të
armatosura. Fajtore kryesore për acarimin e këtyre marrëdhënieve ka qenë
politika ruse. Ishte kjo politikë fort armiqësore në qëndrimin ndaj
kombit shqiptar, e cila luajti rolin kryesor në copëtimin e trojeve
etnike shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës.
Në një intervistë që i ka dhënë gazetës serbe “Veçernje Novosti” më 19 janar 2011, ambasadori Konuzin ka deklaruar:
“Rusia
nuk e ka njohur pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës, dhe, siç e kam
theksuar, nuk ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë. Zgjidhja e
problemit të Kosovës duhet gjetur me ndihmën e metodave politike…”.
Një
deklaratë e tillë dëshmon fare qartë se politika ruse nuk është çliruar
dhe nuk mund të çlirohet dot nga mendësitë perandorake në qëndrimin
ndaj së drejtës së popujve për vetëvendosje. Kjo politikë, dikur
karakteristike për periudhën e rusocarizmit, ende nuk është në gjendje
ta kuptojë që pavarësia e Kosovës përfaqëson një proces përfundimisht të
pakthyeshëm dhe të kërkosh “metoda politike” për këtë çështje, pas gati katër vjet pavarësi, do të thotë t’i thuash këmbës dorë.
Dështimin
e turpshëm të politikës së vet ndaj çështjes së Kosovës, politika ruse u
mundua ta zbuste me investimin e fuqishëm që bëri me blerjen e Karla
del Pontes dhe të senatorit Dik Marti për sajimin e mitit për gjoja
trafikim organesh njerëzore nga ana e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës. Përmes këtij miti, politika ruse pati si qëllim që të
zhvlerësonte një herë e mirë luftën e popullit shqiptar të Kosovës dhe
kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për
çlirimin e Kosovës nga vargonjtë e shovinizmit serbomadh.
Politika
ruse nuk nxori mësime nga parashikimet e princit Meshçeski për kotësinë
e sakrificave të Rusisë për Serbinë. Por ajo vazhdon të mos nxjerrë
mësime edhe nga rrëfenja tragjike e vullnetarit mercenar Sergej Suharjev
për marrëzinë e sakrificave ruse po për Serbinë edhe në fundin e shek.
XX dhe në fillimin e shek. XXI. Unë mendoj se fotografia që ky
ish-vullnetari mercenar Sergej Suharjev mban në dhomë diku në rrethinat e
Beogradit, sidomos pamja e dorës së tij me gishtat e prerë për një
kauzë të marrë, ka një kuptim thellësisht simbolik: Rusisë i janë prenë
gishtat në Ballkan një herë e përgjithmonë se pesha e saj e dikurshme
politike në këtë gadishull tani mund të vlerësohet si e
paqenë.
Rusia
nuk qe në gjendje të mbante larg Bashkimit Evropian dhe NATO-s
ish-republikat sovjetike të Priballtikut që i ka në derë të shtëpisë,
kurse përmes ambasadorit Konuzin në Beograd, kërkon të bëhet zot shtëpie
në Serbi, të cilën e ka mijëra kilometra larg. Do të ishte mirë që
politika ruse, përpara se të kërkojë të marrë përsipër rolin e të zotit
të shtëpisë në Serbi, të rri e të vrasë mendjen shumë më tepër për
oborrin e pasmë të saj, për prapavijat e saj të largëta që dikush po ia
gllabëron urtë e butë.
Në një informacion të zotit Mihail Vasiljev, me titull “Lindja e largme tashmë ndodhet nën varësinë e Kinës”, të botuar në faqen e internetit në gjuhën ruse më 17 qershor 2010, ndër të tjera, thuhet:
“Në
Kinë po rritet dëndësia e popullsisë në territoret që shtrihen në kufi
me Rusinë. Vetëm në dy provinca që shtrihen pranë kufirit me Lindjen e
Largme, jeton një popullsi prej 141 milionë banorë, kurse në Lindjen e
Largme dhe në Siberinë Lindore jetojnë gjithsej 6 milionë banorë. Rusët
po largohen turravrap nga Lindja e Largme dhe nga Siberia Lindore, në
drejtim të pjesës evropiane të vendit, sepse nuk po shikojnë ndonjë
perspektivë për vetveten dhe nga frika e pasigurisë për jetën e tyre.
Arsyeja: kinezimi i këtyre territoreve nën parullën e partneritetit
strategjik. Shumë shpejt kinezët etnikë
në Lindjen e Largme dhe në Siberinë Lindore do të jenë më shumë në
numër sesa rusët dhe ata do të mund të diktojnë kushtet dhe rregullat e
tyre. Detyra e tyre është që të përgatiten për okupimin e Lindjes së
Largme dhe të Siberisë Lindore”.
Një
informacion aspak ngushëllues ky për politikën dritëshkurtër ruse që
kërkon të diktojë vullnetin e vet në një vend të huaj dhe shumë të
largët. Kanë kaluar më shumë se 133 vjet që nga koha e Kongresit famëkeq
të Berlinit, kur fuqitë perëndimore, nën diktatin e politikës
shoviniste ruse, filluan copëtimin e trojeve etnike shqiptare, çka
shënoi edhe fillimin e armiqësisë së madhe të kombit shqiptar me vendet
fqinje, por Rusia asnjëherë nuk është penduar për padrejtësitë e
rënda që na ka bërë. Përkundrazi, në të gjitha strategjitë që ajo ka
pas hartuar për Gadishullin e Ballkanit, etninë shqiptare e ka pas
vlerësuar si të paqenë. Por kohët kanë ndryshuar. Bombardimet e NATO-s
të pranverës së vitit 1999, shënuan rilindjen e pranverës shqiptare për
mbarë kombin shqiptar dhe i dhanë një mësim të mirë politikës shoviniste
ruse se si duhet të sillet ndaj së drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Le të shpresojmë që pranvera dimrore ruse që ka nisur me rastin e
manipulimit të zgjedhjeve të paradokohshme nga ana e dyshes
Putin-Medvedjev (apo nga ana e Lolit dhe e Colit të Kremlinit), të çojë
në kthjellimin e politikës ruse, e cila duhet të respektojë dinjitetin e
një vendi të madh që duhet të ketë peshë në politikën ndërkombëtare dhe
t’u jap fund marrëzive foshnjarake për dërgime sobash dhe mangallësh në
Mitrovicën e Veriut. Le të shpresojmë që të vijë dita e
pendesës së madhe të politikës ruse për copëtimin e trojeve etnike
shqiptare. Mendoj se politika ruse duhet të ndjekë shembullin e
mercenarit vullnetar Sergej Suharjev, i cili me rrëfimin e vet ka
zbuluar faqe botës ringjalljen e thellë shpirtërore që po përjeton pas
përfundimit të një lufte të marrëzishme.
Më
poshtë po u përcjell lexuesve një pjesë të rrëfimit të tij, të botuar
më 25 prill 2010, në faqen e internetit në gjuhën ruse me titull “Një vullnetar rus në Serbi (si po i braktisin veteranët)”:
“Pas
luftës lexova Kuranin. Dhe, që ta merrni vesh, myslimanët fillova t’i
shikoj ndryshe. Unë e pranova profetin Muhamed. Po pse të mos e pranoja?
Rezulton që ata (myslimanët - E.Y.) në
Kuran e pranojnë Krishtin, atëherë unë pse të mos e pranoj Muhamedin? Ai
ka qenë një njeri i mirë… Nuk do të shkoj më kurrë të luftoj… Kur i
fala të gjithë, në shpirt ndjeva një lehtësi. Një burrë i mençur ka
thënë: “Dhuna sjell dhunë”. Kështu është me të vërtetë. Me myslymanët
mund ta gjesh fjalën. Rusët duhet të
kuptojnë një gjë: cila është feja e dytë në Rusi? Islami. Dhe në qoftë
se ne do të fillojmë tani luftën kundër tyre, dhuna nuk do të përfundojë
kurrë. Ne ia kemi vërtetuar njër-tjetrit se jemi në gjendje të luftojmë
mirë, atëherë pse të mos ndalemi tani dhe të fillojmë të bisedojmë? Unë
këtu e ndiej veten ligsht. Del që ne, rusët, japim gjithçka dhe për
vete nuk marrim asgjë. Rusia pa serbët s’ka për të pësuar gjë kurrë. Po
serbët pa Rusinë? Rajevski (e ka fjalën për komandantin rus që erdhi
në krye të trupave ruse për të ndihmuar Serbinë kundër trupave otomane
në vitin 1878 - E.Y.) pati ardhur këtu me
trupat e veta, luftoi, u vranë me shumicë ushtarë rusë. A i tha kush
asohohe Rusisë “faleminderit” për një gjë të tillë? Askush dhe
asnjëherë…”.
Rrëfimi
i çiltër i mercenarit vullnetar Sergej Suharjev, pendesa e tij dhe
gishtat e prerë të njërës dorë të tij, le t’i bëhen mësim politikës ruse
që ta vlerësojë me objektivitet etninë shqiptare dhe le të bindet
përfundimisht se edhe gishat e saj janë prerë në Gadishullin Ballkanik
një herë e përgjithmonë.
Tiranë, 26 dhjetor 2011