Prof.Dr.Eshref
Ymeri
Ç’ndodhi me ambasadorin
rus në Serbi?
Në
faqen e internetit në gjuhën ruse www.svoboda news.ru të datës 21 shtator 2011, zonja Irina Llagunjina njoftonte:
“Gazeta ruse “Izvjestija”
të premten e kaluar (16 shtator - E.Y.)
kishte botuar një material me titull “Në
Beograd kanë ofenduar ambasadorin rus”. Po të nisemi nga karakteri i
incidentit në Forumin e Beogradit për Sigurinë dhe nga mungesa e reagimit nga
ana e Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Serbisë për atë që ndodhi, mund të
themi se marrëdhëniet prej aleatësh midis Moskës dhe Beogradit i takojnë së
kaluarës.
Një pohim i fortë ky. Po të hapim youtube
dhe të formojmë mbiemrin e ambasadorit rus në Beograd - Konuzin - atëherë mund të bindemi se
regjistrimin e asaj që ndodhi e kanë parë pothuajse 83 mijë vetë.
Për të na
rrëfyer se çfarë ndodhi në Forumin e Beogradit dhe si po reagojnë ndaj asaj
ngjarjeje në Serbi, unë i kërkova informacion korrespondentes sonë në Beograd Aja Kuges.
Aja Kuge: 15 shtator. Beograd. Shtëpia e ushtarakëve. Vazhdon punimet Forumi i
Parë për Sigurinë, në të cilin marrin pjesë rreth 300 specialistë: diplomatë,
analistë, politikanë dhe gazetarë nga 25 vende të botës. Pas fjalës së hapjes
të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, pjesëmarrësit filluan të diskutonin
temën që u kushtohej çështjeve globale të sigurisë. Por nga radhët e publikut
çohet më këmbë befas ambasadori i Rusisë Aleksandër
Konuzin. Ai, me një ton plot zemëratë, i drejtohet herë sallës, herë
kryetarit të forumit, duke akuzuar pjesëmarrësit serbë të mbledhjes se ata,
gjoja, nuk i mbrojtkan interesat e vendit të vet.
Ambasadori rus Aleksandër Konuzin sjell ndihma për Serbet e Kosovës
Aleksandër
Konuzin: Unë jam i shqetësuar thellësisht. Pikërisht në këtë moment KFOR-i
i NATO-s, së bashku me EULEX-in, në shkelje të mandatit të këtyre forcave, në
shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në shkelje të
vendimit të Këshillit të Sigurimit të nëntorit të vitit 2009, kanë ndër mend që
në pikat e kontrollit të kufirit të sjellin doganierë dhe oficerë shqiptarë… Në
këtë auditor nuk po bëhet asnjë pyetje për këtë çështje! A ka serbë në këtë
sallë? Pas disa orësh Këshilli i
Sigurimit i OKB-së do të merret me këtë problem. Rusia do të mbrojë
interesat tuaja, së bashku me ministrin tuaj të punëve të jashtme, ndërkohë që
shtetet anëtare të NATO-s, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të ngrihen
kundër interesave tuaja kombëtare. S’u bë asnjë pyetje për këtë çështje! Mua po
më krijohet përshtypja se ju përgjithësisht nuk po merakoseni se çfarë po ndodh
në çastin e tanishëm në vendin tuaj”.
Interesante kjo mënyrë sjellje e
ambasadorit rus! Duke shkelur çdo rregull komunikimi me një publik të huaj,
duke tejkaluar etikën diplomatike, ai kërkon të bëhet zot në shtëpinë e botës,
duke u munduar t’u japë leksion serbëve se si këta duhet t’i mbrojnë interesat
e vendit të tyre. E kuptoj dëshpërimin zemërak të ambasadorit Konuzin për
zhvillimin e ngjarjeve në Serbi. Ai na zbulon brengën sfilitëse që ka pllakosur
Moskën për situatën në Serbi, e cila Kremlinit i ka dalë fare nga kontrolli.
Serbia, si nusja para ditës së fejesës, po niset e stoliset para marrjes së
statusit për në Bashkimin Evropian.
Kurse Rusia rri e kujton me pikëllim në
zemër kohët e sakrificave të mëdha që ka bërë për pavarësimin e Serbisë nga
Perandoria Otomane, për mbrojtjen e interesave të saj në Luftën e Parë
Botërore, çka i çeli shtegun krijimit të Jugosllavisë së ardhshme, për çlirimin
e saj nga fashizmi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, për “mbrojtjen” e saj
nga NATO-ja gjatë bombardimeve të vitit 1999. Në fushatën e tërbuar që Rusia
ndërmori që prej këtij viti dhe që vazhdon edhe sot e gjithë ditën për
mbrojtjen e Serbisë para “rrezikut të fundamentalizmit shqiptar”, urrejtja ruse
për etninë shqiptare u ngrit në të tilla kuota të paimagjinueshme, saqë edhe
mes serbëve gjakftohtë ngjallte njëfarë habie.
Mirë do të ishte që politika ruse t’i
kthente sytë prapa dhe të shikonte me gjakftohtësi se si Serbia ia ka dredhur
paturpësisht Rusisë pas sakrificave të shumta që kjo e fundit ka bërë për të,
që prej vitit 1878, kur ajo (Serbia) fitoi pavarësinë.
Më 19 shkurt
të vitit 1878 Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Në bazë të
atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të plotë. Por fill pas Kongresit
të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte politikën e saj drejt Austro-Hungarisë
dhe nuk u kujtua më për Rusinë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Kësisoj, Serbia, pasi u bë e pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe
diplomatike të Rusisë, kësaj i ktheu krahët aty për aty.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u
krijua mbretëria e bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, “e majmur” sidomos me
territore shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse,
serbët, që ishin “violina e parë” në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të
komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, “harruan” të lidhnin marrëdhënie
diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave marrëdhëniet e
veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Rusia vërtet ishte
bërë një vend komunist, por rusët kishin vazhduar të mbeteshin rusë.
Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë
Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar
të bëhej tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit
gjermanë, por “dashuria e zjarrtë” e serbojugosllavëve për Rusinë Sovjetike nuk
zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i kthyen shpinën Moskës
dhe u lidhën me Perëndimin.
Por nuk do të
ishte pa interes që Rusia t’i kthehej edhe traditës së mendimit racional rus
për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg u botua
një libër interesant me titull “E vërteta për Serbinë”, libër ky, që,
çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi
Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, (nip i Karamzinit,
historianit të njohur rus), të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si
një gazetar reaksionar.
Princi Meshçerski ka qenë njëri nga organizatorët
kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të luftuar
përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria
Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për zhgënjimet e thella që
pësuan trupat vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u
gjendën mes serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:
“Patrioti serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse
një rus, që vjen në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me
çështjen e patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i
Beogradit… Ata (rusët - E.Y.) u
nisën (për në Serbi - E.Y.) me
mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet… Atje ata gjetën një popull, pjesa
e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët dhe i vjen turp para
Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e ulët, populli i thjeshtë, në
shfaqjet kryesore të botës së tij shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se
nuk ka arritur t’i kuptojë dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit serb…rusi e
ndien veten keq…
Rusët u bërtisnin rusëve “shpejt”, kur po i përcillnin drejt
tokës serbe. Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po
priste rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë.
Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për të
luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një dashurie
vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e një njeriu
mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të mos u ngjallnin
rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë e këtij zhgënjimi të
thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos lindte një ftohje armiqësore ndaj
serbëve…Por, sado të këqija të jenë përshtypjet e rusëve, prapëseprapë ne nuk
duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në gjendje që prej
tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej t’ia bëjmë të qarta
vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne ishin befasuese, në mënyrë që
prej këtyre fakteve dhe prej këtyre përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë
një mësim historik, bindës dhe serioz.
Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca
përshtypje të rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m’u shqit
nga koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to
reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i takonte çdo
rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që Rusia ka përjetuar…
Disa thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as
dy sllavë nuk bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët
urrejnë bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin
(princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve për
shqiptarët - E.Y.).
Por atëherë
vetvetiu ngrihet çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me
njëri-tjetrin, atëherë a ia vleka t’ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka
roli historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se…çdo
provë duhet të na shërbejë si mësim… Para se të jemi sllavë, ne duhet të dimë
të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në fillim shëro veten
tënde” (Citohet sipas: Revista “Ogonjok”,
nr.30, korrik 1995, f.69, 70, 71).
Për fatkeqësinë e politikës ruse ndaj Serbisë, historia
përsëritet. Zhgënjimet e thella të princit Vladimir Meshçerski na i përcjell
130 më vonë, me po atë mënyrë rrëfimi, pra, në vitin 2007, një mercenar rus, i
cili, në vitin 1992, u rreshtua përkah shovinistëve serbomëdhenj, në luftërat
agresive që Millosheviçi ndërmori kundër shumë popujve të Ballkanit.
Gishtat e prerë të Rusisë në Ballkan
Kur u njoha
me reagimin e pakontrolluar të ambasadorit rus Aleksandër Konuzin në Beograd, fillova të bridhja nëpër faqet e
internetit në gjuhën ruse dhe rashë në një material të gjatë mjaft interesant.
Materiali titullohej “Предательство по-сербски” (Tradhti a la serbçe). Autor i
këtij materiali është Sergej Suharjev. Ja se çfarë shkruan ky
mercenarovullnetar rus në materialin në
fjalë, të cilin lexuesve të nderuar po ua përcjell përmbledhtazi:
Sergej Suharjev shkoi
vullnetar në Serbi në vitin 1992. Në foto: portreti i Leninit dhe dora e
djathtë e Suharevit, me gishtat e prerë. Gishtat i humbi në luftë, përkrah
ushtrisë kriminale të Milosheviçit, e cila në vitin 1992 filloi agresionin kundër
popullit boshnjak. Tani ai banon diku në rrethinat e Beogradit. Këtë fotografi
Suharjevi e mban të varur në dhomën e vet. Fotografia është e 6 gushit të vitit
2007.
“…Kemi
qenë shumë vullnetarë rusë që kemi luftuar këtu, shumë prej tyre janë vrarë…
Unë kam pas mbyllur sytë para shumë gjërave që ka bërë udhëheqja serbe. Rrija e
vrisja mendjen, paçka se gjërat dukeshin açik që luftën e humbëm… Neve, rusëve,
që paskëtaj quheshim tashmë si ish-vullnetarë, nuk na lejuan të kishim një
grazhd. Vullnetarët rusë që qëndruan në Serbi, s’mundën që s’mundën dot ta
gjenin vendin e vet në shoqërinë serbe. Ne duhej të gëzonim po të njëjtat lehtësira,
si edhe serbët, por neve nuk na lejuan t’i gëzonim ato. Na e bllokonin fare
thjesht çdo hap administrativ që ne ndërmerrnim.
Pas luftës kishte mbetur pa na
e thënë edhe zyrtarisht: “ne nuk e dimë se kush ju ftoi juve, vullnetarëve, të
vini këtu, kthehuni andej nga keni ardhur, ne kishim nevojë për armët ruse, jo
për ju…”. Unë nuk kam gëzuar asnjë lehtësi, madje nuk kam gëzuar as shërbimin
mjekësor falas dhe të drejtën për t’u siguruar për pension, pa folur pastaj për
lehtësira të tjera.
Mendoj se nuk e kam merituar nga serbët një poshtërim të
tillë… Unë gjithmonë e kam thënë se të mbrosh serbët do të thotë të merresh me
një punë të pagratshme. Ata janë tepër larg botës tonë shpirtërore, aq më tepër
kur një i tillë popull i vogël, si populli serb, ambiciet i ka tej mase
perandorake. Nuk dua t’i prekë në ndjenja vullnetarët rusë që erdhën për të
luftuar në Serbi, por më duhet ta nënvizoj se sakrificat e tyre nuk dhanë asnjë
rezultat për forcimin e marrëdhënieve ruso-serbe. Tani serbëve u qan mendja për
Bashkimin Evropian dhe për NATO-n dhe, nisur nga ca hesape maksimale që kanë
bërë me vetven, atyre as që iu bëhet
vonë fare për Rusinë… Prandaj serbëve paskëtaj nuk duhet t’u jepet kurrfarë
ndihme pa shpërblim!!!
Rusia, çuditërisht, nuk nxori mësime
nga përvoja e marrëdhënieve me Bullgarinë. Në betejën e vitit 1877 që u
zhvillua kundër trupave osmane, në Qafën e Shipkës të maleve Stara Planina të
Bullgarisë, Rusia humbi male me të vrarë. Pikërisht nga ajo betejë e ka
prejardhjen shprehja e bukur frazeologjike e gjuhës ruse “në Shipkë çdo gjë (gjithçka) është e qetë”, e cila përdoret në
kuptimin: kur na fshehin të vërtetën, kur
e vërteta mbulohet me plaf, kur na thonë se nuk kanë halle.
Shprehja përdoret në adresë të atyre që
fshehin dhe zbukurojnë një situatë të paleverdishme dhe madje të rrezikshme për
ta. Piktori rus V.V. Vereshçagin (1842-1904), njëri nga piktorët më të shquar
batalistë rusë, kështu i pati emërtuar tri tablo, të bashkuara në një subjekt
të vetëm, në të cilat pasqyrohet vdekja tragjike e një ushtari rus në qafëmalin
Shipka në Bullgari, gjatë luftës ruso-turke
të viteve 1877-1878. Ai i pati emërtuar tablotë në këtë mënyrë, nisur nga
raportimet zyrtare të gjeneralit F.F.
Radecki (1820-1890) për komandantin M.D. Skobelev (1843-1882).
Ato raportime ai
i pati dërguar asokohe kur një grup i
vogël ushtarësh ndodhej nënë breshërinë e trupave osmane që vinte nga tre
drejtime, ndërkohë që ushtarët, të torturuar dhe të veshur keq, po ngrinin nga
acari. Piktori ka zbuluar anën tragjike
të luftës: ai ka nxjerr në pah karrierizmin dhe natyrën kriminale të komandës
cariste që i çoi ushtarët rusë drejt një vdekjeje të pakuptimtë. Trupar ruse,
po ashtu, në Luftën e Dytë Botërore e çliruan
Bullgarinë nga fashizmi. Por sot Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian
dhe e NATO-s, kurse Rusinë e ka lënë me gisht në gojë.
Serbia ka mbetur si
“ishulli” i fundit i Ballkanit, ku Rusia shpreson ende të mbajë të ankoruar
“varkën” e vet që do të vazhdonte t’i shërbente për gjoja mbrojtjen e
sllavizmit nga ekspansioni perëndimor ekonomik dhe ushtarak. Por, për shkak të
dritëshkurtësisë që e ka karakterizuar, politika ruse nuk ka arritur ta kuptojë
dot kurrë faktin që serbët i lidh me rusët vetëm prejardhja paradisashekullore
dhe asgjë tjetër.
Me urrejtjen e thellë që Rusia i ka mëkuar Serbisë kundër
kombit shqiptar që prej çerekut të fundit të shek. XIX e deri tani, ajo i ka
bërë një dëm shumë të madh, para së gjithash, vetë etnisë serbe, vetë popullit
serb. Populli shqiptar, popull rrënjës mijëra shekullor në Gadishullin Ilirik,
dhe populli serb, me pararendës të vendosur në këtë gadishull në shekullin VII,
janë popuj fqinj dhe marrëdhëniet e tyre nuk duhej të qenë karakterizuar nga
acarime të skajshme, deri në përplasje të armatosura. Fajtore kryesore për
acarimin e këtyre marrëdhënieve ka qenë politika ruse. Ishte kjo politikë fort
armiqësore në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, e cila luajti rolin kryesor në
copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën
e Londrës.
Në një intervistë që i ka dhënë
gazetës serbe “Veçernje Novosti” më
19 janar 2011, ambasadori Konuzin ka
deklaruar:
“Rusia nuk
e ka njohur pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës, dhe, siç e kam theksuar, nuk
ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë. Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet
gjetur me ndihmën e metodave politike…”.
Një deklaratë e tillë dëshmon fare qartë se
politika ruse nuk është çliruar dhe nuk mund të çlirohet dot nga mendësitë
perandorake në qëndrimin ndaj së drejtës së popujve për vetëvendosje. Kjo
politikë, dikur karakteristike për periudhën e rusocarizmit, ende nuk është në
gjendje ta kuptojë që pavarësia e Kosovës përfaqëson një proces përfundimisht
të pakthyeshëm dhe të kërkosh “metoda
politike” për këtë çështje, pas gati katër vjet pavarësi, do të thotë t’i
thuash këmbës dorë.
Dështimin e turpshëm të politikës së
vet ndaj çështjes së Kosovës, politika ruse u mundua ta zbuste me investimin e
fuqishëm që bëri me blerjen e Karla del Pontes dhe të senatorit Dik Marti për
sajimin e mitit për gjoja trafikim organesh njerëzore nga ana e drejtuesve të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes këtij miti, politika ruse pati si qëllim
që të zhvlerësonte një herë e mirë luftën e popullit shqiptar të Kosovës dhe
kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për
çlirimin e Kosovës nga vargonjtë e shovinizmit serbomadh.
Politika ruse nuk nxori mësime nga
parashikimet e princit Meshçeski për kotësinë e sakrificave të Rusisë për
Serbinë. Por ajo vazhdon të mos nxjerrë mësime edhe nga rrëfenja tragjike e
vullnetarit mercenar Sergej Suharjev për marrëzinë e sakrificave ruse po për
Serbinë edhe në fundin e shek. XX dhe në fillimin e shek. XXI.
Unë mendoj se
fotografia që ky ish-vullnetari mercenar Sergej Suharjev mban në dhomë diku në
rrethinat e Beogradit, sidomos pamja e dorës së tij me gishtat e prerë për një
kauzë të marrë, ka një kuptim thellësisht simbolik: Rusisë i janë prenë gishtat
në Ballkan një herë e përgjithmonë se pesha e saj e dikurshme politike në këtë
gadishull tani mund të vlerësohet si e paqenë.
Rusia nuk qe në gjendje të mbante
larg Bashkimit Evropian dhe NATO-s ish-republikat sovjetike të Priballtikut që
i ka në derë të shtëpisë, kurse përmes ambasadorit Konuzin në Beograd, kërkon
të bëhet zot shtëpie në Serbi, të cilën e ka mijëra kilometra larg. Do të ishte
mirë që politika ruse, përpara se të kërkojë të marrë përsipër rolin e të zotit
të shtëpisë në Serbi, të rri e të vrasë mendjen shumë më tepër për oborrin e
pasmë të saj, për prapavijat e saj të largëta që dikush po ia gllabëron urtë e
butë.
Në një informacion të zotit Mihail
Vasiljev, me titull “Lindja e largme
tashmë ndodhet nën varësinë e Kinës”, të botuar në faqen e internetit në
gjuhën ruse më 17 qershor 2010, ndër të
tjera, thuhet:
“Në Kinë po rritet dëndësia e popullsisë në territoret që
shtrihen në kufi me Rusinë. Vetëm në dy provinca që shtrihen pranë kufirit me
Lindjen e Largme, jeton një popullsi prej 141 milionë banorë, kurse në Lindjen
e Largme dhe në Siberinë Lindore jetojnë gjithsej 6 milionë banorë.
Rusët po
largohen turravrap nga Lindja e Largme dhe nga Siberia Lindore, në drejtim të
pjesës evropiane të vendit, sepse nuk po shikojnë ndonjë perspektivë për
vetveten dhe nga frika e pasigurisë për jetën e tyre. Arsyeja: kinezimi i këtyre
territoreve nën parullën e partneritetit strategjik. Shumë shpejt kinezët
etnikë në Lindjen e Largme dhe në Siberinë Lindore do të jenë më shumë në numër
sesa rusët dhe ata do të mund të diktojnë kushtet dhe rregullat e tyre. Detyra
e tyre është që të përgatiten për okupimin e Lindjes së Largme dhe të Siberisë
Lindore”.
Një
informacion aspak ngushëllues ky për politikën dritëshkurtër ruse që kërkon të
diktojë vullnetin e vet në një vend të huaj dhe shumë të largët. Kanë kaluar më
shumë se 133 vjet që nga koha e Kongresit famëkeq të Berlinit, kur fuqitë
perëndimore, nën diktatin e politikës shoviniste ruse, filluan copëtimin e trojeve
etnike shqiptare, çka shënoi edhe fillimin e armiqësisë së madhe të kombit
shqiptar me vendet fqinje, por Rusia asnjëherë nuk është penduar për
padrejtësitë e rënda që na ka bërë. Përkundrazi, në të gjitha strategjitë që
ajo ka pas hartuar për Gadishullin e Ballkanit, etninë shqiptare e ka pas
vlerësuar si të paqenë. Por kohët kanë ndryshuar.
Bombardimet e NATO-s të
pranverës së vitit 1999, shënuan rilindjen e pranverës shqiptare për mbarë
kombin shqiptar dhe i dhanë një mësim të mirë politikës shoviniste ruse se si
duhet të sillet ndaj së drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Le të shpresojmë
që pranvera dimrore ruse që ka nisur me rastin e manipulimit të zgjedhjeve të
paradokohshme nga ana e dyshes Putin-Medvedjev (apo nga ana e Lolit dhe e Colit
të Kremlinit), të çojë në kthjellimin e politikës ruse, e cila duhet të
respektojë dinjitetin e një vendi të madh që duhet të ketë peshë në politikën
ndërkombëtare dhe t’u jap fund marrëzive foshnjarake për dërgime sobash dhe
mangallësh në Mitrovicën e Veriut.
Le të shpresojmë që të vijë dita e pendesës
së madhe të politikës ruse për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Mendoj se
politika ruse duhet të ndjekë shembullin e mercenarit vullnetar Sergej
Suharjev, i cili me rrëfimin e vet ka zbuluar faqe botës ringjalljen e thellë
shpirtërore që po përjeton pas përfundimit të një lufte të marrëzishme.
Më poshtë po u përcjell lexuesve një
pjesë të rrëfimit të tij, të botuar më 25 prill 2010, në faqen e internetit në
gjuhën ruse me titull “Një vullnetar rus
në Serbi (si po i braktisin veteranët)”:
“Pas
luftës lexova Kuranin. Dhe, që ta merrni vesh, myslimanët fillova t’i shikoj
ndryshe. Unë e pranova profetin Muhamed. Po pse të mos e pranoja? Rezulton që
ata (myslimanët - E.Y.) në Kuran e pranojnë Krishtin, atëherë unë
pse të mos e pranoj Muhamedin? Ai ka qenë një njeri i mirë… Nuk do të shkoj më
kurrë të luftoj… Kur i fala të gjithë, në shpirt ndjeva një lehtësi. Një burrë
i mençur ka thënë: “Dhuna sjell dhunë”. Kështu është me të vërtetë.
Me
myslymanët mund ta gjesh fjalën. Rusët duhet të kuptojnë një gjë: cila është
feja e dytë në Rusi? Islami. Dhe në qoftë se ne do të fillojmë tani luftën
kundër tyre, dhuna nuk do të përfundojë kurrë. Ne ia kemi vërtetuar
njër-tjetrit se jemi në gjendje të luftojmë mirë, atëherë pse të mos ndalemi
tani dhe të fillojmë të bisedojmë? Unë këtu e ndiej veten ligsht.
Del që ne,
rusët, japim gjithçka dhe për vete nuk marrim asgjë. Rusia pa serbët s’ka për
të pësuar gjë kurrë. Po serbët pa Rusinë? Rajevski (e ka fjalën për
komandantin rus që erdhi në krye të trupave ruse për të ndihmuar Serbinë kundër
trupave otomane në vitin 1878 - E.Y.)
pati ardhur këtu me trupat e veta,
luftoi, u vranë me shumicë ushtarë rusë. A i tha kush asohohe Rusisë
“faleminderit” për një gjë të tillë? Askush dhe asnjëherë…”.
Rrëfimi
i çiltër i mercenarit vullnetar Sergej Suharjev, pendesa e tij dhe gishtat e
prerë të njërës dorë të tij, le t’i bëhen mësim politikës ruse që ta vlerësojë
me objektivitet etninë shqiptare dhe le të bindet përfundimisht se edhe gishat
e saj janë prerë në Gadishullin Ballkanik një herë e përgjithmonë.
Ilustrimet redaksia:Floripress
.