NGA REXHEP SHAHU
NJË APOLOGJI E SHKURTË PËR UDHËN TIME TË KOMBIT
(Enkas për Floripress :Fragment nga libri Udha e Kombit - pro dhe kunder)
“E di se fjalët nuk kanë mirësuar kurrë një të lik, dhe kurrë mjeku s'ka shëruar ndonjë të sëmurë përveç të sëmurëve që kishin mjaft forcë sa të kthehen në jetë. Dua vetëm shqipëtarëve të mbetur të mirë, t'u lutem t'i mejtojnë pak këto punë. Gjer më sot, kombin shqiptar e kanë goditur po nuk e kanë meprizuar. Është në dorë të shqiptarëve të mirë ta shpëtojnë vendin e tyre nga meprizimi i botës. Le të përpiqen ta mbajnë karakterin historik të tyre. Kanunet e nderit, do me thënë të mos çpifurit, të mos gënjyerit, të mos tradhëtuarit, të mbajturit e fjalës së dhënë, duhen të jenë për shqipëtarët e mirë detyra e shënjtëruar e të pangjashme. E në qoftë se një tufë vetash të ç'sojësuar e kanë marë për program ta ç'nderojnë kombin shqiptar, të paktën le të shohin bota se shumica e kombit i meriton edhe sot lëvdimet e Lord Bajronit".
FAIK KONICA
DASHURIA E VONUAR E EDI RAMËS PËR UDHËN E KOMBIT
28 nëntorin 2011, ditën e flamurit shqiptar, Edi Rama shkoi për ta festuar në Kosovë. Sepse ai e nderon flamurin kombëtar dhe nuk e konsideron si “thes që fsheh paratë e vjedhura të rrugës” Durrës – Kukës – Prishtinë.
Përsonalisht, nuk e fsheh, ndjehem mirë që Edi Rama shkon në Kosovë.
Nuk kam ndërmend të kronikoj vizitën e Ramës atje, as takimet e tij. Por nuk mund të hesht kur e pashë tek fliste për “Rrugën e Kombit”:
“Desha të nënvizoj se është bërë një propagandë shumë djallëzore kundër nesh si opozitë edhe kundër meje përsonalisht, për t’u thënë shqiptarëve në Kosovë se ne kemi patur qëllim ta pengojmë “Rrugën e Kombit” dhe se madje unë e paskërkam quajtur rruga e asgjëkundit. Është e gjitha një propagandë, me një synim shumë të qartë, me mjete të njohura, që janë shpifja dhe hipërbolizimi i një problemi të caktuar, duke e deformuar tërësisht thelbin e problemit. Qëllimi ka qenë i qartë dhe madje duket se e gjithë propaganda e bërë ka realizuar qëllimin, ka arritur të krijojë opinionin në Kosovë se ne kemi qenë kundër projektit të “Rrugës së Kombit”, kemi bërë çmos ta pengojmë. Kjo është tërësisht e pavërtetë”. Më tej Rama vijon se PS (Partia Socialiste e Shqipërisë) ka qenë ideuesja e kësaj rruge. “E vërteta historike është se “Rruga e Kombit” është një ide e propozuar nga një Kryeministër socialist, Pandeli Majko”. Më tej u shpreh se këtë rrugë e kemi quajtur “veçse një projekt strategjik për Shqipërinë dhe për shqiptarët”.
Duke reklamuar librin e tij “Kurbani” para të pranishmëve (Në Muzeun Historik të Kosovës, vend në të cilin nuk është promovuar asnjëherë asnjë lloj libri, e aq më pak libër politik…) ai pohoi se “ Në libër (është fjala për Kurbanin) ka një moment ku unë e kam prekur këtë çeshtje. Ai segment i “Rrugës së Kombit” që është edhe i njollosur me mëkatin e një vjedhje të madhe, është e vetmja rrugë e ndërtuar në këta 20 vjet në Shqipëri që i ka standartet mirëfilli europiane. Rrugët e tjera fatkeqësisht nuk i kanë dhe herët ose vonë, varësi nga mundësitë, Shqipëria do duhet t’u rikthehet edhe një herë këtyre veprave publike për t’i barazuar në standarte me Europën. Që do të thotë se do të paguajmë dy herë edhe në këtë aspekt për të bërë të njëjtën punë”.
Rama përgëzoi segmentin e ri të rrugës që vazhdon në Kosovë: ”Miqtë që janë me mua pjestarë të delegacionit, po më tregonin mbresa për punën e bërë këtej kufirit (në segmentin Vërmicë – Merdare të autostradës, shënimi im). Pjesa e bërë madje më mirë se edhe ajo pjesë, siç është përsëri një shembull për të ardhur keq, se është më e mirë dhe kushton më pak. Është për të ardhur keq për ne. Kushton më pak, çka do të thotë se në këtë anë të kufirit po bëhet një vepër publike e të njëjtës rëndësi e të njëjtave përmasa dhe me të njëjtin qëllim strategjik, por nuk po vidhet. E në rast se në këtë pikë ju keni dyshime, atëhere merreni me mend se sa shumë është vjedhur në atë anë të kufirit”
Zoti Rama ka disa pasaktësi në gjithë ato fjalë që tha për autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë dhe për historinë e ndërtimit të saj.
Ai bën patriotin e nacionalistin, dashnorin e autostradës që bashkon kombin, por dashnor i vonuar, dashnor pa zemer dhe nuk shkojnë këto parulla në Prishtinë. Sepse nuk harrohet kori socialist që çirrej pa pushim kundër autostradës dhe e çjerra e korit socialist nuk la të dëgjohej e të shihej mirë autostrada. I ka dëgjuar fort mirë Zoti Rama, por nuk ka begenisë të thotë asnjë gjysmë fjale kundër këtij kori e pro autostradës, as shenjën më të vogël nuk ka bërë që ky kor të heshtej, duke qenë dirigjent i socialistëve.
Ende sot e gjithë ditën, përjashto ç’ka shkruar në “Kurban” (sikur ka dashur të tingëllojë si “Kuran” ky titull), dhe çfarë tha në Prishtinë, nuk është shprehur, pa arrë në gojë, pro autostradës e kundër abuzimeve të mundshme në të. E kam ndjekur çdo deklarim të tij për këtë rrugë. Asnjëherë nuk ka qenë i ngrohtë e i qartë. Por gjithmonë jo pranues i saj, jo pohues i saj, mosdashës ndaj saj për të mos thënë urryes.
Me 11 prill 2009, para popullit të tij socialist të Kukësit, Rama tha : "Jam i lumtur qe po ndertohet rruga Durres - Kukes, e cila bashkon kombin me detet dhe malet, por mos harroni se kjo rruge eshte bere me taksat e shqiptareve, te cilet do t'i japin sihariqe kryeministrit Sali Berisha" Më tej Rama vijoi: “Me haraçin qe oborri kryeministror ka marre nga ky ndertim i rruges mund te ndertoheshin nga e para rruget e qarkut Kukesit, Hasit e Tropojes, mund te ndertoheshin kopshtet e te gjitha shkollat e cerdhet qe u duhen femijeve, qendrat shendetesore, ujesjellesat e kanalizimet qe u duhen qytetareve qe nuk kane uje per te pire e as per te vaditur token. Me haracin qe oborri kryeministror u ka marre shqiptareve per rrugen e kombit mund te ndertohej dhe rruga e "Arbrit", qe Sali Berisha e premton per te tretin vit radhazi.
Unë mendoj se kjo është e folur me arrë në gojë. Të bëjmë rrugicat e qarkut të Kukësit dhe udha e madhe e kombit theftë qafën, Kosova aty plastë. Pa ditur se edhe populli socialist i Kukësit, kur është pyetur nga vendas e të huaj, ka artikuluar gjithmonë veç një kërkesë : Udhën Durrës – Kukës – Prishtinë. Por duhet me pyetë pak edhe popullin e Kukësit sepse ai nuk i han arrat e paqëruara.
S’e pranoj që ne nuk kemi patur veshët në rregull, as sytë jo (se përndryshe do ta shihnim po të shkonte ta vizitonte ndonjë ditë autostradën në ndërtim e të falenderonte, në mos tjetër kënd, popullin e tij të majtë që punonte për ndërtimin e autostradës). (Populli i majtë i Ramës…Sa shumë popuj kemi…).
A është e mundur që pa lejën e tij të kenë folur e vjellë vrer kundër autostradës deputetë të Partisë Socialiste, nga ai soj deputetësh që dridhen para Ramës. E kuptoj se disa kanë bërë të zellshmin e trimin kundër autostradës për t’i hyrë në zemër Ramës. Disa kanë vjellë vrer kundër saj se e ndjejnë se ajo autostradë zmadhon atdheun dhe nuk e duan atdheun të zmadhuar.
Në qershor të 2009, deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, thotë se rruga Durrës-Kukës është një investim pa të ardhme, se nuk të çon asgjëkund, pasi, sipas tij, as pala kosovare nuk ka vullnetin dhe as projektin për të vazhduar ndërtimin e saj, sepse po planifikonte ndërtimin e autostradës drejt Shkupit. Sa shumë din deputeti i PS, Fatmir Toçi. Edhe punët e Kosovës i din mirë. Aferim i qoftë. Rama nuk besoj ta ketë dëgjuar këtë deklaratë të deputetit të tij.
Rama nuk ka dëgjuar as deputetin tjetër të Partisë Socialiste, Arben Isarajin, që thotë se fondet që po merr rruga Durrës – Kukës “… ia keni hequr ujësjellësit të Vlorës, ose të Leklit dhe i keni çuar andej. (Kjo “andej” i dashur lexues është rruga Durrës – Kukës – Morin, është Kosova, është veriu i Shqipërisë, që zoti Isaraj nuk ua përmend dot as emrin, ka alergji, neveri. Nuk don as emrin t’ia zërë me gojë zoti Isaraj luginës së Fanit, Rreshenit, Kalimashit, Kukesit, Kosoves, duke harruar krejt me dashje se sa shumë ka dhënë Vlora për Kosovën, të paktën në luftën e fundit që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pa hyrë me thellë në histori… “Më pështyni mua në rast se ndërtohet kjo rrugë!”, thotë me sigurinë e një bastexhiu zoti Isaraj. E kush do të denjonte ta pështynte deputetin e Partisë Socialiste Arben Isarajin tani. Askush. Por autostrada u bë. U bë një vit para afatit të parashikuar. Ai i gjori mbase pret ndokënd që të shkojë e ta pështyjë.
As deputetin tjetër socialist, Erion Braçen, nuk e ka dëgjuar, z. Rama. As nuk i ka dhënë porosi a leje Braçes që të deklaronte apo ta cilësonte rrugën Durrës-Kukës si një investim që po privon shqiptarët nga zhvillimi i qyteteve dhe fshatrave të tyre, duke harruar krejt qëllimshëm se udha e kombit nuk privon zhvillimin por nxit e shpejton zhvillimin e shumë qyteteve e fshatrave të Shqipërisë…
“Të gjithë ata shqiptarë nga Durrësi në Jug, nga Fushë Kruja apo Peshkopia në veri, që pyesin përse punimet e hapura për rrugët në qytetet e tyre që kanë vite që qëndrojnë pezull, duhet të dinë se nuk ka më para, pasi ato të gjitha shkojnë tek fatura e Kalimash-Rrëshenit…”. Sa farëhedhës i mirë i farës urrejtje. Por nuk e ka dëgjuar Rama as këtë deklarim, me siguri që jo.
A është e mundur që një taborr përkrahësish të tij në media të nxinin faqe të pafund mediash kundër autostradës, kësaj vepre publike që tërhiqte aq shumë vemendje shqiptarësh e jo shqiptarësh.
* * *
Shkoi në Prishtinë me shitë “Kurbanin” për me rritë aksionet e tij në bursën e nacionalizmit. Kosova ka shërbyer gjithmonë edhe për këtë gjë për politikanët e Shqipërisë. Jam i sigurtë se të gjitha aksionet e nacionalizmit në Kosovë i ka Sali Berisha. Sepse ai tashmë ka bërë nacionalizëm me punë e vepër, ndërsa Rama synon me fjalë nacionalizmin.
Guri i madh i provës për patriot e nacionalist ishte udha e Kosovës. Plotësimi i nevojës më jetike të saj. Kompletimi i pavarësisë së saj. Atë e bëri Berisha. Duke plotësuar njëherësh edhe ëndrrën e Kosovës edhe hapjen e mundësive të mëdha për gjithë kombin shqiptar, lidhjen e tij me vende të shumta të përtej Kosovës.
Zoti Rama nuk u orientua drejt në këtë rast. Nuk e këshilluan drejt. Nuk e deshi autostradën gjatë gjithë kohës që ajo po ndërtohej. Nuk tha asnjë fjalë të mirë kurrë për të. Tani, pasi ajo u ndërtua, ai del dashnor i saj. Por është dashnor i vonuar i saj. As nuk begenisi të shkonte ta shihte së paku njëherë të vetme. Edhe kur udhëtonte për tek populli i tij socialist i Kukësit, ai udhëtonte nga rruga e vjetër. Se nuk e deshi se nuk e deshi autostradën, të cilën sot e don.
Ai nuk dëgjoi këshilla e nuk mësoi as nga Dritëro Agolli, edhe pse kanë deshirë ta quajnë patriark i socialistëve shqiptarë, i cili si askush nga mentarët e gjallë të letrave shqipe, u ngrit mbi stuhinë e thshethemeve të “luftës” kundër udhës së Kosovës dhe u shpreh se kjo udhë është shumë e dobishme dhe do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar ajo kjo rrugë, thotë Dritëro Agolli, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbetën në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.
Veç kësaj Dritëro Agolli e sheh këtë udhë edhe në këndvështrim tjetër. Rruga Durrës – Kukës, thotë poeti, do ta zhveshë “nudo” zonën ku ajo kalon. Për herë të parë, ata që do të kalojnë andej do të zbulojnë bukuri të rralla natyrore të vendit. Është si një poemë që ti e lexon në kilometrat që përshkon dhe në relievin e rrallë të kësaj zone. Në këtë mënyrë do të bëhet një promovim i madh i vendit por dhe i turizmit.
Por mbi të gjitha, thotë Agolli, që me këtë prononcim të tij u bë kalorës i parë ndër të mëdhenjtë e letrave tona, rruga e Kosovës ka një vlerë të madhe kombëtare se ajo lidh për herë të parë në mënyrë kaq të vrullshme dy pjesë të një kombi, të cilin, përveç kufijve, e kishte ndarë dhe infrastruktura e dobët rrugore. Agolli e quan këtë udhë vepër kombëtare.
* * *
Ideja e Udhës Durrës – Kukës – Prishtinë është e Ibrahim Rugovës, i cili në intervistën dhënë gazetës kroate “Nedeljna Dalmacija” të datës 22.07.1990, kërkon ndërtimin e udhës Durrës - Prishtinë, që t’u krijojë mundësinë shqiptarëve të Kosovës të mund të udhëtojnë qoftë edhe sikur “për një kafe në Shqipëri”. Kjo konsiderohet prej meje si fillimi i artikulimit publik të domosdosë për ndërtimin e udhës Durrës – Prishtinë, nga figurat drejtuese kryesore të shqiptarëve.
Me 1 shtator 1995, në një nga konferencat e tij të shtypit, Ibrahim Rugova tha:" Së shpejti do të bisedojmë me presidentin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, për fillimin e projektit për ndërtimin e autostradës në rrugën e vjetër Lezhë-Prizren-Prishtinë. Kjo, shtoi ai, është një arterie kryesore që tradicionalisht ka lidhur Kosovën me bregdetin. Realizimi i këtij projekti kërkon kohë, por duhet të mendojmë për të tashmen dhe ardhmen". Atëhere mediat botërore edhe u çuditën edhe i dhanë vend kësaj deklarate, pasi ishte bash koha kur Kosova nuk mori atë pritshmëri që kërkonte nga Konferenca e Dejtonit dhe dukej sikur do të zhvlerësohej.
Në nëntorin e vitit 1996, po në një nga ato konferencat e tij, Ibrahim Rugova tha: “Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë”. Kaq tha. Asgjë më shumë. Gazetarët në Prishtinë ishin mësuar që Rugova të deklaronte qëndrimin kundër dhunës e represionit serb ndaj shqiptarëve, të bënte analizën e javës dhe ato ta raportonin nëpër mediat vendase dhe të huaja. Asnjë nga gazetarët nuk e raportoi këtë deklarim të Rugovës. Në mesditë redaktorët përgjegjëes të redaksive në Europë e Amerikë pyetën reporterët e tyre në Prishtinë se pse nuk ka raportime sot nga Prishtina. Gazetarët thanë se nuk ka ndodhur ndonjë gjë dhe as Kryetari (Rugova) nuk ka folur për dhunë, burgosje e represion. Ngulmimi i redaktorëve përgjegjës bëri që reporterët të tregojnë deklaratën e Rugovës që u bë lajm në Amerikë e në Europë se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i kërkon fonde bashkësisë europiane për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë.
Ku ishte atëhere zoti Rama? Ku ishte zoti Majko? Ndoshta kanë qenë duke ndihmuar përgatitjen e revolucionit të vonuar demokratik të Rexhep Qoses, i cili, edhe sot kur vjen në Shqipëri, udhëton nëpërmjet Maqedonisë (sot vjen me mjekër e jo si në vitin 1999 që rrojti mjekrën për të ardhë në Shqipëri, në vilën 31 të ish bllokut në Tiranë…), sepse nuk e don as ai autostradën Durrës – Prishtinë që bashkon kombin. Le të shkojë nga të dojë Qosja me tersllekun e vet, tehut të qoseve le të shkojë se nuk deshi të artikulojë asnjë fjalë miradie për autostradën që bashkon kombin, siç bëri Dritëro Agolli.
Në vitet kur Ibrahim Rugova kërkonte ndërtimin e udhës së Kosovës dhe ndërmerrte takime edhe në Tiranë për këtë gjë, me inicimin e presidentit Sali Berisha dhe pajtimin e presidentit të Kosovës, Rugova, qeveria e Kosovës me kryeministër Bujar Bukoshin ndau në bankën “Dardania” që ishte në Tiranë dy milionë marka gjermane për të bërë studimin e fizibilitetit të kësaj udhe. Qeveria Meksi inicoi grupet e punës për fillimin e punëve për udhën Durrës - Kukës. Në fillim të viti 1997 do të niste nga puna grupi i përbashkët i ekspertëve të Tiranës e të Prishtinës për rrugën. Por kish nisur më parë tashmë revolucioni i vonuar demokratik i Rexhep Qoses kundër demokracisë dhe “Çeçenisë” shqiptare që e përbënin veriorët në Shqipëri dhe shqiptarët në Kosovë.
Presidenti Rugova mori në vjeshtë të 1996, në Tiranë, nga Jemin Gjana, ish deputet i Kukësit në atë kohë, edhe dosjen me projekt idenë dhe hartën që ishte vizuar vija e kësaj udhe nga ushtria shqiptare në kohën e diktaturës, dokumente që ishin gjetë në arkivat e Kukësit. Në fund të vitit 1996, drejtori i bankës Dardania, Milazim Abazi, i kërkon deputetit të Kukësit, z. Gjana, dokumentet që ky i kishte dhënë presidentit Rugova, me qëllim që të fillonte lëvrimi i fondeve për studimin e fizibilitetit dhe projektin e rrugës Durrës - Kukës.
* * *
Më pas zotit Rama do t’i citoja ç’më ka thënë Charles Walsh, një amerikan mjaft i njohur në Tiranë, Drejtor i Qendrës Amerikane të Kulturës, pranë ambasadës amerikane, pra, një amerikan jo shitës qoftesh a banor nënurash në Tiranë, në një intervistë që i pata marrë në radio Kukësi, në fund të tetorit 1996, kur ai erdhi në atë qytet bashkë me z. Elez Biberaj, në atë kohë përgjegjës i seksionit shqiptar në radion “Zëri i Amerikës”. “Do të thoja se jetoni në pjesët më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh Charles Walsh. “Unë besoj që në të ardhmen e Shqipërisë, me zhvillimin e ekonomisë, do të ketë autostradë. Ajo do të kalojë në Kukës. Do të bëjë lidhjen me ato pjesë të Kosovës me të cilat ju tashmë jeni të lidhur. Mendoj se kjo do të sjellë një ndryshim gjigand në dekadat që vijnë. Kështu që ju uroj fat”. Kaq tha Ëalsh në radio Kukësi për autostradën. S’besoj ta ketë mësuar nga z.Majko këtë ide.
* * *
Nuk u ndjeva mirë që Rama nuk ia dha meritat që i ka për këtë udhë Ibrahim Rugovës, si potencuesi i parë i ri i idesë së kësaj udhe të moçme, merita që ia ka dhënë Kosova se ia ka vënë autostradës emrin e tij. Ndaj dhe se si mu duk vizita dhe homazhet e Ramës pranë varrit të Ibrahim Rugovës. Mbase duhet një ndjesë Kosovës, të paktën nga faqja e tij e internetit “Twitter”.
* * *
Nëse ende beson zoti Rama se udha e Kosovës është ide e Majkos, është e drejta e tij dhe e Majkos ta besojnë. Por sikur është tallje e madhe që i bëhet zotit Majko. Për hir të së vërtetës, kam pritur seriozisht se do të reagonte z. Majko e do të thoshte publikisht se kjo nuk është ide e tij, sepse Rama e pati shitë në Kukës në 11 prill 2009 këtë të pavërtetë dhe e përsëriti për herë të tretë këtë gjë, por tashmë në Prishtinë. Z. Majko nuk duhet të heshtë për këtë gjë edhe pse unë e kam nderuar dashamirësinë e tij për këtë udhë që bashkon kombin. Ai e ka historinë e tij të mirë, deshirën e tij të mirë për këtë autostradë, pas vitit 1999. Majko ka meritat e tij për këtë udhë. E ka dashur këtë udhë. Nuk ka nguruar t’ua pohojë edhe gazetarëve të huaj këtë gjë, kur kori socialist çirrej kundër autostradës që po ndërtohej. Majko, në pikun e luftës kundër udhës, është shprehur publikisht se kjo udhë nuk mund të ndalet. Ka folë pa leje të Ramës, natyrisht. Ai vuri taksën Majko dhe grumbulloi një shumë lekësh që vetëm për këtë udhë nuk u përdor. Ai kishte deshirën dhe vullnetin e mirë. Por aq shpatulla kishte. Ai filloi gërvishtjen e gjurmës së udhës në Rubik me trupat gjeniere të ushtrisë shqiptare, në 2.5 km, por nuk mund ta bënte atë udhë e cila së pari kërkonte vullnet të fortë politik, përkrahje të fortë politike, trimëri në ndeshje me kundështarët e ashpër të kësaj autostrade dhe dashuri të madhe e të panegocueshme për Kosovën.
Z. Majko ka ende aksione morale në Kosove dhe në gjithë rajonin nga kalon autostrada. Pas vizitës së tij të parë si Kryeministër në Kosovën e pas luftës, kur e takoi Rugovën dhe i tha President, i kam kushtuar një shkrim në “Bota Sot”. Ishte koha kur komunistët e Tiranës dhe të Prishtinës donin ta shqyenin Rugovën se u bënte hije në trimëri dhe qëndresë ndaj e anatemonin orë e çast në mediat qeveritare të Tiranës, të cilat ai i shpërfilli dhe refuzoi.
Z. Majko ishte ndër të parët shqiptarë që bëri krushqi të re me Kosovën e lirë, pas vitit 1999 (krushqitë me Kosvën ishin ndërprerë në vitin 1948 kur u mbyll kufiri) me Kosovën (martoi vëllain e tij me një vajzë prishtinase) dhe kjo është një vlerë për të sepse edhe ky gjest është pohim i dashurisë së tij për Kosovën, gjest që e dëshmoi në vizitën e tij të parë në Prishtinë si Kryeministër i Shqipërisë fill pas luftës së NATO-s për dëbimin e serbëve prej Kosove në vitin 1999.
* * *
Unë e falenderoj zotin Rama se më në fund nga Prishtina u bë aleat me mua dhe e lavdëroi autostradën. Anipse falenderoi vetëm pjesën që ka bërë Bektel & Enka dhe e quajti të standarteve europiane. Lavdëroi bash atë pjesë autostrade, që kalon “nëpër Mars”, siç shkruan miku i tij Fatos Lubonja në shkrimin me titull “Autostrada Rreshen – Mars – Kalimash”. Z Lubonja i duket shumë e keqe kjo udhë. Shumë e shëmtuar kjo pjesë autostrade. Z. Rama i duket e standarteve mirëfilli europiane. E falenderoj zotin Rama që është aleat me mua kundër shkrimit të Fatos Lubonjës të botuar në “Panorama”, me 7 korrik 2010 .
* * *
Nuk e kuptova lojën që bëri z. Rama me këtë pjesë autostrade të standarteve europiane që edhe e puth edhe e pështyn. Se gjithmonë zoti Rama nuk mungon të vërë një “por” në fund të fjalive të tij. Gjykon me kompetencë prej ekonomisti, juristi, hetuesi, prokurori, gjykatësi, avokat populli, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, etj., se në atë segment autostrade është vjedhur. Pra amerikanët dhe turqit kanë ndërtuar autostradën në standarte europiane por kanë vjedhur. Faik Konica, duket, për rastin Rama dhe rastet “Ramëra” duhet të ketë thënë në kohën e tij “Nuk thom se jeni shqiptarë të liq, por pse doni të gjykoni punëra që s’i dini”.
Ai e ka me vete Prokuroren e Përgjithshme sepse publikisht kanë mbrojtë njëri – tjetrin, ka raporte politike të pathyera me presidentin e vendit Bamir Topin, i cili qeveris gjykatat e vendit. Pse nuk hetojnë. Të hetojnë thellë. Shterrueshëm. Që të më bëjë edhe mua aleat po të më bindë se është vjedhë qoftë edhe një cent në këtë autostradë, aleat për të dënuar vjedhësin por jo për të penguar ndërtimin e autostradës.
Ndryshe, me “por”- e, Edi Rama nuk hakmerret dot ndaj Lulzim Bashës, i cili e mundi zotin Rama në betejën për ta bërë apo jo udhën e Kosovës, pasi Basha pati fatin dhe besimin e Kryeministrit Berisha të jetë dashnor i autostradës që në ngjizjen e saj. Edhe pse z. Rama nuk ia përmend as emrin Lulzim Bashës, dhe deshi ta burgoste për autostradën Durrës – Kukës, duke e akuzuar për shpërdorime fondesh e pabarazi në tenderat e autostradës, ky i fundit e mundi zotin Rama edhe në ndeshjen për drejtimin e bashkisë së Tiranës. Dy me zero rezultatet e dy ndeshjeve Basha – Rama.
Më duket se të gjitha mundjet dhe disfatat zotit Rama ia ka shkaktuar Udha e Kosovës… Por ai ende nuk e ka kuptuar, ndonëse udhëtimi i vonë për në Prishtinë për t’u vetshpallur dashnor i vonuar i autostradës, për t’u pajtuar me autostradën, ndërtuesit dhe përfituesit e saj, ndonëse me vonesë, mund t’i shërbejë dhe mund të jetë tregues se ai po vrapon pas trenit që i ka ikur shpesh. Por vetëm nëse do të jetë krejt i sinqertë dhe të flasë pa arrë në gojë mund ta zërë trenin. Vetëm nëse do ta rishkruajë programin politik të Partisë Socialiste dhe ti kushtojë vemendje Kosovës qoftë dhe një paragraf e jo 54 germa
* * *
Sikur nuk më behet të besoj se një kompnai amerikane si Bekteli, lider në botë, të ketë ardhë me vjedhë në shpatet e tunelet e Kalimashit. Në atë segment të vështirë. Në ato punë e volume të cilat mund të maten e të kontrollohen edhe pas 50 vjetësh se aty janë. Po pse nuk thotë se mund të jetë vjedhë në segmentet e tjera që kanë ndërtuar kompanitë shqiptare apo të huaja të tjera. A mos është kryeqëllim me poshtrue kompaninë amerikane. Rujna zot. Se ky antiamerikanizmi u bë si modë. Jo se nuk vjedhin amerikanët jo. Por kjo punë më duket së është si ajo bosi e kujtuesi. Ai që bon vetë, ai që vjedh vetë, kujton se bëjnë të gjithë si ai, kujton se vjedhin të gjithë si ai.
U thotë të pranishmëve në Prishtinë, kur ato shfaqin dyshime se po vidhet atje, merreni me mend sa është vjedhë në Kalimash. Sipas atij ka dalë vjedhja për fushe, ka dalë kurvnia arës. A nuk ngjan pak si punë nxitje ngatërrese e nxitje mllefi kundër kësaj kompanisë amerikane Bektel & Enka. Ua mori fytyrën edhe në Prishtinë.
* * *
Thotë se autostrada në Kosovë është më e mirë dhe kushton më pak. Por nuk thotë (megjithëse edhe qorrat tashmë e dinë) se në Kosovë autostrada po bëhet nëpër fushë, gjithkund nëpër fushë, rrallë rrëzë ndonjë kodre të vogël, jo nëpër male, as përrenj e gryka lumenjsh, jo nëpër grykat e thepisura të Fanit, të Kalimashit, nuk po shpërthen male e shkëmbënj. Dhe normal, një kilometër autostradë në planetin Mars të Fatos Lubonjës, në Fanë, në Kalimash a Kukës, “me standarte europiane”, nuk mund të kushtojë sa një kilometër autostradë në rrafshinën e Kosovës. Rama sikur i hedh këto fjalë për të ngatërruar dynjanë, për të ngatërruar shqiptarët e Kosovës, për ti nxitur të ngrihen në protesta kundër autostradës, për të penguar ndërtimin e saj atje, kur nuk arriti ta pengojë në pjesën e Shqipërisë si dhe për të akuzuar Bektel & Enken. Edhe një i pa shkollë e pa kalem e din se nuk mund të kushtojë njëlloj një autostradë në malet e Shqipërisë sa mund të kushtojë një autostradë në fushat e Kosovës.
* * *
Një ditë mendon se do të vijë në pushtet dhe koha do të punojë për forcën e tij politike. Qysh në Prishtinë shtroi shinat e vjedhjeve të mundshme nesër kur të jetë në pushtet nëpërmjet ribërjes së udhëve të Shqipërisë sepse kjo qeveria aktuale, që së paku bëri udhët e atdheut, i paska bërë pa standarte dhe i ka vjedhur rrugët. Ai, në emër të ribërjes së të gjitha udhëve me standarte, vec asaj të Bektelit, përgatit rivjedhjen e tyre. Kështu e tha ai në Prishtinë. Kështu e lexova unë fjalën e tij.
***********************************
GËZOHU ME MUA PËR AUTOSTRADËN E KOMBIT Z. LUBONJA
(si një reagim për shkrimin “Autostrada Rrëshen - Mars - Kalimash” të Fatos Lubonjës, botuar me 7 korrik 2010, në të përditshmen “Panorama”)
Me zell të pandalshëm e të pashterrshëm, krejt i bindur se din gjithcka në këtë botë dhe se është ekspert i dorës së parë në e për gjithcka, Fatos Lubonja bën një ndër shkrimet më të shëmtuara e të pështira nga të gjitha shkrimet e bëra kundër udhës Durrës – Kukës – Prishtinë, me titull “Autostrada Rrëshen – Mars – Kalimash”, botuar në të përditshmen e Tiranës, “Panorama”, me 7 korrik, 2010.
Më duhet ta them që në krye, se në shumëcka e për shumëcka, unë e pëlqej dhe e dua Fatos Lubonjën, si një intelektual mjaft të angazhuar në jetën e vendit, si një intelektual serioz. Sidomos e respektoj për burgun që ka bërë në vitet e diktaturës, për vuajtjet çnjerzore që ka hequr atje, për zhgënjimet e llahtarshme që ka pësuar nga blloku i udhëheqjes së dikurshme politike të Shqipërisë, pjesë e të cilit ka qenë vetë z. Lubonja.
E ndjek shpesh në ekrane e faqe gazetash. Por kam kuptuar tashmë se është e njëjta gjë që thotë kudo, se thur gardh pa thupra, pavarësisht temave ku përfshihet, gjithmonë me shumë kompetencë, duke menduar se në këtë vend nuk ka asnjë tjetër të flasë dhe duhet ai që të mos mbeten të shkreta e memece ekranet apo faqet e shtypit dhe të mos mbetet pa u ndriçuar mendja e shqiptarëve. A nuk duhet kurrë të bëjë njeriu pak pushim?! Së paku sa për të dëgjuar se si përplasen në mal e si i kthen mbrapsht mali fjalët që thua…
Flet me kompetencë për gjithcka të kësaj bote. Si ekspert për rininë, për pleqërinë, për shkencën, për artin, për drogën, për doganat, për puthjen, për seksin, për aeroplanat, për të korrat, për të mbjellat, për shiun, për dëborën, për hënën, për diellin, për detin, lumenjtë, hidrocentralet… Fatos Lubonja sikur ta mbush mendjen se mundet me e puthë bërrylin e vet.
Për të na pohuar e diktuar gati gati dhunshëm se është, ai shqfaqet kurdo e kudo nëpër media, duke pretenduar me gjithë sjelljën e gjestet, kur shtrembërohet e lazdrohet kur flet, sikur gjithmonë bën vezë pate, duke na hutuar ne e vetën krejt qëllimshëm se objekt i intelektualitetit të tij është çdo temë, çdo fushë e aktivitetit dhe dijës njerzore, nga A-ja tek Zh-ja.
Mars e quan në shkrimin e tij vendin nga kalon autostrada Durrës – Fan – Kukës- Morin – Prishtinë ! Marsi, planet i kuq dhe pa pa jetë. Kështu e përfytyron Fatos Lubonja atë planet. Ne duhet që të pajtohemi detyrimisht me përfytyrimin e tij. Kështu e quan Fanin, Mirditën, Kukësin, autostradën. Të djegur, të shkretuar dhe të shëmtuar. Ani pse aty jetojnë njerëz dhe kalojnë mijëra udhëtarë me makina. Ja që shkokan njerëz dhe makina në Mars…
Vrer derdh në atë shkrim kundër autostradës. Po ç’të bëjmë ne tani që autostrada u bë. U bë nëpër atë rajon, në ato gryka të shkreta, të harruara, të kësaj treve, për të cilën disa albanologë që i shërbejnë “romantizmit nacional” shqiptar, siç ka qejf të shprehet i gjithëdijshmi Lubonja, kanë thënë mëse një herë se pikërisht kjo trevë nga kalon autostrada Durrës - Fanë – Kukës – Prishtinë, që lidh pjesët e kombit shqiptar, është djepi i formimit të kombit shqiptar.
Absolutisht, besoj e shpresoj se Fatos Lubonja nuk e ka mllefin me këtë djep.
Por ndoshta më lejohet t’i kujtoj shkruesit Lubonja se treva në fjalë, ku kalon autostrada, është e banuar prej mijëra vjetësh dhe ku ndoshta edhe për arsye natyrore është ruajtur më mirë se kudo toponimia shqiptare, në shkrepat e së cilës u thyen e shkërmoqën valët e huaja të pushtimeve ushtarake, kulturore etj.
E kam dëgjuar Lubonjën të flasë edhe për katolikët, për përfaqësuesit e këtij kleri. Mbase edhe për hatër të katolikëve, nëpër trevën e të cilëve kalon kjo udhë autostradë, duhej ta thoshte një fjalë të mirë, që mbase i del padashje. Psh: për cilësinë e rrugës e të asfaltit që lehtësojnë të arrihet Kukësi (Marsi) në një kohë shumë të shpejtë dhe pa tu troshitur kockat siç ndodhte në kthesat e pafundme të udhës së vjetër, e cila tashmë duket si udhë dhish. Shumë çudi në fakt, sepse për këtë autostradë, që Lubonja dhe ajo e huaja që ai shoqëroi dhe që e shpallën të keqe, gazetari gjerman Karl Peter Schwarz, në artikullin e tij për këtë autostradë, me titull, “Fuqia shëruese e një autostrade”, e quan “autostradën e re të rehatshme për të udhëtuar”. A s’duket paksa si çudi që një gazetar gjerman jep këtë konsideratë!!... Apo do të thuash se edhe gjermanët nuk janë mësuar me standarte...
Z. Lubonja, që s’besoj se është i huaj e jo shqiptar (të shkruajë gjithë ditën Sadik Bejko…), dhe ajo e huaja që ai shoqëron, thonë se është kotësi funksionaliteti i autostradës. Është kotësi që rruga bëhët për dy orë nga 6 – 8 orë që bëhej dikur, është kotësi që ulet kostoja e transportit 30 dollarë për ton kilometër, është kotësi që një tregtar i Kukësit (Marsit), Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Gjilanit, Ferizajit, Prishtinës, Kaçanikut etj etj, nuk paguan më 100 lekë të vjetra për çdo kilogram mall që i shkonte në Kukës (Mars), por paguan 20-30 lekë të vjetra. Është kotësi dhjetë e njëzet fishimi i numrit të udhëtarëve apo turistëve që vijnë në Shqipëri, qoftë edhe me pi një kafe në Durrës apo me fjetë një natë në Vlorë… Është kotësi taksa që paguan çdo makinë që hyn në vendin tonë për të kaluar tashmë përtej Marsit (Kukësit) në Kosovë apo në Maqedoni, makina e udhëtarë të shumtë që shkonin në Kosovë apo Maqedoni nga Greqia… Është kotësi funksionaliteti që mijëra gjimnazistë e nxënës nga Shqipëria shkojnë me deshirë të shohin e njohin Kosovën dhe dhjetra mijëra nxënës të Kosovës bredhin të njohin Shqipërinë… Kotësi funksionaliteti. Por prapë ai gazetari gjerman, Karl Peter Schwarz i gazetës “Frankfurter Alemaine Caitung” thotë pafajësisht se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që udhëtuan nëpër këtë autostradë. Normal që pak janë për standartet gjermane.
Ndalem dhe flas me vete. A mos ka Lubonja junior ndonjë mllef apo inat me kuksianët- marsianët. Ndonjë gjë të trashëguar nga Lubonja plaku edhe mund ta ketë se Lubonja plaku duke qenë sekretar i parë i komitetit të partisë komuniste në Kukës edhe mund të ketë bërë mëkate ndaj kuksianëve - marsianëve. Edhe pse përfaqësoj vetëm veten time, pa e konsideruar të tepërt, do të kërkoja ndjesë, sepse për vuajtjet e të kaluarës jemi bashkëfajtorë. (Nuk ishte vetëm Zeusi…).
Për të dënuar të djeshmen komuniste nuk kam ndonjë kuriozitet për të kërkuar në arkiva. Sepse i pari i rrethit, pra sekretari i parë i partisë komuniste, në përgjithësi, konsiderohej dorë e zgjatur e Zeusit që ishte në qendër. Nuk e di se ç’histori mund të ketë patur në burg z. Lubonja me ndonjë kuksian (marsian). Mund të jetë lënduar nga ndonjë marsian-kuksian. A mos duhet t’i kërkoj falje për episode apo dhunë të panjohur të ushtruar nga kuksianë-marsianë në ato institucione famëkëqia ku ka vuajtur dënimin z. Lubonja. Po ta dija se i kanë hyrë ndonjëherë në hak kuksianët, do t’i kërkoja ndjesë.
Për Kukësin (Marsin), ndoshta ka një farë detyrimi z. Lubonja junior, sepse Lubonja plaku ka qenë sekretar i parë i komitetit të partisë në Kukës në kohën kur hidheshin themelet e diktaturës komuniste. Padyshim, për këtë nuk ka asnjë faj i biri, Lubonja junior, antikomunizmi i të cilit ngjan të jetë më tepër mllef përsonal për Zeusin (Enver Hoxhën) që e përzuri nga Olimpi, (blloku).
Ky shkrues pasionant që nuk le vend pa e shpallë mëvetësinë e tij intelektuale të mendimit dhe pa qesëndisur përkuljen neveritëse ndaj të huajve, nuk nguron të gjejë përkrahëse edhe një udhëtare të huaj, madje një artiste të huaj, që iu digjka shpirti për pyjet e shkatërruara të Fanit të Mirditës, madje…
Ajo e huaja, shoqërues i së cilës është bërë Lubonja, ajo perendimorja, e shetitura, për të bërë punën e saj, për ta dashur vendin e saj, si nacionaliste e vertetë, i nxjerr dhe shpik argumentet nga varri. Se vërtetë, mund të jetë e sinqertë. Mund të mos ketë parë kurrë një autostradë në një terren të tillë “të çmendur”, nëpër ato shkrepa e shkëmbinj vullkanikë, minerarë, të zhveshur, “të shëmtuar”, në ato gryka e maja nga kalon kjo udhë që u prish qetësinë shpendëve e kafshëve të egra dhe nuk cënon resurse të kollajta të njeriut. Mundet.
Jam gati t’ia jap Lubonjës mbi njëmijë foto unë, vetëm unë, të atij pejsazhi që ta shohë se si ka qenë dikur, si është e si po bëhet, që t’ia çojë, falas madje, po deshi edhe asaj të huajës që i dhimbka e iu digjka kaq shumë shpirti për pejsazhet tona në Fan të Mirditës. Pastaj ai, dhe ajo, kur paska qenë aq e ditur dhe e zonja për gjysmë tunele, për ruajtje peisazhesh, pse s’i kanë thënë mor aman shtetit shqiptar që t’ju merrte mendje dhe mbase dhe t’i paguante rëndshëm, qofte dhe me honorare të majme. Ose kompanisë ndërtuese a projektuese t’i thonin, se mund t’i paguante majmshëm për këshillat e vyera për mbrojtje të peisazhit të Fanit.
Shtirja e autorit të këtij shkrimi nuk të ndjell asnjë lloj keqardhje. Fatos Lubonja le të shtiret sa të ketë qejf, por është krejtësisht i lexueshëm. Vetem sa zbulon para lexuesit të vëmendshëm (ja që ka edhe lexues të vëmendshëm), shpirtin e tij … (cilësorët le t’i vendosë vetë, si ta ketë zogun e qejfit).
Është e kotë t’i kërkosh gjë atij që s’do kurrfarë argumenti përveç mendjes së tij. Ai nuk don t’ia dijë se si ka qenë përpara pejsazhi, si kanë qenë përpara ato gryka të Fanit, ndonëse për to janë bërë filma të plotë dhe ekzistojnë mijëra fotografi. E siguroj se gënjën Fatos Lubonja, se në nëntëdhjetë përqind të shpateve, dhe nuk janë numër i pafund malesh në atë distancë aq të shkurtër, ndaj të mos bluajë në të thatë, nuk ka patur pisha e lisa të lartë. Ai flet për peisazhe që kurrë nuk i ka parë më herët as në fotografi, pavarësisht se nëpër atë udhë të shkurtër që të kursente kohën, nëpër atë luginë mund të ketë udhëtuar për në Kukës, Lubonja plaku, kur ishte sekretar i parë i komitetit të partisë atje, kohë kur edhe Fani ishte pjesë e Kukësit. Pra asgjë nuk është vrarë as në kuptimin më të zakonshëm e jo më në kuptimin më mizor të fjalës.
Firma amerikano-turke Bektel & Enka që zbatoi punimet është përpjekur të ruajë atë pak bimësi. Pjesa e dëmtuar po rikuperohet dhe do të marrë formë më të plotë e të bukur brenda pak vitesh. Shkatërrimi nuk është përfundimtar dhe nuk është shkatërrim. Banorët vendas që kishin ikur nga sytë këmbët prej aty sepse nuk u premtonte asgjë ai vend, po kthehen, po shohin mundësi jetese e biznesi. Nëse toka apo një banesë aty shitej dikur falas a sa një palë duhani, sot shko e pyeti ato banorë se sa u është rritur vlera e tokës apo banesave të tyre. Mundësia e një turizmi elitar u ka shkuar në prag të derës atyre zonave me resurse të pasura natyrore e histori të bujshme. Kanë filluar këta mirditoro-marsianët të bëjnë edhe agroturizëm. Nuk bën keq t’u tregosh atyre që ti shoqëron, që të vijnë të kalojnë ndonjë natë të hatashme në Marsin tashmë jo të djegur… A i thotë gjë emri Domgjon, fshat ky në të cilin tani për fat shkohet kollaj… Më duket se është fshati i Gjergj Fishtës, i atij shqiptarit të madh, që mund ta njohë z. Lubonja.
Mirë, qenka vrarë peisazhi në atë vend, që ai e quan Mars, të cilin ai nuk ka dashur ta shohë e njohë kurrë, se për atë ka qenë prapa botës. Po ky peisazhi i ri, i duket gjë peisazh varri…?! Si nuk i doli qoftë edhe një fjalë e mirë për atë rrugë, për atë djersë, për ato mundime, për atë shkollë që kaluan për mëse dy vite shqiptarët… Qoftë dhe për 350 ha tokë e re bujqësore që u krijua apo shtua aty nga firma ndërtuese nga zhvendosja e dherave. Si nuk u ndal të pyesë njëherë, si ka mundësi që u sistemua ai vend aq bukur. Ku shkuan 35 milionë metër kub dhera të gërmuara.
Ku shkoi dheu i hequr nga 11 kilometra tunel? Si u zhdukën kodra e u krijuan ato fushëza. Si u zhbënë malet dhe mes tyre u ça gjithë ajo autostradë që duket si një lumë i madh apo si një pistë e madhe e gjatë aionësh. Nuk u shëmtua peisazhi, jo. Ai mbase ka patur deshirë që të mbetej ajo zonë si kopësht për zogj e kafshë të egra që të vinin të huajt, qoftë edhe artiste, dhe tu tregonte ai një oaz mesjete në zemër a në asht të kombit shqiptar.
“Ku ka shkuar vërtetë gjithë ai material i nxjerrë nga tunelet? Çdo i huaj apo e huaj, qoftë edhe artiste, me apo pa famë, çdo shqiptar apo kalimtar, për këtë do pyste së pari. Aty sikur është bërë punë në kompjutër e jo as në letër e as në tokë. Çfarë leksioni dha kompania amerikano-turke për kompanitë shqiptare që edhe kur ndërtojnë ndonjë gjë të bukur e shëmtojnë me mos sistemimin e mjedisit.
Z. Lubonja junior qahet për Vlorën. Ej, i gjithdijshëm! Vlora është pjesa gati fundore e kësaj arterie apo autostrade edhe pse është përfituesja pothuajse më e madhe e kësaj udhe. Apo jo? E fundi, kur duhet bërë, në fillim? Vlora fitoi portin e kontinierëve që do të udhëtojnë nëpër këtë autostradë.
Rruga dykalimshe, e cila sipas Lubonjës mjafton (edhe për 20 vjet), Milot – Rrëshen, e financuar nga Banka Botërore, kur qe drejtore e saj për rajonin tonë, Orsalia Kalantzopoulos, të cilës, Sali Berisha, thonë se i pati thënë, kur ajo refuzonte të financonte dhe synonte të pengonte, se do e bëjmë rrugën me katër korsi edhe nëse do të na duhet të shesim bizhuteritë e grave e nënave shqiptare, nëse do të na lindë nevoja, kjo rrugë pra rezultoi shumë shpejt e pamjaftueshme. Ose si gjë e shëmtuar që i varet në qafë autostradës për mos me e marrë më sysh…
Lajmet e verës së fundit na thonin përditë se numri i makinave që kalonin në 24 orë në atë autostradë shkonte mesatarisht cdo ditë mbi 17 mijë deri në 24 mijë, pa ditur e folur për numrin e njerzve, udhëtarëve.
Dhe imagjino që ajo udhë, (më falni se nuk po e përmend më fjalën katër kalimshe sepse duket se e shqetëson shumë), ende është e pashfrytëzuar me kapacitet të plotë, por ende as përgjysmë, sepse nuk ka përfunduar gjysma e saj në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë. Se kur të mbarojë edhe në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë, asaj udhe do t’i shtohen udhëtarët. Do të derdhet në atë udhë edhe Serbia e vendet e tjera. 80 kilometër ka për të ndërtuar Serbia përtej Merdares zoti Lubonja. Dhe do t’i ndërtojë për interesat e veta e jo për dashuri ndaj shqiptarëve. Për t’ia heqë merakun edhe Vuk Drashkoviçit që thoshte para ca kohësh se Kosova s’mund të lidhet me Shqipërinë as me detin nëpër rrugë dhish… Serbët, bullgarët, mbase edhe rumunët, jo për hir të dashurisë për udhën e kombit shqiptar, por për hir të interesit të tyre, për hir të kursimit e respektimit të kohës së tyre, do ta përdorin udhën e kombit shqiptar. Kohë të cilën diktatura komuniste në Shqipëri ua vrau shqiptarëve në mënyrën më mizore, duke bërë bunkera e jo udhët e vendit. Apo nuk është dakort z. Lubonja për sa them.
Mendimet, deshirat dhe kërkesat e Kalantzopoulos dhe të z. Lubonja ngjajnë, për çudi, plotësisht. Si edhe me të artistes së huaj shumë të shëtitur që ai e ka shoqëruar për në planetin e kuq Mars.
Kalantzopoulos mbase kishte hallin se po i pakësohet puna portit të Selanikut dhe natyrshëm ajo sillej si patriote për vendin e saj Greqinë, anise detyra nuk ia lejonte të bënte dëm në Shqipëri e të vononte zhvillimin e progresin e saj kombëtar. Po Lubonja, a mos ka edhe ai ndonjë port ndokund. Me sa di, nuk ka asnjë port askund. Por Vlorës (edhe Selenicës), po, kjo autostradë ia shton punën dhe rëndësinë. E bën Vlorën (edhe Selenicën) të të gjithë shqiptarëve dhe të prekshme edhe për të huajt e shumtë që rrjeshtohen pas Kosovës në hartë, për serbët, bullgarët, rumunët etj.
Paska njerëz…!! Kështu thotë ai diku në shkrimin e tij. Kur do, i zbulon njerzit, kur do, i zhduk.
Ai thotë se është për rrugë të vogla kapilare, që të kaptojnë çdo fshat, çdo majë mali ku ka pyje për ti shfrytëzuar, ku ka galeri për t’ua marrë floririn, që Veriu i vendit të mbetet brenda vetes, të lëpijë e kafshojë vetën si në sistemin komunist që bashkëthemeloi e bashkëdrejtoi Lubonja plaku.
Por kjo udhë e gjërë, e madhe, katërkalimshe, madhështore, mes për mes maleve, që shembi e çau male, që krijoi fushëza, ku makinat fluturojnë me shpejtësi zogu, ku veriorët mbërrijnë në Tiranë për aq kohë sa u duhet të dredhin një cigare, kjo arterie bëri që Veriu të vijë në Tiranë. Të vijnë edhe ata banorë, pasuria e të cilëve (flori, energji elektrike, lëndë drusore, prodhime të bekuara blektorale e jo domate, speca e kastraveca…) kishte mbërritur me kohë në Tiranë dhe e kishte bërë e zhvilluar Tiranën e krejt Shqipërinë, pa përfituar asgjë ata banorë përveçse izolimin që u ofroi diktatura komuniste, përveçse vrasjen barbare të kohës së tyre. Ai besoj duhet ta dijë e ta mbajë mend mirë se për të ardhë në Tiranë veriorëve u kontrollohej letra e njoftimit pesë – gjashtë herë…
Thotë se nuk ka qenë ajo rrugë prioritet i Shqipërisë. Nuk e di a flasim të dy për të njejtën Shqipëri, për të njëjtin atdhe, për të njejtin komb…. Unë them ka qenë, ai thotë jo. Kosova thotë është e vonuar si prioritet kjo udhë. Veriu i vendit thotë është udhë e vonuar. Jugu i vendit thotë është e vonuar se tregu nuk është nga apendisiti i vendit nga mund ta dojë z. Lubonja, nuk vazhdon tregu poshtë këmbëve të Shqipërisë, por tregu është drejt Europës dhe portokajt, mandarinat e shalqini i Jugut shkon tani me kosto më të lirë në Kosovë e në Serbi. Se perimet e Lushnjës, Beratit e të Fierit kanë treg të hershëm në Kosovë e në Serbi. Apo po ia fus kot?! Si nuk e ka marrë mundimin të pyesë një herë se çfarë çojmë ne në Kosovë a në Serbi. Se çfarë prodhojnë fermerët myzeqarë. Se sa u është shtuar mundësia atyre nga dyfishimi i tregut dhe numrit të konsumatorëve. Se sa më herët dalin në treg prodhimet e fushës së Shqipërisë në raport me kohën kur dalin në treg prodhimet e Kosovës, Maqedonisë apo Serbisë… Nejse, punë për të. Ai nuk është fare fshatar.
Dukesh se nxihet i tëri dhe ka vënë duar në kokë nga zgjerimi i madh i Tiranës e Durrërsit, nga mundësia e bashkimit të tyre me ndërtime, me vila e biznese. Thotë se qenkan shëmtuar Tirana dhe Durërsi… Po, po! Tirana dhe Durrësi janë shëmtuar prej ardhjes apo dyndjes së të paudhëve të cilët i pati penguar e ndaluar rreptësisht të vinin këtëj tunelit të Kalimashit, partia e dikurshme e Zeusit dhe nuk i pengoi periudha e demokracisë, e lirisë, që sipas Bejkerit, të cilin ne e adhuruam, ajo do të jepte rezultate : dhe dha levizjen e lirë të shqiptarëve edhe të “marsianëve”.
Le ta shajë dhe shëmtojë autostradën e kombit shqiptar sa të dojë me fjalë, artikuj, libra, emisione. Po udha u shkrua në tokë, në zemër të tokës shqiptare. U gdhend në tokë, u betonua firma e bashkimit kombëtar që është kjo udhë. U nënshkrua në tokën shqiptare, bash për asht të saj. Dhe këtë firmë e nënshkroi Sali Berisha. Duket hata. Ka firmë të hedhur në letër, apo kudo. Por firmë e hedhur apo e shkruar në tokë, është hata. Por ja që kështu ndodhi z. Lubonja. Kjo autostradë është një monument. Monument force, fuqie, djerse, dinjiteti, patriotizmi. Monument nderi e krenarie kombëtare. Kryemonument i shqiptarëve është kjo autostradë, kjo kryeudhë, për sot e për jetë të jetëve, sepse nuk ka vend, hapsirë e nevojë tjetër të bëhet më një udhë e tillë sa të ekzistojë Shqipëria. Patriotëve e nacionalistëve të së ardhmes nuk u ka mbetë më për ta bërë këtë udhë, nuk u ka mbetë më shans të tregojnë patriotizëm e nacionalizëm kaq të madh. Le t’i ngushëllojmë unë dhe ti z. Lubonja!
Atij mbase nuk i pëlqen që disa e quajnë komb hapsirën ku jetojnë shqiptarët. Që e quajnë udhë të kombit këtë udhë, që e quajnë arteria e kombit këtë udhë. Mund t’i duket anakronike dhe budallallëk me brirë, që shqiptarët në Kosovë e kanë të fortë ndjesinë e kombit shqiptar. Por duhet t’ia kujtoj se ata që kanë komb të gjallë e kanë të fortë ndjesinë e kombit. Por nuk e di se a e kanë apo jo këtë ndjesi ata që enden dherave të huaja dhe që nuk kanë komb. Edhe shqiptarët kudo ku janë shqiptarë e kanë të fortë ende ndjenjën e kombit shqiptar. Se ka dashtë zoti që ky kombi shqiptar nuk na ka lënë me marre e turp, nuk na ka bërë që të rrimë kokëulur, edhe pse do mercenarë kanë dashtë ta djegin, kanë bërë thirje në Vlorën e flamurit shqiptar në emër forumesh fantazma e në emër të dreçit e të birit edhe për ta djegë këtë komb në vitin e mbrapshtë 1997…
Unë jam me Lubonjën, që nacionalizmi është streha e fundit e horrave. Jam me atë, që bluhet shumë e shumë nacionalizëm e patriotizëm, pa kufi, pa masë. Por gjithmonë me fjalë, me fjalë. Që nga koha kur drejtonte këtë vend Zeusi që “pastroi” Olimpin. Fjalë, fjalë, imzot fjalë. Por ja që ndodhi vetëm një hërë që u bë nacionalizëm e patriotizëm me vepra, pa fjalë dhe në luftë të pështirë fjalësh të kundërshtarëve të kësaj udhe, që siç po del nga fjalët e tij, paskan patur edhe përkrahjen e tij, meqë meqë është njeri që dikton në opinionbërje në këtë vend, ku analistët e opinionistët janë një çetë dhe vetëm një çetë të zgjedhurish me shumë kujdes jo për aftësi por për zell shërbimi, çetë shëtitëse e armatosur edhe me fjalë të zeza gjëmash deri në dhëmbë…
Ta duash vendin tënd, të luftosh për ta bërë të mirë e të begatë për shtetasit e tij, nuk besoj se është horllëk, apo jo. E bëri këtë gabim Sali Berisha. Mblodhi qeverinë, bëri vendimin përkatës dhe e ndërtoi këtë udhë, e ndërtoi shpejt, në kundërshtim me shumë shqiptarë e antishqiptarë. Duke prishë edhe marrëdhënie me shumëkënd mbase. Në kushtet e një lufte të pandërshme të brendëshme e të jashtme kundër tij e kundër udhës. Por e bëri. Ç’ti bëjmë. Ai u tregua kryenacionalist, kështu siç thotë Lubonja. Ndërtimi i kësaj udhe, po, është nacionalizëm i kulluar se e don shumë vendin e vet dhe bën më të mirën për të, por nuk është mëkat pse për këtë shkak e për këtë udhë e për këtë dashuri ndaj kombit e atdheut, inatoset e zemërohet një vend tjetër, një shëtitëse e huaj e ditur dhe e shetitur më shumë se ai, ose ca banorë bujtës në këtë vend, që ky moment historik i gjeti shtetas shqiptarë, por vetëm kaq, shtetas shqiptarë, por që nuk dinë e nuk duan ta duan Shqiopërinë dhe sapo të gjejnë ndonjë mundësi më të mirë, thonë pa dert e gajle se nuk jemi shqiptarë por vetëm shtetas shqiptarë…
Punë shqiptarësh, do duhej të thoshte më saktë, tek shihte atë shëmti në atë vend. Ai e din mirë, shumë mirë, se sa shumë na kanë shpifur e përgojuar. Edhe se jemi me bisht ne shqiptarët, apo jo, shpifje e denjë për ne. Në fillim të shekullit të njëzetë, kur ndodhën edhe krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve, ndër të tjera edhe masakrat serbe e greke, u bënë edhe shpifjet më të mëdha për shqiptarët, shpifje që u paraprinë masakrave. Na ka quajtë me bisht ish kryeministri serb dr. Vlladan Gjerogjeviç. Kam konstatuar se z. Lubonja e citon dhe e njeh por nuk e emërton me emër. Sikur pajtohet me mendimet e tij, por nuk don që të quhet vetë antishqiptar. Në një rast kam dëgjuar që ai i referohet atij dhe ia citon akuzën për ne “ku është shpata është edhe besimi”, që është fjalë e urtë e Sami Frashërit. Të paktën në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, në një mori analizash shtypi, në kohën e mbretërisë tone, i doli boja këtij lloj shovinizmi antishqiptar. Ndër të tjerë, Mit’hat Frashëri e rrëzoi mitin e bishtit që desh na shtoi Vlladan Gjeorgjevici, i cili u nis nga një përrallë e jugut të vendit që flet për ekzistencën e njeriut me bisht, përrallë që e mbledh dhe studion Hahni. Vlladan Gjeorgjeviçi thoshte “Shqiptarët u shëmbëllejnë atyre njerzve që prej frikës së shtazëve të egra, flejshin mbi drunj, ku për mos me ra, mbaheshin me bishtin e tyre”. Ata janë dy sojesh. Përrallën e bën për të vërtetë Vlladan Gjeorgjeviçi, por përrallën e bën për të vërtetë edhe z. Lubonja.
Përralla ka zmadhimin. Por droga që ka kaluar, kalon e do të kalojë në teritoret shqiptare sa vjen e po zvogëlohet. Megjithatë, në proporcion të zhdrejtë me këtë, Lubonja I thotë shoqërueses së huaj, se kjo autostradë është rruga nga kalon droga… Ha, ha ha! Gjetje!
Pajtohem me Lubonjën se në këtë vendin tonë ka shumë nevoja, ka shumë plehra, që me 50 mijë euro mund të disiplinoheshin e të bëheshin jo plehra, (oh sa shumë plehra e lloj lloj plehrash!), ujra të zeza që dalin në sipërfaqe e na zënë frymën mua dhe atij. Se ka ende shumë shkolla që duhen bërë e riparuar, që ka shumë cerdhe e kopshte pa bërë e rregulluar. Por jo, kurrë jo që këto të pengojnë ndërtimin e kësaj udhe. Sepse kjo udhë, kjo lloj udhe bëhët njëherë në një mijë apo dymijë vjet dhe për ta bërë këtë lloj udhe duhet të lindë e të drejtojë shtetin ndonjë burrështetas shumë i fortë e shumë guximtar e trim, dashnor i çmendur i lirisë së vendit të vet, siç rasti e fati e solli të jetë për fatin e shqiptarëve, Sali Berisha në fillim të mijëvjecarit të tretë.
Nga urrejtja për udhën bëhet i verbër, shtrembërohet e shëmtohet krejt z. Lubonja. Siqerisht ndjej dhimbje për gjithë atë kulturë, për atë kapacitet të madh intelektual që mbart, që për shumë e shumë gjëra njerzia i merr mendje dhe pret fjalën tij. Kush t’ia heqë thua këtë urrejtje? Gjithësesi ta provojë të udhëtojë përsëri në atë udhë për në Mars, (Kukës, Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, se ka mbi bari e ka dalë gjethi i ri në ato anë…
Po, po. Pse jo. Pajtohem me të që edhe udhën e vjetër, atë të bukurën e të mundimshmen, atë tronditësën, atë në të cilën kanë vdekë njerëz duke udhëtuar për në spital se nuk sosesj udha e tmerrshme, atë që udhëtarët e dërmuar e lanin me të vjelltat e tyre (udhëtarët hallexhinj nuk ishin turistë të ngeshëm…), edhe tani duhet ta mbajmë, ta mirëmbajmë, ta rregullojmë që edhe të shetisim nëpër të, që të lidhen fshatrat buzë saj deri në autostradë. Por, jo të mos e bëjmë këtë autostradë dhe të mbetemi me atë udhën e tmerrshme që na e la shoku Enver. Apo jo. Jo, shiko, jam me të…
Ai në atë udhëtimin e tij për në Mars (Kukës…) pa kudo shëmti. Ai nuk kënaqet askund këtu, s’e kënaq asgjë në atë udhë, në ato vende. Fiks, ai z. Lubonja është për në Mars.
Thotë që ishte për të zhgënjim ai udhëtim në atë autostradë për në Mars. Jo! Të mos gënjejë. Me ato mend shkoi dhe me ato mend erdhi. Ai nuk u nis me gjetë mirë e të mirën. U nis me gjetë keq, me gjetë udhë të keqe e të shëmtuar, me gjetë Mars dhe e gjeti udhën edhe më të keqe edhe më të shëmtuar dhe Marsin e gjeti edhe më të kuq edhe më të djegur…
Unë e respektoj shumë dhe plotësisht mendimin e z. Lubonja. Mendim që e ka thënë kurdo, kudo, përditë e përnatë në televizion, në gazeta etj. Ai mbase do të thojë se do të ishte i gatshëm të vdiste që edhe unë ta thoja lirshëm mendimin tim.
Sipas kësaj “gatishmërisë” së tij, lejohem edhe unë njëherë të krenohem me potencën dhe fuqinë e këtij kombi, me guximin dhe këmbënguljen e kësaj qeverie, të këtij shteti shqiptar, në prehër të të cilit kemi vënë kokën dhe nuk e ndërrojmë pa u ndërruar dielli e toka.
Kjo udhë, kjo autostradë, ato dy tunele në Kalimash janë pasaporta e fuqisë dhe vitalitetit të shqiptarëve, prova e guximit dhe e dashurisë që kanë shqiptarët për njëri – tjetrin, prova, me vepër e jo me fjalë, e bashkimit kombëtar, prova më e fortë e atij që thotë bashkimi bëhet me vepra e nuk shëmtohet të bëhet me fjalë…
Kjo udhë, kjo autostradë, kjo arterie kryesore e kombit, u jep zemër të gjithëve. U jep shembull, mësim e kurajo të gjithëve. Të gjithë politikanëve, studiuesve, ndërtuesve. Po! Tani mund të bëhet çdo rrugë, mund të ndërtohet çdo lloj vepre ndërtimore në Shqipëri. Kjo udhë është nëna e të gjitha udhëve, është kryeudha, është nëna e optimizmit dhe krenarisë reale të shqiptarëve.
Ai z. Lubonja është pesimist. Dakort. Ai kërkon të shfaqet pesimist. Për shumëçka në këtë vend mundesh të jesh e të shfaqesh pesimist dhe për këtë, unë dhe ai, jemi udhëtarë të një anije. Por për këtë udhë, jo. Nuk bën të jesh e të shfaqesh pesimit. Gjithësesi, punë e tij. Unë thjeshtë desha t’i them z. Lubonja: gëzohu me mua për udhën tonë.
***************************
A FLET SI TOSKË MUSTAFA NANO KUNDËR UDHËS SË KOMBIT
Dy shkrimet e editorit Mustafa Nano, (është editor ai e jo vetëm gazetar, analist, opinionist…), publikuar në gazetën e tij elektronike“www.respublica.al”… në dy kohë, për udhën e Kosovës dhe për shqiptarët e Kosovës, njëri me titull “Rruga Durrës – Kukës dhe shajnitë patriotike”, i 2 qershorit 2009 dhe tjetri me titull “Në Kosovë Berisha është një Mesia. Kundërshtarët e tij nuk ka si të çmohen”, i 3 dhjetorit 2011, janë shkrime utilitare, shërbesa me dobi për Partinë Socialiste të Shqipërisë. I pari botuar në vigjilje të zgjedhjeve politike të 2009, i dyti si analizë belbëzake e pandershme dhe e pasinqertë pas vizitës suksesdyshimtë të Edi Ramës në Prishtinë për festën e flamurit kombëtar me 28 nëntor 2011.
Këto të dy, dhe një i tretë me titull “Toskë? Gegë? Asht mir me ken shqyptar”, janë shkrime që ia vlejnë dhe nuk të lënë t’i kalosh sikur s’i sheh. Sepse aty ka të vërteta të rëndësishme dhe s’mund të mos përgëzohet autori i tyre.
Tek flet në shkrimin pas vizitës së Ramës në Prishtinë për Shqipërinë dhe Kosovën e thotë se “Ne jemi dy copa të së tërës që ndikojmë tek njëra-tjetra në një mijë e një mënyra e forma, herë të dukshme e herë të padukshme”, nuk mund të mos ndjehesh mirë dhe ta nderosh Mustafain.
Edhe kur jep një citim të Shkelzen Maliqit që thotë se “shumica [e kosovarëve] e adhuron Sali Berishën sikur të ishte një i shenjt i kombit”, Mustafai të bën ta nderosh për të vërtetat e hidhura që ka mësuar dhe sjell për ne bashkë me pezmin e tij.
Ndërsa rreket në etimiologjinë e emrit Edvin Rama, sipas mendjes së tij e jo të kolegëve të tij të Kosovës si Shkelzen Maliqi, Baton Haxhiu, Migjen Kelmendi etj, gjithmonë me i tërheqë vemendjen Edi Ramës që është thellësisht dyshues, si çdo usta, ndaj tij dhe të tjerëve si ai, harron dhe shpërfill krejt me dashje ca të vërteta historike shumë të qenësishme. Harresa duket është zanat i tij i paguar mirë, siç e ka të paguar vende vende shumë mirë edhe kujtesën.
Edi Rama nuk mund të jetë Mesia si Sali Berisha në Kosovë sepse ai ka kundërshtuar udhën e kombit, dhe nuk shfaqi pendesë të sinqertë për këtë në Prishtinë edhe pse u përpoq pandershmërisht, duke fyer ideatorin e saj Ibrahim Rugovën e duke “graduar” si ideator të saj, Pandeli Majkon; sepse i përket një partie politike që trashëgon hipotekë të Partisë Komuniste Shqiptare, parti e cila ka patur bashkëpunim me serbët që kanë qenë armiq të Kosovës, që është krijuar me ndihmën e serbëve, që ka bashkëpunuar për masakrën e Tivarit, që ka bërë lojën e Titos e serbëve në Luftën e Dytë Botërore, që ka vrarë, burgosur e zhdukur qindra e qindra shqiptarë të Kosovës që arratiseshin për në Shqipëri me besim të plotë në kërkim të shpëtimit të jetës, duke besuar se Shqipëria nuk do t’u delte njerkë, etj, etj.; sepse në programin e saj politik me 89 faqe të 5 nëntorit 2011, (që Rama ia dhuroi “tribalit” gegë Hashim Thaçi), që do të jetë programi i nesërm qeverisës i socialistëve, për Kosovën ka gjithsej vetëm 12 fjalë, lidhëza e pjesëza dhe konkretisht kaq: “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. 12 fjalë a karaktere, ose 54 germa, vetëm 54 germa, sa ka brenda thonjëzave i kushton PS-ja Kosovës në programin e saj 89 faqësh. As një fjali e plotë! Eh ç’vlerësim për Kosovën! Kjo të kujton “Zërin e Popullit”, që Kosovën e ka trajtuar në rubrikën “Nga Bota”… Kaq vend zë Kosova në programin a platformën politike të socialistëve shqiptarë… Dhe kërkon pastaj lideri socialist, a zëdhënësi i tij i zellshëm jo zyrtar, dashurinë apo begenisjen e Kosovës…
Shkurt, Kosova të do, jo aq sa e do, por të do më shumë se sa e do. Ndaj Mustafa Nano nga Çorovoda nuk mund të krijojë urrejtje aty ku s’ka urrejtje. Kur e qasin atë si mentar në Kosovë, nëpër studio televizive, e qasin ku e ku më shumë Edi Ramën, që është më i ditur, më i zoti, më i realizuar dhe jo servil si ai. Të paktën Edi Rama për shumë vite në skenën politike shqiptare, kryeson socialistët, ndërsa ai kërkon një vend në xhepin e vogël të xhaketës së Edi Ramës.
Shkurt, Edi Ramën nuk e refuzon askush në Kosovë pse ka emrin Edvin Kristaq Rama dhe as pse një gjë të tillë e kërkon M. Nano.
Shqiptarët e Kosovës, në historinë e tyre të vjetër e të re, kurrë nuk kanë patur konflikt me grekërit. Çizmja greke s’ka shkelur kurrë në Kosovë. Grekët nuk kanë bërë kurrë masakra në Kosovë. Në Skrapar po. Por Mustafai ka harruar se i duhet të harrojë.
Është mëkat i rëndë dhe ligësi të harrohet e shpërfillet e vërteta, se nëse Kosova ka ndonjë mllef me Greqinë, e ka thjeshtë dhe vetëm për hatër të dangëllinjotëve, të frashëllinjve, të skrapallinjëve, të kolonjarëve e gjithë krahinave të jugut të Shqipërisë që i ka kallë në flakë greku.
Kosova mund të ketë ndonjë mllef apo inat me Greqinë vetëm për hatër të Shqipërisë së Jugut, banorët e të cilave i ka shfarosë shpesh çizmja greke duke bërë masakra çnjerzore, por ndërkohë i ka shqiptarizuar më shumë, siç i ka shqiptarizuar më shumë edhe shqiptarët e Kosovës ndeshja e përhershme me fqinjët masakrues serbë.
Duke qenë në të njejtën anije fati shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e jugut të Shqipërisë administrative, pra kufitarë me fqinj dashakëqinj të shqiptarëve, ata nuk janë ndarë por janë bashkuar e dashur më shumë mes veti. I ka bashkuar dashuria e njëjtë për kombin shqiptar, komb gjithmonë i rrezikuar nga shovinizmi i fqinjëve.
Ndaj nuk ka patur dhe nuk ka asnjë shkak për ndarje e dallime në shpirtin kombëtar mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të jugut të Shqipërisë. “Dallimet” mund të shihen e të lexohen vetëm në Tiranë, ku është sahani i pushtetit dhe ku zhvillohet lufta e lugëve, kush e kush të hajë më shumë në këtë sahan. Vetëm këtu mund të shihet “konflikti” toskë – gegë. “Konflikt” që e stisin shumë më pak se njëmijë njerëz, sepse nuk ka pafund zyra të rëndësishme pushteti një shtet sa i yni.
Nuk ke si të mos jesh dakort me analizën që bën ai ku thotë se për gati gjysmë shekulli pushteti i “toskëve” nuk lejoi “gegët” të fusnin ndonjë lugë në sahanin e pushtetit në Tiranë. Ai vetëm se nuk është i ndershëm që të pohojë se edhe pas gjysmës së shekullit komunist, ka shumë pak lugë “gegësh” në sahanin e pushtetit edhe pse ai i shumëfishon sa don.
Kur fillon pastaj dhe përdor termat “tribal”, “tribuja e tyre”, “tribuja tjeter”, fillon e hyn në ara të huaja dhe korr në asfaltin e autostradës.
Të jetë kaq shumë kundër gegëve, “tribalëve”, malokëve një malok Çorovode, që e urren Sali “tribalin”, s’duhej të pranonte malokun “tribal”, të ndjerin Dritan Hoxha, themeluesin e pronarin e Top Medias, që e ushqeu me bukë, që i krijoi e dha mundësi Muçit në ekranin e televizionit të tij. Apo ai ishte gegë, “tribal” e malok i mirë dhe familja e tij sot është gege, “tribale” e maloke e mirë.
Nuk mund të mos përshëndetet guximi i M. Nanos që është ndër të paktët që flet për gegët e toskët, për dallimet e ngjashmëritë. Ai ka trimërinë të mos i ikë kësaj çeshtje, pavarësisht se a e ka apo jo takatin me prashitë në të e me i dalë në krye. Gegët dhe toskët kanë dallime gjuhësore, etnografike, por jo dallime të atilla aq sa do të dëshironin armiqtë e këtij kombi. Këto dallime i ka analizuar ish kryeministri serb Vlladan Gjeorgjeviç, armik i shqiptarëve, i cili i quan si dallime mes dy kombeve. Ndërsa albanologët jo armiq të shqiptarëve, dallimet mes gegëve e toskëve i quajnë dallime kozmetike, si “gegët pak më të gjatë e toskët pak më të shkurtë”. “Toskët rondokopë/gegët trupgjatë”, do të thoshte, tek i shihte nga dritarja e zyrës së tij në Korçë, poeti i shquar grek Jorgo Seferis, konsull i shtetit fqinj në Korçë në vitet ’30 të shekullit të njëzetë, konsull fisnik, poet, që s’merrej me eshtra pleqsh e plakash përmetare shqiptare në varreza shqiptare, për me i quajtë eshtra ushtarësh grekë në Shqipëri, por merrej dhe bënte artin e miqësisë mes dy kombeve, mes dy popujve - shqiptarëve e grekëve.
Në motet pa komunikim, pa rrugë, pa njohje, pa marrëdhënie intensive si të sotmet në biznes, martesa, shkëmbime, tregti, turizëm etj, gegë e toskë kanë qenë një. Sot janë edhe më një, se kanë hyrë kaq shumë në njëri – tjetrin sa s’ka Vlladan Gjeorgjeviç e as zëdhënës të tëzës së tij, ti ndajë e të hyjë mes gegëve e toskëve shqiptarë për ti ndërkryer kundër njëri - tjetrit.
Miqësia dhe dashuria janë të natyrshme për njerzit, për kombet, ndërsa urrejtja nxitet me para e me pushtet “Milic horr xhubleta…”.
Pa bërë poezi, që sigurisht e bëj më mirë sepse vij nga planeti i pafundëm i epit, mund të them se dallimet mes gegëve e toskëve janë dallime krejt të parëndësishme, që analistët e huaj sot në varësi të oreksit dhe të interesave të tyre të çastit, i nxjerrin në dritë, herë duke u vënë emrin real e herë duke shpifur si Vlladan Gjeorgjeviçi.
Sharjet dhe shpifjet, me një fjalë poshtërimi ndaj shqiptarëve, po të perifrazojmë Kadarenë, u kanë shërbyer armiqve të këtij vendi si përdorimi i aviacionit dhe artilerisë para se të sulen me trupa këmbesorie për tu lëshuar mbi prenë e tyre...
Mustafa Nano kërkon pushtimin e elektoratit. Duke u folë zemrave të elektoratit e jo mendjeve. I thotë elektoratit të majtë, kudo që të jetë, e sidomos toskëve në jug të vendit, mos e votoni atë “tribalin” Berishën se ai i çoi gjithë paratë e shtetit te ajo rruga atje…
I hakërrehet edhe Dritëro Agollit. I kërkon hesap pse ai thotë se“Rruga Durrës-Kukës do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, por në radhë të parë për simbolikën dhe funksionin që ka”, se “ajo lidh për herë të parë në mënyrë kaq të vrullshme dy pjesë të një kombi, të cilin, përveç kufijve, e kishte ndarë dhe infrastruktura e dobët rrugore. Rruga Durrës-Kukës është arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Do të kalojnë vitet, pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar ajo, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbetën në histori”. Atë e tërbon ky vlerësim i Agollit për autostradën e Kosovës.
Por Dritëro Agolli atdhedashurinë e ka zanat, nuk paguhet për këtë. Atij nuk i ha palla për politikë. Ai po përgatitet për atë botë. Poezitë më të bukura i ka ato të pendimit, të reflektimit. I dha zoti kohë të shfaqë pendesë. Pse bëka mëkat që thotë fjalë lapidare për rrugën e kombit? Apo pse duan ta mbajnë domosdo si patriak jo të socialistëve por të “rondokopëve që u qan zemra për pushtetin dhe paratë”. Dritëroi, i Devollit të Korçës, i çveshur nga frika e zmadhimit të kombit, vetëm i shton vota Partisë Socialiste dhe më bën edhe mua ta dua PS-në se është parti shqiptare. Dhe unë e dua pa hile duke mos e votuar kurrë dhe nuk pres ndonjë shpërblim nga lideri i saj, të cilin e kam marrë nëpër gojë qindra herë, me të drejtë e pa të drejtë. Dhe do ta marr prapë.
M. Nano flet si profet për udhën e Kosoves nga Vërmica në Merdare që “mund të bëhet pas nja pesë a dhjetë vitesh”. Përurimin e tunelit në Malin e Rrunës që të nxjerr në Kalimash, të cilin e bënë dy kryeministrat e dy shteteve shqiptare Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, la Tafë (kështu thirret Mustafai në anët e mia, ma ka mësuar gjyshja ime ndjesë paste), e quan “festë të shpikur kombëtare në një festë të shpifur partiake e tribale”.
Ai e din mirë, e din shumë mirë (o zot sa i informuar e i sigurtë që është!) se “Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë plan imediat për të nisur investimin në segmentin Morinë - Prishtinë, i cili kap gjatësinë e 150 kilometrave. Në rastin më të mirë, kjo mund të bëhet pas nja pesë a dhjetë vitesh. Ah, epo atëherë ne mund të shkojmë qetë qetë deri në Kukës”, shkruan Mustafai gjithë mllef kundër autostradës, kundër dy Kryeministrave shqiptarë gegë, “tribalë”.
Nuk e di se si u ndje la Tafë, kur qeveria e Kosovës pa kaluar as tre vjet pas përfundimit të segmentit Durrës – Kukës, përfundoi 38 kilometrat e para të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe, edhe këtë segment e inauguruan bashkë të njejtët Kryeminista gegë, “tribalë” shqiptarë. Si guxoi vallë Kosova ta bënte këtë gjë pa i marrë leje Mustafa Nanos?
Edhe pse autostrada “Ibrahim Rugova” është aty, (jemi në dhjetor 2011), nga Vërmica në Suharekë, e shtrirë në 38 kilometër gjatësi, e inauguruar nga “tribalët” Thaçi e Berisha, nga presidentja “tribale” Ahtifete Jahjaga, nga kongresmeni amerikan Eliot Engell, lobist i shqiptarëve, nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ne nuk mund, nuk duhet dhe nuk guxojmë ta besojmë se është aty, se është inauguruar, se është ndërtuar, se ecin makina nëpër të. Nuk guxojmë kurrësesi ta besojmë e ta pranojmë sepse nuk e ka thënë M. Nano. Ne duhet dhe jemi të detyruar të besojmë vetëm atë që thotë ai. Autostrada në Kosovë që po u sherben njerzve le të rrijë aty ku është, ne do ta pranojmë se është, ndoshta “pas 5 apo 10 vitesh”. Se kështu ka thënë ai dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
E pohon në çdo rrjesht të shkrimit të tij të 2 qershorit 2009 frikën dhe tmerrin e tij se mos udha e Kosovës, tuneli i Kalimashit që çau malin e Rrunës, të cilin e inauguroi Sali Berisha bashkë me Hashim Thaçin, Kryeministrat “tribalë” të dy shteteve shqiptare, po ia rrit votat Berishës, të cilin la Tafë e vë përballë vetes si kundërshtar patologjik dhe është gati ta shqyejë atë fizikisht.
Ajo që nuk shkon është analiza krejt e cektë, foshnjarake e tij kur rreket të zbulojë pse Berisha është Mesia në Kosovë dhe pse Partia Socialiste nuk qaset atje. Ai nuk do edhe nuk di. Ai ka dashuri idilike për Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe urrejtje pa cak për përsonin Sali Berisha. Ai nuk don të arsyetojë pse në Kosovë ka simpati më të madhe për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike dhe më pak simpati për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj.
Dashuria dhe urrejtja nuk janë irracionale. S’ka shqiptar idiot. Akuzohen shpesh shqiptarët se nuk kanë kujtesë. Por në fakt ata kanë kujtesë.
Që në fillim të levizjes demokratike në Shqipëri, në vitin 1991, Sali Berisha do të shprehej qartë se çeshtja kombëtare shqiptare do të jetë ylli polar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. M. Nano nuk ka qejf ta pranojë e ta thotë se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e ka yll polar çeshtjen kombëtare shqiptare. Ai ka qejf të harrojë.
Në vitin 1992 Sali Berisha i ka kërkuar NATO-s, Alenacës së Atlantikut të Veriut, të bombardojë caqet ushtarake të Beogradit.
Pastaj vjen udha e kombit, udha e Kosovës, (2007-2010) që ka qenë që në krye udhë drejt yllit polar. U bë ajo udhë për të cilën Neritan Ceka, kundërshtar i Berishës në 2009, mentar, dijetar, politikan dhe shkrues shumë më i madh se M. Nano, i cili është në gjithë kohët kundërshtar i Berishës, deklaroi të gryka e tunelit se “këtë autostradë mund ta bënte vetëm një guximtar i çmendur si Sali Berisha”.
Ndërsa Partia Socialiste i kushton këtë fjali Kosovës në programin e saj të 2011: “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. 12 fjalë a karaktere, ose 54 germa, vetëm 54 germa, në një program 89 faqësh.
I harrojnë këto gjëra. Le t’i harrojnë. Por historia nuk e harron. Sepse këto janë arsye madhore pse shqiptarët në tërësi, dhe ato të Kosovës në veçanti, e duan Sali Berishën.
Përkundër kësaj, ata që s’kanë kujtesë ose që duan ta fshijnë kujtesën e shqiptarëve, rrinë e rrinë dhe shpesh kujtojnë ca serbratorë e ca auotobote nafte që shkonin nga Shqipëria në Kosovë dhe nuk kujtojnë e as nuk thonë që Berisha kërkonte nga NATO-ja të bombardonte caqet ushtarake të Beogradit.
Serbia i kishte të hapura dyert për t’u furnizuar me karburant nga Danubi. Kurrësesi nafta e futur nga Shqipëria nuk mund ta furnizonte makinerinë ushtarake serbe të luftës. Edhe të donte, s’e kishte atë takat Shjqipëria. Këtë gjë nuk duan ta mbajnë mend, as ta pranojnë.
Nuk i hyn në punë fare atij se çfarë tha e çfarë bëri Berisha. Nuk ka rëndësi fare për të.Ai paragjykon, gjykon, dënon, ndëshkon dhe e grin në makinë mishi, me pasë mundësi, njeriun Sali Berisha dhe nuk e honeps. (E honepsi Saliun në kohën kur la Tafë ishte drejtues i Partisë Demokratike për Skraparin, edhe pse me zor e patën caktuar kandidat për anëtar të Partisë së Punës…, kur merrte rrogë prej Saliut, si diplomat, pasi këtë e “urdhëruan” të ikte nga Partia Demokratike).
Ankth që e trazon keq i është bërë Ilir Meta me vizitën e tij në tunelin e Kalimashit. Meta, kundërshtari politik më i egër e i vrazhdë për shumë kohë i Berishës, pa i marrë leje M. Nanos, iu përgjigj thirrjes së vetëdijës së tij dhe shkoi te tuneli, sepse kuptoi se aty ishte aorta e kombit, vuri “kaskën e minatorit në kokë të bënte një vizitë në tunelin e madh”. Ai ishte thellësisht i bindur se nuk mund të fitonte deputet e as vota në gjithë trevat nga shtrihej autostrada nëpër “Marsin” e Fatos Lubonjës, pra në rajonin e Kukësit e në Fan të Mirditës. Gjithë shtrati i lumit autostradë me gjithë brigjet anash ka dy deputetë. Ilir Meta duke qenë politikan, duke qenë shqiptar, (të siguroj se nuk e kam takuar kurrë n
jetën time dhe nuk kam asnjë lidhje me të apo me partinë e tij), ka kuptuar dhe pranuar, se nuk funksionon dot kombi edhe më tej si gjysmë trupi e gjysmë trungu. “Me siguri ka menduar” siç thua ti, “që rreshtimi me ata që glorifikojnë patriotikisht rrugën është një gjest” shumë më shqiptar, shumë më i denjë, më human, më vizionar dhe jo siç thua ti “më elektoral sesa rreshtimi me ata që denoncojnë ligjërisht korrupsionin”.
Por Ilir Meta ka kuptuar edhe këtë që thotë Amiko Kasaruho, toskë nga Gjirokastra, i dënuar e përsekutuar nga diktatura, intelektual, shkrimtar, përkthyes, autoritet i vërtetë moral i shoqërisë shqiptare, se autostrada Durrës – Kukës – Prishtinë “Është vepra më shqiptare e bërë ndonjëherë dhe leverdia më e madhe e autostradës së Kosovës është se kursen kohën e shqiptarëve. Është e para herë që një lider në Shqipëri mendoi për kohën e njerzve. Ne kurrë nuk kemi menduar për kohën”, thotë Kasaruho.
Nuk jam aq naiv sa të njejtësoj kompaninë “Bechtel” me Amerikën, por gjithkush e di se “Bechtel”-i si një kompani jashtëzakonisht e madhe, s’e konsideronte dhe s’e kishte në fakt aq të madhe e të konsiderueshme shumën e parave të fituara në rrugën Rrëshen – Kalimash dhe tunelin atje, për të pasuruar biografinë e saj.
Natyrisht, “Bechtel”-in nuk e solli në Fanë të Mirditës dashuria e saj për Shqipërinë, por nevoja e saj për biznes. Ajo ka bërë punë të mëdha kudo, jo për shkak të amerikanizmit të saj, por për shkak të cilësisë së punëve që bën, cilësi për të cilat edhe Edi Rama, si për inat të lalës Tafë, thotë se rruga e “Bechtel”-it është e standarteve europiane.
Ndoshta “këshilltari” i tij është nisur nga këto fjalë. Por s’kanë se si t’i dalin parashikimet. Ai është nga ata këshilltarë që kanë nevojë të këshillohet nga Rama, i cili duket se po kapet nga mania e “ustait” të tij Berisha, për t’i këshilluar këshilltarët e tij, jo të paktë, të deklaruar e të padeklaruar si M. Nano
La Tafë me shpirtin “civil” e “civik” e bën “Bechtel”-in “hëm projektues, hëm ndërtues, hëm supervisor” (hëm, hëm, hëm…), dhe nuk i njeh meritë tjetër përveç përfitimit të parave.
Nuk e di ç’mendon tani ai për “Bechtel”-in, gati tre vjet pasi u bë autostrada në Shqipëri dhe pasi ka përfunduar gati një të tretën e saj në Kosovë, edhe pse ai falltari, orakulli i “ëëë.respublica.al” pati thënë se “Në rastin më të mirë, kjo mund të nisë pas nja pesë a dhjetë vitesh”. Sa i pasaktë është orakulli…!!
Në çdo libër gjeografie, që nga shkolla fillore, mund të gjesh distancat nga një vendbanim në një tjetër edhe pa ndihmën e hartave moderne.
Por, kur do, ai “këshilltari” i zgjat distancat e gjatësitë e pabëra të rrugëve. Të bërat i shkurton. Milot – Rrëshen që është 26 kilometër, ai e shkruan “(nja 50 km akoma)”. Për Rrëshen - Kalimash, që është 61 kilometër, ai shkruan se “kap gjatësinë 56 km”.
E bëri udhën e Kosovës Sali Berisha i Viçidolit të Tropojës apo Malsisë së Gjakovës, që nuk ka patur kurrë turp ta thotë se është nga Viçidoli, të cilin ia ka kujtuar shpesh me përbuzje për ta fyer si malok. Çorovodën – Hinterlandin e tij të kuq, i vjen turp me ia përmendë emrin. Sepse nuk i ka shtuar fare emër, nam, lavdi e krenari. Ndryshe nga Ilir Meta me të cilin tashmë, duam s’duam, mburren skrarpalinjtë.
Berisha ka mbi 50 vjet që ka ikë nga fshati i tij që fëmijë dhe prej më shumë se dy breza njerzorë jeton në Tiranë, intelektual i rangjeve më të larta të vendit, dhe ka dy dekada që drejton politikën në vend. Një korçari, vlonjati, gjirokastriti, beratasi, që ka mbi dy breza njerzorë që jeton në Tiranë, që ka qeverisur në këtë vend për 30 – 40 vjet, që ka zbritur dikur nga fshatrat më të thella e të humbura të jugut, edhe nga fshatrat e “zonës së parë operative”, që e ka qejf ai, nuk ua zë kurrë emrat e fshatrave me gojë. Unë dhe shqiptarët i dimë. I dimë gjithë byroistët e dikurshëm se nga ishin, gjithë qeveritarët e dikurshëm se nga ishin, gjithë qeveritarët e lartë socialistë të pluralizmit se nga ishin e nga janë...
Druaj se nuk e merr askush seriozisht lalën Tafë. As Rama nuk i beson. Ndërsa Faik Konica do të çohej lugat sikur ta dinte se pretendon t’i ngjajë.
Urrejtja që ka ndaj zotit Berisha është e jashtëzakonshme. Gati sa nuk thotë, ej, unë jam Avni Rustemi dhe do ta shtrij për tokë në mes të Tiranës Sali Berishën, (Esat Pashë Toptanin). Dhe për këtë, në mënyrë aspak të fisme, njerzore, “civile” a “civike”, i kërkon ndihmë deri edhe gjyshës së tij të ndjerë, me ia plasë sytë Sali Berishës, i cili “Përuroi sytë e vet që t‘i pëlcasin!”.
Sytë nuk i pëlcitën Berishës. Natyrisht ai ka shtuar vite mbi supe. Ka përuruar shumë rrugë të tjera. Milot – Thumanë e bëri me 4 kalime nga dy që ishte. Po mbaron me tunelin e Elbasanit. E mbaroi segmentin Levan – Vlorë dhe është në përfundim segmenti Levan – Tepelenë.
Edhe pse nuk e beson ai, shumatorja e rrugëve që ka bërë dhe inauguruar “regjimi” Berisha në gjithë Shqipërinë, është më e madhe se autostrada Milot – Morinë. Fondet që janë përdorë për ndërtimin e rrugëve të tjera në gjithë vendin janë të mëdha dhe kjo qeveri me Kryeministër Sali Berishën do të mbahet gjatë në kujtesën e shqiptarëve si qeveria që bëri udhët e Shqipërisë.
Por madhështia e udhës së Kosovës, mos dashja për atë udhë që prish ca punëra e ca ekuilibra lokalë e rajonalë, ua errëson shikimin kundërshtarëve dhe i ngazëllen dashnorët e saj.
“Regjimi” i Berishës lidhi me udhë të standarteve gjithë fshatrat e ultësirës bregdetare, që dalin në det, nga Velipoja në Vlorë. Bëri udhën e Bregut dhe nxori në dritë mrekullitë e hapsirës Vlorë – Sarandë. Po lidhet Librazhdi me Bulqizën. Po punon në rrugën e “Arbërit”. (Për rrugët e tjera në gjithë vendin, për fondet që kanë shkuar në rrugët e tjera, krahasuar me fondet që ka marrë udha e Kosovës, është shkrim më vete në këtë libër).
Thua se të gjitha këto që përmenda e më shumë të tjera që s’i përmenda i bën “regjimi” Berisha, vetëm me na marrë votat në 2013 dhe aspak nga dashuria për këtë komb?!
Prapë do të dalë shpirti “civil” e “civik” e do të thërrasë, mos ia jepni votat më Berishës, atij “tribali”. Siç thërriti në zgjedhjet e fundit Gramoz Ruçi se “Sali Berisha e urren Labërinë”.
Më erdhi keq, natyrisht, për Gramozin. Më vjen keq edhe për Muç Nanon. Nuk kanë asnjë të metë tjetër, duan t’ia bëjnë qejfin ustait, i cili, kur i duhen, i do, i afron, kur s’i duhen e s’i do, u jep ndonjë shqelm.
Ai lajmëron dhe “lan” veten para popullit socialist se Sali Berisha me inaugurimin e tunelit dhe të autostradës “po përgatit dhe vjedhjen e madhe të zgjedhjeve. Do t‘ia dalë mbanë? Në kushtet e vëmendjes së shtuar të ndërkombëtarëve, do të jetë e vështirë. Por nëse s‘ka shumë në dorë për të vjedhur zgjedhjet, ai ka në dorë për t‘i prishur ato. Dhe mbani vesh! Është pikërisht kjo që do të ndodhë: zgjedhjet do prishen”.
E vutë re si si parathotë, parashikon, paradin, paracakton ai, profeti? Por lexuesi pak i vëmendshëm, dhe ka të tillë në Shqipëri, e din mirë se edhe pse ai hiqet si profet, ai për t’i thënë këto fjalë ka folë me Edi Ramën. Se këto janë fjalë të Ramës të përsëritura nga zëdhënësi i tij jo zyrtar. Zëdhënësit zyrtarë nuk i plotësojnë kriteret e Mustafait. Ata jo domosdoshmërisht duhet të jenë të zgjuar. Madje u lejohet që herë pas here të bëjnë gafa e budallalleqe si, bie fjala, t’i kërkojnë takim Ramush Haradinajt në Prishtinë, kur ai, për fat të keq, ndodhet në Hagë. Zëdhënësit jo zyrtarë edhe kësaj here u përpoqën të shpëtojnë nderin e zyrës, duke ia hedhur fajin “armikut të brendshëm” Kastriot Islamit, si dje Kadri Hazbiut.
Jo se beson dhe është malinj, ka urrejtje të lindur për kombin, por thjeshtë për nevoja utilitare si “toskë pragmatik”, pozicionohet më egër se Edi Rama apo Gramoz Ruçi dhe kërkon të nxisë urrejtjen midis dy “tribuve toskë dhe gegë”. Mos i jepni asnjë votë ju toskët Sali Berishës se kështu vijnë toskët në pushtet.
Këtë e mbulon me gjoja qëndrim qytetar “civil e civik”. Patriotizmit, dashurisë për kombin i vesh sëmundje të qena e të paqena.
Unë jam për kurajon civile. Të gjithë duhet të jemi. Të respektojmë ligje e kushtetutë. Por kombi mbrohet dhe me kushtetutë dhe nuk besoj se kjo është tribale, primitive. Siç mbrohen dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e njerzve që e bëjnë kombin.
Në shërbesën e tij të zjarrtë e të zellshme ai ka dhe pasaktësi. Ai sikur e merr aksiomë se investimi i madh ka edhe korrupsionin e madh. Duke harruar qëllimshëm se lepuri i madh fshihet ndonjëherë edhe në ferrën e vogël. Por i korruptuar mund të jesh edhe kur shet shpirtin për një parti politike ku ke interesat e tua. Dhe ky është makiavelizëm e as shpirt “civil e civik”.
Ai nuk ndalet para asgjëje kur është fjala për ta mbrojtur apo për t’i shërbyer partisë që ai don, të cilës i përket. Por të paktën u tregua i ndershëm dhe e pohoi se është palë, është i “varur” dhe nuk shet, si shumë të tjerë, dëngla të pavarësisë intelektuale.
Bëhet më i zellshëm se kryetari i Partisë Socialiste, z. Rama, i cili për të shkuar në Kukës, i detyruar edhe nga opinionet e këshillat e këshilltarëve të tij, i binte nga rruga e vjetër, duke mallkuar ndoshta edhe “këshilltarët” sharës e përbaltës të autostradës Durrës – Kukës – Morin.
Ai e ka njohur thelbin e kësaj rruge për të cilën votuan në masë gjirokastritë, elbasanlinj, vlonjatë, skraparlij, korçarë, lushnjarë, beratas etj. etj., të cilët nuk i pengoi qenia e tyre toskë për me e dashtë pjesën gege të veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës, për me u njoftë më mirë, për me bë tregti, me hy e me dalë tek njëri – tjetri.
Besoj se, si sajesë e vonë e komunizmit në Shqipëri, për me krijue idenë se jemi boll, nuk kemi më nevojë për shqiptarë të tjerë e për troje të tjera shqiptare, është edhe krijimi apo shpikja e termit Shqipëri e Mesme. Sajesë që nuk ka vend ku të rrijë nëse jemi esëll si popull e si komb. Të parët tanë, më mendje hapur, jo aq të panginjur para sahanit të pushtetit, na e lanë kombin shqiptar në dy pjesë të bashkuara në mënyrë të pandashme, të Jugut e të Veriut, në gegë e toskë. Çdo tentim për ta legjitimuar termin Shqipëri e Mesme më është dukur si tentim për t’i barazuar në sipërfaqe e në popullsi dy pjesët gege e toske të kombit, pasi t’i hiqej pjesës gege, Elbasani, Tirana, Durrësi etj.
E unë në fakt duke e marrë të mirëqenë e të patjetërsueshëm lumin Shkumbin si kufirin që na kanë lënë të parët ku ndahën me bashkim gegë e toskë, kam pranuar se teritori gegë është më i madh se ai toskë, duke llogaritë Kosovën gege. Por duke qenë i pakënaqur nga kjo “pabarazi”, unë nuk ia kam “dhënë” kurrë Greqisë Çamërinë shqiptare që e kam pjesë toske të Shqipërisë tonë natyrale.
Mustafa Nano nuk mund dot askënd me urrejtjen e tij, nuk i imponohet askujt me urrejtje. Edhe për të ka vend dhe shumë arsye për tu gëzuar për kryeudhën e kombit shqiptar.
Tani t’i japim përgjigje shkurt pyetjes së titullit të këtij shkrimi.
Jo, nuk flet si toskë Mustafa Nano. Askush nuk e ka ngarkuar t’i përfaqësojë, nuk e ka zgjedhur askush si përfaqësues. Nuk mbron interesat e toskëve. Ai shprehet dhe mbron vetëm interesat e veta.
Nën petkat nacionaliste të tij, siç i pëlqen të thotë, fshihet ndoshta pragmatisti e biznesmeni.
Nëse do të flisja unë në emër të gegëve, që nuk guxoj as ta mendoj një gjë të tillë, se nuk kam tagër a këllqe, ai do të thoshte se pas qëndrimit tim fshihet apo ruhet streha e fundit e maskarallëkut.
*************************
UDHA E KOMBIT PO I SHËRBEN KOMBIT
Kjo është një e vërtetë që mund të verifikohet dhe mund ta verifikojë kush të dojë. Atyre që nuk duan ta besojnë dhe as ta verifikojnë, nuk kemi çfarë t’u bëjmë.
Askush asnjëherë nuk ka deklaruar se kjo rrugë do ta shlyejë veten e saj për një vit, dy, apo brenda një mandati qeverisës. Nga ana tjetër është stërthënë se shqiptarët përjetësisht do të jenë të dënuar të paguajnë “faturën” e “frikshme” financiare të udhës së kombit. Që nuk do të shohin asnjë ditë të bardhë shqiptarët mëqë u bë “çmenduria” udha e kombit, asnjë ditë më të pasuruar, por çdo ditë e më shumë do t’i varfërojë fatura e udhës së kombit.
Askush asnjëherë nuk ka thënë se iu bëfshin gjak e jetë atij që mund të ketë përvetësuar qoftë edhe një cent nga fondet e dhëna për ndërtimin e udhës së kombit, por është thënë që qefin bleftë me ato para cilido qoftë përvetësuesi i tyre.
Le të shembën qeveri, le të drejtojë kush të dojë, kush të jetë më i mirë e më i zoti në këtë vend. Por një gjë që nuk do të shembet kurrë, që do të rrojë përjetë, do të jetë kjo udhë e kombit. Ajo mund të dëmtohet, mund të prishet nga ngricat, mund të vjedhin në të llamarina, por gjithçka riparohet, nuk bëhet më prej fillimit.
Qoftë edhe si sfidë, si kurorë në krye të mbretëreshës, si provë e madhe e forcës së një shteti, të një kombi, që në rastin në fjalë është kombi shqiptar, ajo udhë duhet përshëndetë. Kjo udhë e kombit, nuk është “kostum” një përdorimsh që blihet në farmaci. Kjo është bërë apo blerë në emër të gjithë të vdekurve që kanë dashtë komb të lidhur, në emër të gjithë të gjallëve që po shohin që po u madhohet kombi, por më shumë në emër të gjithë brezave që do të vijnë që ta duan këtë vend, të mos derdhën gjithmonë “Omoniave” të botës për punë se nuk gjejnë punë në hapsirën e tyre që jemi marrë vesh ta quajmë ende komb, dhe të kenë një arsye të fortë të nderojnë paraardhësit e tyre që “shternguan rrypin” për këtë “çmenduri” ekonomike. “Çmenduri” që nuk do të duhen 20 vjet (mëqë është bërë 20 vjet para kohe…), për ta quajtur “mençuri”, por maksimumi pesë vjet (po flas dhe unë si profet a orakull…).
Pse nuk lehet në Hënë kundër udhëve të tjera të vendit, kundër “çmendurive” të tjera që kanë ngrënë fonde ku e ku më tepër se udha e kombit.
Udha e kombit mund të jetë tmerr për ndokënd, mund të jetë e tepërt, mund t’i ketë tepër dy korsi (tre veta e kanë thënë se i ka mjaft dy korsi, një e huaj, një që s’e ka vendosë ende të jetë i huaj apo shqiptar, dhe një shqiptar).
Ajo autostradë mund të mos jetë efektive për asgjë, mund të mos i sjellë fitime dhe financa të shtuara shtetit. Por një gjë e realizoi ajo udhë : bëri bashkimin fizik të kombit shqiptar. Pra kryeëndrra e shqiptarëve, amaneti i të rënëve si shqiptarë u kry. Edhe për këtë duhet paguar një çmim. Sado i madh. Pse, vetëm ata që kanë dhënë jetën për këtë komb duhej të paguanin për kombin e bashkimin e tij?
Si autostradë, si udhë që i shërben qëllimit të parë, bashkimit fizik të kombit, u krye. Për këtë le të gëzohemi një herë e t’i ndalim të lehurat për pak kohë. Ta pimë një dolli bashkë për këtë. Të gëzohemi bashkë.
Pastaj të ndahemi prapë në llogore, gjë që s’mund të ndodhë të ndahemi më se na bashkon interesi i parasë, fitimi i parave. Paraja na bashkon, kombi jo. Unë them se dashuria për kombin don trimëri. Del me humbje me e dashtë kombin, del i dëmtuar. Është me dëm. Fitimin e marrin brezat që vijnë.
Pra qëllimi i parë apo kryeqëllimi u mbërrit, u bashkuan shqiptarët. Shqiptarët lëvizin lirisht për tek njëri – tjetri. Njihen, duhen pasi njihen. Shkojnë e vijnë nga Tirana në Prishtinë e anasjelltas brenda ditës. Nuk vritet më koha e shqiptarëve. Kohën që ua kursen udha mund ta përdorin për të fituar lekë dikund tjetër. Por po ta kthejmë në lekë kohën, një zot e din se sa me fitim ka dalë kjo autostradë shqiptare.
Po të kthejmë në lekë karburatin, gomat, lodhjen fizike, stresin, sëmundjet e udhëtarëve rrugës, të vjelltat e tyre, orët e tyre ulur në sedilje makinash, ankthin e tyre se po fluturojmë në këtë apo atë humnerë, një zot e din se sa lekë dalin.
Një llogari me mend, pa kalem : Dy milionë e gjysmë makina minimumi paskan udhëtuar në një vit (2010). Udha Tiranë – Morin, ose Durrës – Morin, është shkurtuar 100 kilometër. Kush e ka provuar e din, kush nuk e din le ta provojë. Kush nuk e pranon edhe pasi ta provojë, është punë e tij. Për 100 kilometër udhë, një makinë mesatarisht apo teorikisht shpenzon dhjetë litra karburat (makinat e mëdha më shumë, të voglat më pak, unë mora një mesatare). 2.5 milionë makina, shumëzuar me 10 litra karburant që shpenzon sejcila, besoj se bëjnë 25 milionë litra karburant. Shumëzuar kjo sasi karburanti me çmimin mesatar të një litre karburant, mua më del rreth 45 milionë dollarë amerikanë. Janë lekë që i kanë fituar shqiptarët, udhëtarët që kanë udhëtuar nëpër udhën e kombit. Arka e shtetit këtu nuk ka marrë gjë, por xhepat e drejtuesve të mjeteve i kanë marrë këto para.
Pa llogaritë këtu edhe kaq lekë karburant sepse udha bëhet për dy orë e jo për 6 – 9 orë që bëhej dikur. Për dy orë një makinë e ndezur nuk shpenzon karburant sa për 6 – 9 orë një makinë e ndezur. Gjërat e tjera nuk po i llogarisim sot.
Por kjo udhë si autostradë ekonomike, që të sjellë lekë për shtetin shqiptar nga përdoruesit e tjerë të huaj, serbë, rumunë, bullgarë, maqedonas, italianë etj etj, ende nuk ka përfunduar.
Nuk është deklaruar nga askush se ka përfunduar si projekt i plotë edhe ekonomik. Sepse si projekt i plotë ekonomik do të përfundojë vetëm kur të bëhet porti i Durërsit, Vlorës apo Shëngjinit, apo qoftë dhe njëri prej tyre, port konkurues, port që të ketë aftësi përpunimi kontenierësh siç ka porti i Selanikut, bie fjala. Ku bizneset të fitojnë në kohë, ashtu siç fitojnë në kohë nëpër autostradë.
Veç kësaj, do të konsiderohet autostradë shumë fitimprurëse për shqiptarët edhe kur serbët të bëjnë 80 kilometrat e tyre të rrugës nga Merdare në Nish. Atëherë, që nuk do të jetë e largët kjo ditë, të jemi gjallë e të flasim. Tani, të lutemi të mbetemi gjallë. Veza sot a pula mot?
Askush, asnjë gazetar, analist, apo opinionist, nuk i ka matë sa sa makina kanë qarkulluar apo qarkullojnë në udhën e kombit në një ditë apo në një vit. Për pasojë, duam apo nuk duam, jemi të detyruar të marrim statistikat që na jep shteti. Ato që deklaron Ministria përkatëse e Transportit. Po të jetë puna që t’u besojmë gazetarëve dhe shifrave që servirin ato, unë do të parapëlqeja të besoja gazetarin gjerman Karl-Peter Schëarz i cili thotë në shkrimin e tij të gushtit që iku, për këtë autostradë se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që qarkulluan. Natyrisht që atij i duken pak sepse ai e mat me standartet e autostradave gjermane.
Sokol Olldashi, Ministri i transporteve të vendit thotë se kur është bërë studimi i fizibilitetit të kësaj autostrade ka qenë e llogaritur që do të qarkullonin në këtë udhë “1500 mjete në ditë, në rastin më optimist dhe 3 mijë të tilla në rastin e pikut”. Po çfarë ka ndodhur në fakt, pasi u ndërtua autostrada? Kanë qarkulluar çdo ditë nëpër udhën e kombit në vitin 2010 “12 mijë makina në verë në 4 mijë në dimër. Mesatarisht 7 mijë e 500 mjete në ditë. Pra, kemi një rrugë që përdoret 5 herë më shumë nga çka e parashikonin projektuesit”.
Ministri Olldashi thotë “vetëm në përfitimin direkt neto, rritja e trafikut mbi shifrën e parashikuar nga fizibiliteti është 1.6 miliardë euro. Ky është studimi i “Hekuris Group”. I marrë për trafikun mesatar për 1600 mjete në ditë, një vlerë të kohës nga 6 orë e 30 minuta, në 2 orë e 15 minuta, 337 milionë euro të tjera. Po të ringarkohet ky model me shifrën e trafikut që ne patëm vjet dhe sivjet, kemi të paktën 1.6 miliardë euro përfitim nga kjo rrugë. “Së dyti”, pohon z. Olldashi, “kemi përfitime që vijnë nga kostoja e operimit të mjeteve, kursimit për shpenzim karburanti, shpenzim gomash, amortizim mjetesh, e llogaritur përsëri nga studioja ndërkombëtare që shkon në totalin e vet rreth 2.5 miliardë euro. Pa llogaritur këtu impaktin social, ku vitin e kaluar rritja e turizmit ka qenë 29 %...”.
Nuk hyjnë ende dot këtu çfarë do të fitonim nga porti i Durërsit kur ai të bëhet konkurues, çfarë do të përfitojnë fermerët kur të rrisin natyrshëm eksportet se atje ka treg për produktet tona të hershmë. Etj. Etj.
Por vetëm për mjetet që paskan qarkulluar në këtë autostradë, makina llogaritëse na ndihmon të shumëzojmë dhe i bie qe ta kene shkelur kete udhe mbi 2 milione e gjysme makina ne vitin 2010. Eshte pak. Normal qe eshte pak. Por as shteti ne Shqiperi e as shteti ne Kosove, ne “dy bote shqiptare... (hahaha)” nuk u blen dot makina njerzve dhe nuk i “urdhëron” askush njerzit të udhëtojnë për hatër nëpër udhën e kombit.
************************
KUSH PAGUHET PËR TË SHARË UDHËN E SHQIPTARËVE
Dikush paguhet, sponsorizohet, dikush paguan, sponsorizon për të sharë e mallkuar udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës, rrugën e jetës time, rrugën e jetës tonë, urën që lidh kombin e ndarë, rrugën Durrës – Kukës - Morinë.
Dikush paguan majmshëm, rëndshëm që ajo rrugë të mallkohet, të pengohet, të mos ndërtohet, të shëmtohet. Ose së paku, në fund të fundit fare ajo rrugë të mbulohet e baltohet me korrupsion shtetëror të qeverisë së djathtë. Kori i korbave është i ngritur dhe krrokrret ditë e natë kundër rrugës. Drejtues të së majtës, zëdhënësa të saj, media të zellshme që s’dallojnë dot kush është kryesore e kush jo, me zëra anonimë (për fat asnjë gazetar serioz shqiptar me emër nuk e ka sharë rrugën), krrokrrasin kobshëm kundër rrugës së shqiptarëve. Pa mundur të na bindin se dëmi është më i madh se dobia e kësaj rruge.
Kush paguan? Kush paguhet? A thua kalecët e lehësit që lehin orë e çast kundër rrugës janë vertetë ato që i marrin paratë e sponsorizimeve, apo ato thjeshtë marrin kacidhet se janë mësuar të marrin kacidhe, para kusuri, dhe janë të tjerë njerëz - korba që rrinë në hije e flasin rrallë kundër rrugës, ato që kanë marrë shumat e panumëruara të parave që të shahet e mosndërtohet rruga e shqiptarëve.
Ajo po ndërtohet. Pra nuk bënë punë paratë tek qeverisja aktuale e shqiptareve për mosfillimin e ndërtimit të saj.
Dikush duhet ta pengojë, shajë e mallkojë ndërtimin e saj, autorin e saj, ndërtuesin e saj. Anise autori është Sali Berisha dhe ndërtuesi është Amerika. Përfituesi është Kombi shqiptar dhe Europa dhe janë në përputhje të plotë mes tyre dhe në kundërshti të plotë me kundërshtarët e armiqtë e ndërtimit të saj.
Kush e la Shqiperinë pa rrugë? Kush nuk e deshi Shqipërinë më rrugë të brendshme. Kush nuk e deshi rrugën e jetës tonë, rrugën e Kosovës, udhën apo arterien kryesore të shqiptarëve.
Kush i hengri paratë që janë sponsorizuar lumë për vite e vite me radhë për mosndërtimin e rrugëve në Shqipëri, për mos ndërtimin e rrugës së Kosovës, kush?
Pse nuk e duan udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës të majtët shqiptarë?
Po ta donin do ta përshëndesnin e do ta vizitonin njëherë atë rrugë. Nuk kanë hallin e vjedhjeve të supozuara në atë rrugë. Por kanë hallin që ajo rrugë të mos bëhet. Se mund të jenë paguar që të mos bëhet ajo rrugë.
Opozita socialistokomuniste e vendit është kundër ndërtimit të rrugës së bashkimit me Kosovën, kundër udhës së shqiptarëve, kundër rrugës së jetës tonë, kundër urës që lidh kombin. Jo se rruga po kushton shtrenjtë, sipas tyre, sepse në fakt nuk po kushton shtrenjtë po të krahasohet me simotrat e saj në rajon e më tej, pasi aty nuk po ndërtohet një rrugë e zakonshme por autostrada e parë e vendit, aty po zhduken male, kodra, lugina, aty po transformohet relievi, aty po ndryshon gjithçka, aty po ndodh e pabesueshmja, aty po shembet mali, po rishembet sepse ka rreshqitë sërish e sërish.
Opozita (më ndjeni kur them opozita, por në çdo rast e kam fjalën për një çetë të vogël në krye të saj që nuk e duan rrugën që bashkon kombin, por nuk e kam fjalën për shqiptarët që janë votues të së majtës), është kundër sepse nuk e don Kosovën. Nuk e don dhe pikë. Nuk don që shqiptarët e Kosovës të jenë prezent në Shqipëri. Që uikendin ta bëjnë në Shqipëri. Që të vijnë qindra mijëra prej tyre çdo fund jave në Shqipëri. Pasi ato janë ende të sëmurë të vijnë në Shqipëri. Të harxhojnë euro në Shqipëri. Të vijnë në det edhe në dimër e jo veç në verë.
Opozita shqiptare nuk don që të bëhet kjo rrugë edhe sepse në jëtë të jetëve kjo rrugë do të ketë autor Sali Berishën. Do të mbajë emrin e Sali Berishës.
Po të sillej ndryshe opozita socialkomuniste do të ndodhte që së paku njëherë drejtuesi i saj i radhës të shkonte ta vizitonte rrugën. Ti falenderonte ato mijëra punëtorë që punojnë 24 orë aty. Të falenderonte amerikanët dhe turqit që po e ndërtojnë atë rrugë. Dhe të vazhdonte të kërkonte llogari pastaj tek qeveria e të padiste qeverinë në organet e drejtësisië. Të artikulonte qartë se ne e duam rrugën, i duam amerikanët e turqit që po e ndertojnë koridorin e shqiptarëve, por jemi kundër abuzimeve të mundëshme, abuzime të cilat duhet t’i çertifikojë vetëm drejtësia por jo në konferencat e shtypit të morrave e mjaullitësve të opozitës apo në foltoren e parlamentit shqiptar. Të shkonin deputetët socialistë tek rruga, të mrekulloheshin, të njerzoheshin, të mos demonstronin urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës, mosdashuri dhe përbuzje ndaj tyre, frikë pafund ndaj tyre, frikë prej antikomunizmit natyral të shqiptarëve të Kosovës, frikë ndaj mospranimit prej shqiptarëve të Kosovës të së majtës sllavo-ruse të Shqipërisë.
Por ato nuk e duan koridorin që bashkon shqiptarët. Sepse tremben. Dridhen. I tmerron Kosova. Patriotizmi real e historik i saj. Dashuria e saj e pandreqshme ndaj Shqipërisë, që, gabimisht sot e gjithë ditën, e qujnë shteti amë, duke e e vetpërbuzur Kosovën, duke harruar se atë e kanë ëmë e atë, se aty janë që para diellit e para dreqit, që vend amë e kanë Kosovën po aq sa edhe Shqipërinë. Por e kanë nga dashuria pa kushte ndaj Shqipëqrisë duke mos menduar se bëjne gabim të rëndë dhe kënaqin tezën historike serbe.
Të majtët shqiptarë, të mësuar historikisht të qeverisin një vend të izoluar, që të mos ketë mundësi të jetë i hapur, të behet i dijshëm, të mos kenë mundësi njerzit të shohin e të shihen prej të tjerëve, i kapin dridhmat po të hapet vendi, po të bëhet i lirë vendi, po të qarkullohet vendi. Të majtët kanë qenë historikisht kundër ndërtimit të rrugëve në vend. Sepse kështu kanë mundësuar mbajtjen e vendit si burg dhe mbajtjen e njerzve në burg të madh.
Është e thjeshtë të vertetosh çfarë po them. Po të donte diktatori Enver Hoxha sot Shqipëria do të ishte si shumë vende të tjera të rajonit që kanë rrugë model, që nuk kanë lënë rajone të vendeve të tyre pa rrugë moderne. Edhe Titoja që nuk ishte shqiptar ia bëri rrugët Kosovës edhe pse ajo ishte shqiptare. Por diktatori Hoxha nuk donte të kishte rrugë Shqipëria sepse pastaj njerzit do të qarkullonin dhe do të ishin më të lirë. Ai donte t’i mbante në burg. Siç i mbajti për gjysmë shekulli. Por po të donte ai i kishte të gjitha mundësitë të shfrytëzonte skllaverisht shqiptarët siç ka bërë për gjëra të tjera dhe sot do të ishin të bëra të gjitha rrugët e vendit.
Të majtët shqiptarë edhe në vitet e sistemit demokratik nuk i bënë rrugët e vendit. Sepse nuk donin qarkullimin e shqiptarëve. Nuk donin që shqiptarët të njihnin Shqipërinë e aq më pak donin të njihnin vende e shtete të tjera.
Ndaj sot nxënësit shqiptarë dinë të flasin për shkretëtirat afrikane e për plot imtësira të botës së largët dhe nuk dinë të flasin për Shqipërinë. Nuk din një nxënës gjirokastrit të flasë për Shkodrën siç shkodrani s’di për Gjirokastrën. Pa le më të dijë prishtinasi për korçarët a vlonjatët e anasjalltas. Kjo nuk ka ndodhur pa qëllim dhe nuk ndodh pa qëllim. Prandaj të majtët janë kundër rrugëve. Kundër rrugëve brenda Shqipërisë dhe jo më të jenë pro rrugës që bashkon kombin, që çliron Kosovën që e bën Shqiperinë urë për Europën.
Po të shkonin përfaqësuesit socialistë të Shqipërisë të vizitonin rrugën do t’ia hiqnin vetës akuzën që u bëjne gjithë shqiptarët se të majtët janë kundër Kosovës shqiptare.
Por ato nuk denjuan ta vizitonin rrugën. Dënjuan të shanin pafundësisht, ta urrenin pafundësiht, ta mallkonin pafundësisht, duke fshehur shkakun e vertetë të urrejtjes së tyre, duke e maskuar këtë shkak dhe duke u paraqitur para shqiptarëve sikur po ju dhemb se po abuzohet në atë rrugë.
Ajo rrugë për shqiptarët, për kombin, nuk ka çmim. Nuk ka çmim. Nuk kërkohet gjilpëra në kashtë kur bëhet fjalë për mrekullitë e njerzimit.
Por një çmim i madh është sponsorizuar për ta sharë rrugën, për ta kundërshtuar rrugën, për të mos u bërë kjo rrugë. Problemi është se kush ka paguar më shumë për të sponsorizuar luftën politike e mediatike që i bëhet ndërtimit të rrugës së jetës së shqiptarëve, rrugës së Kosovës. Kush ka dhënë para më shumë si sponsor. Këtë nuk e di saktësisht por e ndjej, e prek përditë, e dëgjoj përditë. Sepse shoh njerëz me moral të dyshimtë, që nuk dinë të kenë minimum atdhedashurie që shigjetojnë helm kundër rrugës së jetës tonë. Sa para kanë futur në xhepat e tyre, para nga ata që ju prishen interesat strategjike, ekonomike, politike nga ndërtimi i kësaj rruge. Sepse sharësit profesionistë të rrugës së jetës tonë si vajtoret profesioniste janë paguar majmshëm për të sharë. Janë paguar majmshëm për ta ndaluar e penguar ndërtimin e kësaj rruge. Janë gati të kamikazohen veç të ndalet ndërtimi i rrugës. Dhe po u ndal ndërtimi i saj do të thotë që u rrënua Sali Berisha, u rrënua Bekteli amerikan, u rrënua Amerika. Dhe fituan ato që janë paguar prej 15 vitesh të pengojnë ndërtimin e rrugëve në Shqipqri. Ka 15 vjet që individë shpirtshitur në struktura të ndryshme të shtetit janë paguar nga antishqiptarë që të pengojnë ndërtimin e rrugeve të Shqipërisë.
Sali Berisha duket se e din se kush ka marrë para për të penguar ndërtimin e gjithë rrugëve dhe sidomos ndërtimin e rrugës së Kosovës. Ai si duket e din se kush i ka dhënë ato para, nga kanë dalë ato para. Dhe ndaj e ka shpallur bast ndertimin errugës së jetës tonë. Bast që duket se do ta fitojë sa i përket të paktën segmentit që po ndërtojnë amerikanët e turqit, pasi për segmentet e tjera, mund të minojnë punën dhe afatet sponsorizimet që janë dhënë për ta penguar e sharë ndërtimin e kësaj rruge. Kjo duket se edhe puna në segmentet e tjera nuk të jep optimizëm se do të përfundojë në afat.
Të majtët shqiptarë u vetëdekonspiruan se kanë marrë para për ta sharë rrugën, për ta penguar rrugën derisa ato nuk e vizituan kurrë atë që të ndaheshin qartë me deshirën për ta ndërtuar rrugën dhe pastaj me kërkimin e qiqrrave në hell. Të majtët shqiptarë kanë zgjedhur më mirë të marrin një grumbull me para dhe të shajnë, mallkojnë e ndalojnë ndërtimin e rugës së sa të duan atdheun dhe të ardhmen e jashtëzakonshme që i jep këtij atdheu ndërtimi i asaj rruge, të ardhmen e jashtëzakonshme që do të kenë portet e ujrat shqiptare, gjithë teritori shqiptar. Ato si internacionalistë të pandreqshëm duan më shumë vendet e tjera që ua pakëson potencialet ndërtimi i kësaj rruge se sa duan Shqipërinë që i shtohen potencialet dhe mundësitë. Të duash Shqipërinë më shumë se këdo vend tjetër, nuk do të thotë se po urren vend tjetër, por të duash Shqipërinë tënde më pak se ndonjë vend tjetër, mendoj se kësaj i thonë të urresh vendin tënd.
Duke përmbledhur shkurt pra gjithë historinë them me bindje se opozitarët shqiptarë vetëm kanë marrë shumë para ndaj e shajnë rrugën dhe duan ta ndërpresin ndërtimin e saj që të mbetet gërmadha më e madhe e botës që do ta shëmtojë Shqipërinë në jetë të jetëve. Ose janë antishqiptarë të pandreqshëm, antishqiptarë rrace që duan vetëm të keqen e shqiptarve, izolimin e shqiptarëve se ndryshe nuk mendojnë dot se mund të qeverisin e të drejtojnë në këtë vend të vogël që e kanë kafshuar, e coptuar ndër shekuj e mijëvjecarë.
Se cfarë sjell ndërtimi i rrugëve, cfarë zhvillimi e ndryshimi sjell ndërtimi i tyre kemi shembuj sa për ta vlerësuar. Shihni se cfarë ka ndodhur në aksin Tiranë – Durrës ose Fushë Kruje - Tiranë, ose shihni se cfarë po ndodh në aksin Lushnje – Fier. Shihni anash rrugës se cfarë po ndodh, cfarë ndryshimi ditor po ndodh. Mos mendoni se gjithmonë shqiptarët do të budallallepsen të ndertojnë vetëm karburante në çdo 100 metra rrugë. (Tmerr të mendosh se vendi ka mbi 2000 karburante kur i duhen maksimalisht 300 të tillë). Jo, do të ndodhë ndryshe me kalimin e pak viteve. Shkoni e pyesni se si është rivlerësuar toka kudo ku kalojnë rrugët. Ka vende që hektarin mund ta bleje me dyqind dollarë. Por sot metrin katror aty ku kalojnë rrugët nuk e blen dot me dy apo treqind dollarë. Po rivlerësohet toka kudo ku kalojnë rrugët. Kush nuk e deshiron këtë fakt pozitiv përveç të majtëve shqiptarë, apo më saktë përveç drejtuesve të të majtës shqiptare që nuk duan të humbasin sponsorizimet që u bëjnë antishqiptarët për të penguar ndërtimin e rrugëve në këtë vend.
Për pak para bëhen mercenarë të së ligës, të antishqiptarizmnit.
Por koha do të rrjedhë dhe rruga e shqiptarëve, rruga e jetës tonë duket se do të përfundojë nëse do të qeverisë Sali Berisha.
Si do t’ia bëjnë kalorësit e së keqës, shpifësit dhe sharësit e rrugës, si do të shkojnë në Kosovë, nga do të shkojnë nga Kosovë. A do të munden të hyjnë nëpër atë rrugë të udhëtojnë. Sepse është mallkim i rëndë të shash rrugën. Mallkim i rëndë si mallkimi kur shan vijën e ujit. Mallkim i rëndë që i bëhet tokës shqiptare. Kam frikë se kur të udhëtojnë të pacipët nëpër atë rrugë, ka mundësi të hapet rruga, të hapet toka e ti përpijë brenda. Se kjo tokë nuk i duron gjatë.
Shkuan para ca ditësh në Kosovë drejtuesit socialistë. Dhe drejtuesit e Kosovës, në situatë paqartësie e të paqetë, i pritën drejtuesit socialistë shqiptarë. Nuk u thanë në Kosovë se pse shani rrugën tonë, rrugën e jetës tonë. Se nuk është më ai i madhi, i papërsëritshmi Ibrahim Rugova që tallej me socialistët shqiptarë – antishqiptarë dhe në vend që tu përgjigjej për pyetjet që i bënin ai u fliste për manin, për frutat e manit, për rakinë e manit dhe i poshtëronte deri në palcë për antishqiptarizmën që demonstronin ndaj Kosovës. Nuk u thanë se ju që luftoni të na mbyllet dera duke mos përkrahur rrugën e Kosovës, vini e na vizitoni por nuk e meritoni pritjen tonë por meritoni të mos lejoheni të shkelni në Kosovë derisa doni vdekjen e saj.
Shkuan në Prishtinë dhe duke dashur të thonë se e duan Kosovën i bënë thirrje të mos pranonte ndërkombëtarët, i bënë thirrje kundër thirrjes që i binin kosovës mbrojtësit amerikanë që ia dhuruan asaj lirinë, pavarësinë dhe paqen që kanë në Kosovë. U bënë dhe u deklaruan më priftërinj se Papa. Kishin marrë edhe Majkon me vete. Majkon që t’u kujtonte atje se historia e Kosovës ka edhe emrin Majko. Pikë e zezë. Dhe kishin shkuar me 28 nëntor në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në ditën kur flamujt shqiptarë valviten në Kosovë dhe vetëm atje si askund në hapsirat shqiptare. Sepse ato ia dinë vlerën pavarësisë sepse u ka munguar gjatë edhe në ditët moderne në gjalljen tonë. Majkon me vete që tu kujtonte se ne jemi ata që nisëm rrugën Durrës - Prishtinë. Po, tre here deshën ta nisnin rrugën por nuk e nisën dot, sepse nuk ua prishinin dot qejfin fqinjëve e përtej fqinjëve që nuk e duan atë rrugë dhe nuk kishin tope për ta nisë e bërë atë rrugë. Po. Majko në këngë e bëri atë rrugë. Zhurmë u bë. Në Rreshen tre here u inagurua fillimi i punimeve me forcat tona gjeniere që kishin kamionë pa goma e traktorë pa goma e pa zingjirë e ushtarë me lopata të këputura.
Por një gjë është tejet e sigurtë, për ata që e dinë se si funksionon shqiptari i Kosovës, si mendon dhe vepron ai. Edhe pse qeveritarët e ndryshëm të tyre, tejet të kompleksuar e të errur partiakisht, atje në sofrën e tyre mund të mos ia përplasnin në fytyrë urrejtjen drejtuesve socialistë të Shqipërisë, qytetari i Kosovës të saluton e respekton me një pordhë nëse del kundër rrugës së jetës së tyre, jetës së shqiptarëve, nëse del kundër të ardhmës së tij. Ata dinë të heshtin e të të përbuzin me heshtje sepse janë durimtarët më të mëdhenj të njerzimit, dinë të presin që zoti të hakmerret për ta, dinë të besatohen me kalorësit e mëdhenj të lirisë që natyrisht dhanë pëlqimin për ta bërë udhën e shqiptarëve dhe dërguan edhe Bektelin nga përtej oqeanit për ta bërë udhën e shqiptarëve.
********************
REPLIKË NË TRE PAMJE ME HIJET
Për shkrimin tim “Kush paguhet për të sharë udhën e shqiptarëve” botuar në gazetën 55, ne vitin 2008, vec të tjerave, është marrë me shumë seriozitet edhe një faqe interneti ëëë.pejsazhe te fjales, apo natyra jo aq të qeta, xhaxhai.ëordpress.com/2008/12/23/kombetarizmi-rrugor/
Aty në atë faqe interneti, një njeri, (uroj të jetë njeri, të jetë shqiptar e jo joshqiptar që han bukë me ne, të ketë një emër që nuk të ngjall krupë as ty lexues, as mua e as atij vetë), gjithësesi i nderuar, që më ka kushtuar kohë dhe hapsirë në atë faqe, bashkë me një sërë mbështetësish të tij, apo fansash të tij, janë marrë gjatë me shkrimin tim, fjalë për fjalë dhe gërmë për germë.
E kanë tepruar apo s’e kanë tepruar nuk është kjo çeshtja sepse është mëse demokratike që ka pro dhe kundër mendimeve apo shkrimeve të mia.
Krejt çeshtja është se ata janë anonimë, nuk shkruajnë e flasim me mua me emër e mbiemër, por me pseudonime.
Kjo gjë dita – ditës ma ka shtuar zemërimin. Ma ka shtuar edhe mëshirën për to.
Por tani që erdhi casti ta botoj këtë libër dhe e mora në dorë dhe një herë këtë shkrim, më dalin përpara komentet e anonimëve. Dhe nuk mund të hesht. Më ka ikë qetësia. Sepse është një e keqe e madhe moda e ditës anonimati. Është një e keqe e madhe fshehja, frika, mos guximi. Duke qenë anonim mund të shash e të fysh sa të mundesh.
Me u marrë me një anonim, me një pseudonim po më krijohet përshtypja se jam duke u marrë me një fantzmë dhe edhe unë kam frikë e trembem prej fantazmës, prej lugatit të paemër që më godet e godet sikur unë jam I stërmadh e stërfuqishëm e nuk kam dhimbje, nuk ndjej dhimbje. Jo, më dhemb dhe shumë. Se jam një njeri krejt I zakonshëm, I butë e ndjeshëm mbase më shumë se duhet.
Me u marrë me një fantazmë, me një anonim, me një hije që fshihet, po më duket sikur kam marrë drapërin a kosën në dorë e po korri a kosis shi, po më duket se po prashis në ajër apo në ujin e një liqeni.
Edhe pse po shkruaj për anonimët, thellë brenda vetës ndjej mëshirë për to më shumë se cdo gjë tjetër. Por mëshirën më të madhe e ndjej për atë të ashtuquajtin Xha Xha. Të cilit po i drejtohem jo sikur të ishte njeri prej verteti, por si një hije, një fantazme, një pseudonimi, një kufome të paemer, një lugati që më tremb.
Me vjen keq, shumë keq, Xha Xha që më duhet të ndërroj fjalë me ty sepse nuk të njoh. Dhe të flasësh me një të panjohur, me një hije, qënka siklet i madh. Ti fshihesh prej meje e prej vehtes se të vjen turp prej meje e vehtes tënde. Mbase ke të drejtë sepse mund të të vijë shumë ndot nga vetja, mbase.
Dhe mua më duket e rëndë, e frikshme, e sikletshme pafund të flas me hijen tënde, me pseudonimin tënd. Tmerrohem nga këto pseudonimët.
Ti zgjove dreqin brenda meje o Xha Xha. Zgjove të ligun, djallin, të ziun, të keqin vetëm për arsyen e thjeshtë se flet e shkruan si anonim. E anonimët më së paku janë përversë. Më ndje, por janë shumë përversë e më shumë se të pështirë e të neveritshëm.
Teksa po këmbej këto fjalë me ty, nuk nisem thjeshtë nga fakti që më dole në shteg mua si anonim, por më ngjallen të gjitha ligësitë e anonimëve dhe të gjitha furitë e zëmërimit tim ndaj anonimëve po i derdh mbi ty mbase krejt me të padrejtë. Sepse ti mund të jesh njeri shumë i nderuar, mund të jesh ndonjë mik i afërt i imi, mund të kemi ngrëne e pi kafe e ndonjë gotë verë bashkë, mund të kemi diskutuar për letërsi, poezi e gazetari pa fund, mund të jesh ndonjë përsonalitet e letrave shqipe, mund të jesh ndonjë atdhetar e patriot klasi, mund të jesh ndonjë demokrat zemërplasur pse s’bëhet më mirë e më shpejt Shqipëria, mund të jesh ndonjë komunist më shumë se i ndershëm, mund të jesh për tu patur zili e për tu pirë ne kupë, mund të jesh i ndershëm, i virgjër, por vetëm se je pak me barrë si i thonë – je pak anonim.
Unë kam shumë nderim për miqtë e mi. Nuk ma lejon kurrë edukata, formimi, tradita nga vij, familja, që të shaj miqtë. Unë di të jem mirënjohës ndaj një shoku e miku për një nder që më ka bërë, për një mirësi që ka treguar dhe nuk e shuajnë nderimin e miqësinë time për atë njeri edhe nëse më ka bërë pastaj dhjetë dëme. Unë nuk i ndaj miqtë në parti, në pozitë a opozitë, pasi për mua partia më e shenjtë është miqësia. Unë nuk mund të shaj apo të shkruaj kundër dikujt që e kam konsideruar mik. Kjo më tremb shumë se mos ti je ndonjë nga miqtë e mi. Ti mund ta kesh pseudonim letrar këtë që i thua vetës Xha Xha, sic mund ta kishe përshembull, gomar, krric, këlysh bushtre, në pamundësi të shkruash për veten pseudonimin që mund të kesh patur si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, nëse ke patur të tillë e nëse je ndopak xha xha në moshë.
Anonimët sot janë bërë ceshtje mode në komunikimet e pafundme në internet. Si dikur letrat anonime që të bënin gjëmën në kohën e diktaturës.
Për cudi sot janë modë dite. Pa pikën e problemit, pa dert e gajle, del një anonym e të shan me libër shtëpie. Të jep mend, të jep këshilla, të tall, të bën llom sepse është i tillë dhe ndaj nuk guxon të shkruajë e të flasë me emër. Se nuk ka emër të denjë dhe i vjen me vjellë prej emrit të tij.
Mund ta teproj në këtë përgjigje ndaj teje, por nuk më bën te hesht sepse heshta gjatë, që nga dhjetori 2008 kur ti bashkë me çetën tënde ke hedhë baltë e gurë mbi mua.
Më vjen keq spse nuk të njoh. Mund të jesh burrë apo grua, apo të dy bashkë edhe burrë edhe grua apo vetëm burrëgrua a gruaburrë. Mund të jesh i zoti e me shumë kontribute në gdhendjen e fjalës. Mund të jesh shqiptar i mirë e i zoti me rrënjë shqiptar.
Mund të jesh edhe i konvertuar shqiptar se të ka ra mirë. Por nuk të njoh dhe nuk ti di bëmat e gjëmat. Ndërsa për mua ti mund të dish më shumë sepse jam shumë i pacipë dhe nuk e kam fshehur kurrë emrin, zërin apo fytyrën time, edhe pse ti e soji yt nuk e duroni dot.
E kam shumë të vështirë, të rri pa iu përgjigjur komenteve të tua Xha Xha rreth artikullit tim. Megjithëse ndoshta bëhem pis edhe vetë e më mbyt llomi. Më kap edhe një ndjenjë frike, një ndjenjë mëshire, një ndjenjë përbuzje e urrejtje përzier bashkë.
Më duhet të flas e të komunikoj apo replikoj me një Xha Xha, me një pseudonim, me një anonim, me një askush apo askënd, që fshihet pas gardhit apo pas murit dhe hedh gurin e fjalën, e fsheh dorën a fytyrën, me një njeri që i vjen turp prej emrit të tij, prej identitetit të tij se mund ta ketë të dhjerë.
Më vjen shumë rëndë të vazhdoj të shkruaj sepse po merrem me një anonim (thua të kesh shkruar letra anonime, ta kesh zanat këtë gjë), po merrem me një tufë anonimësh që më kanë respektuar dhe kanë marrë në konsideratë shkrimin tim, shkrim që ndonjërin nga anonimët e ka bërë të vjellë.
Nga kjo ndjenjë që ti përjeton për veten tënde, nga turpi që të vjen prej vehtes tënde, prej emrit tënd, prej identitetit tënd, mua më vjen keq. Të mëshiroj. Më dhimbsesh fort. Ndoshta në thelb je njeri i mirë dhe ke kuptuar se sa ndot të vjen prej vehtës tënde dhe nuk e duron dot emrin tënd se të bën me vjellë ndaj shkruan me pseudonim.
E bash për këtë shkak po të konsideroj dhe po këmbej dy fjalë me ty.
Nuk je dakort me shkrimin tim. Krejt normale. Pse duhet me qenë dakort. Por nuk je dakort me rrugën, me bërjen e rrugës. Këtu them që duhet t’i ndalësh lodrat Xha Xha dhe është më e fisme me hesht se sa me mbjell neveri dhe me më bë me i futë gishtat në gojë e me nxjerrë zorrë e mushkëri. Pasi fjalët e tua mbajnë një erë shumë të rëndë, më të rëndë se muti në një nevojtore të pa lame 50 vjet ku edhe ku vjellin edhe pijanecët.
Më përmende diku Ferizajt dhe që atje ka edhe enveristë. Eh mor Xha Xha edhe i pabesë, si cdo anonim dhe si cdo njeri që rri në pritë pas gardhit dhe s’po di ku je mbjellë, kush dhe ku të ka mbjellë e rritë. Mba mend se komunizmi nuk ka ngjitë e nuk ngjit në Kosovë, përvecse në ngjittë nën kostumin e mafies. Sepse i besoj asaj që ka thënë Lasgushi që kur të clirohet Kosova, komunizmi nuk ka me vdekë, por ka me ngordhë në Shqipëri.
Thua diku se mu këput teli i ciftelisë. Bukur fort. Po unë i bie ciftelisë. Po ti mor Xha Xha kujt i bie? Gusllës…apo kujt??
Unë or Xha Xha, ndryshe nga ti që të vjen fort marre prej emrit tënd, kam folë e shkruar me zë e figurë e me shkrim.
Kam qenë pa gajle a dert. Kam shkruar e folë qysh moti, pa më ardhë turp prej vetes.
Nuk jam paguar asnjë qindarkë për sa kam shkruar dhe nuk më ka porositë askush të shkruaj. Aq më pak Sali Berisha me të cilin nuk kam ndërruar kurrë në jetë asnjë një fjalë.
Jam paguar për katër vjet si një zyrtar i shtetit, si zëdhënës shtypi i ministrit të bujqësisë z. Jemin Gjana, por kam pasë tjetër detyrë dhe aspak në lidhje me rrugën apo rrugët e vendit. Unë me këtë punën e shkrimeve jam marrë herët o Xha Xha. Pa qenë zëdhënës, pa më paguar qeveria e Sali Berishës dhe e askujt qeveri.
Si ty sot që besoj nuk të paguan askush të reagosh ashtu kundër shkrimit tim. Apo jo?? Apo e kam gabim, si thua.
Unë ta ndjej dhimbjen që të shkakton kjo udhë dhe ndërtimi i saj. Të ngushëlloj. Dhe të falenderoj që ekziston. A din ti se duhen edhe qenie si ti. Xha Xha, shokët e tu bëjnë lajm se erdhen 7 mijë emigrantë nga Greqia dhe radha ëshrtë e gjatë dhe nuk bëjnë lajm se nga Kosova vijnë për cdo ditë vere mbi 7 mijë e 17 e deri në 24 mijë makina o biro.
Unë e kuptoj se ti nuk je i qetë pse u bë kjo rrugë. Sepse kjo rrugë bëri që Prizreni të jetë tash më afër Tiranës se sa është Selenica, Fieri, apo Shkodra. Po cfarë të bëjmë. Ja që kështu ndodhi. Cfarë të bëj unë? Nuk është faji im pse u bë Prizreni kaq afër Tiranës
Xha Xha. Më ndje. “Fajet” i ka Sali Berisha. Ai ka bërë mëkat të madh, e kuptoj. Ai na e bëri Shqipërinë të vogël. Dhe duket se po na e bën edhe më të vogël që shqiptarët të mund ti bien rreth e qark brenda ditës.
Unë pseudopatrioti, pseudokombëtaristi, duhet të të them o Xha Xha mavria se nuk ma ha palla për punë patriotike sepse nuk besoj se kam kellqe të bëj patriotin. Unë thjeshtë bëj sa mundem për veten time e fëmijet e mi, të jem sa më i denjë për fëmijët e mi, për të qenë në paqë me veten time dhe me detyrën time. Thjeshtë, në mos u krenofshin fëmijët e mi me mua, të paktën të mos u vijë turp prej meje. Vetëm këtë kam synim. Vetëm këtë quaj patriotizëm dhe atdhedashuri.
Patriot është Sali Berisha. Atij i qofshim falë për këtë udhë që lidhi e bashkoi kombin, që u kurseu kohën, mundin dhe energjitë shqiptarëve, që ua lehtësoi jetën shqiptarëve. Ai është patriot sepse ai gdhendi firmën e tij në tokë. Nuk i llogarit askush firmat që ka hedhë në letër. Të gjitha i sfumon, i harron apo i futë nëpër skuta historia.
Por firma që ka nënshkruar në tokë, që ka gdhendur në tokë, firmë që cau male, e krijoi fushëza, ajo nuk shuhet kurrë. Besoj se ti po pëlcet nga inati që ai e bëri firmën e emrin e tij të pavdekshëm për aq kohë sa do të rrojnë shqiptarët në trojet ku janë. Dhe firmë e nënshkruar e derdhur e hedhur në tokë, mes për mes trojeve shqiptare. Firmë që nuk mund të shuhet kurrë edhe të duam une e ti Xha Xha. Dhe sa të jetë jeta, nuk ka më për shqiptarët rrugë më të rëndësishme, rrugë më të penguar se sa kjo që ka bërë Sali Berisha. Gjithcka tjetër do të jetë e lehtë, e pandaluar nga miqtë dhe armiqtë, me emër ose anonimë, e papenguar. Sepse pengesa apo muri që ndante kombin u shemb. E bëri ai, Saliu, Sali Berisha, që i bashkoi shqiptarët, që ua ndërtoi urën e bashkimit, që ua krijoi mundësinë e bashkimit, që ua bëri autostradë udhën e bashkimit.
E të gjitha këto fjalë, që mund të mos shkruheshin e thuheshin kurrë, thjeshtë u thanë për shkakun e vetem që ti Xha Xha nuk nënshkrove me emrin tënd dhe më fute frikën, ma kalle datën, më ngjalle krupën…
***********************
GRATË VJENEZE DHE RRUGA DURRËS - KUKËS
(Për ta ndërtuar teatrin e Vjenës në Austri, 1300 gra vjeneze dhuruan gjerdanët, vëthët, varëset, unazat e stolitë e tyre të florinjta)
(Kur të çlirohet Kosova, komunizmi në Shqipëri nuk do të vdesë, por do të ngordhë ka thënë Lasgush Poradeci)
Një natë në Lushnje, gjatë regjistrimit të një emisioni televiziv nga televizioni shqiptar për dy strategjitë e Ministrisë së Bujqësisë, deputeti Ndiçim Hysa që përfaqësonte opozitën shqiptare në atë debat, që mbante sytë vetëm mbi letër dhe lexonte se s’mund të fliste për bujqësinë pa lexuar ato që ia kishin shkruar të tjerët, mori vrull në akuza e denigrime, duke dalë nga tema, dhe filloi të kritikonte qeverinë Berisha edhe ne ate emision bujqësie se pse po e ndërton udhën Durrës – Kukës – Morin.
Ahmet Osja, dijetari i bujqësisë shqiptare, që i ka cilësuar strategjitë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si busulla inteligjente që kanë munguar deri sivjet, i pasionuari, si ai, pas bujqësisë, i pranishëm në panel bashkë me ministrin Gjana, qetësisht iu kthye deputetit Hysa dhe i tha se kur është ndërtuar teatri i Vjenës në Austri, 1300 gra vjeneze kanë dhuruar gjithë gjerdanët, vëthët, varëset, unazat e stolitë e tyre të florinjta për ta ndërtuar këtë teatër…
Ahmet Osja nuk e fyu deputetin Hysa, nuk iu përgjigj me fyerje edhe pse deputeti Hysa u rrek ta fyente sa mundi Osjen, nuk i tha se ti kaq din, nuk e fyu opozitën shqiptare. Nuk përmendi ndonjë falenderim për Kryeministrin Berisha e qeverinë e tij.
Nuk u tha segmenteve të opozitës se po bëni luftën politike e mediatike më të turpshme në historinë kombëtare. Nuk u tha se po bëni veprimin më të mundshëm antikombëtar. Nuk u tha se ju po demonstroni urrejtje ndaj Kosovës, që ju synoni izolimin e Kosovës, nuk ju tha se ju jeni kundër integrimit evropian se pa integrim shqiptar e rajonal nuk ka integrim evropian. Nuk ju tha se ju keni frikë nga zgjerimi i mushkërive të kombit, se ju keni frikë nga dyndja e shqiptarëve të Kosovës për sheti në Shqipëri. Ai vetëm tregoi një fakt historik që sa ishim aty nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë.
Kur e dëgjova atë fjalë nga goja e të nderuarit Ahmet Osja, që jam i bindur se është një shqiptar i mirë por jo militant partiak e as militant i Partisë Demokratike, mu shtua besimi tek deklarata e prerë e Kryeministrit Berisha në Parlament, kur i siguroi ata që nuk duan të ndërtohet udha Durrës – Kukës – Morin se do të shesim edhe vëthët e unazat e grave tona dhe udhën e Kosovës do ta bëjmë.
A ka mënyrë më fisnike, a ka demonstrim më të madh dashurie për Kosovën, për këtë gjysmë atdheu që na ka munguar se sa t’ia ndërtosh këtë udhë, që ta lidhësh me detin, që ta lidhësh me Shqipërinë, me Evropën.
Është thënë e stërthënë nga Kryeministri Berisha se kjo udhë bën tregun shqiptar 5 milionësh, krijon zingjirin gati vjeçar të prodhimeve të freskëta shqiptare dhe siguron treg të dyanshëm gjithëvjetor, siguron turistë gjithëvjetorë të detit e malit për Shqipërinë dhe Kosovën.
Ajo rrugë, ëndrra e shqiptarëve që janë shqiptarë prej verteti, më së paku, do ta pasurojë Shqipërinë. Më së shumti do ta lidhë me botën. Dhe do të kursejë kohën e shqiptarëve të dy anëve të kufirit. A ka fitim më të madh se sa të fitosh kohë.
Dua t’ju them kundërshtarëve të kësaj udhe, mos kini frikë nga dyndja e shqiptarëve të Kosovës që do të ndodhë sapo të ndërtohet udha. Nuk do të bëhemi një shtet. Ani se do të jemi në tryezën evropiane bashkarisht dhe pa kufinj. Nuk do të kemi një qeveri, një parlament. Nuk do të vijnë shqiptarët e Kosovës të jetojnë këtu, por vetëm sa do të levizin për pushime, shetitje, biznes e treg. Se udha do të jetë me më shumë mundësi për zhvillim të dyanshëm. Pra asnjë të pameritueshmi nuk do t’i humbin postet, privilegjet, monopolet, elektorati, ballancat politike se nuk do të bashkohen ata me ne, që të krijojmë një parlament e një qeveri, pasi kanë shtetin e tyre dhe e duan Kosovën më shumë se sa ne Shqipërinë. Atyre që kujtojnë se e kanë me tapi dhe monopol komunist qeverisjen e Shqipërisë që nga koha e komunizmit, do t’ju thoja që të rrinë të qetë se shqiptarët e Kosovës nuk do të jenë votues tek ne dhe nuk do të rrezikojnë zhdukjen e mbetjeve të komunzmit…
Teksa flas e shkruaj për gratë vjeneze, për aktin e tyre madhor, për frikërat e shumta të antishqiptarëve që duan që të mos ndërtohet udha e Kosovës, udhë e cila është në fakt pavarësi ekonomike e Kosovës, nuk më bën të mos e tregoj një thënie të madhe të qiellorit të poezisë shqipe, Lasgush Poradecit, atij që ka shkruar se Drini plak e i përrallshëm buron prej Shën Naumi dhe i bie mes për mes Shqipërisë, i cili i pati thënë dikujt se “Kur të çlirohet Kosova, komunizmi në Shqipëri nuk do të vdesë, por do të ngordhë…”.
Udha Durrës – Kukës – Morin është pjesë e çlirimit të Kosovës. Kush nuk e do këtë çlirim? Kush nuk do që të ngordhë komunizmi në Shqipëri? Kush nuk do që të mos zhdukën, shkulën e shuhen rrënjët e komunizmit, shfaqjet e dukjet e saj edhe sot e gjithë ditën në jetën shqiptare, në pjesë të politikës e segmente të medias, në institucione të shtetit, në parlamentin shqiptar nga pionierët e djeshëm të Enverit?
Udha Durrës – Kukës – Morinë e ngordh komunizmin në Shqipëri. Kush nuk do që të ngordhë komunizmi në këtë vend?
Pse kaq shumë armiqësi ndaj Kosovës? Pse kaq urrejtje për të? Pse kaq demagogji pro Kosovës nga ata që nuk duan të ndërtohet rruga e Kosovës?
Mbrohen e thonë se janë patriotë të mirë se u dhimbsen paratë e shqiptarëve, taksat e tyre. Bllof. Tetë vjet patën në dorë ta bënin atë udhë. 250 milionë euro u mblodhën nga taksa Majko dhe nuk i përdorën për atë udhë. Tri herë prenë shirita inauguralë në Rreshen.
Duket se përveç antishqiptarizmit, përveç urrejtjes për Kosovën, ani se i thurin himne e fjalime dashurie me fjalë, ato që nuk duan ndërtimin e udhës kanë edhe hallin e madh se nuk po munden me vjedhë nga taksat e shqiptarëve siç kanë bërë vite e vite me radhë. Ata që bërtasin se po vidhet në atë rrugë, kanë hallin që të bëjnë zhurmë e të mos krijohet qetësi për të hetuar se sa kanë vjedhur vetë në tetë vjet në gjithë udhëzat e Shqipërisë. Po ndodh me ta si në atë fjalën e urtë që thotë, mbama moj nënë, t’i them kurvë pa më thënë.
Shkrova në titull gratë vjeneze dhe gratë shqiptare. Shkrova, por sot Shqipëria nuk është në kushtet e kohës kur është ndërtuar teatri i Vjenës në Austri dhe gratë vjeneze dhuruan stolitë e tyre të arta. Sot Shqipëria i ka paratë për ta ndërtuar atë udhë. Prandaj nuk ka nevojë që gratë shqiptare të japin stolitë e tyre. Ndërkohë jam i bindur se po të lypsej, gratë e nënat shqiptare nuk do të mungonin ta bënin gjestin e grave vjeneze për të ndihmuar ndërtimin e udhës së Kosovës.
Rruga do të bëhet deklaroi kryeministri Berisha. Unë besoj tek kryeëndrra shqiptare. Dhe besoj se do të mbyllen haletë që kutërbojnë erë antishqiptare duke mallkuar Shqipërinë, Kosovën e udhën e saj.
*********************
RRUGA E INTEGRIMIT TË SHQIPTARËVE
U shpeshtuan rastet e nxjerrjes së fletërrufeve kundër qeverisë Berisha pse po bën gjënë më të mirë të mundëshme, punën më të mirë të mundëshme, në gjithë historinë e vjetër e të re të shqiptarëve, që është rruga Durrës – Morinë, ose më saktësisht, Milot – Fanë – Morinë.
Kjo rrugë e historia e saj, ndalimi i bërjes së kësaj rruge, kundërshtimi ekstrem me dashakeqësinë më të madhe i bërjes së kësaj rruge, është histori mjaft e njohur ndër shqiptarët e të gjitha anëve në dekadën e fundit.
Shqiptarët e të gjitha viseve ku frymohet shqip, ku hahet e pihet shqip, e dinë se tre kryeministra socialistë prenë shirita inaugurimi për fillimin e punimeve të kësaj rruge në Milot. E dinë se u mblodh një taksë e quajtur Majko me vlerë rreth 70 milionë euro që askush s’e din se ku u përdorën këto para.
U tha e stërtha se u vodh ky fond. Unë s’po them se u vodh se nuk e di, por po them se nuk pati deshirë që ky fond të shkojë për ndërtimin e kësaj rruge, se nuk e deshën ndërtimin e kësaj rruge, se e penguan qëllimshëm ndërtimin e kësaj rruge, se nuk e pranonin lidhjen me rrugë të Shqipërisë me Kosovën, se nuk donin që të integroheshin e lidheshin me rrugë dy pjesët e ndara të kombit, nuk donin që Shqipëria të bëhej vend i hapur me anë të kësaj rruge, nëpër të cilën do të kalonin jo vetëm shqiptarët por ballkanasit të gjithë, eurolindorët e euroqëndrorët, në të cilën do të kalonin njerëz, mjete e mallra, rrugë e ciila do ta bënte rajonin më të lidhur, rrugë e cila do të shkurtonte kohën e njerzve, do të pasuronte njerzit, do të integronte tregjet...
Njerzit që kanë sy e veshë, që ndjehen shqiptarë, që kanë arsim qoftë edhe fillor, që e duan minimalisht këtë vend, që nuk kanë qenë asnjë ditë spiunë të askujt dhe nuk e kanë mallkuar asnjëherë këtë vend që quhet Shqipëri, nuk kanë qenë e nuk janë kundër ndërtimit të kësaj rruge.
Por herë pas here, po dalin zëra, po krrokrrasin korba, po vajtojnë shtriga pse po bëhet kjo rrugë. Se kundërshtarët e dinë që ndërtimi i kësaj rruge do të ndryshojë shumëçka në hapsirat shqiptare.
Në historinë që do të shkruhet pas qindra vjetësh, do të gdhendet me germa të mëdha të arta fakti që këtë rrugë e bëri Sali Berisha dhe qeveria e Partisë Demokratike që drejtonte Sali Berisha. Kujt s’i pëlqen, le të mos udhëtojë nëpër atë rrugë. Ka rrugë të tjera për të shkuar në Prishtinë, në Nish e nga andej në Beograd e ku të duash. Mund të udhëtosh nga Maqedonia për në Kosovë, nga Mali i Zi për në Kosovë. Këto rrugë janë për ata që nuk duan të udhëtojnë direkt nëpër tokë gjithsejt shqiptare nga Tirana në Prishtinë, Nish e më tutje.
Në fushatën elektorale të verës 2005, Berisha në Kukës bëri premtimin më të madh të mundshëm për integrimin e shqiptarëve. Do të ndërtojmë brenda mandatit qeverisës deri në vitin 2009 rrugën Morinë – Durrës – Vlorë. (Morinë – Milot). Duke ndërtuar këtë rrugë, u shpreh Berisha, ne e bëjmë tregun shqiptar 5-6 milionësh. Ne zhvillojmë turizmin sepse shqiptarët e Kosovës udhëtojnë direkt Prishtinë-Vlorë. Tregtarët e Fierit e Lushnjes që nxjerrin në treg prodhimet e fermerëve myzeqarë do të mund të kenë treg të mjaftueshëm sepse ato i shesin prodhimet e tyre në Kosovë ku prodhimet e hershme të Myzeqesë ende nuk kanë dalë në treg. Kjo rrugë u mundëson shqiptarëve të Kosovës që ditët e uikendit t’i kalojnë në brigjet e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Lezhës etj. U mundëson që të vijnë për kafe në Tiranë pasi Tirana është e bukur. U mundëson tiransve të shkojnë për qejf e dert në Prishtinë. Që shiptarët të njohin hapsirat e tyre jetike e pastaj t’i duan më shumë e t’i përdorin më shumë.
Nëpër këtë rrugë në të cilën do të udhëtojnë edhe shqiptarët, do ta udhëtojnë edhe shtetasit e shteteve të tjera të rajonit që duan të lidhen me Italinë fqinje e me Evropën perendimore.
Kjo rrugë nuk do të ketë pushim nga levizjet. Kjo rrugë do të gjallërojë rajone të shumta të vendit dhe investime gjigande do të marrin jetë, pasi kjo rrugë nuk kalon nëpër skërka të shkreta por në rajone ku flenë pasuri të mëdha.
Kjo qeveri që guxoi të jetë krejt shqiptare në shpirt e filloi këtë rrugë seriozisht. Dhe për shumë mote që vijnë nuk mund të ketë vepër më të madhe e më të dobishme për shqiptarët. Akordoi fonde të buxhetit për Kalimash – Morinë, mori fonde nga BB për segmentin Milot-Rreshen dhe po kërkon fonde për pjesën e tunelit. Do t’i gjejë fondet. Le të jenë kredi. E rëndësishme është se nuk do të vidhen ato fonde dhe nuk do të shkojnë në asnjë zonë operative, nuk do të shkojnë në fshatin e askujt, nuk do të shërbejnë për të blerë vota (se vota ka pak në ato vise ku kalon rruga). Nuk ka vepër më të moralshme që ka bërë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare. Nuk ka vepër më kombëtare që ka bërë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare. Nuk ka shërbim më të madh që mund t’i bëhet kombit më shumë se sa t’ia ndërtosh këtë rrugë.
Korbat që krrokrrasin nuk kanë hallin se po marrim borxhe. Por druaj se kanë hallin që të mos bëhet kjo rrugë. Organizmat e huaja financiare e kanë lejuar marrjen e borxheve se janë të bindur se është rruga e rritjes së tregut të shqiptarëve, është kanali nga marrin oksigjen shqiptaret.
Kjo rrugë nuk mund të krahasohet me asnjë lloj vepre në gjithë hapsirën shqiptare. Kjo është rruga e integrimit. Ne për këtë vuajmë më së shumti. Të integrohemi njëherë ndër veti se pastaj e kemi më lehtë të integrohemi atje ku ëndërrojmë. Kjo rrugë na krijon vetmjaftueshmërinë, na rrit e mbush mushkëritë.
Titulli i redaksisë Floripress.
Falenderojmë gazetarin,shkrimtarin,publicistin , atdhetarin Rexhep Shahu ,për mundësinë e botimit të disa fragmenteve nga libri "Udha e Kombit - pro dhe kunder".
Redaksia Floripress
Prishtinë 28 dhjetor 2011.