Mbi krijimtarinë poetike të Mujo Buçpapajt
Forma dhe shpirti artistik në poezi
Dr.sci.Fatmir Terziu
Forma dhe fryma poetike janë dy anë që binjakëzohen në poezinë e poetit Mujo Buçpapaj. Në poezinë e tij të dyja këto ridimensionalitete poetike plotësojnë në fakt atë pikasje që poeti shqiptar, Visar Zhiti e ka shprehur që hershëm për Buçpapajn dhe poezinë e tij. Zhiti thekson se “Shumë poetë kanë rikrijuar metaforën e botës si dhimbje dhe hapësirë, por tek ky individualitet poetik, spiralja e dhimbjes ringjall pamjen mjeshtërore të shpirtit artistik që haset tek shumë poetë të mëdhenj të botës tonë që nga Kuasimodo, Ungareti, Robert Forst, Martin Camaj, Ali Podrimja etj. Njohja e gjuhëve të huaja i ka dhënë mundësi që të njihet me shumë poetë bashkëkohorë, një pjesë të të cilëve edhe t’i përkthejë në shqip, kryesisht nga anglishtja.” (Zhiti, 2006:145). Kjo ndoshta nuk është thjesht një pikasje e mjeshtrit të letrave shqipe, Zhiti, për poetin tashmë me emër në krijimtarinë e gjithanshme shqiptare. Për shumë teoricienë kritikë, të dy këto anë të subvensionit të mesazhit poetik si pjesë të aspektik kontemporan të vargut janë sa sublimitetet letrare po aq edhe funksione të shkencës humane dhe artit. Si një art, ato kanë vlerat e tyre estetike. Si mbartës të shkencës humane, ato kanë parimet e veta shkencore. Në historinë e poetikës shqiptare të dy këta aspekte kanë qenë konsideruar më shumë ose më pak si një degë e artit poetik, duke tërhequr një marrëveshje të madhe mes koncepteve të poezisë nga një pikturë, një shembull që idetë e "formës” dhe "shpirtit" të transmetohen më tej dhe në mënyrë të dukshme. Ndoshta aq të dukshme sa antiteza metaforike e vëllimit poetik të Mujo Buçpapajt, “Fitorja e Padukshme”. Duke rrëmuar në historinë e kritikës shqiptare, gjejmë pikërisht fuqinë e fjalës së Dr. Krist Malokit që shprehet se “në literaturën shqiptare asht i rallë koloriti adekvat dhe ato vepra (makare edhe vjersha) që i përgjigjen gjithë kërkesave dhe kritereve të një koloriti të vërtetë mund të njehen ner gishtat e duarve” (Maloki, 1939: 10-31). Ky kolorit sipas Malokit ka ndikimin e vet në formën dhe frymën poetike nëpërmjet “ahshië, shpirtsië, amsië e ngjyrësië”, të cilat ai i quan situata të gjalla dhe plot atmosferë, adekuate, me pak fjalë përshkruese e rrethshkruese (Ibid). Duke bërë një lidhje teorike mes kësaj që gjendet në kritikën e Malokit dhe poezisë së vëllimit “Fitorja e Padukshme” të Buçpapajt, gjejmë një pikëtakim në kohë, hapësirë e vend me teoritë e Frojdit, teori të cilat ushqyen në krijimtarinë poetike franceze, poetë të tillë me emër si Bernard, Drouot, Roger Allard, Lantoin, Clarasson, Jane Cartulle Mendes, Renee Vivien, Delarue-Mardrus, Anna de Noailles etj dhe që u analizuan më pas nga emra të kritikës së asaj kohe si Arcos, Georges Duhamel, Albert Gleizes, Henri Martin, Charles Vildrac. E gjitha kjo lidhje formon “unanizmin” në poezi, një term i rëndësishëm që sipas Jules Romain kupton një lloj poezie të pamjetshme, d.m.th. shprehjen e drejtpërdrejtshme, pa stoli e pa lajle, të njata, shka shpirti nxjerr e kupton prej realitetit” (E.F. [pseudonim i një autori të paidentifikuar] 1942: 82-84).
Forma dhe fryma në poezinë e Mujo Buçpapajt ngjan në këtë lidhje teorike si një riprezantim i atij realiteti të autorit nëpërmjet vargut dhe koloritit të pashprehur piktoresk. Në këtë lloj poezie përveç mesazhit dhe arsyes logjike ne ndjejmë edhe pikturën e atij realiteti strukturalist të riprezantuar në një sfond të padukshëm, por jo imagjinar. Funksioni i riprezantimit në këtë poezi-pikturë krijon një ngjashmëri formale, megjithatë edhe pse nuk është e mjaftueshme në vetvete, poeti mundohet të përcjellë frymën e gjallesave dhe ndikimeve ndryshuese në kohë, vend dhe hapësirë.
Çfarë është kjo një [metodë e poezi-pikturës së ndjeshme shpirtërore]? Dikush mund të thotë: ajo është një poezi që shërben për të përcjellë frymën, që është tek të gjithë njerëzit e thjeshtë duke ditur se qeniet njerëzore kanë shpirt dhe vetë njerëzit nuk e kuptojnë se gjërat kanë ‘shpirt’, pikërisht këtë shpirt të ndikuar nga poezi-piktura e realitetit që sjell Buçpapaj në poetikën shqiptare. Për të këtë, ndoshta jo thjesht si një lidhje teorike por edhe në krijimtari të tjera Perëndimore, poezia dhe piktura me kohë kanë qenë forma ekuivalente arti, dhe ky qëndrim ka qenë i përhapur edhe në riprezantimin e poezisë. Opinionet mbi rëndësinë relative të formës dhe shpirtit artistik në poezi janë ndarë në disa teori, por më e përhapura mbetet ajo që është për ngjashmëri formale dhe ngjashmëri shpirtërore. Le të shikojmë në thelb pikëpamjet e tyre dhe lidhjen me poezinë e Buçpapajt në mënyrë më të ngushtë. Ata që mbështesin idenë e ngjashmërisë formale besojnë se poezia duhet të jetë e ofruar zyrtarisht si poezi, dhe ky bilanc i formës së miri mund të përcjellë kuptimet, sintaksën si dhe ritmin që mesazhet të rrjedhin sa më origjinale. Krahaso për shembull pas përkthimit të vjershës të T. S. Eliot:
“Muaji Prill është më katili, në edukatë
Jargavan nga tok e vdekur, përzihet
Memoria dhe dëshira, nxitje
Rrënjët, mërzitshëm me shi pranvere...”
Duke parë lidhjen me poezinë e Buçpapajt poezi të tilla si “Era e ngrirë”:
“Po merrnin fund kopshtet
Shtëpitë, tokat e rrënuara
Të Atdheut në Veri
Rrafshit Kosovar, pas egërsisë serbe…”, apo “Zhgënjim total”:
“E dashur nënë,
Unë kam dalë prej fjale
Si prej arkivolit të zi
Dhe jam zhytur nën lëkurë…”, dukshëm formojnë një bindje mes poezisë së Elliot dhe këtyre opinioneve kritike. Kështu në këmbim të këtyre opinioneve kritike, vetë poezia e Mujo Buçpapajt ridimensionohet duke formuar zërin tipik. Atë zë që Zhiti e gjen me vend ndërmjet emrave të tjerë “Zëri i tij bën pjesë në korin epik dhe modern të poetëve të trevës së tij nga kanë dalë poetët e shquar të vendit, Ndoc Papleka, Skënder Buçpapaj vëllai i poetit, Hamit Aliaj, Besnik Mustafaj. Po nga ato treva vijnë dhe legjendat tona më madhështore. Mujo Buçpapaj është një nga poetët modern të letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe një nga penat me përfaqësuese të kësaj poezie, i përkthyer në disa gjuhë të huaja. (Ibid).
Për më tej janë edhe gjtjet e poetes amerikane, Laura Bowers, që shprehet për këtë krijimtari poetike “Nё tё pёrshkruhet portreti i bukur dhe i fshehtë i njё kombi dhe vendi tё coptuar nga lufta, dhe nga plagёt e saj. Buçpapaj shndёrrohet nё thirrjen e turmave tё tё gjallёve dhe tё vdekurve qё pёrjetuan luftёn e Kosovёs dhe bashkimin e burrave dhe grave si dhe fёmijёve tё vendlindjes sё tyre. Poezitё e kёtij libri “Fitorja e Padukshme” pёrbёhen nga copёzat e zemrёs sё poetit me thellёsi mendimi dhe drite, tё cilat vijnё tё gjalla dhe tё shpёrndara mes dy popujve. Shpirti human ёshtё ai qё i bashkon tё gjitha poezitё e tij me mallin pёr atdheun e dikurshёm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetёm njё kujtim.”. Apo më tej edhe vlerësimet e të tjerëve për të 62 poezitë e vëllimit të Mujo Buçpapajt “Fitorja e Padukshme”.
Frederick Turner shprehet: “Poezia e Mujë Buçpapaj është si vet Ballkani: një tokë e ngjeshur e energjive tragjike. Nga njëra anë, ai është poeti i thjeshtësisë së madhe, ku imazhet pasionante janë pothuajse surreale në thellësinë e tyre, ku u bëjnë thirrje botës së bukur të natyrës për të cilën ne të gjithë ndajmë nga qëllimi i moralshëm fisnik. Por ndjeshmëria e tij është gjithashtu e Evropianit të (sofistikuar) ndërlikuar e një prej më të lashtëve prej evropianëve dhe për këtë ekziston njohja e hollë ironike e brutaliteteve të jetës që mund vetëm të burojë nga përvoja e luftës. Kjo përbën një vepër fisnike.” Poeti Gjekë Marinaj thekson me superlativa se “Mujë Buçpapaj është poet i nivelit botëror. Poezitë e tij u punuan me një mençuri ekstravagante në të cilën tonet elegjiake dhe ironike nuk rrjedhin nga mençuria e thjeshtë apo zgjuarsia, por nga një urtësi e thjeshtë dhe origjinale e zemrës. Ato lidhin shëmbëlltyrën ekstravagante dhe zgjuarsinë e qartë e mahnitëse për të zbuluar dhe nxjerrë në pah, sa tmerret, aq edhe anët joshëse dhe të këndshme të identitetit të veçantë shqiptar. Dan Reed shton më tej se “FITORJA E PADUKSHME na çon në mbretërinë e arsyeve të një vendi të thellë dhe kaotik në kënaqësitë dhe dhimbjet tona. Ato përbëhen nga lirika të gjalla të jetëve në prag të një bote të re.” Dhe së fundi për të kaluar tek Susan Rushing Adams që shton se “Mujë Buçpapaj sjell për lexuesit pamje të shpejta të pashlyeshme në kujtesë nga lufta e Evropës Lindore, siç është shpresa për paqe në atdheun e tij. Sikurse T.S.Eliot, ai trazon kujtimet dhe dëshirën, duke ballafaquar të porsalindurit e fshehur në pyje dhe të qarat e fëmijëve me remineshenca të dashurisë, pemës së mollës dhe shiut.”