REXHEP SHAHU
(si një reagim për shkrimin “Autostrada Rrëshen - Mars - Kalimash” të Fatos Lubonjës, botuar me 7 korrik 2010, në të përditshmen “Panorama”)
Me zell të pandalshëm e të pashterrshëm, krejt i bindur se din gjithcka në këtë botë dhe se është ekspert i dorës së parë në e për gjithcka, Fatos Lubonja bën një ndër shkrimet më të shëmtuara e të pështira nga të gjitha shkrimet e bëra kundër udhës Durrës – Kukës – Prishtinë, me titull “Autostrada Rrëshen – Mars – Kalimash”, botuar në të përditshmen e Tiranës, “Panorama”, me 7 korrik, 2010.
Më duhet ta them që në krye, se në shumëcka e për shumëcka, unë e pëlqej dhe e dua Fatos Lubonjën, si një intelektual mjaft të angazhuar në jetën e vendit, si një intelektual serioz. Sidomos e respektoj për burgun që ka bërë në vitet e diktaturës, për vuajtjet çnjerzore që ka hequr atje, për zhgënjimet e llahtarshme që ka pësuar nga blloku i udhëheqjes së dikurshme politike të Shqipërisë, pjesë e të cilit ka qenë vetë z. Lubonja.
E ndjek shpesh në ekrane e faqe gazetash. Por kam kuptuar tashmë se është e njëjta gjë që thotë kudo, se thur gardh pa thupra, pavarësisht temave ku përfshihet, gjithmonë me shumë kompetencë, duke menduar se në këtë vend nuk ka asnjë tjetër të flasë dhe duhet ai që të mos mbeten të shkreta e memece ekranet apo faqet e shtypit dhe të mos mbetet pa u ndriçuar mendja e shqiptarëve. A nuk duhet kurrë të bëjë njeriu pak pushim?! Së paku sa për të dëgjuar se si përplasen në mal e si i kthen mbrapsht mali fjalët që thua…
Flet me kompetencë për gjithcka të kësaj bote. Si ekspert për rininë, për pleqërinë, për shkencën, për artin, për drogën, për doganat, për puthjen, për seksin, për aeroplanat, për të korrat, për të mbjellat, për shiun, për dëborën, për hënën, për diellin, për detin, lumenjtë, hidrocentralet… Fatos Lubonja sikur ta mbush mendjen se mundet me e puthë bërrylin e vet.
Për të na pohuar e diktuar gati gati dhunshëm se është, ai shqfaqet kurdo e kudo nëpër media, duke pretenduar me gjithë sjelljën e gjestet, kur shtrembërohet e lazdrohet kur flet, sikur gjithmonë bën vezë pate, duke na hutuar ne e vetën krejt qëllimshëm se objekt i intelektualitetit të tij është çdo temë, çdo fushë e aktivitetit dhe dijës njerzore, nga A-ja tek Zh-ja.
Mars e quan në shkrimin e tij vendin nga kalon autostrada Durrës – Fan – Kukës- Morin – Prishtinë ! Marsi, planet i kuq dhe pa pa jetë. Kështu e përfytyron Fatos Lubonja atë planet. Ne duhet që të pajtohemi detyrimisht me përfytyrimin e tij. Kështu e quan Fanin, Mirditën, Kukësin, autostradën. Të djegur, të shkretuar dhe të shëmtuar. Ani pse aty jetojnë njerëz dhe kalojnë mijëra udhëtarë me makina. Ja që shkokan njerëz dhe makina në Mars…
Vrer derdh në atë shkrim kundër autostradës. Po ç’të bëjmë ne tani që autostrada u bë. U bë nëpër atë rajon, në ato gryka të shkreta, të harruara, të kësaj treve, për të cilën disa albanologë që i shërbejnë “romantizmit nacional” shqiptar, siç ka qejf të shprehet i gjithëdijshmi Lubonja, kanë thënë mëse një herë se pikërisht kjo trevë nga kalon autostrada Durrës - Fanë – Kukës – Prishtinë, që lidh pjesët e kombit shqiptar, është djepi i formimit të kombit shqiptar.
Absolutisht, besoj e shpresoj se Fatos Lubonja nuk e ka mllefin me këtë djep.
Por ndoshta më lejohet t’i kujtoj shkruesit Lubonja se treva në fjalë, ku kalon autostrada, është e banuar prej mijëra vjetësh dhe ku ndoshta edhe për arsye natyrore është ruajtur më mirë se kudo toponimia shqiptare, në shkrepat e së cilës u thyen e shkërmoqën valët e huaja të pushtimeve ushtarake, kulturore etj.
E kam dëgjuar Lubonjën të flasë edhe për katolikët, për përfaqësuesit e këtij kleri. Mbase edhe për hatër të katolikëve, nëpër trevën e të cilëve kalon kjo udhë autostradë, duhej ta thoshte një fjalë të mirë, që mbase i del padashje. Psh: për cilësinë e rrugës e të asfaltit që lehtësojnë të arrihet Kukësi (Marsi) në një kohë shumë të shpejtë dhe pa tu troshitur kockat siç ndodhte në kthesat e pafundme të udhës së vjetër, e cila tashmë duket si udhë dhish. Shumë çudi në fakt, sepse për këtë autostradë, që Lubonja dhe ajo e huaja që ai shoqëroi dhe që e shpallën të keqe, gazetari gjerman Karl Peter Schwarz, në artikullin e tij për këtë autostradë, me titull, “Fuqia shëruese e një autostrade”, e quan “autostradën e re të rehatshme për të udhëtuar”. A s’duket paksa si çudi që një gazetar gjerman jep këtë konsideratë!!... Apo do të thuash se edhe gjermanët nuk janë mësuar me standarte...
Z. Lubonja, që s’besoj se është i huaj e jo shqiptar (të shkruajë gjithë ditën Sadik Bejko), dhe ajo e huaja që ai shoqëron, thonë se është kotësi funksionaliteti i autostradës. Është kotësi që rruga bëhët për dy orë nga 6 – 8 orë që bëhej dikur, është kotësi që ulet kostoja e transportit 30 dollarë për ton kilometër, është kotësi që një tregtar i Kukësit (Marsit), Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Gjilanit, Ferizajit, Prishtinës, Kaçanikut etj etj, nuk paguan më 100 lekë të vjetra për çdo kilogram mall që i shkonte në Kukës (Mars), por paguan 20-30 lekë të vjetra. Është kotësi dhjetë e njëzet fishimi i numrit të udhëtarëve apo turistëve që vijnë në Shqipëri, qoftë edhe me pi një kafe në Durrës apo me fjetë një natë në Vlorë… Është kotësi taksa që paguan çdo makinë që hyn në vendin tonë për të kaluar tashmë përtej Marsit (Kukësit) në Kosovë apo në Maqedoni, makina e udhëtarë të shumtë që shkonin në Kosovë apo Maqedoni nga Greqia… Është kotësi funksionaliteti që mijëra gjimnazistë e nxënës nga Shqipëria shkojnë me deshirë të shohin e njohin Kosovën dhe dhjetra mijëra nxënës të Kosovës bredhin të njohin Shqipërinë… Kotësi funksionaliteti. Por prapë ai gazetari gjerman, Karl Peter Schëarz i gazetës Frankfurter........ thotë pafajësisht se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që udhëtuan nëpër këtë autostradë. Normal që pak janë për standartet gjermane.
Ndalem dhe flas me vete. A mos ka Lubonja junior ndonjë mllef apo inat me kuksianët- marsianët. Ndonjë gjë të trashëguar nga Lubonja plaku edhe mund ta ketë se Lubonja plaku duke qenë sekretar i parë i komitetit të partisë komuniste në Kukës edhe mund të ketë bërë mëkate ndaj kuksianëve - marsianëve. Edhe pse përfaqësoj vetëm veten time, pa e konsideruar të tepërt, do të kërkoja ndjesë, sepse për vuajtjet e të kaluarës jemi bashkëfajtorë. (Nuk ishte vetëm Zeusi…) Për të dënuar të djeshmen komuniste nuk kam ndonjë kuriozitet për të kërkuar në arkiva. Sepse i pari i rrethit, pra sekretari i parë i partisë komuniste, në përgjithësi, konsiderohej dorë e zgjatur e Zeusit që ishte në qendër. Nuk e di se ç’histori mund të ketë patur në burg z. Lubonja me ndonjë kuksian (marsian). Mund të jetë lënduar nga ndonjë marsian-kuksian. A mos duhet t’i kërkoj falje për episode apo dhunë të panjohur të ushtruar nga kuksianë-marsianë në ato institucione famëkëqia ku ka vuajtur dënimin z. Lubonja. Po ta dija se i kanë hyrë ndonjëherë në hak kuksianët, do t’i kërkoja ndjesë.
Për Kukësin (Marsin), ndoshta ka një farë detyrimi z. Lubonja junior, sepse Lubonja plaku ka qenë sekretar i parë i komitetit të partisë në Kukës në kohën kur hidheshin themelet e diktaturës komuniste.
Padyshim, për këtë nuk ka asnjë faj i biri, Lubonja junior, antikomunizmi i të cilit ngjan të jetë më tepër mllef përsonal për Zeusin (Enver Hoxhën) që e përzuri nga Olimpi, (blloku).
Ky shkrues pasionant që nuk le vend pa e shpallë mëvetësinë e tij intelektuale të mendimit dhe pa qesëndisur përkuljen neveritëse ndaj të huajve, nuk nguron të gjejë përkrahëse edhe një udhëtare të huaj, madje një artiste të huaj, që iu digjka shpirti për pyjet e shkatërruara të Fanit të Mirditës, madje…
Ajo e huaja, shoqërues i së cilës është bërë Lubonja, ajo perendimorja, e shetitura, për të bërë punën e saj, për ta dashur vendin e saj, si nacionaliste e vertetë, i nxjerr dhe shpik argumentet nga varri. Se vërtetë, mund të jetë e sinqertë. Mund të mos ketë parë kurrë një autostradë në një terren të tillë “të çmendur”, nëpër ato shkrepa e shkëmbinj vullkanikë, minerarë, të zhveshur, “të shëmtuar”, në ato gryka e maja nga kalon kjo udhë që u prish qetësinë shpendëve e kafshëve të egra dhe nuk cënon resurse të kollajta të njeriut. Mundet.
Jam gati t’ia jap Lubonjës mbi njëmijë foto unë, vetëm unë, të atij pejsazhi që ta shohë se si ka qenë dikur, si është e si po bëhet, që t’ia çojë, falas madje, po deshi edhe asaj të huajës që i dhimbka e iu digjka kaq shumë shpirti për pejsazhet tona në Fan të Mirditës. Pastaj ai, dhe ajo, kur paska qenë aq e ditur dhe e zonja për gjysmë tunele, për ruajtje peisazhesh, pse s’i kanë thënë mor aman shtetit shqiptar që t’ju merrte mendje dhe mbase dhe t’i paguante rëndshëm, qofte dhe me honorare të majme. Ose kompanisë ndërtuese a projektuese t’i thonin, se mund t’i paguante majmshëm për këshillat e vyera për mbrojtje të peisazhit të Fanit.
Shtirja e autorit të këtij shkrimi nuk të ndjell asnjë lloj keqardhje. Fatos Lubonja le të shtiret sa të ketë qejf, por është krejtësisht i lexueshëm. Vetem sa zbulon para lexuesit të vëmendshëm (ja që ka edhe lexues të vëmendshëm), shpirtin e tij … (cilësorët le t’i vendosë vetë, si ta ketë zogun e qejfit).
Është e kotë t’i kërkosh gjë atij që s’do kurrfarë argumenti përveç mendjes së tij. Ai nuk don t’ia dijë se si ka qenë përpara pejsazhi, si kanë qenë përpara ato gryka të Fanit, ndonëse për to janë bërë filma të plotë dhe ekzistojnë mijëra fotografi. E siguroj se gënjën Fatos Lubonja, se në nëntëdhjetë përqind të shpateve, dhe nuk janë numër i pafund malesh në atë distancë aq të shkurtër, ndaj të mos bluajë në të thatë, nuk ka patur pisha e lisa të lartë. Ai flet për peisazhe që kurrë nuk i ka parë më herët as në fotografi, pavarësisht se nëpër atë udhë të shkurtër që të kursente kohën, nëpër atë luginë mund të ketë udhëtuar për në Kukës, Lubonja plaku, kur ishte sekretar i parë i komitetit të partisë atje, kohë kur edhe Fani ishte pjesë e Kukësit. Pra asgjë nuk është vrarë as në kuptimin më të zakonshëm e jo më në kuptimin më mizor të fjalës.
Firma amerikano-turke Bektel & Enka që zbatoi punimet është përpjekur të ruajë atë pak bimësi. Pjesa e dëmtuar po rikuperohet dhe do të marrë formë më të plotë e të bukur brenda pak vitesh. Shkatërrimi nuk është përfundimtar dhe nuk është shkatërrim. Banorët vendas që kishin ikur nga sytë këmbët prej aty sepse nuk u premtonte asgjë ai vend, po kthehen, po shohin mundësi jetese e biznesi. Nëse toka apo një banesë aty shitej dikur falas a sa një palë duhani, sot shko e pyeti ato banorë se sa u është rritur vlera e tokës apo banesave të tyre. Mundësia e një turizmi elitar u ka shkuar në prag të derës atyre zonave me resurse të pasura natyrore e histori të bujshme. Kanë filluar këta mirditoro-marsianët të bëjnë edhe agroturizëm. Nuk bën keq t’u tregosh atyre që ti shoqëron, që të vijnë të kalojnë ndonjë natë të hatashme në Marsin tashmë jo të djegur… A i thotë gjë emri Domgjon, fshat ky në të cilin tani për fat shkohet kollaj… Më duket se është fshati i Gjergj Fishtës, i atij shqiptarit të madh, që mund ta njohë z. Lubonja.
Mirë, qenka vrarë peisazhi në atë vend, që ai e quan Mars, të cilin ai nuk ka dashur ta shohë e njohë kurrë, se për atë ka qenë prapa botës. Po ky peisazhi i ri, i duket gjë peisazh varri…?! Si nuk i doli qoftë edhe një fjalë e mirë për atë rrugë, për atë djersë, për ato mundime, për atë shkollë që kaluan për mëse dy vite shqiptarët… Qoftë dhe për 350 ha tokë e re bujqësore që u krijua apo shtua aty nga firma ndërtuese nga zhvendosja e dherave. Si nuk u ndal të pyesë njëherë, si ka mundësi që u sistemua ai vend aq bukur. Ku shkuan 35 milionë metër kub dhera të gërmuara. Ku shkoi dheu i hequr nga 11 kilometra tunel? Si u zhdukën kodra e u krijuan ato fushëza. Si u zhbënë malet dhe mes tyre u ça gjithë ajo autostradë që duket si një lumë i madh apo si një pistë e madhe e gjatë aionësh. Nuk u shëmtua peisazhi, jo. Ai mbase ka patur deshirë që të mbetej ajo zonë si kopësht për zogj e kafshë të egra që të vinin të huajt, qoftë edhe artiste, dhe tu tregonte ai një oaz mesjete në zemër a në asht të kombit shqiptar.
“Ku ka shkuar vërtetë gjithë ai material i nxjerrë nga tunelet? Çdo i huaj apo e huaj, qoftë edhe artiste, me apo pa famë, çdo shqiptar apo kalimtar, për këtë do pyste së pari. Aty sikur është bërë punë në kompjutër e jo as në letër e as në tokë. Çfarë leksioni dha kompania amerikano-turke për kompanitë shqiptare që edhe kur ndërtojnë ndonjë gjë të bukur e shëmtojnë me mos sistemimin e mjedisit.
Z. Lubonja junior qahet për Vlorën. Ej, i gjithdijshëm! Vlora është pjesa gati fundore e kësaj arterie apo autostrade edhe pse është përfituesja pothuajse më e madhe e kësaj udhe. Apo jo? E fundi, kur duhet bërë, në fillim? Vlora fitoi portin e kontinierëve që do të udhëtojnë nëpër këtë autostradë.
Rruga dykalimshe, e cila sipas Lubonjës mjafton (edhe për 20 vjet), Milot – Rrëshen, e financuar nga Banka Botërore, kur qe drejtore e saj për rajonin tonë, Orsalia Kalantzopoulos, të cilës, Sali Berisha, thonë se i pati thënë, kur ajo refuzonte të financonte dhe synonte të pengonte, se do e bëjmë rrugën me katër korsi edhe nëse do të na duhet të shesim bizhuteritë e grave e nënave shqiptare, nëse do të na lindë nevoja, kjo rrugë pra rezultoi shumë shpejt e pamjaftueshme. Ose si gjë e shëmtuar që i varet në qafë autostradës për mos me e marrë më sysh…
Lajmet e verës së fundit na thonin përditë se numri i makinave që kalonin në 24 orë në atë autostradë shkonte mesatarisht cdo ditë mbi 17 mijë deri në 24 mijë, pa ditur e folur për numrin e njerzve, udhëtarëve.
Dhe imagjino që ajo udhë, (më falni se nuk po e përmend më fjalën katër kalimshe sepse duket se e shqetëson shumë), ende është e pashfrytëzuar me kapacitet të plotë, por ende as përgjysmë, sepse nuk ka përfunduar gjysma e saj në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë. Se kur të mbarojë edhe në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë, asaj udhe do t’i shtohen udhëtarët. Do të derdhet në atë udhë edhe Serbia e vendet e tjera. 80 kilometër ka për të ndërtuar Serbia përtej Merdares zoti Lubonja. Dhe do t’i ndërtojë për interesat e veta e jo për dashuri ndaj shqiptarëve. Për t’ia heqë merakun edhe Vuk Drashkoviçit që thoshte para ca kohësh se Kosova s’mund të lidhet me Shqipërinë as me detin nëpër rrugë dhish… Serbët, bullgarët, mbase edhe rumunët, jo për hir të dashurisë për udhën e kombit shqiptar, por për hir të interesit të tyre, për hir të kursimit e respektimit të kohës së tyre, do ta përdorin udhën e kombit shqiptar. Kohë të cilën diktatura komuniste në Shqipëri ua vrau shqiptarëve në mënyrën më mizore, duke bërë bunkera e jo udhët e vendit. Apo nuk është dakort z. Lubonja për sa them.